

Dr. Bledar Kurti/
Manastiri i Graçanicës gjendet në qendër të Graçanicës, në bregun e majtë të lumit Graçanka, në jug të Prishtinës, Kosovë.
Manastiri i sotëm është rikonstruktim i një kishe të shekullit të 14-të e ndërtuar në themelet e një bazilike më të hershme të krishterë të shekullit të 6-të.
Afresket e mrekullueshme e të rralla, të cilat datojnë në vitet 1321-1322, të mahnisin, pasi ndryshe nga stili tipik bizantin i shekullit të 14-të, kanë një atmosferë tri-dimencionale dhe novatore në kompozim. Mendohet se ishin piktorët e famshëm të asaj kohe Mihajli dhe Evtihije nga Selaniku që u thirrën për të pikturuar afresket e manastirit.
Përpos elementëve impresionues artistik e arkitekturor, ajo që të bie menjëherë në sy është se shumë prej shenjtorëve apo figurave në pjesën e ulët të afreskut u mungojnë sytë.
Mendja shkon te vandalizmi apo pushtuesit otoman, por jo, ishin vetë banorët e zonës së asaj kohe që ua fshinë sytë shenjtorëve. Të moshuarit e mesjetës, teksa u binte shikimi, që të mos verboheshin plotësisht, gërrvishnin e merrnin me thonj pigmentin e bojës nga sytë e shenjtorëve dhe pastaj preknin sytë e tyre që mos të humbisnin shikimin.
Kjo bestytëni fetare na shpalos një botëkuptim tejet tërheqës për të kuptuar natyrën e kohës dhe dëshpërimin e njeriut, ndërkohë që na tregon edhe një herë tjetër se sa idhulltare është qenia njerëzore, duke shkulur sy të pikturuar, apo si në raste të tjera të pafundme të çdo kulture apo feje, duke puthur copa druri, guri, statuja, ikona, flokë njeriu, rroba leshi e mëndafshi, etj, e duke shpresuar në mrekulli nga objektet e krijuara nga vetë dora e njeriut.
Gjithësesi, në aspektin artistik mbetet me vlera të rralla e për këtë arsye në vitin 2006 u shpall nga UNESCO si sit i trashëgimisë botërore.