Erion Muça/
Shoqëria jonë nuk ka modele ose më saktë modelet e paraqitura janë iluzion ose sipërfaqësore. Po të shohim rreth nesh shohim të rinj që përpiqen të formohen dhe zhvillohen duke qenë të shkolluar dhe kompletuar por paguhen/përfitojnë më pak se ata që guxojnë në çmenduri e pa i bërë pazar kokës nëse humbasin, dështojnë bien në burg apo ja ngecin shokut. Po të shohim rreth nesh kuptojmë që promovimi në karrierë ndodh më shumë ose si rrjedhojë e momentit, rrethanës apo mbështetjes së saj me rol madhor fatin por edhe me një dorë paturpësi, pafytyresi dhe imoralitet pa të cilat nuk bëhesh dot trendy dhe rrjedhimisht modern e kësisoj rrezikon të dalësh jashtë tregut.Po të shohim rreth nesh e të karahasojmë ka më shumë rëndësi të njihesh dhe të dukesh sesa të vlerësohesh dhe motivohesh për rezultatin e asaj që ben dhe për profesionistin që je.Po të shohim rreth nesh shohim një pjesë të rinjsh që priren drejt snobizmit sesa leximit e mbeten në sipërfaqe të asaj çfarë duhet të jenë dhe peshës së moshës dhe vitalitetit që i karakterizon.Po të shohim rreth nesh shohim se ata që ecin më shpejt janë ana që kanë kuptuar qasjen e të përshtaturit ndaj çdo gjëje dhe lënit menjanë të sedrës dhe parimeve profesionale duke i zëvëndësuar me një mendje të lehtë pasi rëndësi ka fitimi dhe leku e jo shumë deri aspak marrëdhënia, trajtimi dhe mbështetja për të ecur para me optimizëm duke përmirësuar veten.Po të shohim rreth nesh dallojmë qartë një armatë të rinjsh që janë të zotë që presin dhe kërkojnë shumë nga vetja por që parakalohen nga ata që veprojnë në tym ku del leku dhe janë gati të shtypin, ofendojnë, cënojnë, kërcënojnë orientuar nga interesi i ngushtë meskin i momentit apo nevoja për furnizim me mundësitë materiale për të ecur me i thënçin kërkesa të kohës.Po të shohim rreth nesh shohim sesi nuk kemi mekanizma që matin suksesin dhe sesi modelet që i njohim për të tilla jo vetëm nuk janë por dhe dëmtojnë shoqërinë duke i sjellë një konfuzion më të lartë mbi atë çka vërtetë është dhe mund ta konsiderojmë sukses.Po të shohim rreth nesh dita ditës hasim të rinj që po largohen nga mungesa e motivimit, stabilitetit, pasigurisë apo meritokracisë në çdo aspekt në një vend ku edukata, kultura, ndërgjegjja dhe përgjegjshmëria vetjake shikohen e cilësohen si pengesë drejt realizimit të ëndrrave të mëdha profesionale e atyre në karrierë.Në fund po të shohim rreth nesh do të kuptojmë që nëse nuk kthehemi tek thelbi dhe thellësia e gjerave për ti parë dhe orientuar tek merita, barazia, konkurenca e ndershme dhe arritja e profesionalizmit vetëm mbi bazë e me anë të edukimit, formimit, zhvillimit të njohurive, aftësive dhe vlerave individuale e intelektuale, atëherë si dhe “Peshku” i Albert Anshtajnit “do mendojmë gjithë jetën se jemi budallenj”.