Kongresi amerikan ka certifikuar Joe Biden dhe Kamala Harris si presidentin dhe nënpresidenten e ardhshme të SHBA-së.
Ligjvënësit konfirmuan se Biden fitoi 306 vota të Kolegjit Zgjedhor, krahasuar me 232 vota për presidentin aktual, Donald Trump.
Votat elektorale u miratuan pasi Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve refuzuan kundërshtimet e republikanëve ndaj votave në shtetet e Pensilvanisë dhe Arizonës.
Certifikimi i votave të Kolegjit Elektoral nga ana e Kongresit amerikan është hapi i fundit në procesin zgjedhor, para inagurimit të presidentin e zgjedhur, Joe Biden dhe nënpresidentes së zgjedhur, Kamala Harris më 20 janar.
Presidenti aktual, Donald Trump tha se “do të ketë një tranzicion të rregullt” të pushtetit.
“Edhe pse nuk jam plotësisht dakord me rezultatin e zgjedhjeve, megjithatë do të ketë një tranzicion të rregullt në 20 janar”, tha Trump në një deklaratë të postuar në Twitter nga zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Dan Scavino.
Presidenti Trump e ka kundërshtuar fitoren e demokratit Biden në zgjedhjet e 3 nëntorit, 2020. Por, një sërë padish janë hedhur poshtë nga gjykatat e shteteve dhe ajo Supreme. Trump ka bërë akuza të pabazuara për mashtrime zgjedhore.
Katër viktima nga sulmi në Kongres
Seanca e Kongresit vazhdoi pas rreth katër orësh trazira, pasi protestuesit e dhunshëm që mbështesin presidentin aktual të SHBA-së, Donald Trump, sulmuan ndërtesën e Kongresit duke hyrë brenda.
Policia e Uashingtonit thotë se gjatë sulmit në ndërtesën e Kongresit katër persona kane humbur jeten. Përveç një gruaje të qëlluar nga policia, tre të tjerë vdiqën si rezultat i “urgjencave mjekësore”. Deri më tani, më shumë se 52 persona janë arrestuar – 47 prej tyre për shkelje të rregullave të izolimit.
Mediat amerikane raportuan se gruaja që u qëllua dhe u vra gjatë sulmit në Kongres ishte një veterane e Forcave Ajrore të SHBA-së. Ajo mendohet të jetë qëlluar pasi hyri në ndërtesë së bashku me protestuesit e tjerë.