• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PERSONALITET ME DINJITET PROFESIONAL DHE KOMBËTAR

January 24, 2019 by dgreca

1 Dobreci

Simë Gjon Dobreci,  PËRMBLEDHJE VLERASH NJERËZORE, Botoi:Diti-Oli, Ulqin, 2018*/

1 Nail Draga

Nga Dr.Nail  Draga/*

Në botën kulturore, shoqërore dhe profesionale janë të  rrallë personat të cilët janë bërë shëmbull për mjedisin ku kanë jetuar dhe punuar. Angazhimi profesional  dhe qendrimi intelektual ndaj dukurive të ndryshme shoqërore  mbetet dukuri me qasje të veçantë vetëm për personat me dinjitet shoqëror dhe kombëtar. Dhe një epitet të tillë e gëzon një personalitet i rrallë i mjedisit tonë e ky është Nderi i Kombit, dr.Simë Dobreci.

Ditë më parë dual nga shtypi libri më i ri i dr.Simë Dobrecit Përmbledhje vlerash njerëzore, botuar nga Diti-Oli, duke i ofruar opinionit të gjerë një botim interesant me një gamë të gjerë informacionesh.

Libri në fjalë në sajë të lëndës së prezantuar është i rrallë sepse  paraqet një përmbledhje punimesh të autorit por edhe të autorëve të tjerë për atë. Artikujt e tillë janë botuar më parë në revistën BUZUKU, Koha Javore si dhe në revistën DIJA.

Libri është i ndarë në dy pjesë, ku e pjesa e parë ka të bëjë me publikimet që kanë për temë gjuhën shqipe, traditën dhe historinë e popullit shqiptar që jetojnë në territorin e sotëm të Malit të Zi. Ndërsa pjesa e dytë ka të bëjë kryesisht me shkrime, polemika dhe vlerësime për aktivitetet e ndryshme kulturore dhe shkencore.

Duke qenë themelues dhe kryeredaktor i revistës BUZUKU,nga viti 2001 e deri më tash opinionit i ka ofruar një arkiv të dhënash me qasje shumëdimensionale, që paraqesin një thesar të diturive albanologjike. Në sajë të hulumtimit disavjeçarë me plot pasion për vendin e origjinës së tij autori na ka ofruar të dhëna për Shestanin në veçanti e Krajën në përgjithësi, që do mbesin si testament për brezat e ardhshëm.

Nga gama e gjerë e artikujve dhe rrefimëve  të publikuara varësisht prej interesimit të lexuesve të ndryshëm mund të zgjidhën pjesë apo informata të cilat kanë qenë të panjohura për opinion e gjerë.

Në këtë aspekt personlisht dua të veçoj dokumentin për popullsinë shqiptare katolike te Braticës në vitin 1944, punuar nga dom A.Tokiqi, pastaj me mjaft inters janë të dhënat për popullsinë e Pinçit në vitet 1945-1950 dhe 2008, ku për një periudhë prej gjashtë dekadash popullsia e këtij fshati nën Rumi nga 174 banorë në vitin 2008 bie në 18 banorë, ndërsa tash kanë mbetur rreth dhjetë banorë, nga del se kemi një shpopullim të plotë që ka të bëjë me Anën e Sipërme të Krajës ku bën pjesë zona e Shestanit. Me mjaft interes janë edhe toponimet e Braticës dhe të Pinçit e sidomos regjistri dhe emrat e luftëtarëve  në Luftën e Dytë Botërore nga Bashkësia lokale e Braticës. I tërë angazhimi i dr.Simë Dobrecit në këtë mision sa informativ, është edhe  kombëtar, duke dëshmuar identitetin e shqiptarë të personave përkatës në këto vendbanime, të cilëve administrata e kohës i ka paraqitur me përkatësiu kombëtare sllave.

Në libër prezantohen çështje të kohërave të kaluara por edhe të ditëve tona që janë intriguese për lexuesit. Dhe të gjitha janë shënuar me plot saktësi në gjuhën lokale te të folmës së Shestanit, me qellim që të ruhet autentiteti i të folmës lokale në gjuhën shqipe. Me një veprim të tillë dr.Simë Dobreci si rrallë kush ruan kujtimet dhe ka nostaligji për vendin e origjinës së vet, i cili fatkeqësisht e ka përfshi fenomeni shpopullimit demografik, ku si i tillë do të mbesë  në kujtesë të gjeografisë historike.

Nga lënda e prezentuar në këtë botim del qartë   shqetësimi i  vazhdueshëm i autorit për të kaluarën dhe të tashmën e popullsisë shqiptare  të Shestanit, në veçanti humbjen e identitetit gjuhësor dhe kombëtar në sajë të politikës asimiluese nga shek.XIX e deri në ditët tona.

Nga një politikë  e tillë asimiluese  në shënjestër ishte edhe dr.Simë Dobreci ku nga gazeta “Politika” e Beogradit  është cilësuar si malazezi cili u konvertu në shqiptar, që dëshmohet me fotokopjen e artikullit nga gazeta në këtë botim. Dhe një qendrim i tillë antishqiptar nga kjo gazetë nuk ishte rastësi, sepse popullsia shqiptare e Shestanit vazhdimisht është  trajtuar si sllave nga politika shtetërore, sepse identiteti shqiptar i kësaj popullsie për ata ishte i papranueshëm.

Në këtë aspekt kemi të dhëna me interes në këtë botim me dëshmi autentike dukuri kjo e cila ka marrë përmasa shqetësuese, sidomos për shestanasit e vendosur në Tivar e gjetiu në Mal të Zi. Por, rasti i arbëreshëve të Zarës është një dëshmi sfiduese ndaj asimilimit dhe  origjinës së tyre shqiptare edhe pse të shpërngulur tre shekuj më parë nga Shestani, Ljarja e Brisku, që nuk mund të thuhet për shestanasit e ditëve tona të cilët po tjetërsohen kombëtarisht.

