Prishtinë, 4 tetor 2017-Gazeta DIELLI/Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë urim për zgjedhjen e tij në krye të Qeverisë kosovare nga Kryeministrja Britanike Theresa May, e cila shpreh përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për ta ndihmuar Kosovën në të gjitha fushat.
Shkëlqesisë së tij Ramush Haradinaj
I nderuari Kryeministër,
Ju lutem pranoni urimet e mia të sinqerta në emër të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, me rastin e zgjedhjes suaj Kryeministër i Kosovës.Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova gëzojnë miqësi të ngushtë dhe historike.
Ne jemi të përkushtuar për Kosovën e integruar në komunitetin ndërkombëtar dhe për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.Ne mbështesim fuqishëm një Kosovë stabile, të sigurt, dhe prosperuese.Në këtë kuadër, ne do të vazhdojmë të përkrahim fuqizimin e sundimit të ligjit në vendin tuaj, dhe shpresojmë që qeveria juaj do të trajtojë me prioritet mangësitë në sistemin e drejtësisë, e gjithashtu të ndërmarrë të gjitha masat e duhura që të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin.Ne jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetje të shtuar teknike dhe shpresojmë që iniciativat ekzistuese të gjejnë mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë suaj, siç është projekti me Mbretërinë e Bashkuar për asistencë Kosovës në rekrutimin e pozitave të larta drejtuese në administratën publike.
Ne besojmë se bashkëpunimi Mbretëri e Bashkuar – Kosovë në këtë projekt është me rëndësi të lartë sepse nxitë profesionalizmin, llogaridhënien, dhe transparencën në administratën publike – dhe në këtë mënyrë, demonstron para botës përkushtimin e Kosovës në vlerat demokratike.E mirëpres vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë të dy qeverive tona. Do të jem e nderuar të ju mirëpres në Mbretërinë e Bashkuar për Samitin e Ballkanit Perëndimor i cili do të mbahet vitin e ardhshëm.
Sinqerisht e juaja,
Theresa May