Ajo u vonua se, siç tha, “rruga shkurt të nxjerr nganjëherë gjatë”. Vajzave që e prisnin në hyrje të sallës u mori dritë fytyra kur e panë të ngjiste shkallët me një çantë të madhe në dorë. E hapi dhe ata futën duart duke kërkuar secila emrin e saj…
Kjo ndodhi më 8 shkurt 2015, në përvjetorin e 10-të të Shkollës shqiptare të Athinës.
Diana Beu, stiliste e njohur, kishte plotësuar dëshirën e drejtueses së Shkollës shqiptare të Athinës Ermira Morina që atë ditë të shënuar vajzat e katër klasave të hidhnin valle të veshura me fustane “kuq e zi”, fustane të kuq me një rrip të zi në mes.
Ishin 25 vajza, të moshave dhe të përmasave trupore të ndryshme. Duhej prerë e qepur copa, duheshin gjetur kopsat e duhura, zbukurimet simbolike, një punë që në nxitim të festës kur çdo gjë kërkohet në detaje kërkon kohë e vëmendje…
Një ditë nga mesi janarit, rrëfen Diana, më telefonon Mira dhe më thotë që duam të festojmë 10-vjetorin e shkollës më 8 shkurt, po përgatisim programin, por duam të përgatisim dhe valle me vajzat. Kemi ndërmend tu bëjmë fustane të kuq me një rrip të zi në mes…
U tregova e gatshme për gjetjen e copës për fustanet dhe marrjen e masave për prerjen dhe qepjen dhe fillova nga puna…
U ndjeva shume e lumtur kur nënat e disa vajzave erdhën dhe më falënderuan, por më tepër kur më falënderoi një nënë që ishte me profesion rrobaqepëse…
Unë pavarësisht se isha e sëmurë nga dora …harrova dhimbjen, lodhjen, punën voluminoze në një kohë të shkurtër. Përballë meje kisha gëzimin e vajzave për fustanet…
Skena më prekëse ishte kur të gjitha vajzat po më prisnin tek dera me ankth për fustanet. Isha vonuar për te arritur ne orar…
U gëzova kur i pashë të kërcenin. Dukeshin si lulëkuqe në fushën e gjelbër të majit…
Atë ditë shënova në kujtesën time elektronike…
“Sot, më 8 shkurt 2015, ulur në një qoshe, shoh, me sy e zemër, lule të çelura…
Lule njerëzore të dala nga një kopsht njerëzor…
Po ndjej si kanë çelë zogjtë e si fluturojnë nga foleja, si cicërojnë me veshje ngjyra-ngjyra…
Shoh vajza me fustane të kuq e kollanë të zi, kuq e zi, që i marrin me radhë vallet e mëmëdheut, nga Veriu në Jug, si lule bjeshke, me një dëshirë dhe hijeshi që të hyn e të mbetet në shpirt…
Dua t’i mbledh të gjithë fëmijët si në një tufë lulëkuqe…”
Unë i “mblodha” vajzat me fjalë, me një meditim çasti…
Diana Beu i mblodhi në një “tufë lulëkuqesh”…
Një fotografi mes vajzash nuk mund të mos e fiksoja…
Abdurahim Ashiku
Athinë 4 mars 2015