• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova bashkë me SHBA-në për qytetarët nga Afganistani

August 19, 2021 by s p

-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me përfaqësues të tri organizatave të OKB-së diskutoi për strehimin e qytetarëve nga Afganistani/

PRISHTINË, 19 Gusht 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një delegacion të përbërë nga Ulrika Richardson, Koordinatore e Kombeve të Bashkuara për zhvillim, Erol Arduc nga UNHCR-ja dhe Anna Rostocka nga IOM me të cilët është diskutuar për përgatitjet e Kosovës për sistemimin e qytetarëve nga Afganistani në kuadër të Programit të Posaçëm të Vizave për Migrim të SHBA-ve.Përfaqësuesit e të tri organizatave kanë falënderuar Presidenten Osmani për gatishmërinë e shtetit të Kosovës për strehimin e qytetarëve nga Afganistani dhe në të njëjtën kohë kanë ofruar mbështetje ndaj institucioneve të Kosovës për t`u dalë në ndihmë të strehuarve.Presidentja Osmani nga ana tjetër ka përsëritur se Kosova është e hapur për qytetarët nga Afganistani.“Ne jemi të hapur për t`i mirëpritur qytetarët nga Afganistani, sepse askush më mirë se ne nuk e njeh dhimbjen e tyre. Për më tepër këtë po e bëjmë bashkë me aleatin tonë strategjik – SHBA-në”, ka theksuar Presidentja Osmani.0People reached0Engagements–Distribution scoreBoost With CreditLikeCommentShare

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, kosova, SHBA

Kosova, strategji nacionale për drejtësi tranzicionale

August 19, 2021 by s p

–U mbajt takimi i parë i Grupit Punues për hartimin e Strategjisë nacionale për drejtësi tranzicionale/

-Kryeministri Kurti: Ne si Qeveri tashmë e kemi bërë të qartë fokusin tonë në ballafaqimin me të kaluarën/

-Ministrja Haxhiu shprehu përkushtimin e plotë për hartimin e një strategjie që është në përputhje me ligjin vendor dhe ndërkombëtar/

PRISHTINË, 18 Gusht 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

 Ministria e Drejtësisë e Qeverisë së Kosovës në një njoftim të dërguar bën të ditur se,  sot është mbajtur takimi i parë i grupit punues për hartimin e strategjisë nacionale për drejtësi tranzicionale. Pjesë e takimit të parë ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij hyrës ftoi anëtarët e grupit punues, që të bashkojnë të gjitha nismat të cilat i përkasin ballafaqimit me të kaluarën dhe drejtësisë tranzicionale. “Ne si Qeveri tashmë e kemi bërë të qartë fokusin tonë në ballafaqimin me të kaluarën. Për momentin ekzistojnë disa nisma që janë në proces e sipër, të gjitha të lidhura me krimet e kryera gjatë luftës. Përtej asaj që kjo strategji duhet të përfshijë të gjitha këto nisma, duhet që të ekzistojë edhe bashkëpunim i ngushtë e kuptimplotë në mes tyre”, u shpreh kryeministri Kurti. Më tej, u theksua qëllimi i përbashkët që ka të bëjë me krijimin e kujtesës kolektive, e cila do të shërbejë edhe për gjeneratat e ardhshme, brezave që vijnë pas nesh. “Historia është e mbushur me mësime të dhimbshme. Por, mbase pjesa më e rëndësishme për t’u mbajtur mend është, që paqja kërkon drejtësi, por edhe rehabilitim. Në Kosovë nuk ka ndodhur asnjëra, e viktimat e luftës i meritojnë që të dyja” u shpreh mes të tjerash Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në takimin e parë të Grupit Punues për hartimin e Strategjisë për drejtësi tranzicionale. Ndërsa krahas kryeministrit Kurti, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke theksuar më tej rëndësinë dhe seriozitetin që kërkon kjo strategji, kërkoi nga ky grup punues që hartimi i strategjisë për drejtësi tranzicionale të bëhet në konsultim të vazhdueshëm me qytetarët që janë prekur nga lufta në mënyrë që kjo strategji të pasqyrojë më së miri përvojat, nevojat dhe të drejtat e viktimave. “Një iniciativë e tillë ka qenë më se e nevojshme që nga përfundimi i luftës në Kosovë, por që në mungesë të një marrëveshje paqeje, mjetet dhe mekanizmat që përbëjnë drejtësinë tranzicionale u ndërmorën ad-hoc, shpesh me mandate të mbivendosura dhe të përcjella nga mungesa e vullnetit politik për ta bërë ballafaqimin me të kaluarën prioritet në agjendën shtetërore”, potencoi ministrja Haxhiu. Ministrja shprehu përkushtimin e plotë për hartimin e një strategjie që është në përputhje me ligjin vendor dhe ndërkombëtar, nëpërmjet së cilës synohet të përmbushen të drejtat e viktimave jo vetëm si të drejta individuale por si të drejta kolektive të shoqërisë në tërësi.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Drejtesia ne Kosove, qeveria e Kosoves

DOKUMENTARI PËR MARJAN CUBIN, SHFAQJE E FESTË NË KOSOVË

August 14, 2021 by s p

DON LUSH GJERGJI: MARJAN CUBI – NJERI I BISEDIMIT, DIALOGUT DHE KOMUNIKIMIT

-“Marjan Cubi – urëlidhës mes Kosovës dhe Amerikës”, dokumentari i ardhur nga Nju Jorku shfaqet në Prishtinë, në sallën e Katedralës Shën Nënë Tereza. Është histori e njeriut e patriotit shqiptar, e atdheut shqiptar, e mërgimtarit shqiptar, e familjes dhe e rrënjëve shqiptare…/

-Agim Rexhaj, President Nderi i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, përkujtoi se bashkë me Marjan Cubin, tani anëtar i Kryesisë e arkatar i VATRËS, ishin edhe në festën kur gurthemeli i Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë është vënë nga Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në 26 Gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë…/

DCIM\100GOPRO\GOPR5033.

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

Fotografitë: Demë JASHARI

PRISHTINË, 14 Gusht 2021/ Dokumentari “Marjan Cubi – urëlidhës mes Kosovës dhe Amerikës”  është histori e njeriut e patriotit shqiptar, e atdheut shqiptar, e mërgimtarit shqiptar, e familjes dhe e rrënjëve shqiptare…

Këto janë mendimet e përshtypjet derisa shikojmë shfaqjen premierë në Prishtinë të premtën e 13 Gushtit 2021 në sallën e Katedralës “Shën Nënë Tereza”, me fillim në orën 19:00, të filmit dokumentarpër Marjan Cubin që nga fëmijëria në vendin e lindjes në Drenoc të Klinës e deri në ditët e sotme.

Shqiptarë nga trojet etnike e nga mërgata, miqë të shumtë, të ardhur në promovimin e dokumentarit ka pritur e përshëndeturMarjan Cubi veprimtar i shquar i komunitetit shqiptaro-amerikan, anëtar i Kryesisë dhe arkatar i  Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, i shoqëruar si gjithmonë nga shoqja e jetës – bashkëshortja Dila.

Poashtu, Marjani dhe Dila Cubi janë pritur e përshëndetur ngrohtësisht nga të gjithë në festën e promovimit e shfaqjes së dokumentarit, pasuar edhe me koktej, që ka zgjatur deri në orët e vona të mbrëmjës së ditës së lume në kryeqytetin e Kosovës, e ku ishte edhe Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji. Nga Dioqeza Prizren-Prishtinë Don Lush Gjergjiduke folur në promovimin e dokumentarit ka theksuar që në fillim se, Marjan Cubi është një mërgimtar shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si njeri familjar, i krishterë, atdhetar, gjithnjë i frymëzuar dhe motivuar që të jetë vetvetja dhe jetën dhe veprimtarinë t’ia kushtonte Popullit tonë, nëpërmjet bisedimit, dialogut dhe komunikimit. “Marjan Cubit ia shprehim nderimet, falënderimet dhe urimet tona, që i përcjellim me uratë dhe dashuri, duke i dëshiruar atij, si dhe miqve dhe bashkëpunëtorëve, shëndet të mirë, vullnet të fortë, frymëzim, mbi të gjitha shumë lumturi dhe Dashuri”, ka thënë Don Lush Gjergji. Në tribunën e ceremonisë festive të promovimit të dokumentarit për Marjan Cubin ka folur edhe miku i tij i shumë viteve Agim Rexhaj, President Nderi i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, i cili ka përshëndetur edhe në emër të Kryetarit të VATRËS Elmi Berisha e të gjithë vatranëve, si dhe të gazetës së VATRËS – DIELLIT – editorit të saj mëse 12 vjet Dalip Greca dhe editorit të ri Sokol Paja. Agim Rexhaj ështëi dekoruar nga Presidenti i historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova  në Prill 2004 dhe  Nderi i Kombit –  i dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë Nishani në 24 Nëntor 2014 gjatë një ceremonie të veçantë të zhvilluar në Institucionin e Kreut të Shtetit. “Është ajo dekorata e dytë Presidenciale, e para ishte nga Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova”, më thoshte Agim Rexhaj të dielën e 7 Gushtit 2016 në Pejë – qytetin e tij në Kosovë, ku kishte ardhur për pushimet e verës nga qyteti i Nju Jorkut -Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Zotit Agim Rexhaj me nderim të madh për punën që ka bërë në SHBA për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ibrahim Rugova 8.11.2005 Prishtinë Kosovë”. Këtë dedikim e ka shkruar me dorën e vet Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në një komplet veprash në tetë vëllime. “Për Z. Agim Rexhaj nga Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova Prill 2004, USA”, shkruan në flakërim ari dedikimi te Vula e Presientit të Kosovës, me shqiponjën dykrenare – të Flamurit të Dardanisë, me yllin gjashtëcepësh nga Flamuri i Skënderbeut.

Agim Rexhaj,pjesë e lëvizjes e luftës për lirinë e pavarësinë e Kosovës, mik e bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, themelues e udhëheqës i LDK-së në SHBA, për shumë vite vatran, edhe në fjalën e tij në promovim, si edhe në dokumentar, kujton edhe takimet me Presidentin Rugova bashkë me Marjan Cubin. “Marjan Cubi, besnik dhe përkrahës i madh i Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova,  mik dhe zbatues i filozofisë Rugoviane… Marjani ka kontribuar dhe për UshtrinëÇlirimtare tëKosovës… Marjan Cubi është patriot dhe atdhetar i shquar”, shprehet Rexhaj, Presidenti i Nderit i Vatrës Shqiptare në Amerikë.Agim Rexhaj përkujton se bashkë me Marjan Cubin ishin edhe në festën kur gurthemeli i Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë është vënë në 26 Gusht 2005, për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë, nga Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinali i Uashingtonit Teodor Mekkerik. “Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”, shprehej gjatë ceremonisë Presidenti Rugova. “Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj Katedraleje”, theksonte Presidenti Rugova. Në vitin 2003, më 19 Tetor, Presidenti Ibrahim Rugova në Vatikan ka marrë pjesë në ceremonitë e lumturimit të Nënës Tereze, misionares shqiptare Gonxhe Bojaxhiu me origjinë nga Kosova, lindur në Shkup. Para më se gjysmë milioni njerëzve, në sheshin Shën Pjetri në Vatikan, Papa Gjon Pali i Dytë ka lumturuar Nënën Terezën, së cilës Vatikani iu referohet si “Nënë Tereza e Kalkutës”. Në Vatikan, në 20 Dhjetor 2003, ditë e  shtunë, Ati i Shenjtë Papa Gjon Pali II-të e priti në audiencë Presidentin e Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën. Audienca, që zgjati rreth 20 minuta, ishte shumë e përzemërt. Në fillim Presidenti Rugova e falënderoi Papa Gjon Palin II për beatifikimin e Nënës Tereze. Pastaj, Presidenti Rugova e njoftoi Atin e Shenjtë me progresin që është arritur në Kosovë në të gjitha fushat e jetës. Presidenti kërkoi nga Ati i Shenjtë që që të lutet dhe të ushtrojë ndikimin e tij për njohjen formale të pavarësisë së Kosovës. Presidenti Ibrahim Rugova e njoftoi Papa Gjon Palin II me përgatitjet që po bënte Ipeshkvia e Kosovës për ndërtimin e Katedrales në Prishtinë. Ati i Shenjtë e vlerësoi progresin që është arritur në Kosovë dhe shprehu interesimin e tij për shumë çështje të zhvillimeve pozitive në Kosovë. Gjatë audiencës, Ati i Shenjtë e përmendi edhe Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, Heroin Kombëtar të Shqiptarëve. Presidenti Rugova ia uroi Papës Gjon Pali II Këshëndellat dhe Vitin e Ri, duke i dëshiruar shëndet dhe jetë të gjatë. Poashtu, edhe Ati i Shenjtë i uroi Presidentit të Kosovës Kërshëndellat dhe Vitin e Ri. Në fund të audiencës, Presidenti Rugova i dhuroi disa dhurata Papës Gjon Pali II: Medalonin e Nënës Tereze, Medalonin e Lidhjes së Prizrenit, si dhe kristale të çmueshme të Kosovës. Ati i Shenjtë i dhuroi Presidentit Rugova Medalje Papnore të punuara me rastin e 25 vjetorit të shërbimit të tij si Papë…E, Shugurimi i Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë u bë në 5 Shtator 2017, në ditën e 1 vjetorit të shenjtërimit e të 20 vjetorit të kalimit në amshim të Shenjëtëreshes Shqiptare. Shumë solemne dhe madhështore ishte festa, mesha e shugurimit të Katedraljes-Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë nga i Dërguari i Posaçëm i Papa Françeskut, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani, e me pjesëmarrje edhe shqiptarësh-vatranësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët edhe u vlerësuan e falënderuan për kontributet. Madje, ishte edhe pjesë e celebrimit në meshën solemne të shugurimit Marjan Cubi, anëtar i Kryesise së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, njëherësh  arkëtar si dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen fondeve për ndërtimin e Katedrales, i cili kishte ardhë në Kosovë bashkë me bashkëshorten Dila. Shqiptarët nga Amerika – Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, në Nju Jork dhe rrethinë, kanë kontribuar për mëse 9 vite me 2 milionë dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar. Brenda Katedralës në meshën solemne të shugurimit nga vatranët e SHBA ishte edhe Zef Balaj,  anëtar i Kryesisë së Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, që kishte ardhë në Kosovë bashkë me bashkëshorten Lina, anëtari i Këshillit të Vatrës, Lek Përlleshi, me bashkëshorten Vera, anëtari i Komisionit për mbledhjen fondeve për ndërtimin e Katedrales, Fran Marku, si dhe Nue Balaj, nip i Zefit, Tomë Paloka që do e botonte së shpejti librin “Shqiptarët më të mirë në Amerikë që i njoha unë”…Në 31 Gusht 2017, Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, vatranët nga Amerika i ka pritur në takim në Ipeshkvi dhe i ka shoqëruar në vizitë Katedrales.  Mbrëmjen e 4 Shtatorit 2017, pas meshës Lutja e Mbrëmësores me Lutjet e Nënë Terezës në Kishën e Shën Ndout në kryeqytet, Ipeshkvia e Kosovës ftoi edhe në darkën e falënderimit për donatorët e ndërtimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë.  Edhe në ditën e 16 Gushtit 2016 një delegacion i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra në Ipeshkvinë e Kosovës  dhe në Katedralen Nëna Terezë në Prishtinë u prit plot përzemërsi, repekt e vlerësim nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji. Në delegacionin e shqiptarëve të ardhur nga SHBA ishin Agim Rexhaj, zv/kryetar i Vatrës, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen e  fondeve për ndërtimin e Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë, si dhe Laura Rexhaj, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj.  Gjatë gjithë kohës isha edhe unë – korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli – organ i Vatrës. Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Gjergji falënderoi dhe vlerësoi lart të gjitha kontributet dhe njoftoi delegacionin e Vatrës me të gjitha punët e kryera në Katedralen Nënë Tereza. Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji vlerësoi lart organizimin dhe kontributet e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra,  të gjithë vatranëve. “E vlerësoj veçantë mënyrën e organizimit tuaj, të Vatrës, nga të gjitha trojet shqiptare së bashku…Vatra është edhe vatër e të mirave dhe kontributeve të mëdha për kombin”, u shpreh Ipeshkvi i Kosovës. Në vitin 2017, që në nisje të “Ditëve të Nënë Terezës” në 26 Gusht, në Katadrale, si dhe në ekspozitën “Shenjtorja shqiptare nga Shkupi – korrespondenca”, të hapur në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, ishin të pranishëm edhe vatranë të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, mes të cilëve i ardhur enkas bashkë me bashkëshorten Dila, Marjan Cubi, anëtar i Kryesise së Vatres. Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji në fjalën përshëndetëse  në hapje të “Ditëve të Nënë Terezës”  vlerësoi lart të gjitha kontributet, ndërsa takoi e falënderoi vatranët edhe gjatë koktejit. 

“Dua me këtë rast të falënderoj të gjithë donatorët, që na kanë ndihmuar për ndërtimin e kësaj Kishe, ata që janë sot prezentë e ata që do të jenë me 5 Shtator”, u shpreh Ipeshkvi Gjergji.

“Do të vazhdojmë me kontributet”, shprehej vatrani Zef Balaj, biznesmen e donator, si edhe veprimtar i çështjes kombëtare, derisa shihte se ende punohej në Katedralen  Nënë Tereza.

Nën një nga dritaret e Katedrales, në kornizë, shihte të shënuar emrin e tij, i vinte mirë për këtë që është edhe si shenjë mirënjohje, ndërsa thoshte se nuk është vetëm ai kontribues, se do donte të jenë edhe emrat e vëllezërve: Gjelosh, Pjetër e Zef Balaj.

Te dritaret e Katedrales ka edhe emra të tjerë kontribuesish, vatranësh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mes të cilëve: Ilir Marjan Cubi… Ilir Cubi, djali i Marjan Cubit edhe në dokumentarin e shfaqur në Prishtinë flet me mburrje për babain e tij dhe historinë e famijes së madhe e atdhetare Cubi.

Ilir Cubin me zonjën e tij dhe fëmijtë e tyre në  29 Korrikun e verës së viit 2019 i takova në Aeroportin e Prishtinës, të sapoardhur nga Nju Jorku, prej nga për mua – korrespondentin në Kosovë kishin sjellë shpërblimin e përvitshëm nga Federata Gjithë-Shqiptare e Amerikës VATRA dhe organi i saj Gazeta DIELLI në vitin e jubileut të 110 vjetorit të më të herëshmes gazetë shqiptare në gjithë botën.

Vatranë, shqiptarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që tradicionalisht verave vijnë në Shqipëri, Kosovë e viset tjera shqiptare, ka vite që priten e i takojmë edhe në Katedralen Shën Nëna Terezë në Prishtinë. Në Katedrale në 1 Gusht 2018 Kisha Katolike në Kosovë organizoi Ditën e Diasporës, ku erdhën edhe vatranë nga Nju Jorku – bashkë me bashkëshorten Dila erdhi Marjan Cubi, si githnjë të mirëpritur nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i cili i priu Meshës solemne në bashkëmeshim me meshtarët dhe misionarët që shërbejnë në diasporën shqiptare, si edhe nga Vikari Gjaneral, Mons. Lush Gjergji dhe të gjithë…

E, në këtë verë të vitit 2021 dokumentari “Marjan Cubi – urëlidhës mes Kosovës dhe Amerikës”  me regji të Ilir Buçpapajt, gazetarit të njohur të Radio Televizionit Shqiptar, erdhi në Prishtinë nga Nju Jorku, ku më parë është shfaqur të dielën e 13 Qershorit 2021 në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” pranë Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”. Ceremoninë e promovimit në Kryeqytetin e Kosovës, ku ishte edhe Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Strugë Agim Krasniqi,e moderoi gazetari i njohur Lekë Musolli.  I ardhur në vendlindje në Kosovë nga Zvicëra Demë Jashari, i cili në vitet e lëvizjes e luftës për lirinë e pavarësinë e Kosovës ishte edhe bashkëpunëtor me shkrime gazetareske për media të Kosovës, në festën e promovimit të dokumentarit për Marjan Cubin bëri fotografitë për Gazetën Dielli – për këtë shkrim të vëllait të tij korrespondent në Prishtinë.

DON LUSH GJERGJI: MARJAN CUBI – NJERI I BISEDIMIT, DIALOGUT DHE KOMUNIKIMIT

Marjan Cubi është një mërgimtar shqiptar në SHBA-në, si njeri familjar, i krishterë, atdhetar, gjithnjë i frymëzuar dhe motivuar që të jetë vetvetja dhe jetën dhe veprimtarinë t’ia kushtonte Popullit tonë, nëpërmjet bisedimit, dialogut dhe komunikimit. Nga jeta e bujshme dhe me shumë sfida, batica dhe zbatica, unë do të theksoj këto veçori dhe virtyte:

  1. Njeri familjar, që kurrë nuk e harroi familjen, vendlindjen, Popullit tonë ilir, arbëror dhe shqiptar, duke tejkaluar shumë vështirësi në një botë të madhe dhe mozaikë nga vendet dhe popujt e ndryshëm. Ai krijoi familje duke pasur në mend dhe zemër vlerat dhe virtytet tona: Shtëpia është e Zoti dhe mysafirit; Bukë, kripë dhe zemër, dhe S’ka shtëpi pa pleq dhe fëmijë. Për Marjanin familja ishte dhe mbeti gjëra më e shenjt dhe e çmuar, ku jetohet, veprohet, bartet tradita, kujtohet e kaluara, jetohet e tashmja dhe projektohet e ardhmja e lirë dhe më e mirë, njerëzore, demokratike.
  2. Njeri i krishterë, që në Zotin, në Kishën Katolike, në bashkësinë e krishterë, gjente energji dhe frymëzim për t’i mbetur besnik historisë, traditës, kulturës, qytetërimit të krishterë, qysh prej Shën Palit deri me sot. Në Kishën Katolike ai gjete “Mësuesen dhe Nënën” e kujdesshme, e cila i përkrahte nevojat, kërkesat, dëshirat, synimet e Popullit tonë. Këtu duhet përmendur Papën Shën Gjon Palin e II, mikun e madh të Popullit tonë, Shën Nënën Tereze, imzot Nikë Prelën dhe shumë të tjerët, që për Marjanin ishin dhe mbesin shtylla, frymëzim, mbi të gjitha siguri për të tashmen dhe të ardhmen tonë më të mirë.
  3. Njeri atdhetar, familja, Kisha,  feja e krishterë, ishin për Marjan Cubin rrënjë të forta dhe të pathyeshme të atdhedashurisë, sipas shembullit të historisë tonë të përgjakshme dhe të lavdishme, që sintetizohet në këtë binom të shenjt: Për Fe dhe Atdhe. Edhe Marjani kurrë nuk i ndau fenë prej atdheut dhe anasjelltas, por në harmoni dhe përkushtim, shërbeu Zotin, Kishën, me angazhime të ndryshme, si besimtar i mirë, si Kryetar i Këshillit të Kishës katolike shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë” në Neë York. Në Dr. Ibrahim Rugovën ai ka njohur dhe takuar vizionarit dhe vegimtarin tonë,  presidentin tonë historik, me të cilin pati bashkëpunim të ngushtë dhe shumë frytdhënës. Ai denjësisht dhe urtisht  na mbrojti dhe paraqiti para Amerikës dhe botës mbarë, si popull i lashtë, me traditë, kulturë dhe qytetërim të krishterë dhe evropian. Me një mënyrë mund të themi se Marjani ynë ishte  nxënës dhe ndjekës besnik i Dr. Ibrahim Rugovës në SHBA-në dhe kudo gjetiu. Dhe nuk ishte mashtruar.
  4. Njeri i frymëzimit dhe motivimit, që Marjanin e përcolli gjithnjë dhe në vazhdimësi, duke jetuar dhe vepruar jo vetëm sido, por gjithmonë me fyrmzim dhe motivim, që e mbante dhe i jepte hov, krah, fuqi dhe energji të pashoqe. Sot, ndoshta si kurrë më parë, çdo shqiptar, në trojet tona, apo në diasporën evro-ameriane, kemi nevojë për frymëzim, që na bënë të afërt dhe të bashkuar, të vëllazëruar, për të pasur shije dhe kuptim jeta dhe veprimtaria jonë. Ky frymëzim dhe motivim e ka bërë atë veprimtar të shquar dhe të dalluar në grumbullimin e mjeteve për ndërtimin e Katedrales dhe Shenjtërores “Nëna Tereze” në Prishtinë, por edhe gjetiu,  ku shqiptarët pa kurrfarë dallimi shteti, feje, përkatësie, dhanë “pjesën më të mirë të vetvetes”, zemrën, dashurisë, mundin dhe jetën e tyre, duke dëshmuar që rreth dhe me Nënën tonë Tereze, jemi më tepër së kurrë bijë dhe bija shpirtërore të saj.
  5. Njeri i bisedimit, dialogut dhe komunikimit, që ishte strategjia e tij jetësore. Në bisedime i hapur, i palodhshëm, urëlidhës, njeri me mendje të ngritur dhe me zemër të hapur dhe të ngrohtë. Në dialog,  besnik, në kërkim te të mirës, të drejtës, të vërtetës, të jetës dhe të dashurisë. Bisedimi dhe dialogu ia mundësojnë atij që në komunikim ndërpersonal, ndërfamiljar, ndërfetar, ndëretnik, të jetë i palodhshëm, shembull dhe dëshmi, që me ndihmën e Zotit dhe me përkrahjen vëllazërore, asgjë nuk është e pamundshme.

Marjan Cubit ia shprehim nderimet, falënderimet dhe urimet tona, që i përcjellim me uratë dhe dashuri, duke i dëshiruar atij, si dhe miqve dhe bashkëpunëtorëve, shëndet të mirë, vullnet të fortë, frymëzim, mbi të gjitha shumë lumturi dhe Dashuri.

Zoti të shpërbleftë për çdo flijim dhe shërbim, me shumë hire dhe bekime!

 Ad multos anos – për shumë vjet.

Prishtinë, 13. 08. 2021                                                                Don Lush GJERGJI

Filed Under: Featured Tagged With: agim Rexhaj, Behlul Jashari, don Lush Gjergji, Imzot Dode Gjergji, Marjan Cubi

Gazeta e Kosovës Rilindja nuk u ndal as kur u ndalua nga Serbia

August 7, 2021 by s p

-Para 31 vitesh, në 8 Gusht 1990, gazeta tradicionale Rilindja – e vetmja e përditshme shqiptare në atë kohë në Kosovë, nuk doli, natën ishte ndaluar dhunëshëm në shtypshkronjë nga forcat okupatore të Serbisë, që kishin vendosur shtetrrethim. Por, gazeta historike Rilindja edhe kur u ndalua nuk u ndal…/

-Gazeta  Rilindja, edhe pse pati dëbime e mbyllje të dhunëshme,  arriti të jetë histori e Kosovës që nga koha e Konferencës së Bujanit të Rezolutës për të ardhme të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit e deri në Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008 e në njohjet ndërkombëtare/

-Nga arkivi: Vlerësimi dhe përkrahja e Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova për Rilindjen edhe në intervista ekskluzive;  Rilindja për 17 Shkurtin historik 2008 të Pavarësisë së Kosovës; Rilindja në 30 Dhjetor 2008: Mesazh atyre që duan kufirin në Mitrovicë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 7 Gusht 2021/ Para 31 viteve edhe helikopterët e forcave okupatore të Serbisë me fluturime mbi Pallatin Rilindja – shtëpinë e gazetës tradicionale shqiptare të Kosovës Rilindja ishin pjesë e shtetrrethimt.   Në 8 Gusht 1990, gazeta  Rilindja – në atë kohë e vetmja e përditshme në gjuhën shqipe e Kosovës nuk doli, natën ishte ndaluar dhunëshëm në shtypshkronjë, derisa edhe gjatë ditës forcat policore serbe të armatosura i bënin shtetrrethim redaksisë së gazetës, që edhe në ato rrethana kërcënimi e represioni nuk ndaloi punën, e edhe pas ndalimit nuk u ndal…

As nuk ishte ndalur, gazeta Rilindja kishte dalur më shumë se një muaj përkundër masave të dhunëshme të Serbisë, që e përfshinin edhe ate në ditën e 5 Korrikut 1990 të suprimimit të institucioneve të Kosovës e mbylljes së Radio Televizionit të Prishtinës. “Okupim klasik”, ishte reagimi dhe kundërshtimi i Rilindjes në komentin në faqen e parë në ditën e 6 Korrikut. Beogradi, edhe pse në ditën e masave të dhunëshme kishte marrë vendimin, kurrë nuk arriti ta bëjë gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja “organ të Kuvendit të Serbisë”. Asnjë punëtor i gazetës Rilindja nuk e pranoi këtë, të gjithë e kundërshtuan dhe e hodhën poshtë. Kryeredaktor i gazetës Rilindja vazhdonte të jetë Nazmi Misini, i mbështetur nga punëtorët e ndërmarrjes, që nuk pranuan dhe kundërshtuan fuqishëm masat e dhunëshme të Serbisë. Masat e dhunëshme pasonin 2 Korrikun historik 1990, kur në shtetrrethim dhe para snajperëve serbë, Kosova me Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të saj shpallte Pavarësinë, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik. Në prag të ditës së Deklaratës Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990, të dielën e 1 Korrikut, në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja isha redaktori kujdestar për ngjarjet e ditës. Në atë ditë të 1 Korrikut 1990 pjesë e sulmeve të Serbisë kundër Kosovës e shqiptarëve ishte edhe një “referendum për Kushtetutën e re serbe” të kundërshtuar nga shqiptarët, si dhe shpallja e “shtyerjes” së mbledhjes së Kuvendit të Kosovës të paralajmërur për 2 Korrik, e për të cilën përfaqësuesit e popullit-delegatët shqiptarë shumicë e delegatë të komuniteteve pakicë kishin bërë të gjitha përgatitjet për Deklaratën Kushtetuese…“Shtyrja” shpallej si vazhdimësi e bllokimeve e ndërprerjeve të punimeve të Kuvendit të Kosovës…“Reprizë nuk do të ketë”, me këtë titull shkruajta komentin në mbështetje të delegatëve që të mbahet gjithësesi mbledhja e Kuvendit me axhendë vullnetin e kërkesat e popullit – Deklaratën Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës. “Kuvendi i Kosovës është i popullit dhe në të mund të vendoset vetëm sipas vullnetit e kërkesave të popullit”, theksonte komenti që u botua në numrin e 2 Korrikut 1990 të gazetës Rilindja, e cila që nga faqja e parë kishte raportime e shkrime me tiujt “Kosova duhet të ruajë subjektivitetin e vet në federatë”, “Populli vendosë në Kuvendin e vet”, “Kosova e re – sipas vullnetit të popullit”…Raportohej se “vazhdojnë tubimet legale dhe protestat e shqiptarëve në Kosovë” dhe se “kërkesë unanime” ishte që mbledhja e Kuvendit të Kosovës “të mbahet sot dhe të ketë në rend dite këkesat gjithëpopullore”. Poashtu raportohej se në Gjakovë përfundoi Kongresi i parë i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i cili përkrahu delegatët e Kuvendit të Kosovës edhe për iniciativën për shpalljen e Kushtetutës së re të Kosovës, e cila Kushtetutë e Republikës së Kosovës e miratuar në 7 Shtator 1990 pasonte Deklaratën Kushtetues të 2 Korrikut të po atij viti. Edhe në një film dokumentar të shfaqur në seancën solemne të Kuvenditë të Kosovës në 25 vjetorin e Deklaratës Kushtetuese shihej gazeta Rilindja në duart e delegatëve, në mbledhjen para dyerëve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës të 2 Korrikut 1990. Rilindja ishte me delegatët e Kuvendit të Kosovës në ngjarjen historike për të cilën raportoi gjerësisht me ekip gazetarësh e fotoreporterësh dhe kishte edhe redaksionalin tim me titull “Fillim i së nesërmes”, të botuar në ballinë në 3 Korrik 1990, ku theksonte se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota”… Në ditën kur Serbia ia ndaloi Kosovës gazetën e vetme të përditshme në gjuhën shqipe Rilindja bëja edhe një shkrim rezistence e proteste. “Rilindja e popullit jeton edhe e pashkruar”, me këtë titull shkruaja reportazhin herët në mengjesin 8 Gushtit 1990 duke ecur rrugëve e shesheve të Prishtinës dhe duke përshkruar reagimin e popullit në nisjen e ditës pa gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja. Me reportazhin e shkruar rrugëve më shumë në mendje e në fragmente me laps në një copë letre, përkundër ndalimit shkova në Pallatin Rilindja dhe pasi e daktilografova me makinë shkrimi nga redaksia e gazetës ngjita shkallëve të kateve më lart për te kryeredaktori i revistës për kulturë Fjala, Milazim Krasniqi.  I tregova reportazhin dhe idenë që bashkë me lajmet kryesore që do i merrnim nga terreni nga korrespondentët e gazetës Rilindja (në atë kohë isha redaktor-shef i korrespondentëve) t’i botonte në Fjala. Revistën Fjala, për herë të parë edhe si gazetë, e nxori që të nesërmen, pa pritur dyjavëshin kur dilte. Në katër faqet e mesme me reportazhin dhe lajmet e ngjarjeve të ditës ishte “Rilindja e fshehur brenda Fjalës”, siç thonin shumë njerëz që e mbanin në duar e lexonin revistën që u botua e shtyp në tirazh rekord. Botimi i shkrimeve-informacioneve të gazetarëve të gazetës së ndaluar Rilindja që e nisi së pari revista Fjala me shpeshtime daljesh edhe si gazetë vazhdoi edhe te revistat tjera – Shkëndija, Kosovarja, Zëri i Rinisë…dhe për të pasur informacione edhe në ndonjë ditë më shumë gjatë javës doli edhe ideja që të nisë të ridalë edhe revista Bujku, e cila ishte e përdymuajshme për fshatin e bujqësinë dhe kishte vite që nuk kishte dalë fare. Fjala, Shkëndija, Kosovarja, Bujku e të tjera revista ishin të Ndërmarrjes së Revistave, që ishte një nga gjashtë ndërmarrjet sa kishte Ndërmarrja Shoqërore e Përbërë Rilindja, pjesë e së cilës dhe më e madhja ishte Gazeta Rilindja. 

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, Rilindja

2 GUSHTI NËPËR VITE OKUPIMI E LIRIE…

August 4, 2021 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/


PRISHTINË, 2 Gusht 2021/ Në lajmet që raportoja nga Prishtina në Tiranë, nga dita në ditë e nga ora në orë, nëpër vitet e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi të Kosovës, para 25 viteve, në  2 Gusht 1996, raportoja për kolonizimin serb të Kosovës…Para 23 viteve, në 2 Gusht 1998, derisa vazhdonin zhvillimet e luftës kundër okupimit serb, raportoja për shqiptarë të vrarë në Drenicë…Në Kosovën e pas luftës së përfunduar në Qershorin e vitit të lirisë 1999, pikërisht në 2 Gushtin e para 22 viteve, ndodhi edhe festa e kthimit të gjysëm milion nxënësve, studentëve e mësuesve shqiptarë në shkolla dhe universitet, prej nga ishin dëbuar në fillimin e viteve të 90-ta të shekullit të kaluar. Në raportimin nga Kosova për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare në 2 Gusht 1999 theksoja se nxënësit dhe studentët shqiptarë kthehen përsëri në ndërtesat e tyre shkollore dhe se në ceremoninë në Universitetin e Prishtinës, në sheshin para Fakultetit Filologjik, u zhvillua një koncert festiv në prani të mijëra studentëve dhe qytetarëve, në një ditë kur rikthimi kishte ndodhur edhe në Telekom…Gazeta e rezistencës “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha e që ishte pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, që sfidonte ndalimin e dhunshëm nga pushteti okupues serb të gazetës së vetme të përditshme shqipe në Kosovë Rilindja, në numrin e 3 Shtatorit 1991 në ballinë në kryetitull shkruante se “Pushteti serb pengoi fillimin e mësimit në shkollat shqipe në Kosovë”, ku theksonte: “Për nxënësit dhe arsimtarët shqiptarë shumëkund dyert e shkollave ishin të mbyllura.-Në shkollat e mesme e fillore të Prishtinës e në shkolla të tjera të Kosovës, pos drejtorëve të dhunshëm e inspektorëve jolegjitimë, në mbikëqyrjen e situatës dhe në pengimin e mësimit u angazhuan edhe punëtorë të sigurimit shtetëror dhe milicia serbe”. “Serbia mbyll shkollat e shqiptarëve”, ishte një nga titujt tjerë të ballinës së gazetës “Bujku”, me mbititull “Federata Ndërkombëtare mbi të Drejtat e Njeriut për Kosovën” e me nëntitull: “Në kuadrin e nënkomisionit të OKB-së kundër diskriminimit dhe për mbrojtjen e minoriteteve në Gjenevë, Federata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut u paraqit me një material të dokumentuar për format e ndryshme të diskriminimit që pushteti i Serbisë po i ushtron mbi shqiptarët”.Në numrin vijues gazeta shkruante: “U ndalua gazeta ‘Bujku’ e 3 shtatorit (viti 1991). U ndalua sepse shkroi se policia serbe nuk lejoi nxënësit shqiptarë të hyjnë në shkolla…”. Kështu flas – lexoj nga gazeta në një dokumentar para 28 viteve, kur në Kosovë, nga 24 Maji deri në  3 Qershor 1993, zhvillohej një grevë e madhe e urisë e gazetarëve dhe shkrimtarëve shqiptarë, në kërkim të lirisë dhe në mbrojtje të fjalës shqipe, Ndërmarrjes Rilindja, në kohë të stuhishme, të rënda të pushtimit e të dhunës së egër nga regjimi okupues serb në Kosovë.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Gazeta Bujku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 245
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT