• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

REBELIMI

November 24, 2016 by dgreca

FASLLI HALITI NE SOFREN E DIELLIT/

1-faslli-haliti-2-223x300

 NE FOTO: FASLLI  H. : VIZ: HELIDON H./

REBELIMI/

 Në vitet ’50, bujqit u rebeluan kundër dorëzimit të  planit të rëndë  të    Shtetit që përveç planit të drithrave, kërkohej edhe  plan për leshin,vezë…        Kush nuk paguante planin e Shteti, burgosej…/

  Kështu vendosën  fshatarët të thoshin /

Dhe kështu thanë:/

 Shoku Shtet,/

Shoqja /

Qeveri,/

Ju na kërkoni

Të lajmë plan drithi,

Plan gruri, misri

Plan bulmeti

Plan

Fasulesh, 

Plan thekre,

Plan tërshëre,

Plan vezësh, leshi

Plan mishi,

Drithi 

Sepse

Do të hajë:

Ushtria, shkollat,

Çerdhet, kopshtet,

Udhëheqja, byroja politike…

Lëmi i parë i misrit, grurit,

Lëmi i parë i vezëve të rosës, pulës,

Lëmin e parë  të qethjes

Së  bagëtive

Therjes së parë

Të qengjingjave

Të deleve

Të kecave

Të dhive

Do t’ia dorëzoni Qeverisë

Do t’i dorëzoni Shtetit  Socialist !

***

Dakord !

Shoqja qeveri,

Shoku shtet

Veç,

Na jepni

Farën e vezëve,

Farën e mishit,

Farën e leshi të bardhë,

Farën e leshit të zi,

Leshit Rud, 

Deve.

Shikoni

Po s’harboi

Leshi i bardhë

Leshi i zi, rud, i butë

Shikoni po s’çelën vezët

Zogj të bardhë, larosh,

Zogj të kuq të zesë, të artë

Shikoni po s’harboi mishi i arave mbarë,

Po nuk vërshoi vaji, gjalpi, arave tona,

Shihni po s’u mbytën tokat në mjaltë

Shihni po s’u mbytën në qumësht

Kulloshtër, në gjizë, në djathë.

***

Arat tona u betuan

Para nesh,

Si ne 

Para jush

Shoku Shtet,

Shoqja Qeveri.

Dijeni, mirë pra,

Po na dhatë farën që na duhet

Në arat tona, ju do të merrni

Ar

Flori 

Që në lëmin e parë.

 

***

 Po shteti socialist

Ishte syçelë,

Brisk   

***

 Prita gjithë natën babanë

As babai, as  shokët

Rebelues të tij

S’u kthyen atë natë

Pas gjashtë muajsh plot

Do të ktheheshin ata në shtëpi…

***

Prita

Ditën e parë

Natën eparë

Javën, muajin e parë,

Muajin e dytë të tretë të katër

Muajin e pestë, të gjashtin, me radhë.

Vetë i lërova arat me plug dhe me parmendë

Vetë gjeta farën e leshit, mishit, vezëve;

Farën e qumshtit, gjalpit, mjaltit,

Farën e djathit.

Vetë mbolla,

Vetë korra

Vetë shiva,

Vetë blova…

Harboi arave

Leshi i zi i bardhë

Leshi rud i butë e gri

Harbuan vezët nëpër ara

Vezët çelën boçe të bardha

Në vend të zogjve të kuq, të zinj, të bardhë.

Qumshti djathi, gjalpi, përmbytën

Tokat tona mbarë.

Pagova  planin e misrit, pambukut, grurit, fasuleve

Duke punua gjashtë muaj ditë e natë me radhë…

 Që babai të kthehej në shtëpi me plan të shlyer, të larë

 Nëntor, 2016

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Faslli Haliti, poeme, Rebelimi

FASLLI HALITI NE SOFREN E DIELLIT “MORALI JUAJ”

November 18, 2016 by dgreca

FASLLI HALITI/

1-faslli-haliti-2

FASLLI  H. : VIZ: HELIDON H./

Morali juaj/  

.poemë./

Kush i prishi kishat, tyrbet,/

Te qetë/

Xhamitë?/

Ju i prishët!/

Ju i pështytë.   /

Kambanat/

I bëtë kusia,/

Tenxhere, kazanë ushtrie,/

Gëzhoja plumbash, predhash,/

Kazanë rakie./

Këmbora lopësh, demash,/

Këmbora deshësh, cjepsh briprerë/

Kupolat e kishave, xhamive dhe tyrbet/

I kthyet në bunkerë./

***

Kush i dogji ikonat,/

Kush i përmori profetët?/

Ju/

I përmorët /

Ju ua nxorët sytë/

Duke klithur gjer në kupë të qiellit:/

Poshtë, poshtë  /

Perënditë,/

Vdekje,/

Vdekje perëndive…!/

Britmat shoqëroheshin me këmbora lopësh,

Me tingujt e zileve, të mushkave, cjepve, dhive.

Me ikonat e Jezuit,

Shënmërisë,

Pastruat

Bajgat e lopëve,

Glasat e pulave,

Të fshirat e shtëpive

Kakërdhitë e deleve,

Dhive …

***

Kush i lëpiu,

Kush i puthi prapë

Ikonat e varfra, të mjera,

Ikonat e fyera

Ikonat e përmjerra?

Ju, ju,  sigurisht,

Ju i puthët,

Ju

I lëpitë.

Gëzhojat e predhave të kalibrit,

Për kambana fiktive «paqeje» i shkritë.

Jeni po ju

Që prisni shirita përurimesh,

Që përuroni kisha, teqe, kisha, xhami, tyrbe,

Që bëni kurbane, jo në themele të reja,

Jo në themele korpusesh moderne,

Por në bulevarde me «beteja».

Bëni

Kurban me desh

Me pesë përdredhka briri

Me desh të mjerë të kopesë,

Me desh me këmborë  kambanash

Para dyerve fasadave laike të Bashkisë

Bëni kurbane me protestues në Bulevardin më madhor

Të Shqipërisë

Në sy të dëshmorëve

Në sy të heroit Skënderbe

Në sy të Qemal Stafës, heroit të rinisë…

Pastaj pini raki,

Birrë,

Verë,

Me priftërinj dervish,

Me imamë, hoxhallarë, myftilerë.

Por dhe me kasapë,

Snajperë…

Për Krishtin,

Muhamedin,

Për Zotin vetë

Tokni gotat me verë, raki

Ngrini për ta shëndete

Mëkatare

Dolli…

***

Përuroni po deshët sa të mundni kisha,

Teqe,

Tyrbe

Xhamia.

Bëni

Përurime

Hipokrite,

Sa të doni,

Megjithatë, Perëndisë,

Nuk ia ngriti tempullin Davidi,

Por biri i tij i pamëkatë, Solomoni.

Gjersa mbreti David

Kish derdhur

Gjak,

Zoti

S’mund të lejonte

Që tempullin t’ia ngrinte një mbretmëkat.

Kështu që s’ka sesi

Që ju blasfemuesve ,

Zoti,

Perëndia,

T’ju lejojë pikërisht juve

Të ngrini për të kisha, tyrbera, xhamia.

***

Ne,

Të gënjyerit deri në fyt

Ne, të mashtruarit kriminalisht

Ju themi

Vetëm kaq:

Ju besuam dje

Mos shpresoni, t’ju besojmë sot, prapë.

Ju besuam njëherë

Si një Zoti,

Si një Perëndie të vërtetë.

Shpresoni sa të doni, pra, sot,

Por ne s’ju besojmë më si Krisht, si Muhamed…!

***

As i puthëm, as i pështymë as i përmorëm

Ikonat, Biblën, Kuranin, dje,

As i puthim,

As i lëpijmë

Sot,

(S’kemi përse),

Gjersa s’i puthëm, s’i pështymë

Gjersa s’i përmorëm të shenjtat, dje…

Po deshëm të puthim,

Puthim me kënaqësi

Dorën e Rafaelit,

Mikelanxhelos,

Leonardit,

Onufrit,

Dalisë,

Puthim duar

Që krijuan tablo shenjtërish

Me imazhin e Jezu Krishtit, Shën Mëmërisë…

***

Bibla,

Kurani

Janë dituri,

Ikonat s’janë besim.

Ikonat janë, vepra arti,

Krijim.

***

Edhe Muzevarrpiramidën

Që ju vendosët

Ta shembni

Sot,

Shikoni

Po s’e ndërtuat, po ju, mot…

***

Ju dhe piramidën e Keopsit

Do ta shembnit

Me siguri

Sikur t’arrinit ta shembnit dot,

Sikur të kishit mend, fantazi, fuqi…

Po ju do ta ndërtonit atë

Gjer në zenit,

Apogje.

***

Fola për fenë, besimin

Me tokën, pemët,

Barin,

Me ujin, ajrin, kontinentet,

Me qiellin, diellin hënën, galaktikat, kozmosin, yllësitë

Toka s’më foli për Zotin, më foli për pjellorinë,

Bari më foli për blerimin,

Uji për kthjelltësinë,

Ajri

Për lëvizjen,

Kontinentet, për paqen, harmoninë,

Dielli, për zjarrin dhe dritën;

Hëna

Për diellin,

Galaktikat, për kozmosin,

Kozmosi, për pafundësinë e pafund,

Yllësitë për përjetësi dhe amshim

Asnjë prej tyre, s’më foli

Për, fe

Për besim…

Besimi

Nuk puthet.

Besimi,

Feja

Nuk përmirret,

Nuk pështyhet,

Nuk shkelet me këmbë.

Ti dhe unë apo cilido, të gjithë

Besojmë ose s’besojmë me zemër, me shpirt…

Në zotin Muhamed ose në zotin Jezu Krisht.

Lushnjë, 1994

Tiranë,    2011

 

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Faslli Haliti, Morali Juaj, poeme

ERICH FRIED VJEN NE SOFREN E DIELLIT NGA FASLLI HALITI

October 30, 2016 by dgreca

1-eich-friedERICH FRIED-1921 –1988/

Erich Fried ka lindur në Vjenë në vitin 1921./

Në vitin 1938 ai la Austrinë dhe u transferua në Londër. Ndër vëllimet e tij me poezi: Gjermani (Deutschland, 1944), Kundërshtimi (Anfechtungen, 1967), Njëqind poezi pa vend (100 Gedichte ohne Vaterland, 1978). Ndër romanet dhe tregimet e shkurtra: Fëmijë dhe budallenj (Kinder und Narren, 1957), Një ushtar dhe një vajzë (Ein Soldat und ein Mädchen, 1960), Pothuajse asgjë, 1975  (Fast alles Mögliche, 1975). Me tekstet  e  tij eksperimentale, formale, bashkohet edhe angazhimi i tij politik. Në vitin 1988 ai botoi një libër me poezi: “Kjo është ajo që është”. frika e zemërimi i poezive të dashurisë, i cili pati sukses të madh në botimin italisht. Nga ky libër janë marrë  poezitë që po botojnë.

*** 

Gjëja që më goditi më shumë te ky poet është përdorimi me mençuri i anaforën: përsëritja nuk është një përsëritje e zbrazët, por një pretekst për të thelluar pikëpam jet, për të eliminuar të tepërtat, për të mbërritur në thellësi.

AJO QË ËSHTË

Është absurde

thotë arsyeja

është ajo që është

thotë dashuria

 

Është trishtim

thotë llogaria

s’është veçse dhimbje

thotë frika

 

është kotësi

thotë gjykimi

është ajo që është

thotë dashuria

 

është qesharake

thotë krenaria

është pamaturi

thotë maturia

 

është pamundësi

thotë eksperienca

është ajo që është

thotë dashuria

 LEXOJ  POEZI

 Kush

nga poezia

pret shpëtimin

do duhet më mirë

të mësojë

të lexojë poezi

Kush

nga poezia

nuk pret asnjë shpëtim

duhet më mirë

të mësojë

të lexojë poezi.

GJITHNJË  MË  E VESHTIRË

 duke të parë vetëm një herë

dhe pastaj kurrë më

duhet  të jetë më e lehtë

që të shoh akoma dhe një herë

dhe kurrë më pastaj

duke të parë akoma dhe një herë

dhe kurrë më pastaj

duhet të jetë më e lehtë

që të shoh akoma dy herë

dhe kurrë më pastaj

duke të parë ende dy herë

dhe kurrë më pastaj

duhet të jetë më e lehtë

që të shoh akoma tre herë

dhe kurrë më pastaj

Por unë jam një budalla

dhe dua të të shoh

akoma shumë herë

më parë

që të mos mund të të shoh

kurrë më.

 KUR PUTH

 Kur unë të puth

nuk është vetëm buza jote

nuk është vetëm kërthiza jote

nuk është vetëm barku yt që puth.

Unë puth edhe pyetjet e tua

dhe dëshirat e tua

puth reflektimin tënd

dyshimet e tua

dhe guximin tënd

dashurinë tënde për mua

dhe lirinë tënde nga unë

puth këmbën tënde

që arriti këtu

dhe që iku përsëri

unë të puth ty

kështu siç je

dhe siç do të jesh

nesër dhe më tepër  

dhe kur koha ime do të konsumohet.

Përktheu: Faslli Haliti

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: ERICH FRIED, Faslli Haliti, ne sofren e Diellit

MOIKOM ZEQO – TALENTI I BEFASIVE TË MËDHA

October 15, 2016 by dgreca

…..Moikom Zeqo ishte dhe është universal. Ai rrëmon dhe shpirtin e njeriut dhe gjirin e tokës. Nga shpirti njerëzor nxjerr brilantet e virtyteve, nga toka reliket, identitetin, gjenezën, moshën e kombit, kulturën./

1-moikomzeqot

 (Mrekullitë nuk eklipsojnë dhe nuk eklipsohen)

Detin Adriatik e kam gjetur ndonjëherë të qetë, por Moikom Zeqon s’e kam gjetur kurrë të qetë. Prandaj në përfytyrimin tim ai ka mbetur si një trazim që kërkon të qetësojë, por jo të qetësohet.
_________________________________________________________
 /

1-faslli-haliti-2Esse nga FASLLI HALITI/

Deti Adriatik, buzë të cilit shtrihet Durrësi si një Poseidon, ka dallgë të mëdha dhe të vogla. Moikom Zeqo është dallga e tij me përmasa, me buçima dhe forma të çuditshme, synon vazhdimisht pushtime brigjesh të reja poetike. Ishte oqeani Kadare që e dalloi i pari dallgën dhe lartësinë poetike, Moikom Zeqo.

Në vjeshtën e vitit 1968 Kadare më thotë të shkruaja një recension për librin poetik “Vegime të vendlindjes” të Moikom Zeqos. “Është poet i talentuar, më thotë, dhe librin e ka interesant.” I premtova.  Kur  u takuam sërish më thotë: “Unë e mbajta fjalën, e dorëzova recensionin e librit tënd në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, ti s’e mbajte fjalën. Nuk ma solle recensionin për librin e Moikomit, apo s’të pëlqen libri? – “S’më pëlqen”, i thashë. Në të vërtetë gënjeva. Unë e shkrova disa herë recensionin, por s‘më dukej në lartësinë e porositësit. Ishte koha kur Kadare ishte redaktor në gazetën “Drita”.
Pas konsideratave të Kadaresë, e shtova interesin për poezinë e Moikomit dhe vetë Moikomin. Ishim të dy në konsideratën e Kadaresë. Kjo dhe poezia na lidhi më shumë, na bëri më intimë, më të vëmendshëm me njëri-tjetrin, na bëri të lexonim e të shkruanim më seriozisht.

  1. ZEQO

Moikom Zeqo ishte student i shkëlqyer. Më kujtohet që profesorët nuk e merrnin në provim. E vlerësonin a priori me notën maksimale. Kjo e rriste shumë para meje e të tjerëve Moikomin, unë kisha dobësi për studentët e shkëlqyer, inteligjentë, plus pastaj, që Moikomi ishte dhe një poet, që për mua po bëhej gjithnjë e më shumë një habi. Poezitë e tij ishin plot metafora të mahnitshme, subtile.

Metaforat ishin lulet e vargjeve, por jo lule dekorative, por me frutin në brendësi. Vargjet të kënaqnin me lulet dhe frutat njëherësh. “Qyteti Feniks” qe libri që kish edhe lulen edhe kokrrën. Poeti i ri në këtë libër kishte perfeksionuar njëherësh dhe lulen dhe kokrrën. Zakonisht shkencëtarët përsosin kokrrën e pemës si madhësi dhe si ëmbëlsi. Lulen s’e përsosin dot. Kurse Moikom Zeqo përsoste këtu edhe lulen edhe kokrrën poetike.
Artisti superonte kështu shkencëtarin.

***

Udhëtonim pasdite për në Vlorë. Moikomi ishte redaktor në gazetën “Drita” dhe i duhej të shkruante diçka për monumentin e “Pavarësisë”, që ishte në prag të përurimit, (nëntor 1972). Rrugës u bëmë shumë të gjallë. Moikomi edhe më i gjallë se të gjithë. Kishte hyrë vjeshta e dytë dhe plepat bri xhadesë ishin zhveshur. Por në maja kishin mbetur ca gjethe. “Vjeshtë në majat e plepave”, tha Moikomi. Mbase ky ishte vargu i fundit i ndonjë poezie, mbase titulli i saj. Moikomi ndodhej përherë në gjendje krijuese, në gjendje frymëzimi. Duke udhëtuar për në Vlorë, ne udhëtonim drejt mikut tonë të përbashkët, drejt habisë tjetër, po pranë detit, habisë koloristike, piktorit stuhi Skënder Kamberi. Nëse Moikomi dhe deti kishin të përbashkët lëvizjen, dallgët, Skënderi dhe Moikomi ishin të dy miqtë e mi me cilësinë e përbashkët që s’i gjeje kurrë të dëshpëruar, veçse të revoltuar.
Më vonë, shumë vonë, do të mësoja, se Moikomi kishte si hobi pikturën, mbase kjo ishte edhe një arsye e vetvetishme që na afronte të treve, pasi dhe unë kisha mbaruar  Liceun artistik për pikturë.
***
Moikom Zeqo ishte dhe është universal. Ai rrëmon dhe shpirtin e njeriut dhe gjirin e tokës. Nga shpirti njerëzor nxjerr brilantet e virtyteve, nga toka reliket, identitetin, gjenezën, moshën e kombit, kulturën. Ti e kërkon Moikomin në bibliotekë, ai të del nga deti, ku është zhytur gjer në thellësitë e perlave dhe s’del pa to prej thellësive. Perlën më të sigurt ka poezinë. Pa të s’del nga asnjë lloj thellësie.

***
Gjithë interesa, i mençur dhe erudit, Moikomi, në ndryshim nga shokët, guxonte të thoshte fjalën e tij pa pikën e ndrojtjes për cilindo. Asnjëri nga ne s’guxonte të shkruante për Kadarenë, pasi nuk i përgjigjej dot kuotës së lartë kadareane, e pra, ai që guxoi, ishte Moikomi. Shkrimi i tij gati dy faqe në gazetën “Zëri i rinisë” për romanin “Kështjella” të Kadaresë ishte jo vetëm dinjitoz, por ai bëri bujë në qarqet letrare artistike. Të gjithë i befasoi vizioni, kultura dhe aftësia analizuese, që pasqyrohej në shkrimin kritik. Dhe s’ishte një rastësi. Moikomi do të shkruante edhe për vepra të tjera të Kadaresë, Dritëroit dhe do të na linte të gjithëve gojëhapur. Ky djalosh me talent e vullnet “përbindëshi”, sapo vinte e po merrte përmasat e një avalanshi, por jo të një avalanshi shkatërrues, por të një avalanshi kulturor, enciklopedik, aq sa do të detyronte dhe diktatorin që të shprehej gati me zili, se sa me entuziazëm, për kulturën dhe erudicionin e poetit dhe poliedrikut Moikom Zeqo, diku në një takim me të rinjtë.
Kur u kritikua “Dimri i vetmisë së madhe” i Kadaresë, Moikomi më erdhi në shtëpi. Moikomi e kishte lexuar romanin, që në dorëshkrim dhe më ishte shprehur me superlativa, duke e quajtur atë një çudi letrare. Prisja me padurim se çdo të më thoshte tani, që po kritikohej. Por ai më foli për vetë autorin Kadarenë, pasi për romanin e kishte thënë fjalën e tij. “- S’e çan kokën fare për kritikat, – më tha, – As që i përfill fare. Kolos po tregohet, Kadareja”.
U çlirova nga ankthi. U qetësova. Mora zemër. Për ne Kadareja ishte kryekulla e kështjellës së letërsisë shqiptare. Dhe konservatorët këtu i kishin drejtuar topat e mllefit, këtë kërkonin të shembnin.
Moikomi ishte një emisar qetësimi dhe inkurajimi në çaste makthesh shoqërore. Ai ishte shoku dhe miku që të pyeste jo “ku e ke plagën, por si e ke plagën”? I tillë është dhe i tillë do të mbetet ai. Dhe unë atëherë e kisha shumë të pezmatuar plagën. Isha goditur rëndë për poemën “Dielli dhe rrëkerat” e për plot poezi të tjera.
Ardhja e Moikomit në shtëpi në kohërat kobzeza ishte si ardhja mesianike. Dhe Moikomi ishte i pafrikshëm për shokët që ndodheshin në vështirësi.
Disa muaj më vonë ai do ta pësonte vetë. Do të shkonte vetë në Rrogozhinë për riedukim. Dhe në vend të riedukimit të tij ai do të edukonte krijuesit e rinj rrogozhinas. Në kohën e kritikave që po i bëhej poezive “hermetike”, “formaliste, “revizioniste” Moikomi botoi disa poezi ekspresive, moderne, kundër të ashtuquajturit “hermetizëm”. “Më mirë ta themi ne fjalën, ta bëjmë ne kritikën kundër “hermetizmit” – më tha, më mirë ne sesa këta konservatorë të mykur. Por kjo “dredhi”, kjo finte nuk i eci. Vigjilenca e militantëve partiakë, sigurimsave, sekretarëve ishte më sipërane, se sa dredhia, sofistikimet poetike. Moikomi u kritikua ashpër për hermetizëm, modernizëm, formatizëm dhe unë për shfaqje

revizioniste, gabime ideologjike, pra për përmbajtje të gabuar.
Tani, përveç poezisë, miqësisë me Kadarenë, na lidhi goditja e tmerrshme, autodafetë që po na bëheshin.

Filloi koha që t’i çonim vetëm të fala njëri-tjetrit nga, larg.
Aty nga viti 1983-84, Moikom Zeqo do të botonte një cikël me poezi, midis të cilit edhe poezinë “Mbreti lakuriq”. Poezia bëri përshtypje të jashtëzakonshme. Filloi mërmërima popullore. Mbase, kjo mërmërimë, nuk shkonte gjer te Moikomi thjesht për të mos e trembur atë. Cili ishte ky mbret lakuriq? Pse s’guxonin t’i thoshin “Mbreti lakuriq”?
Kumti ishte i qartë. Inkonformizimi i Moikomit ishte tepër i sofistikuar, i tërthortë, që s’kapej edhe kaq lehtë nga syçelët…

***

Moikomi është nga ata që u goditën ashpër nga plenumi IV, dhe u dënua konkretisht, u hoq brutalisht nga detyra e redaktorit në gazetën “Drita”, duke ia ndërprerë rrjedhën e jetës, duke e larguar nga Tirana, jo pak por 32 vjet. Por është për t’u habitur që pas ndryshimit të sistemit politik më 1991, Moikomi asnjëherë nuk e përmend faktin që e dinë të gjithë, dënimin e tij. Ai  nuk manipuloi për të përfituar diçka nga ky fakt, nuk bëri asnjë alibi, sepse ai i urren alibitë. Ndryshe ndodhi me të tjerë që nuk ishin kritikuar as sa një e njëqinda e Moikomit, që u vetëshpallën të persekutuar, madje disidentë të mëdhenj. Shpesh së bashku me Moikomin ne qeshim dhe bëjmë shaka me këta “trima” postfestum. Përgjegjësia për të mos përfillur atë që nuk i takon është një veti karakteri, por nuk duhet treguar i plogët me atë që me të drejtë i takon.

***

Moikom Zeqo është tepër shoqëror, dashamirës, i begatë në vlerësime, tepër i vëmendshëm ndaj krijuesve. Ai i lexon të gjithë shokët, pothuaj. Mua më duket sikur atij nuk i shpëton asgjë, tipar ky i gjithë kapaciteteve. Moikomin nuk e ligështojnë lartësitë e shokëve, ai ngjitet edhe më lart. Ai është një thyerës rekordesh poetike. Krejt origjinal vetë, ai çmon cilindo poet origjinal. Bile dhe shprehet. S’ka rast që ta kem takuar dhe ta takoj dhe Moikomi të mos bëjë vlerësime për këtë apo atë poet, për këtë apo atë  cikël poezish, tregim, roman. Ndonjëherë ndihem ngushtë, pasi nuk i kam ndjekur botimet si ai. Shoqëria me Moikomin është tejet e gëzueshme, pasi pasurohesh, por në të njëjtën kohë ajo është dhe tejet e vështirë, pasi kërkon durim rezistencë, përqendrim vëmendjeje, shpejtësi e volum kujtese. Te Moikomi takohesh i varfër dhe ndahesh i pasur shpirtërisht, intelektualisht.

Moikomi është tolerant i madh. Ti mund të tregohesh indiferent, mbase dhe mospërfillës në një bisedë, debat me të, apo, ndaj një krijimi të tij dhe ai nuk tregohet zemërak, të toleron, pasi është i bindur, se ka të bëjë me një subjektivizëm gnoseologjik dhe jo etikë. Ai të flet me patos e kompetencë për një poezi tënden, jo vetëm se poezia jote e bën të flasë, porse dhe është i zoti, i aftë që të flasë. Ai është frekuentues i thellësive dhe është i zoti ta mbajë frymën për një kohë më të gjatë se ti e se unë. Kurse ti edhe unë s’e kemi edhe kaq të lehtë të flasim për një poezi të tij edhe pse e pëlqejmë atë. Jemi të zotë të ndiejmë të dalldisemi, por s’jemi po aq të zotë sa të shprehemi. Ky është ndryshimi midis tij dhe nesh. Prandaj dhe ai nuk na zemërohet, nuk fyhet, por na kupton dhe na rrok në qafë.
Edhe më i kulturuari, profesori, akademiku, pas një bisede me Moikomin ndahet disi i lodhur, jo se ngarkesa e bisedës ishte jashtë kapacitetit, por vetë biseda ishte intensive, me ritëm e dinamikë tepër rinore. Moikomi është një sinor i përhershëm dhe urtan. E tillë dhe poezia e tij.

***

Moikom Zeqo ka folur, ka shkruar, flet edhe shkruan shumë për të tjerët, për magët dhe belbanët, kurse për të kanë folur dhe flasin shumë pak. Mendoj se ka dy arsye. E para. Nuk prononcohen për të, sepse presin, që ai të prononcohet, të shkruajë për ta. Kjo është tepër egocentriste. E dyta. Ka, që duan të flasin, por nuk flasin dot për të pasi materia poetike e tij është disi e vështirë. Të paktën kështu u duket atyre. Kjo është një fatkeqësi. Të të duan dhe të mos mund të ta thonë dot. Dhe të tillë janë jo pak.
Megjithatë, thënia e Rexhep Qoses, se Moikom Zeqo është eseisti më i madh shqiptar i gjallë, është jo vetëm tepër impresionante, por edhe shumë cilësore.
Moikomin e kanë joshur disa herë me kolltukun, por poezia e ka superuar zyrën, kolltukun e ka sunduar poeti. Kjo ka qenë shenja më e sigurt e një talenti pa mëdyshje.

***

Po arkeologjia? Është një hobi, apo rivale e poezisë, shemër e saj?
Shpesh herë Moikomi, më ka folur për një vazo, mozaik, për një statuetë, për një urnë, gati me entuziazmin, që më ka folur për një libër poetik, roman, poet.
Dhe unë e kam kuptuar. Ai është gëzuar dhe i gëzohet identitetit, autoktonisë sonë. Nëntoka për Moikomin është po aq frymëzuese, sa dhe qielli dhe toka. Prandaj dhe në poezinë e tij ka diçka nga nëntoka (thellësinë), ka diçka nga qielli (suverenitetin).

Këto karakteristika janë në librat poetikë: “Ditët”, “Libër i hapur”, “Njëqind zemra”, “Meduza”.
Moikom Zeqo ka shkruar për Naimin, Konicën, Fishtën, Migjenin, Kutelin, Mekulin, Barletin, Nolin, Onufrin, Kadarenë, Qosen, Agollin…
Të parët, edhe po të donin të shkruanin diçka për Moikomin, s’do të mundeshin, pasi, s’e kanë më këtë mundësi. Tre të fundit e kanë mundësinë dhe kam bindjen, se do ta thonë fjalën, pasi ata janë tepër të ndjeshëm ndaj vlerave.
Disa herë poezia zemërohet me Moikomin, pasi ai penën s’e ka vetëm për të. Ai, përkthen, shkruan për një copë tjegull, nëse ajo i shërben Shqipërisë. Kur është puna për Shqipërinë, ai e lë mënjanë qibrën dhe shkruan pa u merakosur nëse i var apo jo buzët e bukura poezia.
– Një poezi e Moikom Zeqos – më tha një ditë një poet i ri, jo pa talent, ka më shumë metafora sesa një libër i tërë. Kuptohet, këtu, hiperbola dhe e vërteta. E vërteta është, se poeti që jeton e shkruan në Durrës, ndanë detit Adriatik, gjithçka do ta ketë disi me tepri, siç ka me tepri deti, dallgët dhe buçimën… Të rinjtë e kanë në natyrën rinore, që të flasin me hiperbola. Ata, gati, e konsiderojnë poezinë si valutën dhe lekun. Një lloj poezie e quajnë dollar, një tjetër lek, po ne i kuptojmë të rinjtë dhe i shijojmë hiperbolat dhe gjuhën e tyre metaforike. Kështu do të fliste Moikomi në lidhje me të rinjtë, pasi ai nuk ikën nga mesi i tyre. Gjithnjë në mesin dhe në ballin e poezisë së re, Ai.

***

– E ke parë bibliotekën e Moikom Zeqos? – më thotë një tjetër poet i ri, që Moikomi e mban afër si talent.
– Jo i them.
– Rrëmuja është rregulli i asaj biblioteke.
– Si kështu?
– Ja, kështu është, një rrëmujë estetike. Libra në dysheme, në tavolinë, karrige, komodina, mbi frigorifer, lavatriçe, anash murit, gjer në tavan… E thotë edhe vetë: “Unë e kam më të lehtë të gjej një statujë nën tokë se sa një libër në bibliotekë”.
– Ç’t’i bësh, dhomat i kanë ata, që s’kanë libra.
– Të ka rënë në sy diçka në shtëpinë e Moikomit? – më thotë një mik i tij.
– Çfarë?
– Muret i ka të mbushur me lloj-lloj statueta dhe antikash të tjera të zbuluara prej tij dhe, asnjëra prej tyre nuk është origjinale, por të gjitha janë riprodhime me tasela.
– Si kështu?
– Origjinalet ai, vërtet i zbulon, por ato ia dorëzon Shqipërisë. Në muret e Shqipërisë e kanë vlerën e plotë statuetat e zbuluara, origjinalet. Sepse Shqipëria është shtëpia e parë e Moikomit, shtëpia e shtëpive.

***

Rreshtat e mësipërme i kam shkruar në nëntorin e vitit 1997. Tani në vitin 2005, numri i veprave të Moikomit ka arritur në 70. Madje, ka shkruar dhe botuar disa nga kryeveprat e tij. Më ka bërë përshtypje libri “Syri i tretë”, ku universaliteti është tronditës, Moikomi krijon një libër të hapur, ashtu si kozmosi, të lirë si natyra. Duket sikur Moikomi është shterues, derdh gjithçka nga shpirti. Energjitë e kanë megjithatë një limit. Ekziston rreziku i përsëritjes, formë kjo e lodhjes. Por si ka mundësi, që ai të botojë një tjetër libër krejt të pangjashëm si: “Grishja e Florimontit”? Ky libër po të qe botuar në italisht, frëngjisht, apo anglisht do të ishte nga më të njohurit e kohës. Moikomi matet me të mëdhenjtë, duke qenë gjithmonë vetvetja. Vetë ai thotë, se do të dëshironte, që librin e Florimontit t’ia lexonte Umberto Eko. Por ja, që s’qenka e mundur. Por kur lexova shkrimin e përkthyesit të shquar Fotaq Andrea “Letër Moikom Zeqos për Florimontin” (Koha Jonë, 17 qershor 2005) e kuptova thellësisht se unë nuk jam thjesht një entuziast në vlerësimet ndaj tij, e kuptova gjithashtu se për vlerësimin estetik të veprave të Moikomit duhet një optikë makroskopike dhe mikroskopike kulturore. Kam dëgjuar vlerësimet e larta të Dritëro Agollit për Moikom Zeqon dhe Florimontin në TV.
Edhe të tjerë janë shprehur lartësisht për të, por mungon një vështrim estetik i vërtetë dhe i thelluar.
Disa shkrime si ato të Frederik Rreshpes, Dritëro Agollit, Dhimitër Shuteriqit, Bedri Dedjes, Alfred Uçit, Ali Aliut, Anton Paplekës, Musa Vyshkës, Odise Grillos, Klara Kodrës, Kristo Zharkalliut, Leka Ndojës, Fatmir Mingulit, Josif Papagjonit etj., me të drejtë kanë ravijëzuar anë të veçanta të krijimtarisë së Moikomit.
Më ka bërë përshtypje një mendim i Skënder Drinit, i cili ka shkruar, se Moikomi mund të bëjë një sintezë si ajo midis stilit të Malrosë dhe të Prustit. Shumë esse dhe vështrime vlerësuese janë shkruar për Moikomin në Kosovë. Proza e Moikomit klasifikohet si postmoderniste dhe e ideve të reja të rrymës planetare New Age.
Unë mund të them, se proza e Moikomit nuk ngjan me prozën e askujt tjetër, në kuptimin që ai është një shkrimtar shqiptar, i njohur, por jo si emrat e disave, megjithëse as një çikë më pak origjinal, i rëndësishëm se ata.

***
Proza e Moikomit është një nga format më të çuditshme të palimpsestit, ku kulturat, qytetërimet, poetikat, idetë, përplasen dhe ndërthuren.

Kritiku i shquar Ali Aliu ka shkruar, se Zeqo nuk i ka sot për sot lexuesit që i takojnë, por ndoshta nesër do të ketë lexuesit më të shumtë. Por meqenëse unë jam një mik shumë i vjetër i Moikomit më takon të them diçka më të përgjithshme, më intime dhe klasifikuese për të. Moikomi që më 1970 “shpiku” një poezi të re. Kjo poezi krijoi një sistem sui generis të metaforave. Libri “Meduza e dashuruar mban syza Dielli” është një vepër avangarde. Poezia e Zeqos arriti disa kulme si me “Tempulli i Hënës”, “Zodiak”, “Nostradami në 3 qershor”, por dhe me “Syzet e thyera të Meduzës”. Dritëro Agolli e ka krahasuar sistemin figurativ të Zeqos të përafërt me atë të Majakovskit dhe të Georg Traklit për shkak të vizionit dhe padurimit kozmik të figurave. Por pas këtij rebelizmi heretik në poezi, Zeqo do të krijonte korpusin me format të madh për figurat e mëdha të kulturës kombëtare. Onufri i tij është më shumë se sa një emblemë.
Ai e botoi librin “Kështu foli Mona Liza” pesë vjet para librit bestseller “Kodi i Da Vinçit” të Dan Brown. Zeqo po e plotëson korpusin e tij enciklopedik me librat, që do të botojë së shpejti për Gjon Buzukun dhe Skënderbeun.
Ai ka krijuar rrymën që unë do ta quaja “Labirintizmi”, ku nuk humbet, por del në horizonte të hapura me dritë, duke mos qenë rob i territ. Gjerësia jo gjithmonë është thellësi. Kurse tek Moikomi ato pjellin njëra-tjetrën, ndihmojnë njëra-tjetrën dhe nuk lodhin njëra-tjetrën. Në këtë pikë Moikomi përkon me Pol Eluarin, në errësirën e të cilit veton drita.
Kultura e shumëfishtë e Moikomit nuk më jep aq ndjesinë e së kaluarës, se sa të së ardhmes. Ai na kthen mbrapsht duke na çuar vetëm përpara, në të gjitha kuptimet.
Arritja më e lartë dhe më e veçantë e Moikomit është konceptualiteti. Konceptualiteti i tij është vetë ai, i ndërlikuar dhe i thjeshtë, i qartë dhe metaforik, konkret dhe me abstraksione të mëdha. Por, sa i thjeshtë është ai në bisedë. E keni vënë re?

***

Moikomi njeri meriton më shumë vëmendje. Askush si ai nuk ka ndihmuar shokët dhe kolegët, në këtë pikë ai ngjan Pasternakun, i cili i cili i shkroi Stalinit për lirimin e Madelnshtamit nga burgu. Moikomi nuk e njeh fare ndjenjën e zilisë, nuk ka komplekse. I hapur, shoqëror, i pasur intelektualisht,  ai nuk kursehet për të tjerët, ndonëse shpesh e ka pësuar nga mosmirënjohja. Ndonjë talent i zbuluar, i ndihmuar dhe i rritur prej tij, kujton se mund ta harrojë që ka qenë Moikomi ai që,

«I ka dalluar atij kokrrën i pari/ Kur atë / S’e dallonte askush nga bari»,

 

Por asgjë nuk mund të harrohet. Moikomi njeri ka një jetë, që është jeta e një protagonisti, ka qenë i pranishëm dhe veprimtar qoftë në jetë, qoftë në art, dikur dhe në politikë. Morali i tij është një shëmbëlltyrë, një  ganxhë, ku mund të kapen të gjithë ata, që duken se do të rrëzohen. Nëse Moikomi nuk thyhet edhe shqiptarët e tjerë nuk kanë të drejtë që të thyhen.

***

Krijimtaria e Moikom Zeqos i ngjan një qyteti të madh, me mrekullira arkitekturash të kohërave të ndryshme, me sheshe, me kuaj dhe kalorës pellazgë, ilirë, florimontianë, skënderbejanë, me qerre të stilit barok, apo dhe mekanizma kozmike, të sofistikuara dhe të frikshme. Ky qytet i madh nuk mund të vdesë, as të kërcënohet nga tërmetet, mbi të nuk mund të bjerë pluhuri i harresës dhe indiferencës. Pesëmbëdhjetëkatshin, si pikë orientimi, adresimi dhe takimi për kryeqytetin, s’e ka eklipsuar asnjë nga pallatet vigane që popullojnë sot Kryeqytetin tonë. Mrekullitë nuk eklipsojnë njëra-tjetrën. Ato lindin dhe krijohen për t’iu shtuar pambarimisht njëra-tjetrës. Prandaj themi Shtatë mrekullitë e botës dhe jo një mrekulli e botës. Themi ullishta e Vlorës dhe jo ulliri i Vlorës…

***

Duke pasur parasysh thënien e Hugoit se «Komenti e prish poezinë, si vaji i tepërt që e shuan zjarrin»  nuk pozova specialistin, por  shënova disa ide dhe mendime për Moikom Zeqon, të cilin e njoh mirë, pa mëdyshje dhe në prova të vështira të karakterit prej 40 vitesh, kam vënë re se Moikomi aq sa nuk do të jetë skllav, po aq nuk do të jetë zotëri, kështu si Linkolni,  e kupton ai demokracinë.  Them se analizat dhe zbulimet më të imta, ideore, estetike do të jenë specialistët ata  që do t’í bëjnë në një kohë të ardhme. Unë vetëm artikulova ato gjëra, që mendoj për Moikomin duke riparë vazhdimisht në bibliotekën time librat e tij të rilexuara dhe të nënvizuar apo të mbushura me vizatime në pjesët e bardha, pa shkronja…

Dikush, pasi lexoi këtë shkrim  timin, më tha:-Vërtet  s’e keni vënë re që  Moikomi ka ndërruar mendim, nryshe mendonte dje  e krejt ndryshe mendon sot?

Abraham Linkolni se  «nuk vlen ai njeri që, sot, nuk është më i mençur se dje»

Filed Under: ESSE Tagged With: esse, Faslli Haliti, I BEFASIVE TË MËDHA, MOIKOM ZEQO - TALENTI

Letersi – “ETHET”, Poemth nga Faslli HALITI

October 5, 2016 by dgreca

    FASLLI HALITI NE SOFREN E DIELLIT”ETHET”/

1-faslli-haliti

 FASLLI HALITI/1-helidon

 AKUAREL NGA HELIDON HALITI(I biri i Faslli Halitit3-helidonhelidon-haliti2 2-helidon

            ETHET/ . poemthë /Rekujem për fushën dhe veten/

 Në çaste ethesh malarike/

Dridhesha, kërcisja/

Dhëmbët/

Ethet/

Kishin elektricitet të verdhë,/

Vinin si tufa grerash./

Digjej në ethe bari,/

Përvëlohej /

Tërfili/

Fushor,

Zbehte blerimin,

Zverdhej dhe balli im i gjorë.

O ç’malarje e verdhë,

O ç’dridhje trupi

Si n’eletroshok, 

O ç’malarje,

O ç’ethe,

O ç’dridhma,vibrime trupi, 

O ç’vibrime duarsh të verdha si gjethe …!  

***

Hahesha pasditëve me grerat e etheve

Që vinin  nga Tërbufi

Si cifla tunxhi

Dhe derdheshin mbi mua me furi,

Mizëri grerash

Mizëri,

Mizëri ..!

Mua

Më vibronte lëkura,

Më dridhej

Trupi,

 Kërcisnin    

Dhëmbët e mi  tepër sertë,

Fushës i thahej gjuha për një pikë shi, 

Fushës i zbardhej bari i bukur, dikur i blertë…  

Si motra që i lante të vëllait nëntë plagët 

(Me lot të bardhë motre)

Gjergj Elez Alisë

Natë edhe ditë,

Kështu dhe fusha,

Më rrinte mbi ballin që më digjej, 

Më vinte lecka e shkreta,

Lecka  

Me ujë

Dhe uthull 

Mbi ballin malarik

Natë

Edhe ditë,

Duke më shuar

Ethet e verdha ngjyrë zhabinë,

Që të më zbriste jermin,

Ethet malarike,

Zjarrminë,  

Edhe pse vetë ajo digjej,

I digjej shpirti për një fije blerim. 

***

 Myzeqe moj fushë,

Ti në blerim 

Dhe grunja

Harboje

Dikur, 

Kurse sot,  

Ne që të dy,

Ti dhe unë o fushë

Dergjemi në ethe, kllapi.

 

***

Në kohë malarike

Ti më qëndroje te koka mua myzeqarit,

Kur unë tretesha në kllapi malarike ngjyrë zhabinë,

Po ç’bëj unë myzeqari yt sot për ty

Fusha ime

Që të kisha

Ar ,

Flori,

Kur gjiri yt sot

Digjet për një pikë ujë kanali

Si  të jetë

Një Saharë,

Digjet për një fije  blerim e gjëra  

Digjet për një tufë me bar !

 1998- 2016

 

 

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Ethet-poemth, Faslli Haliti, Helidon Haliti-Akuarel

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 17
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT