Shkrimtari i njohur në një rrëfim për Gjergj Fishtën, Naim Frashërin, Ernest Koliqin dhe shkrimet e tij gjatë komunizmit/
Shkrimtari Ismail Kadare vjen më poshtë në një rrëfim ndryshe, duke analizuar gjykimet e dikurshme mbi një personazh të rëndësishëm të letrave shqipe siç është Gjergj Fishta apo Naim Frashëri, dhe letërsinë dhe shkrimet e shkruara gjatë komunizmit. Kjo bisedë është bërë për revistën “Hylli i Dritës”.
Akuzoheni se keni shkrue dhe folë kundër At Gjergj Fishtës, Ernest Koliqit dhe, në përgjithësi, se keni qenë kundër letërsisë dhe vlerave shpirtnore katolikegege. Çka mundeni me thanë për këtë gja dhe si e vlerësoni kontributin e elementit katolik emancipimin e kombit shqiptar?
Po e nis me pjesën e dytë të pyetjes suaj, atë që lidhet me kinse qëndrimin tim mohues ndaj vlerave shpirtërore katolike-gege. Më lejoni t’ju them se kjo nuk është veçse një sajesë e neveritshme. Në këtë rast, më fort se vetë shpifja, më ka habitur zelli me të cilin një pjesë e katolikëve shqiptarë e kanë përqafuar atë. Del pyetja, përse? Më saktë: përse iu është dukur me interes një gjë e tillë? Normalisht duhej të ndodhte e kundërta. A nuk u ka shkuar ndër mend se, duke i shtuar katolicizmit shqiptar një armik të paqenë, kanë bërë lojën e komunistëve më të skajshëm? Sepse veç ata ishin të interesuar që katolicizmi shqiptar të kishte sa më shumë kundërshtarë, e aq më tepër një shkrimtar të njohur. Ka ardhur ky keqkuptim i rëndë nga padija? Për një pakicë po, por për shumë të tjerë kurrsesi. Këta të tjerët e kanë ditur mirë që akuza është krejtësisht e pavërtetë. Mjafton leximi, qoftë dhe i pjesshëm, i veprës sime për ta kuptuar këtë. Nderimi im për krishterimin shqiptar, e sidomos për atë katolik, e ka zanafillën jo në frymëzimin fetar, por në nderimin tim për letërsinë shqipe dhe atë europiane, rrënjët e të cilave ishin të pandara nga qytetërimi i krishterë. Por, edhe pa e lexuar veprën time, do të mjaftonte biseda aq shumë e përfolur me ish-presidentin komunist, Ramiz Alia, në lidhje me fenë katolike, bisedë që u bë shkas për aq shumë spekulime për kinse antimyslimanizmin tim, në favor të katolicizmit, që kjo sajesë të binte. Unë u gjenda kështu në një skajim paradoksal: nga të dyja anët, nga katolikët dhe myslimanët, u shpalla si kundërshtar i secilës fe, me gjasë në dobi të tjetrës! Nuk dua të zgjatem lidhur me suksesin e shpifjes te katolikët. Dua vetëm të përsëris se disa prej tyre kanë qenë mjaft të lexuar, për ta ditur të vërtetën. Le ta gjejnë në ndërgjegjen e tyre shkakun. Lidhur me të vërtetën se ç’kam menduar për vlerat katolike-gege, do të mjaftonte romani im “Ura me tri harqe”, botuar më 1976, në kohën më të zezë, në mesnatën e diktaturës. Ky roman, i përkthyer qysh në atë kohë në gjithë Europën e në SHBA, dëshmon qartë çfarë kam menduar dhe, kryesorja, çfarë kam shpallur publikisht lidhur me qytetërimin katolik në Shqipëri. Ky roman është rrëfimi i gjatë i një murgu katolik, që flet si zëdhënës i krejt kombit shqiptar. Të mendosh që vepra u botua në kohën kur feja, e sidomos feja katolike, ishte e ndaluar dhe e persekutuar në Shqipëri, mendoj se s’ka nevojë për koment. Lidhur me At Gjergj Fishtën, do të thosha, së pari, se po abuzohet me të në mënyrë të palejueshme. Pyetja për poetin bëhet shpeshherë jashtë çdo kriteri të diskutimit intelektual. Ajo bëhet në mënyrë provokative dhe kundër çdo parimi të etikës. Askund në botën e qytetëruar nuk i kërkohet llogari askujt përse nuk e ka pëlqyer ose përse e ka kritikuar një shkrimtar. Të vijmë tek At Gjergj Fishta. Ka shumë rrahagjoksa sot që, ndërsa bëjnë be e rrufe për Fishtën, nuk kanë guxuar as t’ia përmendin emrin gjatë diktaturës. Natyrisht, nuk mund të fajësohen për këtë. Fishta ka qenë i ndaluar, madje më i mallkuari ndër të ndaluarit. Ndalimi i Fishtës ishte i rrokakrejtshëm (total). Kërkohej me këmbëngulje që as emri mos t’i përmendej. Më i keqi ndër ndalimet ishte pikërisht ky, kur poeti konsiderohej i paqenë. Rrahagjoksat iu bindën ndalimit. Në një pikëpamje duken të pafajshëm, por ka një çast kur mëkati shfaqet. Disa nga rrahagjoksat pranuan të shkruanin studime e sprova për letërsinë e fillimit të shekullit, sidomos vitet njëzet e tridhjetë, duke iu bindur verdiktit: Fishtës të mos i përmendej emri, të quhej i paqenë. Dikush mund të pyeste: ç’duhej të bënin? Përgjigjja është e thjeshtë: të shmangnin shkrimet për atë periudhë, kur ai zinte vendin e parë në letërsi. Në këtë pikë, mendimi im ndahej nga ai i rrahagjoksave. Mendoja se heshtja totale, fshirja nga kujtesa e shkrimtarëve të ndaluar, ishte ndalimi më i keq, ishte pikërisht dëshira e vërtetë, qëllimi final i diktaturës. Ndaj kam kërkuar një zgjidhje tjetër, që e mendoja më të favorshme për shkrimtarët e dënuar e, natyrisht, për të vërtetën. Ideja ime ishte: të përmendeshin ata, me çdo kusht, qoftë edhe duke i përcjellë me kritika të rrepta. Ç’kritika mund të përdoreshin si taksë për përmendjen e emrit? Ishin pak a shumë dy modele: njëri tepër i skajshëm, si për shembull, kriminel, hienë e zezë, spiun i fashizmit, shërbëtor i pushtuesve etj. Të tilla unë nuk kam përdorur kurrë. Modeli i dytë, më i moderuar: reaksionar, konservator, patriarkal, primitiv, nacionalist, folklorist, shovinist etj. Kam pasur idenë, i bindur se kisha të drejtë, të përdor ato kritika, për të cilat Fishta mund të kritikohej vërtet. Që Fishta ishte konservator, reaksionar dhe nacionalist, madje shovinist, për të mos përmendur folklorizmin e patriarkalizmin, e kisha shumë lehtë ta besoja. Madje, falë dy shkollave të larta, njohjes së letërsisë botërore dhe snobizmit rinor, disa nga këto cilësime s’më dukeshin ndonjë e keqe e madhe. Nuk do të guxoja të shtoja këtu se qëllonte që më dukeshin lavdërime, sikur të mos kisha një dëshmi që e vërteton këtë: Në botimin e librit tim të parë në Moskë, që u përgatit kur isha student atje, pranova si kusht për botim që, përkthyesi im, David Samoilov, të shkruante në parathënie se kisha ndikime të modernizmit e dekadentizmit borgjez. Kjo kritikë, jo vetëm që s’m’u duk e keqe, por më dha njëfarë kënaqësie. Akuzat ose lavdërimet në botën komuniste shpesh bënin efekt të kundërt. Ato përdoreshin shpesh kundër shkrimtarëve të kohës, atyre që quheshin shkrimtarë të epokës së partisë. Një pjesë të epiteteve që përmenda më lart, madje të pasuruara me të tjera, si vepër kundër partisë, kundër socializmit, kundër popullit, jo vetëm janë përdorur kundër meje, por unë vetë, në një autokritikë të botuar tashmë, i kam thënë kundër vetes. U zgjata në këtë pikë, ngaqë kjo intervistë botohet në “Hylli i Dritës”, e pandarë nga emri i Fishtës. Siç e thashë në krye, ka një abuzim të madh me të. Është krijuar një mashtrim, që ka lidhje me një nga dukuritë më dinake të komunizmit: atë që quhet transferim i krimit. Diktatura dhe shërbëtorët e saj postdiktatorialë përpiqen të heqin nga supet e tyre barrën e turpit, për ta zbrazur mbi të tjerët. Shkrimtarët shqiptarë kanë përgjegjësinë e tyre për çoroditjen e letërsisë shqipe, por s’janë ata në zanafillë të krimeve të mëdha diktatoriale, tmerret dhe gjëmat e zeza, duke përfshirë këtu edhe ndalimin e Fishtës, të Koliqit e të tjerëve. Fabrika e ndryshkur e pasdiktaturës vazhdon të prodhojë mashtrime nga më monstruozet. Një prej tyre, që e dëgjova në një mbledhje publike me shqiptarët e Amerikës, e shpjegonte ndalimin e Fishtës si rrjedhojë e vendimit të një komisioni prej tre vetash, të përbërë nga Nexhmije Hoxha, Ramiz Alia dhe Ismail Kadare. Ishte e lehtë për mua t’i jepja përgjigje këtij mashtrimi: kur Fishta dhe gjithë të tjerët u ndaluan, unë isha nëntë vjeç. Gjithë salla qeshi dhe unë bashkë me ta. Por nuk ishte për të qeshur. Fara që la pas ai regjim, vezët e gjarprit vazhdojnë të helmojnë atmosferën. Thelbi i mashtrimit është llogaritur në mënyrë djallëzore. Sipas tij, krimet nuk i ka bërë kupola komuniste, por tjetërkush. Në qoftë se përfytyrohet një komision ndalimi për Fishtën, me dy zyrtarë të lartë dhe një shkrimtar, natyrisht që faji për ndalimin, në radhë të parë i bie shkrimtarit. Rasti e solli që shkrimtari i akuzuar ua kujtoi dëgjuesve se ishte në atë kohë nëntë vjeç, por sa raste të tjera ka kur nuk gjendet kurrkush për të sqaruar të vërtetën dhe kështu gënjeshtra ngadhënjen? Dhe njerëzit mund të thonë: i gjori shoku Ramiz dhe e gjortha shoqja Nexhmije, ku ta dinin si ishte puna e Fishtës? Ishte ai, krimineli i madh I. K., që i ka bërë të gjitha, madje dhe të gjorthin shokun Enver, I. K. e ka nxitur të bëjë krime! (Kjo e fundit, sado fantaziste të duket, është thënë në shtypin gjerman pikërisht nga kinse disidenti që përmendni ju, në krye të kësaj interviste: në Shqipëri ka pasur jo një, por dy diktatorë, E. Hoxha dhe I. Kadare, madje ky i dyti ishte më i keqi!) Meqë ra fjala, ky kinse disident dhe ish-oficer i Sigurimit, ndërsa është shfaqur si ithtar i Fishtës, në të njëjtën kohë, pasi është deklaruar turk, s’ka lënë sharje pa thënë kundër Skënderbeut. Fishta do të dridhej në varr (nëse do ta kishte), po të merrte vesh se një tip i tillë, pasi lavdëron Gjergj Fishtën, e hedh në baltë Gjergjin tjetër, atë të Kastriotëve, duke e quajtur hajdut kuajsh dhe agjent të italianëve! Në Shqipëri mbrapshtitë nuk kanë fund.
Tashti, pas kaq kohe reflektimi, cili asht mendimi juej për Fishtën dhe vendin e tij në letërsinë shqipe?
Ndërsa për vlerat e katolicizmit shqiptar nuk kam pasur ndonjëherë moskuptim (më 1959, kur isha student në Moskë, romanin tim të parë “Qyteti pa reklama” e kam nisur me frazën e parë të “Mesharit” të Gjon Buzukut), nuk mund të them se kjo ka ndodhur me Fishtën. Gjykimi im i padrejtë për të, mendoj se nuk ka lidhje me komunizmin. Ka gjasë se edhe në një rend tjetër do të kisha, ndoshta, të njëjtin moskuptim. Moskuptimi ka qenë, me sa duket, fryt i një mode pothuajse botërore, në fillim të viteve gjashtëdhjetë, kur letërsia klasike, e sidomos shkrimtarët e cilësuar kombëtarë, pësuan një nga sulmet e radhës, prej brezit të ri. Student i letërsisë, në një mjedis disi liberal, fill pas dënimit të krimeve të Stalinit në Moskë, jam gjendur midis kësaj mode, si rrjedhojë e së cilës, për një pjesë të letërsisë botërore e, natyrisht, të letërsisë shqipe, për Naimin, Fishtën, Çajupin e të tjerë, kam pasur ftohtësi dhe paragjykime, sidomos për veprat që quheshin monumentale, si “Histori e Skënderbeut” dhe “Lahuta e Malcisë”. Duhej të kalonte shumë kohë për të kuptuar se vlerësimi im për ta ka qenë i gabuar. Kam kuptuar, ndër të tjera, se vlerësimi për ata që pranohen, me të drejtë, si “poetë kombëtarë”, nuk kalon nëpër të njëjtat kritere profesionale, si për të tjerët. Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta kanë qenë dhe mbeten dy poetët kombëtarë të Shqipërisë, të vetmit, të fundmit dhe të papërsëritshmit. Poeti kombëtar nuk është e thënë të ketë atë stërhollim artistik, atë përkryerje apo magji të epërme që ka shpesh arti luksoz dhe elitar. Poetët kombëtarë, për arsye që dihen, e kanë flijuar shpesh artin e tyre në një tjetër altar. Ndërkaq, ata krijojnë me kombet e tyre një raport të habitshëm, gati-gati misterioz, një njëjtësim me peizazhin historik e shpirtëror, të tillë që, duke u bërë njësh me atë të kombit, arrin disa herë ta dyzojë atë. Nëse shpesh ata qëllojnë që nuk janë shkrimtarët më të parapëlqyer e më të lexuar, ata janë, pa dyshim, më të domosdo-shmit. Të tillë na ngjajnë sidomos në kohë të vështira, kur kombi ligështohet dhe katastrofat shfaqen në horizont. Kam bindjen se, në kohën që jetojmë, në këtë fillim problematik të shekullit XXI, Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta janë përsëri më të nevojshëm se kurrë.
Si i gjykoni sot shkrimet tueja të kohës së komunizmit, ku flisni për E. Hoxhën dhe diktaturën? A mendoni se ka vend për interpretim aty ku nji lexues i randomt sheh nji realitet të lustruem të diktaturës komuniste?
Pas përmbysjes së komunizmit, pyetja se ç’është kjo letërsi që u krijua në kohën e tij dhe si do të gjykohet ajo, bashkë me shkrimtarët që fati e solli të jetojnë në komunizëm, u kthye në një kureshti botërore.
Mendimet u ndanë pak a shumë më dysh. Sipas një mendimi që ngjan tepër antikomunist, por që, siç do të shpjegohet më poshtë, del kryekëput komunist, kjo letërsi është kryekrejet komuniste, dhe si e tillë, do të ketë fatin e tij, të përmbyset. Gjithmonë sipas këtij mendimi, në motërzimin e tij shqiptar, më mirë do të ishte që kjo letërsi të mos ekzistonte dhe, bashkë me të, shkrimtarët vetë të mos ishin. Këtyre të fundit haptas iu është bërë pyetja: përse vazhduat të shkruani, përse nuk heshtët, madje përse nuk vdiqët!
Kundërshtarët e kësaj teze ngulmojnë se ajo është në thelb komuniste, ngaqë pranon ngadhënjimin e plotë të komunizmit brenda epokës së vet, madje edhe tani, jashtë saj. Që këtë tezë e pëlqejnë shumë komunistët, kjo nuk është ndonjë habi, por që antikomunistët e pëlqejnë edhe më fort, kjo është një habi e habive.
Te teza se do të ishte më mirë që kjo letërsi të mos ekzistonte, kundërshtarët e saj gjejnë racizëm, sidomos kur ajo bëhet prej të huajve. T’u thuash shqiptarëve se ishte më mirë të jetonin gjysmë shekulli pa letërsi dhe art, për të vërtetuar se komunizmi ishte i keq, do të thotë t’i konsiderosh ata si nënpopull. Është tezë raciste kur popullit shqiptar i parashtrohet diçka që nuk guxohet t’u propozohet as francezëve, as gjermanëve, madje as rusëve të gjendur në kushte të ngjashme (komunizëm, fashizëm ose pushtim nazist). Nënteksti racist i tezës është: s’u bë hataja pse ky popull jetoi pa art gjysmë shekulli, në kohën që quhet fundi i botës nëse jeta kulturore, për shembull, do të paralizohej gjatë pushtimit nazist në Francë, gjë që nuk ndodhi aspak.
Një mendim tjetër është ai, sipas të cilit, pavarësisht në ç’kohë krijohet, letërsia gjykohet pas ligjeve të saj dhe jo ligjeve komuniste, fashiste ose jokomuniste, por, si kudo dhe kurdo, ndahet në letërsi të mirë dhe letërsi të keqe.
Mendimi im është me ata për të cilët letërsia duhet të gjykohet si letërsi. Megjithatë, për atë veçanti që pati regjimi mizor në Shqipëri, do të shtoja se në këtë rast kriteri themelor, natyrisht, duhet të jetë vepra, por një kriter kryesor nuk ka si të mos jetë moraliteti i shkrimtarit. Me këtë nuk kam parasysh idiotësitë e shkrimtarëve, pjesë e idiotësive të popullsisë së sunduar, vjershat, këngët për festat, qeverinë apo katundarët e dalluar, për krimet e pafalshme, si spiunimin e kolegëve, dërgimin e tyre në burg a në pushkatim, e të tjera si këto. Është kjo arsyeja që prej më shumë se dhjetë vjetësh kam kërkuar hapjen e dosjeve të fshehta.
Lidhur me teorinë e “heshtjes” si qëndresë ndaj regjimit, mendoj se jo çdo heshtje ka vlerë. Heshtja letrare është ajo e një shkrimtari të njohur, që befas e ndërpret krijimtarinë. Në njëfarë mase, atë e bëri Lasgush Poradeci dhe Dhimitër Pasko, por edhe ata me shumë kujdes, ngaqë regjimi ishte tepër përgjues edhe ndaj heshtjes. Në Shqipëri sot kanë dalë shumë mëtues të heshtjes. Ata shpallin pak a shumë mendimin se do të kishin qenë shkrimtarë me vlerë, por parapëlqyen të heshtin. Si parim është vështirë të kundërshtohet, por, ndërkaq, një pyetje është e pashmangshme: si vërtetohet kjo? Me fjalë të tjera, si vërtetohet talenti, dhe e dyta, si vërtetohet se shkaku i heshtjes nuk është ajo që thuhet, por tjetër gjë (ta zëmë frika)? Kjo të kujton një tregim të Mark Tuenit, ku përshkruhet një botë paralele, ku qokat janë të ndryshme nga bota jonë. Kështu, poeti më i madh atje nuk është Homeri, por një rrobaqepës, ndonëse nuk ka shkruar kurrë asnjë varg. Shpjegimi zyrtar, dhe natyrisht i atij vetë, është i thjeshtë: unë vërtet nuk kam shkruar kurrë, ngaqë nuk pata kushtet, por po t’i kisha ato, kisha për të qenë mbi Homerin.
Të kthehem te pjesa e rrokshme e pyetjes suaj: letërsia që kam krijuar në atë kohë. Do të përpiqem të jem sa më i kapshëm.
Për vite me radhë unë vetë kam bërë pyetjen: ç’është kjo letërsi që po bëj? A është letërsia e duhur? A ka ndonjë vlerë, apo do të vdes bashkë me regjimin?
Jam i sigurt se pyetje të tilla janë bërë gjithkund në kampin e gjerë komunist. Ndërkaq, në vitin 1970, në jetën time ndodhi diçka befasuese. Vepra ime, e botuar së pari në Francë, nisi të përkthehej në gjuhët kryesore të Europës e të botës, që nga Nju-Jorku në Tokio.
Unë nuk e pranoj që kriteri bazë për të vlerësuar një shkrimtar është përkthimi në botën e huaj. Raste të kundërta ka plot. Por, të ndodhte ky përkthim, i shoqëruar me suksesin, më 1970, kishte një kuptim tepër të madh. Nuk ishte thjesht botim, e aq më tepër sukses jashtë shtetit. Ishte përkitja (kontakti) me botën e lirë. Bota e lirë perëndimore, në metropolet e saj, në Paris, Nju-Jork, në Berlin, në Romë, në Londër, befas lexon dhe çmon një letërsi të krijuar në një vend-burg, më fatkeqin vend të perandorisë komuniste.
Shqipëria në atë kohë nuk prodhonte veç terr, mërzi dhe lajme që të ngjethnin mishtë. Dhe, befas, ajo nxjerr një letërsi që, jo vetëm shpërndahet me shpejtësi, por pëlqehet njëlloj sikur të ishte e botës jokomuniste.
Ky ishte për mua dhe për gjithë njerëzit një test i pazakonshëm. Si në mrekullitë e përrallave, ky test më çoi mua në të ardhmen. Prej tij kuptova se, pavarësisht se regjimi ishte i çmendur, unë po krijoja letërsi normale. Pavarësisht se Shqipëria ishte burg, kjo letërsi që dilte prej saj ishte e lirë. Ndryshe ajo s’kishte përse të pritej me aq dashamirësi në Perëndim.
Gjithë vepra ime u botua në botën e lirë. Unë nuk kisha dy lloj veprash, një për “këndej”, një për “andej”. U bëra i njohur kryesisht me veprat e botuara në komunizëm, madje të botuara së pari në shqip dhe në Tiranë.
Kam thënë shumë herë se vepra ime nuk ka nevojë të quhet as disidente, as komuniste, as antikomuniste, as subversive etj., etj. Ajo është në radhë të parë letërsi dhe ky është nderi më i madh për një vepër që u krijua në një vend si ky.
Ka shumë njerëz që ngulin këmbë për ta paraqitur këtë vepër si pjellë të regjimit e të Enver Hoxhës. E kuptoj kur kjo bëhet nga shkrimtarët tepër militantë komunistë, e kuptoj kur bëhet nga Nexhmije Hoxha, ngaqë asaj i duket se po i bëhet nder burrit të saj, i cili nuk paska bërë vetëm vrasje në Shqipëri, por ka pjellë edhe vlera artistike! Por nuk e kuptoj dot se përse kjo mbrapshti bëhet nga ata që shpallen si antikomunistë.
Pyetja ngjan si në rastin e atyre katolikëve, që me zell qëmtojnë armiq të katolicizmit. Thelbi është i ngjashëm, veç, në këtë rast, në vend të armiqve qëmtohen miq të paqenë të Enver Hoxhës. Vërtet e çuditshme.
Për sa i përket interpretimit prej lexuesit të rëndomtë që ju përmendni, ai ka vërtet nevojë për një lexim dhe interpretim më serioz. Po ju sjell vetëm një shembull të leximit krejtësisht të gabuar. Është fjala për një personazh themelor të romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, plakën Nurihan. Ende sot detraktorët e mi e përmendin këtë personazh si akuzë kundër meje, gjasme si vërtetim të tezës se i kam rënë në qafë klasës së përmbysur.
Në të vërtetë është krejt e kundërta. Plaka Nurihan, personazhi antonim i Enver Hoxhës, në “Dimrin e vetmisë së madhe” është një figurë monumentale, që simbolizon klasat e përmbysura në Shqipëri, dhe unë jam krenar që ky personazh është një ndër më dinjitozët në këtë vepër.
Ç’është kjo plakë, me tipare mitike, në vazhdën e “plakave të jetës” të “Kronikë në gurë”? Qysh në faqet e para të romanit, ajo ngryset e gdhihet pranë radios, për të kapur prej stacioneve të botës ndonjë lajm, ndonjë shenjë të përmbysjes së komunizmit. Gjatë gjithë romanit, ajo përshkruhet gjithmonë kështu, në pritje, në heshtje, në vigjilim të pafund. Asnjë fjalë e keqe nuk thuhet për të. Për lexuesin “borgjez” ajo ishte mishërimi i shpresës, i ankthit të tyre, i pritjes së pafund për rrëzimin e pushtetit komunist. Për lexuesin komunist ajo ishte plakë borgjeze, shtrigë e keqe, që ëndërron fundin e partisë e të shokut Enver.
Komunistët kishin të drejtë ta urrenin këtë plakë mitike, të kishin tmerr prej saj, por ç’kanë detraktorët antikomunistë? Për një habi të madhe, në vend që të jenë dashamirës për këtë zonjë borgjeze, këtë farë të shpresës, ata, në mendjet e tyre, e quajnë atë njëlloj si komunistët, shtrigë. Dhe zemërohen me mua që kam krijuar këtë shtrigë.
Zotërinjtë shfaqen këtu në një dritë të pikëlluar. S’kam të drejtë ta vë në dyshim antikomunizmin e tyre, por, ndërkaq, nuk kam si të mos them se, pavarësisht nga mllefi antikomunist, mendja e tyre, pa e ditur, ndoshta, as ata vetë, në thellësi ka mbetur skllave e mendësisë komuniste.
Meqenëse jemi te ky roman, ai përdoret shpesh si argument për kinse “lustrim të diktaturës”. Për të thënë se është e kundërta, nuk do të përmend acarimin kundër tij, pikërisht të aparatit të diktaturës shqiptare, e cila arriti ta hiqte nga qarkullimi botimin e parë. Do t’i kthehem testit të botës së lirë. Pas botimit të tij anekënd Europës, kjo botë nuk u mor me imtësirat dhe mungesat e tij të shpjegueshme. Lexuesi i botës së lirë, kapi në këtë roman tablonë globale të komunizmit botëror, një nga më të zymtat, për të mos thënë më e zymta që është dhënë ndonjëherë në një vepër letrare. Dimër i ftohtë dhe ankth, klasa kundërshtare që ëndërrojnë masakra kundër njëra-tjetrës, intriga të errëta midis shteteve kinse vëllezër komunistë, kujtime krimesh, burgjesh, arrestimesh, fantazma ministrash të pushkatuar, që shfaqen në pritje qeveritare, me shenjat e plumbave të gjakut mbi trup, si në dramat e Shekspirit, pyetja plot ankth e personazheve: tani që po shkëputemi nga Lindja, a do të shkojmë vallë drejt Perëndimit?
Në qendër të ngjarjes, mbledhja botërore e 81 shefave komunistë të krejt planetit, përshkruhet si meshë e zezë. Intrigantë, vrasës, mafiozë të vërtetë. Midis tyre është lideri shqiptar, i cili i shpëton këtij përshkrimi për arsye që merren me mend.
Moszbërthimi i plotë i portretit, ishte pjesë e taksës së detyrueshme që nuk mund t’i shmangej askush, për të ekzistuar si shkrimtar. E kam paguar atë taksë ashtu si të tjerët, por ajo zë një vend fare të papërfillshëm në veprën time. Ishte taksa që nuk iu shmangën dot as kolegët e mëdhenj Pasternaku, Ahmatova, Bulgakovi e të tjerë. Ndaj ajo nuk pengoi aspak që letërsia shqipe, nëpërmjet meje, të hynte në klubin e lirë të metropolit europian. Në një intervistë të gjerë me Stephane Courtois, autorin francez të veprës së famshme “Libri i zi i komunizmit”, i cili ka shkruar se “Dimri i vetmisë së madhe”, në një rilexim të vitit 2005 i është dukur më antikomunist se gjatë leximit të parë të vitit 1978, kam shpjeguar se shkëputja e Shqipërisë prej kampit komunist në vitet gjashtëdhjetë, ka qenë i vetmi aksion, historikisht pozitiv, ndonëse i pasinqertë i Enver Hoxhës, aksion me të cilin kam qenë dakord. Ashtu si gjysma e shqiptarëve, kam shpresuar se kjo shkëputje do ta çonte Shqipërinë drejt Perëndimit, gjë që, për fat të keq, nuk ndodhi.
www.revistasaras.al(Marrë nga Kadare, Vepra XX, Onufri, Tiranë, 2009)
Koha që shkoi- DITËT E SOTME NË POEZINË E NJË TË RIU
NGA ISMAIL KADARE/
REÇENCË E VITIT 1969 E LBRIT“SOT” TE POETIT FASLLI HALITI/*
Kur disa vite më parë një djalë i ri nga Lushnja,Faslli Haliti sillte në redaksi vjershat e para për t’i botuar ,ishte e vështirë që të besoje se shpejt do të vinte koha që ai do të botonte librin e tij të parë . Kjo ndodhte sepse vjershat e tij ishin shkruar me mungesa të mëdha teknike ,me gjuhë të çrregullt; idetë disa herë nuk ishin të qarta; vjershat disa herë nuk kishin kuptim. E megjithatë,midis strofave të shumta të këtij fillestari shkëlqente tek tuk ndonjë copë e bukur origjinale poetike, e cila për fat të keq humbte përsëri në grumbullin e madh të vargjeve të tij. Sikur Faslli Haliti të ishte dashuruar ahere pas vargjeve të tij, sikur ai të ngulte këmbë dhe të mbronte dobësitë e tij, ishte e sigurtë se nuk do të kishim librin e tij “Sot” që është një nga librat më interesantë poetikë të botuar kohët e fundit nga Shtëpia botonjëse “Naim Frashëri”. Por ai vinte nga Lushnja, i thjeshtë dhe serioz, si njeri i vërtetë i punës,dëgjonte me vëmëndje vërejtjet, mundohej t’i kuptonte ato, nuk “përgjërohej” për ato që kishte shkruar, por i vihej punës të shkruante më mire, duke flakur dobësitë e shumta. Pas një kohe të shkurtër iu botuan vjershat e para. Koha e botimit të parë është disa herë periudhë e rrezikshme për një fillestar. Pikërisht në këtë kohë mund të krijohet tek ai një vetëbesim i tepëruar, i cili për fat të keq bëhet nganjëherë shkaktari kryesor që disa të rinj e fillojnë mbarë punën, mirëpo pastaj, në vënd që të bëjnë përpara, bëjnë prapa. Faslli Haliti, si shumë shokë të tij të talentuar, e kaloi me sukses këtë periudhe. Ai ishte po aq i vëmëndshëm ndaj vërejtjeve, po aq serioz në punë si dhe më parë. Ne besojmë se edhe pas botimit të librit të tij të parë “Sot”, Faslli Haliti, duke e kuptuar thellë se arti është një pasuri që krijohet për popullin, do të vazhdojë të punojë me këmbëngulje dhe përgjegjësi të madhe, ashtu siç ka bërë gjer tani, për të shkruar edhe më mirë, për të zhdukur gjer në fund ato mungesa dhe dobësi që vihen re edhe ne librin e bukur “Sot”.
Gjëja e parë që të bie në sy në këtë përmbledhje poetike është aftësia e poetit të ri për të komunikuar drejtpërdrejt me lexonjësin. F. Haliti nuk mbështillet me “aureolën e krijonjësit”, duke i folur lexonjësit nga lart. Ai, në mënyrë të thjeshtë dhe të natyrshme, e konsideron lexonjësin si shokun e vet dhe pa asnjë pozë letrare i flet për problemet që e shqetësojnë:
Nata,
Bulevardi,
Fshesari dhe unë.
Eja fshesar,
Jemi kolegë.
Ndize një cigar.
Kjo nuk është një thjeshtësi e shtirur e intelektualit që duket sikur do të thotë “Shikoni sa poet i thjeshtë jam unë, bisedoj edhe me një fshesar”. Po të lexosh librin e Faslli Halitit vë re që nga krej në fund e përshkron një thjeshtësi e vërtetë burrërore:
Mik me nusen vajta në fshat,
Që nusen time të gjithë të shikonin
Dualën,plakat ,gratë:
Kjo qënka moj nusja e nipit Shahinit,
Ç’qënka ,moj qyqe, kjo nuse kështu?
Kjo të shikoka në kokrën e syrit,
Supet përjashta, fustanin në gju.
Poeti vazhdon të tregojë historinë e vajtjes mysafir në fshat me nusen; me ngjyra të gjalla , të këndshme, duke bërë humor me veten dhe njëkohësisht duke dhënë një tabllo shumë reale të një fshati myzeqar ku shprehitë e reja po zëvëndësojnë çdo ditë etikën e vjetër.
Në një vjershë tjetër ai shkruan:
Futem ne klasë,
Nxënësit e mij shikojnë çizmet e mija me baltë,
Flokët e mi të qullur
Që kullojnë
Që varen të poshtë
Si flokët e Senekës.
Shikojnë ditarin e lagur,
Dhe supet qull të xhaketës.
Në faqet e librit të tij e shikojmë poetin t’i bjerë kryq e terthor Myzeqesë, të korrë grurë me kooperativistët, të ndezë një cigar me fshesaxhinë,të çojë nusen në fshat, të dalë nga një mbledhje e fortë , të shkojë për të dhënë mësim mespërmes shiut, të diskutojë për problem të ndryshme, të mbrojë me forcë dhe të mohojë me forcë. Në të gjitha këto vjersha ka diçka të brenëdshme progresiste. Kjo është një meritë kryesore e poetit të ri. Në vjershat e e Faslli Halitit përparimtarja nuk qëndron në fjalë, ajo është brenda vargjeve, bredna subjektit të thjeshtë të vjershave. Duke i lexuar ti kupton përnjëherësh se këto ngjyra, këto preokupacione, këto mendime , këto ngjarje të thjeshta, ndodhin në Myzeqenë tonë, midis njerëzve tanë, në ditët tona. Faslli Haliti mundtohet t’i përshkruajë ato në mënyrë të freskët, origjinale, pa shabllonë poetike, të cilat krijojnë gjithmonë një perde tymi reth poezisë. Natyrisht kjo është një gjë shumë e vështirë dhe jo gjithmonë ai arrin ta realizojë, por disa herë e ka realizuar në mënyrë të shkëlqyer si tek vjersha “Duhej të këndoja i pari, e di.” Po e citoj krejt vjershën:
E kam hekurudhën tek dera e shtëpisë
Duhej të këndoja i pari, e di.
Nuk këndova.
Isha i mpirë, i hutuar.
Isha si dhëndri në dasmën e tij.
si dhëndri që prêt e përcjell,
Ndërsa të tjerët këndojnë, kërcejnë
Ndërsa ai në qoshe i lumtur rri.
Duhej të këndoja i pari, e di.
Për hekurudhën Rogozhinë-Fier janë shkruar qindra e qindra vjersha nga të rinjtë e të gjithë anëve të Shqipërisë, që muarën pjesë në ndërtimin e saj. Ndërsa kjo është fjala e ngrohtë, e sinqertë, e thjeshtë e vendasit, e myzeqarit, për të cilin hekurudha qe dasma e tij. Faslli Haliti duke iu shmangur uniformitetit që vihet re se në vjershat kushtuar aksioneve, në një mënyrë sa origjinale aq dhe të thjeshtë shkroi këtë vjershë të bukur.
Origjinaliteti nuk është vetëm meritë e poezisë, por është kërkesë objektive që poezia të pasqyrojë sa më gjërësisht jetën e popullit. Duke u përpjekur të tërheqim një numur sa më të madh të rinjsh në punën letrare, e bëjmë këtë gjë jo për të nxitur uniformitetin, por pikërisht për ta luftuar. Mbyllja e poezisë në kuadrin e një numuri të kufizuar autorësh rrit shabllonet poetike, nxit imitimet, krijon një ndarje midis poezisë dhe jetës dhe shton uniformitetin. Zgjerimi i radhëve të lertarëve duhet të bëjë të kundërtën. Origjinaliteti nuk është lluks. Pasqyrimi sa më në mënyrë origjinale i realitetit tonë në veprat e sa më shumë autorëve, do të krijojë një tabllo që mund t’i afrohet pak a shumë tabllosë jashtëzakonisht të larmishme të realitetit tonë. Uniformiteti varfëron edhe zbeh tepër pasqyrimin e jetës sonë. Shabllonet, kemat e gatëshme, parafabrikatet letrare nuk sjellin asgjë të mirë. Natyrisht ka një ndryshim të madh midis origjinalitetit dhe manisë për të qënë original, mani e cila kthehet kundër autorëve dhe dëmton rëndë punën e tyre.
Në librin “Sot” bije në sy freskia e motvieve, ngjyrat e çelëta të fushës, hapësira, ajri, drita. Në të gjitha këto ka diçka nga Myzeqeja, nga gëzimi dhe çiltërsija e saj. Për të dhënë imazhet e fushës që e ka lindur dhe që poeti e do me gjithë shpirt, ai përdor një gjuhë të figurëshme, me krahasime tepër të kapëshme, të guximshme dhe konkrete. Konkretësija është një cilësi tjetër e tij e mirë, që nuk e le të bjerë rob i spekullimeve të fjalëve. Ja një tabllo e së kaluarës:
Kur në fushë pranvera vinte,
Varte lëkurën gjarpëri në ferrë,
Në gjokësin anemik
Pranverat i vinin fushës flutura,
Myzeqarit në gjoks i vinin hoxhallarët nuska.
Këtu Myzeqeja dhe myzeqari gati gati janë perceptuar si diçka unikë, ku nuk kuptohet ku mbaron fusha dhe ku fillon njeriu. Gjoksi i fushës me fluturat e thara dhe gjoksi i myzeqarit me nuska shtrihen në një krahasim që ka një trishtim madhështor.
Krahasimet e ndërtuara me element konkretë të jetës janë shumë interesante kur përdoren me vënd. Për njeriun që del nga mbiedhja e kolektivit ku e kanë kritikuar poeti shkruan:
Dole kokëulur , i skuqur, sigurisht,
Ashtu si sëpata që del nga kovaci,
Pakëz e skuqur, e nxehur
Por e kalitur , e mprehur dyfish.
Ose për kënetat e Myzeqesë ai thotë se “kish ujë në shpatull Myzeqeja”.
Disa herë krahasimet bëhen edhe më të guximshme:*
Si e çarë e shalqinit
Vetëtima vetëtin.
Ndoshta konkretësia është tepëruar, por sidoqoftë tendenca është e mirë. Në vënd që të përdorte krahësimin e sipërpërdorur gjatë mijëra vjetëve “vetëtima si gjarpër”, e cila jep vërtet deri diku lëvizjen e vetëtimës, por le jashtë ngjyrën, poeti nga jeta e përditëshme fusharake mori një krahasim shumë më konkret, ku jepet më mire ngjyra, megjithse lihet jashtë levizja.
Faslli Haliti është një poet që arrin rrezultate të mira me përpjekje të mëdha. Kjo është mënyra e të punuarit të tij. Shpesh herë një vjershë e bukur e tij qëndron midis një grumbulli vjershash pa vlerë. Kjo nuk është një gjë shqetësuese, përderisa poeti do të vazhdojë të ruajë të mprehur vëmëndjen ndaj dobësive të tij, do t’i luftojë këto, duke u ndarë vazhdimisht prej tyre.
Në librin “Sot” gjithashtu ka mjaft dobësi. Shpesh herë vjershat janë të cunguara, fragmentare, pa ide të rëndësishme; ato duken si skica të paarrira që nuk bëjnë përgjithësime. Duket sikur autori i ka lënë përgjysëm nga shpejtësia ose hutimi. Nganjëherë vjersha nuk del nga kuadri i një konstatimi ose i një krahasimi të thjeshtë. Ka një farë “skeletizmi” në vjersha. Poeti i ri duhet që, duke ruajtur cilësitë e tij më të mira të thjeshtësisë, konkretësisë, lakonizmit, të mos i shndërojë ato kurrë në qëllëim në vetvete. Në vjershat e tij F.Haliti ka shpesh impresione të shkurtëra, të cilat mbeten thjesht impresione kur nuk shoqërohen me një ide të rëndësishme. Ai duhet të përpiqet t’i shmanget një farë “akuarelizmi”, i cili duket edhe në vëllimin “Sot”. Ai duhet të përpiqet nga ana tjeter të zgjerojë diapazonin e tematikës së tij. Pa hequr dorë nga freskia lirikës së fushës, Do ta pasuronte poezinë e tij edhe një frymë më e gjërë epike, një nerv më i fortë ndaj ngjarjeve të mëdha me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar. Të gjitha këto nuk ka pse të kërkohen përnjëherësh. Këto janë elementë që objektivisht e pasurojnë poezinë e një poeti të ri, i cili nuk mbetet në vënd por ecën përpara.
Shkrimtarët tanë të rinj kanë shumë për të mësuar, në radhë të parë nga jeta dhe pastaj nga librat. Ata kanë shumë nevojë për ndihmë. Ata duhet të ndihmohen nga shkrimtarët më me përvoje. Nga ana tjetër është e domosdoshme të ndihmohen të rinjtë për të kapërcyer ndjenjën e vetëkënaqësisë pas sukseseve të para. Kur të punohet mirë me të rinjtë, ata do ta kuptojnë shumë mirë se kjo gjë që po bëjmë ne, krijimtaria letrare, nuk është diçka e mbinatyrshme, por është një përpjekje në kuadrin e përgjithshëm të përpjekjeve për përparimin e vendit. Tek të gjithë letrarët, e sidomos tek fillestarët, duhet të rrënjoset ideja se letërsia nuk është një stoli që zbukuron dhe bën interesante vetveten, por është një pasuri kombëtare dhe, si të gjitha pasuritë shpirtërore të popullit, ajo krijohet me vështirësi dhe mundime të jashtëzakonshme, nga shumë breza e nga shumë njerëz.
Gazeta “Drita”, 12 tetor 1969
______________________________________________________________
KËTA DY SHËNIME
JANË VENDOSUR NË VESHIN E DJATHTË TË LIBRIT «SOT» TË SAPO RIBOTUAR
ISMAIL KADARE:
Ka pasur raste kur ndonjë diskutim krijues ka munguar dashamirësia. Kam parasysh një letër të dërguar në redaksinë e gazettes «Drita» nga një letrar i ri i Lushnjës (F. Rustemi), i cili shfaqte protestën e tij në lidhje me pritjen që ju bë librit «Sot» të poetit të ri Faslli Halii nga disa anëtarë të rrethit letrar të Lushnjës. Nxënësi që e shkruante këtë letër, ankohej me të drejtë për faktin që disa anëtarë të rrethit letrar të Lushnjës, në vend që të gëzoheshin që një bashkëqytetar i tyre botoi një libër të mire poetik, jo vetëm që u hidhëruan shumë, jo vetëm që e pritën me këmbët e para këtë libër, por filluan kundër autorit të ri një fushat akuzash speculative». “Krijimtaria letrare e rinisë”, «Atobiografia e popullit në vargje», faqe. 216-217)
Gjergj Zheji,
Kurse Faslli Haliti me vëllimin e tij të parë (Sot) na ka dhënë një tufë akuarelesh të freskët nga jeta jonë. …këto akuarele të komunikojnë ndjenja të shndritshme, ide interesante që mund të të bëjnë edhe të mendohesh. Ky poet i ri, në rrugën e formimit të tij, ka, mbase më shumë se çdo poet tjetër yni, kultin fjalës.. (”Artisti dhe jeta”, 1973 )
* Faslli Haliti u denua nga diktatura per peozi dekadente, qe nxinin realitetin
Bisedë virtuale me Ismail Kadarenë -“Letërsia e bejtexhinjve”
Nga Fahri XHARRA/
Ismail Kadare është nga personalitetet më të shquara të letërsisë shqiptare. Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në rreth 32 gjuhë të huaja) ai e bëri të pranishme Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore.
Kadareja që në vitet ’60 shënoi kthesë në letërsinë shqiptare me poezinë dhe prozën e tij. Brenda potencialit të tij krijues janë mitet dhe legjendat, e shkuara dhe e ardhmja, raportet e përkohshmërisë dhe të përjetësisë, dramat e kaluara dhe ato të tashmet, veset dhe virtytet shqiptare, kullat dhe pallatet moderne, qëndresa dhe humbja, zhdukja dhe ringjallja, të gjitha labirintet e jetës dhe të vdekjes. Duket sikur asgjë çka është shqiptare, nuk mund t’i shpëtojë syrit të shkrimtarit të madh.
E gjithë vepra e Ismail Kadaresë që nga botimi i parë deri te i fundit ndrit nga mesazhi dhe shpresa për një Shqipëri të barazuar me shtetet më të qytetëruara të botës, sepse ashtu e meriton, ndihet të pohojë autori.
– Zoti Kadare , kësaj rradhe më interesoi mëndimi i juaj i artë për “ letersinë e bejtexhinjve “
– Kadare” Letersia e Bejtexhinjve lindi dhe u zhvillua ne shekullin XVIII. Pati një përhapje te gjerë ne qyetete ndryshme te Shqiperise dhe viseve tjera shqiptare.
– Ju nuk e pranoni letësinë e bejtexhinjve,na e spjegoni se pse ?
-Kadare :” Së pari : Gjeografia, gjëja më kokëfortë në botë, dëshmon e para europianizimin shqiptar . Gjeografia, shkenca më kokëfortë na dokumenton që ne jemi europian, pasi banojmë në ato troje ku më para banonin ilirët kjo pasohet nga histori e cila nuk jep asnjë dëshmi ardhjeje nga ndonjë fis tjetër europian në kronikat e kronikanëve greko-romak. Kultura merret si element bazë i identitetit të një kombi dhe pikërisht ky fat e bën kulturën antike pjesë të studimit tonë e kjo, sepse kultura antike është pasaporta autentike e kulturës kombëtare.
Dëmin që solli otomanizmi, amplifikohet edhe më shumë me lindjen e letësisë së bejtexhinjve e cila lindi në shek. XVIII. Ajo ishte një letërsi përverse dhe imorale të ambienteve myslimane shqiptare, e cila, gjithnjë sipas tij, e ka dëmtuar edhe më rëndë identitetin kombëtar shqiptar.
– Diçka më shumë ?
– Kadare : “E ashtuquajtuara letërsi erotike, në një pjesë të madhe të saj s’ishte gjë tjetër veçse bejte dhe lavde për pedofilinë. “Cunat e vegjël”, adoleshentët, dylberë me shallvare mëndafshi e vetulla të hequra, nga njëra anë dhe ashikët e moshuar, “lalët” me mustaqe, që psherëtinin të dergjur për ta, nga ana tjetër, ishin personazhet kryesore të këtyre idileve të neveritshme”. ‘
“Ai u shpreh se ka mbetur i habitur kur ka lexuar se letersia laike ne Shqiperi eshte levruar nga bejtexhinjte, kur ne fakt vargjet laike te Pjeter Budit, i gjejme që në mesjeten e vone.Kadare pohoi se shqipja është një ndër gjuhët themeltare të Europës dhe këtë shqiptarët nuk e dinë. Nostalgjikët e sotëm të perandorisë otomane duket se e kanë harruar ç’ka ndodhur në atë kohë. Edhe sikur shtypje e plojë të tmerrshme të mos kishte pasur, do të mjaftonte tragjedia e ndalimit të shkollave për disa shekuj rresht, për të kapur përmasat e së keqes.” “Popujt kanë atë që quhet identiteti që përbëhet nga të mira dhe të këqija. Europianizimi në radhë të parë duhet të ndodhë brenda nesh. Fillimisht duhet të ripohohemi europianë”, tha Kadare.”
-Si ndodhi gjymtimi i trurit nga terri i gjatë i padijes, Zoti Kadare?
– “Shqipëria, ashtu si gjithë vendet e gadishullit, u dëmtua rëndë. U dëmtua e u tret trupi i saj, por po aq i lemerishëm ishte gjymtimi i trurit nga terri i gjatë i padijes. E veç kësaj ndërprerjeje ogurzezë do të mjaftonte të kujtonim nxënësit dhe mësuesit e masakruar, kur kapeshin duke mësuar shkrim e këndim, në bodrumet e fshehta, për të kuptuar se përse gjuha shqipe u ngrit më pas në statusin e martirit dhe përse zuri vendin e një tempulli.
“Lufta për zbehjen e identitetit shqiptar dhe zëvendësimi me atë otoman, ishte e lodhshme dhe e përditshme. Perandoria, ashtu si kudo në Ballkan, u përpoq të krijonte të tjera zakone, stil, vese, arkitekturë, veshje, muzikë dhe letërsi. Diku ia dilte e diku kurrsesi. Letërsia e bejtexhinjve, për shembull, njëfarë brumi i përzier shqiptaro-turk, u thye përfundimisht, si një sajesë prej qerpiçi prej murit hijerëndë e monumental -tha Kadare
– Në farë mënyre edhe unë sa i isha gjimnazist e kam pasë verjetur që letersia e bejtexhinjve tentohej të vlerësohej më shumë se sa duhej ?
-Kadare” Gjatë kohës së komunizmit u bënë shumë përpjekje për ta rehabilituar këtë letërsi, me qëllimin meskin për t’ia kundërvënë letërsisë tradicionale mesjetare, sidomos asaj katolike, që regjimit nuk i pëlqente kurrsesi. Mirëpo kur studiuesit e morën nëpër duar, e panë se përveç që ishte qesharake për nga niveli, ajo ishte thellësisht e pamoralshme. E paraqitur kinse si letërsi me probleme shoqërore-klasore e erotike (me gjasme tepër e guximshme për kohën), u pa se si ana shoqërore, si ajo erotike, ishin tepër të dyshimta. Kjo e fundit, për shembull, s’ishte aspak erotizëm normal, por i mbushur me motive ashikësh e dylberësh. Gjer këtu edhe mund të pranohej, madje mund të quhej tepër e përparuar, për të mos thënë që Shqipëria mund ta paraqiste sot si dëshmi të habitshme të vizionit të saj të emancipuar për homoseksualizmin, dy shekuj përpara Evropës së sotme! “
-Edhe atëherë punohej me qëllime jo të mira ndaj nesh , apo jo, Zoti Kadare ?
-Kadare : Ende nuk dihet nga kishte buisur kjo kundërkulturë, që jo vetëm me shqiptarët, por me asnjë popull ballkanas s’kishte lidhje. Në thelb ajo bartte brenda saj një program të fshehur zhburrërimi e zvetënimi moral të pashembullt. Nuk duheshin veç disa breza “çunash” e “lalësh” të tillë që jo liria, por vetë ideja e lirisë të perëndonte përgjithmonë.
Kundër kësaj lyre që s’dije ç’emër t’i vije, u ngrit Rilindja Kombëtare Shqiptare. Me programin e saj të qartë evropianist, me kthjelltësinë e mendimit, strategjinë burrërore dhe idetë iluministe, ajo e mënjanoi si një rreckë atë kinse kulturë që po rrihte t’i zinte frymën Shqipërisë.”
Si përfundim të kësaj bisede , çmund të na thoni i nderuari Kadare ?
Kadare “- Pas tërheqjes së shtetit osman nga gadishulli, lufta midis identitetit të lodhur shqiptar dhe këtij kinse identiteti lëngaraq, u duk se do të përfundonte shpejt. Ky i fundit s’e kishte më përkrahjen e shtetit pushtues, kurse identiteti shqiptar, si një luan i zgjidhur nga zinxhiri, dukej se mund të fshinte çdo pengesë që do t’i dilte përpara.
“Por nuk ndodhi ashtu. Fill pas ardhjes së mbretit gjerman Vilhelm Vidit, i dërguari protestant i Evropës, në vendin me tri fe, rebelimi i Haxhi Qamilit ishte një ogur i keq. I nisur si mllef kundërevropian ai përfundoi në tërbim antishqiptar. Nën daullet dhe klithmat “Dum Babën!”, që do të thoshte, as më pak as më shumë: “Duam robërinë!” hordhitë e haxhiqamilistëve digjnin flamurin shqiptar, mbyllnin shkollat shqipe, masakronin nxënës e mësues, si dikur. Ky rebelim egërshan u shfaq kështu befas si krah i armatosur i asaj dergjjeje të përgjumur shallvaresh e psherëtimash, që shqiptarët nuk e kishin marrë seriozisht. “
Ju falemnderit që më lejuat që të shkepus mendimet e juaja të arta nga “Identiteti evropian i shqiptarëve„© Ismail Kadare
President Jahjaga awarded writer Ismail Kadare the Order of Independence
The President of the Republic of Kosovo, Madam Atifete Jahjaga, met today, at his home in Tirana, the big Albanian world-renowned writer, Mr. Ismail Kadare, whom she awarded the Order of Independence, for the outstanding contribution for the affirmation of Albanian culture and literature and for the great contribution in the efforts of Kosovo for freedom and independence.
President Jahjaga highly praised all the work and commitment of Ismail Kadare not only in the field of literature and thanked him for the great support for the people of Kosovo in the worst times of its history.
The big writer, Ismail Kadare, while thanking President Jahjaga for honoring him, stressed that she has played an extraordinary role in the building of the image of Kosovo in the world.
Ismail Kadare: Pushteti është çmenduri
Nga Jorg Magenau/*
Udhëtim nëpër histori: Tre janë tregimet e kandidatit shqiptar për Çmimin Nobel, Ismail Kadare që ribotohen me titullin “Die Schleierkaraëane” (Sjellësi i fatkeqësisë): Tregimet janë si vera, sa më e vjetër aq më e mirë. Nëse paraqiten te lexuesi shumë herët, nuk kanë ndikim. Po të bazoheshim në parimin e Ismail Kadare-së, kjo do të marrte disa qindra vjet, derisa procesi i “plakjes” së nevojshme arrihet. Sepse sipas tij, bëhet fjalë për shkrirjen e modelit arkaik në pëlhurën e jetës aktuale, apo në shndërrimin e ndodhive në ngjarje mitike, sepse vetëm në këtë mënyrë është e mundur që njerëzit të flasin për ata që vuajtën tmerret. Në mit, historia është atje dhe ende e largët.
Prej disa vitesh, shkrimtari shqiptar është një nga favoritët për të fituar Çmimin Nobel për Letërsi. Ai, për ta marrë mesa duket nuk do e marrë kurrë edhe pse është një nga shkrimtarët më të mëdhenj evropian. Roli i tij në Shqipërinë komuniste, nën regjimin e Enver Hoxhës është bërë shpesh objekt kritike, ai ishte anëtar i partisë dhe i parlamentit dhe ishte një nga të preferuarit e diktatorit.
Skenarët e maktheve surreale
Por çfarë do të thotë kjo, që letërsia e tij është një analizë e thellë dhe prezantimi i marrëdhënieve të shtypura? Kadare duhet të ishte i afërt për të depërtuar në këto analiza. Nuk ka asnjë shkrimtar, i cili është në gjendje të paraqesë atmosferën e frikës, dhunës, përgjimit, denoncimit dhe të oportunizmit, të gënjeshtrave dhe besëtytnisë dhe fuqinë e spekulimeve si ai. Ai e ngre me mjeshtëri imazhe të frikshme të shoqërisë në një skenar surrealist, duke i paraqitur si një realitet absurd, me një realizëm të ftohtë e të matur.
Ai shpesh kapërceu në tregimet e tij në periudha të ndryshme, në mënyrë që të tematizonte të tashmen shqiptare. Kështu në tre tregimet e tij “Die Schleierkaraëane”, që ribotohen, tregime të nisura rishtazi, ai paraqet thuajse gjithçka në kohën e Perandorisë Osmane në Shqipëri. Çuditërisht, këto rrëfime janë publikuar për herë të parë në Gjermaninë lindore (DDR) në vitin 1987, në kohën e Perestrojkës. Joachim Röhm ka realizuar përkthimet e Kadares, duke i sjellë në një gjermanishte të përsosur.
Pjesë nga një shkrim më i gjatë i Jorg Magenau me titull në origjinal “Erzählungen von Ismail Kadare /Macht ist WSahnsinn”(Kortezi:Shqiptarja.com)
- « Previous Page
- 1
- …
- 3
- 4
- 5
- 6
- 7
- …
- 10
- Next Page »