Foto 1938-Nga e majta në të djathtë ;Kryeminstri Koço Kotta,imz.Anlonutti-delegat Apostolik në Shqipëri.Mbreti Ahmet Zogu I, Myftiu i Madh Bexhat Shapati,Kryegjyshi botëror i Bekatishinjëve Sali Nijazi Dede,dhe imz.Kristofor Kissi,Mitropolit i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare/
Shkruan Eugen SHEHU/
Në dritën e pakët të hedhur në këto vite,për rolin historik të Mbretit të shqiptarëve Ahmet Zogu, në krijimin e të parit shtet modern shqiptar,ende nuk është konturuar i plotë porteti i tij.Politizimet vazhdojnë ende në këtë mijëvjeçar të ri,duke dashur të shmangin daljen në dritë të të vërtetave e për më tej,duke dashur të godasin drejtëpërsëdrejti në zemër të shkencës së historisë.Por sidoqoftë,tentativat e pseudohistorianëve mjeranë,janë kurdoherë të pafuqishme ndaj fakteve dhe dokumentave që ende vuajnë burgun e errësirës gjysëm shekullore komuniste.
Ashtu si në të gjithë rrafshet e tjera të ngritjes dhe fuqizimit të shtetit të parë modern shqiptar,roli i Ahmet Zogut do të mbetet i pakontestueshëm edhe në kuadër të besimeve fetare në Shqipërinë Mbretërore.I bindur në idetë e tij se besimi në Zot,ruan dhe forcon parreshtur ndjenjën kombëtare,biri i Matit,që në ditët e para kur duhej të merrte në duar e veta qetësinë dhe rendin në shetin amë ( në Shqipëri,në ditët e Kongresit të Lushnjës) u përpoq të hyje në lidhje të drejtëpërsëdrejta dhe të sinqerta me besimet fetare,duke dashur t’u sigurojë atyre një dimension jo vetëm institucional por edhe kombëtar.Dhe në këtë mision,idetë e Mbretit Zog kanë ngadhnjyer kurdoherë në kahje të nacionalizmit shqiptar.
Siç dihet në Shqipëri,në vitin 1921,një grup intelektualësh të besimit Islam,ndërmuarën nismën për t’u shkëputur nga Sheh-ul-Islam i Konstandinopojës dhe për të krijuar institucione të pavarura në këtë drejtim.Ndonëse puna e këtij grupi intelektualësh,nisi në fillim të vitit 1921,pati mjaft debate dhe zvarritje,ndofta edhe për shkak të vështirësive objektive që paraqiteshin përballë qeverisë shqiptare.Fjala ime që kjo qeveri të ndihmonte sa më shumë në pavarsinë e institucioneve myslimane,duke ruajtur edhe raporte harmonike me konfesionet e tjera fetare.Ka qenë pikërisht vizita që këta intelektualë,i bënë në vitin 1922 kryeministrit shqiptar Ahmet Zogu (asaj kohe 27 vjeçar) për ta uruar ate, e cila ka shërbyer si shtytje në realizimin e idesë së pavarsisë së komunitetit mysliman.Kryeministri i Shqipërisë Ahmet Zogu,i ka siguruar këta intelektualë se do të kenë kurdoherë vëmendjen e qeverisë që ai drejtonte.Për më tej,duke u njohur me procedurat e arritjes së kësaj autonomie,kryeministri shqiptar ndërmori edhe një varg takimesh me ministrin e jashtëm me ç’rast u lehtësuan disa procedura burokratike.Duke qenë i njoftuar edhe për parapregaditjet e mbajtjes së Kongersit Mysliman Shqiptar,Kryeministri i Shqipërisë,27 vjeçari Ahmet Zogu,për befasinë e intelektualëve të besimit mysliman , ai u shpreh ; “,mosha, intelegjenca,dhe besimi tek i Madhi Zot,ma përforcon dhe më tepër bindjen,se me ndihmën e të Madhit Zot,me pastërtinë tuaj morale dhe shpirërore si besimtarë dhe intelektualë,Shqipëria dhe Shqiptarët kanë një ardhmëri të ndritun.Aty ku besohet në Zotin,Atdheu është i siguruar dhe Kombi lulëzon,meqë këto janë nga duart e Zotit”.
Kongresi Mysliman Shqiptar,i zhvilloi punimet në Tiranë,në sallën e shoqërisë “Djelmëria Dibrane” nga data 24 shkurt deri më 12 mars 1923.Çdo prefekturë dhe nënprefekturë kishte dërguar aty përfaqsuesin e vet legjitim,i cili gëzonte të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.Ndër organizatorët dhe drejtuesit kryesorë të këtij Kongresi,ishte atdhetari i njohur Imam Vehbi Dibra.Ai duke përshëndetur të pranishmit dhe duke falenderuar qeverinë shqiptare për ndihmën e dhënë,që në fillim u shpreh për ndryshime e përsosje në besimin mysliman,veçmas në pikëpamje organizzative. Deviza e shpallur nga Imam Vehbi Dibra në këtë kongres , ishte : me ndrrimin e kohës ndrrojnë edhe gjykimet “.Se çfar vlersimi tregoi qeveria e atëhershme shqiptare,për këtë kongres,ndofta mund të shihet edhe në faktin se veç masave dhe mbështetjes së plotë organizzative, aty muarën pjesë edhe disa deputetë si : “Mehmet Polingu,,i deleguar i popullit të Krumës,Qamil Bala i deleguar i Kosovës,Sali Vuçitërna,i deleguar i Zerqanit,Halim Gostivari,i popullit të Kolonjës,Halit Roji i deleguar i Shkodrës,Ibrahim Xhindi i Vlorës,Banush Hamdiu i Pogradecit dhe Vehbi Dibra i deleguar i Dibrës “.(Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë – fondi 882 , dosjet 16-17 fleta e parë).
Për më tej,kryeministri shqiptar Ahmet Zogu e përshëndeti kongresin mysliman me anë të përfaquesit të tij Qerim Çela,i cili ndonëse i ndoqi të gjitha punimet dhe dha mendime tejet të vyera,nuk kishte të drejtë vote.Përshëndetja e kryeministrit shqiptar,i siguronte kongresit mysliman se qeveria shqiptare i përgëzonte ata për nismën e marrë,duke qenë e sigurtë se akti i shpalljes së pavarsisë së xhamisë shqiptare,ishte vazhdim i natyrshëm i ideve dhe veprimeve pas shpalljes së pavarsisë së Shqipërisë në vitin 1912.Fjala e të dërguarit të qeverisë,ka qenë ndërperë disa herë nga duartrokitjet falenderuese për qeverinë shqiptare.
E shoh të udhës të sjell në këto radhë,një prej vendimeve të Statutit Mysliman,të hartuar dhe miratuar unanimisht në ditët e këtij Kongresi( Pika të cilat më vonë hynë edhe në Statutin e Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare).Sipas këtij Statuti,Organi më i lartë mysliman në Shqipëri,ishte kryesia e Këshillit të Naltë të Sheriatit e cila drejtohej nga Myftiu i Përgjithshëm.Personi që do të vendosej në këtë detyre,përpara se të votohej nga delegatët e kongresit,duhej doemos të plotësonte këto kushte ( të propozuara nga Kryeministri Shqiptar Ahmet Zogu):
”1- Të ishte nënshtetas shqiptar dhe të dinte gjuhën shqipe. 2- Të gëzonte të gjitha të drejtat civile dhe politike. 3- Të ishte prej races shqiptare ose me origjinë shqiptare tre brezash. Këtë detyrë,nuk mund ta zënë persona që duke filluar nga 28 nëndori i vitit 1912,kanë luftuar kundër çështjes sonë kombëtare”.(Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë.Fondi 882,dosja 1 fleta 3 ).
Pa u zgjatur në rëndësinë e madhe historike të këtij Kongresi,i cili shpallte njëherë e përgjithmonë pavarsinë e xhamisë shqiptare prej Stambollit,mendoj se është me vend të ndalem në faktin që kryetari i Kongresit Mysliman Shqiptar i drejtohej kryeministrit shqiptar me një falenderim ku pos të tjerave e vinte në dijeni : “Me anën e kësaj shkrese kam nderin me ju lajmërue se Kongresi Mysliman Shqiptar sot mori fund me sukses të plotë tue ba zgjedhjet e antarëve të këshillit të naltë të Sherijatit,si mbas neneve 6-7 të statutit.Anëtarë të këshillit u zgjodhën : Vehbi Dibra,Hafiz Ali Korça,Vejsel Nailiu,Haxhi Adem Vata,Sheh Ibrahim Karabunara,Qamil Bala,Reshat Kokalari”.
( Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë – Fondi 882 , dosja 4 , fleta 7-8 ).
Natyrisht,vënia në dijeni e kryeministrit shqiptar mbi këto zhvillime të Kongresit Mysliman,nuk mund të ketë qenë e rastësishme.Ngjarjet që u zhvilluan më pas,rrëfyen se kryeministri shqiptar e më pas Mbreti Ahmet Zogu,i mbështeti fuqimisht reformat e shpallura në këtë kongres,që nga nxjerja e ligjit të posaçëm për vakëfet,në sobvencionimin e ndërtesave,shkollave fetare,xhamive etj. e deri tek krijimi i kushteve për të ndërtuar një besim Islam të kohës,të çliruar prej dogmave shekullore të mentaliteteve jocivilizuese.Duke qenë se në fëmijërinë e vet Ahmet Zogu,pat marrë mësime prej atdhetarit të shquar Dervish Hima,ai do të ndiqte me vëmendje gjatë gjithë kohës,ecurinë e proceseve të pavarsisë së besimit mysliman,në raportet e këtij të fundit me vetë shoqërinë shqiptare dhe qytetërimin evropian të kohës.
Nga ana tjetër,Ahmet Zogu, e konsideroi deri në fund,një mik të vyer,Imam Vehbi Dibrën.Jo rallë ata janë takuar së bashku dhe në çdo bisedë,fjala ka qenë në ate plazmin e besimit mysliman,tek ideja e madhe e unitetit dhe detyrimit të gjithësecilit ndaj atdheut,Imam Vehbi Dibra,në thirrjet e hartuara prej tij,me ç’rast këndoheshin në çdo Xhami të Shqipërisë, e vinte theksin pikërisht në kërkesën që sejcili të përpiqej të vinte në jetë detyrat që kishte ndaj atdheut.Këto lutje nuk duhen parë kurdoherë si dogma moralizuese por edhe si vlera jetësore dhe patriotike që lidhen ngushtë me fatet e kombit.Më saktësisht,diku Vehbi Dibra ka pas thënë ; “I Madhi Zot,ka me na e matë edhe temperaturën e dashurisë që kemi për atdhe.Të kemi kujdez vllazën,të mos gabohemi me ba ndonji tradheti kundra atdheut.Vini re vllazën,se tradhëtia kundra atdheut bahet shumë lehtë,Zot,na ruej ! Tue pa se Atdheut i drejtohet nji rrezik e me heshtë,edhe kjo asht nji tradhëti “.( Vehbi Dibra , ” Ç’urdhëron Kurani” faqe 44 ).
Por jo vetëm kaq meqë nuk duhet të harojmë se në vitet 1920-1921,kur Shqipëria nuk ka pasur më shumë se një milion e 100 banorë ( fjala është për banorët e shtetit amë,të Shqipërisë londinese),gati 250 mijë i përkisnin besimit bektashian.Në vitin 1920,në shtetin amë,janë numëruar më shumë nga 50 teqe,më të përhapurat në Krujë,Dibër,Përmet,Elbasan,Kolonjë e Gjirokastër.Në favor të përhapjes dhe zhvillimit të besimit bektashian erdhi një prej neneve të statutit të miratuar në Kongresin e Lushnjës ku thuhej shprehimishtë se ; “Shqipëria,njeh dhe mbron baraz,synizmën,bektashizmën, ortodoksizmën dhe katolicizmën”.
Më 17 janar 1921,në teqenë e Prishtinës, u mbajt Kongresi i parë Bektashian.Aty muarën pjesë baballarë nga 37 teqe kryesore të Shqipërisë,të cilët përfaqsonin numërin e konsiderueshëm të bektashinjëve të asaj kohe.Në fillim,një komision i posaçëm hartoi statutin lidhur me drejtimet e mëvonshme,ky statut u diskutua dhe gjykua nen për neni.Ky statut i cili u quajt “Lidhja Bektashiane” në thelb,pasi shprehte organizimin dhe veprimtarinë e ardhshme,sanksiononte krijimin e Kongresit Bektashian Shqiptar.Përsa u përket lidhjeve të këtij komuniteti,me teqenë e madhe të Haxhi Bektash Veliut në Turqi,ata u sanksionuan më tepër në rrafsh moral,ndërsa në thelb qoftë në Statut,qoftë në verpimet e tjera parashihej pavarësia e plotë e besimit bektashian.
Gjashtë muajt më pas,më 18 qershor 1921, në teqenë e Baba Xhemalit në Përmet,u mblodh kongresi i dytë i klerit bektashian.E vërteta është se midis problemeve të tjera,aty u diskutuan edhe mënyra për t’u miratuar prej qeverisë shqiptare statuti “Lidhja Bekatashiane” i cili shprehtë pavarsinë e besimit bektashian.”Kongresin e drejtoi Baba Ahmeti.Në të mori pjesë edhe përfaqsuesi i qevreisë shqiptare… U vendos që nëpërmjet nënprefektit të Përmetit t’i kërkohej qeverisë të miratone statutin e përgaditur nga mbledhja e Prishtinës,për të vënë në veprim vendimet e këshillit të mësipërm që do të jepeshin mbi organizimin e teqeve”. ( Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë, fondi 252 , dosja 89 , fleta 8 ).
Në vitet e më pastajme,kur Ahmet Zogu u zgjodh kryeministër i Shqipërisë,teqet shqiptare patën një lulëzim të dukshëm.Nën kujdesin e drejtëpërsëdrejti të tij,u ngrit mësonjëtorja bektashiane e cila përgadiste kuadro të besimit bektashian,me ç’rast ata shpërndaheshin në krejt teqetë e Shqipërisë. Veçanërisht në momentet kur besimi bektashian u godit rëndë në Turqi , në Tiranë, u vendos Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane,roli dhe ndihmesa e Ahmet Zogut janë të dorës së parë.Përfaqsuesi i qeverisë për besimin fetar,do të informonte rregullisht Ahmet Zogun si kryeministër, e më vonë Mbret i Shqiptarëve,për gjithshka që lidhej me organizimin e punëve në Kryegjyshatë,hallet dhe vështirësitë që kishin baballarët dhe dërvishët e teqeve të largëta. Me propozim dirket të Ahmet Zogut,më 1930 Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë i akordohet nga fondi i qeverisë 1000 franga ari,me të cilat u hodhën themelet e ndërtesës që ende sot shërbenë si Seli e Shenjtë e Kryegjyshatë.Ahmet Zogu kurdoherë do të gjente kohë për të biseduar me Kryegjyshin Botërorë,duke
kërkuar pos të tjerave që Dërvishë apo Baballarë të shkolluar në Shqipëri,të mund të shkonin të ushtronin ritet fetare,sidomos në trojet tona,të mbetura jashtë shtetit tonë amë si në Kosovë,Maqedoninë shqiptare e çamëri.Ai burrë i madh i shtetit,ishte i bindur se bektashizmi i zhvilluar në trojet shqiptare,do të jepte ndihmesë të madh drejt bashkimit të kombi dhe atdheut shqiptar ,ashtu sikundër e patën provuar ngjarjet kulmore të Lidhjes Shqiptare të Prizërenit dhe shpallja e pavarsisë në Vlorë.
Dihet tanimë se në qershorin e vitit 1928,pas krijimit të qeverisë së re,Mbreti i Shqiptarëve,Ahmet Zogu,dekretoi datën 5 gusht 1928,për mbledhjen e Kuvendit Kushtetues,me ç’rast do të rishikoheshin ndryshimet e mundshme në Kushtetutë. Më 1 shtatorë 1928,në mënyrë unanime,Kuvendi Kushtetues,aprovoi ndryshimet në Kushtetutë,me ç’rast Shqipëria quhej shtet i pavarur me tërësi tokësore të pandarë,të pacënueshme dhe të patjetërsueshme.Ajo shpallej Mbretëri Demokratike Parlamentare dhe të trashëgueshme,me Mbret të Shqiptarëve Naltëmadhërinë e tij, Zogu i Parë. Gjithashtu kjo kushtetutë sanksiononte se “Shteti shqiptar do të kishte karakter laik, por fetë dhe besimet e ndryshme fetare gëzonin lirinë e ushtrimit të tyre që gëzoheshin me ligj,por s’do ndërhynin në punët e brendshme të tij”( “Shqipnija më 1937 “ faqe 7 ).Me këtë nen të Kushtetutës,Mbretëria shqiptare e atyre viteve,është radhitur ndër popujt e përparuar të Evropës ku besimet fetare janë vënë plotëisht në harmoni me lirinë personale të njeriut.Por nëse me besimet myslimane,katolike dhe bektashiane vështirësitë kryesore ishin kapërcyer,një gjë e tillë nuk kish ndodhur me kishën ortodokse shqiptare.
Historia e marëdhënieve të kësaj Kishe me ate të Fanarit,ka qenë mbushur me ngjarje të pakëndshme për të mos thënë me luftë të hapur ndaj njëra tjetrës.Është kjo arsyeja që Mbreti Zog,vetëm disa muaj pas marrjes së këtij funksioni,ndërmori hapa konkrete edhe për pavarsinë e kishës ortodokse shqiptare.Kështu,në fillim të vitit 1929,në bashkëpunim edhe me krerët e lartë të hierarkisë kishtare,qeveria shqiptare shprehu mendimin për shkëputjen e kishës shqiptare si prej Stambollit,ashtu edhe prej Athinës.Madje për këtë,u dërgua në Stamboll edhe një përfaqsues i qeverisë shqiptare,anipse ky vendim nuk u pëlqeu as Athinës as Stambollit.Klerikët e lartë të Fanarit,dërguan disa kushte në Tiranë,të cilat jo vetëm nuk lejonin pavarsinë e kishës shqiptare,por e ndërvarnin akoma më shumë ate ndaj qëndrimeve të Fanarit.Në këto kushte Mbreti Zog nuk mund të rrinte duarkryq.Ai duke marrë edhe mendimet e atdhetarëve të tjerë shqiptarë,të të gjitha besimeve fetare,në një prej mbledhjeve të Këshillit të Ministrave,thirri të pranishëm imzot Visarionin duke e propozuar në funksionin e Mitropolitit të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare,njëkohësisht edhe me detyrën e Peshkopit për Durrës dhe Tiranë.Nisur nga idetë,që udhëhiqnin Mbretin Zog për këtë propozim,Këshilli i Ministrave e miratoi poltësisht fjalën e tij,madje imzot Visarioni i pranishëm në këtë takim falenderoi nxehtësisht Mbretin lidhur me kujdesin e madh të tij ndaj besimtarëve ortodoks shqiptarë.
Kështu,më 18 shkurt të vitit 1929,mes një gëzimi të madh në qytetin e Korçës,u zhvillua ceremonia e krijimit të Sinodit të kishës shqiptare.Për herë të parë në histori,u mbajt një meshë në gjuhën shqipe,në mënyrë legale me pjesmarrjen e mijëra qytetarëve korçarë.Imzot Visarioni,nuk harroi të shprehte në fjalën e vet,në emër të besimtarëve ortodoks shqiptarë,mirënjohjen për Mbretin Zog i cili po vendoste themelet e pavarsisë së kishës shqiptare.Po ate ditë është vendosur që edhe Korça,të ket pasur në gjirin e vet Selinë e shenjtë të kësaj kishe.Pas kësaj ka qenë vetë Mbreti Zog, i cili së bashku me diplomat e emërimit si peshkop,u dërgoi klerikëve të lartë shqiptarë,letër falenderimi nga ana e tij,ku vinte në dukje guximin e tyre për t’i shërbyer besimit fetar dhe atdheut. Ai shprehte bindjen se vepra e tyre në rrafsh të pavarsisë së kishës ortodokse shqiptare,do të çmohej kurdoherë jo vetëm prej besimtarëve ortodoks por prej krejt shqiptarëve.Ky qëndrim dhe veprim i guximshëm i qeverisë shqiptare të asaj kohe,do të shkaktonte fortuna të vërteta në strukturat e Fanarit.Ky jovetëm që nuk e njohu pavarsinë e kishës shqiptare,por mori një sërë masash që synonin në pengimin e ushtrimit të riteve fetare nga peshkopët shqiptarë.Për më tej,me dekret të posaçëm,Fanari ç’kishtëroi peshkopët shqiptarë që kishin pranuar detyrën duke ua komunikuar këtë vendim të gjithë kishave ortodokse jashtë Shqipërie.Me tërë këto presione u njoh menjëherë qeveria shqiptare e cila,bënte atë ç’të mundëte që mekanizmi i pavarsisë së kishës ortodokse të funksiononte normalisht : “Mbreti Zog u kundërpërgjigjej duke dëbuar nga Korça mitropolitin Hierotheun, i emëruar nga Stambolli.Shtypi i Athinës e cilësoi veprën e qeverisë shqiptare si një padrejtësi ndaj pakicës greke,që gjoja po shkëputej me forcë nga Patriarkana e Stambollit,duke iu imponuar liturgji në gjuhën shqipe.Ndërsa zyra e shtypit e ministrisë së jashtme në Tiranë,i’u përgjegj se shteti shqiptar s’kish bërë tjetër,veç kish zbatuar parimin e njohur dhe aplikuar në tërë ballkanin,sipas të cilit çdo shtet i pavarur kish të drejtë të kishte kishën e vet kombëtare”.
( I . Ushtelenca “ Diplomacia e Mbretit Zog i Parë “- Tiranë 1996 , faqe 225 ).
Edhe Fan Noli më 1933,përshëndet guaimi e padiskutueshëm përmes një letra Mbretin Ahmet Zogun.Është i njohur fakti se pas këtij fakti,Patriarkana e Stambollit dhe kisha greke nuk njohën pavarsinë e kishës shqiptare,madje edhe për vite të tëra nuk pushuan luftën e hapur të tyre.Ndërsa kishat e vendeve të tjera e njohën pavarsinë e asaj shqiptare dhe ndërtuan marëdhënie të mirëkuptimit të ndërsjelltë me të,mandej këto marëdhënie u shtrinë deri në dërgimin e priftërinjëve në ato dioqeza ku këta,në ato vite patën munguar.
Për vetë kushtet historike,në Shqipëri ç’prej shekujsh ishte zhvilluar edhe besimi Katolik.Ndonëse në dy tri enklave të përcaktuara qartë etnikisht si Mirdita,Kurbini e Shkodra,sigurisht që edhe ky besim u muar menjëherë në mbrojtje nga statuti i Mbretërisë Shqiptare.Gjithsesi,për shkak se krerët e lartë fetare katolike,nuk kërkuan asnjëherë shkëputjen e tyre nga Vatikani,qeveria shqiptare e asaj kohe,nuk mund të ndërmerrte veprime konkrete duke mos dashur të cënojë lirinë e besimtarëve katolikë.Për më tej ishte po kjo qeveri, e cila mundësoi deri në pagesë,ngritjen e famullive të largëta,apo pasurimin e bibliotekave të qytetit të Shkodrës me literaturë katolike.E vërteta është se pas shpalljes së pavarsisë së kishës shqiptare,(ku i jepej një goditje e rëndë helenizmit që donte të depërtonte në jugun e shetit amë) nisi të lëvize në mënyrë diplomatike edhe Italia,kishte marrëveshje të detajuar me greqinë,lidhur me zonat e influencës së kishave,ndaj ajo nuk priti mirë pavarsinë e kishës shqiptare.Është kjo arsyeja që nëpërmjet burimeve diplomatike,Italia ndërhyri pranë Mbretit të shqiptarëve Ahmet Zogu,për të riparë marëdhëniet me kishën greke,por përgjigjja e burrit të Matit,ishte tejet diplomatike,ai u përgjigj se ato ishin objekt i mekanizmave fetare të qeverisë,por aspak shqetsime personale të tija.
Hapi tjetër i vendosur i Mbretit Zog,lidhur me besimet fetare,në Shqipëri,ishte institucionalizimi i Kodit Civil,ku këto besime jo vetëm mbroheshin por më së shumti zhvilloheshin nga shteti,duke ndaluar çdo dasi ndërmjet tyre dhe duke konfirmuar dhe inkurajuar vetëm tolerancën midis besimeve dhe besimtarëve shqiptarë.Posaçërisht për këtë problem,ku nënvizohej ideja që besimet fetare të konvergonin në dashurinë ndaj atdheut,shtypi shqiptar ka shkruar ; “Hyrja e kodit civil në fuqi,në vitin 1929, inaguroj hyrjen zyrtare në fuqi të Biblës sënjëshmërisë sonë kombëtare civile,të trashëguara nga stërgjyshërit tanë,Pellazgët ose Thrako-Ilirët.Autoqefalia e kishës ortodokse ,krijimi i Komitetit Mysliman,themelimi i Kryegjyshatës Bektashiane,atdhedashuria e klerit katolik në Mbretërinë Shqiptare kanë qenë … lëndët më të para,nga të cilat kombi po pret,me mbretin e madh,Zogun e vet në krye,ta shenjtërojë edhe fetarisht këtë “Njëshmëri” të bekuar nga Perendija vetë që e ka krijuar “ .(Gazeta “ Drita “ Tiranë më 21 mars 1937 ).
Duke inkurajuar tolerancën fetare ndër shqiptarët,në fakt,Mbreti Zog,risillte në kujtesën e popullit të vet,ate tolerancë të trashëguar tradicionalisht midis besimeve fetare në Shqipëri.Gjatë gjithë qeverisjes së tij,ai u kujdes që këto besime dhe religjionet përkatëse të gjenin repsektimin e plotë në qeveri,npërmjet ministrave të kabinetit,ai çoi më tej traditën e bashkëpunimit të religjioneve fetare,të nisur qysh me Lidhjen Shqiptare të Prizërenit.Duke marrë personalisht pjesë,në ditët e shënuara të besimeve fetare,në ritet por edhe shqetsimet e tyre,Mbreti Zog,respektonte Zotin, së pari si njeri e mandej si adhurues shpirtëror i besimit mysliman që ishte, por dhe të besimeve të tjera të kombit të vet shqiptar.
Në vitet 30 të shekullit të kaluar,atëhrë kur vende ballkanike e përtej tyre,ishin përleshur dhe përlesheshin etnikisht për shkak të besimeve të tyre fetare,në Shqipëri mbizotëronte ideja e madhe e shqiptarizmës.Dhe kjo smund të ishte diçka kafshërore,ky unitet fetar nuk kish rënë nga qielli.Ai ishte edukuar dhe edukohej deri në shkollat e mbretërisë shqiptare.Udhëtarë të huaj që patën ardhur ato vite në Shqipëri shkruajnë tekstualisht : “Duke i dhënë fund udhëtimit në Shqipëri,theksojmë një Dekret Mbretëror të ri,i cili detyron mësimin fetar në shkolla të shtetit.Të gjithë edukatorët e kanë pritur me gëzim dekretin sepse ata nuk mund të mohojnë se detyra e parë e edukatorit është formimi i karakterit të fëmijës që u është besuar.Pra asnjë formim nuk është i mundur pa moral,ashtu siç nuk ka moral pa besim” .( Paul Goujon “ La Tribune de Genere” më 9 prill 1937 ).
Mbreti i shqiptarëve Ahmet Zogu dhe mbretëria shqiptare u bënë shembull për shumë shtete evropiane.Kushtetuta Mbretërore ishte ndër më të përmendurat dhe ajo mbetet edhe sot e kësaj dite,aty jo vetëm që rregullohet e drejta e besimeve fetare,por përmes tyre përcillen edhe mesazhet e dashurisë për Atdheun dhe Kombin shqiptar.
Bern-Zvicër