• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SIMON SIMONLACAJ, BAMIRËS DHE AKTIVIST I DALLUAR I KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN

July 9, 2021 by dgreca

          Nga Frank Shkreli/

NJË SHËNIM PERSONAL — Me 2 Korrik ndërroi jetë, papritmas, në moshën 80-vjeçare, Simon Simonlacaj, njëri prej bamirësve dhe aktivistëve më të dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan i disa dekadave të fundit. I lindur në një fshat të rrethit të Ulqinit, Simoni emigroi në Shtetet e Bashkuara, si shumë bashkatdhetarë të tij të atyre krahinave nën Malin e Zi, në fillim të 1970-ave, për arsye që dihen. Simon Simonlacajn e kisha njohur në vitet 1960-ave kur të dy ne – pa ditur për njërin tjerin — gjendeshim në qytetin Rijekë të Kroacisë. Ai i larguar nga vendlindja për të gjetur punë në Kroaci, pasi punësimi ishte i pakët dhe pothuaj i pamundur për shqiptarët në trojet tona dhe shqiptarët e atyre viseve detyroheshin të kërkonin punë, çfardo pune, anë e mbanë ish-Jugosllavisë. Kështu kishte ndodhur edhe me Simonin. Ai kishte gjetur punë në Rijekë ndërsa unë në vitin shkollor 1964-1965 isha regjistruar për të ndjekur mësimet në seminarin katolik në atë qytet larg vendlindjes dhe familjes. Ndërkaq, Simoni kishte zbuluar, nepërmjet famullitarit të Kishës Shën Gjergji në breg të lumit Buena, Dom Simon Filipaj — përkthyesin e Biblës në shqip — që ishte edhe famullitari ynë i përbashkët — se në seminarin  klasik katolik të Rijekës gjëndej një student nga famullia e Shën Gjergjit në rrethin e Ulqinit.  

Ishte viti 1966 kur Simoni, megjithse nuk e njihja, pasi ai ishte nga një fshat tjetër i Ulqinit por edhe 10-vjeç më i moshuar se unë — erdhi të më takonte në seminarin salezian të Rjekës. Ishim dy shqiptarë prej të njëjtin vend por në dhe të huaj, pasi Kroacia megjithse ishte pjesë e të njëjtin shtet që quhej “Jugosllavi” – për të dy ne ishte vend i huaj, me gjuhë dhe zakone ndryshe, por një vend ku shqiptarët trajtoheshin pak më mirë se në pjesët e tjera të ish-Jugosllavisë komuniste. Takimet tona u bënë të rregullta me Simonin i cili vinte shpesh të më takonte në seminar, për tu çmallur për vendlindjen derisa të dy vendosëm në mbarim të dekadës së 60-ave që, më në fund, të largoheshim nga ai vend dhe të merrnin rrugën e mërgimit për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Me të ardhur në Amerikë, Simoni u vendos me familje në Nju Jork ku me mundë e djersë ndërtoi një jetë shumë të mirë dhe të begatë për vetën dhe familjen, duke u bërë më vonë edhe njëri prej shqiptaro-amerikanëve më të suksesshëm në fushën e pronave të paluajtëshme. Unë pas dy tre vitesh në Nju Jork shkova në Washington për të punuar për Zërin e Amerikës dhe lidhjet tona, për arsye të distancës, ishin të pakëta. Por si aktivist i dalluar që ishte në komunitettin shqiptaro-amerikan,  Simoni vizitonte Washingtonin, nga hera në herë, për të qarë hallet e shqiptarëve, nën ish-Jugosllavi, sidomos të shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve nën Malin e Zi.  Ai ishte shumë aktivë në organizimet e komunitetit dhe veçanërisht dallohej — për vite me radhë — për veprimtarinë e tij të pa kursyeshme në Kishën Katolike shqiptare në Nju Jork, “Zoja e Shkodrës”. 

Me këtë rast të dhimbshëm të kalimit në amshim të Simon Simonlacajt, dëshiroj të përmendi vetëm një prej kontributeve të Simonit me shokë, që ndihmuan në organizimin e Seminarit për Imzor Pjetër Bogdanin në Universitetin Fordham të Nju Jorkut në tetor të vitit 1989.  Një veprimtari kjo me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër Bogdanit – e cila është përjetësuar në librin  “Imzot Pjetër Bogdani në New York”, kushtuar kësaj ngjarjeje historike, botuar nga një tjetër aktivist i dalluar i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe njëri prej protagonistëve kryesorë të kësaj ngjarjeje, Tonin Mirakaj. 

Them historike sepse ishte hera e parë që në Shtetet e Bashkuara mbahej një seminar i tillë në përkujtim të vitit jubilar kushtuar Pjetës Bogdanit – një vigani të fesë dhe të letërsisë shqipe — me një pjesëmarrje të disa prej figurave më të shquara të kulturës dhe letrave shqipe në mërgim dhe të trojeve shqiptare.  Në atë seminar dalloheshin At Danjel Gjeçaj, kryekapelani për shqiptarët jashtë Atdheut. Profesor Arshi Pipa dhe profesor Martin Camaj.  Por, ajo që e bëri këtë seminar historik ishte pjesëmarrja nga Kosova e Profesorëve të Institutit Albanologjik  të univresitetit të prishtinës, Dr. Ibrahim Rugovës dhe Profesorit Engjëll Sedaj. E përemndi këtë rast sepse një orgnaizim i tillë mund të bëhej i mundur vetëm nga   individë si Simon Simonlacaj me shokë, i cili nuk mungonte kurrë të merrte pjesë dhe të sakrifikonte për vepra të tilla të rëndësishme kombëtaro-fetare.  Pas seminarit në Universitetin Fordham Simon Simonlacaj, në kapacitetin e tij si anëtar i Komisionit Përgatitës i këtij seminari, më telefonoi dy ditë përpara se të niseshin  duke më thenë se kishte në plan të shoqëronte Dr Ibrahim Rugovën dhe Dr. Engjëll Sedajn për një vizitë në Washington. Në kryeqytetein amerikan, kaluam dy ditë të mrekullueshme me vizitorët e çmuar nga Kosova të cilët gjëndeshin për herë të parë në Amerikë, por duke marrë parasyshë se si u zhvilluan punët, kjo vizitë  vërtetë ishte e para  në Washington për Dr. Ibrahim Rugovën, Presidentin e ardhëshëm legjendar të Republikës së Kosovës së Pavarur – por jo e fundit. Pas kësja vizite edhe Simoni vinte shpesh në Washington dhe kurrë nuk këthehej për Nju Jork pa kaluar të pakën një natë në shtëpinë tonë.

Ka shumë veprimtari kombëtaro-fetare dhe akte bamirësie në të cilat Simon Simonlacaj merrte pjesë dhe kontribonte, përshir ndihmën për Urdhërin e Motrave të Nenë Terezës, por edhe për projekte në vendlindje. Po përmendi vetëm rastin e kontributit të tij në organizimin e seminarit të Pjetër Bogdanit, si diçka tepër me vend dhe e drejtë, 30-vjetë më parë në Nju Jork, një ngjarje kjo që unë besoj se me pjesëmarrjen e Dr. Ibrahim Rugovës në 300-vjetorin e vdekjes së Pjetës Bogdanit – mund të ketë ndryshuar rrjedhën e historisë për shqiptarët, sidomos për ngjarjet e mëvonshme në Kosovë. 

Për shumë arsye sot e kujtojmë me mendje e me zemër Simon Simonlacajn, mikun tim të dashur prej viteve, që nga viti 1966 kur e njoha në Rijekë të Kroacisë ku na kishte hedhur fati të dyve, larg familjes dhe venddlindjes sonë, për tu bashkuar disa vite më vonë këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Së bashku me familjen e tij të ngtushtë e kujtoj me dhimbje Simonin ashtu si e kujton me mall i mbarë komuniteti i gjërë shqiptaro-amerikan, të gjithë shqiptarët që e njohën në Ulqin, Kosovë e Shqipëri, por edhe të huajt që patën rastin ta njihnin dhe të punonin me Simon Simonlacajn.  Kur ndahet nga të gjallët një njeri kaq zemër mirë, patriot e fetar, jo vetëm familja e tij por të gjithë miqtë e Simon Simonlacajt dhe të familjes së tij, jetojnë përgjithmonë me ndjenjen e një humbjeje të madhe.  Ndarja e papritur nga kjo jetë e Simon Simonlacajt me të vërtetë le një zbrasti të pazevendsueshme për familjen e tij fisnike si dhe një mungesë të madhe në gjirin e komunitetit shqiptaro-amerikan, në përgjithësi.

Ngushëllimet e mia më të thella bashkshortes Santës dhe mbarë familjes e farefisit të Simonit me respektin më të sinqert për ta dhe për jetën e veprimtarinë e të dashurit të tyre më të shtrejntë dhe mikut e shokut tonë due të gjithë atyre që e njohën due punuan me të.

Ulur ga e majta: I ndjeri Simon Simonlacaj, Dr Ibrahim Rugova, Dr. Engjell Sedaj në shtëpinë e autorit në Falls Church, Virxhinia, afër Washingtonit, Tetor, 1989.

            Marrë nga libri “Imzot Pjetër Bogdani në New York”, me botues Z. Tonin Mirakaj

NJOFTIM NGA FAMILJA:

Our Lady of Shkodra

July 6 at 11:38 AM · 

Lajmërim Mortor

Simon Zefi Simonlacaj
12 Shkurt 1941 – 2 Korrik 2021

Me hidhërim njoftojmë se me 2 Korrik, papritmas u nda nga jeta atdhetari dhe bamirësi Simon Zef Simonlacaj në moshën 80 vjeç.

I ndjeri do të pushojë në shtëpinë mortore, Yorktown Funeral Home 945 East Main Street, Yorktown, NY 10588, të Dielën me 11 Korrik 2021, nga ora 2pm – 9pm.

Mesha e Dritës dhe salikimet e fundit do të kremtohen të
Hënen me 12 Korrik 2021, në orën 11:00am në Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës” prej ku mbas meshës trupi i të ndjerit do të përcjellët në varrezat “Gate of Heaven”, 10 West Stevens Ave, Hawthorne, NY.

Famullija “Zoja e Shkodrës” i shpreh ngushllimet e sinqerta Familjes dhe gjithë Farefisit.
Simoni, pastë dritë në amshim, dhe të gjallëve u dhashtë Zoti forcë.

Jepja o Zot pushimin e pasosur, e i shëndritë drita e pambarueme. Pushofte ne paqe. Ashtu Kjofte.

                                                       SIMON SIMONLACAJ

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, nderroi jete, Simon Simolacaj

RËNDËSIA E VËRTETË E KATËR KORRIKUT PËR AMERIKANËT DHE PËR BOTËN….

July 3, 2021 by dgreca

Nga Frank Shkreli/Çdo vit me 4 Korrik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) festojnë Ditën e Pavarësisë.  Sivjet, 4 Korriku shënon 245-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së SHBA nga Britania e Madhe, kur 13 kolonitë e asaj kohe shpallën pavarësinë e tyre nga qeverisja britanike.  Dokumenti i Shpalljes së Pavarësisë së SHBA është njëri ndër dokumentet – ndoshta dokumenti politik më me rëndësi në botë – që përcaktoi jo vetëm fatin dhe kornizën për mbijetimin dhe rritjen e këtij vendi, por është gjithashtu edhe dokumenti i cili frymëzoi lëvizje të njëjta për pavarësi, anë e mbanë botës.

Gjatë gjithë historisë, popujt kanë besuar se të drejtat e tyre vinin nga qeveria, nga mbreti ose pushteti cilido qoftë ai dhe si të tilla, ato mund të shkeleshin e të mohoheshin sipas deshirës e qejfit të qeverisë, regjimit, despotit ose mbretit, pasi sipas tyre, ato ishin privilegje që akordoheshin e hiqeshin sipas dëshirës së pushtetit në fuqi.  Shpallja e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara hodhi poshtë këtë besim ose nocion, njëherë e mirë, duke shpallur se të drejtat, personit dhe popullit nuk i jepen nga qeveria, por nga vet Krijuesi.  Në frazën ndoshta më të famëshme tani të nxjerrë nga teksti i Shpalljes së Pavarësisë Amerikane thuhet se, ”Ne i konsiderojmë këto të vërteta si krejtësisht të qarta, se të gjithë njerëzit janë krijuar me të drejta të barabarta, se Perëndia u ka falë atyre disa të Drejta të pamohueshme, ndër të cilat janë Jeta, liria dhe mundësia për të ndjekur suksesin dhe lumturinë.”

Mesazhi kryesor i kësaj dite — si për Amerikanët ashtu edhe për popujt anë e mbanë botës –është se këto mund të jenë fjalët më të rëndësishme në historinë e njerëzimit – se Perëndia dhe natyra dhe jo qeveria, mbreti ose parlamenti – jo vetëm amerikanëve por të gjithë njerëzëve kudo, ua ka falur këto të drejta themelore dhe të pamohueshme për të gjithë njerëzit kudo në botë.  Dhe se qeveritë krijohen nga populli për të vetmin qëllim e që është për t’u shërbyer njerëzve duke mbrojtur të drejtat e tyre natyrore dhe duke I zbatuar ato në mbështetje të qytetarëve.

Shpallja e Pavarësisë së Amerikës shënoi shkëputjen e kolonive nga Britania e Madhe 245 vjetë më parë, por ajo ishte vetëm fillimi i vendosjes së lirisë në këtë vend, pasi në atë kohë në shumë koloni të këtij kontinenti praktikohej skllavëria, ndërsa gratë nuk gëzonin të gjitha të drejtat për të cilat bëhej thirrje në Shpalljen e Pavarësisë. Ndërkohë, fatkeqësisht, indiano-amerikanët vendas u detyruan nga kolonët e ri të shpërnguleshin nga toka e tyre ndërkohë që kolonët e ri kishin filluar të vendoseshin anë e mbanë këtij vendi.  

Por ç’prej nënshkrimit të këtij akti dramatik para pothuaj dy shekuj e gjysëm më parë, përpjekjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të siguruar barazi dhe të drejta të barabarta për të gjithë, kanë triumfuar me shumë fitore gjatë dekadave të kaluara, por prapseparapë ekziston vetdija se mbetet shumë për t’u bërë dhe se ruajtja e këtyre të drejtave që na i ka falë Përëndia dhe natyra, kërkon vigjilencë të vazhdueshme për t’i ruajtur ato, sidomos nga intervenimet e qeverisë e cila ka për detyrë t’i mbrojë dhe jo të shkatërrojë liritë dhe të drejtat e popullit.

Liria, që sot konsiderohet në pjesën më të madhe të botës si e drejtë e  e njeriut, për herë të parë u vendos në skenën botërore si një e drejtë e pamohueshme më 4 Korrik 1776, me shpalljen e Pavarësisë së Shteve të Bashkuara.  Ideja se njerëzit duhet të gëzojnë këto të drejta të pamohueshme, të akorduara nga Përendia dhe jo nga ndonjë pushtet i kësaj bote, ose mbret a diktator i vet shpallur, ishte objekt talljeje nga bota e atëhershme e ”qytetëruar”, madje edhe sot Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të urrehen gjithnjë në shumë pjesë të botës, nga diktatorë e regjime shtypëse por edhe nga individë, të cilët mendojnë se të drejtat dhe liritë e njeriut janë privilegje që ata i rregullojnë sipas dëshirës dhe vullnetit të vet.  Ata i urrejnë gjithnjë Shtetet e Bashkuara se kanë mbrojtur dhe mbrojnë parimin e atëhershëm radikal të dalur nga Shpallja e Pavarësisë së Amerikës, më 4 Korrik 1776, për faktin se është e drejta e çdo populli kudo e në çdo vend të ndryshojë regjimin ose qeverinë dhe ta zëvendësojë atë me një tjetër që do të mbrojë këto të drejta e liri të pamohueshme, jo vetëm për amerikanët, por për të gjithë popujt anë e mbanë botës. Ky është një mesazh edhe për Shqiupolrisë due prël Kosovën due për të gjithë shqipotarët kudo — në këtë 30-vjetor të rivendosjes së marrëshpënieve shqiptaro-amerikane.   Ky pra është edhe mesazhi i kësaj dite amerikane edhe për popujt kudo të cilët vlerësojnë lirinë, pavarësinë dhe demokracinë për veten dhe për të tjerët!  Për të siguruar se këto të drejta do të ishin gur-themeli i shtetit të ri, kolonitë amerikane miratuan Kushtetutën e re më 1789 me dhjetë amandamente të cilat garantojnë liritë bazë të njeriut, përfshirë lirinë e fesë, lirinë e fjalës dhe të shtypit, si edhe shtesa të tjera në mbrojtje të qytetarit nga abuzimet e mundshëme nga  shteti dhe qeveritë autoritare.  Patrik Henri, njëri prej udhëheqësve të Pavarësisë Amerikane, ka thënë se “Kushtetuta nuk është një instrument i qeverisë për të kufizuar të drejtat e popullit por është një instrument i popullit për të kufizuar veprimtarinë e qeverisë, për ndryshe, ajo do të dominonte jetën dhe të drejtat tona”.

Është me vend që këto vlera e të drejta të pamohueshme të njeriut të festohen sot në në këtë përvjetor të Pavarësisë së Amerikës, por është gjithashtu e arsyeshme që këjo ngjarje historike të kujtohet edhe nga popujt anë e mbanë botës, pasi këto parime të mishëruara në Shpalljen e Pavarësisë Amerikane, pasqyrohen gjithashtu në kushtetuta të shumë vendeve dhe çka është më e rendësishme janë të përfshira në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.   Le të jetë pra edhe ky 4 Korrik një festim i garancisë së të drejtave të njeriut, jo vetëm për çdo shtetas amerikan kudo, por të kujtohet gjithashtu edhe nga mbarë bota që beson në këto vlera të lirsë, demokracisë dhe pavarësisë, e cila nga këjo ditë e shënuar patriotike amerikane mund të mësojë se sipas Mark Twain, ”Patriotizëm do të thotë të duash atdheun tëndë gjithmonë, por të mbështetësh qeverinë vetëm kur ajo e meriton të mbështetet”.

As në këtë prëvjetor të Pavraësisë së saj, Amerika nuk është një shtet as qeverei e përsosur! Si e tillë, megjithë të metat dhe mos-kënaqësitë që shprehen nga koha në koha – edhe sot 245 vjetë pas Shpalljes së Pavarësisë së sajë, Amerika mbetet gjithnjë simboli i lirisë, demokracisë dhe i pavarësisë për popujt anë e mbanë botës.  Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara shënohet si një festim i vlerave të përbashkëta njerëzore, të bazuara në lirinë dhe të drejtat e pamohueshme për të gjithë, të pasqyruara në Shpalljen e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës due në Deklaratën Universale të Drejtave të Njeriut.

Frank Shkreli

       Kambana e Lirisë në qytetin Filadelfia të shtetit Pensilvania

Filed Under: Featured Tagged With: 4 korriku, Frank shkreli

KUJTOJMË AT ZEF PLLUMIN, SIMBOLIN E KUJTESËS -PËRBALLË HARRESËS

June 29, 2021 by dgreca

NË DITËN NDËRKOMBËTARE TË KUJTESËS SË VIKTIMAVE TË TORTURAVE, KUJTOJMË AT ZEF PLLUMIN, SIMBOLIN E KUJTESËS – PËRBALLË HARRESËS /Nga Frank Shkreli/

26 Qershori shënoi Ditën Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara në Mbështetje të Viktimave të Torturës – një ditë kjo kur — anë e mbanë botës — kujtohen e nderohen viktimat e torturës, ndërkohë që të mbijetuarve të torturave në të kaluarën, u ofrohet mbështetje. 

Anë e mbanë botës kjo ditë u shënua në mënyra të ndryshme duek filluar nga Organizata e Kombeve të Bashgkuara () dhe nga shtete të ndryshme siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Në një deklaratë me rastin e kësaj dite përkujtimore, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Gutierrez tha se “Tortura është një praktikë e neveritshme dhe urrejtëse, njëkohësisht edhe një dhunim i dinjitetit njerëzor dhe shkelje e të drejtave të njeriut.” 

Ndërsa Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden në mesazhin e tij në ditën ndërkombëtare të kujtesës së viktimave të torturës u shpreh se “Tortura kudo dhe kurdoherë që të përdoret, përbën një njollë të zezë në ndërgjegjen tonë morale. Të gjithë ne duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për tu dhënë fund një herë e mirë praktikave të tilla jo njerëzore.”  Edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony J. Blinken në deklaratën e tij në Ditën Ndërkombëtare në Mbështetje të Viktimave të Torturës iu drejtua, shteteve anë e mbanë botës si dhe të gjithë atyre që janë kundër përdorimit të torturave, me këto fjalë: “Sot është një rast që vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara, shoqëritë civile dhe individët e interesuar anë e mbanë botës të bashkohen kundër përdorimit të torturave dhe të bëjnë thirrje për zbulimin e të vërtetës, për drejtësi dhe për ndëshkueshmëri për dhunuesit dhe shkelsit e të drejtave të njeriut.  Për derisa në botë ekzistojnë të tillë individë që përdorin torturën si mjet ndëshkimi për kundërshtarët, Shtetet e Bashkuara nuk do të heqin dorë nga angazhimi i tyre për ta zhdukur torturën njëherë e mirë”, ka deklaruar kyrediplomati amerikan në mesazhin e tij, në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës së Viktimave të Torturës.

Ndonëse nuk pashë asnjë lajm në media as deklaratë në lidhje me këtë ditë, nga Tirana dhe Prishtina zyrtare – megjithëse të dy vendet janë ndër vendet më të njohura ku tortura përdorej rregullisht dhe ashpërsisht ndaj kundërshtarëve të regjimit komunist, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Për këtë arsye, modestësisht, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës së Viktimave të Torturës, po kujtoj me pak fjalë, At Zef Pllumin —Frank Shkreli: At Zef Pllumi – Krenaria e Shkrelit dhe Nderi i Kombit | Gazeta Telegraf — i cili për fatin tonë dhe për hir të së vërtetës, “rrnoi për me tregue” për torturat e regjimit komunist të Enver Hoxhës, jo vetëm ndaj tij dhe shumë vëllëzërve të tij françeskanë, por edhe për vuajtjet dhe torturat ndajë përfaqsuesve – kundërshtarë të tjerë të regjimit komunist — më të dalluar të ajkës së Kombit shqiptar të gjysëm shekullit të kaluar.

Po e kujtoj At Zef Pllumin me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës së Viktimave të Torturave, sidomos për veprën e tij monumentale, “Rrno Për me Tregue”, me të cilën ka lenë pas një dëshmi të gjallë historike dhe të vërtetën mbi torturat e tmershme të shqiptarit kundër shqiptarit dhe një histori vuajtjesh të pa imagjinueshme të një pjese të madhe të shqiptarëve, nën regjimin komunist të Enver Hoxhës.

Dita Ndërkombëtare e Kujtesës së Viktimave të Torturës është një ditë me rëndësi edhe për shqiptarët.  Duke kujtuar këtë ditë fund javën që kaloi, Presidenti Joe Biden, besoj se u shpreh për të gjithë njerëzit vullnet mirë, kur tha se, “Torturat, kudo dhe kurdoherë përbëjnë një njollë të zezë në ndërgjegjen tonë morale…”. Ismail Kadare gjithashtu e ka vlerësuar librin “Rrno për me Tregue” – si një përshkrim të tmershëm të vuajtjeve mizore të ndërmarra nga një regjim i pamëshirshëm kundër një popullësie të pafajashme – si një vepër për të cilën, sipas Kadaresë, “Gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë për këtë vepër. Kanë nevojë për të ata që e kanë jetuar atë kohë, e po aq, në mos për më tepër, ata që s’e kanë jetuar. Kanë nevojë të shtypurit e të nëpërkëmburit, e po aq, e mos më tepër, ata që shtypën të tjerët.  Kanë nevojë antikomunistët, e po aq, ndoshta më tepër, komunistët.  Shkurt për të ka nevojë ndërgjegja jonë”, ka thënë Kadare.

Dua të shtoj se në këtë Ditë Ndërkombëtare të Kujtesës së Viktimave të Torturës – në mungesë të ndonjë deklarate zyrtare në kujtim të viktimave të torturës në Shqipëri dhe në Kosovë – ia vlen që vepra e At Zef Pllumit të shërbejë si pikënisje për kujtimin e viktimave të torturës komuniste në trojet shqiptare, si një përpjekje e domosdoshme për pajtim kombëtar.   Sidomos në këtë periudhë sot, kur jo vetëm indidvidë dhe organizata shtetërore e madje edhe përfaqsues të qeverisë shqiptare kanë bërë deklarata favorizuese për ish- regjimin komunist të Enver Hoxhës, që ka shkaktuar aq shumë vuajtje që përshkruhen me aq hollësi nga At Zef Pllumi – deklarata të zyrtarëve të lartë shqiptarë që, fatkqesisht, duket sikur kanë për qëllim jo vetëm shtrembërimin e fakteve historike, por edhe mohimin e tyre.  Madje edhe 30-vjet “post-komunizëm”, At Zef Pllumi nuk u lë të mohoni as të shtrembëroni historinë e vërtetë të vuajtjeve të shqiptarëve nën komunizëm! 

“Torturuesit duhet të ndëshkohen për krimet e tyre dhe regjimet të cilat mundësojnë torturat duhet të shemben ose të transformohen”, tha Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Gutierres, duke shtuar se “Tortura është një krim kundër njerëzimit”.  Kombet e Bashkuara e kanë dënuar që në fillim torturën si një nga aktet më të shëmtuara e të liga të njeriut kundër njeriut.  Tortura, sipas Kombeve të Bashkuara, ka për qëllim të asgjësojë personalitetin e viktimës, të mohojë dhe të dhunojë dinjitetin ekzistencial të njeriut. 

At Zef Pllumi nuk është më midis nesh fizikisht – por është gjithnjë me ne ashtu siç qëndronte gjithmonë — i pamposhtur, shpirtërisht dhe moralisht. Prandaj me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës së Viktimave të Torturës, të kujtojmë atë dhe dëshmitë e tija si due vikimat e torturave të ish-regjimit diktatorial komunist – ndër më të egërit e ish-botës komuniste.  Ashtuqë nepërmjet dëshmive të tija t’i bashkohemi botës së qytetëruar – të cilët si më sipër, me deklaratat e tyre shënuan këtë ditë për të kujtuar e nderuar mijëra viktima – të gjallë e të vdekur, “heronjë të heshtur” — të regjimit komunist të Enver Hoxhës që humbën jetën nga torturat më çnjerëzore, përballë një qëndrese paqësore.  Sidomos sot, 30-vjet “post-komunizëm”, kur heshtja zyrtare për krimet komuniste është mbytëse dhe refuzimi zyrtar i politikës shqiptare për tu përballur me atë të kaluar të errët të historisë kombëtare, ndërkohë që shumica e të mbijetuarve të torturave për të cilat ka dëshmuar At Zef Pllumi në librin e tij monumental, “Rrno për me Tregue”, po vdesin dalngadalë, ndërsa njohuria për “gulagun komunist shqiptar” po zhduket gjithashtu, sidomos në radhët e brezit të ri. Ndoshta ky është edhe objektivi, jo vetëm i përpjekjeve të viteve të fundit për të promovuar “të mirat” dhe “anën pozitive” të ish-regjimit komunist, siç kemi dëgjuar kohët e fundit nga zyrtarët më të lartë të qeverisë dhe të shtetit shqiptar, por edhe i heshtjes së Tiranës zyrtare me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës së Viktimave të Torturës. 

“Çdo gjë ka stinën e vet, çdo situatë ka një kohë nën qiell; një kohë për të grisur dhe një kohë për të qepur, një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur…” (Dhiata e Vjetër, Predikuesi 3:  

Bashkohuni me botën e qytetëruar! Ka ardhur koha për të FOLUR dhe për të kujtuar viktimat e pafajshme të torturave si dhe krimet e komunizmit gjysëm shekullore, në përgjithësi! 

See the source image
See the source image

                   . See the source image…   Disa nga udhëheqsit botëror që shënuan Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës së Viktimave të Torturave me 26 qershor, 2021 – Presidenti I Shteteve të Bashkuara, Joe Biden – Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Gutierres dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony J. Blinken

Filed Under: Featured Tagged With: At Zef Pllumi, Dita e Kujteses, Frank shkreli

AT GJERGJ FISHTA ARKITEKT I MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE…

June 21, 2021 by dgreca

AT GJERGJ FISHTA ARKITEKT I MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE VAZHDON TË JETË I PA DËSHIRUAR NË VENDIN E VET/

 Nga Frank Shkreli* /

20 Qershori (i vitit 1919) shënon përvjetorin e fjalimit të At Gjergj Fishtës në Konferencën e Paqës në Paris mbi “Shqiptarët e të Drejtat e tyre”. Fjalimi ka si autor At Gjergj Fishtën, Sekretar i Delegacionit shqiptar por është lexuar në frëngjisht në Konferencën e Paqës nga Imzot Luigj Bumçi, Kryetar i delegacionit shqiptar.  Viti 2021 shënon 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, me 15 mars, 1991 — pas një ndërprejeje prej gjysëm shekulli nga regjimi komunist i Enver Hoxhës — dhe hapjen e parë të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, me 1 tetor, 1991. 

Këto data më sollën në kujtesë një artikull që kam shkruar kohë më parë mbi vizitën e At Gjergj Fishtës në Shtetet e Bashkuara e që ndoshta ia vlen të përmendet në lidhje me këto përvjetorë të rëndësishëm të historisë së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe rolit që ka luajtur At Gjergj Fishta si njëri prej arkitektëve kryesorë në zanafillën e këtyre marrëdhënieve, në fillim të shekullit të kaluar.  E shoh të arsyeshme të kujtoj vizitën e At Gjergj Fishtës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1922, si dhe veprimtarinë e tij lobuese me atë rast, në mbështetje të interesave të Shqiptarëve – për të cilat pakë njerëz janë të informuar dhe më pak dëshirojnë të flasin e të shkruajnë për të — përfshir lobimin që Fishta zhvilloi gjatë vizitës së tij të parë në Washington me zyrtarët më të lartë amerikanë në favor të njohjes diplomatike të Shqipërisë si shtet i pavarur nga Shtetet e Bashkuara.  Këto shënime janë bazuar në disa të dhëna dhe korrespondenca në librin e vjetër përkujtimor, “At Gjergj Fishta 1871-1940”, botuar nën kujdesin e At Benedikt Dema, me rastin e vdekjes së At Gjergj Fishtës me 30-dhjetor, 1940. Nga këto të dhëna na del se historia e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane e ka fillimin shumë më heret se këto tre dekadat e fundit, megjithëse protagonistët aktualë të këtyre marrëdhënieve do të donin të na bindnin sot se historia e këtyre marrëdhënieve fillon me ta (e ndoshta po mos të jemi të kujdesshëm edhe mbaron me ta).

Komuniteti shqiptaro-amerikan me të drejtë njihet si mbrojtës historik i kauzave kombëtare shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke filluar nga veprimtaritë e diasporës më të vjetër shqiptare në Amerikë. Këto veprimtari, në mbrojtje të drejtave të shqiptarëve në trojet e tyre në Ballkanin Perëndimor dhe kudo në botë, e që në fjalorin e sotëm politik njihen si “veprimtari lobingu”, për shqiptarët e Amerikës kanë filluar me takimin e Fan Nolit me Presidentin amerikan Woodrow Wilson, kur ish-Presidenti Wilson, sipas Nolit, i kishte premtuar se, “një zë do të ketë në Konferencën e Paqës në Paris dhe atë zë do ta përdorte në mbështetje të Shqipërisë”.  Shumë është shkruar për këtë rast si dhe për veprimtaritë lobiste të komunitetit shqiptaro-amerikan, sidomos gjatë 40-viteve të fundit, në mbrojtje të drejtave dhe interesave kombëtare të shqiptarëve kudo. 

Por falë urrejtjes, shpalljes së tij si armik e tradhëtar i popullit, harresës dhe anashkalimit zyrtar të personit dhe veprës së At Gjergj Fishtës për pothuaj një gjysëm shekulli nga regjimi komunist sllavo-aziatik – por edhe në 30-vjet të regjimeve post-komuniste, përfshir median dhe historiografinë shqiptare të influencuar nga komunizmi — pak njerëz mund ta dinë se përveç kontributeve të shumta në fusha të ndryshme, si në letërsi, gjuhë, kulturë dhe politikë shqiptare, Gjergj Fishta ka dhënë një kontribut të çmueshëm edhe në atë që sot e quajmë “lobing”, në mbrojtje të interesave kombëtare, në konferenca dhe takime ndërkombëtare të nivelit të lartë. Veçanërisht, roli që ka luajtur Gjergj Fishta në njohjen e pavarësisë së Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara dhe në lidhjen diplomatike midis dy vendeve.

Përpjekjet lobiste të Fishtës janë bazuar në disa të dhëna dhe korrespondenca përfshir në librin përkujtimor, të lartë përmendur, “At Gjergj Fishta 1871-1940”, botuar nën kujdesin e At Benedikt Dema, me rastin e vdekjes së At Gjergj Fishtës me 30-dhjetor, 1940.   Bazuar në korrespondencën e pasqyruar në këtë botim të veçant përkujtimor — midis Fishtës, At Justin Rrota dhe At Pal Dodaj — Gjergj Fishta njoftonte Kuvendin françeskan në Shqipëri  arrijtjen e tij në Amerikë, duke shkruar se, “Me 8 të këtij muaji (Mars, 1922) në ora 2:30 mbasdite vuna kambën në Amerikë, në New York”.

Nga të dhënat që paraqiten në këtë libër, del se vizita e At Gjergj Fishtës në Amerikë kishte dy objektiva:  Një, të “kujdesej për interesat e Shqipënisë”, sipas porosisë së Imzot Luigj Bumçit, Kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris.  Objektivi i dytë ishte që Fishta të takohej me personalitetet më të dalluara të diasporës shqiptare në Amerikë.  I rëndësishëm është fakti se — nga korrespondenca e Poetit Kombëtar që ai ka shkëmbyer nga Amerika me pjesëtarë të Urdhërit Françeskan në Atdhe — pas takimeve me përfaqësues të shquar të komunitetit shqiptaro-amerikan si Faik Konica gjatë vizitës së tij të parë në Amerikë në vitin 1922 – mësojmë, ndër të tjera, edhe për veprimtarinë lobiste të At Gjergj Fishtës në Washington. (I vetdijshëm për rëndësinë historike të këtyre letrave, At Pal Dodaj ka shkruar se përmbledhja e letrave të Fishtës që dërgonte nga Amerika më 1922 do t’u interesojë, eventualisht, studiuesve të historisë, megjithse deri më sot nuk duket që ky dokumentacion të ketë tërhequr interesimin e historiografisë pseudo-komuniste që gjithnjë dominon në interpretimin e historisë së Kombit shqiptar). Sidoqoftë, le t’i këthehemi disa prej komunikimeve midis Fishtës në Amerikë dhe Kuvendit Françeskan në Shkodër të cilat pasqyrojnë veprimtarinë lobiste të Fishtës në Washington.

Provinciali i Kuvendit Françeskan në Shqipëri në atë kohë, At Pal Dodaj shënon në librin përkujtimor (më sipër), “At Gjergj Fishta – 1871-1940”, se në një letër të datës 8-V-22, dërguar atij nga At Gjergj Fishta prej Washingtonit, Fishta flet për veprimtarinë e tij lobiste në favor të njohjes diplomatike të Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara, si dhe për takimet që kishte zhvilluar ai me Senatorë katolikë amerikanë, me ndihmën e françeskanit amerikan, Godfried Shilling, i cili në atë kohë gëzonte influencë të madhe në qarqet politike dhe diplomatike të Washingtonit, sipas të dhënave në këtë libër:

“Këtu në Washington kam kontaktue me nji senator katolik, siç të kam shkrue (29.4. 1922), dhe i jam lutë me u interesue pranë Qeverisë së Tij për njohjen e Shqypnisë si Shtet i Pamvarun”, thuhet në letrën e Fishtës. “Ai ka folë sot me Senatorin e Partisë Republikane, Henry Cabot Lodge…”, (politikan me autoritet i asaj periudhe dhe mbështetës i madh i rolit amerikan në punët botërore — shënim i autorit), “…i cili më tha se njohja e Shqypnisë asht e mundshme, prandej Qeveria e Tiranës, t’a paraqesi kërkesën e Saj me shkrim në Nensekretariatin e Shteteve të Bashkueme t’Amerikës.”  Në faqen tjetër të letrës, sipas At Palë Dodaj, Fishta ishte shprehur se, “Ndërkaq, vizita eme në Washington ka pasë, si përfundim, njohjen e Shqypnisë prej anës së Shteteve të Bashkueme të Amerikës. Të gjitha përpjekjet e maparshme të Qeverisë sonë, si edhe ato të (Federatës Panshqiptare) “Vatra”, s’kanë pasë sukses…Kjenë Senatorët katolikë — të cilëve ua pata paraqitë çashtjen, sidomos, nga pikëpamja fetare– ata të cilët me ndërhymje të veta siguruan njohjen zyrtare të Shqypnisë nga Qeverija amerikane”, citohet letra e At Gjergj Fishtës dërguar nga Washingtoni në adresën e At Pal Dodajt.  Data e njohjes zyrtare e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Washingtonit dhe Tiranës, përputhet plotësisht me vizitën e At Gjergj Fishtës në Washington si dhe me përmbajtjen e letrave të tija, cituar më lartë. Albania – Countries – Office of the Historian (state.gov)

Sipas Zyrës së Historianit të Departamentit Amerikan të Shtetit — me anë të një telegrami që mban datën 25 Korrik, 1922 — Sekretari Amerikan i Shtetit (DASH) në atë kohë, Charles Evans Hughes, informon Komisionerin Amerikan në Shqipëri, Maxwell Blake se në datën 28 Korrik, 1922 ai mund t’i, “Dorëzojë Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë njoftimin me shkrim për njohjen de jure të Shqipërisë, nga ana e Shteteve të Bashkuara.”  

Sipas Zyrës së Historianit të (DASH) njohja e shtetit shqiptar nga Washingtoni u pasua me vendosjen zyrtare të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona më 4 Dhjetor, 1922, kur Përfaqësuesi i Jashtzakonshëm dhe Ministri Fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Ulysses Grant-Smith i paraqiti letër-kredencialet Qeverisë së Shqipërisë në Tiranë, pikërisht me 4 Dhjetor, 1922, theksohet në tekstin e Zyrës së Historianit të (DASH).

Thonë se njerëzit e mëdhenj të një Kombi, siç është Fishta, vlerësohen më shumë pas vdekjes se kur janë gjallë.  Fatkeqësisht, kjo nuk ka ndodhur me At Gjergj Fishtën pasi edhe sot pas 30-vjet “post-komunizëm”, Poeti i Kombit dhe Mbrojtësi më i vendosur i të drejtave, vlerave dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve edhe sot e kësaj dite është i stigmatizuar si tradhëtar, si një personi i pa dëshiruar në Shqipëri – persona non grata në vendin e vet – atdheun, për të cilin punoi e veproi aq shumë.  Unë e kam shumë të vështirë gjithnjë të konstatoj se ku e ka hallin Tirana zyrtare me At Gjergj Fishtën, i cili me veprat e tija përjetësoi çdo gjë me të cilat mund të krenohet Kombi Shqiptar ndër shekuj, qoftë veprimtaria e tij shumë dimensionale, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar në përgjithësi, qoft kontributi i tij në njohjen dhe vendosjen e lidhjeve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në fillim të shekullit të kaluar, në veçanti.  Unë ende nuk e kuptoj se pse sot, gjoja në demokraci, “At Gjergj Fishta sakrifikohet pikërisht si përfaqsuesi madhor i vlerave kombëtare”, siç është shprehur me një rast i ndjeri Profesor Arshi Pipa.  

Kemi arritur në një pikë të historisë pas kaq vitesh, që të themi me keqardhje të madhe, se me ketë klasë politike në Shqipëri dhe në Kosovë, e cila kontrollon çdo aktivitet të jetës së shqiptarëve në një sistem që guxojnë ta cilësojnë si “demokraci”- e kemi humbur shpresën se shqiptarët, si komb madje edhe 30-vjet pas komunizmit – do të jenë të lirë të vlerësonin më në fund njerëzit e mëdhenj të Kombit si At Gjergj Fishta për meritat historike që kanë. Me ketë nivel kulture bolshevike që tregon kjo klasë aktuale politike e shqiptarëve sot, ajo nuk është e denjë të përfaqësojë një komb të përparuar, që dëshiron të jetë i lirë dhe demokratik, në fillim të shekullit 21! Si të tillë, kot e kini se nuk mund të bindni askënd se ndani vlerat me botën perëndimore.  Fatkeqësisht për Kombin shqiptar, po shihet tashti se vlerat tuaja i kanë rrënjët thellë në trashëgiminë e Enver Hoxhës, nga e cila duket se e kini shumë të vështirë të distancoheni.

Kot e kini se me Enver Hoxhën dhe me gënjeshtrat tuaja nuk do të bëheni kurrë pjesë e botës së qytetëruar. Pyetja për këtë klasë aktuale politike, “post-komuniste” e të gjitha ngjyrave, vazhdon të jetë: me cilat vlera doni të shkoni drejtë Evropës dhe drejtë lidhjeve të ngushta me Shtetet e Bashkuara: me vlerat anti-kombëtare të sllavo-aziatikut Enver Hoxha a po me vlerat e At Gjergj Fishtës, “Përfaqsuesit madhor të vlerave kombëtare” dhe të vlerave të vërteta pro-perëndimore ndër shqiptarët, si dhe të njërit prej arkitektëve kryesorë marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, një shekull më parë.  Sa më parë që t’i përgjigjeni kësaj pyetjeje – për mirë ose për keq — aq më e qartë do të bëhet rruga në të cilën kini ndër mend ta çoni Kombin shqiptar në të ardhmen!

Frank Shkreli   

Ndoshta mbrojtësi më i vendosur, historikisht, i interesave dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve – i këtij populli, të drejtat e të cilit i mbrojti si askush tjetër në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar — At Gjergj Fishta, për pothuaj një shekull tani i shpallur “armik i popullit” dhe “reaksionar”, nga ish-regjimi komunist i Enver Hoxhës, ndërkohë që vazhdon të trajtohet si persona non grata në vendin e vet nga regjimet e të ashtuquajturit tranzicion “post-komunist” i tre dekadave të kaluara.     

Profesor Arshi Pipa është shprehur, se ajo që e dallon patriotizmin e At Gjergj Fishtës nga të tjerët është, “karakteri militant, luftarak, i patriotizmit” të tij. Të tjerët, sipas Arshi Pipës, më shumë kanë mbrojtur, ndërsa Fishta ka mbrojtur dhe ka sulmuar. “Ai ka sulmuar të gjithë ata, persona ose shtete të vogla, ose fuqi të mëdha, të Lindjes e të Perëndimit, të Krishtit ose të Muhametit, që kanë synuar robërimin, pushtimin, copëtimin e Shqipërisë. Ata që kanë cenuar tagrin e popullit shqiptar, ata që kanë fyer dinjitetin dhe krenarinë kombëtare”, ka shkruar i ndjeri Profesor Pipa për patriotizmin e At Gjergj Fishtës.

—————————————————————————————                                                    

Më poshtë, fotot e Personaliteve të larta politike amerikane, emrat e të cilëve i përmend At Gjergj Fishta në korrespondencën e tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në viti 1922

See the source image Senatori Republikan, Henry Cabot Lodge, Kryetar i Komisionit të Senatit për Punë të Jashtme kur Fishta vizitoi WashingtoninFather Godfrey Schilling at Mt. Tabor

Françeskani amerikan Godfried Shilling me të cilin u takua At Gjergj Fishta në Washington, 1922

See the source image

        Charles Evans Hughes, Sekretari Amerikan i Shtetit (1921-1925)

Larger memorial image loading...

Ministri (Ambasadori) i parë amerikan në Tiranë:  4 Dhjetor 1922 – 8 Shkurt, 1925  

At Gjergj Fishta dhe Konferenca e Paqës – fjalim monumental në historinë e Kombit shqiptar, 20 Qershor 1919

Filed Under: Emigracion Tagged With: At Gjergj Fishta, Frank shkreli, Marrdhenie, shqiptaro-amerikane

HIPOKRIZIA SHQIPTARE ME VIKTIMAT E KOMUNIZMIT

June 16, 2021 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/

Fondacioni Përkujtimor i Viktimave të Komunizmit është një organizatë anti-komuniste jo-fitimprurëse këtu në Shtetet e Bashkuara, me qëndër të Washington, e themeluar me një akt të Kongresit, në vitin 1993, “Me qëllim për të edukuar Amerikanët rreth ideologjisë, historisë dhe trashëgimisë së komunizmit”.  Ky është misioni i këtij fondacioni, me moton e veprimit, “Për të mësuar të Vërtetën – Për të kërkuar Drejtësinë – Për të ruajtur Kujtesën”.

Për pothuaj tre dekada ky fondacion ka zhvilluar një veprimtari të dendur për të edukuar dhe për t’i kujtuar– rinisë dhe publikut amerikan në veçanti, por edhe vizitorëve ndërkombëtarë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara — krimet barbare të komunizmit gjatë shekullit të kaluar dhe më vonë, krime të kryera në më shumë se 40-vende të botës të sunduara dikur due sot nga regjime komuniste.

Ashtu si çdo vit ç’prej themelimit edhe sivjet, Fondacioni Përkujtimor i Viktimave të Komunizmit — para Monumentit të Viktimave të Komunizmit në Washington në kushtuar më shumë se 100-milionë viktimave të komunizmit në botë — zhvilloi ceremoninë përkujtimore vjetore, të premtën që kaloi.  Kjo ceremoni vjetore zhvillohet në në këtë ditë, në kujtim të vizitës së ish-Presidentit amerikan, Ronald Reagan në Berlin më 12 Qershor, 1987 dhe thirrjes së tij të famshme tashti, drejtuar udhëheqsit të atëhershëm sovjetik: “Z. Gorbaçov, shembe këtë mur”, një referencë kjo ndaj murit që kishte ndarë për 30-vjet Berlinin — në atë atë lindor (komunist) dhe perëndimor (demokratik) — e që konsiderohej edhe simbol i të gjithave të këqiave të komunizmit dhe i luftës së ftohtë për tre dekada. 

Të premtën që kaloi, Fondacioni Përkujtimor i Viktimave të Komunizmit organizoi edhe sivjet ceremoninë para Memorialit, i ngritur në vitin 2007 jo larg godinës së Kongresit, kushtuar viktimave të komunizmit në botë ku morën pjesë përfaqësues të 16 ambasadave të vendeve ish-komuniste në Evropë si dhe një numër organizatash nga ish-vendet e robëruara komuniste. Ceremonia e 14-të e emërtuar si “Roll Call of Nations Wreath Laying Ceremony” është një ceremoni gjatë të cilës, historikisht, për çdo vit ambasadorë dhe diplomatë të vendeve ish-komuniste vendosin kurora me lule pranë Memorialit të Viktimave të Komunizmit botëror në kryeqytetin amerikan, në kujtim të mbi 100-milionë viktimave të komunizmit ndërkombëtar, anë e mbanë botës, përfshir Shqipërinë dhe Kosovën.

Me të vërtetë u ndjeva shumë mirë shpirtërisht por dhe krenar si shqiptar kur sivjet i pashë dy kurora midis dyzina sosh, njëra nga ambasada e Republikës së Shqipërisë dhe tjetra nga ambasada e Republikës së Kosovës – ashtu krah për krah njëra tjetrës (siç mund të shikoni foton më poshtë) para një Memoriali në Kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, kushtuar viktimave të komunizmit anë e mbanë botës.  Por, fatkeqësisht, fillova shpejt ta humbas krenarinë për këtë akt njerëzor të dy ambasadave shqiptare ndaj viktimave të komunizmit botërorë përfshir viktimat komuniste në trojet shqiptare, një akt që duhet të vlerësohet pa marrë parasysh nëse e kanë bërë me ose pa lejen e Ministrive të tyre përkatëse.

Sa bukur që dy ambasadat shqiptare renditen më përfaqësi të tjera nga vendet ish-komuniste për të kujtuar viktimat komuniste, por sa sa ironik, në mos hipokrit ky akt, thashë me vete që përfaqësitë diplomatike shqiptare në Washington vendosin kurora me lule para një monumenti amerikan kushtuar viktimave të komunizmit — në një vend si Amerika, e cila nuk ka vuajtur kurrë nga komunizmi, por që në Shqipëri dhe në Kosovë, të cilat kanë vuajtur nga komunizmi më shumë se çdo vend tjetër në Evropë dhe në botë – jo vetëm që nuk gjenë ndonjë monument të ngritur kushtuar dhjetra mijëra viktimave shqiptare të komunizmit.  Sa mirë do të ishte nëqoftse të afërmit e atyre viktimave shqiptare të komunizmit — eshtrat e të cilëve as nuk dihet se ku janë hedhur a varrosur  — por ku të afërmit e tyre ose të interesuarit mund të vendosnin një kurorë me lule të pakën për ti kujtuar ata në data me rëndësi të kujtimit të tyre, si kjo në Washington javën që kaloi, por edhe në data të tjera gjatë vitit kushtuar kujtimit të viktimave të komunizmit, sidomos në Evropë, por edhe në botë, përfshir Shtetet e Bashkuara dhe Kandanë, të cilat nuk kanë vuajtur kurrë nga komunizmi. 

Në Shqipëri dhe në Kosovë nuk ka asnjë date për të kujtuar viktimat e komunizmit – por nuk ka as monumente kushtuar viktimave shqiptare të komunizmit në asnjërin vend – ndërkohë që me autorizimin e autoriteteve vendase janë ndërtuar madje edhe natën për terr monumente dhe gjen kudo memoriale kushtuar të huajve, turqëve, grekëve e sllavëve. Turpi i mbuloftë këto autoritete të cilat jo vetëm nuk kujtojnë viktimat e komunizmit në Shqipëri dhe Kosovë – por, në të vërtetë, tallen publikisht me ta, me familjet e tyre dhe me vuajtjet e tyre.  Kanë kaluar 30-vjet nga shembja e Murit të Berlinit dhe ndryshe nga e gjithë bota tjetër e qytetëruar, Shqipëria dhe Kosova nuk kanë madje as një ditë kushtuar mijëra viktimave të pafaajshme të komunizmit shqiptaro-sllav as monumente në kujtim të tyre, askund në trojet shqiptare.

Klasa politike shqiptare e të gjitha ngjyrave ka vazhduar për 30 vjet tashti, të hesht, ta paraqesi dhe ta shtrembërojë çështjen e viktimave të komunizmit sipas interesit dhe trillimeve të rastit duke bërë premtime, por pa asnjë vullnet as dëshirë për tu përballur me të kaluarën komuniste as me krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Jemi mësuar me talljet, me gënjeshtrat dhe me premtimet boshe të radhës nga përfaqësues të ndryshëm të politikanëve shqiptarë — pozitë e opozitë — sidomos të përfaqsuesve të kulturës së vjetër komuniste, ose gardës së vjetër komuniste, e cila ka mbizotëruar për tre dekada politikën shqiptare të këtij tranzicioni të pa fund.  Edhe këta pretendojnë të bëjnë shtet?!

Shteti nuk bëhet me mendësi komuniste. Demokracia nuk zhvillohet me mentalitet momunist dhe as liria nuk vendoset me ligje për kufizimin e lirisë, si për shembëll të lirisë së shtypit.   Ashtu siç as drejtësia nuk mund të vendoset nga ish-prokurorë dhe ish-gjykatës të komunizmit, disa prej të cilëve kanë gisht në dënimet e viktimave të pafajshme të komunizmit.   madje as atëherë kur ata kanë mbështetjen e turpshme dhe pa rezerva të ambasadave më të mëdha përendimore. 

Ironi, hipokrizi, a po diçka tjetër qoftë, unë e shikoj si shenjë shpresëdhënse vendosjen e kurorave me lule (me leje ose pa leje të qendrave) nga dy ambasadat shqiptare pranë Memorialit Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit ndërkombëtar në Washington, të premtën që kaloi, në prani të një numri diplomatësh dhe përfaqsuesish të oganizatave të ndryshme ndërkomblëtare. Duke shpresuar se diçka mund të bëhet edhe në trojet shqiptare për të kujtuar mijëra viktimat e komunizmit shqiptar, anë e mbanë trojeve shqiptare, me besimin se e vërteta sado që të mbulohet nga errësira, më në fund gjithmonë triumfon.   Sepse, “Për një kohë tepër të gjatë e vërteta e asaj që ka ndodhur është përfolur në heshtje, e mbuluar me terr. Por vetëm e vetëm pse historia ka heshtur për ato që kanë ndodhur, nuk do të thotë se (masakra) nuk ka ndodhur. Dhe ndërsa terri mbulon shumë gjëra, ai nuk shlyen asgjë, asgjë!  Disa krime e padrejtësi janë aq djallëzore, aq të tmershme dhe shokuese, sa që ato nuk mund të mbulohen nën tokë, pa marrë parasysh sa mund përpiqen disa njerëz për të bërë një gjë të tillë.”  (Nga fjalimi i Presidentit Joe Biden me rastin e 100-vjetorit të masakrës në Tulsa të shtetit Oklahoma me 1 Qershor, 2021.)

Ka ardhë koha që Tirana dhe Prishtina zyrtare të veprojnë “në anën e duhur të historisë”, të bashkohen me botën e qytetëruar perëndimore dhe të përballen me krimet e komunizmit dhe me historinë e turpshme të regjimeve komuniste, anë e mbanë trojeve shqiptare. Është i nevojshëm një reflektim i thellë nga autoritetet më të larta dhe mëshirë njerëzore nga të gjithë të pyesni veten PSE ndodhën këto krime dhe PSE heshtni për 30-vjet tranzicion?!  Cilën rrugë do të ndjekë kombi shqiptar, rrugën e vlerave bazë njerëzore të respektit për jetën e njeriut, të lirisë dhe demokracisë perëndimore, apo rrugën e përcaktuar 85-vjetë më parë nga një ish-diktator komunist sllavo-aziatik, pasojat e regjimit të të cilit shihen dhe preken ende anë e mbanë vendit dhe mëtej.

May be an image of text that says 'Fourtnth Annual ROLL CALL of NATIONS Wreath Laying Ceremony FRIDAY, JUNE 11, 2021 9:00 AM'

                               Kurorat me lule nga Ambasada e Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, të vendosura rreth Monumentit Përkujtimor të Viktimave të Komunizmit në Washington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një vend ku nuk ka sunduar kurrë komunizmi – ndërkohë që në Shqipëri dhe në Kosovë ku regjimet komuniste të Enver/Titos shkaktuan mijëra viktima të pafajshme – vetëm e vetëm se konsideroheshin kundërshtarë të regjimeve të tyre, ndër më të egrat në botë.

Foto e pjesëmarrësve në ceremoninë e vendosjes së kurorave nga diplomatë everipian-lindorë në Washington

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, Hipokrizi shqiptare, viktimat e Komunizmit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT