PRISHTINË, 12 Qershor 2019-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekoruar sot ish-sekretaren Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright me “Urdhrin e Lirisë”, në 20 vjetorin e lirisë.
“Ish-sekretarja e SHBA-së, Madeleine Albright, me këmbëngulësinë e saj bashkoi dhe mobilizoi krejt botën për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë. Në 20 vjetorin e lirisë sonë, sekretaren Albright e dekorova me “Urdhrin e Lirisë”. Ajo përjetësisht do të mbetet heroina jonë!”, deklaroi presidenti Thaçi.
Presidenti i Kosovës bën të ditur edhe se, ish-komandantin suprem të Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjeneralin Wesley Clark, e ka dekoruar me “Urdhrin e Lirisë” për kontributin e madh që ka dhënë për lirinë tonë. “Wesley Clark është gjenerali i luftës më të suksesshme ajrore në shekullin 20, me 78 ditë bombardime ndaj caqeve ushtarake dhe policore serbe!”, u shpreh presidenti Thaçi./b.j/