• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

OPERACIONI I PARË I CIA-S KUNDËR KOMUNIZMIT

May 29, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Me 3 qershor del nga shtypi në Shtetet e Bashkuara dhe në Shqipëri libri i autorit shqiptaro-amerikan, Albert Lulushi mbi historinë e misionit të parë të Agjencisë Qendrore të Zbulimit Amerikan, CIA. Libri e ka titullin, “Operation Valuable Fiend” ose në shqip, “Operacioni Kundërshtari i Dobishëm.” Është ky një libër që përshkruan në hollësi përpjekjet amerikane për të përmbysur regjimin komunist të Shqipërisë, duke filluar nga viti 1949. Por më parë se të flasim për librin, pak informacion mbi autorin, Albert Lulushi. Ai ka lindur në Shqipëri dhe është larguar nga ai vend më 1990 dhe tani jeton në shtetin Virxhinia afër Washingtonit. Z. Lulushi ka bërë një karierë jashtzakonisht të suksesshme në fushën e teknologjisë së informacionit, duke punuar me ente të ndryshme të Qeverisë Federale dhe me firmat amerikane më të njohura të grupit të kompanive shumëkombëshme, që njihen si Fortune 500. Përveç librit, “Operacioni Kundërshtari i Dobishëm”, Albert Lulushi është autor i njohur i disa librave në fushën e teknologjisë së sistemeve të informacionit të cilat janë botuar nga shtëpitë botuese më të njohura në Amerikë. Më duhet të rrëfej se unë e kam njohur Albert Lulushin — për të cilin ruaj një respekt të posaçëm — pothuaj ç’prej ardhjes së tij në Amerikë në fillim të 90-ave, fillimisht në kapacitetin e tij si përkëthyes për zyrtarët më të lartë të Shteteve të Bashkuara, për pothuaj 20-vjetë. Si i tillë Albert Lulushi ka qenë dëshmitar i zhvillimit të marrëdhënjeve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë dhe me Kosovën. Andaj, si pjesëmarrrës në zhvillimin e këtyre marrëdhënjeve gjatë 20-viteve të fundit, interesimi i tij për historinë e marrëdhënjeve midis vendit të tij të adoptuar, Amerikës dhe vendlindjes së tij, Shqipërisë, është krejtësisht i natyrshëm dhe tepër i dobishëm, gjë që pasqyrohet në secilin kapitull të librit.
Libri me titull, “Operacioni Kundërshtari i Dobishëm” i autorit Albert Lulushi, në thelb përshkruan historinë e një operacioni qëllim mirë, por me plot probleme logjistike dhe personeli, mosmarrveshsesh e intrigash, i ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara në përpjekje për të përmbysur regjimin komunist në Shqipëri, por fatkeqsisht një mision ky i cili në fakt dështoi keq dhe në mënyrë të mjerueshme, sidomos për shumë prej atyre shqiptarëve që morën pjesë në planifikimin dhe në zbatimin e tij, duke e paguar edhe me jetën e vet dhe me një kosto të lartë për familjet e tyre.
Megjithëse me vite dhe dekada është debatuar dhe janë hedhur teza se si dhe pse dështoi operacioni i CIA-s në fillim të 1950-ave për rrëximin e regjimit komunist në Shqipëri – përfshirë këtu edhe versionin e propagandës së regjimit komunist shqiptar — studiuesi Albert Lulushi më në fund përmbledh të gjithë faktorët e shumtë, që sipas tij mund të kenë kontribuar në dështimin tragjik eventual të misionit. Një ndër faktorët që në të kaluarën i atribohej dështimit të misionit, ka qenë roli që thuhej se ka luajtur Kim Filbi, agjent i dyfishtë anglo-sovjetik. Një ndër mbështetsit e kësaj teze ka qenë edhe autori anglez Nicholas Bethel, i cili ka shkruar më 1984 se misionin amerikan që kishte për qëllim rrëximin komunist të Enver Hoxhës, e kishte sabotuar agjenti i dyfishtë Kim Filbi, me pretendimin se Filbi duke qenë në dijeni të planeve amerikane të operacionit, i kalonte informacionin Moskës dhe Moska nga ana tjetër informonte Tiranën. Albert Lulushi nuk hedhë poshtë krejtësisht këtë tezë, por minimizon rolin që mund të ketë luajtur Kim Filbi në dështimin e operacionit, duke thënë se agjenti Filbi ishte zbuluar tanimë si agjent sovjetik dhe si përfundim u detyrua të largohej nga Washingtoni në vitin 1951. Kështuqë autori argumenton, bazuar në dokumentacionin e deklasifikuar të CIA-s për operacionin e koduar “BGFIEND”, se dështimet më të mëdha të operacionit amerikan u shënuan pas largimit të Filbit nga detyra e tij në ambasadën britanike në Washington, dmth nga viti 1952 deri në vitin 1954, kur u ndalua operacioni, e për të cilin merret me mend se Filbi nuk kishte dijeni as informacion mbi hollësitë e planit dhe përgatitjet për infiltrim në Shqipëri, gjatë asaj periudhe.
Historia e këtij operacioni filloi pas prishjes së Stalinit me diktatorin komunist Tito të Jugosllavisë në vitin 1948. CIA, e cila posa ishte themeluar, kishte marrë përsipër detyrën për të zmbrapsur komunizmin në Europn Lindore dhe në bashkpunim me shërbimin sekret britanik vendosën të bëjnë planet për operacionin e parë para-ushtarak në historinë e kësaj agjencie, në Shqipëri. Si përfundim i prishjes jugosllave–sovjetike, Shqipëria komuniste ishte në një qorrsokak dhe konsiderohej si një vend i përshtatëshëm për të bërë përpjekjet e para për të minuar komunizmin, duke filluar kështu me regjimin e Enver Hoxhës, ndoshta edhe duke pasë parasyshë Shqipërinë si një vend jo sllav në sferën komuniste sllave, që ndoshta mund të shkëputej nga sfera komuniste dhe të bëhej si shëmbull se regjimet komuniste mund të përmbyseshin në Europë. Agjencia CIA e filloi këtë mision para-ushtarak me rekrutimin e imigrantëve vullnetarë shqiptarë të arratisur nga komunizmi, të cilët ishin vendosur në kampe refugjatësh në Europë. Pasi rekrutoheshin, ata dërgoheshin për trajnim dhe pas disa javë përgatitjesh, grupe të vogëla hidheshin si parashutistë në Shqipëri me qëllim për të minuar regjimin e Enver Hoxhës. Sipas Z. Lulushi, në teori plani ishte i përgatitur mirë, por kur erdhi puna tek zbatimi i tij logjistik, megjithë qëllimet e mira të planifiukuesve si Z. Frank Wisner, operacioni lente shumë për tu dëshiruar, gjë që më në fund çoi në dështimin e kësaj nisme.
Autori Lulushi, në librin e parë mbi këtë subjekt të rëndësishëm si për publikun amerikan ashtu edhe për publikun shqiptar, por njëkohësisht mund të thuhet edhe për historinë e marrëdhënjeve shqiptaro-amerikane, i paraqet lexuesit të vërtetën në të cilën ai ka patur mundësi të arrijë mbi operacionin e CIA-s në Shqipëri, duke u bazuar në qindra dokumenta të CIA-s që janë deklasifikuar deri tani, memoare, si dhe në kujtimet e pjesëmarrsve dhe protagonistëve kryesorë të operacionit, siç është Z. Frank Wisner, i cili mbetet ende shumë i interesuar në çështjet shqiptare. Albert Lulushi paraqet pikëpamjet e ndryshme dhe faktorë që kanë luajtur rol mbi këtë operacion si dhe ofron për lexuesin faktet që ai i ka zbuluar nga vet pjesëmarrsit, si dhe nga burimet amerikane mbi këtë operacion, burime të cilat nuk përputhen gjithmonë me propagandën komuniste të kohës që e trumpetonte dështimin e këtij operacioni si fitore të saj.
Autori radhitë një numër faktorësh që ai thotë se kontribuan në dështimin e operacionit për të përmbysur regjimin brutal të Enver Hoxhës. Ndër të tjera ai fajëson edhe degë të ndryshme të CIA-s dhe shërbimet e tjera mike, siç ishte shërbimi i fshehtë britanik, për mungesë bashkpunimi midis tyre. Por, përveç kësaj, dhe mbi të gjitha, Lulushi shkruan se një pjesë e madhe e dështimit të operacionit mund t’i kushtohet konflikteve dhe mosmarrveshjeve midis fraksioneve anti-komuniste shqiptare të pas Luftës së Dytë Botërore, të cilat sipas autorit, nuk kishin asgjë të përbashkët midis tyre, përveç urrejtjes që kishin për Enver Hoxhën. Libri i Albert Lulushit, “Operation Valuable Fiend” ose në shqip, “Operacioni Kundërshtari i Dobishëm”, është një përmbledhje e re faktesh e dokumentacioni dhe si e tillë bindëse për hir të fakteve që paraqet për operacionin e parë anti-komunist të CIA-s në Shqipëri. Z. Lulushi paraqet dilemat e ndërlikuara të zhvillimeve dhe planeve politike dhe ushtarake me të cilat përballeshin planifikuesit e këtij operacioni dhe ve në dukje ndasitë, përçarjet dhe mosmarrveshjet në radhët e grupeve kryesore anti-komuniste të kohës në lidhje me operacionin si dhe mbi të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Andaj, duke marrë parasyshë edhe gjëndjen e sotëme politike kudo në trojet shqiptare, libri i Albert Lulushit, përveç rëndësisë historike të tij, përmban një mesazh të rëndësishëm edhe për politikën e sotëme shqiptare. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, duke iu përgjigjur pyetjes se përveç vlerave historike që ka libri, cili është mesazhi për shoqërinë dhe politikën e sotëme shqiptare tashmë demokratike, autori Lulushi ka thënë: “Një aspekt që mendoj se libri ka vlerë është se e tregon historinë në mënyrë faktike duke u bazuar në dokumente pa influenca subjektive të pikëpamjeve të ndryshme. Por edhe një mësim tjetër që mund ta shikojmë në një shkallë më të lartë është se, për mendimin tim, një nga arsyet pse operacioni dështoj ishte se forcat antikomuniste shqiptare nuk arritën të bashkoheshin në një front unik ashtu siç nuk u bashkuan gjatë luftës edhe pas luftës ata vazhduan që të ishin të përçarë dhe të luftonin me njëri-tjetrit. Po të shikosh për shembull në vitin 1999 kur kishim konfliktin në Kosovë, edhe pse kishin divergjenca midis tyre, forcat politike shqiptare paraqitën një front të bashkuar, dhe patën sukses. Si një mësim, për shembull, për palët në politikë sot, si në Kosovë edhe në Shqipëri, sidoqë mund të ketë divergjenca brenda për brenda, për sa i përket aspektit ndërkombëtar, aspektit të avancimit të çështjes së kombit shqiptar në bashkësinë ndërkombëtare, duhet të ekzistojë në front i bashkuar,” ka thënë studiuesi Albert Lulushi, për Zërin e Amerikës.
Është ky një mesazh domethënës i një libri me rëndësi pra për të kuptuar më mirë të kaluarën por edhe një mësim për të ardhmen. “Është një libër i mirë-dokumentuar mbi njërën prej operacioneve më pak të njohura dhe më të keq-kuptuara të Luftës së Ftohtë. Është një tregim interesant dhe i shkruar shumë mirë, megjithëse është një tregim shkurajues dhe demoralizues”, kur merr parasyshë mos-realizimin e objektivave të caktuara të operacionit, ka vlerësuar librin e Albert Lulushit, Ambasadori Frank Wisner njëri prej protagonistëve dhe planifikeusve kryesorë të operacionit.
“Operation Valuable Fiend” ose në shqip, “Operacioni Kundërshtari i Dobishëm”, i autorit Lulushi, përshkruan një operacion që u ndërmor për arsye dhe qëllime të drejta, por ndoshta një mision që u ndërmor nën rrethana të papërshtatshme dhe me mënyra të gabuara, të cilat përfunduan në dsëhtimin e tij. Zoti Lulushi i sjellë lexuesit amerikan dhe atij shqiptar një vepër të rëndësishme, mbi një ngjarje me rëndësi historike, që deri më tani nuk ka tërhequr ndonjë vëmëndje të madhe nga studiues seriozë, duke kontribuar në këtë mënyrë në një kuptim më të mirë të operacionit dhe të qëllimeve të tija dhe duke hedhur dritë mbi një periudhë të historisë së marrëdhënjeve amerikano-shqiptare, për të cilën deri më tani nuk dihet shumë.

Filed Under: Histori Tagged With: Albert Lulushi, Frank shkreli, OPERACIONI I PARË I CIA-S KUNDËR KOMUNIZMIT

CILI DUHET TË JETË IMAZHI I SHQIPËRISË?

May 27, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Javën që kaloi Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe nën-Kryeministri në largim i Kosovës dhe njëherazi kryetar i Partisë AKR-së, Behgjet Pacolli vizituan Kazakistanin për të biseduar, siç thanë ata, mbi përspektiva të reja investimesh në Shqipëri. Në njoftimet u tha se udhëheqsit shqiptarë u pritën mirë në Kazakistan, siç duket falë faktit se Behgjet Pacolli, i cili e shoqëroi Kryeministrin Rama në atë vizitë, ka lidhje dhe interesa biznesi me atë vend.
Është normale që Shqipëria dhe Kosova përpiqen që të tërheqin sa më shumë investime të huaja, por ky shkrim i shkurtër e modest nuk ka të bëjë me mundësitë ose jo të investimeve kazake ose të ndonjë vendi tjetër, në Shqipëri dhe në Kosovë. Por me diçka tjetër që më ran në sy nga kjo vizitë. Në faqet e facebook të Behgjet Pacolit dhe Edi Ramës, sipas njoftimeve edhe në media, Presidenti i Kazakistanit, Nursultan Nazarbajev – gjatë bisedimeve me presidentin kazak i cili siç duket nuk ishte i kënaqur me imazhin e Shqipërisë në botë, e këshilloi Kryeministrin Rama që të përmirësojë imazhin e vendit duke përdorur figurën e Gjergj Kastritotit -Skënderbe për një imazh më të mirë për kombit shqiptar në botë. Sipas Behgjet Pacollit, i cili mori pjesë në takimet e delegacionit shqiptar me udhëheqsit kazakë, Presidenti Nazarbajev i tha Edi Ramës tekstualisht se, “Ju duhet ta përdorni figurën e jashtëzakonshme të Skënderbeut në imazhin tuaj kombëtar”. Interesant është fakti se asnjë prej pjesëmarrëseve në atë takim me udhëheqsin kazak, nuk njofton në rrjetët e tyre sociale se cili ishte reagimi i delegacionit shqiptar, përfshirë edhe Kryeministrin Rama. A e falenderuan Nazarbajevin për këtë koment për njohjen e meritave të heroit komëta të Shqiptarëve? A u ndjenë përfaqsuesit shqiptarë krenarë me vlerësimin e Skënderbeut nga një udhëheqës i Azisë Qëndrore?
Fatkeqsisht, ky moment nga vizita në Kazakistan zotërinjve Rama dhe Pacolli pasqyron edhe njeherë faktin se Shqipëria ka një problem serioz me imazhin e saj, dhe kjo jo vetëm në botën perëndimore, por ja tani edhe një despot i Azisë Qendrore ka konstatuar se diçka nuk është në rregull me imazhin e Shqipërisë në botë. Dhe për të përmirësuar imazhin e Shqipërisë, Nazarbajev u sugjeroi shqiptarëve, që të përdorin “figurën e jashtzakonshme të Skënderbeut” për të promovuar një imazh pozitiv në botë për kombin shqiptar. Gati sikurë Nazarbajev u tha, eh ta kishim ne këtë figurë të jashtzakonshme…..sa krenarë do të ishim ne me të.
A ra në veshë të shurdhë ky vlerësim dhe ky sugjerim, ndërsa kohët e fundit po zhvillohet një debat i ashpër politik me fjalë dhe po pasqyrohet me vepra mbi imazhin e Shqipërisë në botë i shoqëruar edhe nga dukuri të portretit të diktatorit Enver Hoxha, përveç problemeve shoqërore, përfshirë korrupsionin dhe grindjet politike, të cilat definitivisht nuk ndihmojnë në promoovimin e një imazhi pozitiv për vendin. Atëherë nëqoftse ky imazh duhet të ndryshojë, siç sugjeroi kohët e fundit edhe presidenti kazak Nazarbajev, cila duhet të jetë rruga që duhet ndjekur, ajo e mburrje me portretin e Enver Hoxhës apo rruga e Gjergj Kastriotit – Skënderbe. A duhet ndjekur Flamuri i Gjergj Kastriotit, ai Flamur i Lirisë, i Nderit, i Burrërisë dhe i Besës, i Besëlidhjes së Lezhës dhe i Lidhjes së Prizrenit? Dhe a do zgjidhë klasa e sotëme politike, rrugën e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, që Papa Pali i VI e pat quajtur, “Të Gjithmonshim e fisit tuaj, i cili gjithëherë mbi çdo interes ka venë vlerat e trashëguara të besës, nderit e të burrërisë….Këto virtyte, Gjergj Kastrioti ua ka lënë në rojë e trashëgim të shënjtë në Atdhe dhe në mërgim”, përfundoi Papa Pali i VI në mesazhin e tij drejtuar kombit shqiptar, me rastin e 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit, në Romë me 25 Prill 1968. A është kjo trashëgimi, a po klasa e sotëme politike, për interesa të ngushta vetjake, partiake e financiare — siç është venë në dukje kohët e fundit — do të vazhdojë t’i mbetet besnike një trashëgime të një diktatori komunist dhe të një ideologjie të huaj që ai i imponoi vendit të vet, dhe e cila i ka kushtuar rëndë dhe vazhdon gjithnjë të rëndojë mbi imazhin e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar?
Andaj, a do të ndërtohet Shqipëria e re pas komuniste në bazë të karakterit, moralit dhe të cilësive burrërore të Gjergj Kastriotit Skendërbe, apo duke u bazuar në rrugën dhe në trashëgiminë e Enver Hoxhës? Megjithëse është turp të bëhet krahasimi, por zhvillimet e fundit në Shqipëri, detyrojnë të bëhet pyetja se cilën rrugë dëshiron Shqipëria — madje edhe pothuaj një çerek shekulli pas rënjes së komunizmit — sepse duket se e ka humbur rrugën ose të pakën nuk e ka gjetur drejtimin e përcaktuar nga Gjergj Kastrioti, krenarisë së kombit, i cili bashkoi princat e Arbërit si asnjëherë më parë dhe më pas në një unitet moral kombëtar e shpirtëror, duke i bërë të gjithë krenarë dhe të ndjeheshin anëtarë të një sofre të përbashkët. Kjo është trashëgimia që duhet të mprohet dhe të jetohet nga të gjithë dhe jo trashëgimia e përçarjeve.
Unë jam dakort me Nazarbajevin e Kazakistanit — megjithëse si despot që është nuk kam aspak respekt për të pasi si një udhëheqës diktator ndonëse jo në nivelin enevrist – ai është më afër Enver Hoxhës dhe nuk ka asgjë të përbashkët me Gjergj Kastriotin Skëndrebe — që Shqipëria dhe kombi shqiptar, nëqoftse me të vërtetë dëshirojnë të përmirësojnë imazhin e vet në botë, atëherë, siç tha ai,“Ju duhet ta përdorni figurën e jashtëzakonshme të Skënderbeut në imazhin tuaj kombëtar”.

Në faqën e facebook të Kreministrit Rama vihet re promovimi i një ideje të re “origjinale”, “Ndiq rrugën tënde”, ku ndër të tjera ftohen qytetarët që të ndikojnë me idetë e tyre për një “qeverisje moderne dhe europiane në Shqipëri”, ashtuqë, sipas njoftimit, të jenë pikërisht ata, të cilët “do të përvijojnë Shqipërinë e së ardhmes”. Sugjerimi im është që si fillim, mos u largoni por rrini afër bazës morale dhe interesave madhore të kombit shqiptar të përcaktuara nga heroi i vërtetë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbe dhe mos e bazoni të ardhmen e vendit në trashgiminë e heronjëve të rrëjshëm. Kjo do t’u bëjë ju një brez krenar, burim shpresash për liri e bashkim kombëtar — bazuar në trashëgiminë morale, shpirtërore dhe kombëtare të heroit të vërtetë kombëtar të të gjithë shqiptarëve dhe i të gjitha kohërave –Gjergj Kastriotit — për të cilin ka lakmi bota.
Andaj kontributi im ndaj idesë së fushatës së hedhur në facebook-un e Kryeministrit Rama, “Ndiq Rrugën Tënde’’ dhe në përputhje me sugjerimin që vjen nga Azia Qendrore — është që nëqoftse me të vërtetë dëshironi përmirësimin e imazhit të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar në botë — atëherë merrni parasyshë seriozisht sugjerimin e presidentit kazak, Nazarbajev dhe “përdorni figurën e jashtëzakonshme të Skënderbeut në imazhin tuaj kombëtar”, të këtij çlirimtari të kombit dhe mbrojtsit të Europës dhe jo portretet dhe imazhet e diktatorit Enver Hoxha. Kjo është e vetmja rrugë për të gjithë Shqiptarët kudo dhe në këtë rrugë, me qëllim dhe vullnet të mirë si dhe me dashuri dhe bashkim me njëri tjetrin, sipas vet Skënderbeut, ”Perëndia, si gjithnjë edhe paskëtaj do të na ndihmojë dhe do të na nxjerrë faqebardhë.”

Filed Under: Analiza Tagged With: CILI, DUHET TË JETË IMAZHI, Frank shkreli, i Shqiperise

PO AFROHET QERSHORI…..

May 22, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
….Kurë Bashkimi Europian (BE) do të marrë vendimin për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Thuhet se rruga është e qartë. Thuhet gjithashtu se Shqipëria gjatë viteve të fundit ka bërë përparim dhe ka ndërmarrë reforma që janë kusht i anëtarsimit në BE. Udhëheqsit shqiptarë, të pozitës dhe opozitës, deklarojnë në intervista dhe deklarata të ndryshme se janë në favor të antarësimit të Shqipërisë në BE, dhe nga çdo takim me udhëheqës të ndryshëm europianë, dalin duke thënë me entuziazëm se morën mbështetjen e tyre për antarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ndërsa udhëheqsit europianë gjithnjë këmbëngulin se po ata absolutisht janë në favor të antarësimit të Shiqpërisë në BE, por shtojnë se topi është në fushën e klasës politike shqiptare dhe se vetëm ajo mund të zgjidhë problemet dhe sfidat dhe të ndërmarrë reformat e identifikuara nga BE. Ndër kryesoret, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformat e gjyqësorit dhe në ato në administratë, si dhe çështja e pronës por edhe e të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat të ish-të-përndjekurve politikë në përputhje me vendet e tjera ish-komuniste, tani anëtare të BE-së. Por mbi të gjitha, sipas Bashkimit Europian, pengesa kryesore vazhdon të jetë mungesa e një dialogu të qytetëruar midis pozitës dhe opozitës, gjë që vihet re në çdo diskutim midis dy palëve – sidomos kjo mungesë dialogu të qytetëruar është venë re dhe është dëshmuar në të gjitha seancat e Kuvendit shqiptar të periudhës post komuniste. Gjatë viteve, Bashkimi Europian nepërmjet përfaqsuesve të tij i ka bërë thirrje klasës politike shqiptare që të heqë dorë nga atmosfera “aktuale politike konfrontuese” dhe që si qeveria ashtu edhe opozita të sigurojnë që “procesi (i integrimit europian) të mos dalë nga udha”.
Tani, përballë gjithë kësaj historie lindë pyetja se a është me të vërtetë kjo klasë politike serioze dhe e interesuar për antarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian? E duan të gjithë statusin e vendit kandidat në Qershor, apo vetëm kanë “fjalët e mira e gurët në strajcë”, duke mos qenë të sinqertë me të huajtë, por mbi të gjitha, duke mos qenë të sinqertë as me popullin e vet?
A ekziston dëshira dhe vullneti i tyre për të parë vendin e vet në një rrugë të mbarë pjekurie politike dhe zhvillimi ekonomik modern, bazuar në drejtësi shoqërore? A kanë politikanët shqiptarë ndjesi të mjaftueshme atdhedashurie që këtë dëshirë dhe ëndërrën shekullore të Kombit shqiptar – që Ai më në fund të zëjë vendin që i takon në radhët e kombeve europiane – ta këthej në një vrull të vendosur veprimtarie dhe bashkpunimi politik, për realizimin e kësaj ëndërre?
Nëqoftëse antarësimi i Shqipërisë në këtë periudhë të historisë së kombit, është një prioritet kombëtar, ashtu siç kanë deklaruar shpesh të gjitha palët politike në Shqipëri, dhe nëqoftse sa për sy e faqe, ekziston një konsensus kombëtar për arritjen e këtij objektivi madhor, a ekziston me të vërtetë baza morale shoqërore dhe vullneti politik, mbi interesat personale politike dhe partiake, për të kurorëzuar më në fund këtë vepër të interesit kombëtar dhe si e tillë vepër atdhedashurie?
Sot flitet shumë se cilët janë heronjtë e vërtetë të kombit shqiptar të cilët duhet të adhurohen, e cilët janë heronjtë e rrejshëm të kombit të këtyre 100-viteve kaluara. Cilëve duhet tu ndërtohet përmendore e cilëve duhet tu prishet përmendorja. Ky çast historik ka nevojë për heronjë të vërtetë. Jo heronjë të luftës e të pushkës. Sepse nuk nevojitet që të bëhesh hero në luftë, sepse sot fatbardhsisht kombi nuk përballet me luftë. Por ama ka nevojë për guxim, atdhedashuri dhe trimëri të njëjtë si në luftë. Por ky mund të jetë momenti i juaj historik – i të gjithë klasës politike – i vlerësimit të punës të të gjitha palëve, sipas BE, nëse me të vërtetë e dëshironi antarësimin në BE si një objektiv i interesit kombëtar. Po të dëshironi të bëheni heronjë modernë të kombit shqiptar, duhet që në këtë çast të historisë të leni mënjanë grindjet politike dhe të përjetësoni veten në historinë e sotëme dhe të ardhëshme të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar. Ndërtoni vetes një përmendore! Kryeni këtë vepër madhore. Bëni lavdi vetes, Shqipërisë dhe rilindasve të vërtetë të Kombit. Bënje kombin shqiptar pjesë të Europës dhe mos e lini atë mbi kapërcyell, midis influencave sllavo-ruse e turko-greke, të destinuar si peshk moçalesh në ujrat e turbullëta politike të Ballkanit. Mos e lejoni këtë! Është në duartë tuaja.
Kombi shqiptar, si asnjëherë në historinë e vet, ndodhet sot në prag të një shpërthimi pozitiv të shqiptarizmit, të një vetëdijeje dhe të mundësive të vërteta për të shpërthyer si asnjëherë më parë dhe për të kapërcyer shekujt dhe dekadat e errëta të ideologjive të huaja që donin t’ia shtryllnin jetën dhe t’ia merrnin frymën historisë dhe trashëgimeve të arbërit dhe ta zhduknin kombin shqiptar nga faqja e dheut. Doni e s’doni — me vullnet ose pas vullnet — ju klasa politike e sotëme, aty në atë karrigë u ka venë zgjedhësi shqiptar dhe historia — prandaj ju jeni protagonistët e historisë kombëtare sot, ju jeni ata që e kini në dorën tuaj t’i hapni kombit shtigje dhe fate të reja.
25 vjet pas rënjes ssë komunizmit, duhet të ketë perënduar koha e grindjeve politike dhe e interesave të cekëta politike e partiake. Ka ardhur koha e veprimit dhe e bashkpunimit për të bërë të mundur dhënjen e statusit të vendit kandidat, të antarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Mos lejoni që të përendojë dielli shqiptar në lindje. Kaloni kapërcellin dhe zhdukni kufijtë dhe muret që gjithmonë e kanë ndarë kombin shqiptar nga Europa dhe nga Perëndimi.
Siç u tha më lartë, Bashkimi Europian vazhdimisht, si kusht thelbësor ka bërë thirrje për zhdukjen e “Klimës aktuale politike konfrontuese, e cila minon arritjet e deritanishme të Shqipërisë.” Edhe njëherë, “Ju, qeveria dhe opozita bashkë, duhet që sipas BE-së “të siguroni që procesi të mos dalë nga udha.” Ky ka qenë dhe vazhdon të jetë edhe qëndrimi dhe mesazhi i zyrtarëve të Shteteve të Bashkaura në deklaratat e tyre dhe në takimet që ata kanë zhvilluar dhe zhvillojnë me zyrtarët më të lartë të shqiptarë. Njëherazi kjo është edhe dëshira e madhe e shqiptarëve kudo në diasporë të përhapur në të gjitha kontinentet, por sidomos është dëshirë e madhe e komunitetit shqiptaro-amerikan. Ata duan ta shohin Shqipërinë, Kosovën dhe kombin shqiptar që të zhvillohet në nivelet më të larta të qytetërimit dhe të zhvillimit ekonomik këmbë për këmbë me kombte e tjera në Europë. Dëshirojnë ta shohin kombin shqiptar — për të cilin zemëra nuk u pushon kurrë së rrahuri – sa më shpejt të integruar në organizmat euro-atlantike. Shpresojmë që të mos jetë vonë. Shpresojmë që Qershori të sjellë lajme të mira për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, Po afrohetqershori

DREJTËSI PËR GRATË E DHUNUARA GJATË LUFTËS NË KOSOVË

May 20, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Të martën më 20 Maj, 2014, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga kryesoi mbledhjen e dytë të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë luftës së Kosovës. Takimi inaugurues i këtij Këshilli u mbajt Marsin që kaloi gjatë të cilit u përcaktuan detyrimet dhe angazhimet e pjesëmarrësve të institucioneve qeveritare dhe jo-qeveritare për të ndihmuar dhe për të mbështetur njërën prej kategorive më të ndjeshme të viktimave të luftës në Kosovë. Është ky, më në fund, një angazhim i shtetit dhe i institucioneve të Kosovës, i cili duke marrë parasyshë seriozitetin e këtij krimi çnjerëzor e barbar, duhej të trajtohej në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, shumë vite më parë. Por siç tha edhe Presidentja Jahjaga gjatë takimit të posaçëm të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë luftës në Kosovë, ky angazhim i ri i institucioneve dhe i shoqërisë civile u bë i mundur si përfundim i miratimit nga Kuvendi i Kosovës , Marsin që kaloi, të projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre.
Por megjithëse kanë kaluar 15 vjet nga mbarimi I luftës, më në fund të pakën po bisedohet për këto krime dhe siç thotë fjala e vjetër, më mirë vonë se kurrë. Natyrisht se shteti dhe shoqëria kanë obligimet kryesore ndaj kësaj kategorie të viktimave të luftës. Dhe si rrjedhim nevojitet angazhimi i intitucioneve shtetërore, që siç tha edhe Presidentja e Kosovës Jahajaga, për të zhdukur tabutë dhe njëkohësisht e doemosdoshëme është njohja e këtij krimi të fshehur të luftës duke dërguar — nga nivelet më të larta, “një mesazh të qartë tek secila viktimë se ato nuk janë të vetme dhe që ne, si institucione dhe si përfaqësues të shoqërisë, do të përmbushim obligimet tona për t’ju ofruar atyre, në radhë të parë, njohjen ligjore dhe më pas qasjen në shërbimet e nevojshme psiko-sociale, ekonomike dhe shëndetësore, me synim rehabilitimin, dhe ri-integrimin e tyre në shoqëri.”
Përveç kësaj, shteti i Kosovës në bashkpunim me vendet mike dhe me organizatat ndërkombëtare duhet të marri hapa të menjëherëshëm, edhe në nivel ndërkombëtar, që dhuna seksuale të trajtohet si një krim lufte dhe si përfundim, të kërkohet drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës. Këtë angazhim të institucioneve të Kosovës për të kërkuar drejtësi ndërkombëtare për gratë e dhunuara, në të vërtetë, e vuri në dukje edhe Zëvendës Kryeministrja në detyrë Edita Tahiri, gjatë një bisede shoqërore që pata me të në New York para dy javësh, e cila siç duket, për këtë nismë ka siguruar edhe mbështetjen e disa ish-deputeteve të Kosovës, përfshirë edhe Ministren e Integrimit në detyrë, Vlora Çitaku. Gjatë takimit të parë të kësaj nisme të grave përfaqsuese të politikës së Kosovës, javën që kaloi (shih foton më poshtë), Edita Tahiri tha se nisma ka për qëllim të bind Organizatën e Kombeve të Bashkuara që të përgatisin një raport zyrtar, i cili sipas saj, do të “vendosë drejtësinë për femërat e dhunuara gjatë luftës në Kosovë, si dhe për këtë tragjedi lufte, për krimet dhe gjenocidin që Serbia dhe forcat serbe kanë bërë gjatë luftës në Kosovë.” As Kombet e Bashkuara, as vetë Kosova dhe as organizata të tjera nuk kanë botuar ndonjë raport mbi numërin përfundimtar në lidhje me viktimat e dhunës seksuale kundër grave dhe vajzave gjatë luftës së Kosovë, as për përgjegjësit e këtyre krimeve. Me përjashtim të në një raporti të organizatës Human Rights Watch me qëndër në New York, mbi dhunën seksuale të kryer nga forcat serbe në Kosovë. Në atë raport thuhet se përgjegjësia për këto krime lufte bie mbi krejtësisht mbi shpatullat e oficerëve dhe komandantëve të forcave ushtarake dhe policiore të Serbisë. Raporti i botuar në vitin 2000 thekson gjithashtu se dhuna seksuale në Kosovë nuk ishte as e rradhë dhe as e izoluar, por përdorej me qëllim si një instrument lufte për të terrorizuar popullatën civile shqiptare. “Këto nuk janë incidente të rastit të kryera nga disa njerëz të çmendur. Dhuna seksuale është përdorur si instrument lufte dhe duhet të dënohet si i tillë. Këta individë që kanë kryer këto krime të tmerrshme duhet që patjetër të sillen para drejtësisë”, ka thënë Regan Ralph , drejtori ekzekutiv i degës mbi të drejtat e grave pranë Human Rights Watch.
Ndërkaq, shkurtin që kaloi, Sekretari britanik i punëve të jashtëme, William Hague ka njoftuar mbajtjen e një konference të nivelit të lartë kundër dhunës seksuale si instrument lufte — konferencë kjo që do mbahet më 10-13 Qershor në Londër dhe në të cilën do të marrin pjesë përfaqsues nga 140-vende. Gjatë një fjalimi në Washington, shkurtin që kaloi duke njoftuar mbajtjen e kësaj mbledhjeje, Z. Hague ka thënë se nuk është një gjë e zakonshme që një burrë politikan të flasë mbi çështje të dhunës seksuale, por ai theksoi se, “dhuna dhe krimet seksuale janë kryesisht akte dhe krime të meshkujve kundër femrave dhe fakti se ato kanë ndodhur kur bota nuk bëri asgjë për t’i ndaluar ato krime, duhet të turpërojë, në radhë të parë, të gjithë burrat”kudo. Në të vërtetë — nënvijoi Sekretari britanik i punëve të jashtëme — injorimi i këtyre krimeve sikurë ato kinse nuk kanë ndodhur, është në vetvete diçka që nuk është burrërore. Nëqoftëse femrat gjithnjë trajtohen me këtë urrejtje të tmershme dhe barbare në kohë lufte, ato nuk do të trajtohen si të barabarta as në kohë paqeje, ka thënë mes tjerash dhe me të drejtë zyrtari i lartë britanik.
Presidentja Jahjaga njoftoi të martën në takimin e Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë luftës së Kosovës se Republika e Kosovës do të marrë pjesë në mbledhjen e nivelit të lartë në Londër mbi dhunën seksuale në kohë lufte, konferencë e cila do të bashk-kryesohet nga Sekretari britanik i punëve të jashtëme dhe aktorja amerikane Angelina Jolie. Presdientja e Kosovës tha gjithashtu se si pjesëmarrëse në këtë tubim, në emër të grave të dhunuara, Republika e Kosovës do të japë kontributin e vet në përpilimin e marrveshjeve ndërkombëtare për të evidentuar dokumentacionin mbi krimet e dhunës seksuale kundër femrave gjatë luftës në Kosovë dhe njëkohësisht do të ofrojë prëvojën e vet në këtë fushë, në mbështetje të përpjekjeve ndërkombëtare për të sjellur para drejtësisë të gjithë ata që kanë kryer këto krime kundër njerëzimit.
Mirëpo, për realizimin e këtij objektivi, është i nevojshëm angazhimi kombëtar, i jo vetëm grave politikane të Kosovës, por edhe i të gjithë burrave, me qëllim “për të thyer heshtjen që ka mbizotëruar mbrenda dhe jashtë vendit”, mbi këtë çështje. Këto janë krime të cilat përbëjnë shkelje flagrante të konventave të Gjenevës mbi torturat dhe të ligjeve të luftës dhe si të tilla përbëjnë gjenocid dhe janë krime kundër njerëzimit. Njohja e këtyre krimeve çnjerëzore si krime lufte si dhe angazhimi i shtetit të Kosovës në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar për të njohur me ligj statusin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, rritë sadopak shpresat se kriminelët serbë të këtyre akteve barbare do të sillen eventualisht para gjyqit. As më pak as më shumë — kjo është drejtësia që më të drejtë kërkojnë viktimat e dhunës seksuale të luftës së Kosovës, drejtësi kjo që u është mohuar atyre për 15-vjetë dhe të cilën ua ka borxh jo vetëm shteti dhe shoqëria, por edhe bota, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara dhe orgnaizata të tjera ndërkombëtare.

Ne Foto: Nga takimi i Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë luftës së Kosovës.

Filed Under: Analiza Tagged With: DREJTËSI PËR GRATË, E DHUNUARA GJA.TË LUFTËS, Frank shkreli, ne Kosove

TEQEJA BEKTASHIANE NË AMERIKË- NDERI I KOMBIT-FESTON 60-VJETORIN E THEMELIMIT

May 14, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
“Dyertë e Teqeve Bektashiane janë gjithmonë të hapura për të gjithë njerëzit, Shqiptarë dhe të huaj, pa marrë parasyshë fenë, origjinën, ngjyrën, racën ose klasën shoqërore të tyre. ‘Shtëpia e Haxhi Bektashit’ është shtëpia e të gjithëve’, ka thënë Naim Frashëri. Kjo është tradita që ndiqet nga Teqeja jonë, e cila i mban dyertë e hapura për të gjithë. Dhe duke ndjekur rrugën e Haxhi Bektashit, ajo gjithmonë predikon paqën, dashurinë dhe vëllazërimin midis të gjithë Shqiptarëve dhe me të gjithë njerëzit.” Baba Rexhebi
Testament ky shumë domethënës fetar, atdhetar dhe njerëzor, sidomos për botën e sotëme të ndarë dhe të përçarë nga pikpamjet e ndryshme politike dhe fetare. Këtë mesazh, Teqeja Bektashiane në shtetin Michigan të Shteteve të Bashkuara e ka jetuar dhe zbatuar për të gjithë ata që kanë dashur dhe duan ta shohin. Ky mesazh, në të vërtetë, nuk nevojitë ndonjë koment shtesë pasi është i mjaftueshëm dhe flet vet dhe në këtë 60-vjetor — shpreh filozofinë dhe nënvijon veprat e Bektashizmit bazuar në paqë e dashuri, në radhë të parë midis të gjithë Shqiptarëve pa dallim, por edhe midis njerëzve kudo në botë. Për 60-vjetë tani, Teqeja Bektashiane — e themeluar nga i mirënjohuri për komunitetin shqiptaro-amerikan por edhe më gjërë — i përndershmi Baba Rexhebi, ka shëndritë si një hyllë drite e pajtimi midis shqiptarëve dhe ka qenë kurdoherë e hapur për të gjithë shqiptarët pa dallim. Kjo nuk ishte një qëndër vetëm për Bektashinjtë ose për Myslimanët, por ajo si një Qendër e jetës fetare dhe kulturore të të gjithë shqiptarëve në Amerikë, frekventohet nga shqiptarët e të gjitha besimeve, nga individë si dhe udhëheqës fetarë të Kishave Katolike dhe Ortodokse shqiptare, të cilët priten dhe përcillen si mysafirë nderi dhe si vëllëzër të një gjaku. Veprimtaria dhe bashkpunimi prej dekadash, midis qendrave fetare shqiptare dhe udhëheqsve të tyre në Amerikë, përfshirë edhe Teqenë Bektashiane, kanë qenë një frymëzim për të gjithë, duke treguar se feja dhe kultura vetëm mund të fisnikërojnë shoqërinë dhe jo t’a dëmtojnë.
Në këtë frymë, Teqeja Bektashiane Shqiptare e Michiganit fton të gjithë besimtarët dhe dashamirësit e saj, që të marrin pjesë për të festuar së bashku, me solemnitetin që meriton, 60-vjetorin e themelimit të Teqesë, të Dielën më 18 Maj, 2014 në sallën e madhe të Qëndrës, ndonëse Teqeja hapi dyertë e saj, për herë të parë këtu në Shtetet e Bashkuara, më 15 Maj, 1964.
Baba Rexhebi, themeluesi, frymëzuesi dhe shtylla e kësaj qëndre për dekada, i cili ndërroi jetë më 1995, për fat jetoi për të parë rivendosjen e Bektashizmit në Shqipëri, që së bashku me besimet e tjera, ishte zhdukur me ligjet absurde të regjimit të Enver Hoxhës, që kishte shpallur Shqipërinë vendin e parë ateist në botë. Si rrjedhim, klerikët e të gjitha feve e pësuan shumë keq nga regjimi i Enver Hoxhës, përfshirë klerikët bektashianë. Ai mbante lidhje vëllazërore me klerikët shqiptarë të të gjitha feve që vepronin në Shtetet e Bashkuara. I Përndershmi Baba Rexhebi, i ndjente thellë vrasjet dhe persekutimet në radhët e të gjithë klerikëve shqiptarë të të tre besimeve të shqiptarëve, nga regjimi komunist. Në lidhje me këtë, ai qe shprehur me rastin e një akademie përkujtimore të martirëve të fesë dhe të Atdheut më 1985 në Kaliforni, duke u shprehur se, “Me këtë rast dëshiroj të përshëndes klerin katolik shqiptar, për të cilin kam respektin dhe admirimin më të madh. Ata pësuan vuajtjet më të mëdha nën përsekutimin komunist për arsye të rezistencës së tyre të fortë. Shumë ipeshkvinjë, priftërinjë murgesha dhe laikë katolikë u ekzekutuan ose vdiqën në burgje dhe kampet e përqëndrimit. Ndër ta kishte patriotë, shkrimtarë e poetë të dalluar, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre të vlefshëm në rilindjen dhe zhvillimin e kulturës shqiptare‘’. I Përndershmi Baba Rexhebi ka thënë gjithashtu me atë rast se, “Edhe kleri ortodoks dhe mysliman shqiptar u persekutua, sidomos pjesëtarë të sektit mysliman Bektashi. Së bashku me katolikët, klerikët e sektit Bektashian u persekutuan ashpër”, ka thënë Baba Rexhebi i Teqesë Bektashiane në Detroit të Shteteve të Bashkuara. Aq keq e kishte pësuar kleri bektashian nën komunizëmin enverist, sa që sipas të dhënave të Teqesë Bektashiane në Michigan, kur më 1991 u rivendos liria e fesë, në Shqipëri kishin mbetur gjallë vetëm pesë baba dhe një dervish, prej rreth 100 që jetonin në vitin 1967, kur Shqipëria vendosi të ndalonte fenë me ligj dhe të burgoste ose të zhdukte klerikët.
Por ishte Baba Rexhebi ai që e mbajti gjallë Bektashizmin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rrjedhimisht edhe në Shqipëri. Ai ishte motori shtytës i veprimtarisë i jetës fetaro-shpirtërore si dhe i rolit dhe i veprimtarisë patriotike dhe shoqërore të komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara. Ai kishte vendosur që përveç hapësirës për shërbime fetare, mbrenda Teqesë të ndërtonte një bibliotekë ku janë të depozituara libra shqipe të vjetëra e të reja, por edhe në gjuhë të huaja mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, si dhe gazeta e revista, duke e këthyer qëndrën edhe në një burim kërkimesh dhe leximesh për të gjithë ata që janë të interesuar për kulturën dhe historinë e shqiptarëve. Ishte kjo një veprimtari e skalitur në përvojën personale të Baba Rexhebit, të një atdhetari dhe fetari të shquar dhe të vendosur, i cili krahas dhe në bashkpunim me udhëheqsit e qendrave të tjera fetare shqiptare në Amerikë, e bëri Teqenë një qëndër fetare, atdhetare dhe shoqërore, ku të gjithë shqiptarët vazhdojnë të mblidhen pa dallim feje e krahine për të festuar e për të qarë hallet — në paqë, pajtim e vëllazërim me njëri tjetrin, ashtu siç i do Perendia.
Në njohje dhe vlerësim të këtij angazhimi fetar dhe patriotik, vitin që kaloi Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani i dorëzoi (së bashku me qëndrat tjera fetare shqiptare në Detroit), Teqesë Bektashiane, dekoratën e lartë kombëtare, “Nderi i Kombit”. Gjatë asaj vizite vitin që kaloi në Michigan, Presidenti Nishani theksoi, në fjalimin e tij, vlerat që Teqeja Bektashiane, për gjashtë dekada ka jetuar dhe predikuar, dmth paqën dhe tolerancën, si pasurinë më të çmueshme të bashkjetesës dhe harmonisë fetare — por që duhej të ishin shëmbull edhe për harmoninë politike dhe shoqërore në të gjitha nivelet e jetës ndër shqiptarët.
“Institucionet fetare në Detroit” ka thënë presidenti Nishani, ” janë, gjithashtu, kolona institucionale të shqiptarizmit, vatra të ruajtjes dhe trashëgimisë së gjuhës, kulturës dhe traditave kombëtare te shqiptarët. Shqiptarët gjejnë në këto vatra edhe aromë e shpirt shqiptarie, mikpritje dhe bujari. Ne nuk duhet vetëm të konstatojmë, por edhe të përulemi me respekt, të shprehim mirënjohje”, është shprehur Presidenti i Shqipërisë, Z. Nishani.
Uroj që klerikët pasardhës të Baba Rexhebit, besimtarët bektashianë si dhe mbarë komuniteti shqiptaro-amerikan të festojë me respekt 60-vjetorin e themelimit të Teqesë Bektashiane në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në frymën fetare dhe atdhetare që ka lënë pas si trashëgimi Baba Rexhebi. Në kujtim të këtij burri të madh, jam i sigurt se edhe në 60-vitet e ardhëshme, Teqeja Bektashiane në shtetin Michigan të Shteteve të Bashkuara do të vazhdojë të jetë një qëndër, ku si deri tashti, do të mbizotërojë — për Shqipërinë, për Kosovën dhe për shqiptarët kudo – një frymë dhe atmosferë paqeje, tolerance dhe vëllazërimi — pa ngatërresa, pa konflikte dhe pa plagë ndasirash, të reja e të vjetëra.

Baba Rexhebi (1901-1995)
Presidenti Nishani i ka akorduar Teqesë Bektashiane dekoratën, “Nderi i Kombit”
Teqeja Shqiptare Bekashiane në Michigan, SHBA

Filed Under: Komunitet Tagged With: BEKTASHIANE, E THEMELIMIT, Frank shkreli, NË AMERIKË- NDERI I KOMBIT-FESTON 60-VJETORIN, TEQEJA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 143
  • 144
  • 145
  • 146
  • 147
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT