-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi priti Kongresistin Amerikan Ed Case, flasin për paqen dhe stabilitetin rajonal: Ushtarët amerikanë janë heronjtë tanë/
PRISHTINË, 11 Maj 2019-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur kongresistin amerikan Ed Case, i cili shoqërohej edhe nga ambasadori amerikan, Philip Kosnett.
Presidenti Thaçi dhe kongresisti amerikan Ed Case biseduan për bashkëpunimin bilateral ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, për kontributin e ushtarëve amerikanë në kuadër të KFOR-it në Kosovë dhe për situatën politike në rajonin tonë.
Kongresisti Case afirmoi se Shtetet e Bashkuara mbeten partner i palëkundur i Kosovës dhe se krenohet me shërbimet që anëtarët e Gardës Kombëtare të Haëait i ofrojnë KFOR-it.
“Ushtarët amerikanë janë heronjtë tanë. Ata janë duke e bërë një punë të mrekullueshme në Kosovë dhe e gëzojnë respektin e të gjitha komuniteteve. Ushtarët amerikanë janë shpresë dhe besim për ne!”, u shpreh presidenti Thaçi.
Gjatë këtij takimi u bisedua edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku kongresisti Case nxiti vazhdimin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë, e cila do të forconte paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe do ta përshpejtonte procesin e integrimeve euroatlantike të Kosovës.Presidenti Thaçi theksoi se letrat e presidentit Trump janë udhërrëfyes për Kosovën në arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.
“Dialogu është alternativa e vetme dhe sa më shumë që vonohet rifillimi i tij, aq më shumë do të zgjasin proceset integruese”, ka thënë presidenti Thaçi.
Presidenti Thaçi dhe kongresisti Ed Case biseduan edhe për investimet amerikane në Kosovë.
***
SHBA, partner i palëkundur i Kosovës
-Kryeministri Haradinaj priti në takim Kongresistin Amerikan, Ed Case/
Prishtinë, 11 Maj 2019-Gazeta DIELLI/Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim kongresistin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ed Case.
Kryeministri Haradinaj e ka falënderuar kongresistin Case dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme dhënë Kosovës në të gjitha periudhat, që nga liria, pavarësia dhe tani në shtetndërtim, duke vlerësuar se përkrahja e SHBA-së për Kosovën edhe në këto momente është tejet e rëndësishme për proceset zhvillimore të vendit.
Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj e njoftoi kongresistin Case për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, për zhvillim ekonomik, fuqizimin e rendit dhe ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përmbushjen e agjendës së reformave evropiane, procesin e tranzicionit të FSK-së në ushtri dhe përkushtimin për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar.
“Forcimi i mëtejmë i partneritetit strategjik me ShBA-të, si dhe bashkëpunimi në të gjitha fushat e interesit të përbashkët ndërmjet dy shteteve tona është me rëndësi jetike për vendin, sepse orientimi ynë është euroatlantik dhe pro vlerave perëndimore të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha kryeministri Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj në shenjë mirënjohje i dhuroi kongresistit Case, librin “Portrete të Skënderbeut gjatë shekujve” i botuar në kuadër të Vitit Mbarëkombëtarë të Skënderbeut.
Kongresisti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ed Case, afirmoi se Shtetet e Bashkuara mbeten partner i palëkundur i Kosovës dhe se krenohet me shërbimet që anëtarët e Gardës Kombëtare të Hawai-t ofrojnë në Kosovë./b.j/