Dr. PASHKO CAMAJ*/
Sic jeni njoftuar nga mjetet e informimit dhe paralajmërimet nga Qendra Botërore e Shëndetit (WHO) si edhe nga Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve në SHBA (CDC) Koronavirusi tashmë është “Pandemi” pra ka arritur përhapje globale. Kjo situatë krijon shqetësime të reja dhe serioze. Sigurisht, ka shumë arsye për shqetësim pasi deri më tani janë regjistruar 130, 000 raste me Koronavirus, dhe rreth 4, 700 persona kanë humbur jetën si pasojë e këtij infeksioni. Megjithatë, paniku nuk e ndalon infeksionin! Këtu ju sjell disa të dhëna të cilat mund t’ju shërbejnë për informim edhe si sqarime të dobishme:
1-Tani për tani nuk ekziston vaksinë per ndalimin e infeksionit me COVID-19
2-Mënyra më e mirë e mbrojtes është mosekspozimi ndaj virusit.
Sipas informatave që posedojmë, virusi shpërndahet nge personi në person kryesisht në këto mënyra:
• nga kontaktet me njerëz të infektuar (në distancë 1.5 metra)
• përmes sekrecioneve nga kollitja apo teshtitja
Këto sekrecione mund të kalojnë nga një person tek tjetri përmes membranave të gojës, syve apo hundës si edhe përmes frymëmarrjes në mushkri.
Mënyra tjetër e shpërndarjes së virusit është kontakti me sipërfaqe të kontaminuara nga sekrecione që përmbajnë virus. Virusi mund të mbes ‘gjallë’ pra aktiv për disa orë në sipërfaqe të ndryshme me të cilat kemi kontakt. Prandaj, këto masa janë të domosdoshme:
-Larja e shpeshtë e duarve!
• Laji duart shpesh me sapun dhe ujë për 20 sekonda, në vecanti mbas qëndrimit në vende publike, mbas kollitjes apo teshtimës.
• Nëse jeni në vend ku nuk ka ujë dhe sapun, pastroni duart me xhel sanitar të duarve që përmban 60% alkohol
• Pastroni sipërfaqet mbi të cilat ka mundësi të kenë rënë sekrecione nga të infektuarit (alkohol ose klor për pastrime rrobash në kombinim 1:10 – 1 pjesë zbardhues dhe 9 pjesë ujë)
• Kurrsesi mos prekni sytë, hundën dhe gojën me duar të papastra! Kjo është mënyrë shumë efikase në ndalimin e infektimit dhe shpërndarjes së virusit!
• Nëse je i sëmurë, rri në izolim ose kërko ndihmë mjekësore. Për shumicën dërmuese, simptomat e sëmundjes janë të lehta.
• Për njerëzit e moshuar dhe ata që janë të sëmurë ose vuajnë nga sëmundje si diabeti, zemra, organet e frymëmarrjes, etj. kjo sëmundje infektive paraqet një rrezik të vecantë, dhe ata duhet të bëjnë shumë kujdes që të ruhen nga ekspozimi me këtë virus.
• Maskat nuk janë të rekomanduara për përdorim të përgjithshëm, ato mund të ndihmojnë nëse dikush është i sëmurë që mos të përhapin sëmundjen, ose për personat që kanë në ‘kujdestari’ persona të sëmurë (në spital apo shtëpi).
Dhe në fund, ju lutem ta shndërrojmë panikun në aksion serioz dhe konkret që secili prej nesh të mundohet ta ndaloj shpërndarjen e këtij infeksioni global dhe të paparë në botë që nga viti 1917/18 (gripi ‘spanjoll’).
Zoti na ndihmoftë të gjithëve!
- Publikuar së pari në faqen e fb të Dr. Pashko Camaj