Shkruan:Dr. Rita Loloçi/
Që nga zgjedhjet e para të 31 marsit 1991 e deri ta to të fundit që sollën në qeverisje “Rilindjen”, pra koalicionin Partia Socialiste-Lëvizjen Socialiste për Integrim, me përjashtim të ndonjë raundi zgjedhor deri diku të pakontestueshëm, të gjitha kanë marrë pas damkën e një procesi thellësisht të korruptuar, ku grabiten vota majtas dhe rrëmbehen djathtas dhe që raportet e OSBE listojnë një varg parregullsish.
Natyrisht se kjo situatë vjen para së gjithash me gjendjen aktuale të partive shqiptare, të konceptuar kryesisht si shpk, pra si prona të lidershipit, që pak merakosen për demokracinë e brendshme të tyre, zakonisht zgjedhja e forumeve bëhet sa për të kaluar radhën dhe personazhe politikë që hynë në politikë në vitet nëntëdhjetë vijojnë të jenë si statuja të murosura edhe në 2016.
Nuk do të ishte shumë e favorshme për të ëprmenduar edhe shkaqe të tjera që i destinojnë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe ato për qeverisjen vendore që të jenë pa standard, jo të lira, jo demokratike, madje në disa raste edhe të shoqëruar me kurbanë njerëzorë. Po ashtu nuk do të qe e nevojshme që kalsa politke shqiptare dhe institucionet e brishta të saj të bënin një shpikje për t’i thën ndal një herë e mirë zgjedhjeve të kontestuara dhe të korruptuara, të cilat në këtë mënyrë marrin peng të gjitha pushtetet e tjera.
Ashtu si në çdo vend tjetër demokratik zgjedhjet s’ka pse të zhvillohen më si më parë me një KQZ qëndrore që ndahet mes partive, me struktura të tjera vartëse poshtë saj dhe deri kontrollues e numërues votash po nga detashmente militante të subjekteve parlamentare. Ka ardhur koha që edhe në Shqipëri ato të zhvilloheshin nën administrimin e Ministrisë së Brendshme, të një strukture të veçantë që mund të quhej edhe Institucioni i Administrimit të Zgjedhjeve (IAZ). Nuk ka asnjë dyshim se vetë ky dikaster vijon të mbetet më i anatemuari si nga Partia Socialiste ashtu edhe nga Partia Demokratike (ai vazhdon të kritikohet sot e kësaj dite ashpër edhe për shkak të drejtimit dhe të ndryshimit rrënjësor të strukturave të policisë), megjithatë një ditë duhet bërë kapërcimi i madh që ky të jetë institucioni i vetëm për zgjedhjet.
Rishikimi i Kodit Zgjedhor, ribërja apo rimbajtja e trupës së Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, përfshirja e partive politike në procesin e numërimit dhe të certifikimit të zgjedhjeve nuk do të sjellë gjë tjetër veç ato dukuri që janë vërejtur në zgjedhje të tjera. Pikërisht teksa po diskutohet ligji i ri zgjedhor është koha që ligjvënësit e majtë apo të djathtë të përgatisin një ligj dhe infrastrukturë për zgjedhje me standard, të lira, të fshehta dhe demokratike.