• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kur vdiq Gjergj Kastrioti

January 17, 2014 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Po priste. Ishte hera e parë në 25 vjet që ushtria e tij kishte shkuar pa të, prijësin e saj,  në betejë. Dhe ja ku i pa te vinin duke rendur e thirrur “Fitore!, Fitore!!”. Dhe shpresa iu ngjall se ata do të mund të mbijetonin. Kështu do të shkruante Barleti për atë 17 janar 1468 kur në Lezhë, vdiq Gjergj Kastrioti – Skënderbeu (63 vjeç), luftëtar, diplomat, burrë shteti, Heroi Kombëtar i shqiptarëve.
Për Skënderbeun, vitet deri më 1468, kur vdiq, ishin rënduar me tensione, nga veprimtari e negociata jashtë, dhe beteja papushim brenda vendit. Në vitin 1463, pas premtimeve nga Papati, Venediku dhe shtete të tjera në Itali dhe Evropën qendrore për organizimin e një kryqëzate kundër Perandorisë Osmane, veçanërisht, pasi fushata ishte shpallur zyrtarisht nga vetë Papa Pius II, Skënderbeu e shkeli traktatin e paqes me sulltan Mehmetin.
Papa papritur vdiq, dhe kryqëzata e premtuar nuk ndodhi, ndërsa trojet shqiptare iu nënshtruan një shkatërrimi sistematik. Por ishte vdekja e Skënderbeut që shqiptarët të braktisin të gjitha shpresat. Legjenda thotë se, kur sulltan Mehmet II dëgjoi se Skënderbeu vdiq, bërtiti: “Më në fund Evropa dhe Azia janë të mijat. Mjerë Krishtërimi që humbi shpatën dhe mburojën”.
Historiani Edward Gibons (1737 – 1794) e ka krahasuar Skënderbeun me “Aleksandrin e madh dhe Pirron, bashkëatdhetar i të cilëve Kastrioti ishte”. Pas vdekjes së Heroit, shumë prijsa e princa të Arbërisë u shpërngulën në Itali. Një numër i madh banorësh (dhjetra mijëra) emigruan gjithashtu, duke formuar koloni të mëdha arbëreshe në Italinë e jugut dhe Sicili. Të tjerë u nisën drejt Greqisë, mbetën atje, u shpërndanë edhe ishujve, kishte edhe nga ata që më pas kaluan detin, u hodhën në Itali e prej andej gjetkë, në Evropën perëndimore.
Fortesat kryesore si Kruja dhe Shkodra vazhduan rezistencën edhe për disa vite pas vdekjes së Skënderbeut, dhe pastaj ranë. Historianët thonë se të pakët janë udhëheqës të luftrave për çlirim, si Skënderbeu, të cilët kanë gëzuar njohje kaq të gjerë të veprave të tyre në rrjedhën e pesë shekujve. Një bibliografi botuar më 1881, përmbante 185 vepra historike, filozofike dhe romane mbi Skënderbeun. Ndërsa bibliografia e botuar në Tiranë (1968) me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit, përman mbi një mijë tituj në 21 gjuhë, ndër të cilat edhe në Esperanto.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Gjergj Kastrioti, kur vdiq

Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Prishtinë

July 16, 2013 by dgreca

 Nga Dr. Gjon Bucaj/

Po vjen… a mbërrijti?…” bërtet dikush, tue ba me gisht në drejtim të rrugës “NanaTereze” ku turma, deri atëherë e qetë, disi u trazue dhe filloi me duertrokitë. “Ende jo” spjegon nji tjetër me celular te veshi,.”por tash sa hyni në lagjen ‘Dardania.”
          Jemi në Prishtinë, në Ditën e Flamurit 2001. Qyteti asht në festë. I madh e i vogël ka dalë me pritë Monumentin e Gjergj Kastriotit Skenderbeut. Pjesë e kësaj turme së ngarkueme me emocione jemi edhe na, nji grup shokësh që, disa, shifemi për të parën herë mbas tridhetegjashtë vjetëve. Pamja e jonë, prej një balkoni të hotelit “Iliria”, shtrihet mbi masën që mbushë sheshin përball, rrugët, balkonet dhe dritaret e ndërtesavet për rreth.   

Kremtimet e Ditës së Flamurit kanë fillue qysh dje, me vizita e kunora lulesh te vorret e dëshmorëve, me tubime e programe të ndryshme përkujtimore, kulturo-artistike e argëtuese. Por sot, mbas një akademie solemne, mbajtë në Theatrin Kombëtar, kulmi i kremtimevet asht përurimi i Monumentit të Skënderbeut. Vonesa e mbërrijtjes,shkaktue nga vështirësi teknike t’udhtimit, nuk e ka dobësue durimin as entuziazmin e popullit që ka dalë me e pritë. Mija shqiptarësh patën kënaqsinë me i thanë udha e mbarë deri më kufinin shqiptaro-shqiptar, e mirë se na  erdhe nepër Kosovë. Këtu në Prishtinë janë mbledhë ma se njëqind mijë vetë, ardhë prej të gjitha anëve të Kosovës e viseve tjera arbnore, edhe prej shumë vendeve të largëta të botës. Presin me aq gëzim dhe entuziazëm si t’ishte tue ardhë vetë Gjergj Kastrioti, kalorës i gjallë.

          Simbas programit, Monumenti do të vendosej mbi piedestal natën përpara, do të ruhej i mbuluem, si asht e zakonshme në këso rasash, dhe do të zbulohej n’orën 11 para dite.  Por ardhja nepër turma njerëzish po e ban kremtimin shumë ma madhështor. I bartun mbi një mjet të posaçëm transporti, që pak shifet pse asht i rrethuem prej popullit, duket sikur Kalorsi po vjen për tokë, me hap dinjitoz e të kadalshëm, thue se don me u përshëndetë me të gjithë. Disa e përkasin me dorë, të tjerët i fërkojnë kalin dhe e puthin tue derdhë lot gëzimi. Gjithkush don me e prekë, por askush nuk shtyhet as nuk e prishë rendin. Populli siellet si e lypë rasa dhe si e ka traditë. Edhe moti sot asht dashamirës. Shiu i ftoftë i paradites asht ndalë e tash vetëm lotët e gëzimit rjedhin si shiu i ngrohtë në verë.
          Pëcjellë me duertrokitje e brohorina të fuqishme, në mesin e sheshit kryesor të qytetit, u zhvillue ceremonia e inaugurimit.  “Mirë se erdhe në mesin tonë, o i madhi Skenderbe!” iu drejtue akademik Mark Krasniqi, kryetari i Këshillit Organizativ, dhe përmendi shkurtaz nderimet që bota i ka ba këtij Heroi, për mirënjohje e për merita. Kryetari Rugova vlerësoi fitoren e lirisë me gjakun e nipave të Skënderbeut dhe me ndihmën e Amerikës mike dhe aleatëve të saj. Në vazhdim ai theksoi se “Shqiptarët dhe Kosova po bashkohen dhe integrohen në botën perëndimore, aty ku e kanë vendin dhe në atë botë që Skënderbeu e mbrojti me dinjitet…”.  Kryetari i Komunës së Prishtinës, dr. Salih Gashi, me krenari muer monumentin në dorëzim, si pronë të qytetit,  për ta ruejtë e kujdesë.
          Kremtimi i kësaj dite së paharrueshme vazhdoi edhe mbas ceremonisë së inaugurimit. Fjalimet ia lëshuen vendin koncertit rinor në Sheshin që sot u pagëzue me emnin e Skënderbeut.

Në mbramje erdhi lajmi i gëzueshëm prej Kalifornisë: nana e re kosovare, me emnin Shqiponja, lindi djalë në Ditën e Flamurit, në ditën kur Skënderbeu erdhi në Prishtinë. Djalin e thirren Gjergj. E gëzofsh emnin, bir i Kosovës !

Muzika e kanga nuk u ndalën deri n’orët e hershme të mëngjesit të nesërm. Qyteti asht në festë. Kosovë, e paç për jetë Skenderbeun!(Dielli-arkiv)

Filed Under: Komente Tagged With: Gjergj Kastrioti, Gjon Bucaj, ne Priswhtine

Gjergj Kastrioti lindi në djepin e bekuar të kombit

May 7, 2013 by dgreca

6 maj është dite e madhe e kombit shqiptar ,sepse ne djepin e saj po ne këtë dite ka lindur heroi, strategu dhe lideri i te gjitha kohërave i kombit shqiptar, Gjergj Kastrioti./
Nga Gjon KEKA/
Karakteri kombëtar i një populli është rezultati i përgjithshëm i aspiratave ,idealeve dhe praktikave që përbëjnë burimin e njëjtë dhe lëvizjet e mbikohshme. Ajo është e bazuar nga shkaqe të ndryshme, dhe natyra gjeografike e vendit, dhe posaçërisht jo më pak se veçoria e fisit dhe rrjedhën e ngjarjeve historike, të cilat kanë të ndikuara fuqishëm në rrjedhën e historisë dhe personalitet e liderët të cilët kanë lënë gjurmë si mjeshtër të mëdhenj të urtë dhe vizionar. Është fat i madh për një komb të përkund në djepin e saj bij të mëdhenj të virtytshëm dhe të rritët për ta drejtuar kombin e tij në vizionin e paraardhësve. Kështu edhe lindja e Gjergj Kastriotit i cili lindi në zemrën e kombit për të treguar kështu më pas dashurinë e madhe dhe vetsakrificën e tij heroike si dhe të lidershipit të shtetit të Arbrit pas kthimit të tij në atdheun atëror, pas marrjes penga nga barbarët turq.
Lindja e Gjergj Kastriotit më 6 maj 1405 përbën lindjen e një drite të fuqishme për tërë kombin shqiptar europian, lindjen e shpëtimtarit të kombit shqiptar, lindja e tij përbën faktin e madh të historisë së kombit shqiptar ,sepse i jep një kuptim heroik kombit dhe një frymë të pavdekësisë së vlerave shpirtërore e kombëtare të kombit shqiptar.
Me lindjen e tij lindi edhe periudha më e lavdishme e cila lirisht mund të quhet si periudha e “Kastriotëve të shenjët të Arbrit”, sepse ai riktheu frymën e gjallë dhe të fuqishme të kombit, ai vendosi themelet e fuqishme të shtetit të Arbrit i cili shtet kishte marrëdhënie diplomatike të lakmueshme dhe se po ky shtet ishte bërë edhe reference se si duhet të udhëhiqet ai sidomos nga princat dhe mbretër europian.
Gjergj Kastrioti është shembull i mbikohshëm i një politikani ,strategu dhe lidershipi sepse ishte pikërisht ai që posa zbriti në tokën e atësisë së tij në nëntorin e 1443 lidhi kontratën me popullin e tij, me fiset e tij më të gjithë duke i bërë kështu së bashku ai mbolli farën e unitetit të gjallë e shpirtit të besimit të përbashkët dhe të krenarisë në paraardhësit dhe rrënjët e lashta të kombit shqiptar europian.
Me lindjen e Gjergj Kastrioti lindi po ashtu për kombin shqiptar mjeshtëri i madh ,sepse posedonte urtësi dhe mjete të zgjuara politikë në qëndrimin e tij të drejtë dhe të palëkundur. A i është mjeshtër i madh sepse vendosi pikat thelbësore të qeverisjes së mirë dhe efikase të shtetit të Arbrit dhe e bëri atë të rrezatoj mbi qiellin e përgjithshëm të familjes europiane.
Pavarësisht rrethanave dhe luftës së pabarabartë si dhe mungesës së përkrahjes nga kombet tjera dhe princat e liderët europian ai vetë si një stuhi e madhe e kohës së tij i dhe një rëndësi të madhe epokës në të cilën fryma dhe trupi i tij luftuan kundër të keqes së ideologjisë sulltaniste si të brendshme ashtu edhe të jashtme.
Periudha e Kastriotit nuk është periudhë e thjeshtë në historinë e kombit shqiptar ,ajo është periudha burimore, periudha e zemrës së historisë së kombit shqiptar europian. Pa këtë periudhë në nuk mund ta kuptojmë lidhjen e fuqishme dhe rrjedhën e shpirtit dhe gjurmëve të paraardhësve të kombit shqiptar europian. Pra pikërisht jeta dhe shpirti i liderit dhe strategut e heroit të kombit shqiptar Gjergj Kastrioti është vula e së vërtetës së brendshme të kombit, dritë qartësia e plotë e burimit të shpirtit rrënjësor të kombit të lashtë dhe historisë së tij,tek ai ne shohim aktin historik sublim dhe të përsosur ,tek ai ne shohim kohën e tij të madhe ,kohën e shenjtë të kombit shqiptar dhe historisë së tij.
Kombi ynë fatmirësisht dhe në mënyrë si për nga hiri ashtu edhe për nga shpirti i tij rrënjësor e ka të lidhur fatin në mënyrë të pashmangshme me shpirtin e Gjergj Kastriotit dhe familjes së shenjët të Kastriotëve si dhe të jetës e periudhës së tyre të lavdishme në historinë e kombit shqiptar europian.
Ndërkaq në kuadër të kësaj më duhet të nënvizoj një gjë këtu se më “18 Dhjetor 1442 ai kishte parë një vegim se si dora e tij e djathtë po i mblidhet të gjitha fiset rreth vetes dhe një zë që i thërriste sipas urdhrit të kombit” ,ky urdhër nuk ishte urdhër i përkohshëm po i përjetshëm urdhri i ringjalljes dhe i kurorës së shtetit të Arbrit dhe tërë kombit shqiptar.
Jeta e tij e virtytshme, heroike, e besnikërisë ndaj rrënjëve si dhe suksesi i të madh i tij politik, ushtarak dhe në qeverisjen e Shtetit të Arbrit u panë se si ai pati sukses në Krujë në Lezhë dhe në të gjitha vendet ku ai zotëronte ,punonte fuqishëm në shërbim të Arbrit duke treguar një provë të madhe të kohës, shpirtërore dhe materiale atë të hirit të kombit si favor i madh i historisë së tij.
Prandaj me fjalë të tjera 6 maj është dite e madhe e kombit shqiptar ,sepse ne djepin e saj po ne këtë dite ka lindur heroi, strategu dhe lideri i te gjitha kohërave i kombit shqiptar, Gjergj Kastrioti. Kombi ynë mbanë bekimin e madhe ne këtë njeri sepse ishte i vetmi qe ruajti dhe eci rrugës se paraardhësve dhe ishte po ashtu i vetmi qe ringjalli shpirtin arbëror pas kthimit te tij ne nëntorin e 1443.
Po ashtu do të ishte e udhës sikur kombi shqiptar ta shpallte këtë ditë si ditën e gëzimit kombëtar dhe hirit të madh të tij pastaj si ditë të dritës së shpëtimit dhe ruajtjes së qenies së lashtë dhe të mbrojtjes së tërë familjes europiane.

Filed Under: Opinion Tagged With: Gjergj Kastrioti, Gjon kreka, Skenderbeu

KALENDAR HISTORIK- PERKUJTOJME KRYHEROIN E ARBERIT

January 16, 2013 by dgreca

545 vjetë MA PARË, VDIQ GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU/

Nga Fritz RADOVANI/

Shqiptarët nga i madhi Gjergj Kastrioti Skenderbeu, trashiguen Emnin Shqiptar, po edhe Flamurin me Shqiponjen dykrenare dhe identitetin e vet si Shtet Europjan. Ishte shpata dhe ajo perkrenare që perjetsuen në Trojet Ilire emnin Shqiptar. Ishin Shqiptarët që pa iu tutë syni nuk kanë kursye gjakun e vet, me shkrue Epopenë e Pavdekshme të Gjergj Kastriotit Skenderbeut…

          Janë edhe sot gurët e Kështjellave heroike Shqiptare të daltuem me tehun e shpatave të Atyne Burrave, që per Lirinë e Atdheut, vdiqën si me lé per Idealin e naltë: “Atdhé e Fé”!

Janë mburojet e pathyeshme ku u perplasen luftat ma të rrebta e ma mizore që ka njohë historia, per me thye dhe me mposhtë Trimin e pashoq të Kështjellës së Krujës sonë Heroike.

Janë Trojet tona të njomuna me gjakun e Atdhetarëve, të pathame edhe sot!

Janë gurrat e lumejëve dhe të prrojeve, e janë edhe shpellat e errta të maleve tona ku edhe sot gurgullojnë vijat e pashterrshme të Gjakut të Shqiptarëve, e prap sot, nuk thirren “kufijë” të Shqipnisë së Gjergj Kastriotit! Janë shtatoret e Trimit të Krujës, të ngrituna nder Shtetet ma të njohuna të globit, e prap ka nga tradhëtarët tanë që kerkojnë me e mohue e ndryshue historinë!

Janë pasuesit e Atij Burri që me shpaten e vet, i tha otomanëve: “Ndal…e jo, ma ndej!”, dhe, po prap… mbi gjurmët e Tij, Shqiptarët vazhduen luften per mbrojtjen e Lirisë së trojeve tona, e kur ua kerkoi Atdheu per Até dhane edhe jeten. E ku janë Varret e Tyne të bekueme!?

Ku janë Emnat e bashkluftarëve të asaj historie Shqiptare plot lavdi e dafina?!

Jo bré, kështu! Të mos e shuejmë Gjakun e Tyne me “harresë”, apo me një “vrasje” të dytë edhe ma mizore se e para! Per ké dha jeten Gjergj Kastrioti?! Per ké dha jeten Dedë Gjo’ Luli?!…Per ké dha jeten Shqiptari i Hotit, Grudës, Dardanisë, Maqedonisë, Çamërisë, Vorio Epirit..?! E Shteti Shqiptar, prej kujt mori jetë?! – Askush nuk di me tregue! Per ké dha jeten Prekë Cali!? Per ké dha jeten Trimi i Hotit Gjelosh Luli?! E Zalli i Kirit pranë Rrëmajit “heshtë” ku endè, gurtë e tij janë të skuqun…nga një Gjak i freskët dhe i paster i derdhun në mengjesin e një epoke gjakatare, të ardhun naten per hanë e groposë nga sherbëtorët e sllavokomunizmit, gjithnjë të etshëm dhe t’uritun si ujqit e para pesëqindvjetëve, që erdhën nga pyjet e Kaukazit…

Ku janë bré, trojet e harrueme të Atyne Trimave që në vitin 1911 trandën Stambollin, e sot Emnat e Tyne nuk i gjenë as nder librat e shkollave fillore?! Kush mundet me mohue Emnat e Atdhetarëve tanë që gati mbas 500 vjetësh, i thanë turqëve e malazezëve “shporruni këndej” në Hot dhe në Memorandumin e Gerçës, e sot këta Emna nuk permenden fare tue fillue nga Ded Gjon Luli i Traboinit të Hotit, Palok Traboini, Sokol Baci i Grudës,  Dedë Nika Bajraktar i Grudës, Dodë Preçi Bajraktar i Kastratit, Col Dedi i Selcës Këlmendit, Tomë Nika i Shkrelit, Lul Rrapuka i Vuklit të Këlmendit, Llesh Gjergji, Bajraktar i Nikçit, Gjeto Marku i Hotit, Martin Preka i Shkrelit, Mehmet Shpendi, i pari i Djelmënisë së Shalës, Prelë Marku, Bajraktari i Shalës, Avdi Kola Bajraktar i Gimaj, Nik Mëhilli i Shllakut, Pup Çuni Prekalor, Binak Lulashi Toplanas, Bash Bajrami, Bajraktar i Nikajve dhe Bec Delia. (Marrë nga Revista L.E.K.A. 1937).

Mohohen veprat e Don Nikollë Kaçorrit, Luigj Gurakuqit, Avni Rrustemit, Bajram Currit e të sa e sa Herojë dhe Heroinave Shqiptare, që nderuen me veprat e veta emnin e Kastriotit…

***

Me daten 17 Janar 1468, Gjergj Kastrioti vdiq në Lezhë. Mendohet se asht varrosë në Kishen Katedrale të Shen Kollit, që ishte ma e madhja e atij vend e rindertueme prej Tij.

Besniku i Tij Imzot Pal Engjëlli, nga historianët tregohet se ndodhej në Romë, ku me të mërrijtun lajmi i vdekjes së Prijsit të Arbënisë atje,  Gjergj Kastriotit, u nis për Shqipni… “per me marrë nga e veja dhe i biri i Skenderbeut të drejten e mbrojtjes, me garnizone venedikase, të Krujes dhe të kështjellave të tjera.” (Fan. S. Noli, “Gjergj Kastrioti Skenderbeu” fq. 148)

Ma vonë iku dhe e veja Donika e Gjoni, në mbretninë e Napolit mos me u kthye ma!

Në vitin 1478, “dhjetë vjet më vonë, kur pushtuan Lezhen, turqit hapën dhe varrin e tij, që të merrnin copëra të kockave të tija, si hajmali…” (F.S.Noli, po aty, fq. 148)

Sebeliku na informon se “valle vajzash shqiptare, midis buçitjes së betejës dhe zhurmës së armëve barbare, mblidheshin rregullisht çdo tetë ditë mbi kështjellat, ku kishte mbretëruar Skenderbeu, për t’i kënduar hymne Herojt të tyre të vdekur.” (F.S.Noli, fq. 149)

***

Iku Imzot Pal Engjëlli, iku e veja Donika dhe i biri Gjon Kastrioti, ikën gjeneralë, klerikë e laikë nga Arbënia, ikën e vazhdojnë me ikë… Kam lexue dhe jam interesue edhe per shkrime që nuk njihen endè në Shqipni, të dijetarëve dhe shkencëtarëve Fan S. Noli, At Athanas Gegaj, At Marin Sirdani, Milan Shufflay, At Zef Valentini S.J., At Gjergj Fishta, At Justin Rrota, At Daniel Gjeçaj, Prof. Zef Mirdita, Prof. Aurel Plasari e deri tek At Konrrad Gjolaj, dhe nuk kam mujtë me gjetë të shkrueme: “Tue dijtë të gjithë çka kam permendë ma siper se kur turqit do të pushtonin Lezhen, puna e parë e tyne do t’ ishte me shkatrrue kulm e themel Kishen Katedrale të Shen Kollit, si asht e mujtun që askush nuk shpjegon se çka u mendue dhe si asht veprue me Eshtnat e Heroit tonë Gjergj Kastrioti, per mos me i lanë me u dhunue nga turqit?!”

E prap…vazhdoj me mendue!

Emni i Gjergj Kastriotit asht Emni ma i shejtë dhe ma i bekuemi per çdo Shqiptar!

Ai vazhdon me kenë i gjallë edhe sot në boten e perjetëshme t’ Atdheut të vet, në boten e pavdekshme të Shpirtit Atdhetar Shqiptar.

 

Melbourne, 6 Janar 2013.

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, Gjergj Kastrioti, perkujtojme kryeheroin, Skenderbeu

TRASHËGIMIA E GJERGJ KASTRIOTIT – SKËNDERBE/ DEL EDHE NJËHERË E MBLIDHE KUVENDIN

November 24, 2012 by dgreca

Me rastin e 100-Vjetorit të Pavarësisë/

Nga Frank Shkreli/

Të  Mërkurën më 28 Nëntor i mbarë kombi shqiptar feston me krenari 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë të shpallur në Vlorë më 28 Nëntor 1912, kur Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi me atdhetarë të tjerë ngritën Flamurin e Gjergj Kastriotit – Skenderbe — Fatosit të Kombit — duke bërë kështu realitet  ëndrrën e të parëvet, megjitëse fati i zi dhe armiqtë e kombit bënë që liria dhe pavarësia e shpallur në Vlorë të mos përfshinte të gjithë kombin.
Është pra, Flamuri i Gjergj Kastriotit, Flamuri i lirisë, i nderit, i burrënisë, dhe i besës, i asaj Besëlidhjeje që shënon historia në Lezhën e Gjergj Kastriotit dhe në Lidhjen e Prizrenit.   Me rastin e 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit në Romë me 25 Prill 1968, duke u folur shqiptarëve që ishin mbledhur atje për të festuar këtë përvjetor në Vatikan, por drejtuar gjithashtu edhe shqiptarëve anë e mbanë trojeve të tyre, Papa Pali i VI tha:  ”Ne ju shohim me kënaqësi, pse e dimë se shpirti me të cilin ju e kujtoni këtë ditë është ai i Gjithëmonshmi i fisit tuaj,  i cili gjithëherë mbi çdo interes ka venë vlerat e trashëguara të besës, të nderit, e të burrënisë.   Fatosi Skënderbeu ka qenë personifikimi i gjallë i këtyre cilësive.   Ai ua ka lënë trashëgim, bashkë me miqësinë e miqëve të vjetër të Atdheut tuaj, ndër të cilët këjo Seli Apostolike gëzohet se bën pjesë, pasi e konsideron veten ndër ata që kurr s’i dolën fjale. Këto virtyte Gjergj Kastrioti ua ka lënë në rojë e trashëgim të shënjtë në Atdhe dhe në mërgim”, përfundoi Papa Pali i VI.

Gjergj Kastrioti  ishte i madh sepse për një çerek shekulli udhëhoqi luftën duke korrur fitore pas fitoreje kundër osmanlijve turq, fuqisë më të madhe ushtarake që njihte atëherë bota.  Me të drejtë, armët e Skendërbeut po ekspozohen në Tiranë me rastin e 100-vjetorit, për t’u kujtuar vizitorëve aktet heroike dhe luftën e tij për liri e pavarësi të fisit ilir.   Por ai ishte dhe mbetet  më i madh për nga aftësitë e tij udhëheqëse si dhe për nga karakteri dhe morali i tij, cilësi këto që i njiheshin nga më të mëdhejtë e asaj kohe.   Kur botës shqiptare i mungojnë herojtë e vërtetë, Skenderbeu është heroi i të gjitha stinëve dhe i të gjitha kohërave.    Kombi shqiptar në këtë 100-vjetor ka nevojë për heroj kombëtar si Gjergj Kastrioti, por në mungesë të tij, atëherë ajo që mund të bëhet është, që kombi në përgjithësi, duke përfshirë klasën politike në veçanti, por dhe çdo shqiptar kudo qoftë, secili sipas mundësisë, përgjegjësisë dhe vendit që zë në shoqëri — të gjithë si pasardhës të Illyrisë së vjetër — të betohen në këtë 100-vjetor se mbi të gjitha do të punojnë për një Arbëri të lirë, për një bashkim etnik dhe për një angazhim historik për të zgjuar njëherë e mirë  cilësitë dhe virtytet e lashta mijëvjeçare të racës ilire.   Ky përvjetor është gjithashtu një rast për të forcuar konceptin e idesë  të interesave kombëtare – dhe jo atyre personale — duke marrë si shembull  trashëgiminë e Gjergj Kastriotit –Skenderbe, i cili si asnjë udhëheqës tjetër në historinë e kombit shqiptar, mundi të bashkonte të gjithë princat e asaj kohe nën një udhëheqje të vetme, duke forcuar kështu unitetin kombëtar moral e shpirtëror, por edhe atë gjeografik, duke i bërë ashtu të gjithë krenarë dhe të denjë të jenë pjesë e një trungu të përbashkët.   Ai adhurohej nga shqiptarët e çdo krahine, të çdo klase shoqërore dhe çdo besimi.  Skendërbeu i mblodhi të gjithë nën hijen e Flamurit Kombëtar.  Ishte këjo fuqi morale dhe kombëtare që i dha Gjergj Kastriotit dhe shqiptarëve të tij pothuaj fuqi mbi-natyrore për të përballuar dhe për të fituar kundër fuqisë më të madhe ushtarake të kohës së tij.

Ngritja e Flamurit në Vlorë 100-vjetë më parë dhe energjia ringjallëse që po tregohet anë e mbanë trojeve shqiptare në festimet e këtij 100 vjetori sot, më bindin se gjaku shqiptar ka ende fuqi përtritëse në shpirtin e vet dhe se edhe i Madhi  Zot nuk e ka harruar kombin shqiptar.  Lufta dhe fitoret e Skënderbeut kundër osmanlijve kan lënë, ndër shqiptarë, një trashëgimi lirie dhe shprese për një Shqipëri të pavarur dhe të bashkuar, ashtu siç do ta dëshironte vet Gjergj Kastrioti.   Në krahasim me sfidat me të cilat përballej  kombi në kohën e Skenderbeut, a janë më të mëdha sfidat dhe problemet me të cilat përballet sot kombi shqiptar?

Shpresoj që këjo brezni e 100-vjetorit të pavarësisë kombëtare të mos jetë një brezni e nemur, e papërcaktuar për qëllimet dhe interesat madhore të kombit shqiptar, por të jetë një brezni burim shpresash për liri dhe bashkim kombëtar,  bazuar në trashëgiminë morale, shpirtërore dhe kombëtare të Gjergj Kastriotit — Skendërbe.  Gjithmonë sipas Skënderbeu,  ”Pra, ngrehni Flamurin përpara dhe tregohuni burra si gjithënjë.  Perëndia, si gjithnjë edhe pasketaj do të na ndihmojë dhe do të na nxjerrë faqebardhë.”

Në këtë 100-vjetor të pavarësisë kombëtare, të falemi  dhe të falenderojmë për trashëgiminë morale, shpirtërore dhe kombëtare përfshirë edhe  karakteristikat më të çmueshme të trungut tonë arbëror: nder, besë e burrëni — Ty Gjergj Kastrioti –Skënderbe, Princ i Matit, Mbret i Shqipërisë, Tmerri i Osmanlijve, Mbret i Epirit.

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: del dhe nje here, Frank shkreli, Gjergj Kastrioti, Skenderbe

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT