Prof.As.Dr. Hasan BELLO/
Autorë e studiues vendas dhe të huaj me të drejtë kanë theksuar se jeta dhe vepra e Syrja Bej Vlorës paraqet portretin tipik të një politikani dhe intelektuali që reflekton dramën e dhimbshme të kalimit nga perandoria në shtetin kombëtar shqiptar.
Jeta e Syrja Bej Vlorës jo vetëm që nuk është rrëfyer siç duhet deri më sot, por edhe ata historianë që kanë shkruar pak rreshta mbi të, për shkaqe ideologjike që tashmë dihen, janë gabuar dhe nuk i kanë dhënë vendin e duhur kësaj figure.
Ai e ka preardhjen nga dera e Vlorajve, kësaj familjeje fisnike shqiptare që duke nisur nga shek.XV-të, ka shërbyer si djep funksionarësh për shtetin osman deri në fundin e perandorisë.
Për arsye se familjet e njohura në Shqipëri lidhnin krushqi me njëra-tjetrën Syrja Bej Vlora ka lidhje farefisnore me të gjitha familjet e rëndësishme të Shqipërisë.
Në moshën njëzetvjeçare Syrja Beu u emërua në detyrën e drejtorit të sekretariatit të sanxhakut të Korçës, gjatë kohës kur i ati ndodhej atje me detyrën e mytesarrifit (qershor – dhjetor 1879). Kjo periudhë përkon me vitet e vështira të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kur Fuqitë e Mëdha dhe ato Ballkanike përpiqeshin për copëtimin e trojeve shqiptare. Pikërisht në këtë periudhë, Syrja Beu fare i ri në moshë u orvat të mblidhte në Vlorë krerët e qyteteve përreth “për të formuar një lidhje kombëtare e për të vendosur mbrojtjen e atdheut”. Ky bashkim i shqiptarëve të Jugut, i ngjashëm me atë të Veriut konsiderohet si fillimi i nacionalizmit shqiptar.
Rrethanat e kohës e detyruan Syrja Bej Vlorën që krahas veprimtarisë administrative dhe patriotike, t`i kushtonte vëmendjen e duhur edhe manaxhimit të ekonomisë familjare. Siç tregon i biri, Eqrem Bej Vlora, në sajë të gjenialitetit tregtar të Syrja Beut, i cili nga mëngjesi në drekë e kalonte kohën në studion e punës me sekretarët dhe miqtë e tij, pasuria e familjes në Vlorë, në 25 vjet u gjashtëfishua. Me përpjekjet e tij, u hapën fabrikat e para të vajit në Vlorë dhe Kaninë, u ngritën mullinj me avull, u rrit vëllimi tregtar me Triesten dhe standardi i jetesës për shtresën e mesme të vendit.
Në vijim të këtyre përpjekjeve në vitin 1888 Syrja Beu solli nga Italia 22 familje me origjinë shqiptare që e njihnin mjaft mirë bujqësinë dhe me ta krijoi një fermë pilot në tokat e tij, në mënyrë që edhe fshatarët vendas të mësonin teknikat e reja.
Në periudhat në vijim Syrja Beu do të ushtroi një sërë funksionesh, të cilat kulmuan me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave të Perandorisë Osmane (1903-1908) dhe si deputet në vitin 1912.
Në Parlamentin osman, Syrja Beu do të bëhet zëri dhe përçuesi i mbrojtjes së interesave të popullit shqiptar, i cili në këtë fazë kishte hyrë në një kontradiktë të ashpër me qeverinë osmane, që tashmë drejtohej nga xhonturqit. Nga foltorja e Parlamentit ai i drejtohet kryeministrit dhe deputetëve xhonturq me fjalët “për nënshtrim mjafton forca. Por për të arritur kënaqësinë dhe satisfaksionin e popullit, nevojitet mirëqeverisja”. Ai denoncon me emër nënpunësit civilë dhe ushtarakë osmanë, që me sjelljen e tyre të ashpër kishin ngjallur urrjetjen e popullit shqiptar.
Sipas Syrja Bej Vlorës tre ishin arsyet kryesore që i kishin acaruar marrëdhëniet e perandorisë me shqiptarët: mbledhja e armëve nga duart e popullsisë myslimane, mësimi i shqipes në shkolla dhe çështja e shkrimit të gjuhës shqipe me gërma latine. Ai kritikon ashpër shpalljen qeveritare sipas së cilës “gërmat latine bien në kundërshtim me fenë”. Këto kritika shkaktuan reagime të forta në Parlamentin osman. Por, ai, me qetësi dhe logjikën e një personaliteti poliedrik deklaron se “në këtë epokë të qytetërimit, shteti as nuk duhet ta përdorë fenë si mjet e as të pengohet prej saj”. Deputetëve kundërshtues ai i drejtohet me fjalët “Nëse ky Parlament nuk merret me çështjen shqiptare, me cilën çështje do të merret?”.
Këto rrethana e detyruan atë dhe patriotët e tjerë shqiptarë që më 12 janar 1912 të mblidheshin në shtëpinë e tij, në lagjen e njohur të Taksimit në Stamboll. Në këtë takim u vendos për organizimin e një kryengritje mbarëkombëtare, duke përfshirë Kosovën dhe të gjitha krahinat e Shqipërisë.
Në këtë periudhë Syrja Beu dhe i biri i tij Eqremi, me mbështetjen e Austro-Hungarisë luajtën një rol të rëndësishëm për Shpalljen e Pavarësisë. Por për rrethana historike që ende sot e kësaj dite mbeten enigmatike, ata megjithëse ishin planifikuar si ngitës të flamurit kaluan në plan të dytë dhe roli kryesor iu besua Ismail Qemalit, i cili përsëri ishte kushuri i tyre.
Kjo meritë për vite me radhë ka qenë mohuar nga historiografia komuniste, por me ardhjen e pluralizmit figura dhe kontributi i Syrja Bej Vlorës por merr çdo ditë e më shumë vendin që meriton.
Në qeverinë jetëshkurtër të Princ Widit Syrja Beu do të emërohet si ambasador i Shqipërisë në Vjenë. Kjo tregon për vlerësimin që ai kishte për Syrja Beun.
Ndërsa gjatë viteve të LPB ai do të vendoset në Lozanë e Zyrih të Zvicrës nga ku do të përpiqet për të shpëtuar fatet e atdheut së bashku me shumë shqiptarë të tjerë.
Në përfundim të luftës ai do të përpiqet të rimarrë pronat e konfiskuara nga xhonturqit në Stamboll. Ndërsa qëndron larg zhvillimeve dhe ngatërresave politike që ndodhin në Shqipëri.
Pas lëvizjes së qershorit 1924 për një kohë të shkurtër Syrja Beu vendoset në Itali dhe pas kthimit të Ahmet Zogut rikthehet përsëri në Vlorë.
Falë formimit dhe bibliotekës së pasur që dispononte ai do t`i përkushtohet leximit dhe shkrimit të kujtimeve, të cilat krahas atyre të të birit, Eqrem Bej Vlorës, përbëjnë një burim të pazëvendësueshëm për letrat shqipe.
Foto: wikipedia.org