Komshiu im, Shpëtimi është tepër kurioz për ngjarje historike. Një ditë rastësisht ai u ndodh në të njëjtën kohë me KristoZharkalliuntek pinim kafe në qendër të Omonias.
Kristoja është një emigrant i vjetër, një njohës i drejtpërdrejtë i shumë ngjarjeve të mëdha që lidhen me historinë dhe kulturën e Greqisë së kohës sonë, një pjesëmarrës aktiv në luftën kundër Juntës ushtarake greke, i dekoruar midis të gjithë atyre që morën pjesë në rezistencën dhe fitoren kundër saj. Shpëtimi, i inspiruar nga ngjarjet e herëpashershme rreth e qark Universitetit Politeknik apo siç quhet shkurt Politekniu e pyeti Kriston se pse policia nuk guxon të futet brenda mureve rrethues të universitetit dhe pse qëndron e mbyllur porta kryesore e Politekniut. Kristoja një ditë më solli përgjigjen e pyetjes, paksa të gjatë…
E gjeta përgjigjen në një nga zarfet e mija kompjuterike dhe po e përcjell për lexuesin mërgimtar në ditën e 17 NËNTORIT 2014/
Abdurahim Ashiku/
Athinë, 16 nëntor 2014/
* * *
Nuk është aspak e keqe të mos njohësh diçka për njëvend të huaj, sidomos përsa i përket historisë së re që akoma nuk është shkrojtur në libra kur dihet se shumica dërmuese e shqiptarëve kanë pasur halle të mëdha, madje shumë herë është rrezikuar dhe mbijetesa e tyre në një vend që nuk u tregua aspak mikpritës në fillim dhe kur dihet se shqiptarët ishin pothuajse të gjithë të paligjshëm. Por tani shqiptarët nuk kanë më uri për bukë por për dije (këtë të „metë“ e ka pasur gjithmonë shqipoja!) dhe nuk është rastësi se shkrimtarët shqiptarë të emigracioni janë më shumë nga numri se ata të Atdheut! Në këtë drejtim nuk mundesh të mos i admirosh dhe t’i përgëzosh se, më sa di unë në emigracion shumë rrallë shfaqen letrarë të veçantë, kurse shqiptarët brenda pesëmbëdhjetë vjetëve kanë botuar me qindra libra dhe kanë ngritur disa shoqata e klube letrare dhe shoqërore.
Në këtë kuadër pra nëpërmjet faqeve të gazetës, dua të kontribuoj dhe unë në njohjen e disa aspekteve të vendit mikpritës meqenëse kam banuar në Greqi më se pesëdhjetë vjet dhe në shumë raste kam qenëpjesëmarrës në disa nga ngjarjet më të rëndësishme të Greqisë të pasluftës. Përderisa shumë herë shqiptarët tanë kanë krijuar një dije të shtrembër dhe pa baza reale, për këtë ngjarje dhe situatën e trazuar helene, do të përpiqemi të jap informata sa më të sakta me fjalë të thjeshta.
Pyetja e parë që mu drejtua ka të bëjë me festën e Politeknikumit më 17 nëntor dhe më drejtohet kështu: Pse qëndron e mbyllur dera kryesore nga rruga Patisia, e Politeknikumit të Athinës? Pse nuk lejohet policia të hyjë kur aty bëhen trazira?
Është e vërtetë se kohët e fundit në shtypin dhe mediat elektronike greke po bëhet shumë zhurmë rreth „azilit“ akademik të Greqisë. Ç ’është ky azil pra dhe pse pushtetarët e së djathtës dhe shtypi i tyre kërkojnë të ndryshohet dhe pse jo të eliminohet? Madje nganjëherë e dëgjoj dhe prej shqiptarësh të thonë se kjo demokraci e tepruar jo vetëm bën dëme të mëdha materiale por nxin dhe imazhin e Greqisë si vend i lirë demokratik sepse një përqindje e vogël komuniste sulmon institutet kulturore!“ Dhe kjo sa herë nëpër demonstrata, një grup anarkistësh mbyllen nëpër institutet e larta arsimore dhe hedhin që andej bomba „molotov“! Mirëpo a mund të besojmë se policia është në gjendje të mbrojë dhe të respektojë këto institute?. Rinia studenteske greke e din shumë mirë këtë sepse ka një histori të gjatë dhe përvojë shumë të hidhur nga arbitrariteti dhe injoranca e forcave „të rendit“!
Historia jonë nuk do të fillojë fill pas mbarimit të luftës civile në vend, por nga vitet gjashtëdhjetë kur shkruesi i këtyre radhëve ishte vetë dëshmitar i një dhjetëvjeçari të vrullshëm dhe tragjik për popullin grek. Por para kësaj duhet theksuar se „strehimi akademik“ u fitua me gjak nga studentët grekë. Dhe kjo u arrit në vitin 1934, kur pas një lufte të gjatë, ku u vranë dhe disa studentë nga armët e policisë, qeveria e atëhershme vendosi të ndalohet rreptësishtë hyrja e forcave policore në ambientet universitare dhe që atëherë kjo mbrohet me rigorozitet. Prandaj dhe zërat që dëgjohen kohët e fundit, nuk do të mundin të arrijnë që kjo e drejtë e fituar me gjak, të shkelet nga „demokracias“ sotme, siç kukojnë ata që kanë qenë dhe mbeten armiq të përparimit dhe të ardhmes.
Në vitet gjashtëdhjetë pra, (edhe atëherë si tani rivalët e politikës greke ishin një Karamanlis dhe një Papandreu) po bëheshin përpjekje të mëdha për demokratizimin e vendit. Karamanlisi konsiderohej aso kohe njeriu më konservator i perëndimit dhe si i preferuari dhe „shërbëtori“ i pallatit mbretëror. (Të mos harrojmë se atëherë Greqia kishte mbret dhe se fijet e politikës lëviznin nga pallati, shi nga duart e Frederikës !) kurse Papandreu (gjyshi i kryetarit të sotëm të PASOK-ut) përfaqësonte qendrën demokratike, borgjezinë e mesme dhe domosdo një pjesë të klasës punëtore që nuk ishte bindur nga komunistët.(PKG ishte e ndaluar aso kohe në Greqi dhe komunistët ishin inkuadruar në partinë e majtë EDA)
Në vitin 1963 forcat fashiste dhe grupet që drejtoheshin nga policia që në atë kohë ishte ultrareaksionare, dhe si u duk më vonë, kontrolloheshin e drejtoheshin nga pallati mbretëror, vranë në Selanik deputetin e majtë GrigoriLlambraqis. Atëherë u duk distanca politike e Karamanlisit me mbretin. Qëndrimi i këtij të fundit në çështjen e vrasjen e deputetit dhe sidomos ndaj një vizite që përgatiste aso kohe mbreti për në Londër, kur marrëdhëniet e të dy vendeve nuk ishin kaq të mira për çështjen e Qipros dhe se Londra akuzonte Athinën për vend jo demokratik, e detyroi të japë dorëheqjen dhe të largohet për në…Paris.. (nga ku u kthye pas…njëmbëdhjetë vjet si triumfues dhe shpëtimtar i demokracisë helene) Pas „arratisjes të Karamanlisit, u bënë dy herë zgjedhje të cilat i fitoi Bashkimi i Qendrës më në krye Papandreun. Populli grek sikur mori frymë lirisht për herë të parë pas njëzet e pesë vjet diktaturë, luftë, luftë civile qeveri konservatore antidemokratike, u arrit pajtimi kombëtar, në sipërfaqe të paktën ishujt grekë u zbrazën nga të internuarit demokratë me fitoren e plakut Papandreu.
Mirëpo, as pallati as edhe „aleatët“ nuk e shikonin me sy të mire demokratizimin e plotë të vendit, gjoja për „rrezikun komunist” Pallati mbretëror- mbret tani ishte i riu Konstandin pas vdekjes të Pavlllos- nisi t’i hapë dalëngadalë varrin qeverisë së Papndreut. Frederika nuk ishte mësuar deri atëherë që ministrat t’i emëronte kryeministri pa pëlqimin e pallatit. Kështu në korrik të 1965-ës rrëzoi në mënyrë puçiste qeverinë e ligjshme të Papandreut dhe emëroi qeverinë kukull të „renegatëve“ që tradhtuan partinë dhe udhëheqësin e tyre duke hyrë haptazi në shërbim të pallatit dhe të „aleatëve“. Sa për dijeni theksojmë se udhëheqës të „renegatëve“ ose të „tradhtarëve të demokracisë“ ishte Miçotaqisi i sotëm…Por duhet theksuar se, si ngaherë, në ballë të luftës për demokraci qëndronte rinia studenteske universitare. Për mbrojtjen e demokracisë MikisTheodhoraqis krijoi organizatën masive rinore „GrigorisLlambraqis“ që aso kohe lojti një rol vendimtar kundër reaksionit fashist dhe që më vonë shumë nga këta aktivistë të rinj demokratë u bënë udhëheqësit e partive demokratike .
Si thamë, që në vitin 1934 mbrohej strehimi universitar dhe ata që kishin bërë atë ligj duhej të ishin njerëz me mënd të kulluar në kokë se ndryshe do të kishin gjakderdhje të vazhdueshme të rinisë studentore që ishte pjesa më e urryer e forcave të rendit sepse dihet se ata që përbënin policinë dhe të gjitha „forcat e rendit“ nuk kishin kaluar kurrë nga ato dyer të shenjta universitare dhe shumica e tyre aso kohe me zor kishin mbaruar një shkollë fillore dhe nga ana tjetër ishin brumosur me një propagandë antipopullore antistudentore (gjoja antikomuniste) madje kishin mësuar se ata që shkonin në demonstrata e protesta ishin të huaj kryesisht…bullgarë! Fatmirësisht pra ligjvënësit grekë e kishin parashikuar (siç dihet jo me dashje)se rinia studentore do të qëndronte gjithnjë në ballë të luftës për ndryshime e përparim të vendit, prandaj dhe i kishin siguruar mbrojtjen në ato institucione ku idetë politike-ideologjike duhej të qarkullonin lirisht. Sigurisht forcat konservatore-reaksionare nuk pushuan kurrë të mos lakmojnë eliminimin e këtij „strehimit“ por kjo nuk do të arrihej kurrë me metoda demokratike. Kështu pra, pas rrëzimit te qeverisë Papandreu në mënyrë të pabesë, rinia greke gjendej përditë në rrugë, në Universitete bëheshin organizime për rezistencë „ndaj pallatit dhe fashistëve“sepse studentët ishin të angazhuar si ngaherë në luftë për demokraci dhe prokopi.
Duke parë se lufta popullore dhe rinore ishte bërë masive dhe kërkesa për „demokraci të vërtetë“ ishte gjithë popullore, disa krerë reaksionarë të ushtrisë, të nxitur nga pallati dhe të huajt, kryen grushtin e shtetit të 21 prillit 1967, duke eliminuar ose anuluar të gjitha nenet e kushtetutës që u referoheshin lirive dhe të drejtave të shtetasve në një vend demokratik. Megjithatë nuk guxuan as këta të…shkelin me ligj strehimin universitar!
Me gjithëterrorin e ushtruar nga kolonelët e zinj, rinia studentore nuk pushoi për asnjë çast të organizohet dhe të rezistojë në mënyrë ilegale. Prandaj dhe shumica e atyre që arrestoheshin, internoheshin ose gjykoheshin nga gjyqi ushtarak ishin gjithnjë studentë.
Në verën e vitit 1973, diktatori i zi Papadopullos, duke dashur të mashtrojë opinionin publik evropian vendosi gjoja të “demokratizojë” vendin, dhe si zhvilloi një referendum duke shpallur sistemin e vendit demokraci presidenciale, dhe duke përmbysur e dëbuar njëherë e mire pallatin kencerik mbretëror (gjënë e vetme të mire që bëri padashur diktatori!” Kështu ngarkoi politikanin e vjetër të falimentuar SpiroMarqezinin të bëjë qeverinë e re…demokratike. Por rinia studentore nuk mashtrohej lehtë dhe kështu filloi lëvizja heroike studentore, më masive në kushtet e një diktature. Këtu strehimi universitar lojti një rol vendimtar për një kohë mjaft të gjatë. Rezistenca studentore filloi në fakultetin e jurisprudencës në shkurt të atij vitit dhe aso kohe qeveria fashiste nuk guxoi të shkelë azilin universitar. Por lëvizja studentore sa vinte e po bëhej më masive në të gjithë vendin. Gjatë gjithë pranverës dhe verës studentët qëndruan nëpër institutet universitare, duke mos lejuar të bëhen provime, ose dhe leksion mësimore. Atëherë qeveria mendoi t’i nënshtroje me një ligj që dekretoi aty për aty: me qëllim që të dobësojë rezistencën, vendosi të mobilizojë në ushtri të gjithë ata studentë që kishin marrë anulim shërbimi për arsye të studimeve universitare.. Dihet se shumica e këtyre ishin dhe krerët e lëvizjes studentore. Kjo i zëmëroi më shumë studentët-qeveria diktatoriale në vend që të thyejë rezistencën, e bëri më luftarake. Kaq shumë ishte zemërimistudentor sa qeveria „demokratike“ e Marqezinit u detyrua të lirojë nga ushtria të gjithë ata që ishin mobilizuar me ligjin e ri ndonëse më parë kishin marrë anulim të ligjshëm. Por kjo nuk shojti rezistencën- përkundrazi kjo fitore hapte rrugë për kërkesa të tjera më të avancuara dhe një nga kërkesat ishte përmbysja e…juntës! Vjeshta e 1973-së binte erë barot. U dukën parullat e para „Poshtë Junta!“ „Poshtë diktatori Papadopullos!“ „Nuk gënjehemi nga majmuni Marqezini!“ dhe patjetër parulla antiamerikane, antinato e shumë të tjera. Për herë të parë u duk se qeveria diktatoriale ishte në panik.. Madje forcat policore nëpër qytete dukeshin të pamjaftueshme dhe të pafuqishme të përballonin lumin e furishëm të rezistencës demokratike prandaj bëhej fjalë për ndërhyrjen e ushtrisë për të vendosur rendin. Në nëntor të 1973-së lëvizja po shndërrohej nga studenteske në gjithë popullore dhe qeveria e Marqezinit dukej se nuk mund të bindte më askënd se po përpiqej të rivendoste demokracinë në vend. Madje në një deklaratë dramatike të kryeministrit kukull thuhej: „Kini kujdes se me këto që bëni do të detyroni ushtarakët të sjellin në pushtet ndonjë Khadafi grek!“ Diçka dinte ai. Në mes të nëntorit i gjithë vendi u paralizua. Tashmë demonstratat në Athinë, Selanik, Patra, Janinë e gjetkë bëheshin haptazi nëpër rrugë dhe kërkesa popullore ishte të shporrej junta ushtarake. Papadopullos vuri në lëvizje ushtrinë-policia , me gjithë zellin dhe egërsinë e saj, dukej krejt e pafuqishme të vendoste rendin dhe qetësinë në vend. Rreziku i gjakderdhjes tashmë dukej i pashmangshëm.
Kështu studentët u mbyllën në Politeknikum të Athinës dhe në shkollat e larta të qyteteve të tjera. Në Athinë u ngritën shpejt e shpejt radiostacione të „lira“ dhe ai i Politeknikumit u bë zëri i lirisë dhe i dashur që dëgjohej dalëngadalë në të gjithë Greqinë. Folësit e tij, MariaDamanakis (deputetja e sotme e PASOK-ut) dhe Papakristos (gazetar i njohur i gazetës Ta Nea) u bënë zërat më të dashur të popullit grek.
Në këtë paralizim të përgjithshëm, Papadopullos vendosi të ndërhyjë ushtarakisht. Propaganda fashiste çirrej se në mes të studentëve kishin depërtuar elementë armiq dhe të huaj, kryesisht …bullgarë dhe ushtarët e shkretë, gjysme analfabetë besonin se po shpëtonin vendin e tyre nga …sundimi i huaj! Tanket u shfaqën në rrugët e Athinës më 17 nëntor në mëngjes dhe po lëviznin mengadalë drejt Politeknikumit. Ishte menjimend një dukuri absurde- kishe përshtypje se forcat e huaja të blinduara po pushtonin vendin përsëri. Studentët dhe të ngujuarit e tjerë në Politeknkum- nuk mund ta merrnin me mënd një sulm me tanke kundër tyre- vazhdonin të hidhnin parullat e tyre dhe t’u bëjnë thirrje ushtarëve të hidhnin armët dhe të bashkohen me ta kundër juntës dhe në këto rrethana nuk munguan dhe skenat komike. Kështu disa ushtarë që ishin bindur se në Politeknikum
ishin ngujuar …bullgarë, shqiptarë dhe…kinezë, u habitën kur dëgjuan nga altoparlanti të flitej greqisht dhe pyetën oficerin e tyre se si këta pushtues të huaj flitnin kaq mirë greqisht! Populli ishte tmerruar, por megjithatë përpiqej të qarkullonte nëpër rrugë, të ndihmonte me ushqime e me mjete të tjera djemtë dhe vajzat të ngujuar në politeknikum të rrethuar nga tanket që akoma nuk guxonin të…shkelnin azilin universitar dhe në mbrëmje vendosi të vërshojë drejt Politeknikumit nga të gjitha anët e Athinës veçse forcat ushtarake mbyllën rrugët rreth qendrës studentore duke izoluar Politeknikumin, por njerëzit mundën të kapërcejnë dhe pengesat ushtarake dhe shumë demonstrues mundën të arrijnë në rrugën Patision. Atëherë kreu i juntës dha urdhër të sulmohet Politeknikumi me tanke! Ishte një skenë sa absurde dhe tragjike. Mbi kangjellat që rrethonin Politeknikumin ishin ngjitur me mijëra studentë e të rinj dhe shikonin tanket e radhitur në anën tjetër të rrugës pa besuar se do të sulmoheshin nga tanket e vendit të tyre Kur panë aty afër mesnatës se një tank po lëvizte drejt hyrjes kryesore të Politeknikumit vazhduan të brohorasin, të bëjnë thirrje për bashkim e rezistencë ndaj ushtarëve dhe sa më shumë afrohej tanku aq më shumë brohorisnin dhe kur kuptuan se po sulmoheshin të gjithë njëzëri nisën të këndojnë himnin kombëtar. Tanku qëndroi pesë metra larg derës prej hekuri të politeknikumit dhe studentët panë të entuziazmuar se si ushtari që e drejtonte kërceu në rrugë duke refuzuar të sulmojë derën e hekurt. Atëherë një oficer fashist nxori pistoletën, qëlloi ushtarin që e shtriu në asfalt dhe mori vetë drejtimin e tankut. Studentët nuk lëvizën nga kangjellat megjithëse ngrinë për një çast nga akti barbar i oficerit. Tanku u vërsul si përbindësh duke shembur derën e madhe prej hekuri bashkë me të rinjtë që ishin ngjitur mbi të. Askush nuk e di se sa të rinj u vranë aty…
Se ç’u bë më tej nuk është nevoja të përshkruhet këtu. Këtu donim të shpjegonim pse është i shenjte strehimi studentor. Dera e hekurt e shembur nga tanku u hoq dhe u çua në një ofiçinë për t’u shkrirë, veçse punëtorët e fshehën në një depo si dëshmi heroike të rinisë. Kjo derë u dorëzua në rektoratin e Politeknikumit pas rënies të juntës dhe u vendos në brendësi të oborrit si një nga monumentet më heroike të historisë së sotme greke. Ndërkohë u vendos që dera kryesore- ajo që ishte vendosur pas shembjes nga tanku- të qëndrojë e mbyllur përgjithmonë duke u hapur vetëm një herë në vit, kur do të përkujtohej gjakderdhja e Politeknikumit…. Dhe kështu bëhet duke u shndërruar në traditë…sepse grekët dinë të nderojnë dhe të respektojnë historinë e tyre. Por kryesisht dinë të respektojnë monumentet historike. Ndërsa në Shqipërinë e varfër nga historia dhe monumentet, është bërë zakon që të shembet çka trashëgohet nga sistemi i mëparshëm (Ç ‘kishin lënë komunistët nga historia e regjimit të Zogut? Akoma dhe varrin e Nënës së Zogut e shemben duke mos u lënë asnjë gjurmë se ku u çuan kockat e saj! Që të mos flasim për monumentet fetare që u zhdukën barbarisht dhe është fat i madh që u shpëtuan disa thesare të vyer të kulteve!) Por thamë se këto janë akte diktatoriale, por ç’bëri demokracia shqiptare? Rrafshoi çdo monument që kishte të bënte me historinë pesëdhjetëvjeçare, akoma dhe ato të luftës antifashiste…Me një fjalë Shqipëria po bëhet një vend pa histori, pa kujtesë, por ai që shuan të kaluarën, nuk ka të ardhme. Në Greqi Demokracia nuk mendoi kurrë të shembë monumentet e mbretërve, megjithëse i kishin sjellë kaq të këqijavendit. Nuk tentoi të ndërrojë emrat mbretërore të udhëve kryesore të Athinës e gjetkë, akoma dhe rebeluesit komunistë u nderuan me monumente, (Vellohitotis p.sh.) si pjesë përbërëse e historisë dhe rezistencës popullore.Dhe është për të ardhur keq se si kaq shqiptarë që jetojnë kaq vjet në Greqi nuk mësuan asgjë nga kultura dhe toleranca e popullit liridashës grek. Mjerisht kurrgjë!
NJË TRAGJEDI E MBYLLUR NË HESHTJE
Nga Rasim Bebo/ Çikago/
Kohë më parë, rreth dekadës së shtatë të shekullit të kaluar, shoferi Jani Guri pësoi aksident në afërsi të Qafështamës, duke zbritur me skodën e ngarkuar me trarë. Shpëtoi mirë, nga plagët e trupit dhe pothuajse u shërua, pas qëndrimit në spital rreth dy muaj. Por këmba e djathtë nuk po i shërohej mirë dhe megjithatë, doli nga spitali me firmën e tij, pa pëlqimin e mjekut. Me kalimin e kohës, dhimbjet po i shtoheshin dhe pak nga pak këmba kishte filluar t’i merrte ngjyrë të errët. U shtrua prapë në spital, te pavioni i kockave. I filluan mjekim të diferencuar, dhe prapë këmba po i keqësohej më shumë. Mjeku e këshilloi:- Dëgjo Jani!… Ka vetëm një rrugëdalje, këmba do prerë mbi gju, në qoftë se do të…
Përlotjet dhe lutjet e Janit për të mos e prerë këmbën ranë në veshin e shurdhër të mjekut. Ai ngulmoi në vendimin e tij:-Do të planifikojmë që këtë javë të futesh në sallën e operimit.- e njoftoi ai dhe ashtu u bë.
Dhoma ku ishte shtruar Jani kishte mbi 20 të sëmurë të ndarë në dy krahët e dhomës me një koridor në mes. Të gjithë të sëmurëve u erdhi keq për Janin dhe po e ndjenin këtë fatkeqësi sipër veten e tyre. Një plak tiranas rreth 70 vjeçe, edhe ai i shtruar në këtë dhomë, i thotë Janit:
-Këmbën mos e pre, në qoftë se ti beson në Zot. Thirr një hoxhë, merr mendimin e tij dhe të besh si do të thotë ai.
-Po ku do ta gjëj hoxhën? – i tha Jani. – Ne nuk kemi as prift as hoxhë.
-Dëgjo, – vijoi t’i thotë plaku, – thuaji gruas të shkojë te vorrezat, se atje ka hoxhë, që bëjnë lutje për të vdekurit…
Ksanua, e shoqja e Janit, të nesërmen shkoi në spital me gjithë hoxhën e kërkuar nga i shoqi. Kur hyri në dhomën e të sëmurëve, hoxha i gjatë e i hollë, copë e lëkurë, me një beretë të vjetër, të sajuar vetë në kokë, që i kishte zëvëdësuar çallmën e sekuestruar, me një palë gjyslike të lidhura me spango, me një pardesy të gjatë deri në fund të këmbëve, tejet të vjetër, të murrme, të dalë boje, në shumë vende të shqepur, dhe të qepur , e me sandale të lidhura me tel, pa çorape, u pa me mjaft kërshëri nga të sëmurët. Ashtu i kërrusur pak, me një libër lutjesh në dorë, të vjetër, pa kapakë nga përdorimi i shpeshtë, por me dinjitet, ai qëndroi në mes të dhomës duke soditur të gjithë të shtruarit në atë dhomë dhe i përshëndeti:
-I lutem të madhit zot për ju, shërim të shpejtë, amin! . – Pastaj hoxha iu afrua krevatit të Janit: Më ke thirrur, – i tha qetësisht, – Çfarë të mundon?…
-Doktori më thotë të pres këmbën, si thua ti? – iu përgjigj Jani me pamje të tronditur.
-Beson në Zot?
-Po besoj…
– Po tek mua, si hoxhë, më beson?
-Po të besoj…
– Atëherë këmbën mos e pre, dil nga spitali, shko në shtëpi dhe unë do të vi nesër në orën 5 pasdite dhe disa herë të tjera për ta mjekuar këmbën që të dhëmb, deri sa të shërohet….
Me këto fjalë të hoxhës, shkurt dhe qartë, Jani e ndryshoi mendimin për pamjen e tij, nga një sharlatan, që ju duk kur hyri, në një ëngjëll tani kur po largohej nga dhoma dhe e mbushi plot me besim.
Para se të dilte jashtë dhomës, hoxha ndaloi një çast dhe u kthye nga të sëmurët:
-Zotërinj. Po i lutem edhe një herë Zotit për ju, shërim të shpejtë dhe jetë të gjatë, amin!
Pas kësaj, Hoxha shkonte çdo ditë në shtëpinë e Janit, i spërkaste këmbën me ujë të ngohtë dhe i këndonte lutje në gjuhën arabe. Këmba nga dita në ditë filoi pak e nga pak të përmirësohej, ngjyra gri e errët po i largohej, duke marrë paksa ngjyrën e zakonshme. Jani fillimisht nuk e mbështeste dot këmbën në tokë, tani zuri t’i vinte dhomës vërdallë dhe filloi me ngadalë të zbresë shkallët me shkop, duke lëvizur ngadalë edhe nëpër obor. Hoxha e porositi për dy plage të vogla e të pambyllura, qe kishte në këmbë, se i duhej një recetë ta merrte te doktori.
Jani shkoi në spital dhe kur i doli përpara mjekut, ai filloi të fërkonte sytë, kur e pa ende të gjallë.
– Si është mundur?… Vërtetë, ti Jani jeton?
– Po doktor, gjallë jam. Hoxha më shpëtoi…
-Për mua, i tha mjeku, – ti, Jani ishe i vdekur. Zoti i Madh…. ti shpëtove!…
Jani i gëzuar tej mase, që i shpëtoi këmba dhe jeta, u familjarizua me komshien, një plakë myslimane mbi 70 vjeç, që kryente ritet fetare me fanatizëm. Kështu Jani filloi të digjonte plaken e zgjuar analfabete, por lutjet fetare që nxirte nga goja plaka, i dukeshin Janit si margaritarë, teksa ishte tmerruar duke shikuar në ëndërr këmbën e prerë. Plaka u kthye në mesuese për Janin, filloi t’i mësonte disa lutje, ca shqip e ca arabisht dhe në muajin e ramazanit Jani i shtirë nga ky gezim si pa dashje, nisi si pa gjë të keq, të mbante ramazan. Me plakën në disa raste, hanin iftarin dhe pinin kafen bashkë. Por prapë Jani, si i krishterë, nuk hiqte dorë nga feja e tij, pasi kjo ishte një inerci e përkohshme, ai ishte i ndërgjegjshëm se ashtu siç i erdhi, do t’i ikte ky frymëzim për fenë islame.
E gjithë familja e tij, e ndiente këtë gëzim dhe pak nga pak, dukej sikur po eklipsohej besimi në fenë e adoptuar së fundi, i dukej si një robë e mirë mbi gunë, qe nuk shkonte dhe duhej hequr. Por prapë Jani, ruante një farë simpatie për fenë islame , mësoi disa lutje përmendësh, muhabeti sillej rreth Muhamedit dhe historisë islame, që plaka i kishte mësuar me kohë disa lutje të zakonshme si analfabete që ishte. Nga disa të afërmë të Janit, shokë, miq, fshatare edhe komshi, cmirëzinj, dashakeqës, filluan ta bëjnë objekt bisedash në kafene, në lulishte ku mblidheshin për të lozur domino me orë të tëra duke e përfolur Janin me kutin e secilit, dikush më shumë, dikush më pak. Disa e besonin se Jani kaloj në fenë tjeter, disa jo. Fjala mori dhenë. Disa njerëz të ditur kujtuan ligjin që aplikoi Metaksai në vitin 1938. Po, është ligji nr. 1363, i kohës së diktaturës së Metaksait , që ndëshkonte krimin e konvertimit fetar, nëse në Greqi ndërroje fenë ortodokse, duke u kthyer në një fe tjetër, memjëherë burgoseshe, sepse vepronte ky ligji. Greqia është shteti i grekëve të krishterë ortodokës. Shteti grek e ka të ligjëshëm të ndërhyjë në ndjekësit e fesë ortodokse, kudo që të jenë, edhe jashtë Greqisë.
Mendje dhe mendime. Ne jemi shqiptarë dhe shteti i ynë nuk ka ligje të tilla. Por në krye të vendit tonë kemi priftin grek dhe për këtë arsye nuk ka ndryshim. Kisha greke është mbi shtetin një lloj si në Athinë, edhe në Tiranë japin mendime të tjerët. Valle. Ky prift mundet të zbatojë ligjin grek në vendin tonë për ndërrimin e fesë? Këto muhabete bëheshin me tensione dhe pa tensione. Dihet që disa njerëz dritëshkurtër e përhapën si nam të keq. Megjithatë, siç thotë populli : “çdo gjë e habitshme tre dite zgjat ”. Por këtyre merhumëve nuk u mbyllej goja. Disa prej këtyre shpirtkëqinjve, ishin hasetçinj, edhe se Jani me familjen e tij ishin të përkryer, si familja më e mirë e lagjes.
Pranvera e vitit 1997 ishte shumë e mbrapshtë, katrahurë e madhe, shtetrrethim, luftë civile, gjakderdhje, mjerim i madh. Nëna të veshura me fustan te zi, sipas mallkimit të “Panterës së Zezë”.
Ata u kujtuan për t’u hakmarrë kundër Janit si “Mysliman “ dhe të birit, Olsit, që ishte martuar me një vajzë “myslimane”. Dashakeqët, fanatikët, menduan, që t’i japin Janit goditjen sa më therëse e sa më të dhimbshme, në përputhje të ligjit grek të diktatorit Metaksa të vitit 1938 për personin që ndërron fenë. U nisën dy djem, shokë dhe miq të Olsit, bashkëminoritarë grekë të Shqipërisë, banues në Tiranë. Pa pasur ndonjë konflikt midis tyre ata shkuan në shtëpinë e Olsit, në të njëjtën ndërtesë ku banonin dhe prindërit e tij. Kush mund ta dinte se të dy shokët e Olsit erdhen me mendjen dhe detyrën e kapuçonjëve të zinj. Ata thirrën Olsin për të dalë mirë e bukur. Zbritën në rrugën “Qemal Stafa” diku aty afër shkollës “8 vjeçare” ndaluan papritur dhe këtu bënë gjëmën me pabesinë e quajtur “Greke”. Njëri nga këta i dha vdekjen me dy plumba shokut të tyre Olsit dhe u zhukën të dy, me pasaporta në xhep, me viza në xhep dhe me shpërblim në xhep. Dhe ndofta kaluan edhe oqeanin. Olsin ia çuan nënës dhe babës djalin të vdekur, gruas së tij burrin të vdekur dhe vajzës së tij babën të vdekur. Olsi i shtrirë një metër e tetëdhjete i gjatë dhe 28 vjeç, pa frymë në mes të dhomës. Kur para gjysmë ore kishte qenë në mes të familjes. O bombë, O zot, O tmerr O dhimbje, O kujë!…
Qaj oj nënë, qaj or babë, qaj oj nuse, qaj oj vajzë, qani or vëllezër dhe Ti moj kunate dhe ju miq të dashur të kësaj familje. Për këtë trim të shtrirë, që nuk flet me gojë! O Zot mallkuar qofshin për jetë dhe mot vrasësit pabesë me mision fetar…
I nderuar lexues, kjo tragjedi ka ndodhur në pranverën e vitit 1997. Unë jam miku i kësaj familje dhe i kam mësuar këto të vërteta me hollësi. Vazhdimisht, për 17 vjet e kam kujtuar këtë ngjarje tragjike dhe si historian dua të mbetet në arkivat e shtypit, për brezat që vinë pas nesh, që ta gjikojnë këtë kohë makabre.
Rasim Bebo Addison Çikago mars 2014.