

Agim Aliçkaj/
Diktatorët e shohin rrëzimin e të tjerëve, por nuk mësojnë dhe nuk ndryshojnë, duke besuar se një gjë e tillë nuk mund t’u ndodhë atyre. Diktaturat kanë shumë gjëra të ngjashme, por edhe dallime të mëdha. Megjithatë, një gjë e kanë plotësisht të përbashkët dhe të sigurt: rrëzimin dhe fundin e tyre. Mënyrat e shembjes janë të ndryshme. Më së keqi përfundojnë diktaturat që shndërrohen në tirani ndaj popullit të vet dhe nuk dorëzohen pa përdorimin e dhunës.
Diktatori i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më në fund pësoi humbjen e madhe në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit 2026. Lëvizja Studentore, me Ilija Srdanoviqin në krye të listës zgjedhore, fitoi shumicën parlamentare, duke i dhënë fund dominimit mbi 14-vjeçar të Partisë Progresive Serbe. Diktatura e Vuçiqit po shembet, por pasojat e sundimit të tij mbeten. Fati i tij i mëtejshëm do të varet nga përmasat e keqbërjeve, faktet dhe dokumentet që i dëshmojnë ato, si dhe nga vendosmëria e institucioneve të reja për ta vënë para përgjegjësisë.
Rrëzimi politik i një diktatori serb është gjithsesi lajm shumë i mirë, pavarësisht se Kosova dhe shqiptarët nuk presin ndryshime të mëdha në politikën hegjemoniste serbe.
Përveç korrupsionit dhe problemeve të brendshme, dështimet e Vuçiqit në Kosovë, në ballafaqim me Kryeministrin Albin Kurti, sidomos debakli i sulmit terrorist serb në Banjskë dhe mbrojtja e organizatorit të tij, Milan Radojçiq, kanë qenë ndër goditjet më të rënda ndaj autoritetit të tij politik.
Përgjegjësia e regjimit të Vuçiqit për agresionin terrorist në Banjskë duhet të hetohet deri në fund. Ky dështim i rëndë, së bashku me pakënaqësinë e thellë të qytetarëve serbë ndaj korrupsionit dhe sundimit autoritar, kontribuoi në dobësimin e pushtetit të tij dhe krijimin e kushteve për humbjen zgjedhore.
Pasardhësi i tij, kushdo qoftë ai, duhet të mendojë mirë se si do të sillet me Kosovën dhe shqiptarët. Kosova është vendi ku regjimet serbe kanë kryer krime barbare dhe, njëkohësisht, varri politik i regjimeve kriminale serbe.
Diktatori i Shqipërisë, Edi Rama, bashkëpunëtor i afërt politik i Vuçiqit, po tregon hapur se nuk do të tërhiqet pa e çuar vendin drejt një përballjeje të rëndë. Ai ka hyrë në një rrugë pa krye. Demokracinë e ka shndërruar në një sistem qeverisjeje autoritare, i cili gradualisht po merr tiparet e tiranisë.
Vuajtjet e popullit shqiptar nga regjimi i tij janë të mëdha dhe të padurueshme. Nënë Shqipëria është rrezikuar rëndë nga ai dhe hordhitë e tij politike, oligarkët, interesaxhinjtë, kolltukxhinjtë dhe batakçinjtë që e rrethojnë. Me korrupsion, hajni, pazare, mizori dhe tirani.
Popullin e Shqipërisë edhe po e vjedhin, edhe po e rrahin!
Kosovën dhe tokat dardane i nxori në pazare politike me përfaqësuesit e politikës hegjemoniste serbe. Mosdënimi i krimeve serbe të luftës, Ballkani i Hapur, përpjekjet për ndarjen e Kosovës, mbështetja për asociacionin serb, deklarimi i veriut si tokë e askujt dhe qëndrimet e tij lidhur me krijimin e Gjykatës Speciale janë vetëm disa nga veprimet e tij thellësisht antikombëtare.
Por, e ndaloi Albin Kurti me popullin e Kosovës!
Populli i Shqipërisë, prej muajsh, po kërkon dorëheqjen e tij përmes protestave të vazhdueshme, dinjitoze dhe paqësore. Por ai nuk merr vesh!
Mendoj se janë tri arsye kryesore.
E para, arroganca e tij politike dhe bindja se është më i ngritur, më i mençur dhe më i aftë se të gjithë të tjerët, sikur Shqipëria nuk mund të ekzistojë dhe të përparojë pa të.
E dyta, dyshimet e rënda për korrupsionin e krijuar gjatë qeverisjes së tij të gjatë, lidhjet me oligarkët dhe interesat e fuqishme ekonomike e politike, nga të cilat mund ta ketë gjithnjë e më të vështirë të shkëputet.
Dhe e treta, lidhjet e tij të ngushta politike me regjimin e diskredituar të Vuçiqit, të cilat i shihte si një dritare për afirmim ndërkombëtar.
Ai nuk e kupton se me keqqeverisjen e tij e ka kaluar çdo kufi. Çështjet e Zvërnecit dhe Sazanit janë vetëm disa nga pazaret e dyshimta që kanë alarmuar opinionin publik. Mungesa e transparencës është frikësuese. Një Zot e di se çfarë ka bërë me Shqipërinë gjatë 13 vjetëve të sundimit të tij. Shumë gjëra mund të zbulohen vetëm pas largimit të tij nga pushteti.
Problemi i tij nuk janë vetëm kundërshtarët politikë. Është vetë populli i zemëruar i Shqipërisë. Një popull, sidomos rinia dhe studentët, nuk del në rrugë aq lehtë. Ofertat e tij për kinse bisedime janë false. Veprimet e tij nuk tregojnë as shenjën më të vogël se është i gatshëm për ndryshime thelbësore. Koha e bisedimeve të kota me të ka kaluar.
Në vend që të dorëhiqet dhe ta çlirojë Shqipërinë nga tirania, ai e fajëson popullin për gabimet e veta. Vazhdon me zbulime sensacionale të fajtorëve të imagjinuar, edhe pse përgjegjësinë kryesore për problemet e Shqipërisë e mban vetë si kryeministër. Mbështetësit e tij në shtyp, së fundmi, kanë filluar ta akuzojnë edhe Kryeministrin Kurti për nxitje të protestave.
I vetmi «faj» i Kurtit është se ai përfaqëson shembullin e një lideri që synon qeverisjen me duar të pastra dhe i ekspozon qeveritarët e korruptuar. Ai ka dëshmuar se nuk blihet dhe nuk shantazhohet lehtë.
Përzierja e Kryeministrit Kurti apo e politikanëve të Kosovës në punët e brendshme të Shqipërisë nuk është as e preferueshme, as e nevojshme. Përkundrazi, mund të mbjellë përçarje dhe të krijojë rreziqe të panevojshme. Ai nuk guxon të bëhet si Edi Rama, i cili, në bashkëpunim me Serbinë, ka vepruar hapur kundër interesave të Kosovës.
Megjithatë, askush nuk mund ta ndalë popullin shqiptar të Kosovës, të trojeve të tjera shqiptare dhe të mërgatës që t’i mbështesë dhe të marrë pjesë në protestat e drejta e paqësore të popullit shqiptar të Shqipërisë. Kjo është detyrë kombëtare. Shqipëria u takon të gjithë shqiptarëve, pavarësisht se ku jetojnë.
Pretendimet e Ramës se ka mandat të pakufishëm dhe të paprekshëm deri në vitin 2029, vetëm sepse i ka fituar zgjedhjet me shumicë votash, nuk qëndrojnë. Me votë, populli të autorizon për të udhëhequr mirë, jo për të punuar keq dhe për t’i tradhtuar interesat shtetërore dhe kombëtare. Populli ka të drejtë të kërkojë largimin nga pushteti të kujtdo që paraqet rrezik për shtetin, përmes mjeteve demokratike dhe kushtetuese.
Mosreagimi dhe mungesa e kritikës ndaj veprimeve të Edi Ramës nga disa qarqe ndërkombëtare mund të shpjegohen me faktin se ato preferojnë të kenë të bëjnë me qeveritarë të dëgjueshëm, që nuk ua prishin interesat gjeopolitike, derisa të binden se nuk kanë më përfitime prej tyre. Ka ardhur koha që diplomatët ndërkombëtarë të dalin hapur kundër sjelljes brutale dhe jodemokratike të qeverisë së Edi Ramës.
Deklaratat e Ramës se e ka mision anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, se vetëm ai mund ta realizojë atë dhe fajësimi i protestave si pengesë për këtë proces, nuk kanë kurrfarë logjike normale. Ata që besojnë se ai është i pazëvendësueshëm janë të verbëruar nga interesat ose të kapluar nga naiviteti.
Shqipëria do të bëhet shumë më mirë pa Edi Ramën!
Diktatura e Edi Ramës në Shqipëri duhet të shembet. Protestat paqësore janë metoda e preferuar. Duhet të konsiderohen edhe forma të tjera të rezistencës demokratike: bllokadat paqësore, bojkotet, grevat dhe mosbindja qytetare. Bashkëpunimi i studentëve dhe i qytetarëve me politikanë të pakomprometuar të partive opozitare është i nevojshëm për krijimin e një alternative serioze demokratike.
Dhuna duhet të parandalohet dhe elementët që e shkaktojnë atë duhet të zbulohen dhe të izolohen. Duhet pasur kujdes nga provokatorët dhe personat e dyshimtë nga të gjitha anët, përfshirë mundësinë e infiltrimit të individëve që synojnë diskreditimin e protestave dhe nxitjen e përplasjeve.
Dhuna e policisë gjatë protestave të fundit, në shumë raste, ka qenë e tepruar dhe mizore. Pamjet e qytetarëve të pambrojtur që goditen nga forcat e rendit të kujtojnë skenat e dhunës së policisë serbe ndaj shqiptarëve. Populli shqiptar i Kosovës e ka provuar shumë herë dhunën e regjimeve kriminale serbe, deri në arritjen e lirisë.
Është e pakuptueshme sjellja e deputetëve të Partisë Socialiste dhe mbështetja e tyre pothuajse e pakushtëzuar për Edi Ramën, edhe pas muajsh të tërë protestash dhe pakënaqësish të mëdha qytetare. Do të ishte shumë më e ndershme dhe më e përgjegjshme që deputetët me ndërgjegje shtetërore dhe kombëtare të gjenin guximin politik për të siguruar 71 votat e nevojshme për një mocion mosbesimi ndaj Edi Ramës. Përndryshe, rrezikojnë të mbajnë mbi vete përgjegjësinë politike dhe të ndajnë fatin e keq të regjimit të tij.
Përjashtim nga kjo sjellje bën deputetja socialiste Marjana Koçeku, e cila meriton respekt dhe vlerësim të veçantë për guximin dhe dinjitetin e treguar duke kundërshtuar hapur veprimet e Edi Ramës.
Sidoqoftë, tiranit Edi Rama i ka skaduar afati moral dhe politik i qeverisjes në Shqipëri. Këtë po e thonë me zë të lartë qytetarët dhe rinia shqiptare që kërkojnë ndryshim. Fundi i pushtetit të tij është i pashmangshëm. Sa më shumë ta shtyjë përballjen me përgjegjësinë politike, aq më i rëndë mund të jetë përfundimi i tij. Dëmet dhe pasojat për Shqipërinë mund të jenë të mëdha dhe të paparashikueshme, por nuk janë të pashmangshme nëse mbizotëron arsyeja dhe vullneti demokratik i popullit.
Nënë Shqipëria do të marrë frymë lirshëm, në përqafim vëllazëror me Kosovën dhe me të gjithë shqiptarët anembanë botës!