Shumë  emocionuese  në këtë botim është  një letër dërguar  vite më parë dr.Simë Dobrecit, përkatësisht revistës BUZUKU, nga një arbëresh i lindur në Nju Jork nga prindërit arbresh nga Zara e Kroacisë, nga të cilët ka trashëguar origjinën dhe të folmën arbnisht, i cili  dëshmon  krenarinë e origjinës së tij shqiptare, duke qenë model për kohën tonë, për të gjithë shqiptarët kudo që janë në vend dhe në diasporë.

Duke analizuar veprimtarinë e tërësishme të dr.Simë Dobrecit, del qartë se ai mbetet një shkollë e madhe për të mësuar dashurinë për njerëzit, vendlindjen, popullin e vet si dhe vlerat e trashëgimisë etnokulturore.

Dhe në fund e them pa hezitim se dr.Simë Dobreci me punën  e tij profesionale, pasionin, qendrimin parimor shoqëror, intelektual  e ate kombëtar, do të mbesë shëmbull për kohën tonë dhe brezat që do të vijnë pas nesh.

                                                                                                                 *Lexuar më rastin  e përurimit të librit në Ulqin, më 22.12.2018)                                                                              

Filed Under: LETERSI Tagged With: dr, DR. NAIL DRAGA, Permbledhje Vlerash Njerzore, Sime Gjon Dobreci

LIGJI ZGJEDHOR DISKRIMINON SHQIPTARËT

November 15, 2018 by dgreca

Diskursi politik/

 LIGJI ZGJEDHOR DISKRIMINON SHQIPTARËT/ 

Formimi i grupit punues për ndryshimet në ligjin zgjedhior në Mal të Zi, paraqet një rast të mirë për të eliminuar defektet e ligjit zgjedhor ekzistues i cili është diskriminues për shqiptarët  nga fakti se   në praktikë kemi pabarazi qytetare  e nacionale të shqiptarëve , që nuk është në favor të demokracisë parlamentare, por të majorizmit të shumicës ndaj pakicës, andaj duhet gjetur një model të qendrueshëm dhe i pranuar për shqiptarët sikurse e kanë disa vende në regjion.

1 Nail Draga.JPG

Shkruan: Dr.Nail  Draga/

Duke marrë parasysh së deri në zgjedhjet e  rregullta parlamentare janë edhe dy vite, ka kohë që diskutohet për ndryshime në ligjin zgjedhor ekzistues në Mal të Zi, kryesisht nga ana e opozitës parlamentare. Andaj duke e trajtuar këtë çështje si të domosdoshmë ditë më parë Kuvendi i Malit të Zi ka formuar grupin punues enkas për  reformën zgjedhore  me 14 anëtarë (7 nga pozita e 7 nga opozita) me  mandat njëvjeçar. Ndonëse kemi të bëjmë me një ligj kompleks i cili trajton një gamë të gjerë çështjesh,  afati kohor prej një viti i këtij grupi punues si duket  i konvenon  më shumti pushtetit aktual, sepse nuk do të jenë në rend të ditës zgjedhjet e parakohshme parlamentare, siç janë paralajmëruar muajve të fundit.

Në kërkim të drejtave të mohuara

Në vend që të drejtat e arritura të mbrohen dhe të avancohen, në Mal të Zi, ndodhë pikërisht e kundërta, ata mohohen sipas vullnetit politik të pushtetit, ku ligji zgjedhor është dëshmi transparente e një konstatimi të tillë.

Pikërisht një dukuri e tillë ka ndodhur me mosrespektimin e Ligjit të pakicave në cilin theksohet së të drejtat e arritura nuk mund të cenohen.Por, pikërisht një ligj i tillë nuk është respektuar me rastin e miratimit të ligjit zgjedhor në vitin 2011, duke iu mohuar shqiptarëve „njësinë e tyre zgjedhore“ e cila jepte pesë deputet.

Ishte një vendim kundër shqiptarëve dhe të arriturave të tyre, ku i detyroj deputetet shqiptarë(4) të lëshojnë seancën e parlamentit në mënyrë demonstrative, sepse ishte një votim kundër barazisë qytetare e nacionale të shqiptarëve. Por, shumicës parlamentare as që i interesonte një qendrim i tillë i shqiptarëve dhe me shumicë votash(DPS-DF) miratoi ligjin e ri zgjedhor, i cili filloi të zbatohet në zgjedhjet vijuese parlamentare(2012).

Ligji i ri zgjedhor shqiptarëve permes partive nacionale iu mundëson maksimalisht të jenë të përfaqësuar me tre deputet. Pra, nga 4 deputet sa kishin nga zgjedhjet e vitit 2009, me këtë ligj të ri iu mundësohet të kenë maksimalisht 3 deputet. Këtu qendron edhe problemi sepse katër deputetet shqiptarë që ishin më parë,  si duket paraqitnin rrezik për pushtetin. Por, nëse  analizohet  ligji zgjedhor ekzistues, del qartë së shqiptarët permes subjekteve të tyre nacionale, nëse bëjnë koalicione  parimore, mund të arrijnë të fitojnë 2 deputet, ndërsa i treti  mbetet si mundësi teorike.

Infektimi me virusin e liderizmit

Pikërisht, nga mos koordinimi i subjekteve politike shqiptare, në sajë të infektimit nga virusi i bajraktarizmit dhe liderizmit  në vend që të dalin në zgjedhje me një apo dy lista zgjedhore ata dolen me 3-4 lista zgjedhore, duke djegur votat dhe mos arritur objektivin e dëshiruar. Dhe një konstatim i tillë u dëshmu në zgjedhjet vijuese në vitin 2012, ku subjektet politike shqiptare  edhe pse  arriten të fitojnë 12.500 vota  fituan vetëm  2 deputet ndërsa  në vitin 2016, kemi një rënie drastike në 9.500 vota dhe u fitu vetëm  1 deputet.

Ishte ky një  zhgënjim i  shqiptarëve, që është rezultat i ligjit zgjedhor  diskriminues  si dhe mos arritjes së kompromisit në mes vet subjekteve nacionale të shqiptarëve, nga del se më së shumti përfitoj DPS-i, që ishte projektuesi i një ligji të tillë zgjedhor. Por, nëse e krahasojmë numrin e votave për një deputet për subjektet tjera në kuvendin e Malit të Zi, del qartë se deputeti shqiptar ka kushtuar më shumë se deputetet e subjekteve të tjera, që është pasojë e ligjit zgjedhor. Pikërisht, këtu qendron  mashtrimi politik me sintagmen e njohur „diskriminimi pozitiv“, që me më vend do të ishte të thuhej diskriminimi ligjor për shqiptarët në këtë mjedis.

Nuk ka dilemë se ky ishte  qellimi i pushtetit, që shqiptarët të jenë të përfaqësuar  sa për sy e faqe,  mundësisht vetëm me një deputet, dhe  ai të jetë nën obrellen e pushtetit. Pra, e tërë loja politike kishte qellimin që të zvoglohet pesha politike e shqiptarëve në parlamentin e Malit të Zi, sepse numri i tyre i lartë ka pasur mundësi të jetë edhe vendimtar  për miratimin e ligjeve të ndryshme.

Ndërsa është e tepërt të thuhet se po ishte numri i deputetëve shqiptarë autentik si në vitin 2009, atëher ata do të ishin vendimtarë për qeverinë aktuale, sepse të gjithë jemi dëshmitarë se çfarë përfitimit kanë arritur dy subjekte tjera(BS,SD) që në këtë përbërje (2016) janë të përfaqësuar me vetëm nga dy deputet.

Kroacia dhe Kosova  model për Malin e Zi

Pikërisht, gjendja ekzistuese obligon për ndryshime cilësore të ligjit zgjedhor, madje jo duke shpikur diçka të re por duke marrë parasysh përvojen e vendeve tjera. Në këtë aspekt si ma e pranueshme për Malin e Zi mund të jetë modeli zgjedhor i pakicave në Kroaci apo Kosovë.

Kështu Kroacia si anëtare e BE, iu ka kushtuar kujdes të veçantë përfaqësimit të pakicave kombëtare, sepse për to ajo ka mandatet e garantuara. Kështu ligji zgjedhor në Kroaci për serbët ka të garantuar tre mandate, e pakicat tjera së bashku pesë mandate. Madje kësaj here shqiptarët në Kuvendin e Kroacisë janë të përfaqësuar me një deputet, edhe pse ata marrin pjesë me 0.5% nga popullsia e përgjithshme. Nga ana tjetër në Kosovë, ligji zgjedhor avancon pakicat, ku në rastin konkret për serbët janë 10 vende të rezervuara, ndërsa 10 mandate të tjera janë për pakicat tjera.

Nëse krahasojmë pjesëmarrjen e shqiptarëve në popullsinë e përgjithshme në Mal të Zi, statistika zyrtare e paraqet 5%, dhe janë të përfaqësuar me një deputet autentik, ngjajshëm është edhe në Kroaci, ku shqiptarët marrin pjesë me 0.5% e popullsisë së përgjithshme dhe përfaqësohen me një deputet. Dhe nga një e dhënë e tillë del se defekti  parësor  është se kemi të bëjmë me një ligj zgjedhor i cili është diskriminues për shqiptarët në Mal të Zi, sepse nuk janë marrë parasysh të drejtat e arritura, por qendrimi mohues i pushtetit ndaj tyre, për qellime politike.

Andaj, do të ishte e udhës  që ata të cilët me votat e tyre kanë miratuar një ligj të tillë(DPS dhe DF), të inicojnë rikthimin e të drejtave të mohuara, permes  ndryshimit të ligjit zgjedhor. Dhe një mundësi e tillë tani ekziston, por, për një veprim të tillë  konstruktiv  duhet vullnet politik, që për momentin nuk shihet se ekziston, sepse në rend të parë  janë interesat partiake e klaneve të ndryshme e jo ato të qytetarëve në përgjithësi e të shqiptarëve në veçanti.

Për shqiptarët  njësi e veçantë zgjedhore apo mandate të garnatuara

Për të pasur një ligj zgjedhor të qendrueshëm, legjislativi është i obligueshëm të miratojë një ligj i cili do të jetë i pranueshëm edhe për pakicat kombëtare në rastin konkret për shqiptarët, të cilët janë  të diskriminuar nga ligji zgjedhor ekzistues.Një vendim do të eliminonte dilemat të cilat ishin të pranishme në prag të zgjedhjeve parlamentare, siç ishte më parë, apo me arritjen e 0.7% si kusht për të hyrë në garë ne ndarjen e mandateve, përqindje kjo që nuk garantonte në realizimin e mandatit të deputetit. Andaj, duke e parë si jo praktik ligjin zgjedhor ekzistues nga viti 2011, ku subjekti politik i shqiptarëve duhet të fitojë 0.7% për të hyrë në garë për ndarje të deputetëve e jo se e fiton ate,  është e nevojshme ndryshimi i tij, që mos të ndodh si deri më tash ku një mandat i deputetit autentik shqiptarë të jetë dyfish me  i votuar se deputetet  tjerë  në përbërjen parlamentare në Mal të Zi.

Pikërisht, për të eliminuar këtë pabarazi praktike ligjore në llogaritjen e mandatit të deputetëve,   mendoj se ekzistojnë dy mundësi që janë më optimale e ata janë: e para njësia e veçantë zgjedhore dhe e dyta ajo e  mandateve  të garantuara.

Nëse në lidhje me njësinë e veçantë zgjedhore ekziston një përvojë e mjaftueshme sepse ka qenë e aplikuar në praktikë, jo si njësi e dytë zgjedhore por në sajë të vendvotimeve me popullsi shumicë shqiptare nga Ulqini në jug e Rozhaja në veri, ajo duhet të modefikohet e plotësohet me disa vendvotime të reja shqiptare, që në të kaluarën pushteti i ka lënë me qellim jashtë kësaj “njësie zgjedhore”.

Në sajë të numrit të votuesve kjo njësi do të siguronte pesë mandate të deputetëve ku përveç subjekteve politike të shqiptarëve do të kishin mundësi të garonin edhe partitë tjera nga spektri i ashtuquajtur qytetar.Përveç votave nga kjo njësi subjektët konkuruese do të kenin mundësi të marrin vota edhe nga vendvotimet tjera në Mal të Zi, si njësi zgjedhore, pra nuk ekziston kufizimi votave, por e kundërta mundësohet bartja nga vendvotimet e ndryshme.

Ndërsa modeli i mandatëve të garantuara do të ishte zgjidhje juridike, që për të parën here do të definohej në Mal të Zi, që ka të bëjë  në përcaktimin e numrit të deputetëve në sajë të elektoratit votues shqiptarë, që varet nga kompromisi  në  grupin punues dhe votimit nga shumica parlamentare.

Po ashtu nuk duhet harruar faktin  se në ligjin zgjedhor  aktual ekziston sistemi i aksionit afirmativ për pakicat kombëtare, por me prag të ndryshëm për bashkësi të ndryshme kombëtare.  Në këtë aspekt del qartë se  kemi pabarazi praktike, që duhet përpjekur të eliminohet në sajë të mandateve të garantuara, ku në garë  marrin pjesë vetëm subjektet e partive nacionale duke iu garantuar pjesëmarrjen në parlament.

Madje analist të ndryshëm janë të mendimit së Kuvendi i Malit të  Zi i duhet të miratojë një ligj të ri për zgjedhjen e këshilltarëve e të deputetëve, e jo ndryshimin e plotësimin e tij, siç pretendon të realizojë grupi punues  i miratuar kohë me parë, në parlamentin e Malit të Zi.

Punët tona nuk i kryejnë të tjerët

Përvoja e deritashme pluraliste me pushtetin në Mal të Zi, na bën të dyshojmë në seriozitetin e tyre  për ndryshime cilësore  në ligjin zgjedhor, sepse ata do të përpiqen si zakonisht për ndryshime  kozmetike, duke ia përshtatur vetës, e jo për  shqiptarët e popujt e tjerë pakicë në këtë mjedis. Nuk ka dilemë se për ndryshime konkrete në këtë drejtim nevoitet vullneti politik i pushtetit si dhe  angazhimi  maksimal i përfaqësuesëve të shqiptarëve në këtë grup punues.

Pikërisht në lidhje me këtë çështje mediat informuan  se javën që shkoi  në Kuvendin e Malit të Zi(31.10.2018) me ftesë të nënkryetarit të parlamentit G.Nimanbegu është mbajtur takimi i parë i përfaqësuesve të partive shqiptare në Mal të Zi me temë për reformën e ligjit zgjedhor. Në takim  kanë marrë pjesë të gjitha subjektet politike përveç PD e LDSH. Pjesëmarrësit nga takimi i tillë kanë vlerësuar se ligji zgjedhor ekzistues është diskriminues kur ka të bëjë me përfaqësimin autentik te shqiptarëve, sepse nga katër deputet që i kishim në vitin 2011, pas dy cikleve zgjedhore kemi rënë vetëm në një përfaqësues.

Duke marrë parasysh peshën e një ligji të tillë, shqiptarët duhet të jenë unik, duke lënë anash interesat personale, partiake  e klaneve të ndryshme, sepse të drejtat e shqiptarëve nuk janë pronë personale e partiake e askuj, sepse çështja shqiptare iu takon të gjithëve, andaj angazhimi konkret në këtë drejtim me kuadra të dëshmuara me etikë profesionale  duhet të jetë objektiv i përhershëm i të gjith neve, sepse punët tona nuk  na i kryejnë të tjerët.

(Nëntor, 2018)

Filed Under: Analiza Tagged With: DISKRIMINON SHQIPTARËT, DR. NAIL DRAGA, LIGJI ZGJEDHOR

MONOGRAFI PËR MËSUESIT E SHKODRËS

October 12, 2018 by dgreca

Shkruan: Dr. Nail Draga */

1 Historiku Balaj.JPG1 Nail Draga.JPG

Trajtimi i çështjeve dhe publikimi i studimëve të veçanta në lidhje me fushën e arsimit ne periudhën poskomuniste vazhdimisht ka qenë inspiruese për autorë te ndryshëm, nga vetë fakti se për të parën herë u eliminu cenzura dhe çështjet filluan të prezentohen me argumente pa ngjyrime ideologjike e politike si kudo në botën demokratike.

Ne ketë gamë të çështjeve nuk ka dilemë se fusha e arsimit është inspiruese për studiues të ndryshëm, sepse ndonse me sakrifica të mëdha shqiptarët kanë arritur rezultate të dukshme, jo vetëm për mjedisn përkatës por edhe me gjerë.

Ne vazhdën e hulumtimëve dhe botimeve nga fusha e arsimit, kohë më parë u botua dhe u lëshu në qarkullim libri më i ri Smajl Balës “Historiku i shkollave dhe mësuesit e Shkodrës (1662-1945), në dy vëllime me gjithsej 986 faqe.

Ne përgatitjen e këti botimi autori biografitë e mësuesve i ka shkruar në bazë të burimeve të dorës së parë duke u përpjekur që të shfrytëzohen vetëm ato që pasqyrojnë realitetin pedagogjik të kohës. Autori po ashtu ka shfrytëzuar burimet nga dokumentacioni shkollor, pastaj dokumentet në dosjet personale të mësimdhënësve e në veçanti bibliografinë e botimeve të veçanta dhe materialet tjera relevante për çështjet e trajtuara.

Nuk ka dilemë së për mbledhjen e të dhënave për mësuesit përkatës qe autori i ka prezentuar ne ketë botim nuk ka qenë punë e lehtë, duke marrë parasysh numrin e madh të mësimdhënënsve dhe të faktorëve të ndryshëm duke ditur se kemi të bëjmë me një hapësirë të gjerë jo vetëm për Shkodrën por edhe më gjerë.

Biografitë e mësimdhënësve te prezentuara ne ketë botim përveç se paraqesin rrethanat sociale dhe shoqërore të kohës për individet përkatës, ata njëherit paraqesin në mënyrë autentike edhe pozitën dhe statusin e popullit shqiptarë në hapësirën etnogjeografike shqiptare. Andaj duke lexuar ketë monografi lexuesi nuk duhet të gjykoj nga koha e tashme por pikërisht për kohën përkatëse kur ata kanë jetuar dhe punuar të cilët në saje të guximit të tyre kanë sfiduar rrethanat e kohës.

Pikërisht duke lexuar fragmente që janë episode nga biografia e mësuesve të ndryshëm të prezentuar qoftë edhe në mënyrë fragmentare në ketë botim, lexuesi do të përjetoj emocione për ca të dhëna të panjohura të cilat i kanë përjetuar mësuesit shkodranë.

Në gamën e gjerë të tyre punonjësve të arsimit bën pjesë edhe një numër i konsideruar i tyre qe kanë punuar në viset shqiptare në Mal të Zi gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në vitin shkollor 1941-42, Ministria e Arsimit e Shqipërisë përkatësisht ministri Ernest Koliqi, vendosi që të dërgohen nga Shqipëria në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, krahinat me popullsi shqiptare, 400 mësues për shkolla fillore dhe të mesme, nga të cilët 200 shin mësues të rinj të përgatitur nga shkollat pedagogjike.

Në qarkoren përkatëse të kësaj ministrie, nr.4259, të datës 25.10.1941 ndër të tjera thuhej” vjeti shkolllor që po hapet, tue u shtri edhe jashtë kufijve të vjetër t’ Atdheut, mund të quhet me plot kuptimin e fjalës një vjet historik, sepse Shkolla Shqiptare, po nis me veprue…Mallëngjimi i jonë pakufi për vllaznit qi për aqë vjet kanë dishrue, jo ma bashkimin e andrruem e sot të realizuem, por fjala shqipe duhet të pasqyrohet në vepren intensive e të shndritun qi sejcili nesh do t’ ushtrojë për të ba qi n’ ato krahina të zhduket sa ma parë, me nji kulturë të shëndoshë e thjeshtë shqiptare, edhe sheji ma i vogël i robnis se viteve të kalueme”.

Në krahinën e Ulqinit e cila vitet 1941-44 ka qenë nenprefekturë e Shkodrës, në vitin shkollor 1941-42 u hapën shkollat e rregullta. Kështu në ketë vit shkollor mësuesi Jahja Domnori nga Shkodra u emërua drejtor i shkollës fillore “Skenderbeg” të Ulqinit. Ai njëkohsisht ishte përgjegjës edhe për shkollat që përfshinte në atë kohë nënprefektura e Ulqinit si në: Shtoj, Darsë, Pistull, Salç, Peçuricë, Goranë, Kosiq, Katërkollë dhe Sukubinë.

Ai ishte një mësues i përgatitur nga ana pedagogjike, kulturore dhe profesionale i përkushtuar pas profesionit të arsimit, dhe njihte disa gjuhë të huaja. Kudo që kishte punuar kishte lënë përshtypje të mira, kishte fituar simpatinë dhe nderimin e popullit, të prindërve dhe nxënësve. Ai e vlerësoi detyrën e ngarkuar, e kuptoi përgjegjësinë si morale e atdhetare, si mësues e si shqiptar si dhe respektoi traditën pozitive historike, kulturore e qytetare të Ulqinit. Ky drejtues punoi njëkohësisht në shumë plane, me përfaqësuesit e pushtetit lokal, me mësuesit e me popullin në përgjithësi dhe me prindërit në veçanti.

Në ditën e parë të fillimit të shkollës ai iu drejtua qytetarëve të Ulqinit:

”Zotni të ndershëm e vllazën ulqinakë! Ma para ju kërkoj të falun që keni pasë mirësien me marrë zahmet e me urdhnue deri këtu. Arsyeja e mbledhjes së sotme s asht tjetër vetem se dëshirojme pasë një mardhanje me Ju me qellim që t u japim edukaten duhur fëmive tu.

Andrra qi keni pasë pamë tash sa kohë, sot u ba realitet me atë gjuhë qi ju e ruejtet si prushi në gji, sot po ju flet një vlla i përzemërt i jueji”.

Efekti i këtij takimi qe i shpejtë e konkret në ditët në vijim,drejtori i shkollës në ditarin e vet shënon se gjeti të regjistruar 600 nxënës, ndërsa në raportin fund të vitit raportonte se kjo shkollë kishte 811 nxënës. Ndërsa në përgjithësi në vitin shkollor 1941/42 nxënës në nënprefekturën e Ulqinit, së bashku me Krajën dhe Tuzin gjithsej ishin 1809 nxënës nga 51 fshatra ku punonin 30 mësues.

Në këto shkolla kanë punuar këto mësues: Në Ulqin, Jahja Domnori, Zef Tarnaku, Angjelina Pistulli, Xhemal Lopçi, Persa Gjurbabaj, Hasan Brahimi, Minja Nikollë Gega dhe Ganije Baçe. Në Peçuricë Luigj Shkjezi, në Katërkollë Prenkë Jakova, Viktor Kiçi dhe Prekë Shiroka, në Sukubinë, Shuk Shllaku dhe Zef Berisha, në Kosiq, Ramadan Milla, në Ostros, Gaqo Pisha e Nuh Kuçi, në Martiq Ilija Xharra, në Muriq, Qazim Kraja, në Dedaj, Vatë Gjeloshi, në Tuz, Faik Tuzi e Katrinë Berisha, në Dinoshë Hajrullah Kastrati etj.

Këto mësues i kanë kushtuar kujdes të posaçem realizimit të programit mësimor, në mënyrë të veçantë programeve të gjuhës shqipe, të historisë e të gjeografisë së Shqipërisë. Përveç mësimit të rregullt këto mësues kanë zhvilluar edhe kurset verore kundër analfabetizmit që i përfunduan me sukses.

Këto mësues, ndonse me sakrifica të mëdha larg familjeve të tyre dhe kushteve të pavolitshme për punë, kanë shërbyer me përkushtim në përhapjen e arsimit shqip në viset shqiptare në Mal të Zi, duke ndikuar dukshëm në ngritjen e vetdijës kombëtare. Sepse ishin këta mësues që për të parën herë po iu zhvillonin mësimin nxënësve shqiptarë në gjuhën e bukur shqipe, sepse pushteti i sllav i kohës e ndalonte mësimin shqip në shkolla.

Pikërisht në lidhje me punën e tyre të devotshme dua të ceki dy momente që lidhën me të famshmin Prenkë Jakova. Kështu deri në ditët tona vjen një fotografi e Prenkë Jakovës me nxënësit e Katërkollës në Anë të Malit dalë në Shas, e cila është e vetmja për këto vite, e po ashtu duhet cekur edhe tekstin e një këngë po ashtu të Prenkë Jakovës i cili ia kishte kushtuar vashës kranjane, kur ai punoj si mësues në Ostros, tekst ky i cili tash është kompozuar dhe bërë këngë e pëlqyeshme nga të gjithë.

Me punën e tyre këto mësues kanë lenë kujtime të pashlyera të nxënësit dhe prindërit e tyre, kujtesë kjo e cila është përcjellur brez pas brezi e vjen edhe në ditët tona. Në këtë aspekt po cekim fjalët e ish drejtorit të shkollës Jahja Domnori i cili i ka shënuar në ditarin e tij personal, ku cekën se”këtu kam pasë kënaqësinë time më të madhe, pse i shërbeva një populli që për 70 vjet me radhë e kishin detyruar të braktisë gjuhën shqipe”.

Mësuesit shkodranë, duke punuar me përkushtim ata janë pritur, shoqëruar e përcjellë me dashuri, me nderim dhe mirënjohje për punën e tyre fisnike dhe misionin e tyre kombëtar. Dhe në fund duhet përgëzuar autorin i cili ka arritur të ofrojë një botim me interes, i cili për nga lënda e trajtuar paraqet një monografi te tipit të fjalorit enciklopedik me vlerë për mësuesit shkodranë, që pa dyshim se do të mirëpritet nga opinioni i gjerë arsimor dhe kulturorë.

* Arkiv- Smajl Bala, HISTORIKU I SHKOLLAVE DHE MËSUESIT E SHKODRËS (1662-1945), Shkodër, 2011

Filed Under: Analiza Tagged With: DR. NAIL DRAGA, MËSUESIT E SHKODRËS, MONOGRAFI PËR

Dilema e vlerave dhe e kompromisit

October 4, 2018 by dgreca

1 Nail Draga

Në kohën e krizës morale të pluralizmit në fjalorin e përditshëm ka filluar të zbehet koncepti i vlerave të proklamuara si ide dhe vizion shoqëror duke u zëvendësuar me konceptin e kompromisit, që në shumë raste paraqet interesin e individëve apo klanëve të ndryshme duke zhvlerësuar parimet morale e  demokratike.

Shkruan: Dr.Nail Draga/

Periudha e pluralizmit politik në Mal të Zi për rreth tre dekada ofron mundësi të analizave shumëdimensionale, sepse kemi të bëjmë më një periudhë kohore me plot sfida. Madje klasa politike në pushtet në këtë mjedis ka pësuar një metamorfozë si rrallë kund, si në aspektin social e politik që ishte vendimtare për Malin e Zi, deri në pavarësimin e tij të plotë, ndërsa nga ana tjetër kemi politizimin e e të gjithë ambientit shoqëror, që ngjason me atë të kohës së monizmit, që është në kundërshtim  flagrant me demokracinë dhe shoqërinë pluraliste në përgjithësi.

Parimi i interesave

Përvoja deritashme na mëson se kompromiset janë një e drejtë demokratike, dhe së  nuk janë dukuri të panjohura, sepse për të arritur një objektiv ata janë pothuaj të vetmet mundësi reale të momentit. Por, a duhet që të pranohen çdo herë kompromiset, edhe pse në dukje del së arrihet një objektiv. Pikërisht në këtë aspekt kemi të bëjmë me etikën politike e cila është përcaktuese si për individet dhe subjektet politike të cilët marrin vendimet përkatëse. Nëse duhet për t’u qendruar besnik parimeve atëher këtë çështje duhet trajtuar më shumë kujdes, sepse lehtë mund të ndodh që  për hir të interesave të ngushta të dalim jashtë parimeve, duke mbeshtetur koalicionet e panatyrshme politike. Pikërisht, këtu qendron edhe problemi sepse aty ku përfundon morali fillon politika, e cila nuk respekton parimet por interesat, qofshin ata edhe momentale.

Raste të tilla ka kudo, e sidomos kur në pyetje janë  koalicionet në qeverisje si lokale apo qendrore. Në këtë aspekt përjashtim nuk bëjnë as shqiptarët, ku si shëmbull tipik na shërbën pushteti lokal i Ulqinit, përkatësisht  marrëveshja  qeverisëse e arritur  me liberalet në vitin 1996 e të tjera të ngjajshme më pas që  iritojnë qytetarët e në veçanti votuesit e subjektëve përkatëse.

Por, kompromiset e tilla dëshmojnë qartë se disa individ apo subjekte për të ia arritur qellimit janë në gjendje të bashkëpunojnë edhe me djallin, dukuri kjo e njohur jo vetëm me përmasa lokale, por edhe regjionale.Është çështje tjetër se kompromiset e tilla janë të momentit, sepse në zgjedhjet vijuese, mund të ketë dekompozime tjera, varësisht prej aktorëve politik, të cilët për të mbetur në skenë përdorin çdo mundësi, sepse nuk kemi të bëjmë me parimet apo etikën politike por me përfitimet e mundshme nga pjesëmarrja në pushtet.

Koha e krizës morale

Ka kohë që  dëgjojmë sintagmën „kriza morale“, e cila ka filluar të marrë përmasa shqetësuese shoqërore. Jo se kjo sintagmë nuk ka ekzistuar edhe më parë, por  është shqetësuese së në pluralizëm ka humbur kriteri i vlerës, duke u zëvendësuar me antivlerën. Dhe s’ka si të jetë ndryshe se aty ku mbaron morali fillon politika, pra jemi duke jetuar në një shoqëri të politizuar, që i ngjason sistemit të monizmit, ku partia ishte baraz me shtetin, ndërsa interpretimet tjera ishin për konsum të ditës.

Një dukuri e tillë ka të bëjë sidomos me çështjen e punësimeve  në vende të ndryshme të punës ku  nuk  punësohen  individë me përgatitje profesionale dhe vlera të dëshmuara, por në shprehje  vjen përshtashmëria shoqërore,  përkatësisht  përkatësia partiake.  Dhe raste të tilla, ka kudo në vendet e ish kampit socialist, ku as Mali i Zi nuk është përjashtim. Madje një dukuri e tillë ka marrë përmasa të mëdha duke u bërë si trend shoqëror. Pikërisht në këtë aspekt, nëse analizojnë emërtimet e drejtorave në institucionet shkollore, shtëpive të shëndetit del qartë se të gjithë janë nga partia në pushtet e ndonjë  rrallë edhe nga pjesëtarët e koalicionit qeverisës. Madje është e kotë të konkurohet edhe nëse je profesionalisht  i  përgaditur dhe më autoritet në kolektivin përkatës, nëse nuk ke mbeshtetje politike. Dhe ajo mbeshtetje paraqet elementin bazë për t’u zgjedhur drejtues  i atij institucioni. Raste të tilla kemi kemi kudo, ndërsa   në fushën e arsimit  dhe të shëndetësisë është  bërë pothuaj dukuri normale.

Injorohet profesionalizmi dhe meritokracia

Edhe pse ekziston  thënia emblematike  „se punës duhet gjetur njeriun, e jo njeriut punën“, jemi dëshmitar se një thënie e tillë  ka kohë qe nuk  përfillet!  Pasi nuk janë duke u përfillur parimet e  profesionalizmi, meritokracisë dhe të kontributeve, vlerave intelektuale  dhe autoriteti shoqëror, nuk është befasi kur dëgjohet së në vende udhëheqëse më peshë janë emëruar indvidë të cilët në situata normale nuk do të kishin një mundësi të tillë. Identik është edhe rasti më përgatitjen e listave për këshilltarë e deputet të subjekteve politike të cilat janë privatizuar e monopolizuar nga indvidë apo klane të ndryshme, duke  dëshmuar një dobësi të vazhdueshme me pasoja në përfaqësimin politik të subjektëve përkatëse

Pa dilemë së kemi të bëjmë me kohen e krizës morale në  pluralizmëm  duke  mënjanuar vlerat e dhënë përparësi antivlerave. Dhe në këtë kohë përfitojnë tipat intrigantë duke realizuar ambiciet e veta, sepse ata  s’e kanë dert se kryejnë edhe veprime kundëretike, kundërnjerëzore e madje edhe kundërkombëtare.

Pasojat e kompromisëve

Dhe nga një mospërfillje të tillë del se janë zgjedhur kuadra të cilët nuk janë meritor për vende përkatëse andaj kemi gjendje aspak të pranueshme për qytetarët dhe të punësuarit në subjektet e ndryshme. Jo vetëm në fushën e arsimit e shëndetësisë, por edhe në veprimtrai të tjera siç janë ministritë, ndërmarrjet publike apo sekretariatet e ndryshme në pushtetin lokal, nuk janë  aspak ma mirë. Dhe  kuadrat e tilla  përveç së përfaqësojnë vetën e tyre ata  poashtu  prezantojnë  edhe subjektin që i ka deleguar në postet përkatëse.

Esdhe pse të rrallë ka pasur raste kur individë të ndryshëm nuk kanë qenë dakord me kompromise të tilla dhe janë tërhequr nga subjekti përkatës. Një veprim i tillë edhe pse me  numër simbolik, dëshmon se ende ka individë që mbrojnë parimet para kompromiseve, duke qenë shëmbull për të tjerët. Duke marrë parasysh së kemi të bëjmë me çështje të ndieshme është e moralshme  që të vlerësohen parimet ku vlerat profesionale të kenë përparësi duke dëshmuar qendrim ndaj çdo veprimi destruktiv me të vetmin qellim për të ruajtur e mbeshtetur sistemin e vlerave e jo të çdo  kompromisi  që janë me pasoja për të tashmën dhe të ardhmën.

(Tetor, 2018)

Filed Under: Editorial Tagged With: dhe e kompromisit, Dilema e vlerave, DR. NAIL DRAGA

KONTRIBUTI I HAJRO ULQINAKUT PËR HISTORINË E DETARISË SË ULQINIT

September 24, 2018 by dgreca

LIBRI-PER-ULQININ-Hajro-Ulqinaku1

Ndonëse është i njohur në opinionin e gjerë letrarë mbarëkombëtar si një nder shkrimtarët më të dalluar për fëmijë, Hajro Ulqinaku si personalitet shumëplanësh   përveç letërsisë  ka dhënë kontribut edhe si pedagog, gazetar, publicist, redaktor, skenarist, përkthyes,  botues e hulumtues ku si preokupim parësor  në dy dekadat e fundit ka  të kaluarën e Ulqinit, vendlindjës së tij, pikërisht veprimtarinë e detarisë dhe detarët e këtij qyteti.

Nail_Draga

Shkruan: Dr.Nail  Draga/DIELLI/

Ndër qytetët bregdetare të Adriatikut Ulqini  padyshim bën pjesë ne ato qytete të cilët kanë pasur një të kaluar të bujshme historike ne një periudhë kohore prej 25 shekujsh. Në sajë të zbulimeve arkeologjike është dëshmuar se nga koha e Ilirëve qyteti ka ruajtur vazhdimësinë  dhe  fizionominë e zhvillimit nga koha antike e më pas. Nuk ka dilemë se si  i tillë ky qytet vazhdimisht ka qenë inspirues për krijues të fushave të ndryshme diturore.

Ne gamën e gjërë të krijuesve qe si temë hulumtimi kanë qytetin e Ulqinit përkatësisht  të kaluarën dhe veprimtarinë e banorëve të tij,  bën pjesë edhe Hajro Ulqinaku. Edhe pse  larg vendlindjes në sajë të punësimit në Kosovë, sipas mundësive qe ka pasur vazhdimisht është marrur me hulumtime të vendlindjes,  kryesisht me veprimtarinë e detarisë e të detarëve të këtij qyteti të lashtë. Dhe s’ka si të jetë ndryshe sepse kjo ishte veprimtaria kryesore e banorëve të këtij qyteti nga kohërat më të hershme e deri në ditët tona.

I vetdijshëm se është duke trajtuar një temë tjetër që trajton te kaluarën e lavdishme të vendlindjës së tij, por e cila dallohet shumë nga letërsia   H.Ulqinaku  i është qasur më një seriozitet dhe përkushtim  duke  mbledhur materiale interesante   nga kjo gamë  temash, ku përveç materialeve të botuara me përkushtim ka mbledhur shenime nga individet e ndryshëm  të moshuar të cilët i kanë dhënë informacione  autentike dhe më vlerë të padiskutueshme.

Duke jetuar në Ulqin sidomos në dy dekadat e fundit  i përkushtohet detarisë dhe peshkatarisë së ulqinakëve, ku në sajë  të hulumtimit, përpunimit, sistematizimit dhe analizimit të një lënde  të tillë ai  për pesë vite(2000-2004)  opinionit të gjërë i   ka dhuruar këto vepra publicistike dhe shkencore: “Deti, detaria e Ulqinit”(2000), “Detaria, peshkatarë, ulqinakë”(2002), Glosar(Fjalorth i detarisë i të folmes së Ulqinit-2003), Thesar popullor(këngë, balada, legjenda-2004) dhe si vazhdimësi i këti cikli  opinionit i dhurohet vëllimi i pestë  më titull “Detaria, detarë, dokumente”(2004).

Ne  vëllimin e fundit autori na prezanton të dhëna më interes për disa familje ulqinake të cilat kanë luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e detarisë së Ulqinit nga fundi i shek.XIX dhe mesi i shek.XX. Ne këtë spektër të dhënash  është edhe  publikimi i të dhënave  nga Teufik Shurdha në formë të ditarit për familjen e tij, por edhe për detarinë dhe detarët e Ulqinit.

Më pas  ne detaje jepen të dhëna edhe për familjën e Becve dhe të Nimanbegve, duke vlerësuar lartë kontributin e tyre për detarinë ulqinake.Ne një kapitull të veçantë jepen të dhëna për dokumente detarie qe kanë të bëjnë per disa individ të njohur detar që iu përkasin  familjeve  Hoxha, Truma, Mollabeqiri dhe Malohoxha. Ne momente të caktuara autori  ngjarjet i ka ilustruar edhe me këngë foklorike, duke dëshmuar se detaria është pjesë e pa ndarë e folklorit të këti mjedisi.

Të dhënat nga individet të cilët kanë qenë të lidhur drejtpërdrejt me detin e detarinë, por edhe nga  pasardhësit e detarëve ulqinakë ne botim prezentohen në mënyrë autentike. Deti për ulqinakët ishte burim jete, veprimtari e guximshme  por edhe arenë e ngjarjeve dramatike.

Poashtu ne këtë botim jepen të dhëna interesante për momente dhe ngjarje të rëndësishme ku si protagonist ishin detarët ulqinakë, të cilët kanë treguar guxim të jashtëzakonshëm si është psh. rasti i Likacen Lazos, në shek.XVIII. Botimi është i ilustruar me fotografi dhe dokumenta origjinale dhe të përkthyera ne gjuhën shqipe që  kanë një vlerë të veçantë për këtë veprimtari në qytetin e Ulqinit.

Por, duhet thënë me këtë rast se është për të ardhur keq së një numër i konsideruar i dokumentave të familjëve ulqinake nga pakujdesi janë humbur. Nuk ka dilemë se ata  dokumenta kanë qenë me vlerë të jashtëzakonshme për detarinë e Ulqinit dhe dëshmi historike për përiudhën përkatëse kohore.

Ne këtë botim është paraqitur një regjistër i gjërë i emrave të anijeve si  dhe të personave apo familjeve ulqinake të cilët kanë qenë  kapidana apo marinar në anije, që janë më rëndësi të veçantë. Dhe një regjistër i tillë patjetër duhet të vendoset  në të ardhmen në  muzeun  e detarisë së Ulqinit, muze të cilin ky qytet e ka merituar ta këtë prej kohësh.

Dhe pasi të lexohen këto të dhëna mënjëher bie në sy se një numër i konsideruar i tyre patronimëve nuk ekzistojnë më në Ulqin, sepse siç dihet nga viti 1880, kur Ulqini iu dha Malit të Zi, një numër i konsiderueshëm i familjeve  ulqinake e kanë emigruar  duke u vendosur kryesisht në Shkodër, Durrës e gjetiu.

Duke pasur energji krijuese e pasion shpresoj se autori do të vazhdojë  të hulumtoj gjithnjë në lidhje mbi detarinë dhe detarët e Ulqinit sepse ne këtë aspekt ka ende se çka të hulumtohet dhe të  shkruhet. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse Ulqini paraqet një arkiv i cili meriton të hulumtohet si brenda dhe jashtë vendit, andaj shpresojmë se ky cikël do të këtë vazhdimësinë me vëllime të tjera, që mendoj së  do të jetë dhurata më e çmuar nga autori për vendlindjen e tij në veçanti,  dhe kulturën tonë kombëtare në përgjithësi.

(Fjalë e mbajtur në mbrëmjen kushtuar 80-vjetorit të  Hajro Ulqinakut, në Ulqin, më 15.8.2018)

Filed Under: Histori Tagged With: DR. NAIL DRAGA, E DETARISË SË ULQINIT, KONTRIBUTI I HAJRO ULQINAKUT PËR HISTORINË

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT