• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A mundem të votojë edhe unë Kryeministër?

June 18, 2015 by dgreca

Shkruan: Ilir Levonja-Florida/

Më mundi lodhja mbi grindjet e shqiptarëve. Më shpuri diku. Pak gjumë. Fare pak. Megjithatë aty në atë dremitje. Pashë të kundërtën e jetës së tyre. Një jetë si në folklor. Bash burra kuvendar. E gra shtojza. Zana luaresh. Aq sa dhe bregut të detit vinin valë krahëgjera e të shtruara. Ndërkohë gra të tjera, qytetase. Veshur për bukuri. Shkonin malit për ujë. Edhe pse deti nuk e kishte trupin të kripur.

Më mundi lodhja. Koka në folklor e veshi në kompjuter.

Nuk e di se cila shqisë e çapiti më tutje ëndjen. Një web, ca zë… Dhe realiteti i drejtpërdrejtë. Horrat. Ne. Mielli. Qelbësirat. Mallkimet. Vrasjet për një tokë. Përdhunimet. Një mësues. Një bankier që ia vjedhin sysh arkën e shtetit, e që rezulton çun i mirë lagje. Gazetar i lodhur nga bixhozi. Video montime. Reforma të përjetshme. Sidomos përemri Ne. E tha edhe Kryeministri. Në shtator (Ne) do bëjmë reformën më të madhe në drejtësi. Ne-ja e pjesshme shqiptare. Ne-ja që su bë një herë tërësia shqiptare. Drejtësia jonë. Një kryegjyqtar që fle me euro poshtë jastëkut. Disa të tillë që të nxjerrin kristal të kulluar. Pas nëntë muajsh hulumtime. Edhe pse rreh publikisht.   Më mundi lodhja mbi përpjekjen për ta treguar këtë rrëmujë. Që vlon nga fryma  e entuziazmit. Që ka vetëm një formë shtjellimi. Glorifikim. Heronjë që mbetet përpjetësisht, statuja palësh.

1) Një dëshirë e thjesht zoti Kryeministër. A mundem të votoj edhe unë?. A mundet të votojmë edhe ne emigrantët. U dërrmuam për një pasaportë italiane, gjermane, hollandeze, spanjolle, franceze, greke, kanadeze. Shitëm shtëpi e katandi për një të tillë amerikane. Të shëtit në të gjithë botën. Dhe ne na pëlqen të fluturojmë. Vdiqëm për një pasaportë deri nga Australia e largët. Zelanda e Re. Megjithatë e ruajmë si Zotin atë shqiptaren. E ruajmë si sytë e ballit. Bash sikur të kemi ardhur këtej për të kuptuar se sa me vlerë është ky thesar. Edhe pse Kolombë, prapë ajo copëz vishnje me atë shqiponjë ruhet si Zoti vet. Dhe ajo është Zoti ynë. Sado që t’i mburresh me çfarë na japin bota. Për të bërë kultet tona. Zoti ynë njerëzor, i mbledhur si pikat e ujit dhe që qëmton zërash potpurish nëpër kryqëzimet e metropoleve të botës. A të ka rastisur ndonjiherë, që në mes të New Yorkut të dëgjosh këngën, ”A kanë ujë ata burime, ti moj buzë karajfilja ime”? A të ka qëlluar të ikësh me vrap. Për shkak të policisë, aty në Athinë. Pikërisht në vendin ku lindi demokracia.? A të ka qëlluar të flesh poshtë urës? A të qëlluar të të thonë se, Shqipëria është vendi më i varfër? Se aktualisht në Shqipëri, mundet të blesh armë. Mundet të punësohesh si mjeshtër droge. Si biznesmen femrash?

A mund të votoj edhe unë. Edhe ato miliona si puna ime. Më beso. Na kanë rënë të ndenjurat në ujë. Na janë ftohur trutë. Nuk është aspak e vështirë. Lista e bijve nëpër botë gjendet kollaj fare. Nuk ke nevojë për Komision Zgjedhor. E ke tek Western Union.

E bëjnë italianët, e bëjnë hollandezët. Plot të tjerë e bëjnë. A mundet?

Apo thjesht, nuk na doni për këtë eveniment. Thuaje. Nuk ka asnjë problem. Neve jemi mësuar me të na fyer. Jemi pamja e mëshirmit. Kemi falur të huajin. Pa diskutim që do të falim edhe ty.

2)Teksa kërkoja në internet mbi të drejtën e votës. Në sajtin e Komisionit Zgjedhor. Edhe pse e dija shumë mirë që emigrantët nuk mund të votojnë nga këtej. Më dilte shpesh një titull i tillë. Vota e jashtme. Më tutje…, një premtim elektoral. ”Përse duhet të vijë një emigrant për të votuar.” Pikë e zezë. Prapë emigrantëve u hidhej detyrimi. Më tutje akoma një paragraf i tillë. ”U kemi bërë një premtim të gjithë emigrantëve, veçanërisht atyre në Greqi dhe Itali; në momentin që do të vijmë në pushtet, ne do të kalojmë ligjin për Votën e Jashtme, që do u mundësojë emigrantëve që të votojnë në vendin ku ata ndodhen, pa pasur nevojë të udhëtojnë për në Shqipëri. Gjithashtu, kemi premtuar ngritjen e një Ministrie të veçantë për emigracionin, ministri në të cilën do të punësohen elemente të spikatur prej emigracionit, si dhe kemi premtuar një përfshirje të drejtpërdrejtë të emigrantëve në strukturat diplomatike të shtetit shqiptar, pra në ambasada dhe konsullata.” Pirro Lutaj, gazeta Shekulli e 25 Shkurtit 2013, ora 14:12.

A jeni në pushtet Kryeministër? Më pëlqen shumë si vendim’marrje. Madje i fola edhe tim biri. E qortova duke i kujtuar se ja, se përse i duhet gjuha shqipe. Mund të përfaqësosh vendin tënd. Mund të bëhesh diplomat i tij.

Mirëpo nga tjetër, deri më sot. Ashtu si me punën e dosjeve ka vetëm një retorikë. Ajo e hedhjes së fajit nga pala në palë.

3)Nga memoria ime, shpesh herë burrat e shtetit shqiptar. Ndajnë dekorata. Ku kryesisht meritat u njihen qytetarëve të tyre, pas vdekjes. Edhe kur vinë në diasporë, ndajnë dekorata. Flasin të ngrirë, me kostume firmato. Me patos pengues ndaj palës opozitare. Për një mos vullnet. Për shovinizëm. Akoma edhe për armiq të klasës. Dhe diaspora i pret. I nderon. Madje i dekoron edhe ajo. Kontribon politikisht duke mundësuar njohjen në administratën e botës së madhe. Darka zyrtare. Edhe pse nuk janë vendimarrës. Edhe pse nuk janë qytetarë me të drejta të meritura. Edhe pse e ruajnë si Zoti emrin e shqiptarit.

Nga diaspora kështu. Ku sa e sa prej këtyre, vdesin për të ndjerë po atë vëmëndje që japin për Eliza Dushkun, Rita Orën. Jo për paratë. Pasi ato ua ka falur prej çasti që fluturuan botës. Jo për shkëlqim skenik. Pasi atë e kanë varur në makinë. Pranë pasqyrës një copë lecke. Një thile. Një flamur. Thjesht si shpagim i vetsakrifikimit nën emrin e të qënit qytetar shqiptar.

Na jep mundësinë të votojmë Kryeministër. Bijë nënash shqiptare jemi edhe ne.

Filed Under: Editorial Tagged With: a mund te votoj, Ilir Levonja, Kryeminister, une

Mallkimet

June 15, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

I kemi ndër vete. Me shumicë i kemi. Nuk ju ka rastisur. Përditë mallkojmë njëri-tjetrin. Mallkon babai, mallkon nëna. Ose mallkon burri, mallkon gruaja. Vëllai, vëllain. Motra, motrën. Vëllai, motrën. Dhe motra, vëllain. Fqinja, fqinjën. Punëtori shefin. Ose shefen. Nxënësi mësuesen. Mësuesi nxënësin. Nëxënësen etj.  Dhe me që jemi tek shkolla. Më njoftonte një kolegu im, që asistonte në provimet e shtetit. Këto ditë qershori dhe fushate. Ishte përpjekur me dëshirën e mirë të ndihmonte një grup studentësh nate. I thoshte, rrënja katrore e dyshit…, ata të përpiktë. Rrënja  katrore e dyshit, por me fjalë. U thoshte iksi në katror. Ata shkruanin x por brenda një kutie.. Në fund …, sa të pafat që ishin. Mallkonin fatin e mbrapsht që nuk kapën notën maksimale.

Këtë bën njëriu ynë. Mallkon fatin. Mallkon vetveten.

Keni dëgjuar burra që mallkojnë ditën kur lindën? Plot gra, nëna, motra, bija etj…, kur mallkojnë fatin e tyre të zi. Mallkojnë ditë më ditë, veten.

Mallkojmë tokën, bagëtinë, kullotën. Mallkojmë lumin që na përmbyt. Mallkojmë detin që na mbyt. Mallkojmë qiellin që na jep shi. Mallkojmë minierat që na shëmben e na zënë brenda. Mallkojmë vendet fqinje që na përbuzin zjarrin tonë patriotik. Që nuk janë aq patriotë sa ne.

Kemi fjalorin më të pasur të mallkimit. Më fantastikun. Më magjikun. Por edhe më të shëmtuarin. Më përbuzëzin. Jo me tendenca, por i pastër si drita e diellit, diskriminues.

Kemi një begati leksikore që me keqardhje e them, si i ka shpëtuar vemëndjes dhe punës së ndonjë mbledhësi. Ndonjë punëtori të faunës së leksikologjisë sonë.

Kemi mallkim edhe frazeologjik. Si…, të hyptë vetja në qejf. Apo, bylmeze gjeje vet rrugën e çarkut. E të tjera.

Më kujtohet një komedi me një akt nga koha, kur personazhi kryesor mallkonte veten. E quante kaq të pa fat, kaq të mjerë. Sepse nuk dinte asnjë gjuhë të huaj. Kur filani apo fisteku, dinte tre a katër të tilla. Dhe ai mallkonte fatin e mbrapsht. Fatin e keq që kishte lindur ashtu. Njeri pa një gjuhë të huaj.

Nga ana tjetër ne e dimë se mallkimi, në kulturën fetare, është gjynah. Eshtë mëkat. Megjithatë ne nuk e kemi për gjë të mallkojmë. Qofshim myslimanë, qofshim orthodoksë, katolikë apo paganë.

Së fundi i dëgjuam edhe në fushatë. Thua i kishim mangut t’i dëgjonim nga burrat e shtetit?! Njëri nga Konispoli. E tjetri nga Korça. Në një fushatë ku kandidatët bëjnë mirë të sqarojnë derë më derë projektet. Por ata nuk e bëjnë. E bëjnë flamujt që valviten. Ekstaza e brohoritjeve. E bëjnë liderët me mallkimet e tyre.

Mallkuar qofshin të gjithë ata që i japin frymë kësaj politike primitive dhe barbare, që në Shqipëri nuk mund t’i mbijë dhe t’i rritet fara kurrën e kurrës. Edi Rama në Konispol, 14 qershor 2015. Në delir ne. Në delir edhe Shpëtimi i çamëve.

Kur është kështu, me kurrën e kurrës, aga. Pse mallkon? Do e pyeste një gjyshe, Edin. Ndërkohë nuk e kuptoj pse edhe tek-tuk në shtypin shqiptar, sidomos të majtin flasin akoma me nuannca triumfi të tipit propogandë diktature.  Për mbarimin e një kohe me parrulla greke në fushatë.  Fitore e madhe? Aspak, një disfatë. Enver Hoxha u bërtiste grekëve se, na u prish gjiza neve që ju kështu e ashtu. Rezultati, disa vite pas vdekjes së tij, shqiptarët gjizëprishur pushtuan Greqinë. Ndërruan fe, emër. Mbushën arkat e Bankës së zbrazur shqiptare. Ndërtuan shtëpi e pallate. Vila dhe hotele etj.

Atje jetojnë edhe sot. Atje po lindin. Atje po arsimohen etj. Edhe pse Enverit nuk i prishej gjiza.

Kemi një këmbëngulje kaq primitive ndaj minoriteteve, sa bëjmë vetëm zhurmë.

Nuk ia ndërron kufijtë Shqipërisë, ekzistenca e disa fshatrave, apo e disa njerëzve që janë grekë. Që ndihen grekë. Që duan të jetojnë e të flasin si grekët. Ne nuk mund t’i bëjmë shqiptarë me mallkime. As duke u përplasur derën e patriotizmit tonë. As duke u treguar besimin fetar. Jo, asesi!

Lideri tjetër. Lulëzim Basha. I plaçin sytë atyre që nuk e shohin varfërinë. Korçë 15 qershor 2015. E  trishtueshme. Mund të justifikohesh nesër se i adresohesh iksit apo ypsilonit etj. Por si njëri i fjalës, mua më duket se ia adreson popullit. Qoftë ky i majtë apo i djathtë, apo i lëkundur. Ai është batalioni që pret të udhëhiqet nga ty. Ndaj kjo nuk është etike. Eshtë me plot gojën vulgare. Dhe nuk e kuptoj se si po rriten këta liderë ku edhe për shkak të moshës, duhej të reflektonin një kulturë tjetër nga paraardhësit. Megjithatë, një ndalim, pak rikujtim etj…, nga koha si Berisha, si Nano, nuk mbaj mend të mallkonin. Etiketonin, por jo mallkonin. Kurse këta, edhe po etiketojnë, edhe po mallkojnë. I plaçin sytë atyre që nuk e shikojnë varfërinë. Kështu flet një lider bashkëkohor? Që aspiron të çojë vendin e tij në Europë? Asnjëherë.

E thënë thjesht zoti Basha. Që njerëzit nuk e shohin varfërinë për shkak të ambjemtimit me ‘të. Si ta shohin?. Lindën të varfër. Po jetojnë të varfër. Po vdesin të varfër. Pse? Sepse jeta e tyre nuk ka se si të përmisohet me britma, as me mallkime. Keqardhje!

Filed Under: ESSE Tagged With: Ilir Levonja, MALLKIMI

Selam Erdogan!

June 8, 2015 by dgreca

nga Ilir Levonja-Florida/
Për javë të tëra prestigjozja NewYork Times godiste me editoriale fushatën e Erdoganit. Ose më saktë, ashtu siç edhe po e thërrasin, përpjekjen e tij për tu bërë një Sulltan modern i Anadollit. E bënte këtë me editoriale të shkruar nga grupanalistësh. Grupeditorësh. Rrallë nga një emër i vetëm. Mbrëmë, e gjitha kjo u kurorëzua me një tjetër të tillë. Të drejt për drejtë. Me shifra. Deri në çastin kur dukej qartë se fitorja, Erdoganit nuk vlente. Ajo qe një humbje e ëmbël për shkak të pamundësisë për të qeverisur i vetëm. Shkurt Sulltani, humbi. Madje kësaj faqeje, të dhënave e të tjera, po shoh sot që i referohen edhe webet në Shqipëri. Megjithatë, editorialit të NewYork Times-it, i mungon aty thelbi. Që është mbyllja. Dy radhë të tilla, “The A.K.P. has lost votes, and it’s because of him. People are tired of having their lives dictated by one nutty man. It’s time for change.” Me pak fjalë, Partia A.K.P (Partia për Drejtësi dhe Zhvillim) humbi votëm vetëm pre tij. Njerëzit janë të lodhur së jetuari në diktatin e një të marri. Eshtë koha për ndryshim. 
Cilësimi si i marr, duket si pak. Arsyet fillojnë që nga Stambolli, rrethinat ku ai u rrit. Njerëzit thonë se ai është bërë një makth në jetën tyre. Edhe mburremi, por edhe kemi frikë prej tij. Burri që i tha këto fjalë, është 77 vjeç, i lutet gazetarit të mos i publikojë emrin pasi është i afërm i Presidentit dhe ka premtuar se do votojë për A.K.P-ën.
Gjithsesi, Turqia nga sot ndodhet përpara një prove të fort. Aleancat. A do të mundet A.K.P-ja të bëjë aleancë me ndonjë nga partitë e vogla? Por gjasat janë të vështira. Sidomos kur mendon kurdët. Që mbrëmë arritën një fitore historike me përfaqësimin e tyre në Parlamentin turk. Mirëpo mbanin nëpër duar foton e Oçalanit, liderit dhe armikut të Erdoganit. A do munden nga ana tjetër, partitë opozitare të bashkohen, të qeverisin bashkë dhe me Erdoganin President. Por tashmë me fuqitë e një presidenti të deritanishëm. Jo të Sulltanit, të atij soji që ai e ëndërronte.?
Kjo i përket klasës politike aty. Nga sot e në ditët në vazhdim.
A ka lidhje kjo e gjitha me Shqipërinë tonë? Sigurisht që ka. 
Së pari raporti i numrit të partive me zgjedhësit. Në Turqi konkuruan 20 të tilla, përballë numrit 54 milion zgjedhës. Ato që kaluan pragun dhe që do mbushin Parlamentin turk, janë 4.
Sa janë partitë që konkurojnë në Shqipëri? A është normale shifra aktuale përballë numrit të zgjedhëseve? 61 parti përballë një elektorati zgjedhësish prej 1 milion e ca. Asesi!
Së dyti, pragu elektoral. Në Turqi është 10%. Në Shqipëri tepër i ulët. Por edhe i lartë, nuk bën efekt në minimizimin e numrit të forcave politike. A ia vlejnë aleancat që bëjnë forcat e mëdha tek ne, duke futur në Kuvendin e Shqipërisë, prëfaqësues partish që u ngjajnë atyre që shënojnë vetëm emrin diku. Sa për një rrogë. Asesi!
Së treti, përpjekja e popullit turk për balancimin e pushtetit. Në mënyrë të atillë që të shmanget pushteti absolut. A e ka arritur Shqipëria këtë? Zgjedhjet e 21 qershorit janë prova. 
Së katërti, reagimi i një populli ndaj një individi që harxhon më shumë energji në glorifikim e pushtetit të tij, se sa në mirëqënien e popullit. Ndaj një individi dominant. Erdogan, 13 vjet në pushtet. Përmes një trekëndëshi shokësh, Erdogan, Gyl, Davutoglu. Qëllimi, të kthente Turqinë në Republikë Presidenciale. Ndaj ndërtoi një pallat me vlerë 370 milion euro. I shpiku botës grupimin Gylen si organizatë terroriste.
Deri këtu Shqipëria nuk ka shkuar. Por ka plot ithtarë që nën emrin e islamit janë bërë pjesë e një xhihadi terrori. 
Megjithatë, epidemia liderit absolut i ka dhënë prej kohësh shënjat e para. E njeriut që kërkon të rizgjidhet për të katërtën dhe të pestën herë. 
Së pesti, minoriteti kurd atje. Një parti, futet në parlament me 81 deputet.
Në Shqipëri, minoritetet, qoftshin greke apo sllave, përfaqësohen çuditërisht nga 4 deri në 5 parti.
Dhe për më keq akoma, çamët. Ajo pjesë e popullatës shqiptare më e vujtuara, më e përçmuara biles edhe nga vet shqiptarët e dheut amë. Me disa përfaqësues, deri të tillë rrethinash. Të përfaqësuar në Kuvend përmes aleancave, që në rastin e tyre janë fare të padobishme. 
_______
Ahmet Davutogluja, mbrëmë vonë. Nga ballkoni i A.K.P.-ës, u premtoi vëllezërve në Shkup, Siri, Irak, Maqedoni etj…, mbajtjen e premtive që ai dhe Rexhep Erdogan, u kanë bërë gjatë vizitave të tyre. Në këto vite qeverisje. Kjo rikonfirmoi, atë që përflitej. Strategjinë e shokëve të Anadollit, për rimëkëmbjen e një tjetër Perandorie Otomane. Atë të Sulltanit Erdogan. 
Pra ai humbi. Dhe për ironi të ëndrrës së tij. Pikërisht numrin e atyre karrikeve që do mbanin në Parlament, e morën kurdët. Selam Erdogan, demokracia mbruhet me erën e lirisë dhe të drejtat e njeriut.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ilir Levonja, Selam Erdogan

Votoni opozitën

June 7, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja/
Unë e di që një vështrim përkitas, pas këtij titulli, do shkaktojë të qeshura. Mbase jo të forta, por ironike. Megjithatë, shqiptarët duhet të votojnë opozitën. Kandidatët e saj vetëm për një qëllim. Tu thonë politikanëve se ka ardhur koha dhe duhet medoemos të punojnë bashkërisht. Në një sistem plural, nuk ka merita të njëanshme. Por – o janë merita të klasës politike, ose hiç.
Diku nga fundi i ndeshjes së mbrëmshme, mes Barcelonës dhe Juventusit, u hodh në internet një video publiçitare me kryetarin aktual të Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha.
Duke fjetur në një sofa të butë, në një dhomë gjysmë hije. Pra relaksuese.
Kjo po i kënaq shqiptarët. Të cilët vazhdojnë të mburren me finesat e humorit, sportivitetin e Kryeminstrit. Liderit të Rilindjes etj. Babain e ri që kur e pyesin për të birin. Bën aludime të çuditshme, fëmija, kurioziteti, kopshti zoologjik etj. Nga ana tjetër u gri duke na ngritur krahësh fëmijët e provincës. Duke shpërndarë selfie. Ai që i është mbushur mendja se është gaztori dominant, aktual i skenës shqiptare. Njeriu, që jo për hatër të gjatësisë i shikon njerëzit nga sipër. Por mendjembushur se i di të gjitha. Me siguri absolute. Madje me superkëmbëngulje në krijesat e tija që kanë dalë të shpërndajnë miell nëpër rrgjimet periferike të një vendi të lodhur. Por jo të shfrenuar. Ai që i mori qeverisjes së djeshme skandalet. Ato që ua kujtonte shqiptarëve nga mëngjesi deri në darkë. Dhe po kështu tani, ua servir për arritje me tolerancë zero ndaj dekriminalizimit, spastrimin e administratës etj. Pra elementët e skandaleve nga partia e skandaleve, Lsi.
Po i kthehem këtij spoti, për shkak të përqëndrimit me shumicë të fushatës. Në atë drejtim, që quhet gallatë. Gallatë me tjetrin që kemi përballë. Ndërkohë lihen pas dore probleme që kanë të bëjnë me komunikimin midis një bashkiaku dhe qytetarit. Pra probleme administrative. Marrëdhënie administrative, shërbime, pagesa taksash dhe kushte ndihmuese për bizneset lokale, etj.
Ta sajosh një njëri në divan, duke fjetur ashtu me veshje zyrtare. Ndërkohë tu thuash votuesve se dua votën tuaj për kandidatin tim. Se kështu do tu jap fonde. Të ndreqni rrugët, të përmisoni jetesën etj. Eshtë tallje.
Nuk është vështirë të kuptosh lojën e të mëdhenjëve në pozitë, me qytetarin e parë të një qyteti në opozitë. Diku e fitojnë, diku jo. Po edhe kur e fitojnë ato janë fitore që ta shpifin. Kur nuk e fitojnë krijojnë filmavideo të tipit Basha në kanape, duke gërhitur. Si e si të kënaqin perversitetin e tyre për të mundur kundërshtarin.
A ka aty të tillë. Oh, me përditshmëri. Por po të them vetëm një, ty shef i Rilindjes. Fitorja e Berishës ndaj teje. Me qëndrën e Tiranës. Tashmë aty gjallon një kokërr fasule e gjelbër që edhe ajo ta shpif. Janë ndryshe qëndrat e kryeqeteve të botës.
Disa ditë më parë analiste të krahut të majtë me të drejtë jepnin dy shqetësime kryesore. Konsumimin e tepruar të Kryeministrit në një fushatë lokale.
E vërtetë. Një fatalitet rigoroz këto njëzet e pesë vitet e fundit.
Eshtë fushatë lokale, jo e talljes me njëri-tjetrin.
Një tjetër analist jepte shifra. Konkrete. Ku të binte kokës fakti që 14% e investimeve publike bëhej nga buxheti. E imagjinoni vet se sa çfarë distance ka 14 nga 100. Pjesa tjetër nga kreditimet bankare të huaja. Pjesa tjetër e investimeve vjen nga donacionet, nga lypja jashtë. Nuk është e domosdoshme të jesh ekonomist të kuptosh jo buzën, por greminën ku po hallakatemi si vend.
Megjithatë, kandidatët e pushtetit u thonë qytetarëve se më votoni mua që të rregullojmë këtë apo atë. Ashtu si Hasani i Kavajës, u mburr me stadiumin e ardhshëm dhuratë nga Kryeministri. Në të njëjtën kohë kur qyteti diskuton akoma ujin e pijshëm. Projekti i tij në këtë mandat të dytë, është stadiumi, jo uji.
Turp e faqja e zezë, sikur me gisht të dorës të shposh aty, në fushat e Kavajës, ujë del. Po ujë nuk ka.
Votoni opozitën shqiptarë. Tu thoni pushtetarëve se jeni ju ata që e zgjedhin qytetarin e parë.

Filed Under: Featured Tagged With: Ilir Levonja, votoni opoziten

Yrysh Hasan

June 4, 2015 by dgreca

Nga Ilir Levonja-Florida/
Turqia, ajo perandorake që edhe kontribuam duke e ndërtuar. Na ka lënë dhe emrin e shenjtë Hasan. Që tani na u bë Hasanizim. E që nesër mund edhe të na bëhet Hasanoviq.
Çudi? Aspak! Absurde? Asesi! Sapo e deklaroi babai i absurdit, Edi Rama. Nga sheshi i demokracisë, Kavajë. Si përkrah i madhi, përkrah atij Roshit të vogël. Ky kandidati opozitar nuk di gjë tjetër, veç, të ndërrojë partitë. Rama nuk e ka bërë këtë, edhe pse e ka me dokumentë. Si tha tjetër, e thanë Kavajën për një pikë uji. Kush vallë?
Po do ta sqarojmë më poshtë. Tani për tani le të shohim. Të kujtojmë e të rikujtojmë. Koha jonë përbëhet nga e shkuara, e tashmja dhe Hasanizmi. Le të përfytyrojmë sindromën dashuri e urrejtje. Hasanizimin, që tashmë i ra për pjesë Kukësit. Bash vendit kërthizë të shqiptarisë.
1)Kandidati për kryetar. Kryetari aktual i Bashkisë së Kukësit. Me origjinë blu, i suportuar nga bluja. I sindromuar në të kuq, e së fundi në të kuq e rozë. Mu aty në shtëpinë e të djathtëve. Vetëm për të qënë kryetar. Nuk ka rëndësi se cila forcë e kandidon. Të bëhet kryetar. Përjetësisht ai. Pa të gjithave u gjendet shpjegimi. Edhe Hasanizimit që shpiu Blushi duke i rënë më qafë pa drejtësisht Hasanit real. E kemi thënë me kohë; tri ditë zgjat. Një gotë verë nga pas dhe aq.
Por fatkeqësisht kalimi sa majtas, djathtas apo në mes. Nuk është lëvizje politike Hasan. Eshtë hasanizim. Pra manovër. Që po bëhet legjitime. Dhe që ty të ra për pjesë për shkak edhe të gjenisë së shkrimtarit. Një lëvizje, që për një arsye a për një tjetër, për të treguar atë demodenë, jashtëkohësinë. Dhe metodat e vjetra të Perandorisë Otomane. Përça e sundo. Vrit, blej, shit… Dhe, sundo. Frymë veprimi që i përket llojit perandorak. Më jep të jap. Eshtë Hasanizim.
Deri sa është mes Edi Ramës, Metës, Gjicit, Bashës, Mediut etj. Loja e parisë së pashallëkut me stilin e Portës së Lartë, është Hasanizim.
E ç’bëri një radhe Shkodra, fqinja jote. I tha Portës së Lartë të asaj kohe, nuk ka Hasanizim këtu. Dhe nxorri për të parë një emër nga partitë e vogla. (Bahri Boriçi 1996)
Kukësi do dali në tris përfundim. Ose ta pengojë Hasanizimin. Ashtu si Shkodra. Ose të mbetet i djathtë. Ose do Hasanizohet.
Sikur asnjëra mos të ndodhi. Prapë Hasan. Hasanizmi zor se mund t’i hiqet mendsh shqiptarëve.
2)Hasanizni numër dy, Elvis Roshi. Një nga intervistat e tia më të fundit. Ajo e së martës në mbrëmje, 2 qershor. Në Ora News, me Ylli Rakipin. Eshtë më e klikuara për momentin në youtube. Më e qarkulluara. Një pjesë show, që po konkuron Al Pazarin .
Prezantimi apo i riprezantimi i kandidatit aktual. Si tha Kryeministri, e thanë Kavajën për një pikë ujë. Edhe pse ka dy vjet në pushtet. Të zgjidhet uji i Kavajës duhen edhe 4 vjetë të tjerë. Në Kavaja ka qysh sa mbaj mend, ujë, ujë, ujë. Madje për herë të parë në jetën time. Kam pirë ujë me lekë, pikërisht në Kavajë. 2 lekë gota, jo shaka.
Ky Hasani i Kavajës. Edhe deklaroi me të madhe aty se, ishte demokrat i orëve të para. E sot socialist. Një socialist Hasan, kryetar i aktual prej aq kaq vitesh, që nuk dinte se sa është aktualisht popullsia e Kavajës?! Se sa ishte numri i të papunëve?!
Që kishte ndriçuar qytetin, por që nuk e dinte se sa kishte paguar. Që do ndërtonte një stadium po me lekët e qeverisë shqiptare. Modern sigurisht. Që kishte biznes si brenda dhe jashtë vendit. Ndërtimtari dhe tregti. Megjithëse për këtë të dytën nuk ishte i sigurt? Që njihte vetëm një grua. Edhe pse në mbrëmjen e vitit 2011, zbriti në Kavajë gjithë Byronë e Ramës me pak Parti Socialiste brenda. Qershor ishte dhe atëhere, fillimi fare i muajit. Po në Shqipëri Hasan, nuk e kanë problem pse dikush lartohet dhe dikush varroset. Rroftë ai që ngrihet në detyrë.
Edhe pse përpara Zotit jetët e njeriut kanë të njëjtën vlerë. Në Shqipëri nuk është kështu.
Zoti i shqiptarëve është Hasanizimi.
Një kryetar që ishte diplomuar në ekonomi agrare dhe nuk ishte i sigurt me saktësi se, qe viti 2005 a 2006. Dhe shyqyr zotit që edhe intervistuesi nuk u tregua aq finok sa ta pyeste për emrin e ndonjë pedagogu, a lënde. Me siguri, që ai do të thoshte kush i mban mend tani. I lumtur që nuk i mban mend. Edhe pse mësuesi i fillores, ata të shkollës së mesme, pedagogët. Kushdo nxënës, gjimnazist a student, që një natë para provimit ka bërë gjum të trazuar, kurrë nuk i harron. Ai me siguri që është i lumtur, që nuk mban mend. Nuk ka se përpara kujt t’i skuqet faqa. Ai për referendum njihte vetëm Këshillin Bashkiak. Edhe pse pretendonte se kishte kulturë perëndimore.
Megjithatë, ai fluturoi Hasan, nga demostratat, nga dhjetorist, në kryetar. Përmes Hasanizmit, Hasan. Kështu që mos u druaj, nuk je i vetmi.
Por keqardhja ime vjen për atë popull aty. Kavajën. Vallë a fjetën atë natë me pas studios ku lulëzoi kryetari i tyre?!. Vërtet e kanë…, vërtet do i japin edhe një mandat tjetër?
Faqje e zezë për ta, Hasan. Hasanizimi vazhdon.
3)Ai i Lezhës Hasan. Viktori. E mban mend. Kryetari dhe babai i absurdit dhe rekordmeni i bojkotit, Edi Rama. U tha lezhianëve se Viktori do e bënte Lezhën më të bukur se pikturat e Pashk Përvathit. Dhe Lezha nuk ia besoi veten mjeshtrit. Edhe pse krenohet me mjeshtrin. Lezha u magjeps. I tha mjeshtrit rri aty. Na zbukuro ëndrrat në pëlhurë. Ne jemi për Hasanizimin, Hasan. Ndaj dhe Viktori u ngrys socialist, u gdhi Lësëist, rifitoi si demokrat, e kthye prapë atje ku ishte. Hasanizëm Hasan? Hasanizëm, jo socialist. Lezha e di se ku e gjeti. Lezha e di, se, kur do ia zbardhi faqen.
Megjithëse di dhe tjetrën që, bota e njeh Lezhën me kuvendin e Besëlidhjes. Me pikturat e Pashk Përvathit. Por prapë Hasanizimi është magjik në jetën e shqiptarëve. Aventurë e nevrastenikëve. Potpuri e ngjyrave që, veç ngjyra s’janë. Ndaj yrysh, përpara, vërsulu Hasan!

Filed Under: ESSE Tagged With: Ilir Levonja, yrysh Hasan

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 87
  • 88
  • 89
  • 90
  • 91
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT