• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LIBRI QË PATI TUNDUR SISTEMIN KOMUNIST SOVJETIK

January 19, 2013 by dgreca

ALEKSANDËR SOLZHENITSIN: NJË DITË NË JETËN E  IVAN DENISOVIÇIT/

(Me rastin e 50-vjetorit të botimit)/Nga Frank Shkreli/

Me librin e ish-disidentit të njohur rus, Aleksandër Solzhenitsin ”Një ditë në jetën e Ivan Denisoviçit” botuar më 1962 u përballova për herë të parë në njërin prej kurseve mbi komunizmin në kolegjin Lehman në New York, në fillim të 1970-ave. Profesori e kishte caktuar si njërin prej librave të doemosdoshëm për tu lexuar nga studentët e regjistruar në atë klasë. Aleksandër Solzhenitsin, si emër ishte krejtsisht i panjohur për mua, por profesori duke e ditur se unë isha refugjat politik i arratisur nga Evropa Lindore, më thotë se ty do të pëlqej ky libër. Natyrisht, libri i Solzhenitsinit, ”Një ditë në jetën e Ivan Denisoviçit”, ishte një vepër që përshkruante sistemin çnjerëzor komunist të Rusisë në atë kohë duke informuar botën mbi mizoritë që ndodhnin në burgjet dhe kampet e përqendrimit të Bashkimit Sovjetik stalinist, por tërthorazi ishte një testament edhe mbi krimet staliniste që po ndodhnin nën regjimet komuniste, anë e mbanë Evropës Lindore. Ishte një libër që për herë të parë përshkruante tmerret në kampet staliniste të punës, por në të njëjtën kohë ishte dhe një testament i shpirtit dhe i fuqisë dhe vullnetit të njeriut për të mbijetuar edhe në rrethanat më çnjerzore. Natyrisht, Solzhenitsin që kishte pësuar vetë vuajtjet në kampet e përqendrimit sovjetik, dhe fitues i Çmimit Nobel për letërsi më 1970, më vonë botoi librin e famshëm ”Gullag Arkipelago”, bazuar në përvojën e tij gjatë 11 vjetëve në burgjet dhe kampet e përqendrimit. Këto janë vepra me të cilat autori përshkruan vuajtjet e pabesueshme dhe krimet e errëta që njeriu është i aftë të bëjë kundër njeriut, të afërmit të vet — por janë gjithashtu dëshmi se njeriu dhe popujt e shtypur nga regjimet diktatoriale komuniste, naziste dhe ideologji të tjera shtypëse gjatë historisë, nuk pranojnë të dorëzohen as të kapitullojnë përballë të keqes. Vepra ”Një ditë në jetën e Ivan Denisoviçit” e botuar 60-vjetë më parë, që në atë kohë tronditi sistemin komunist rus dhe botën për krimet dhe kushtet çnjerëzore që ekzistonin në kampet sovjetike të përqendërimit, megjithëse dëshpruese për nga përshkrimi i ngjarjeve dhe vuajtjeve të të burgosurve, libri përfundon me vetdijen se njerëzimi kurrë nuk do të ketë mundësinë të shkatërrojë vet-veten përderisa në këtë botë ka njerëz që punojnë dhe flasin me drejtësi dhe përgjegjësi morale.

Në fillim të 1970-ave, edhe këtu në Amerikë ishte një periudhë tepër e tensionuar politike.Lufta në Vjetnam ishte në kulmin e saj, demonstratat kundër luftës ishin mbarë kombëtare dhe në kolegjet amerikane ndihej një frymë pro komuniste — kryesisht si shprehje kundër luftës në Vjetnam — jo vetëm në radhët e studentëve por edhe disa profesorë shpalleshin publikisht si marksistë dhe përkrahës të kësaj ideologjie.Për mua dhe shumë kolegë të tjerë studentë të arratisur nga Evropa Lindore, këjo atmosferë ishte e tmerrshme.Më poshtë është një artikull – replikë e imja me një profesor amerikan të Shkencave Politike në Kolegjin Lehman që frekuentoja në atë kohë, botuar në gazetën MERIDIAN të këtij kolegjit me datën 6 Mars, 1974, në lidhje me autorin me famë botërore Aleksandër Solzhenitsin i cili ishte dëbuar nga Bashkimi Sovjetik si i padëshiruar.

“Po i lë atyre zgjidhjen e thjeshtë, të çdo tirani: të më vrasin sa më shpejtë sepse  unë shkruaj të vërtetën’’. (Solzhenitsin)

Po rata nuk e vranë atë sepse ndryshe do të zmadhonte çështjen e shtypjes staliniste, të shkuar dhe të tashme, dhe donin të siguroheshin që ndjeshmëria e madhe e perendimorëve për fituesin e Çmimit Nobel nuk do të lëndohej. Do të popullarizonte idetë e tij dhe kërkesa për librin e tij të ri, ‘’Gullag Arkipelago’’, do të fitonte rritje në Bashkimin Sovjetik.  Shokët e Kremlinit nuk donin të merrnin përsipër një risk të tillë.

Një arsye tjetër ishte se qeveria sovjetike ishte e frikësuar nga Solzhenitsin sepse siç thonte një nga kolegët e Solzhenitsin në gazetën Nju Jork Tajms, ‘’Ai është zëri që vjen prej andej (kampet e punës së robërve).Kur ai flet ata dëgjojnë zërin e miliona njerëzve që u zhdukën atje.Dhe ata kanë frikë’’.

Aleksandër Solzhenitsin, i burgosuri numër 282

Dëbimi i Aleksandër Solzhenitsin është pohim i dështimit të sistemit sovjetik për shpresën që kishin për të krijuar ‘’njeriun e ri sovjetik’’.  Sistemi  sovjetik ka humbur besimin në transformimin psikologjik të individit; ai është i frikësuar nga individualiteti dhe shpirti individual. Veprimi arbitrar dhe illegal i Kremlinit duke dëbuar Slzhenistin, na tregon për paaftësinë e regjimitsovjetik dhe regjimeve komuniste në përgjithësi, që t’i përgjigjen një argumenti me argument; paaftësinë ose mungeseën e vullnetit për të toleruar një debat politik.  Ky veprim i papritur i tregoi edhe njëherë popullit rus dhe Botës së lire, lirinë e kufizuar të regjimeve post-staliniste.

Fakti është se në Bashkimin Sovjetik shtypja ndaj disidentëve vazhdon ende.  Perseekutimi i kristjanëve dhe hebrenjve vazhdon për “krimin’’  qëata bëjnë duke praktikuar fenë e tyre.  Fakti i dytë është se, regjimi sovjetik është ende i dominuar nga njerëz të cilët janë bashkëpuntorë dhe përgjegjës për vdekjen e 20 milion të burgosurve politikë.Nuk ishin nazistët ata që shpikën kampet e përqednrimit dhe gjenocidin, ishin Bolshevikët ata që përgatitën rrugën drejtë Nazizmit.

Por arsyeja që nisa për të shkruar rreth fatit të Aleksandër Solzhenistin, ishte një artikull i datës 20  Shkurt nga profesor John Crawford i titulluar, “Delet me ujqërve kapitalistë’’.  Ai përpiqej që me aftësitë e tij akademike të bëjë një ndarje konceptuale mes “demokracisë socialsite’’ në Rusi, që dëboi Solzhenitsin, dhe “lirisë kapitaliste’’ me “çmimet e ushiqmeve në stratosferë’’, këtu në Shtetet e Bashkuara.

Ai thotë se Amerika nuk është  lirë sepse çmimet këtu rriten dhe ti nuk mund të blesh as gaz. Por, aim und ta kritikojë qeverinë, të shpreh pikëpamjet e tij ose t’i bërtasë kujdo. Jo, këjo për atë nuk është liri.  Ai e përcakton lirinë e të shprehurit, duke cituar Fidel Kastron ,i cili vite më pare ka thënë: “Nëse je në anën tone, nuk mund të thuash asgjë.  Nëse je kundër nesh, nuk mund të thuash asgjë.’’  Madhështore, apo jo?  “Kjo është konstruktive për njerëzit’’, thotë Prof. Crawford.Seriozisht e ka ai?Shpresoj shumë që të mos besojë ato që thotë.Dakord, ka dallim të madh mes lirisë së shprehejs dhe të flasësh lirshëm.Pse nuk duhe të ekzistojë liria e shprehjes?Pse nuk duhet Prof. Crawford të thotë atë që ka për të thënë?  Sepse tek e fundit nuk ka vlerë, apo, jo. Pra pse, jo?

Kështu profesori ynë shkon më tej duke shpalosur njohuritë  që ka rreth shkrimtarit rus, duke thënë se Solzhenitsin ishte “pjesë e rojës së vjetër….i cili kurrë nuk mundi ta pranonte revolucionin’’.Absolutisht që nuk është e vërtetë këjo.  Solzhenitsin, ashtu siç e përshkruan veten, ishte njëiri sovjetik, patriot, i mbushur me zell komunist.  Ai besonte në idealizmin e Leninit.Ai ishte një anëtar besnik dhe i devotshëm i Komsomol-it, Organizatës së të Rinjve Komunistë.  Në librin e tij më të ri, “Gullag Arkipelago’’, Solzhenistin përshkruan se si argumentonte dhe mbronte komunizmin dhe parimet e tij me të burgosurit e rinj.Vetem në vitet e mëvonshme ai fillon të dyshojë dhe të kritikojë sistemin.

Shteti sovjetik ka shkaktuar një vuajtje të frikshme mes njerëzve.Vrasjet në masë të opozitës politike, terrori i përhapur kundrejt qytetarëve të pambrojtur tregon orientimin kriminal që kishin kuadrot komunistë.

Si mundet një sistem i tillë të meritoj njohje ndërkombëtare (duke lënë mënjanë sstausin e kombeve më të favorizuara, që SHBA po i konsideron)?Në të vërtetë, politika komuniste vjen në SHBA vetëm për t’i mohuar njerëzve tonë të njohin të vërtetën.  Ne e dime se çfarë i ka ndodhur Solzhenitsin dhe Saharov, dhe të tjerëve të rangut të tyre, për shkak të famës  që kishin, por çfarë ndodhë me atë tjetrin, “të voglin’’, i cili nuk pajtohet me regjimin.   Kush e di se çfarë ndodhë në Siberi?Po për spastrimet e bëra nga uria, dëbimet e gjencidet dhe ekzekutimet e bëra në dhomat e torturës dhe kampet e përqendrimit?  Media e kontrolluar sovjetike nuk thotë asgjë për këto.Shtypi dhe media jonë vazhdon t’i paguajë shantazhet e bëra nga vendet komuniste për privilegjin e mbajtjes së korrespondentëve aty.

Njerëzit si Solzhenitsin janë kontribuesit e vërtetë të fitimit të lirisë.Ai është monumenti i vdekjes martire dhe të pa zë.  Ai është  zëri që vjen prej  “andej’’.  Lerëni që ai të dëgjohet.’’(Botuar me 6 Mars, 1974)

Filed Under: Kulture, Opinion Tagged With: e Ivan Denisovicit, Frank shkreli, Nje dite nga Jeta, Solzhenitsin

DEMOKRACIA NË RËNIE PËR TË SHTATIN VIT

January 16, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Si çdo vit edhe sivjet, organizata Freedom House (Fridëm Haus), një organizatë këjo e pavarur me qendër në Washington, misjoni i së cilës është zgjërimi i lirisë anë e mbanë botës, mbështetja e zhvillimeve demokratike dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, botoi raportin vjetor për këtë vit në të cilin vlerësohen  liria dhe zhvillimet demokratike ose mungesa e tyre, anë e mbanë botës.

Në njoftimin për media me rastin e botimit të raportit për vitin 2013, Freedom House thotë se raporti i sivjetëm mbi “Lirinë në Botë’’ tregon se për të shtatëtin vit me radhë, liria në botë gjatë vitit që kaloi ka shënuar më shumë rënje se sa zgjërim. Për më tepër, thekson raporti, të dhënat e raportit  tregojnë dhe pasqyrojnë ndërmarrjen e një fushate persekutimesh në rritje e sipër nga diktatorët  anë e mbanë botës, kundër lirisë dhe të drejatve të njeriut, veçanërisht drejtuar kundër orgnaizatave të shoqërisë civile dhe medias së pavarur.   Arç Pudington, nëndrejtor për kërkime i Freedom House tha se të dhënat  e mbledhura  nga orgnaizata e tij, venë në dukje se,  ”autoritarët modernë po bëhen më të sofistikuar”, duke shtuar  se megjithëse ata , ”tregohen më të kuptueshëm, ata shtrëmbërojnë dhe abuzojnë me kornizat ligjore dhe i përshtaten kollaj teknikave të propagandës moderne.”   Ai shton se,  ”Sidmos ç’prej Pranverës Arabe, ata (diktatorët) janë nervoz nga lëvizjet popullore për liri e demokraci, gjë që çon në intensifikimin dhe persekutimin nga ana e tyre, të  lëvizjeve popullore për ndryshim”.

Raporti flet për rënje të dukshme të lirisë gjatë vitit që kaloi, ndër të tjera,  në Kazakistan, Kenia, Mali, Nigjeri dhe në zonën evropiane, përmenden  Rusia Turqia dhe Ukraina, si vendet ku është shënuar një rënje e dukshme e lirive civile në përgjithësi.   Freedom House thotë se të dhënat mbi gjëndjen e lirisë ishin posaçërisht ogurzeza për  disa vende të Euroazisë.   Rusia, thuhet në raport, ka marrë një drejtim vendosmërisht për më keq ç’prej se Vladimir Putin-i është këthyer në detyrën e presidentit.    Freedom House thotë se pasi ai anashkaloi dhe margjinalizoi opozitën formale politike,  Putini dekretojë një numër ligjesh që kanë për qëllim t’i marrin frymën opozitës në rritje e sipër nga grupe të ndryshme të shoqërisë civile.   Dekretet e reja të imponuara nga udhëheqsi rus Putin, sipas Freedom House, vendosin dënime të rënda për bërjen e demonstratave të pautorizuara, dhe u kufizojnë grupeve të shoqërisë civile të drejtën që të mbledhin fonde për veprimtarinë e tyre dhe  në të njëjtën kohë, vendosin kontrolle te reja mbi përdorimin e internetit në Rusi.   Si përfundim,  thuhet në raport, e gjithë zona e ish- Bashkimit Sovjetik, me përjashtim të tri vendeve baltike,  rivalizon  Lindjen e Mesme, si njëra prej zonave më shtypëse e lirive në botë, ku udhëheqsit autokratë qeverisin në shumicën e 12-vendeve të atij rajoni, duke e bërë këtë si një ndër rajonet më pak të lira në botë.

Ndërsa theksohet se shtypjet e lirisë po shtohen dukshëm në një numër vendesh anaë e mbanë botës,  raporti i Freedom House u bën thirrje Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera demokratike që të tregojnë udhëheqje më të vendosur në luftën për liri e demokraci.   Raporti kritikon administratën amerikane të Presidentit Barak Obama si edhe opozitën Republikane për dështimin e tyre që të tregohen udhëheqës në përpjekjet për zgjërimin e lirisë dhe të demokracisë anë e mbanë botës.   Presidenti i Freedom House, David Kramer, tha në lidhje me këtë se ”nga e kaluara kemi mësuar se normalisht liria sigurohet me pjesëmarrjen dhe mbështetjen aktive të vendeve demokratike, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet evropiane.   Dhe ndërkohë që këto vende kanë vendosur  të mos jenë pjesë e përpjekjeve për sigurimin e lirisë në botë, atëherë, rezultati zakonisht është humbja dhe shtypja e lirisë kudo në botë.”

 

Është ironik fakti,  sipas Freedom House, se ky mos interesim nga vendet demokratike perëndimore në mbështetje të lirisë anë e mabnë botës, po ndodhë në një kohë rezistenca kundër shtypjeve  anë e mbanë  botës,  është më e madhe se kurdoherë tjetër.  Thuhet në raport se disidentët anti-komunistë të cilët luftuan për të drejtat e njeriut dhe për liritë themelore  gjatë Luftës së Ftohët — shpesh të izoluar dhe anonim — janë zëvendësuar tani me lëvizje të cilat gëzojnë përkrahje nga shtresa të dukshëme të shoqërisë.

Në lidhje me Evropën Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara raporti i Freedom House thotë se megjithëse këto vende vazhdojnë të jenë të mbërthyera nga kriza ekonomike dhe ndërkohë që Evropa, gjatë vitit të kaluar ka parë një rritje të dukshme të  ndjenjave nacionaliste si përfundim i rritjes së  fluksit  në numërin e imigrantëve, këto vende megjithëkëto sfida kanë mundur të përballen me këto probleme pa dobësuar respektin tradicional për standardet demokratike dhe liritë civile në këto vende.

Freedom House,  Shqipërinë  dhe Kosovën i renditë midis 58-shteteve të  botës duke i vlerësuar ato si vende me liri të pjesëshme, kategori këjo që  — sipas Freedom House, është një vend në të cilin mbizotëron një respekt i kufizuar për të drejtat politike dhe liritë civile dhe një vend i cili shpesh vuan nga një ambijent korrupsioni dhe nga një regjim i dobët ligjor.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: demokracia, Frank shkreli, Fredoom House

ROLI AMERIKAN NË AFGANISTAN PO MERR FUND

January 14, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

 Kështu deklaroi Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama të Premten që kaloi pas bisedimeve që zhvilloi në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin e Afganistanit Hamid Karzai mbi të ardhmen e rolit amerikan në Afganistan, duke thënë se forcat amerikane së shpejti do t’ua dorëzojnë forcave afgane rolin kryesor të luftës kundër talebanëve. Presidenti Obama tha se në bazë të marrëveshjes që u arritë gjatë bisedimeve të presidentit afgan në Uashington –përfshirë takimet që ai zhvilloi në Pentagon dhenë Stejt Department –gjatë këtij viti forcat afgane do të marrin përsipër përgjegjësinë e plotë për sigurinë në vendin e tyre — duke e shndërruar rolin ushtarak amerikan në një rol mbështetës këtë pranverë, para afatitqë pritej – ndërkohë që pomerr fund lufta nëAfganistan. Presidenti Obama tha se ”ky përparim është bërë i mundur falë sakrificave të mëdha të forcave tona dhe të diplomatëve tanë, si edhe të forcave të vendeve të shumëta të koalicionit ndërkombëtar, por edhe popullit afgan i cili ka vuajtur aq shumë”, shtoi Presidenti Obama.Ai tha se në luftën e Afganistanit, ”kanë dhënë jetën më shumë se 2000 bijë e bija të Amerikës”, duke shtuar se, ”Këta janë patriot të cilët ne i nderojmë sot, nesër dhe përgjithmonë.”Edhe Presidenti afgan Karzai tha se, ”gjatë bisedimeve….unë falenderova Presidentin Obama për ndihmën që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë popullitafgan, për të gjitha ato që kemi arritur gjatë dhjetë viteve të kaluara…”

Udhëheqsi afgan tha gjithashtu se “Forcat ndërkombëtare, forcat amerikane nuk do të jenë më të pranishme në fshatrat afgane, se tani është detyra e forcave afgane që popullit afgan t’isigurohet paqja dhe siguria.’’
Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio,Presidenti Obama dha hollësi të tjera në lidhje me bisedimet  me udhëheqsin afgan, duke thënë se objektivi kryesor i Shteteve të Bashkuara,që fillimishte çoi vendin në luftën e Afganistanit është drejtë realizimit, dmth, qëllimi amerikan që Al Kaida të mos e përdorë më Afganistanin si një bazë nga ku organizon dhe kryen sulme kundër Shteteve të Bashkuara, do të arrihet dhe lufta në atë vend, sipas Presidentit Obama, do të marrë  fund në mbarim të vitit të ardhëshëm. Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, Presidenti Obama tha se megjithëse misioni amerikan në Afganistan mbetet gjithnjë shumë i vështirë, ai shtoi se tani duhet të përqëndrohemi në detyrën që kemi përpara dhe në ”misjonet e vështira”, siçtha ai,për rindërtimin e Amerikës, për forcimin e ekonomisë dhe për të ndihmuar forcat tona ushtarake dhe veterantë tanë trima, duke thënë se ”vendi që ne duhet të rindërtojmë tani,është vendiynë.”

Presidenti Barack Obama dhe Presidenti Hamid  Karzai i Afganistanit gjatë një conference të përbashkët për median në Shtëpinë e Bardhë me 11 Janar, 2013 2013.

Deklarata e Presidentit Obama për tërheqjen e forcave amerikane nga Afganistani aty nga mbarimi i vitit 2014, shihet me skepticizëm nga disa vërejtës politikë dhe ushtarakë sie dhe nga disa media amerikane, duke thënë se tërheqja e plotë e forcave amerikane nga Afganistani mund të rrezikojë arritjet e deritanishme në atë vend, pasi forcat ushtarake afgane nuk janë ende në gjëndje të luftojnë talebanët, ndërkohë që dhuna vazhdon në shumë pjesë të atij vendi.

Gazeta amerikane Nju Jork Tajms, në një editorial në lidhje me bisedimet amerikano-afgane në Washington midis Presidentit Obama dhe udhëheqsit afgan Karzai, shkruan se “Plani amerikan për t’i dhënë fund luftësvaret shumë nga aftësia e forcave afgane për të siguruar vendin. 

    Zoti Obama e ekzagjeroi përmirësimin e situatatës në Afganistan dhe anashkaloi mangësitë serioze të sigurimit në atëvend. Por ai me të drejtë zvogëloi rolin dhe objektivat amerikane nëAfganistan.Dhe tani ai duhet të tërheqë sa më pare që të jetë e mundur 66,000 ushtarët nga ai vend’’, përfundon editorialin gazeta Nju Jork Tajms.

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Afganistani, amerika, Frank shkreli, Karazai, Presidenti Obama

SHKRELI ANTIKOMUNIST NË KRYENGRITJEN E VITIT 1945

January 10, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Kohët e fundit, Fran Gjeto Xhaj nga krahina  Shkrel e Malësisë së Madhe pati mirësinë të më postonte librin e tij me titull: SHKRELI DHE ROLI I TIJ NË KRYENGRITJEN ANTIKOMUNISTE TË MALËSISË SË MADHE TË VITIT 1945.  E lexova me kënaqësinë më të madhe sepse megjithëse origjinën e kam nga Shkreli, di shumë pak nga ajo periudhë, për të cilën shkruan autori,  ngase familja ime  ishte larguar nga ato anë shumë kohë më parë dhe unë, pjesën më të madhe të jetës time e kam kaluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku jemi shpëngulur familjarisht në vitin 1970.

Duke qenë  aq larg dhe të izoluar nga diktatura komuniste,  njohuritë e mia dhe të shumë ne të mërguarve shkrelas mbi vuajtjet e fisit tonë dhe mbi ato që kanë ndodhun në Shkrel gjatë diktaturës komuniste,  ishin shumë të kufizuara.  Nga të dhënat e Fran Gjeto Xhaj-it, i cili nuk pretendon të jetë shkrimtar, por që thotë se ishte dëshmitarë okularë për ato që shkruan,  dhe sipas redaktorit të librit Dedë Shyti, edhe njëri që ka përjetuar ngjarjet bashkë me ata heronjë —  unë  mësova shumë hollësi që nuk i dija më parë mbi rolin që ka luajtur fisi i Shkrelit në luftën kundër komunistëve sllavo-aziatikë, e posaçërisht lexuesi mëson mbi rolin e rëndësishëm si dhe vuajtjet dhe persekutimet e familjes së tij dhe  të shumë familjeve të tjera të kësaj zone, të cilat refuzuan t’nënshtroheshin komunizmit, duke sakrifikuar edhe jetën.

Fran Gjeto Xhaj,  thotë se megjithëse në moshë të shkuar, me këtë botim modest, ai është duke çuar në vend porositë dhe amanetin e Major Llesh Marashit, komandant i kësaj kryengritjeje si dhe patriotëve të tjerë anti-komunistë të Shkrelit, ai ka marrë guximin –ndonëse me mundësi modeste dhe aftësi të kufizuara, — që t’u lanë mbrapa  brezave të ardhëshëm të fisit të Shkrelit disa të dhëna si dëshmitar i asaj historie të luftës së treve të Malësisë së Madhe dhe qendresës së fisit të Shkrelit ndaj bishës së kuqe sllavo-komuniste dhe të të shiturve të tyre shqiptarë, të lidhur, sipas autorit këmbë e kokë me Milladin Popoviçin e Dushan Mugoshën, të cilët zaptuan vendin tone dhe Shkrelin me njerëz të pabesë.

Fran Gjeto Xhaj   biri i Gjeto Lekës nga fshati Xhaj, rrjedhë nga një prej familjeve të dalluara, por të vuajtura, e të përsektuara  të Shkrelit, si familje nacionaliste, dhe fetare, bashkpuntore në veprat dhe në luftën patriotike kundër komunzimit të Major Llesh Marashit me shokë, komandantit të  “Batalionit të Malësisë së Madhe’’.

Lexuesi, përveç  komandantit  Llesh Marashi,  gjithashtu mëson edhe për emëra të tjerë udhëheqsish të fisit të Shkrelit dhe të Malësisë së Madhe, prijës të dalluar malësor si Prek Cali,  Gjelosh Luli, Nikollë Preka,  Ismail Zeneli, së bashku me shumë klerikë katolikë të prirë nga prifti patriot  i famullisë së Shkrelit, Dom Nikoll Gazulli, (me urdhër të presidentit të Republikës  “ Martir i Demokracisë’’),  e të cilët u dalluan si drejtues të batalionit të Shkrelit dhe si organizatorë të qendresës antikomuniste.   Krahas këtyre, lexuesit i tërhiqet vemendja edhe për vuajtjet e klerit katolik shqiptar, i cili në vuajtje e në gëzime, gjithmonë i gjëndej pranë Shkrelit dhe gjithë Malësisë së Madhe, e sidomos gjatë asaj periudhe për të cilën shkruan Fran Gjetja.   Mua si ish-seminarist, më bën përshtypje  dhe më shkakton dhëmbje shpirtërore, sidomos përshkrimi i veprimtarisë patriotike dhe  i vuajtjeve, sakrificave përsekutimeve  të anëtarëve të  klerit katolik, kujdestarë  të grigjës dhe të kishës, por edhe ruajtës të gjuhës e të kulturës dhe të atdhetarizmit në ato anë, duke dhënë edhe jetën për idealet e veta.  Ndër ta dallohen Dom Alfons Tracki, Dom Nikoll Gazulli, Dom Pjetër Gruda, Dom Pjetër Çuni, Dom Aleksandër Sirdani dhe At Anton Luli, të cilët gjatë përndjekjeve të tyre nga komunistët, për t’i shpëtuar gjenocidit sllavo -komunist- bolshevik -shqiptar,  “shpellat i këthyen në katakombe’’.   Është thënë edhe nga të tjerë më parë se zhdukja e klerit katolik shqiptar ishte  një objektiv prioritar dhe pjesë e një marrveshjeje djallëzore midis Partisë Komuniste Shqiptare dhe Partisë Komuniste Jugosllave, pasi kleri katolik konsiderohej se kishte lidhje të ngushta me Perëndimin.

Për më tepër duke lexuar librin e Fran Gjeto Xhaj, i cili thotë se qyshë në moshën 14-vjeçare paska qenë vuajtës dhe dëshmitar i masakrave e persekutimve  të shumëta komuniste në krahinën e Shkrelit, mësova hollësi që nuk i disha ma parë mbi këtë familje, si dhe mbi  humbjet e torturat e tmerrshme që e gjithë familja e Fran Gjetos paska pësuar nën komunizëm: babë Gjeto Lekën, e nanë Terezen, motër e axhat e autorit, e tjerë.  I trishtueshëm është sidomos përshkrimi i vuajtjeve që ai thotë se pësoi e nëna e tij Terezja në duartë e tortueruesve komunistë, në qelitë e burgjeve në Koplik.  Edhe vetë Frani si fëmi në moshë të re thotë se ka vuajtur torturime nepër burgjet e Koplikut dhe të Shkodrës.

Përveç të dhënave nga autori i këtyre shënimeve të një dëshmitari okular, Fran Gjetja — mbi rolin e Shkrelit në kryengritjen anti-komuniste të  Malësisë së Madhe dhe  mbi vuajtjet nën diktaturën komuniste të tij dhe familjarëve të vet, si dhe të mbarë fisit të Shkrelit — autori ashtë kujdesur që në libër të përfshijë fotografi të protagonistëve kryesorë mbi të cilët fletë dhe të cilët kanë luajtur një rol me rëndësi jo vetëm në historinë e fisit të Shkrelit, por edhe në historinë e kombit shqiptar. Ndërsa këtu flitet për vuajtjet dhe torturat  dhe persekutimet  e tmershme ndaj  burrave dhe grave të Shkrelit, vetëm e vetëm se ata nuk pajtoheshin me ideologjinë sllavo-komuniste,  nuk mund të mos thuhet se cilët ishin  torturuesit, ata  të cilët iu vërshuan  asaj krahine si bisha të egëra,  duke sjellur  tmerr e zi në Shkrel dhe në gjithë Malësinë e Madhe.

Duke i gënjyer se po tu dorëzoheshin komunistëve, ata do të faleshin dhe do të ishin të lirë të këtheheshin në shtëpitë e tyre — duke besuar në besën e dhënë — malësorët që dorëzohehsin për të shpëtuar veten dhe familjet e tyre,  mbaronin në qelitë e torturave të  burgjeve të Shkodrës dhe  të Koplikut dhe më në fund ekzekutoheshin, të prerë në besë nga përfaqsuesit e regjimit komunist.  Si përfaqsues  të  atij regjimi që ishin dërguar për të nënshtruar Shkrelin dhe Malësinë, autori përmend  emisarët e forcave të diktaturës së Enver Hoxhës, Toger Babën, Zoj Themelin, prokurorin e  Gjykatës ushtarake në Shkodër, Aranit Çela dhe bashkpuntorët e tyre serbo-malazez, përfshirë edhe Bajo Stankoviqin ,   ndër ata të cilët, sipas autorit, “me damkën e hekurt e me shpirtin e djallit’’, bënë kërdinë mbi malësorët të cilët nuk  pajtoheshin që Shqipëria të nënshtrohej nga sistemi  sllavo-komunist.

Kryengritja e vitit 1945, për të ndaluar nënshtrimin e këtyre zonave nga komunistët,  kryengritje këjo e udhëhequr nga burrat dhe gratë e Shkrelit dhe të Malësisë së Madhe me në krye  Llesh Marashin, mund të jetë, sipas disa vërejtësve, e para kryengritje e tillë anti-komuniste në Shqipëri dhe ndoshta e para edhe në pjesën tjetër komuniste të Evropës Lindore.  Me shtypjen mizore të kësaj kryengritjeje të malësorve nga forcat bashkpuntore komuniste sllavo-shqiptare, siç dihet, fillon tragjedia e  vërtetë  gjysëm shekullore për Shkrelin dhe Malësinë e Madhe.

Është me vend që disa prej këtyre herojnve të Shkrelit  janë shpallur “Martirë të Demokracisë’’, nga presidenca e shtetit shqiptar dhe autori Fran Gjeto Xhaj shpreh falenderimet e tija kryetarit të Komunës Shkrel, Z. Fred Sterkaj për iniciativën  e tij për të ngritur lapidarin në Dedaj të Shkrelit, kushtuar këtyre heronjëve, duke përjetësuar kështu këtë kryengritje si edhe kujtimin e këtyre bijve dhe bijave të Shkrelit.  Le tu këndohet gjithmonë kënga dhe të marrin vendin që u takon në historinë e Malësisë së Madhe dhe të kombit shqiptar.

Filed Under: Kulture Tagged With: Fran Gjeto Chaji, Frank shkreli, Shkreli antikomunist

NË SHQIPËRI, EKONOMIA SHQETËSIMI KRYESOR

January 8, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Sipas një njoftimi për media të botuar dhe shpërndarë me 27 Dhjetor, Instituti Demokratik  Kombëtar i Amerikës botoi një raport mbi një studim të ri që vlerëson gjëndjen politike  në Shqipëri, të ndërmarrë nga këjo organizatë tetorin që kaloi, bazuar në mendimet e pjesëmarrësve të dhjetë grupeve në katër qytete: në Tiranë, Shkodër, Fier dhe Korçë.

Siç dihet, Instituti Demokratik Kombëtar Amerikan është një organizatë  jo-qeveritare që ç’prej themelimit të tij më 1983 përkrahë institucionet si edhe zbatimin e praktikave dhe zhvillimin e proceseve demokratike anë e mbanë botës, duke krijuar dhe  duke mbështetur organizatat e shoqërisë civile.  Instituti Demokratik  Kombëtar Amerikan vepron në një numër vendesh anë e mbanë botës, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën. Sipas Institutit amerikan, qëllimi i këtij raporti mbi Shqipërinë, siç ndodhë edhe në vende të tjera, është për të identifikuar dhe për të komunikuar shqetësimet e qytetarëve, udhëheqësve politikë, para zgjedhjeve të përgjithëshme që do të mbahen më 23 Qershor të këtij viti.

Në njoftimin për media, Instituti Demokratik Amerikan thotë se pjesmarrësit shqiptarë në studimin e bërë nga ky institut, kryesisht mendojnë se vendi i tyre është në rrugë të gabuar.  Në mbështetje të këtij pretendimi ata përmendin papunësinë, rritjen e çmimeve, pagat e ulëta dhe korrupsionin, si faktorët kryesorë që kanë një ndikim të konsiderueshëm në cilësinë dhe standardin e jetës së tyre.  Por, nga ana tjetër, në njoftimin për media, Instituti Amerikan thotë se rekomandimi me kusht i Komisionit Evropian për t’i ofruar Shqipërisë statusin e kandidatit për antarësim në Bashkimin Evropian, shikohet nga disa prej pjesëmarrësve si një shënjë optimizmi dhe përmirësimi dhe si një tregues, për disa prej tyre, se vendi është në rrugë të mbarë.

Vihet në dukje se pjesmarrësit në këtë studim, nga katër qytete të Shqipërisë, e kanë të qartë se çfarë dëshirojnë për veten dhe për shoqërinë shqiptare.  Ata duan një të ardhme për vendin e tyre ku ligjet respektohen, ku rregullat zbatohen dhe ku sundimi i ligjit të funksionojë për të gjithë, pa dallim.  Ata u shprehën se dëshirojnë një shoqëri ku standardi i jetesës të jetë më i lartë dhe preferojnë një sistem në të cilin vlerat, megjithëse nuk thuhet se cilat vlera — merret me mend se e kanë fjalën për vlerat kombëtare dhe shpirtërore — të nderohen dhe të kultivohen.   Në lidhje me shërbimet që presin nga sistemi politik, pjesëmarrësit shprehen të zhgënjyer me politikën, duke thënë se sistemi politik nuk është i interesuar dhe nuk merret me nevojat e tyre bazë.

Pjesëmarrësit e grupeve të këtij raporti janë kritik sidomos ndaj asaj që ata thonë se është distanca që ekziston midis tyre si qytetarë dhe politikanëve të vendit dhe shprehen se do të dëshironin që politikanët të tregojnë një mirëkuptim më të madh ndaj problemeve me të cilat përballen qytetarët.  Pjesëmarrësit në këtë studim shprehen se politikanët shqiptarë nuk kanë treguar asnjë interesim për problemet e përditëshme të qytetarëve.  Ata u bëjnë thirrje politikanëve që të tregohen më mirënjohës ndaj shqetësimeve të tyre dhe kërkojnë prej tyre më shumë llogari për premtimet e dhëna dhe për vendimet e marra.

Në raport ngrihet gjithashtu çështja e korrupsionit, që sipas pjesëmarrësve të grupeve, është pjesë përbërëse e jetës së përditshme të qytetarëve.   Sipas Institutit Demokratik Amerikan, pothuaj çdo anëtar i katër grupeve nga qytete të ndryshme të Shqipërisë,  kishte një përvojë personale me korrupsionin, pasi ata deklaruan se për të kryer një punë, ose për të siguruar një shërbim,  ishin detyruar t’i jepnin ryshfet policit, infermjeres, mësuesit ose nëpunësve të tjerë të administratës publike.  Disa prej pjesëmarrësve thanë gjithashtu për raportin e Institutit Amerikan se edhe sjelljet e tyre — duke pranuar se kanë dhënë ryshfet për shërbimet që kishin nevojë — kanë kontribuar në përjetësimin e korrupsionit në vend.

Ndër përfundimet e tjera të raportit, thuhet se megjithse pjesëmarrësit e konsiderojnë gjëndjen ekonomike si të vështirë, shumë prej tyre, përfshirë edhe ata që ishin shprehur se vendi është duke shkuar në drejtim të gabuar, pranuan se gjatë disa viteve të fundit ka patur zhvillime pozitive në vend, duke përmendur përmirësimet në infrastrukturën rrugore, në shkolla dhe në furnizimin e rrymës elektrike.  Shumë prej pjesëmarrësve në këtë studim, thuhet në raport, fajësojnë ”ata në fuqi” për gjëndjen e keqe ekonomike, një çështje këjo që sipas tyre, ”është shqetësimi më i madh në jetën e tyre të përditshme”.

Muajin që kaloi, Drejtori i Institutit Demokratik Kombëtar Amerikan për Evropën Jug-lindore, Robert Benjamin vizitoi Shqipërinë, ku ndër të tjerë, u takua edhe me Presidentin Nishani, me ç’rast i përcolli udhëheqsit shqiptar përshëndetjet nga Kryetarja e bordit të Institutit Demokratik Kombëtar Amerikan dhe ish-Sekretarja e Shtetit  Amerikan, Madlajnë Ollbrajt.   Përveç zonjës Ollbrajt, ndër drejtuesit e Institutit Demokratik Kombëtar Amerikan dallohen shumë ish-zyrtarë të lartë të administratave demokrate të SHBA-së, të cilët kanë gjithnjë lidhje dhe influencë në administratën e tanishme demokrate të Presidentit Obama.

 

Ne Fotografi:Robert Benjamin i Institutit Demokratik Amerikan në takim me Presidentin Nishani në Presidencë

Filed Under: Opinion Tagged With: Amerikan, Ekonomia, Frank shkreli, Insitituti Demokrat, ne Shqiperi, shqetesimi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 169
  • 170
  • 171
  • 172
  • 173
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT