Të dashur bashkombas të besimit Islam/
Më lejoni që në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, të familjes sime dhe në emrin tim personal t’ju uroj përzemërsisht: Gëzuar Fitër Bajramin. Kjo natë e shenjtë është festa e pranverës në shpirtin e çdo njeriu që ka agjëruar. Çdo besimtar sot përulet para krijuesit të tejetlartë në shenjë falenderimi për kalimin me sukses të një muaji sakrifice e përshpirtshmërie ndaj Zotit tonë fuqiplotë. Zoti është krenar për të gjithë ju për këtë dedikim të veçantë ndaj Krijuesit të gjithësisë.
Uroj ta kaloni bukur dhe gëzuar me familjen, të dashurit dhe miqtë tuaj. Në çdo vështirësi dhe sakrificë thirreni emrin e tij dhe Zoti do jetë aty për t’ju çliruar prej tundimeve e veprave të djallit.
Me rastin e kësaj feste të madhe ju uroj me shpirt të gjithëve që të jeni shembull i mirë, besimtarë të devotshëm e qytetarë dinjitozë. Sot më shumë se kurrë duhet të mendojmë për të sëmurët, të varfërit, të braktisurit dhe për të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetjen tonë.
Kjo festë e madhe le të na afrojë sa më shumë me Zotin dhe njëri-tjetrin.
I bekuar qoftë gjithmonë ai që lartëson emrin e Zotit.
Begati, bekime dhe lumturi në familjet tuaja.
Me respekt e gëzim
Kryetari i VATRËS
Elmi BERISHA