-Kosova 2 muaj pas zgjedhjeve të 6 Tetorit 2019, ende pa Kuvend e qeveri të re – pa marrëveshje të nënshkruar për koalicionin qeverisës LVV-LDK/
PRISHTINË, 6 Dhjetor 2019-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/ Në Kosovë dy muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të së dielës së 6 Tetorit 2019 ende nuk ka marrëveshje për koalicion qeverisës as nuk dihet data e seancës konstituive të Kuvendit dhe e votimit për qeverinë e re.
Marrëveshja e bashkëqeverisjes mes dy partive që ishin opozitë e fituan zgjedhjet ishte paralajmëruar të nënshkruhet të hënën e kësaj jave nga liderët – Albin Kurti i LVV dhe Isa Mustafa i LDK, por nuk është nënshkruar dhe sipas deklartave ende nuk ka dakordim për ndarjen e posteve – të kryeministrit e ministrave, kryetarit të Kuvendit e të presidentit të ardhshëm të Republikës.
Ajo që janë dakorduar LVV-LDK është se, Qeveria e re e Kosovës do i kishte 12 ministri, 9 më pak se qeveria e kaluar që i kishte 21.
Sipas rezultateve përfundimtare të certifikuara nga KQZ në 27 nëntor 2019, në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh, LVV me 26.270% të votave ka 29 deputetë, ndërsa LDK me 24.548% të votave 28 deputetë. Këto dy parti së bashku kanë gjithësej 57 deputetë dhe u duhen së paku edhe 4 vota tjera për t’i bërë 61, një më shumë se gjysma e Kuvendit, për të kaluar në votim qeveria e re dhe për këtë llogaritet në votat e komuniteteve pakicë joserbe që kanë 10 deputetë dhe pritet të udhëheqin me një ministri.
Nëse arrihet marrëveshja për qeverinë LVV-LDK, partitë shqiptare të koalicionit të kaluar qeverisës do jenë në opozitë: PDK me 21.234% të votave do ketë 24 deputetë, AAK me 11.515% të votave -13 deputetë, Nisma dhe AKR që ishin në koalicion parazgjedhor do të kenë 6 deputetë pasi me 5.002% të votave për pak e kanë kaluar pragun prej 5% për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
Lista Serbe me 6.402% të votave ka të 10 vendet e deputetëve në Kuvend të Kosovës të garantuara me Kushtetutë për komunitetin pakicë serb, pasi partitë tjera serbe nuk arritën të fitojnë ndonjë vend deputeti. Kushtetuta e Kosovës komunitetit pakicë serb ia garanton edhe përfaqësimin në qeveri, ku pritet ta ketë një ministër në qeverinë e re me numër të ministrive gati të përgjysmuar. Në qeverinë e kaluar të Kosovës komuniteti pakicë serb kishite tre ministra, njëri prej tyre edhe zëvendëskryeministër./b.j/