TIRANË, 28 Nëntor/- Me rastin e 104 -vjetorit të Pavarësisë përfaqësitë tona diplomatike kanë zhvilluar një sërë aktivitetesh festive. Ministria e Punëve të Jashtme përcolli nëpërmjet një galerie fotosh festimet e ndryshme në Francë, Suedi, Turqi, Emirate, Itali, Kanada, Hollandë, Greqi, Austri, Izrael, Maqedoni, Bruksel, Slloveni dhe Danimarkë, Florida, etj.Në disa prej ambasadave janë organizuar pritje nga ambasadorët për të festuar këtë ditë, ku kanë marrë pjesë figurat e njohura të këtyre vendeve. Në Florida të SHBA-ve e Suedi, nuk ka munguar edhe vallja shqiptare, ndërsa një statujë në Bruksel e kanë veshur me kostum popullor fëmijësh.Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Shkup, organizoi një pritje zyrtare në Hotel “Aleksandar Palace” ku morën pjesë përfaqësues të lartë të Parlamentit, qeverisë , partive politike, arsimit, kulturës, përfaqësues të mediave, shoqërisë civile etj.“Ne mbështesim me forcë integritetin territorial, sovranitetin dhe funksionimin e plotë të shoqërisë multietnike në Maqedoni, si edhe aspiratat e këtij vendi për anëtarësimin në NATO dhe BE, duke inkurajuar plotësimin sa më shpejt të konkluzioneve të Samitit të Uellsit, përfshi edhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, si garanci për funksionimin e një Maqedonie demokratike dhe si një shoqëri multietnike e shëndoshë, që ajo të jetë shteti i të gjithë qytetarëve të saj”, tha ambasadori Fatos Reka.Ndërsa në Prizren, Kosovë, ambasadori Qemal Minxhozi mori pjesë në disa veprimtari të organizuara në kuadër të Pavarësisë së Shqipërisë. Fillimisht, ai së bashku me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli morën pjesë në ceremoninë e përurimit të përmendores së profesorit dhe patriotit të shquar Ukshin Hoti.Më pas ai bëri vizita në familjen e patriotit Ymer Prizreni, Kryeministër i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si dhe në familjen e mësuesit veteran Hasan Ibri.I shoqëruar nga Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, ambasadori Minxhozi mori pjesë edhe në koncertin festiv kushtuar 28 nëntorit.Edhe Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Selanik zhvilloi ceremoninë e ngritjes së Flamurit shqiptar me rastin e Festës Kombëtare të Shqipërisë, pranë Komandës së Përgjithshme të Trupave të Dislokueshme të NATOS në Greqi.Në këtë muaj festimesh të komunitetit të shqiptarëve edhe shqiptarët e Italisë zhvilluan një sërë aktivitetesh ku ndër to ishte edhe “Dita e festimit me arbëreshët në kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër”.Ndërsa ambasada e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë për të kremtuar Ditën e Flamurit zgjodhi këtë radhë të jetë mes arbëreshëve në Romë. Aktiviteti filloi me një kuvend kushtuar martirëve, organizuar nga komuniteti italo-shqiptar i S. Atanasio ku referoi gazetarja e Radio Vaticanit, Klaudia Bumçi. Sot në kishën Sant Atanasio në Meshën e Shenjtë liturgjia u bë arbërisht. Gjatë omelisë Papas Giuseppe Barrale kujtoi Ditën e Flamurit e bekoi Shqipërinë e shqiptarët.Me rastin e Ditës së Flamurit dhe 104- vjetorit të Pavarësisë u organizua në Sarajevë një mbrëmje festive më bashkatdhetarë nga Bosnja Hercegovina, si dhe qytetarë të ardhur nga Shqipëria. Në këtë aktivitet mori pjesë Ambasadori Ilir Melo dhe Konsulli i Përgjithshëm i Nderit në Bosnje dhe Hercegovinë, Muharrem Zejnullahu.104- vjetori i Pavarësisë u festua edhe në EUFOR në Bosnjë dhe Hercegovinë. Në ceremoninë me rastin e Festës Kombëtare të Shqipërisë, organizuar në kampin ushtarak Butmir në Sarajevë nga përfaqësuesit shqiptarë pranë EUFOR, ishin të pranishëm ambasadori Melo përfaqësues të shteteve pjesëmarrëse në EUFOR dhe NATO, si dhe Komandantja e zyrës së NATO-s në Bosnjë dhe Hercegovinë, Gjeneral Giselle Wilz.
Këshilli i Pakicës Shqiptare të Prefekturës së Zagrebit, Kroaci organizoi një mbrëmje festive me rastin e Ditës së Flamurit dhe 104-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ku mori pjesë edhe diplomati Ilir Qorri nga ambasada e Shqipërisë.
“Kemi bindjen në këtë ditë të shënuar, se kombi shqiptar, së bashku me kombin mik kroat, do të jenë krah për krah së afërmi edhe në Bashkimin Evropian”, tha ai.
/a.gjonaj//ATSH/