Fërkime transatlantike: Në samitin e G7-s në Kanada presidenti amerikan, Donald Trump paraqitet luftarak, ndërsa europianët nuk duan të dorëzohen. A mund të bien në ujdi në fund krerët e vendeve më të fuqishme të botës?
Krerët e qeverive dhe vendeve të G7-s duan që në ditën e fundit (09.06) të samitit në La Malbaie në Kanada të publikojnë një deklaratë të përbashkët. Pas diskutimeve për politikën e jashtme dhe atë tregtare të shtunën debatohet për diskriminimin e grave dhe ndotjen e oqeaneve. Të dyja janë tema që presidenca kanadeze i ka vendosur në axhendën e saj të samitit dyditor. Kancelarja gjermane, Angela Merkel është shprehur, se për shkak të diferencave me Trumpin në çështjet tregtare dhe klimiës është e pasigurtë, nëse do të ketë në fund një deklaratë të përbashkët të samitit. „Besoj se do ishte një shenjë e të qenurit i hapur po të thonim, se brenda një kulture të hapur debati nuk jemi dakord për të gjitha çështjet.”
Negociata të shpejta për NAFTA-n
Por presidenti Trump nga ana e tij u shpreh pozitivisht për një deklaratë të përbashkët. „Besoj se do ta kemi një deklaratë të përbashkët”, tha ai. Trump dhe kryeministri kanadez, mikpritësi i samitit, Justin Trudeau kanë pasur një takim mjaft pozitiv, u theksua pas takimit. Të dy kanë rënë dakord për përshpejtimin e një reforme të zonës së tregtisë së lirë, NAFTA.
Të paktën në çështjen e Koresë së Veriut, pjesëmarrësit e shtatë vendeve me të industrializuara të botës janë në një linjë. Sipas të dhënave të diplomatëve, të gjithë e mbështesin propozimin e Trump dhe kryeministrit japonez, Shinzo Abe për denuklearizimin e vazhdueshëm dhe të pakthyeshëm të gadishullit korean.
Samiti i G7-s në Kanada është errësuar nga doganat që Trump ka vendosur për çelikun dhe aluminin. Presidenti francez, Emmanuel Macron u shpreh optimist se ka përparime në bisedimet me SHBA për çështjet tregtare. „Gjërat po lëvizin”, tha Macron para takimit me Trump. Një bisedë e parë ka ndihmuar për të larguar disa keqkuptime, tha kreu i shtetit francez. Trump theksoi se SHBA ka një deficit të madh tregtar kundrejt Europës, por ai theksoi po ashtu se gjërat do të lëvizin „Po bëhet diçka”, tha Trump. Sipas një burimi të brendshëm nga samiti, debati ka qenë mjaft emocional, kur u diskutua për politikën tregtare, por megjithatë i civilizuar.la/(afp, dpa, rtr)
***
Lexo edhe kete- G7 – një model që i ka kaluar afati?
Kryeministrat e shtatë vendeve më të industrializuara takohen në Kanada. Situata nuk do të jetë fare e lehtë për shkak të dallimeve me SHBA-në.
Ata kanë punuar shumë javët e fundit, por të ashtuquajturit “sherpas”, shefat e negociatave në G7, ende janë shumë larg qëndrimeve të përbashkëta që duhet të miratohen në samitin e Kanadasë, që do të mbahet në Charlevoix. Negociatat do të vazhdojnë deri në fillimin e samitit të premten, thuhet në qeverinë gjermane. Qëllimi është arritja e një “landing zone” të përbashkët.
Të premten dhe të shtunen do të takohen presidentët dhe kryeministrat e Gjermanisë, Francës, SHBA, Kanadasë, Japonisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe. Temat e G7 janë krizat dhe konfliktet në Korenë e Veriut, Siria dhe e ardhmja e raporteve me SHBA, pas vendimit për daljen e saj nga programi bërthamor me Iranin. Tema të tjera janë edhe mbrojtja e klimës dhe në veçanti tregëtia, si fushë e re mosmarrëveshjesh me SHBA-në.
Deklarata përfundimtare larg marrëveshjes
Nëse në këtë samit do të ketë ndonjë deklaratë të përbashkët, ende nuk dihet. Organizatorët po përpiqen që të gjejnë një gjuhë të përbashkët. Deklarata e përbashkët nënkupton edhe një marrëveshje paraprake. Deklarata nga samiti i fundit në Taormina të Italisë ka dështuar për shkak të qëndrimeve të kundërta për mbrojtjen e klimës. Ndërsa tani ka një varg pikash ku palët kanë qëndrimet kundërthënëse. Presidenti Donald Trump mendon ndryshe për shumë çështje.
Në Taormina është vendosur që në deklaratë të thuhet se palët kanë qëndrime të ndryshme për klimën. Nëse edhe në Kanada vendoset që të shënohen pikat e mosmarrëveshjes, atëherë dokumenti përfundimtar do të ketë më shumë mosmarrëveshje se sa marrëveshje dhe nuk do të ketë peshën e zakonshme.
Të gjithë kundër njërit
Ndërkohë po mendohet seriozisht nëse vetëm organizatori i samitit duhet të përgatisë një kumtesë të përbashkët, ku do të flitej për vlerat e përbashkëta për multilaterizmin, tregtinë e lirë dhe përgjegjësinë për klimën. A do të thotë kjo pra se një formati të tillë të takimeve po i vjen fundi? Presidentët dhe kryeministrat e G7 janë përpjekur deri tani që të nënvizojnë vlerat e përbashkëta multilaterale. Këtë thekson edhe qeveria gjermane. Këtë e thotë edhe kancalarja Angela Merkel.
Por jo të gjithë janë për vlerat multilaterale. Harmonia është prishur pas ardhjes së presidenti Trump në pushtet dhe me siguri që nuk do të kthehet shpejt. Tani bëhet fjalë për një grup të përçarë, shkruajnë mediat kanadeze. Ministri francez i Financave Bruno Le Maire e tha qartë para disa ditësh, kur foli për një takim të “tendosur dhe të rëndë”, me kolegët nga G7. Mosmarrëveshjet rreth doganave amerikane për çelikun dhe aluminin janë të mëdha.
“G6 + 1”
Takimi i ministrave të Financave dëshmoi se G7 të premten dhe të shtunen mund të shndërrohet në një takim ku gjashtë vende do të kenë qëndrime të ngjashme, ndërsa SHBA mund të jetë kundër. Por aktualisht askush nuk do të heqë dorë nga G7, në këto kohëra krizash dhe qëndrimesh ekstreme. Kjo është një mundësi e mirë për takimin e presidentëve dhe kryeministrave të vendeve industriale më të zhvilluara.