• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TAKIMI I POETEVE AZEM SHKRELI ME VEHBI SKENDERIN

December 8, 2020 by dgreca

–E falenderoj veprimtarin Sallah Jonuzi për këto foto të takimit të poetëve Azem Shkreli me Vehbi Skënderin–

Shkruan:Nga Elida Buçpapaj-

Këto dy foto i ka publikuar  veprimtari i çështjes kombëtare  në Zvicër Sallah Jonuzi.

I takojnë majit të vitit të mbrapshtë 1997.

Dega e LDK-së në St. Gallen do të organizonte asaj kohe promovimin e librit të poetit Vehbi Skënderi “Bëjmë Sikur”,

Në takim do të merrte pjesë edhe poeti i shquar nga Kosova Azem Shkreli.

Azem Shkreli kishte lindur në Rugovë të Pejës për të cilin Atdheu ishte dheu i birit, atit e shpirtit të shenjtë.

Vehbi Skënderi i lindur në malësinë e Gorës gjithë jetën i ishte lutur Zotit që ta linte gjallë deri sa ta shihte Kosovën e lirë.

Në një ditë maji të vitit 1997 buzë Liqenit të Kostancës, komunitetit shqiptar në Zvicër organizoi në mënyrë të shkëlqyer takimin e dy poetëve.

Merita i takon veçanërisht LDK-së të asaj kohe.

Azem Shkreli dhe Vehbi Skënderi kishin midis një kohë të ndaluar, të ndarjes të shqiptarëve për së gjalli, që do të deshnin ta mbushnin.

Të pinin mijra kafe e çaje që do t’i kishin pasur për t’i pirë gjatë viteve të Murit të Berlinit ndërshqiptar, në kafenetë e Tiranës apo Prishtinës,

të flisnin me mijra orë që do t’i kishin folur, të recitonin pa rreshtur poezitë e njëri tjetrit për fituar kohën e humbur.

Më 1994 Vehbi Skënderit, falë vlerësimit të shkrimtarëve të Kosovës, iu dha çmimi i parë edhe në Festivalin e Ditëve të Naimit në Tetovë,

që asaj kohe kishte startuar si aktivitet mbarëkombëtar i poezisë shqiptare.

Por ai maj i vitit 1997 do të ishte i fundit i jetuar në tokë për Azem Shkrelin.

Ajo rrokje duarsh me Vehbi Skënderin po e fundit.

Ne patëm fatin ta takonim Azem Shkrelin po gjatë asaj pranvere të mallkuar, në një takim me lexuesit ku ishte e ftuar edhe Flutura Açka

duke shkëmbyer trishtimin e asaj që po ndodhte mes shqiptarëve në Shtetin amë.

Ka një poezi Azem Shkrel ku shkruan:

Sonte

qava sonte për ty
Arbëri

Nuk më vjen turp
pse qava
më vjen turp pse s’munda
të bëj tjeter

Nga turpi qava.

Me plagë në shpirt do të ishte edhe Vehbi Skënderi ato ditë të fundshekullit XX, kur ngjante se fati i shqiptarëve ishte i pafat,

Vehbi Skënderi që e kishte vuajtur gjithë jetën braktisjen që iu bë Kosovës,

kishte frikë se mos historia përsëritej

pasi më 1998 nga njëra anë shqiptarët luftoheshin midis veti,

nga ana tjetër Milosheviçi përgatitej t’i çrrënjoste në Kosovë.

Prandaj do të shkruante:

“Nga ferri dole Ti, Kosovë! Lart na ngrite
Ti më e mira nënë, në Altarët e këtij Tempulli.
Thua prap po të lemë në tym, pa fije drite:
Në këtë mbarim dite e këtë mbarim Shekulli?”

Janë ca kohë që rrezikohen të bien nën dominimin e fataliteteve.

Dhe që dalin prej zonës të predestinuar, vetëm kur e merr fjalën fuqia supreme.

Poetët janë njerëzit më të afërt të Zotit, sepse e kanë ndërgjegjen të kulluar,

këtu dallohet poeti nga turmat dhe amatorët –

por “Zoti është poeti perfekt” thotë Robert Browning një nga poetët më të shquar të periudhës viktoriane.

*******

Sot 23 vjet larg asaj date, dua të kujtoj se komuniteti shqiptar asaj kohe kishte një organizim të mbështetur në vlerat e kulturës dhe të patriotizmit.

Ishte ky komunitet që paguante 3 %, që kishte startuar  me LAPSH-in, hapjen e Shkollës Shqipe për mësimin e gjuhës amtare,

ishte ky komunitet që mbështeti si rrallëkush liderin europianist Ibrahim Rugova,

ishte po ky komunitet nga rradhët e të cilit dolën strategët e UÇK-së si Agim Ramadani me shokë.

Komuniteti shqiptar në Zvicër mbante një peshë të madhe, peshën e maleve, me njerëzit më të mirë, ku të gjithë sakrifikonin për idealet Perëndimore, kulturë e edukim.

Sot mjerisht ky komunitet është më i përçarë se kurrë,

faktori politik e ka defaktorizuar, duke promovuar antivlerën, interesin ndaj fitimeve pa meritokraci, një copy paste sikur ndodh në Shqipëri dhe Kosovë.

Shqiptarët kanë përjetuar diktaturën, pushtimin dhe tash shtetin e kapur prej krimit dhe korrupsionit.

Nga dy fatalitetet e para është çliruar,

padyshim që do të çlirohet edhe nga fataliteti i tretë, sepse shqiptarët meritojnë të fitojnë dinjitetin e mohuar si nga diktatet e konjukturave të historisë,

edhe nga diktati i një kaste politike të degraduar nga abuzimi

që ua ka humbur e çuar kohën dëm shqiptarëve.

Shqiptarët kanë tejkaluar rreziqe në dukje të patejkalueshme.

Albert Camus, një fuqi e jashtëzakonshme e mendjes njerëzore shkruan:

“Në mes të dimrit

unë më në fund zbulova

se brënda meje ishte

një verë e sigurt, e paprekëshme”.

Fjalë kyçe: Vehbi Skënderi, Elida Buçpapaj, IBRAHIM RUGOVA, Zvicër, AZEM SHKRELI, AGIM RAMADANI, eprorë të UÇK-së, Robert Browning, St Gallen, Bëjmë sikur, Sallah Jonuzi, komunitetit

Filed Under: ESSE Tagged With: Azem Shkreli, Elida Buçpapaj, Ibrahim Rugova, VEHBI SKËNDERI

Ismail Kadaresë çmimi “Azem Shkreli” dhe titulli “Qytetar Nderi i Pejës”

May 21, 2016 by dgreca

-Shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, ka ardhur në Kosovë me mesazhe optimiste. Se shqiptarët sot janë më afër Evropës si asnjëherë më parë, ka qenë njëri prej tyre/

– Në një karrige të vendosur në mesin e skenës, ai u prit nga shumë qytetarë që kishin mbushur sallën e këtij objekti kulturor, vetëm për ta parë e takuar nga afër kolosin e letrave shqipe.Në mesin të gjithë atyre ishte edhe vajza e Azem Shkrelit, Aida, që kishte ardhur enkas për këtë mbrëmje nga Kanadaja./

PEJË, 21 Maj 2016/ Në Kosovë, në qytetin e Pejës, po mbahet edicioni XIV i takimeve ndërkombëtare letrare “Azem Shkreli”.

Në ceremoninë e zhvilluar sot shkrimtari shqiptar i vlerësuar i majave të universit të përbotshëm letrar, Ismail Kadare, u shpall laureat i çmimit “Azem Shkreli” dhe poashtu iu dha titulli “Qytetar Nderi i Pejës”. “Sot jam vërtetë i prekur të marr këtë çmim, që mban emrin e mikut tim të shtrenjtë, me të cilin kemi pasur gëzime, brenga e zhgënjime të përbashkëta ndër vite. Është ndjenjë e pabesueshme për mua”, tha Kadare duke marrë  çmimin me emrin e poetit shqiptar nga Kosova Azem Shkreli.

Duke u shprehur i nderuar Kadare tha se letërsia është pjesë e pandarë e kulturës shqiptare.

“Dhe këtë kulturë sot ju e keni nderuar. Dikur nuk e kemi paramenduar kohën kur shqiptarët e Shqipërisë do të merrnin çmime në Kosovë, dhe ja që diçka e tillë po ndodhë”, tha Kadare.

Shtypi i sotëm kosovar thekson se, shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, ka ardhur në Kosovë me mesazhe optimiste. Se shqiptarët sot janë më afër Evropës si asnjëherë më parë, ka qenë njëri prej tyre.

Ka kujtuar Kosovën që njohu më shumë se gjysmë shekulli më parë. Atë nga këndvështrimi i poetit Azem Shkreli, emrin e të cilit e mban manifestimi që e ka sjellë të premten mbrëma në Pejë.

Në mbrëmjen e parë të edicionit XIV të takimeve ndërkombëtare letrare “Azem Shkreli”, Kadare ka qenë protagonisti kryesor në skenën e kinoteatrit “Jusuf Gërvalla”, shkruan gazeta Koha Ditore.

Në një karrige të vendosur në mesin e skenës, ai u prit nga shumë qytetarë që kishin mbushur sallën e këtij objekti kulturor, vetëm për ta parë e takuar nga afër kolosin e letrave shqipe.

Në mesin të gjithë atyre ishte edhe vajza e Azem Shkrelit, Aida, që kishte ardhur enkas për këtë mbrëmje nga Kanadaja./b.j/

Filed Under: Komente, Kulture Tagged With: “Qytetar Nderi i Pejës”, Azem Shkreli, dhe titulli, Ismail Kadaresë çmimi

PAZARLLËQE PREJ XHAMBAZËSH

September 19, 2015 by dgreca

*Azem SHKRELI-“Të vërtetën përgjysmë mos e ndaj, se njëra gjysmë komploton kundër saj”./

*Rebelët politikë të mbarë trevave shqiptare gjithmonë kishin mëtuar të vepronin në pajtim me thënien e filozofit Ukshin Hoti – “Bëje ose vdis”…, ca e bënë vetëm të parën, ca të tjerë vdiqën pa e bërë të parën dhe të tjerë mbetën gjallë pa i përmendur dot njeri. Këtë veprim e bënë për kushedi të satën herë dhe, çuditërisht, nuk vdiqën, por ama u bënë horë./

Nga Fadil LUSHI/

Ne Foto:Ukshin Hoti/

  Kritikët letrarë shqiptarë thonë se Azem Shkreli ishte një poet që u ngjit natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare. Ai një herë, pos të tjerash, kishte thënë: “Të vërtetën përgjysmë mos e ndaj, se njëra gjysmë komploton kundër saj”. Ky përgjysmim i së vërtetës shkreliane sot e gjithë ditën e Perëndisë gjen shprehje pa fije dyshimi te mediet e shkruara dhe ato elektronike (pro, kundër dhe të “pavarura”) të Shqipërisë politike dhe të Republikës së Kosovës. Nuk do mend se ky “komplot” vihet re brenda shkrimeve, opinioneve, kolumneve, analizave politike, editorialeve a komenteve redaksionale dhe debateve televizive, të gjitha këto të ndërtuara nga opinionbërësit e Tiranës, të Shkupit dhe të Prishtinës.   

         Është e drejtë e gjithsecilit të bëjë analiza politike, vështrime si dhe editoriale ekskluzivisht nga këndvështrimi i tij, mandej në pajtim me higjienën e mendjes po, në instancë të fundit, edhe  në përputhje me interesin e tij. Ne këtë logjikë nuk duam ta kuptojmë ndryshe, andaj as që do ta kontestojmë dhe për këtë arsye në këtë shkrim, për të mos krijuar paqartësi eventuale, nuk do të hapim debate, madje as që e kemi ndërmend të krijojmë tarafllëqe të reja…, e ndiejmë për detyrë, që të jemi më të qartë, më të drejtpërdrejtë, më të afërt me lexuesin aq më tepër kur dihet se komentet a vështrimet tona të deritanishme disi paskan qenë jokomplete, të paqarta dhe mbase edhe paksa paragjykuese. Nëse paragjykimi respektivisht mendimi i gabuar është pjellë e ndjenjës së egoizmit, sidomos  egoizmit profesional, atëherë këtë shkrim të radhës do ta mbështesim në fakte a dëshmi të arsyeshme. Që ne “…të vërtetën mos e ndajmë përgjysmë…”, do të bëjmë përpjekje që ky vështrim gazete, të mos na dalë si ai “pazari i vdekur politik” dhe si historia politike të ca njerëzve të cilët dikur me retorizmat e tyre të varfra  a boshe “ngazëllonin” zemrat e njerëzve në hall e në nevojë…, të njerëzve që shpresat e tyre i mbështetnin te fjalët e politikanëve zhgënjyes, të cilët kur nuk kishin gjë për të thënë, atëherë u referoheshin gjyshërve dhe stërgjyshërve të tyre, vetëm e vetëm për të ndërtuar patriotizmin e tyre të sajuar a të rremë…, për të ndërtuar atë filozofinë e politikëbërjes së moderuar, për të ndërtuar një mendje krejt tjetër fare…

         Kohë më parë lexova diku një reagim me sa vijon:  “Jam këtu për të refuzuar një shoqëri autokratike, që në mënyrë arbitrare i vret fëmijët dhe i tall prindërit e tyre. Unë dal të reagoj kundër dhunës, kundër totalitarizmit, që kur të më ndodhë mua fatkeqësia, të ketë një zë që të reagojë për mua”, kishte thënë një shqiptar përndryshe shtetas i Republikës së Maqedonisë, thjesht ishte një përgjigje ndaj një ngacmimi të jashtëm që prodhon padrejtësi ndaj fëmijëve shqiptarë dhe prindërve të tyre. Këtë reagim të tij ne assesi nuk mund ta paragjykojmë, nuk kemi të drejtë ta heshtim e as ta anashkalojmë, por ama, as nuk mund ta konceptojmë si një lloj himni a një kënge solemne që i kushtohet vatanit, që ne sa herë të vihemi në siklet të madh ose sa herë të kemi nevojë për “publicitet”, aq herë ta intonojmë si të tillë. Ne duam të dimë se prej kur daton ky shtet arbitrar, na intereson të dimë se prej kur frymon ky shtet autokratik, prej kur ekziston ky arbitrarizëm që vret fëmijët dhe i tall prindërit e tyre shqiptarë…, jemi kureshtarë të dimë se prej kur frymon fatkeqësia kolektive shqiptare, duam të dimë se a mos vallë i gjithë ky arbitrarizëm, autokratizëm, dhe padrejtësi nuk ekzistonin edhe në kohën kur ca prej nesh ishin ministra, deputetë, drejtorë a diç tjetër…, apo mos vallë të gjitha këto të këqija lindën në momentin kur ju, të nderuar, humbët pushtetin apo u përjashtuat nga partia!? Është humane që të ngremë zërin ndaj padrejtësisë që na bëhet dhe që u “bëhet” ish-politikanëve pushtetmbajtës, por parashtrohet pyetja pse pikërisht ata dikur nuk reaguan, pse heshtnin kur punët i kishin në terezi, pse nuk u rebeluan në kohën kur “tambli u dilte mbi përshesh”, pse nuk reagonin kur arbitrarizmi, autokratizmi dhe padrejtësia, të gjithë ne shqiptarëve na kishin kapur për fyti. Edhe ne dikur moti u detyruam të reagojmë ndaj një dhune institucionale, por ama…, fatkeqësisht nuk u dëgjua asnjë zë reagimi për ne dhe për miqtë tanë…, nuk u dëgjua asnjë fjalëbutë a llaf solidarësie…, dhe, nëse nuk gënjejmë, atëherë ç’kuptim do të kishte kundërshtimi ynë dhe i të tjerëve si ne…, ndaj fatkeqësisë sate të sajuar (??). Besojmë se nuk jua kemi borxh shqetësimin, ne jemi të gatshëm po edhe kemi të drejtë për ta mbrojtur fjalën e lirë…, dhe jo ti, zotërote!?

          Reagime paksa të ngjashme bëhen edhe nga njerëz që dikur bartnin poste politike nga më të ndryshmet dhe, kur mbetën pa to, filluan të ndërtojnë mendjemadhësinë dhe çallëmin e tyre prej daltonizmi dhe prej miopie politike…, politikanë të dështuar që padrejtësisht mëtuan të prekin sedrën tonë, sedrën e bujkut, të patriotit, mësuesit, shehërliut e fshatarit fisnik, akademikut dhe cilitdo qoftë prej nesh…, vetëm e vetëm pse nuk gjetën gjë të përbashkët me votuesit dhe me votën deliberative të tyre…, a me mendimin e tyre…, me fjalët e tyre të folura a të shkruara, fjalë që asnjëherë nuk shkuan në vesh të shurdhët…, fjalë që nuk patën takatin për t’ia ulur hundën dikujt…, politikanë që dikur njiheshin a ishin njësoj me atë lugën e sofrës së miletit dhe korrupsionit.., politikanë që në vend të opingave veshën “këpucë Stambolli”, politikanë të cilët kur kryepari i partisë i shporri jashtë, filluan t’ia shajnë fisin, filluan ta fishkëllejnë me gishta…, prej inatit se humbën pushtetin dhe postin prej ministri, deputeti e tjerë, padrejtësisht filluan t’ia tregojnë gishtin e mesëm të dorës së majtë, fillimisht kryeministrit Nikollë, mandej kryeparëve të partive politike shqiptare, siç janë Abduraman Aliti, Imer Imeri, Arben Xhaferri, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi. Sot të gjithë ata që sadopak kanë haber nga politika dhe historia e saj, me plotë të drejtë mund të thonë se të ndërrosh mendje, të ndërrosh bajrak partie, është një gjë humane dhe mbase emancipuese, por ama ta bësh atë pa e kthyer borxhin dhe ta bësh me aq shumë kollajllëk, po edhe për hir të mungesës së pushtetit a të një pozicioni të caktuar politik, hiç fare nuk është korrekte. Kosovarët thonë se ndejën a mexhlisin e prishin dy vetë, i mençuri që hesht dhe i marri a budallai që flet. Rebelët politikë të mbarë trevave shqiptare gjithmonë kishin mëtuar të vepronin në pajtim me thënien e filozofit Ukshin Hoti – “Bëje ose vdis”…, ca e bënë vetëm të parën, ca të tjerë vdiqën pa e bërë të parën dhe të tjerë mbetën gjallë pa i përmendur dot njeri. Këtë veprim e bënë për kushedi të satën herë dhe, çuditërisht, nuk vdiqën, por ama u bënë horë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Azem Shkreli, Fadil Lushi, pazarlleqe xhambazesh, Ukshin Hoti

Takime tradicional “Azem Shkreli” 2015 bashkoi krijuesit shqiptarë nga shtetet e Evropës!

June 12, 2015 by dgreca

Nga Asllan Dibrani/
E shtuna e kaluar me 06.06.2015 në Ennepetal të Gjermanisë,nën organizimin e “Lidhjes së Shkrimtarëve Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë të Gjermanisë”,u mbajt manifestimi tradicional kushtuar të madhit krijuesit dhe poetit “Azem Shkrelit”.
Rrugët ishin të ngarkuar ngase, ma veç ka filluar fluksi i parë drejt brigjeve bregdetare të pushuesve të shteteve Skandinave dhe të Beneluksit që frekuentojnë autostradave të Gjermanisë .Krijuesit shqiptar këtë ditë vikendi e kishin zgjedh si pikë takimit të kulturës dhe artit poetik në Ennepetal të Gjermanisë. Tashmë në këto takime tradicionale “Azem Shkreli” po i bashkon krijuesit shqiptar nga shtetet e Evropës !Krijuesit shqiptar ,vitet që po lëmë pas trasuan një voluminitet të ngjeshur veprimtarish dhe aktivitetesh në fushën e krijimtarisë me tituj të shumtë duke i bashkuar të gjithë krijuesit nga Kosova ,Shqipëria ,Maqedonia ,Çamëria dhe trevat tjera të emigruar në shtetet perëndimore. Salla e bukur e stolisur me flamujt tanë dhe portreti i Azem Shkrelit ,sikur komunikonin me publikun që kishin ardhur me qindra kilometra ta nderonin ketë takim.
Shfaqjet filmike të tij të ndërkohëshme na rikujtonte të kaluarën e Kosovës që Azem Shkreli e skaliti e gdhendi dhe e shkroi me fjalët e arta poetike .Pal Sokoli kryetar iu uroj mirëseardhje mysafirëve, që nuk ishin pak të ardhur t’i ndanin disa orë së bashku me krijuesit e “Lidhjes se Shkrimtarëve Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani”. Zoti Hasan Qyqalla përshëndeti në emër të LSHKM. Fjalë përshëndetëse patën edhe zoti Martin Çuni (kryetar nderi), zoti Hysen Ibrahimi kryetar i Shoqatës Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Suedi,Fatmire Musliu,këshilltare e konsullatës së Kosovës në Frankfurt e cila foli për vlerat e takimeve të tilla nga e cila u përkul pran figurës se Azem Shkrelit etj. Daut Demaku ishte një personash që bëri një mozaik shumëngjyrësh mbi këtë takim kushtuar Azem Shkrelit dhe krijuesve tanë në Mërgatë .Ai shumë bukur elaboroi vlerat artistike mbi krijimtarinë e poetit tonë të madh Azem Shkrelit .Madje ai tha se Azem Shktreli ishte poeti ma i mirë shqiptar i fundshekullit të kaluar. Daut Demaku u prezantuar edhe me një ligjëratë të nduarduart lidhur me kulturën artin dhe situatën politike nga i cili rast u duartrokit disa herë. Në takimin tradicional Azem Shkreli” 2015 me poezitë e tyre u prezantuan z. Gonxhe Letmi Begisholli, z. Neki Lulaj, z. Sadri Gashi, z. Hasan Qyqalla, Seveme Fetiqi, z. Selajdin Gashi, z. Arif Molliqi dhe z. Musa Mulolli me poezitë e Gjergj Fishtës
Për ta nderuar takimin dhe familjen Shkreli në këtë datë i dhanë një fokusim kulturor dhe emocionues edhe nxënësit e shkollës shqipe”Dituria” nga Heidelbergu dhe Schwetzingeni të udhëhequr nga Gonxhe Letmi-Begisholli. Recitali teatral i nxënësve të shkollës “Dituria” me titull; ”Nuk ndalen Shqiptarët” të shkruar nga autori Martin Çuni, përgatitur nga mësuesja Shqipe Gara dhe Gonxhe Letmi Begisholli, ku rikujtuan shumë ngjarje emocionuese gjatë shekujve për figura të ndryshme shqiptare me rëndësi historike.
Skenës për të qenë sa ma të kompletuar këta fëmijë i ndihmuan edhe Këshilli i prindërve nga z. Emine Cakolli ,z.Binak Ramaj dhe Lendita Gashi Bytyqi. Nxënësit që aktruan në këtë takim ishin Tregim Ramaj,Endrit Veliu ,Blegin Berisha,Kujtim Ramaj,Donika Begisholli,Gentrina Bytyqi,Ariana Halilaj,Brikena Halilaj etj. Gjatë këtij takim u promovua edhe libri i të ndjerit Shaban Cakollit që mbeti në dorëshkrim ,por falë z.Pal Sokloit z. Ferdinanad Lahollit dhe z. Martin Çunit ,ai gjeti dritën dhe u botuar nga Shtëpia Botuese “Laholli. Një përshkrim mbi këtë vepër dha z. Hysen Ibrahimi, ndërsa z. Ferdinand Laholli foli në emër të redaktorit.
Këngëtarja Ermelinda Lajcaj i dha një ngrohtësi sallës me këngët e saja me karakter kombëtar. Zëri i saj jehoj nëpërmes këngës qe solli një kënaqësi tek të pranishmit. Po ashtu burrat e këngës rapsodike të ulur këmbëkryq Zyber Topalli,Dalip Sylejmani dhe Bajram Aliu kënduan me zërin e tyre të mrekullueshëm me këngën “Në ballë të Arbrit”.
Në fund u shpërndanë disa mirënjohje, ,dhe u shpallën rezultatet e konkursit letrar të LSHAKSH në Gjermani, për veprën më të mirë të vitit 2014. Çmimi letrar për krijuesit shqiptarë në këtë takim”Azem Shkreli” 2015,u nda nga juria e zgjedhur në përbërje të Arif Molliqit,Martin Çunit dhe Seveme Fetiqit dhe u shpërblyen këta krijues:1.Vendin i parë:Sadik Krasniqi me librin “Ag Muzgu” me poezi poezi
2.Vendi i dytë:znj.Pranvera Gjoni, me librin “Mendime të Arnuara” me poezi
3.Vendi i tretë:Fatmir R.Gjata “Valsi i tretë” me poezi dhe Fehmi Korça(post mortum) libri”Përtej poleve të jetës”poezi. Pauza të pranishmeve nuk u shkoj huq,por shijuan ushqimet tradicionale shqiptare nga kuzhinat familjare shqiptare që i sollën aty.
-Takimet e tilla Lidhjen e shkrimtarëve po e përforcojnë, po i japin shpirt ,po e zgjerojnë me anëtarë të rinj dhe në saje të bashkëpunimit kjo “Lidhje e Shkrimtareve” po merr dimensione dhe korniza ma të mëdha dhe përgjegjësi që të jetë një oazë e afrimit të vlerave dhe krijimeve të reja. Takimi si ky për poetin e madh Azem Shkrelin që bashkoj krijuesit shqiptarë nga shtetet e Evropës do të jetë një sinjal i mirë që deri sa të ketë Azem Shkrela shqiptarët do të jenë ma të fuqishëm ma të afërm ma të nderuar dhe gjithnjë në trend vrapues ta nxëmë atë që e humbëm nën pushtimin e armiqve gjatë shekujve.

Filed Under: Mergata Tagged With: asllan dibrani, Azem Shkreli, bashkoi krijuesit, shqiptare

Agim Vinca nderohet me çmimin “Azem Shkreli”

February 20, 2014 by dgreca

Nga Jolanda LILA/

Në një ceremoni të organizuar në Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sporte, ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sporte, Memli Krasniqi ka ndarë çmimet e letërsisë, ku pos Agim Vincës, me çmime janë shpërblyer edhe: Drenusha Zajmi-Hoxha, Sabit Rrrustemi ,Adem Gashi, Merxhan Avdyli, Flamur Maloku i Izet Sylaj.Agim Vinca është shpallur fitues i çmimit “Azem Shkreli”, çmim i ndarë për vepër jetësore, e ndarë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte, në mesditën e së premtes. Ky çmim është ndarë me vendim të jurisë profesionale në krye me Osman Gashin, ndërkaq, çmimin për vepër jetësore e ka ndarë i pari i MKRS-së, Memli Krasniqi, i cili, sikurse Agim Vincës dhe fituesve të tjerë në kategori të ndryshme u ka uruar për shpërblimet.

Në këtë ceremoni, më të mirët në letërsi kanë dalë: në kategorinë e romanit, Drenusha Zajmi-Hoxha, për romanin “Krrokama”, në kategorinë e poezive juria ka vendosë që këtë çmim ta ndaj për dy autorë: Sabit Rrrustemi për përmbledhjen me poezi “Murale shpirti”, dhe Adem Gashi për veprën “Nuk ka kthim lejdi”. Kurse në kategorinë e kritikës poashtu juria ka ndarë këtë çmim për dy autorë: Merxhan Avdyli për “Dritësime letrare”, dhe Flamur Maloku për librin “Polisemia e Veprës”. Ndërkohë, në këtë vit është ndarë edhe çmimi për përkthimin më të mirë, çmim që i është ndarë Izet Sylaj, për romanin e përkthyer Mathias Wnard.
Fituesi për vitin 2013 në çmimin Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”, Agim Vinca, u shpreh të jetë i kënaqur me marrjen e këtij çmimi që mbanë emrin e njërit nga shkrimtarët më me zë në Kosovë, Azem Shkrelit.
“Librat e Azem Shkrelit i kam lexuar qysh se isha fëmijë, nën dritën e llambës në vendlindjen time. Qysh atëherë ende më kujtohet disa nga vargjet e poezisë së tij. E them sinqerisht se Azemi është një nga shkrimtarët që më ka ngjallur dashuri për letërsinë. Veprat e tij ende vazhdojnë t’i rezistojnë kohës. Të marrësh një çmim të tillë, aq më shumë në prag të përvjetorit të gjashtë të Pavarësisë së Kosovës, idenë e të cilës e frymëzuan pikërisht njerëzit e penës, shkrimtarë dhe intelektualë është nder dhe krenari, por edhe një ndjenjë ngadhënjimi”, u shpreh Vinca.
Nga ana tjetër, Ministri i Ministrisë së Kulturës, Memli Krasniqi, duke iu uruar suksese për këto çmime laureatëve të sivjetshëm, ka deklaruar se të shkruash në këtë kohë është goxha sfiduese, sepse teknologjia është duke e sfiduar në vazhdimësi letrën.
“Ajo që neve na bën të lumtur si ministri dhe mua personalisht si ministër është fakti që në këto vite ne kemi bërë përpjekje të rëndësishme që kemi arritur të institucionalizojmë vlerësimin dhe respektin për artistët dhe krijuesit përmes çmimeve vjetore për letërsi dhe në fusha të tjera kulturore”, u shpreh ministri Krasniqi, duke shtuar më tutje se “Libri po ballafaqohet me sfida por ne viteve të fundit jemi munduar që bashkërisht, duke gjetur edhe përkrahjen e nivelit më të lartë qeveritar, që të rrisim mbështetjen për librin. Këtë vit kemi vazhduar trendin e rritjes së fondit të librit, duke e rritur në 100 mijë euro fondin për botimin e titujve të rijnë”. Kurse, Osman Gashi, udhëheqësi i jurisë profesionale, i ka propozuar Ministrisë së Kulturës që të vazhdojë të ndajë këso çmime edhe në vitet e ardhshme.
“Jam shumë i sigurte që prurjet e sivjetme kanë qenë jashtëzakonisht të mira dhe ne si juri kemi pasur kënaqësi t’i lexojmë dhe vlerësojmë ato shkrime konkurrente. Ne si juri propozojmë që të vazhdohet me ndarjen e këtyre çmimeve edhe në të ardhmen”, tha ai. Për ndarjen e çmimeve në letërsi pos Osman Gashit në juri kanë qenë të përfshirë edhe Binak Kelmendi, Sabile Keçmezi – Basha, Adem Zejnullahu dhe Bagzad Baliu.  Çmimi për vepër jetësore ka edhe vlerën monetare prej 5 mijë eurove, kurse çmimet pasuese nga 2.500 euro.

Fjala e Prof.Agim Vincës në ceremoni:

Familjarë të Azem Shkrelit,
Zoti Ministër i Kulturës,
Miq dhe kolegë!
E ndiej veten të nderuar që më jepet Çmimi “Azem Shkreli” jo vetëm pse është çmimi më i lartë letrar në Kosovë, por edhe për shkak se mban emrin e shkrimtarit ndaj veprës së të cilit kam ushqyer gjithmonë një konsideratë të veçantë, poetit, prozatorit, dramaturgut dhe publicistit Azem Shkreli.
Librat e Azem Shkrelit i kam lexuar qysh si fëmijë, nën dritën e llambës, në vendlindjen time. Isha ende nxënës i shkollës fillore kur më ranë në dorë Bulëzat (1960) dhe Karvani i bardhë (1961) e, pak më vonë, edhe Engjujt e rrugëve (1963). Qysh atëherë i mbaj mend vargjet: “Gëzimi, thonë, nuk matej kur jam le/ Nji natë fresku me hanë./ Nana n’krye tim s’ka ba kurr be – / Paç mbet pa nanë./ Me ‘i tubë delesh n’sukë heret jam rreshkë,/ Kur isha ende vocrrak./ Shtëpinë e kam atje ndër curra, n’bjeshkë,/ Dhe kangën e gurit mbi prak”. Me këto vargje hapet poemthi Këngë për vete, në të cilin subjekti lirik, malësori i ri poet, që zbret në qytet, shpalos botën dhe unin e tij pa kurrfarë kompleksi: “N’qytet kam ardhë me ‘i gjysë opinge. E dij/ N’përulje s’mundem m’u kotë./ Lavdet ua fali tjerëve. Mos me pi/ Betue jam – në gotë./ Zotnit s’i njof. As s’lodhem pse Krishti s’rruhet./ (Ferrin me mëkate kam m’e fikë!)/ E kur zgërdhihet jeta, ndojherë – duhet/ Venë Khajami, nji pikë!/”, për ta përmbyllur, pak a shumë, rrëfimin me një porosi, që peshon rëndë, sa gurët e vendlindjes: “Prej këshillës s’nji miku mbaj mend dy urti:/ N’këndove – këndo për jetën./ Poetët duhet ta kenë nji perëndi/ Dje tjetër s’ka: T’VËRTETËN”.
Sado të thjeshta, në mos edhe naive që mund të duken sot këto vargje, të shkruara në fillimet krijuese të poetit, ato shprehin frymën e artit poetik të Azem Shkrelit, por edhe thelbin e misionit të poetit: të kënduarit për jetën dhe të besuarit në një nga vlerat e saj më sublime: Të Vërtetën.
Volteri i madh thoshte se E vërteta, Liria dhe Virtyti janë tri gjëra për të cilat e vlen të jetohet dhe të luftohet, ndërsa bashkëkombësi i tij më i ri, Romen Rolani, nënvizonte se puna krijuese është “gëzimi i jetës” dhe se të krijosh do të thotë “ta vrasësh vdekjen”. (Créer, c’est tuer la mort).
E them sinqerisht se Azem Shkreli është një nga shkrimtarët tanë, të këtij krahu, që tek unë ka ngjallur dashurinë për letërsinë: dëshirën për të lexuar dhe dëshirën për të shkruar. Dhe tok me këtë dëshirë, sa të bukur, aq edhe të vështirë, edhe pasionin për fjalën, ndjenjën, mendimin, por edhe për heshtjen e bukur, heshtjen që flet, që është e kundërta e fjalamanisë dhe llomotitjes. E, Azem Shkreli, poeti i E di një fjalë prej guri dhe Nga Bibla e heshtjes, si rrallë ndonjë krijues tjetër yni, mund të shërbejë si shëmbëlltyrë nga ky aspekt. Përgjegjësia ndaj fjalës në përgjithësi dhe ndaj fjalës së shkruar në veçanti është një nga mesazhet më të fuqishme të veprës së tij.
Azem Shkrelin e kam njohur fillimisht nëpërmjet librave, por më vonë do të më lidhë me të një miqësi e gjatë dhe e frytshme ndër vite e dekada. Sa e sa ndeja e biseda, sa e sa udhëtime nëpër Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare, pjesëmarrje në manifestime kulturore, në tribuna publike, në orë letrare, në promovime librash, në aksionin e madh për pajtimin e gjaqeve etj.
Dua të veçoj me këtë rast një episod, që nuk e kam evokuar në kujtimet që kam shkruar për të.
Unë jam bërë anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës në kohën kur Azem Shkreli ishte kryetar i saj. Sapo kisha botuar librin tim të dytë me poezi, Bregu i mallit (1975), recensentë të të cilit kishin qenë Fahredin Gunga e Azem Shkreli, kurse redaktor Anton Pashku. Asnjëri nga ata fizikisht nuk është më në mesin tonë, por vepra e tyre dhe standardet që krijuan, vazhdojnë t’i rezistojnë kohës. Në recensionin e shkurtër, me të cilin mbështeste botimin e librit, Azemi, ndër të tjera, shkruante: “Mendoj se ka në të vargje të bukura, lirikë të hollë, motive dhe ide interesante. Mund të përmenden edhe kualitete të tjera të kësaj poezie”. Kaq mjaftonte nga ai, nga pena e tij, që libri të botohej. E të botoje libër në atë kohë, aq më tepër duke qenë krijues i ri e i panjohur, nuk ishte punë e lehtë, ndërsa të anëtarësoheshe në Shoqatën e Shkrimtarëve atëbotë ishte më vështirë se të hysh sot në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Por edhe më nder, gjithsesi.
Dhe ja tek jemi sot, pas kaq shumë vitesh. Ai në amshim me Aliun, Dinin e të tjerë, kurse unë Laureat i Çmimit që mban emrin e tij –  për Vepër Jetësore.
Të marrësh një çmim si ky, aq më shumë në ditën e Pavarësisë së shtetit tënd, idenë e të cilit e frymëzuan para së gjithash njerëzit e penës, shkrimtarët dhe intelektualët, është nder dhe krenari, por edhe një ndjenjë ngazëllimi e rezignimi bashkë. Thuhet se çmimet letrare zakonisht kanë kuptim në moshë të re, sepse nxisin energjitë dhe vullnetin për punë krijuese. Me një fjalë janë stimuluese. Te unë dhe kolegët e mi që me këtë çmim janë nderuar para meje dhe tek ata që do të nderohen më pas, ky çmim mund të jetë stimulues në një kuptim tjetër: për rrumbullakimin e veprës dhe përfundimin e projekteve, që presin dorën dhe mendjen e krijuesit. Njeriu, pavarësisht nga mosha, gjithmonë mendon se veprën e vet më të mirë do ta krijojë në të ardhmen. Po të mos ishte kjo bindje, as që do të kishte kuptim puna krijuese.
Çmimet letrare, sikurse edhe mirënjohjet e tjera publike, as nuk e rrisin dhe as nuk e ulin vlerën e një vepre (në kuptimin e opusit krijues), por ato e kthejnë për një çast vëmendjen e publikut kah ajo; i bëjnë jehonë asaj. E kjo s’është pak dhe as e parëndësishme në kohën tonë, kur njerëzit janë tjetërsuar në masë të madhe prej vlerave shpirtërore, që janë të përhershme e tejkohore, duke i zëvendësuar shumë herë ato me vlera të përkohshme e efemere. Më kot qortimi i poetit: “Sa poshtë paskam rënë duke u ngjitur këtij Olimpi të rrejshëm” dhe besimi, qoftë edhe iluzor, se botën do ta shpëtojë bukuria: “Mësojeni kohën të mos i hajë të vetët/ Ç’u shemb shëmtie do ta ngrenë poetët”.
Dhe, krejt në fund, më lejoni që, siç është zakon në këso rastesh, të bëj edhe disa falënderime.
Falënderoj së pari nominuesin, Shoqatën e Shkrimtarëve “Jakup Ceraja” nga Mitrovica, e cila më ka propozuar për Çmimin “Azem Shkreli” për Vepër Jetësore, duke e shoqëruar propozimin e saj me një arsyetim të denjë për adresën që i drejtohej;
Falënderoj Jurinë, e cila, në një konkurrencë të fortë, u përcaktua për mua, duke vlerësuar punën dhe krijimtarinë time;
Falënderoj Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe njeriun që është në krye të saj, ministrin Memli Krasniqi, i cili, tok me stafin e tij, kanë dëshmuar se dinë t’i çmojnë vlerat që janë krijuar në Kosovë në të kaluarën, në kushtet e robërisë e të censurës dhe që vazhdojnë të krijohen në liri e pa censurë në Republikën e Kosovës, e cila këto ditë shënon 6-vjetorin e lindjes së saj si shtet.
Njëherësh shfrytëzoj rastin t’i përgëzoj kolegët e mi fitues të çmimeve për veprat më të mira letrare nga fusha e poezisë, e prozës, e kritikës letrare dhe e përkthimit letrar të botuara gjatë vitit 2013 dhe t’u uroj suksese të reja në të ardhmen.
Ju falemnderit për durimin dhe mirupafshim në raste të tjera të ngjashme!

 

Filed Under: Featured Tagged With: agim Vinca, Azem Shkreli, cmimi, Jolanda Lila

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT