Ambasadori i SHBA Donald Lu dhe ish kryeministri Sali Berisha kanë zhvilluar sot një takim, ku kanë diskutuar për arritjen e kompromisit mes partive që do t’i shërbente pozitivisht vendit tonë. Lu e njohu Berishën me përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të arritur në një kompromis midis maxhorancës dhe opozitës për të votuar amendamentet kushtetuese brenda afatit të përcaktuar.Ish- kreu i demokratëve shprehu vlerësimin e tij për përpjekjet e ambasadorit Lu për arritjen e një kompromisi, në vlerësimin tij plotësisht të mundshëm, midis palëve për votimin e reformës. Ai u ndal më tej në rëndësinë jetike që ka zbatimi i ligjit të dekriminalizimit, për institucionet dhe vendin në tërësi. Sipas Berishës, Edi Rama nuk ka vullnet për zbatimin e këtij ligji. Por sipas tij, Rama ka futur në Parlament vrasës, pengmarrës, trafikantë dhe jo vetëm që nuk kërkon ndjesë po përpiqet të maskoje aktin e tij kriminal duke i krahasuar ata me deputetë të dënuar për shkelje të rregullave të trafikut rrugor apo të burgosur me ligjin e arratisjes së kohës së diktaturës, ndërkohë mashtron diplomatë të huaj duke iu thënë se ai vertet ka futur kriminelë nga Veriu në Parlament, por ato zona ashtu qeverisen dhe se ata i ka marë nga Berisha. Berisha theksoi më tej se, nga lista e PD nga viti 1991 deri më sot nuk ka absolutisht asnjë deputet apo kandidat për deputet të dënuar për krimet e konventës.