Hajdar Blloshmi, një figurë patriotike e Bërzeshtës, që punoi në Ministrinë e Drejtësisë, në Stamboll. Delegati që përfaqësoi Pogradecin. Si luftoi përkrah Isa Boletinit dhe luftën kundër grekëve. Zbulohen dokumente të reja nga Arkivi i Shtetit Shqiptar./
Nga Agim Blloshmi*/
Hajdar Blloshmi lindi në fshatin Bërzeshtë të rrethit të Librazhdit, në vitin 1860. Pas mësimeve të para në qytetin e Ohrit në Maqedoni, ai vijoi studimet e larta në kryeqytetin e Perandorisë Osmane në Stamboll.
Patrioti Hajdar Blloshmi u lind në fshatin Bërzeshtë të Librazhdit, në vitin 1860. Mësimet e para i mori në qytetin e Ohrit, ndërsa studimet e mesme dhe të larta i kreu në kryeqytetin e Perandorisë Osmane, në Stamboll. Duke u nisur nga rezultatet e larta në këto studime, si dhe nga zotërimi i disa gjuhëve të huaja, si turqisht, persisht, greqisht e frëngjisht, ai u pa me vëmendje nga autoritetet e atëhershme. Nuk vonoi shumë dhe Hajdar Blloshmi u emërua sekretar në Ministrinë e Drejtësisë në Stamboll. Pak më vonë, ai do të thirrej personalisht nga vetë sulltani në pallatin e tij, për të shërbyer pranë tij si përkthyes dhe si këshilltar. Nga pozita ku u ndodh, Hajdar Blloshmi ndihmoi mjaft çështjen shqiptare. Në fund të shekullit të 19-të, ai është mësues i gjuhës shqipe në shkollën shqipe të Ohrit, e hapur kjo nga Hamdi Ohri. Por sot, sapo ka dalë në dritë nga Arkivat e Shtetit Shqiptar një tjetër dokument, i cili po botohet për herë të parë dhe që mban vulën e Prefekturës së Elbasanit, ku thuhet:
Hajdar Blloshmi lindi në Bërzeshta nga mezi i shekullit 19-të. Mësimet e para i bani n’Ohër e pastaj shkoi në Stamboll e hyni në Sulltanie. Më 1884 u ba sekretar në Ministrinë e Drejtësisë, pastaj professor i frëngjishtes edhe ma vonë si drogaman (përkthyes) I pallatit ku e qushin Ali Hajdar Bej. Kur ishte në Stamboll në pallat, patriotët e kohës e shikonin me sy të dyshimtë, mirë po pjesmarrja e tij ma vonë, pas vitit 1908 në veprime patriotike e bani që të çduket ky dyshim. Më 1909 u bë professor i turqishtes në Normalen e Elbasanit. Më 1912 u bë professor i turqishtes në qytetin e Durresit. Kur ishte këtu qe emnue si delegate i Nënprefektursë së Pogradecit në Kongresin e Vlonës, po nga shkaku i okupacionit Serb nuk mundi me ardhë. Më 1914 luftoi si vullnetar kundër kryengritësve të Shijakut bashkë më Isa Boletinin. Më 1914 shkoi si vullnetarë në Korcë kundra grekëve. Në Korrik të këtijë viti lufton me Muharrem Moglicën në ullishten e Elbasanit kundra kryengritësvet. Më 1926 u zgjodh deputet dhe vazhdoi me këtë detyrë deri në vitin 1932. Në Dhjetues të vitit 1936 vdiq në katundin Bërzeshta në vend-lindjen e tij
Kongresi i Dytë i Manastirit (2-3 prill 1910). Ishte koha kur marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe turqve ishin acaruar, ku shqiptarët kërkonin më shumë në drejtim të kulturës shqiptare dhe shkollimit, shqiptarët thërritën kongresin e dytë të Manastirit, i cili i zhvilloi punimet 2-3 prill 1910. Hajdar Blloshmi ishte delegati i Rrethit të Pogradecit në Kuvendin e Vlorës, ku në krye Ismail Qemalin shpallën pavarësinë e Shqipërisë në qytetin e Vlorës më 28 Nëntor 1912. Në të njëjtën kohë u krijua edhe një qeveri e përkohshme. Pavarësia e Shqipërisë u njoh më 17 dhjetor 1912, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.
Në kongres morën pjesë 20 delegatë, që përfaqësonin 34 klube e shoqëri të vilajeteve të Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit e të Janinës, si edhe klubet shqiptare të Stambollit, të Selanikut e të qendrave të tjera. Në kongres morën pjesë delegatë nga qytetet e vilajeteve të Kosovës dhe të Manastirit, nga Peja, Gjakova, Gjilani, Mitrovica, Vuçiterna, Shkupi, Tetova, Dibra, Struga, Ohri etj. Nga regjimi i Enver Hoxhës, emri i Hajdar Blloshmit u hoq nga stendat dhe fotografia iu retushua, madje dhe nga Muzeumet nga Shkolla Pedagogjike e Elbasanit dhe nga literaturat e shkollës. Studiuesi i njohur shqiptar, ish-ministri Ago Agaj, në librin e tij “Milloshi, heroi i Kosovës”, të botuar para shumë vitesh në SHBA, mbron tezën se pasardhës të Millosh Kopilit janë pikërisht pinjollët e familjes Blloshmi. Madje, në faqen 44 të librit, ai thotë mbreti Aleksandër i Jugosllavisë i kishte bërë ftesë Hajdar Blloshmit në vitet ‘20 të shekullit të kaluar, në mënyrë që ky i fundit të shpërngulej familjarisht në Jugosllavi dhe të gëzonte gjithë përkrahjen morale dhe materiale si pasardhës i heroit të betejës së Kosovës. Kuptohet që interesi i serbëve ishte që ta paraqisnin familjen Blloshmi si serbe. Përgjigjja e Hajdar Blloshmit ishte e qartë dhe e prerë: “Jam shqiptar dhe nuk ndahem nga atdheu”. “Duke qenë se ishte njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja si turqisht, persisht, greqisht dhe frëngjisht, autoritetet e atëhershme e emëruan sekretar në Ministrinë e Drejtësisë”. Më pas, u emërue profesor i gjuhës frënge nëRobertCollegetë Stambollit. Hajdar Blloshmi cilësohet si një nga tetë normalistët e parë të Elbasanit ku jepte gjuhën frënge, e cila u hap më 1 dhjetor 1909, përkrah Luigj Gurakuqit, Aleksandër Xhuvanin e Simon Shuteriqin, por dhe kontributin e vet edhe në çështjen shqiptare”. Në prill të 1912-ës, mësues i frëngjishtes në Durrës. Me frymën e atdhetarisë, Hajdar Blloshmi u aktivizua në luftërat kundër forcave pushtuese greke, që vepronin nën maskën e “luftëtarëve vorio-epirote” dhe në vitin 1924 radhitet në anën e forcave që ishin kundër rebelimit të qershorit. “Qeveria e dalë nga ky grusht shteti e dënoi në mungesë Hajdarin, bashkë me djalin e tij, Selahundin, dënim i nënshkruar nga vetë zv/ministri i Punëve të Brendshme Haki Tefiku”, tregon për gazetën Bedri Blloshmi, që shton se në këtë listë ishin dënuar 142 persona, mes të cilëve, edhe Ahmet Zogu, Shefqet Vërlaci, Abdurrahman Dibra, Kasem Sejdini, Jovan Dimitresku” etj. Në dhjetor 1924, kur Legaliteti triumfoi në Shqipëri, Hajdar Blloshmi u kthye në atdhe dhe dy vjet më pas, do të zëvendësonte djalin e tij, Selahudinin në Dhomën e Deputetëve, pasi ky i fundit kishte dhënë dorëheqje për shkak të emërimit në një detyrë tjetër. Në vitin 1928, Hajdar Blloshmi zgjidhet anëtar i Asamblesë Konstituente, e cila, pas vendimit të 1 shtatorit 1928, (që ktheu Shqipërinë në monarki), u kthye në Parlament, ku qëndroi si deputet deri në vitin 1932, për tu kthyer në vendlindjen e tij në Bërzeshtë ku dhe vdiq në vitin 1936. Gjatë regjimit komunist, varri i Hajdar Blloshmit u shkatërrua disa herë njerëzit e regjimit, ndërsa djemtë e tij Shefqeti dhe Hakiu, i cili u diplomua në Francë së bashku me udhëheqësin komunist Hoxha u pushkatuan pabesisht nga forcat komuniste në Dunicë të Mokrës në vitin 1944. Ndërsa djali tjetër, Xhevdeti u arratis për në SHBA, për t’u shpëtuar përndjekjeve komuniste. Mbas rrëzimit të pushtetit komunist në vitet 1990, figura e Hajdar Blloshmit, si e shumë patriotëve të tjerë të persekutuar nga regjimi komunist, u vlerësua nga qeveria demokratike. Këshilli i Qarkut të Elbasanit e nderoi Hajdar Blloshmin për kontributet që ka dhënë për krijimin e identitetit kombëtar shqiptar me titullin “Qytetar Nderi” (pas vdekjes) i qarkut të Elbasanit me motivacionin për “Kontribut të shquar në pavarësinë dhe themelimin e shtetit shqiptar, si dhe për kontribut të shquar në themelimin e Arsimit Kombëtar Shqiptar”.
- Kortezi “Republika”