• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në Dibër nuk hyjnë hesapet e Sheshit Wilson

September 9, 2016 by dgreca

Opinion Nga Arben Llalla/

Është e dyta herë brenda një jave që Eduard Zaloshnja publikon të njëjtin “studim tregu” në lidhje me zgjedhjet në Dibër. Gati në mënyrë sfiduese ish-agronomi i politikës kërkon zgjidhjen e një ekuacioni. A do të jetë fitues bashkëpunimi mes PS dhe PDIU-së në Dibër, pa LSI-në? Nuk është e fshehtë që Zaloshnja e ndihmon rrogën me fonde që vijnë nga selia e Sheshit Wilson në Tiranë. Sipas analistit bujqësor, LSI nuk është përfshirë në fushatë, kurse PDIU e ka marrë me zell këtë punë.

Pikërisht, sot, teksa botohet ky sondazh u bë përmbyllja e fushatës elektorale në Dibër nga të dyja kampet. Në atë qeveritar në tribunë u shfaqën shumë udhëheqës, jo vetëm Edi Rama dhe Gramoz Ruçi, por edhe Petrit Vasili. Në fakt ra në sy që nuk ishte asnjë nga ligjvënësit apo drejtuesit e PDIU-së. Një parti që çon në Dibër numrin 2 të saj për të mbështetur kandidatin e aleatit të vet socialist quhet e papërfshirë? Kurse një parti që nuk ngre në tribunë asnjë deputet apo udhëheqës vendor quhet e përfshirë?

Nejse, kjo mungesë e PDIU-së rrëfen se kjo forcë politike e ka vlerësuar aq sa duhet këtë fushatë elektorale, e cila është krejtësisht vendore, ndaj ia ka besuar thjesht drejtuesëve të saj në Peshkopi. Janë këta drejtues që në zgjedhjet e fundit lokale morën me numër, vetëm dy vota më pak se LSI, ndaj nuk kanë përse të mbështeten më shumë se kaq në udhën e tyre. Kuptohet rezultati i PDIU-së në Dibër ka ngjallur mërinë dhe xhelozinë, kryesisht të Sheshit Wilson, sepse një realitet politik në rritje kujton kohët e dikurshme, kur nga i vogël bëhesh i madh. Shqipëri është, ndaj konkurenti nuk është se dashurohet.

Kjo është arsyeja e këtyre shkrimeve apo e ngazëllimit që Edi Rama është thyer para presionit grek për ta përfshirë PDIU-në në qeveri. Si në kohën e princërve arbër që për të thyer sho-shoqin thërrisnin në ndihmë osmanët, edhe sot thërrasim në ndihmë grekët.

Por, le t’i kthehemi real-politikës. Në Dibër sido që të jetë PDIU nuk i fiton dot zgjedhjet për PS-në, as i humb dot ato për llogari të PS-së. Është PS-ja që i humb apo i fiton zgjedhjet. Nëse rezultati i kësaj partie është zhgënjyes, nuk ka PDIU a LSI që ta shpëtojë, sepse zgjedhjet nuk fitohen me bedelë. Ndaj, PDIU mund të ndihmojë fitoren, por nuk është thembra e Akilit. Kështu që në një dështim të mundshëm nuk ka përse ta gjejë kush alibinë tek PDIU. Me ç’duket kjo është strategjia e Zaloshnjës dhe pagatorëve të tij. Nëse humb Muharrem Rama, fajin e ka PDIU, nëse fiton Muharrem Rama fitoren e kemi të gjithë bashkë. Në fakt, kjo nuk është politikë, por hesap bakalli. Në Dibër përballen kandidatët e koalicionit të PS-së dhe koalicionit të PD-së, pra nëse lokomotiva nuk tërheq si duhet, fajin nuk e kanë vagonat, edhe sikur ato të transportojnë pesha të rënda si Ilir Meta apo Kreshnik Spahiu.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, Dibra, Eduard Zaloshnja

“Një jetë …disa histori” Dibra

June 25, 2016 by dgreca

Nga Marjana Bulku/

Dibra, qyteti që shfaqet befasisht sapo kalon kthesën e fortë e ndoshta të fundit pas asaj rruge të gjatë plot dredha që të duket edhe më e lodhëshme sesa fluturimi disa orësh përmbi Atlantik, hesht…

Një heshtje që akuzon, kërkon ndihmë, lutet…një heshtje që dhemb sidomos kur kujton mendjet dhe emrat që ajo trevë jetike ka i falur atdheut tonë të përvuajtur.

Qyteti hesht sepse ikjet e kanë varfëruar shpirtërisht, politikat e kanë përcudnuar edhe materialisht edhe arkitektonikisht, rrugët e shtruara, gjysëm të shtruara e kanë braktisur. Ai hesht sepse ka frikë të ëndërrojë. Dibra është në udhëkryq. Dhe Dibra nënkupton dy; atë që nis prej grykës së Radikës e deri në Skuraj, aty ku rruga që lidh kombin degëzohet e re dhe e brishtë drejt Kukësit e Kosovës, e ku flitet shqipja jonë plot ngjyra dialektologjike. Dibra hesht edhe pse ka hiret që zoti bujarisht ia ka falur ndërsa njeriu pak ia ka përkëdhelur.Kur varfëria dominon , shpresat reduktohen, dëshirat fiken dhe progresi i ngjan një tuneli pa dritë ku rrënjët e thella të së shkuarës i përnjasojnë një objekti të zhdukur që është përherë aty e rënkon nga jeta e dyfishtë as e gjallë as e pagjallë.Lagja historike e qytetit me pllaka e pllakate të vjetra e mure që zhvishen dita-ditës, nuk zhurmon më përvec ndonjë objektivi  të rrallë që memorizon me foto duke përmbushur edhe përmallimin e largët të të ikurve.Qyteti pa park të gjelbërt, pa planifikim urban por me ujrat termale dhuratë perëndie dhe provë e patjetërsueshme se Zoti klimës së ftohtë malore i veshi ujrat termalë që nuk shterin së kuruari. Dibra hesht edhe pse shumë objekte të saj simbolike mbartin bagazhe jo të pakta intelektuale; Teatri i kukullave tashme i harruar, gjimnazi universitet tashmë i tjetërsuar, bulevardi i blinjve tashmë nën procesin e rilindjes edhe pse ka qenë vepra më e bukur e Rexhep Dodës, arkitektit që i dha formë një qyteti që nuk mund të quhet kurrë i tillë pa atë bulevard që e identifikon. Aty ku madhështojnë rrugët civilizimi kalcifikohet natyrshëm e nuk është rastësi që përbri bulevardit Rexhep Doda, (sapo e emërtova vetë edhe pse ka emrin Elez Isufi), janë lartësuar objektet më simbolike dibrane; kinemaja -gërmadhë, turizmi, banka nënë por edhe bijëzat, pallati i kulturës ku thuhet se jeton ende estrada, Prefektura Posta…Përtej cdo objekti ka shumë histori të pashkruara, por që nëse do ia risillnim heshtjes të paktën do mund të pëshpërisnim dicka jo pa krenari.

Qyteti hesht edhe kur duhet të tregojë, kërkojë dhe prezantojë më të mirën e vet. Për mua Dibër do të thotë Selim Alliu, ai humanist i rrallë, që ka lënë aq shumë dokumenta e studime për zonën nga vinte, që u bë frymëzim për ta dashur dhe admiruar arsimin, etnografinë ,shkollën, klasën, mësimdhënien.
Qyteti hesht edhe pse në kryeqytet të gjithë thonë jemi dibran kur përmendet tradita e gatimit, jetesës , pastërtisë.Qyteti hesht edhe kur në pragfushata artikulohet Rruga e Arbrit…

Kur po ndërtohej Rruga e Arbrit, e malet caheshin në mes dhe njerëzit e arrinin më shpejt kohën, jeta do kishte pasur një ritëm tjetër dhe fatet e këtyre banorëve gjithashtu…asnjë kronikë, asnjë analizë edhe pse ishte ndoshta një nga projektet më të vështira në një zonë që ishte akoma me rrugët e ndërtuara nga italjanët. U gërmua nëpër thellësi e toka pasuri na nxorri objekte të lashta ilire si për të na kujtuar se jemi zot te saj e duhet të rrëfejmë për të.Por qyteti i pazë heshte…e vetmja media lokale transmetonte non-stop filmat: “Kapedani” dhe ” Kumbari” madje kujtoj se në një nga mbledhjet e këshillit bashkiak e kam ngritur këtë shqetësim,,,por heshtja nuk ka kurrë zë, thonë se ka logjikë.

Qyteti që shfaqet befas pas kthesës por që duket qartaz nga lartësitë malore kurorë, ku Drini gjarpërueshëm shtegton luginash plot jetë, është pamja që gjithmonë e kam dashuruar, ishte fundi i një rruge të gjatë ishte pragu i times shtëpi, uroj qe befas aty të gjej krenaritë që heshtin nga dhuna e padrejtë, urrejtja e pashkak, vetëizolimi e harresa, ikja që s’ndal.

Kur kthej aty dhe makina ndal shpejtësinë pyes veten; Cfarë bëmë ne për këtë qytet, cfarë mundemi?! Ecim shpejt duke shpresuar qe mendje dhe memorje të kthjellëta të na zgjojnë heshtjen, krenarinë.

 

Filed Under: Histori Tagged With: ...disa histori'', Dibra, Marjana Bulku, nje jete

Pa Rrugën e Arbërit, Dibra është e vdekur

March 9, 2014 by dgreca

Intervistë me Dr Gëzim Alpion: Çfarë po ndodh me peticionin?/

Dr Gëzim Alpion, nismëtari i peticionit për Rrugën e Arbërit, nisur gati një vit më parë, më 18 mars 2013, i cili po vazhdon të firmoset online, i ka dhënë një intervistë të posaçme gazetarit nga Kosova, Valmir Gashi. Intervista, e cila përqendrohet në probleme të ndryshme, që kanë të bëjnë me trajtimin që i kanë bërë dhe po i bëjnë çështjes së Rrugës së Arbërit qeveritarët shqiptarë, si dhe rolin që po luan shoqëria civile në këtë proces, u botua me shkurtime në gazetën ‘Panorama’ më 11 shkurt 2014, dhe e plotë në mars 2014 në gazetën ‘Rruga e Arbërit’./

Nga Valmir Gashi/

 – Ju i dërguat një letër të hapur në fillim të muajit Maj 2013 Presidentit të Republikës së Shqipërisë z. Bujar Nishani, ish-kryeministrit z. Sali Berisha, kryeministrit aktual z. Edi Rama, drejtuesve të tjerë të lartë të shtetit si dhe kryetarëve të partive të përfaqësuara në Parlamentin shqiptar. Pas asaj kohe, a ka patur ndonjë reagim prej tyre?

– Përveç personave që përmendni ju, kur isha në Tiranë më 3 Maj 2013, u dërgova të njëjtën letër në lidhje me Rrugën e Arbërit edhe znj. Jozefina Topalli, z. Bamir Topi, z. Ilir Meta, z. Fatmir Mediu dhe z. Shpëtim Idrizi.

Sipas konfirmimeve që kemi marrë nga shërbimi postar shqiptar, të gjithë personat në fjalë i kanë marrë letrat. Kjo është konfirmuar edhe nga individë të punësuar pranë këtyre politikanëve.

Deri tani asnjë nga letër marrësit nuk na ka kthyer përgjigje.

– Dr Alpion, përse duhet të merret Qeveria e Shqipërisë me peticionin tuaj, kur ka aq shumë halle për të zgjidhur?

– Nëpërmjet peticionit, ne premtuam më 18 mars 2013 se pas zgjedhjeve të qershorit do t’i kërkojmë qeverisë së re të përfundojë Rrugën e Arbërit. Për ne nuk kishte rëndësi nëse në pushtet do të qëndronte e djathta apo do të vinte e majta.

Të dyja krahët e politikës shqiptare janë fajtorë para Dibrës, pasi çdo premtim elektoral për këtë vepër është harruar menjëherë pas zgjedhjeve. Megjithatë, ne e bëmë të qartë që në fillim se qëllimi ynë nuk është të merremi me të kaluarën, por të shikojmë me shpresë nga e ardhmja. Pra, me peticionin, ne nuk po i kërkojmë qeverisë të premtojë diçka të re për Dibrën.

Me peticionin ne po i bëjmë një shërbim jo vetëm Dibrës por edhe shtetit shqiptar. Mënyra se si shteti e ka keqtrajtuar çështjen e Rrugës së Arbërit na kujton edhe një herë fenomenin shqetësues që e karakterizon shtetin shqiptar për më se një shekull: mungesën e vazhdimësisë në drejtimin e vendit. Është për të ardhur keq që ky fragmentizëm dhe amatorizëm shtetëror është bërë edhe më i ndjeshëm në çerek shekullin e fundit.Po kështu, mos mbajtja e premtimeve për Rrugën e Arbërit nxjerr edhe një herë në pah se sa ‘pragmatiste’ për qëllime të ngushta personale dhe partiake dhe, për pasojë, sa pak serioze janë programet elektorale të enteve dhe koalicioneve politike në Shqipëri.

– Si shumë zona të tjera të Shqipërisë, edhe Dibra ka kohë që është lënë në harresë. Përse ju zuri meraku për Dibrën kaq papritur? Apo ndoshta keni ndonjë motivacion personal?

– Në planin personal, Dibra ka qenë gjithmonë pjesë e jetës time dhe vazhdon të jetë e tillë, megjithëse nga Peshkopia u largova kur isha 14 vjeç. Dibra ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin tim si njeri dhe intelektual dhe, një vendlindje magjepse ‘harrohet’ vetëm kur ndërron jetë.

Dibra është tema e parë e botimeve të mia. Për Dibrën kam filluar të botoj për herë të parë në gazetën e Peshkopisë ‘Ushtima e Maleve’ në vitin 1980, kur beja stazhin pas përfundimit të shkollës së mesme. Në rreth 20 reportazhe dhe shkrime të ndryshme trajtova një numër çështjesh që mendova se ishin me interes. Mbaj mend se reportazhet, artikujt dhe portretet evidentonin arritjet e individëve të veçantë dhe të disa ndërmarrjeve si dhe nxirrnin në pah disa të meta.

Referenca për Dibrën figurojnë që në fillim edhe në botimet e mia në anglisht, fillimisht në gazetën ‘Middle East Times’ në Kajro në vitin 1993, si dhe në intervista që kam zhvilluar në mediat perëndimore. Influenca e Dibrës në formimin tim është trajtuar edhe nga studiuesi britanik Dr Adrian Stokes në parathënien e librit ‘Foreigner Complex’ (‘Kompleksi ndaj të Huajve’) që u botua në Angli në 2002.

Në Angli, gazeta e parë shqiptare në Londër ‘Albanian Mail’ në vitin 2003 me ftoi që të kontribuoja si ‘columnist’ çdo javë një shkrim sipas tematikës që preferoja. Në rubrikën ‘Ditari nga Birminghami’ unë zgjodha të trajtoj aspekte të veçanta të kulturës dhe traditave të Dibrës.

Shqipërinë e vizitoj çdo vit që kur u largova në vitin 1985 dhe kthimi bëhet ‘i plotë’ kur shkoj edhe në Peshkopi. Në Tiranë takohem rregullisht me një numër intelektualësh dibranë, me të cilët diskutojmë për problemet e Dibrës.

Duke parë se sa e fragmentuar është shoqëria shqiptare dhe sa i rëndësishëm është kohezioni kombëtar për përparimin e një vendi, gjatë dy dekadave të fundit nuk kam dashur të prononcohem publikisht për shqetësimet në lidhje me injorimin e Dibrës dhe diskriminimin tradicional që u bëhet disa zonave në Shqipëri, si në veri ashtu edhe në jug.

Për herë të parë kam folur publikisht për injorimin e Dibrës dhe zvarritjen e pa justifikueshme të punimeve në Rrugën e Arbërit në Korrik 2012 gjatë një interviste televizive në studio me z. Roland Qafoku.

Më 18 mars 2013, kur pashë që politikanët akoma kishin kurajo të kërkonin votat dibrane duke ri-premtuar premtimin e pambajtur, vendosa të mos hesht më.

Motivi im i parë dhe i fundit për peticionin është të kontribuoj sado pak për t’i rikthyer Dibrës dinjitetin e nëpërkëmbur. Shpresoj që shembulli i intelektualëve dibranë në këtë drejtim të frymëzojë edhe kolegë nga zona të tjera të harruara të Shqipërisë që të ngrenë zërin. Në këtë drejtim, peticioni për Rrugën e Arbërit është thirrje për një orientim të ri në politikën shqiptare, pra të mos merremi vetëm me Tiranën dhe disa zona e qytete të ‘preferuara’ apo kryesisht me çështjen e pranimit në Europë, por të kthejmë sytë edhe nga disa zona të Shqipërisë, që janë zhytur në skamje dhe mjerim sikur t’i përkisnin vendeve të botës së tretë, sepse janë braktisur nga shteti.

– Disa media informacioni në Prishtinë kanë raportuar se gjatë muajit shtator 2013 është kontaktuar Zyra e Kryeministrit të Shqipërisë për të kërkuar takim me z. Edi Rama për t’i paraqitur peticionin. A do të ndodhë ky takim dhe kur mendoni se mund të ndodhë?

– Siç premtuam me 18 mars 2013, një muaj pas krijimit të qeverisë së re, më 26 shtator ne i dërguam kërkesën e parë z. Edi Rama për takim. Kërkesa është paraqitur 5 herë deri më tani dhe për çdo rast kemi konfirmim se ajo është marrë.

Nuk duam të nxjerrim konkluzione të gabuara, por heshtja e pajustifikueshme zyrtare, që dikush edhe mund ta konsiderojë jo vetëm si mungesë kortezie nga ana e institucionit të Kryeministrisë, por edhe tregues se si punon, në këtë rast, se si nuk funksionin, administrata shtetërore. Kur kërkesa jonë për takim, e cila nuk ka të bëjë fare me interesa personale, me sa duket injorohet kaq hapur, imagjino se ç’ndodh me qytetarë hallexhinj që u shkruajnë zyrtarëve për të qarë hallet.

E megjithatë, që intelektualët dibrane, që po lobojnë për Rrugën e Arbrit, do të takojnë Kryeministrin e Shqipërisë, kjo nuk duhet vënë aspak në dyshim.

– Cila është rruga që duhet të ndjekë Dr Gëzim Alpion, si një anëtar i shoqërisë civile dhe jo vetëm, për të kërkuar takim me Kryeministrin e Shqipërisë?

– Unë asnjëherë nuk kam kërkuar të takohem me Kryeministrin e Shqipërisë. Kur më është sugjeruar një takim i tillë, nuk kam hezituar të jem i gatshëm, por nuk kam rënë dakord kur më janë vënë kushte se çfarë është e pranueshme të diskutohet apo të mos preket. Në rastin aktual, nuk është e rëndësishme nëse unë e takoj kryeministrin; intelektualët dibranë janë në gjendje ta ngrenë zërin për Dibrën edhe pa mua. Rëndësi ka që drejtuesi i qeverisë të dëgjojë zërin e dibranëve.

Peticioni për Rrugën e Arbërit nuk ka dhe nuk mund të ketë efektin e zemërimit mbarëkombëtar që pamë në rastin e çështjes së shkatërrimit të armëve kimike, pasi po bëhet fjalë për një rrugë prej 70 kilometrash. E megjithatë, peticioni për rrugën ka ngjallur interes, pasi kjo vepër është me vlera të pallogaritshme nga ana ekonomike dhe strategjike në planin rajonal, kombëtar dhe ndërkombëtar.

Si gjithmonë, si intelektual, unë jam i gatshëm të bashkëpunoj më çdo qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike, por nuk do të jem asnjëherë i angazhuar politikisht. Kjo nuk do të thotë se përçmoj sistemin politik, por si intelektual e ndjej se i shërbej më mirë vendit duke qëndruar jashtë influencave politike.

Intelektualët me integritet janë gjithmonë në ‘opozitë’, dhe opozita e intelektualëve, edhe pse nuk u vjen shumë për shtat pushtetmbajtësve, është opozita më e efektshme dhe më besnike së çdo opozitë politike sepse ajo ka prioritet gjithmonë, jo interesat e një klani të caktuar politik opo të klasës politike, por interesat e atdheut dhe kombit.

– Përse duhet një akademik shqiptaro-britanik të bëhet zëdhënës i Dibrës, kur kjo zonë ka 6 deputetë që janë zgjedhur për këtë punë? Nuk është politike kjo iniciative apo si?

– Ajo që thoni ju është me vend vetëm kur shteti dhe, ne rastin konkret, Parlamenti si dhe deputetët të përmbushin detyrimet ndaj elektoratit. Përderisa në Shqipëri nuk ka normalitet në këtë drejtim, është detyra e intelektualëve të mos heshtin.

Përsa i përket deputetëve të Dibrës, deri tani, pavarësisht përkatësive të tyre politike, ata thjesht kanë vegjetuar. Nëse deputetët e zgjedhur në këtë legjislaturë do të përfaqësojnë Dibrën denjësisht, ata kanë edhe tre vjet e gjysmë për të dëshmuar që janë ndryshe nga paraardhësit e tyre.

– Tanimë peticioni ka regjistruar mbi 4700 nënshkrime online pa llogaritur nënshkrimet në formularët e përgatitur enkas në përputhje me legjislacionin shqiptar. Ky numër i deritanishëm, ju bën të ndiheni të kënaqur nga përkrahja që ka gjetur peticioni?

– Kur filloi peticioni ne menduam se do të ishte një arritje shumë e mirë po qe se do të siguronim 1000 nënshkrime. Tani, duke përfshirë edhe nënshkrimet e formularëve në letër, peticioni ka më shumë se 5000 përkrahës.

Duke parë mobilizimin e rinisë dibrane në Peshkopi dhe në disa fshatra në Dibër, jemi të sigurt se numri i nënshkruesve do të rritet në muajt që vijnë.

– Shqipëria është një vend i politizuar. Ju dhe kolegët tuaj dibranë, që janë prononcuar për peticionin në media, keni theksuar që në fillim se ky peticion është dhe do të mbetet deri në fund jo politik. A janë bërë përpjekje për ta politizuar këtë nismë dhe cili ka qenë reagimi juaj? Apo nuk keni reaguar fare?

– Peticioni ynë ‘i dogji’ që në fillim, si të majtës ashtu edhe të djathtës së politikës shqiptare pasi, siç përmenda më lart, Rruga e Arbërit ka ‘mëkatare’ socialistë dhe demokratë. Para zgjedhjeve, demokratët menduan se peticioni ishte kundër tyre, me gjithë insistimin tonë se ky peticion nuk është për të sulmuar të djeshmit, kushdo qofshin ata, por fillimi i një dialogu konstruktiv me qeverinë. Ndërsa socialistët menduan se peticioni po çonte ujë në mullirin e tyre, kështu që simpatizantët e tyre, veçanërisht në Dibër, u treguan më të gatshëm për të nënshkruar. Pas zgjedhjeve, ndodhi e kundërta. Simpatizantët e së majtës u bënë më të ‘tërhequr’ ndërsa të ‘djathtët’ filluan të gjallërohen.

Për ne nuk kishte rëndësi se kush fitonte zgjedhjet, pasi as unë dhe as kolegët e mi nuk synojmë karrierë politike në Shqipëri. Asnjëri nga ne nuk aderon në ndonjë parti politike. Qëllimi ynë i parë dhe i fundit nëpërmjet këtij peticioni është t’i shërbejmë Dibrës. Për këtë jemi të vendosur, pavarësisht se sa shumë kohë do të na duhet të lobojmë për ndërtimin e Rrugës së Arbërit.

 – Dr Alpion, në fjalën përshëndetëse “Kur intelektualët tuten, maskarenjtë mbretërojnë” që mbajtët në Maj 2013 në Konferencën Ndërkombëtare për Nacionalizmin të organizuar në Tiranë nga Instituti Kanadez i Teknologjisë, ju theksuat se Shqipërisë i duhen më shumë se kurrë intelektualë të pavarur. Nisma juaj është përkrahur nga një numër i madh intelektualësh dhe politikanësh me prirje të majta dhe të djathta si dhe të pa angazhuar në politikë. A ju inkurajon ju ky fakt?

– Që në fillim, peticioni u përkrah nga një numër deputetësh dhe ish-deputetësh të së majtës dhe të djathtës, disa jo me origjinë dibrane. Kjo tregon se disa parlamentarë që para zgjedhjeve u bindën se peticioni ynë nuk kishte nota politike. Kjo na inkurajoi ashtu siç na gëzoi fakti që edhe një numër intelektualësh dhe artistësh të njohur nga Shqipëria dhe Kosova si znj. Nexhmije Pagarusha, z. Kujtim Çashku, z. Ndriçim Xhepa, z. Behar Mera, Profesor Artan Fuga etj, na përkrahën pa rezerva pavarësisht qëndrimeve të tyre politike.

Shoqëria civile luan një rol të rëndësishëm edhe në vendet demokratike ku funksionon shteti ligjor. Ndërsa në Shqipëri, ku shteti është i dobët sepse legjitimiteti dhe efikasiteti i tij janë erozuar nga metoda korruptive në drejtim dhe menaxhim, shoqëria civile merr një rol të veçantë.

Problemi është se në Shqipëri, pavarësisht disa shkëndijave premtuese që pamë me protestat kundër shkatërrimit të armëve kimike siriane në nëntor 2013, shoqëria civile është akoma në një faze embrionale, e pa organizuar dhe për pasojë nuk është e ndërgjegjshme për rolin e saj të rëndësishëm që mund të luajë, aq më tepër që në Shqipëri marrëdhëniet midis qeverisë dhe opozitës vazhdojnë të jenë në një gjëndje të mjerueshme.

Zhvillimi i Shqipërisë me hapin e vendeve ish-socialiste po pengohet nga një klasë politike kleptoktarike, që në 20 vitet e fundit po e qeveris vendin sipas modelit të rotacionit të tipit Putin-Medvedev. Pra, në Shqipëri edhe kur ka ndryshim nga e majta në të djathtë apo anasjelltas, pavarësisht premtimeve të fillimit, jo shumë gjëra ndryshojnë, pasi politikanët shqiptarë, pavarësisht disa akteve simbolike, në thelb nuk kanë dëshirë dhe guxim të prekin interesat financiare të ‘oponentëve’ të tyre politikë. Pra, në vorbullën e korrupsionit që ka kapur për fyti shtetin, drejtuesit e politikës janë ‘në të’ së bashku.

Në këto kushte, elita intelektuale në diasporë mund dhe duhet të luajë një rol primar. Kjo elitë është e përkushtuar për t’i shërbyer Shqipërisë në mënyrë reale dhe jo vetëm kur qeveritë ndërmarrin nisma sensacionale për të kthyer në Shqipëri trurin e larguar. Fushata të tilla kanë dështuar më parë dhe ka të ngjarë të dështojnë edhe në të ardhmen, sepse bëhen kryesisht për qëllime politike.

Kjo është arsyeja kryesore, mendoj unë, përse, tani për tani, elita intelektuale në diasporë është e ‘distancuar’ dhe kjo gjendje do të vazhdojë për aq kohe sa qeveria e Tiranës të përpiqet t’i politizojë apo t’i joshë intelektualët e suksseshëm në disaporë me metoda dhe fushata amatoreske.

Shqipëria nuk do të jetë në gjendje të ndërtojë një shtet normal ligjor sipas modeleve të demokracive Europiane pa një angazhim total serioz të intelektualëve në Perëndim. Kur kjo të ndodhe, imazhi i Shqipërisë në botë do të përmirësohet ndjeshëm dhe përfshirja e saj me dinjitet në familjen europiane do të vijë natyrshëm.

– Peticioni tërhoqi që në fillim vëmendjen e mediave në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, diasporë dhe së fundi edhe të mediave ndërkombëtare. Në shkrimin e botuar në Indi më 28 Tetor 2013 gazetari C. M. Paul thekson se “rruga do të shërbejë për të lidhur më mirë vendlindjen e Nënë Terezës Shkupin me Tiranën dhe se do t’i japë akses për herë të parë Bullgarisë në Adriatik dhe Mesdhe”. Përse ky interesim kaq i madh i mediave për një rrugë prej 70 km?

– Me sa duket rëndësia e Dibrës për Shqipërinë, kombin shqiptar dhe Maqedoninë njihet në Ballkan dhe gjetkë me mirë se ç’e njeh klasa politike ne Tiranë! Disa politikanë shqiptarë nuk do të gëzonin të ‘drejtën’ të majmen pa sakrificat e dibranëve, në luftë dhe paqe, për të mirën e kombit.

Interesimi i mediave në Ballkan dhe në botë sapo ka filluar. Së shpejti për Rrugën do të shkruhet në një revistë Britanike; një shkrim tjetër do të hartohet edhe nga një ish punonjëse e BBC-së dhe korrespondente e ‘Times of India’ në Londër; po kështu, gazeta Slovake ‘Pravda’ së shpejti do të botojë një editorial.

Bota po i ndjek me interes shenjat e gjallërimit të shoqërisë civile në Shqipëri dhe gazetarët e huaj, ashtu si gazetarët tanë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe diasporë, kur na kontaktojnë theksojnë se janë impresionuar nga këmbëngulja jonë për te vazhduar presionin me mjete demokratike. Sigurisht, edhe pozicioni ynë jo politik i ka bindur njerëzit e mediave se në këtë nismë asnjë person që është përfshirë në lobimin për Rrugën e Arbërit nuk synon ta përdorë këtë nismë për ndonjë qëllim personal politik apo biznesi.

– Kohë më parë ju jeni shprehur se Rruga e Arbërit ‘do të rilindë dibranët’. E keni fjalën për dibranët në Shqipëri apo edhe në Maqedoni?

– Dibra, apo më saktë Dibrat, po e vuajnë sakatimin e kombit më shumë se çdo krahinë tjetër e truallit shqiptar edhe 100 vjet pas kasaphanës së 1913-tës. Si rezultat i këtij akti makabër, Dibra, që gjeografikisht është në qendër të hapësirës shqiptare, i ngjan një viktime që vandalët i vodhën veshkën pa u merakosur të paktën t’i qepnin plagën.

Në kohën tonë kufijtë po bëhen gjithmonë e më simbolikë, dhe shpresoj që kjo të aplikohet edhe në Ballkan. Megjithatë, Dibrat nuk do të përfitojnë nga klima e tanishme e bashkëpunimit Europian që do të përfshijë gjithmonë e më shumë edhe Ballkanin tonë të trazuar, për aq kohë sa infrastruktura të mbetet ajo që është në të dy anët e kufirit.

Për Dibrën e Madhe bashkatdhetarët tanë atje, jam i sigurt se janë në gjendje të bëjnë një argumentim shumë më të informuar se unë se si janë trajtuar nga shteti maqedonas dhe se çfarë përpjekjesh po bëjnë politikanët shqiptarë atje për të ndihmuar konkretisht atë zone. Kohët e fundit kam ndjekur me shqetësim lajmin në lidhje me devijimin e Radikës, që përbën jo vetëm një hap tjetër mbrapa për Dibrën por edhe një akt vandalizmi ekologjik. Në një vend që nuk ka rrugë dhe ujë nuk mund të flitet për zhvillim.

Për Dibrën në Shqipëri, siç i thonë një fjale, fshati që duket nuk do kallauz. Dibra po jep shpirt. Ndërsa rruga aktuale Peshkopi-Tiranë, po t’i hidhni një sy hartës, është një ofendim për intelektin dhe çmenduri të cilët dibranët nuk duhet ta durojnë as edhe një legjislaturë më shumë.

Të mendosh se zona që nxorri heronj të përmasave kombëtare dhe ndërkombëtare në luftë për mbrojtjen e kombit si Skënderbeu, Elez Isufi, Dom Nikollë Kaçorri, Haxhi Vehbi Dibra, etj., për të ardhur tek heronjtë e Luftës së Dytë Botërore, vazhdon të injorohet deri në përbuzje, është një dështim flagrant i shtetit ndaj përgjegjësisë që ka për 200,000 dibranë, të cilët kanë kohë që presin më kot që Tirana zyrtare të kujtohet për ta.

Dibra është një muzeum i gjallë dhe një perlë e pa shoqe e natyrës si nga bukuritë e mahnitshme dhe relievin epik, ashtu edhe për pasuritë e shumta minerale, burimet ujore, pemtarinë dhe pyjet. Është mirë që sheikët e politikës shqiptare që po dhjamosen gjatë dy dekadave të fundit me kromin e Bulqizës t’i vënë gishtin kokës sa më shpejt dhe të bëjnë diçka konkrete për t’i shërbyer Dibrës dhe zonave të tjera të harruara, të cilat për më se një shekull janë viktimë e shfytëzimit nga ‘kolonializmi nacional’.

 – Dr Alpion, cili do të jetë fundi i këtij peticioni dhe çfarë sjell kjo eksperience në sferën tuaj personale e profesionale, apo ndoshta një mesazh shprese do ishte i nevojshëm për dibranët dhe jo vetëm?

– Siç e kemi bërë të qartë që më 18 mars 2013, kjo nismë do të përfundojë vetëm kur të përfundojë metri i fundit i rrugës Tiranë-Peshkopi brenda standardeve ndërkombëtare.

Ne jemi të gatshëm të lobojmë me vite dhe, po qe se na duhet, edhe t’i ngremë fjalët me pashallarët e rinj në Tiranë, pasi kjo është një ‘betejë’ që ne nuk jemi të përgatitur ta humbin, sepse pa këtë rrugë, Dibra është e vdekur.

_____________________________

Për të nënshkruar peticionin, ju lutemi, shkruani Emrin, Mbiemrin, Adresën e emailit dhe Qyetitn tuaj, dhe pastaj klikon “Sign”. Pas kësaj, ju do të merrni një mesazh falënderimi dhe konfirmimi që emri juaj u rregjistrua.

Adresa e Adresa e peticionit online për Rrugën e Arbërit:

 http://www.change.org/en-GB/petitions/complete-the-construction-of-the-arb%C3%ABri-road-nd%C3%ABrtoni-sa-m%C3%AB-shpejt-dhe-me-standarde-rrug%C3%ABn-e-arb%C3%ABrit

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Dibra, Gezim Alpion, Peticioni, Rruga e Arberit

TRAGJEDIA E QYTETIT TIM HISTORIK

January 29, 2013 by dgreca

NGA IBRAHIM KOLARI/

 Prej disa vitesh jetoj midis Dibres dhe New Yorkut midis varferise dibrane dhe luksit amerikan, por me ne fund vendosa qe pergjithmone te jetoj ne Dibren time, ne token qe me lindi duke kandiduar per kryetar Komune si i pamvarur. Duke kerkuar perkrahjen e popullit te thjeshte dhe partive politike per nje Diber me te bukur, per me shume vende pune qe Dibranet mos braktisin me kete toke,per ti thene STOP mergimit.
Dibranet edhe sot, ashtu si ne shekullin e kaluar po marrin rrugen e lodhshme dhe te dhimbshme te mergimit, duke braktisur vendlindjen per te mos u kthyer me kurre te gjalle, por vetem me arkivolet qe eshtrat tu prehen ne Dibren e varfer. Shumica e kandidateve per kryetar komune ne vitet e shkuara kane premtuar gjithmon se do hapin vende te reja pune ,do ndertonin shkolla, do kujdeseshin per infrastrukturen e qytetit per ruge dhe trotuare qe automjetet dhe qytetaret te ecin lirshem dhe te sigurt. Ata premtonin se do punonin per nje qytet te paster, me shume uje dhe mirqenie per banoret, por pasi uleshin ne karrigen e bute te Komunes ata i haronin premtimet dhe perseri kishin nje Diber jo te paster, me mungesa te ujit, nuk jane ndertuar asnje fabrike, asnje shtepi pleqesh. Por dibranet a e meritojne kete gjendje te mjerueshme ?

Kuptohet asnjehere, sepse ne dibranet jemi pasardhesit e Skenderbeut, kryengritesit e cetave kombetare qe kundershtuan cdo perdhoses te tokes arberore. Dibra dhe dibranet i rezistuan tragjedise se madhe te vitit 1913 ku pati shperngulje te banoreve per mos me kthyer me kurre, por edhe pas 100 vitesh nga ajo tragjedi ne po ndeshemi me nje tragjedi edhe me te rene, te braktisjes nga bijte e saj qe nuk e kthejne koken pas. Dhe faji me i madh i tragjedise se Dibres bie mbi ne. Dibranet te pas vitit 1990 ishin deputet, ministria,gjeneral shefa te UCK, por ata nuk bene asgje per Dibren, nuk shtruan asnje meter rruge me asfalt, ata ulen me kete harese te shkuaren e historise Dibrane.

Diaspora shqiptare prej shume vitesh i ka respektuar politikanet, deputetet, ministrat, kryetaret e komunaveqe vinin ne SHBA per vizita. Ketyre u siguronin takime me personalitete te larta te Amerikes, shtronin darka solidarizimi per ngritjen e ekonomise ne Maqedoni, ne Dibër Natyrale ,por shqiptaro- amerikanet gjithmon kur vizitonim vendlindjen verenin se asnje ndryshim nuk ishte bere,asnje investim me fondet qe u kishim besuar,atehere vendosem vete te investojme ne vendlindje ,ne Dibren tone. Kur investova mbi 1 milion dollare ne Diber shumica e miqve te mi ishin pesimiste sepse do humbisja te tere pasurine qe kisha bere ne SHBA por une kisha vendosur te beja dicka per Dibren time. Bleva nje ndermarje duke punesuar kryefamiljare qe e kishin gjendjen ekonomike shume te dobet per tju siguruar nje rroge per te ardhmen e familjeve te tyre. U mundova prej kaq vitesh te beja dicka me shume per qytetaret e vendlindjes time, por ndesha ne vesh te shurdher sepse politikaneve tane nuk ju intereson jeta dhe familja e votuesve te tyre. Ata kane nevoje vetem ne diten e votimeve dhe pas asaj dite votuesi genjehet, harohet,poshterohet dhe injorohet tej masa. Por votuesi nuk e meritojne kete poshterim,ata meritojne respektin me te madh sepse ju kane besuar voten, per te ardhmen e tyre.

Mendoj se me ne fund ka ardhur koha qe disa gjera per dibranet ,por edhe per qytetaret ne Maqedoni diaspora shqiptare duhet ti menaxhoje vete, pra nese do kemi neser kretar Komune i ardhur nga SHBA ose Evropa atehere do te krijohet besimi i investitoreve te huaj per te financuar Dibren. Dibra ka me shume nevoje se kurre qe mergimtaret te investojne ne Diber me mirbesim duke kontribuar ne te gjitha sferat e jetes, ekonomise, kultures per me shume mirqenie per qytetaret. Me qellim qe qytetari mos kete 10 euro vetem diten e votimeve, por ai te kete nje rroge mujore te sigurte per te ardhmen e femijeve, votuesi nuk ka nevoje qe vetem diten e votimeve pakon me sheqer,makarona, vaj dhe miell por ne dollapin e tij ushqimor te kete gjithmone ushqime dhe shume sende tjera te nevojshme.

Ashtu si disa vite me pare kur mora guximin per te investuar ne Diber po e marr guximin per te konkuruar per Kryetar Komune i pamvarur,por qe ti arrijme qellimet humanitare,per nje jete me te mire ,une kam nevoje per perkrahjen e qytetareve, kam per voten e sinqerte, per te hapur vende te reja pune, per te mos e mare rrugen e lodhshme dhe te dhimbshme te mergimit me femijet tane. Une po ju drejtohem me sinqeritet dhe veprat e mia humane qe kam financuar nder vite ne Diber ,Shqiperi,Kosove dhe SHBA.Une e dua Dibren e madhe ashtu sic duhet te jete ne te vertete,por ne sot kemi nje Diber te braktisur, te haruar, te shkateruar ne te gjithe sferat e jetes, mua kjo me dhemb shume, une ndihem keq kur shoh femijet qe lypin, trishtohem kur nje prind nuk mund t’ia plotosoje deshirat elementare femijeve te tij. Une ika i varfer nga Dibra ne moshen e njome, por i faleminderohem Amerikes qe me dha mundesine te krijoj nje pasuri, qe femijet e mi te kene nje te ardhshme te sigurte ,prandaj une ju lutem sot bashkeqytetareve te mij te me japin mundesine per te udhehequr Komunen e Dibres qe te gjithe se bashku te mundemi te ndryshojme per te mire ekonomimine e qytetit tone.

Pra te dashur qytetare pagesa ime mujore si kryetar Komune nuk do te perdoret ne xhirollogarine time , por do te perdoret per nxenesit e shkollave neper fakullteteve ku te jete e nevojshme. Pagesa ime si kryetar Komune le te jete 1 euro ne vit.

Filed Under: Editorial Tagged With: Dibra, historik, Ibrahim Kolari, Tragjedia e qytetit tim

DIBRA MBLODHI KUVENDIN NE NEW YORK

January 5, 2013 by dgreca

Ndërkohë, njoftohet se së shpejti ky Këshill do të takohet në një mbeledhje ku do të zgjidhet edhe Kryetari, Nënkryetari, Sekretari dhe tre Arkëtarët/

NGA BEQIR SINA/

STATEN ISLAND – NEW YORK : Simbas faqes së internetit të Shoqatës Atdhetare Dibra në Staten Island – New York, javën e kaluar është mbajt Kuvendi i rradhës së Shoqatës Atdhetare Dibra . Ky Kuvend u mbajt në një nga mediset e hotelit Hilton në ishullin e “dibranëvë” Staten Island – New York. Të pranishëm thuhet në një raport të kësaj shoqate ishin reth 50 anëtarë të këtij Kuvendi.Një numër sipas tyre jo i mjaftueshëm për një Kuvend të rregullt sipas staturores ngaqë thonë ata kemi të bëjmë me një komunitet shumë të madhe dibran këtu në New York( të paktën jo zyrtarisht thuhet se janë rreth 15 mijë dibran në New York).
Raporti i publikuar në adresën e internetiti /www.dibra.us/ Faqja zyrtare e Shoqatës Atdhetare “DIBRA” – SHAD me qëndër në New York, thotë se :”Kuvendi u hap nga kryetari i shoqatës Ilirjan Rusi, i cili e nisi fjalën e tij duke i përshëndetur të pranishmit me një falimnderim të vecantë për të gjithë atë cfarë kan bërë deri tani për të arritur deri nëkëtë Kuvend.
Kryetari i SHAD zoti Rusi, më tej vazhdoi duke spjeguar për aktivitetet dhe veprimtarit e sukseshme që ka pasur shoqata në këtë në këtë mandat prej se kur ai e mori udhëheqjen e saj. Ai nuk la pa përmendur disa nga ato që Rusi i quajti arritje dhe suksese, ku mes të tjerash përfshiheshin ri-hapja e zyrës qa ka Shoqata sot, me një administrator dhe ëebmaster profesional (Adriatik Pilku), organizimet e mbrëmjeve festive sidomos atë madhështoren në 100 vjetorin e pavarësisë,por projektin e nisur në ndihmë të fëmijëve të shkollave fillore në Dibër të Madhe, gjithashtu ai permendi edhe takimin me bizinismenët dibranë dhe me aktivist të dalluar të komunitetiti. Për të cilin thuhet se një prmbëledhje e plot e aktiviteteve të Shoqatës gjatë këtij mandati ai do të nxjeri në faqen e internetit ( /www.dibra.us/ Faqja zyrtare e Shoqatës Atdhetare “DIBRA” – SHAD me qëndër në New York,)së shpejti pra në formën e një raporti të detajuar.
Në të njëjtin njoftim zyrtar lidhur me mbajtjen e këtij Kuvendi theksohet se Arkëtari i kësaj Shoqatës,zoti Selaudin Radoveshi dha raportin financiarë të buxhetit për këtë mandat dy vjecar, dhe fill mbas dëgjimit të këtij raporti Kryetari i Dibranëve në SHBA, zoti Ilir Rusi filloi menjeher nga procedura, pra me zgjedhjen e Këshillit të ri të Shoqatës Atdhetare DIBRA. Me këtë rast kreu i Shoqatës, iu lut anëtarëve të Kuvendit që të dalin me propozimet e tyre.
Dhe kështu u veprua sipas statutores “U propozuan 20 emra nga pjesëmarrësit për në Këshillin e ri të cilët pranuan propozimet., Gjithmon sipas raportit të publikuar në internet thuhet se ka pasur dhe propozime tjera, por për fat të keq u refuzuan për arsye personale” sqaron Raporti i publikuar në adresën e internetiti /www.dibra.us/ Faqja zyrtare e Shoqatës Atdhetare “DIBRA” – SHAD me qëndër në Staten Island – New York.
Në fund të këtij raporti publikohet edhe Lista me 20 emrat e porpozuara të cilët janë hedhë në votë për miratim ku Kuvendi i rradhës votoi për ata emra që ishin më adekuat për të qenë në Këshillin e ri 2012 – 2014. Nënvizohet, se për fat të keq një nga të propozuarit është dasht të hiqet nga lista e anëtarëve të Këshillit të ri, sipas tyre për shkak se nuk ishte i përshtatshëm për të qenë në Këshillin e ri.

1. OMER PAPRANIKU
2. EMIN EGRIU
3. ILIR RUSI
4. MUSA PACUKU
5. MURAT MELA
6. AGRON MASLINKA
7. BESIM RAMADANI
8. MUHAREM BOROVA
9. FISNIK DACI
10. SELAUDIN RADOVESHI
11. MUHAREM SHEHU
12. SHPETIM KASAPI
13. ADICE VELIU
14. REFIK KOSOVRASTI
15. YLBER PILKU
16. BASHKIM KLLOBOCISHTA
17. OSMAN GREVA
18. AGO MAQELLARA
19. FATMIR BEGU

Si përfundim kjo ishte edhe lista zyrtare e Këshillit të ri të Shoqatës Atdhetare DIBRA me qendër në Staten Isalnd – New York. Ndërkohë, njoftohet se së shpejti ky Këshill do të takohet në një mbeledhje ku do të zgjidhet edhe Kryetari, Nënkryetari, Sekretari dhe tre Arkëtarët, bënë të ditur faqja e internetiti /www.dibra.us/ Faqja zyrtare e Shoqatës Atdhetare “DIBRA” – SHAD me qëndër në Staten Island – New York, duke shtuar se :”Për më shumë informacione ata do t’ë njoftojnë menjëher pas takimit me Këshillin i SHAD-it.

Filed Under: Kronike Tagged With: Beqir Sina, Dibra, mblodhi Kuvendin

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT