Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani akordoi më datë 22.06.2015, dekretin nr.9142 që Mentor Çokut (1914-1996) (pas vdekjes) i ndahet Titulli “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut” me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për veprimtarinë e tij të shquar atdhetare, si dhe për ndihmesën e çmuar e të pamohueshme dhënë gjatë gjithë jetës për triumfin e demokracisë mbi diktaturën komuniste në Shqipëri.”
Ditë më përpara, në ambientet e Presidencës së Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dorëzoi dekoratën “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut” të bijës së tij Valbona Miraka-Çoku, në prani të zyrtarëve të Presidencës, dhe familjarëve të tjerë, ku i pranishëm ishte edhe kryetari i komunës së Strugës, Dr. Ziadin Sela.
Titulli “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut” u jepet personaliteteve shqiptare dhe të huaja për akte të veçanta heroike në mbrojtjen, forcimin dhe përparimin e Republikës së Shqipërisë.
Një biografi e shkurtër e Mentor Çokut
Një nga personalitetet më të shquara të Fushëgropës së Ohrit në veçanti dhe të gjithë Shqipërisë Etnike në përgjithësi gjatë shekullit XX, intelektual i madh, patriot i flaktë, veprimtar i palodhur, luftëtarë i paepur për çështjen kombëtare, armik i përbetuar i hordhive sllave dhe i gjakatarëve komunistë shqiptar, pra personalitet i cili tërë jetën e tij i’a kushtoi luftës për liri, të drejta kombëtare dhe bashkim kombëtar të popullit shqiptar.
Si familje me tradita kombëtare, besë e ndershmëri, familja Çoku, pasurinë e vë në dispozicion të çështjes shqiptare, duke fituar respektin dhe simpatinë e bashkëkohësve dhe duke u shquar për burrat trima, të mençur e të drejtë.
Nga dera e familjes Çoku ka dalë edhe Hamdi bej Ohri, babai i Mentorit, i cili një jetë të tërë e shkriju për pavarësinë e Shqipërisë dhe hapjen e shkollave shqipe, prandaj u ndoq, u burgos dhe tre herë u dënua me vdekje nga Porta e Lartë. Ai mori pjesë edhe në aktin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe mbylli sytë pa parë të bashkuar Ohrin (vendlindjen e tij) dhe trevat e tjera Lindore dhe verilindore me Shqipërinë londineze.
Mentor Çoku lindi në 03 prill të vitit 1914 në qytetin e Elbasanit. U rritë dhe u edukua në një familje me taban kombëtar, e cila njihej në trevat e Dibrës, Ohrit e Strugës, për burrat me nam që i fali kombit, pra familja Çoku.
Mësimet e para, Mentori i mori në qytetin e lindjes Elbasan e më pas në Ohër e Tiranë. Shkollën e mesme e filloi në Beograd e më pas e përfundon në qytetin e Shkodrës, pasi veprimtaria e tij atdhetare ra ndesh me politikën anti shqiptare që qarqet shoviniste serbe zbatonin mbi shqiptarët në Kosovë e Maqedoninë Perëndimore.
Qëndrimet e tij burrërore, Mentori i pasqyronte në shtypin e kohës. Ai punoi si gazetar në shumë gazeta shqiptare që dilnin jashtë Shqipërisë si në Danimarkë, Suedi, Norvegji etj.
Si shumë intelektual shqiptarë, ashtu edhe Mentori, pushtimin e Shqipërisë nga Italia në 7 prill 1939 e priti me indinjatë të thellë edhe pse pushteti italian studentëve shqiptarë që kishin studiuar në Itali u kishte ofruar benificione dhe ofiqe të shumta shtetërore.
Në vitet 1941-1942 merret me riorganizimin e tokave të çliruara nga Mbretëria e Jugosllavisë. Prefektura e Dibrës e zgjedh deputet në kuvendin shqiptar, ku vazhdoi veprimtarinë e tij politike dhe atdhetare. Gjatë vitit 1943 doli hapur kundër regjimit fashistë me deklaratat e tij në parlamentin shqiptar, prandaj edhe doli urdhri për arrestimin e tij. I ndodhur në këto kushte, Mentori u detyrua të kalojë në ilegalitet.
Mori pjesë aktive në Lidhjen e dytë të Prizrenit, duke u angazhuar në dy fronte. Së pari zgjidhet përfaqësues i Strugës dhe Ohrit në parlamentin shqiptar gjatë vitit 1943-44; dhe së dyti gjatë qeshor-tetorit 1944 Mentori së bashku me nacionalistë të tjerë nga Struga e Ohri organizon formacionet luftarake për t’iu kundërvënë çetave çetnike serbo-sllave, të cilët të mveshura me ideologjinë komuniste ishin vërsulur sërish tokave shqiptare për ti pushtuar.
Gjatë luftimeve Mentori plagoset dy herë. Më tej, kur aradhat partizane shqiptare, të drejtuara nga Hoxhët e Mugoshët, u lëshuan si lukuni ujqish në trevat e Maqedonisë shqiptare, Mentor Çoku mendoi se rezistenca do të ishte tejet e vështirë dhe mund të sillte rrjedhoja fatkeqe për shqiptarët. Parashikimi i tij u realizua, vite më pas. Është kjo arsyeja që Mentori shkon në Shqipëri dhe në nëntorin e vitit 1944, së bashku me Mit’hat Frashërin, Hasan Dostin, Bato Rexhibin, Faik Qukun, Vasil Andonin e dhjetëra nacionalistë të tjerë të shquar, merr rrugën e mërgimit.
Me vehte mori bashkëshorten, Zihnien, kurse vajzën e tyre Valbonën, e cila ishte vetëm disa muajshe e lanë në Shqipëri tek dajallarët e saj.
Me tu vendosur në Itali, vazhdon studimet dhe njëkohësisht punon për gazetën italiane “Corriere della Sera” dhe si korrespondent i jashtëm i shtypit turk në Itali. Gjatë vititi 1947, Mentor Çoku themelon “Unionin Islamik në Perëndim”, president i së cilës ishte deri sa vdiq.
Viti 1991 për Mentor Çokun ishte viti i realizimit të ëndrrës së madhe për tu rikthyer në Shqipëri, për të parë vajzën pas rrethë gjysmë shekulli, për të parë shqiptarët të lirë e të çliruar nga kthetrat e komunizmit.
Profesor Mentor Çoku duke shfrytëzuar lidhjet e tij të krijuara ndër vite, mundësoi anëtarësimin e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Shqipërisë në Internacionalen e Minatorëve të Evropës më 22 prill 1991; mundësoj vendosjen e marrëdhënieve ndërmjet institucioneve fetare islame në Shqipëri dhe atyre në botën arabe, me të cilët kishte raporte të mira. Gjatë korrikut të vitit 1993 Mentori viziton edhe Strugën dhe Ohrin duke shkrirë mallin e akumuluar ndër vite.
Mentori në kohën e pluralizmit politik nuk u bë pjesë e asnjë subjekti politik, por i qëndroi besnik thënies së tij që vazhdimisht e ripërsëriste “Partia ime është Lidhja e Prizrenit”.
Bashkimi i Shoqatave Shqiptare në Itali organizoi në Romë në datë 23 mars 1996, një manifestim paqësor në mbështetje të kërkesave të drejta të popullit të shtypur të Kosovës për vetëvendosje. Në këtë manifestim paqësor, para të Mentor Çoku do tu drejtohej të pranishmëve me fjalët: ”Zonja dhe zotërinj. Është një gjë e rrallë për mua t’u drejtohem, pasi ju jeni djemtë dhe vajzat e mija. Ndoshta, në mes tjerëve, jam veterani emigracionit të viteve 1944-1945, por edhe i 1924 dhe 1925, pasi atëherë kam lanë vendin tim që sundohej dhe sundohet nga sllavët….. Ato vende do të bashkohen në një Shqipëri Etnike. Nuk do të jetë një Shqipëri e madhe, por një Shqipëri Etnike” ….. Më pas vazhdon “Për Kosovë, gjenerata jonë ka pas një qëllim dhe sot me kryenaltësi them se po i dorëzojmë stafetën një rinie plotë vullnet, plotë dhunti dhe plot identitet kombëtar.
Këto ishin fjalët e fundit të Mentorit të incizuara pasi disa ditë më vonë, në 18 prill 1996 i mbylli sytë përgjithmonë në Romë.
Vdekja e tij qe një humbje e rëndë jo vetëm për shqiptarët, por edhe për miqtë e të njohurit e tij në Itali, Evropë e kudo në botë. (Mehmet Latifi/INA)