Ne Foto: Llazar Taci: Gjeniu Faik Konica
Për europianizimin dhe modernitetin e kombit shqiptar/
– Parathënie e librit “Faik Konica, Përlindësi Modern” nga Fotaq Andrea –/
Për të gjykuar mirë një njeri që ka pjesë në histori, duhet t’a gjykojmë jo mbas mendimeve të kohës së sotme, po mbas kohës ku ay vetë u rrit, u suall e roiti.- Faik Konica./
Libri “Faik Konica, Përlindësi Modern” përfshin shkrime të viteve 2012-2016 përmbledhur në nëntitullin “Fletore koniciane”, me bosht qendror tipiken e Rilindësit Faik Konica: europianizimi dhe moderniteti i kombit shqiptar, si komb nga më të lashtët në kontinentin e vjetër, me identitet e vitalitet historik që meriton, pas shekujsh të tërë qëndrese e mbijetese, vendin e vet në familjen e bashkuar europiane.
Që njëzetvjeçar, me një jetë plot përkushtim patriotik, dëshmuar me Veprën e fuqishme që na ka lënë, Faik Konica ishte dhe mbetet Njeriu–Epokë, strumbullari i intelektualitetit shqiptar, me një mision të lartë fisnik: Edukimi i Kombit, apo siç shprehet ai “Stërvitja morale dhe sociale e popullit”, stërvitje mendore, botëkuptimore, intelektuale e kulturore. Nga ky këndvështrim, “Vepra Konica” na shfaqet si një Institucion, tërësi unikale, në të cilën ideja e tij novatore për modernitet e prosperitet shqiptar u desh të çajë, që në kapërcyell të shekujve XIX-XX, shtigjet e vështira të botëkuptimit obskurantist otoman, t’u mbijetojë paragjykimeve e besimeve, të fertilizohej në terren të përshtatshëm të lirisë dhe pavarësisë për të ardhur sot e sprovuar dhe më aktuale se kurrë, në prag të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Duke pasur parasysh botëkuptimin e përparuar perëndimor, të cilin e ka pikë referimi, Konica e kishte më se të qartë se “problemi i Shqipërisë, më tepër se kombëtar, ish një problem moral… se ky popull, që të shpëtojë, ka nevojë më parë se çdo gjë tjatër, t’i stërvitet e t’i lartësohet karakteri, t’i zbutet e t’i çpastrohet zemra” (“Për stërvitjen morale e sociale të popullit”).
Kjo domosdoshmëri për qytetërim e përparim, parashtruar në mënyrën më të qartë dhe të prerë sidomos te “Katër përralla nga Zullullandi” arrihet, sipas shprehjes së Konicës, duke “përdorur artilerinë më të rëndë të trurit” për të dalë “nga qarku veskeq” i botëkuptimit të prapambetur shekullor. Me madhështi e forcë gjeniale, Ai kuptoi mbi të gjitha se “akti gjuhësor” ishte kushti sine qua non për emancipim e progres shoqëror, i bindur se gjuha shqipe, letrare dhe standarde, do të ndryshonte edhe botën e vjetër shqiptare, nisur nga postulati se “shkrimi ndryshon botën, letërsia ndryshon botëkuptimin”, ashtu si vetë lindja e shtypshkronjës moderne me Gutenbergun do të sillte një vështrim të ri mbi botën duke i çelur rrugën shkencës moderne dhe artit të të jetuarit. Andaj Konica, si askush rilindës tjetër, për “lërimin e mendjes”, për “bukën e mendjes”, për tjetërsim bashkëkohor të njeriut shqiptar, për kulturim e qytetërim të tij shoqëror, bleu si individ shtypshkronjën e vet “Albania”, për të shtypur revistën “Albania” në rrugën “Albania” të Brukselit, shtypshkronjë me parametra të lartë të kohës, ku veç periodikut të tij trembëdhjetë vjeçar, shtypi “Historia e Shqipërisë” të Dom Ndoc Nikaj, “Jeta e Kara Mahmud pashë Shkodrës” nga Nasuf Beg Dizdari, “Jeta e Mustafë Pashë Shkodrës”, “Abetari i ghues shqip”, “Kalendari i Maleve” dhe një mori kartolinash me portretin e Skënderbeut.
I vetëdijshëm për vendin që lypset të zërë medoemos njeriu modern shqiptar në shoqërinë bashkëkohore, Konica si rrallë kush, nuk e kurseu fjalën e rreptë me gjuhën shpatë, për të goditur drejt e në zemër injorancën dhe prapambetjen pesëshekullore, tërë dukuritë shoqërore regresive, mentalitetin e ashpër dhe të zymtë anadollak, “pa shenjë njerëzie e qytetarie”, “mendjepalarët” e “ligëtarët”. Ai foli troç e açik, për zullu e Zullulland, pa lëshime e zbukurime romantike, vetëm e vetëm që të prekte fuqimisht në sedër e të tralliste mendjet e përgjumura që bënin “Jetën e Kurmit”, sipas shprehjes së tij, apo që thjesht jetonin fizikisht, të vdekur “mendërisht”. Në një kohë kur parashtrohej urgjente nevoja që shqiptari “të nisë të rrojë jetën e mendies” së zbukuruar – “jetën intelektuale” – përkrah popujve të qytetëruar.
Libri “Faik Konica, Përlindësi modern” lindi si një nevojë për t’iu përgjigjur në kohë, falë shkrimeve koniciane me theks aktual, shumë çështjeve të sotme në rend të ditës, zhvillimeve politike e shoqërore në rrafsh të brendshëm e të jashtëm kur, krahas punës hulumtuese që bënim në arkiva e biblioteka të huaja, ndeshnim në dokumente e fakte të reja që zbulonin shumë anë të panjohura apo të keqinterpretuara të figurës së Rilindasit shqiptar. Mbi të gjitha, ky libër lindi si një nevojë për ta bërë sa më të dashur figurën e Konicës në publik e në masë të gjerë, kur nuk mjaftuan pesëdhjetë vjet totalitarizëm për ta dënuar, denigruar e shuar zërin e tij shqiptar e extra-shqiptar, por kur vazhdohet edhe sot e kësaj dite nga antikonicianë të hazdisur e mendje të cekta dhe cinike të viteve ’80 ta përlyejnë e njollosin emrin e tij me terminologji të shpëlarë nga kuptimi apo më keq, me epitete të fjalorit brutal komunist, kur vetë Konica këto mendje zullape i ka dërrmuar e lipsur me kohë, që me Marsejezën e zulluve: “Ne jemi trima/Dalim nga vrima/Zëri i Zullullandit kur na thërret./Jemi luftëtarë pa frikë/Me shigjetë ose me thikë/Dora jonë e fortë vret”. E më tej: “Luftë për ca zuzarë/që u lindën shqipëtarë./Është turp për kësi krimbash/të mundohet një komb trimash”. Pandehin se po ulin figurën e të Lartit Konica me gjoja “analiza” pa kurrfarë morali dhe pa kurrfarë objektiviteti shkencor, por me qepje e arnime, me “thënie” e “kundërthënie”, me luftë “citatesh” e mendësi totalitare, pa depërtuar një grimë në shpirtin e thellë patriotik dhe pa respektuar mbi të gjitha “Statusin e nderuar të Rilindësit”. Në fund të fundit, thotë vetë Konica, “Bufonët jargaviten bashkë me pallavrat” dhe “Është krim të trazosh lumturinë e budallait”. Veçse vatranët dhe tërë shqiptarët e Amerikës, të cilëve u vlon në damarë dashuria për Faik Konicën, që ruajtën dhe vunë në vend amanetin e tij si gjënë më të shtrenjtë, duke i besuar Shqipërisë-Mëmë eshtrat e tij sipas testamentit të vyer që na la, kanë të drejtë të shqetësohen dhe të shprehin revoltën e tyre të ndershme për mosruajtjen dhe mosmirëmbajtjen e varrit të Konicës nga ana e shtetit shqiptar dhe e bustit të tij njollosur për turp nga antikombëtarë, dashaligë e shthuranakë, dhe i kërkojnë, në mënyrë të veçantë shoqërisë civile, të ndërhyjë urgjentisht dhe me forcën e shtetit ligjor për mbrojtjen e figurës së Rilindësit të Madh.
Libri ka për “dritare” të parë vitet kur djaloshi Konica, me bagazh të rëndë erudicioni dhe ndjenjë të fuqishme patriotike nis aktivitetin botues që me artikullin e tij “Shqipëria dhe Turqit” (1895), për të vijuar me botimin e periodikut “Albania”, një enciklopedi madhore e botës shqiptare e më tej, e krejt vlerave gjuhësore, historike, letrare, artistike, shoqërore e shpirtërore të kombit tonë që në hershmëritë e veta, përqendruar rreth figurës së “Babait të Kombit”, siç e quan Ai Gjergj Kastrioti Skënderbeun. Nis e kristalizohet kësisoj në periudhën 1895-1900 figura e Faik Konicës si gjeni i Letrave shqipe, kur në vatrën “Albania”, tek kalit vetveten, Ai mbledh e farkëton gati tërë plejadën e Përlindjes shqiptare, nga N. N. Naço, D. Hima e I. Themo, te L. Skëndo Frashëri, M. Toptani, N. Nikaj, P. Bardhi, F. Shiroka, H. Mosi, Asdreni, Çajupi, G. Skiro. K. Luarasi, M. Duçi e deri te K. Hoxhi, F. Noli, L. Gurakuqi, me shokë dhe plot emra të nderuar të Rilindjes. Gjen këtu e kështu mishërim vetë thënia e Nolit se “shqiptarizmin e mësuam nga Faik Konica”, se “Korrim drithën që ka mbjellë Faiku… [që] ka punuar më tepër e më përpara se të gjithë ne… [se] sot e mot, korrim e do korrim drithën koniciane! ”
Në këtë libër, sjellim për herë të parë për lexuesin disa zbulime dokumentare, artikuj, letra e të dhëna biografike hulumtuar kryesisht në bibliotekat dhe arkivat e Francës dhe Belgjikës që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me jetën dhe veprën e Konicës. Janë përkthyer e botuar për herë të parë nga ana jonë artikulli “Shqipëria dhe Turqit”, libri “Mbi Edukimin”, “Letra drejtuar Apolinerit”, “Harta koniciane”, “Letër e Apolinerit drejtuar Konicës”, si dhe është hedhur dritë mbi almanakun “Kalendari i Maleve”. Po ashtu, jepen dhe analizohen me hollësi fakte të dokumentuara për jetën personale të Faik Konicës, për bashkëjetesën e tij me dy “miket e zemrës”, për praninë e djalit të tij Henrik Lohengrin beg Konitza, për konvertimin e tij në fenë katolike, për lidhjet e ngushta me botën shkencore, letrare, politike e shoqërore të Perëndimit, që nga orientalisti Leon Cahun e gjuhëtarët Louis Benloew e Pedersen, te shkencëtari Elisée Reclus, E. Legrand dhe te gjeniu epokal francez Guillaume Apollinaire apo shkrimtari amerikan Benjamin de Casseres. Zbulohen kështu anë të panjohura të tij që janë quajtur “enigma” koniciane, hulumtohet në thellësi në “minierën” Konica, sidomos në lidhjet e tij të ngushta me letërsinë klasike e moderne, me simbolizmin, artin dhe muzikën.
Erudit, poliglot, novator, polemist, vizionar, luftarak, stilist i rrallë me pendën-pallë, përherë me qëndrim vertikal e i paepur, Konica iku nga bota orientale për të hyrë në botën perëndimore, në botën e Letrave, të muzikës, artit dhe lirisë shpirtërore. Zgjodhi lirinë hapësinore për të çelur sytë e mendjes të një kombi të tërë, duke e pasur fjalën sintetike, me forcë tërheqëse, të urtë e të artë, të vyer e të shenjtë, siç vërtetohet te “Fletoret koniciane – Ju flet Faik Konica”. Hodhi kësisoj me “Albania-n” bazat moderne në krejt fushat e Mendimit estetik shqiptar dhe të Letrave, nga sociologjia te hartografia, duke lëvruar me sukses e pashembullti në shumë disiplina, konkretisht: gjuhësi, stilistikë, letërsi, kritikë letrare, përkthimologji, metodologji, bibliografi, folkloristikë, dokumentalistikë, pa lënë mënjanë historinë, politikën, psikologjinë dhe përgjithësisht kulturologjinë shqiptare. U ndal në mënyrë të veçantë në edukimin e fëmijës dhe të rinisë, e sidomos në emancipimin dhe rolin e gruas në shoqëri, duke pasur adhurim të skajshëm për gruan shqiptare si faktor themelor i emancipimit të shoqërisë patriarkale shqiptare. “… Gruaja, në Shqipëri, më tepër se gjetkë – thekson Konica -, ka një fuqi aq të madhe në formimin e ndjenjave dhe të mendimeve të njerëzies, sa ka qenë gjithnjë kundër islamizmit, se gruaja shqiptare, që në kohë të para, me një instinkt të pa-lajthitur [të pagabuar], ndjeu se islamizmi, me poligamien dhe me ndarjen (divorcin) – aq të lehtë sa mund ta çporrsh një grua të kanunëshme posi një shërbëtore – ish i rrezikshëm për të drejtat e gruas dhe shenjtërinë e familjes”.
Andaj Koncia adhuronte mbi të gjitha Nënën e vet, fisnike nga Familja e nderuar Delvina, për faktin se në vatrën familjare, siç na pohon Sherif Delvina, “ishte NënëMadhja Konica, e prirë drejt Perëndimit të përparuar europian, ajo që pati mendimin dhe këmbënguli që fëmijët e saj Faiku dhe Mehmeti të arsimoheshin në Perëndim!” Sepse e kishte të qartë përparësinë në botëkuptim që dhuronte Perëndimi i zhvilluar në krahasim me Orientin e prapambetur! “Ai ishte kush ishte: Djali i Zelihasë, që fliste gjithë mendje e pa frikë nga Perëndimi i vlerave!” më thotë plot dashuri për Faikun dhe me zë të ngrohtë ky Zotëri i madh që është Sherif Delvina. “Trashëgoi nga e ëma madhështinë, mençurinë, guximin për jetën dhe pasionin për të renë!” Për të lënë përjetësisht një gjë, atë gjë të vyer, me vlerë të pavdekshme: “Shqiptarizmin”, idealin për një Shqipëri të përparuar perëndimore!
“Dritare” e dytë për këtë libër përbëjnë shkrimet e Faik Konicës përzgjedhur kryesisht nga revista “Albania” me theks aktual. Përqendrohen kryesisht në tema madhore si lufta kundër dhunës e terrorit në krejt format e veta, nga fizike e verbale deri te fetare e ekstremiste; politikat politiciene pa taban e vizion (“politikanët – këta profesionistë të gënjeshtrës!”): politikat klanore, antikombëtare, bajraktariste e populiste; politikat atentiste, rrënjët dhe pasojat; korrupsioni në shoqëri dhe “klasa e pilafçinjëve dhe sharlatanëve”; mburrja, shpifja, arbitrariteti dhe pasojat e tyre; paprekshmëria e kufijve; politikat shoviniste dhe grabitqare të fqinjëve të Shqipërisë: zhvillimet socio-politike maqedone, e greke, aleancat e huaja në kurriz të kombit shqiptar; idealizmi si formë e lartë e patriotizmit, me ndjenjë të fuqishme kombëtare, me kulturë të lartë dhe përkushtim fisnik për kombin; vlerat historike shqiptare, pasuri për kombin shqiptar dhe për Europën (nga Skënderbeu te Bajroni, etj.) Janë këto disa nga temat madhore trajtuar në këtë libër, që zbërthejnë mbi të gjitha psikologjinë shoqërore në rrafsh kombëtar e ballkanik, për t’i çelur udhë përparimit të sotëm drejt familjes së madhe europiane të bashkuar, si një domosdoshmëri e kohëve moderne.
Më në fund, ky libër vjen si një binom i romaneve misterioze të Faik Konicës “Martesa e Lejlës” dhe “Sotiri e Mitka” që i kemi zbuluar e studiuar që në vitet 2011-2012, por që, për arsye të caktuara dhe në rrethana të ndërlikuara, nuk mundëm t’i botonim e t’i bënim më parë të njohura publikisht. Vetëm nxitja dhe mbështetja e fuqishme morale e miqve dhe e mjaft emrave të nderuar të botës shkencore e akademike shqiptare, mbi të gjitha e Federatës Panshqiptare “Vatra” na mundësuan të hidhnim hapin e parë në botimin e këtij libri dhe të dy romaneve të rinj të Faik Konicës, në kuadrin e një studimi më të gjerë për figurën e tij shumëpërmasore me konceptualitet themeltar për një shoqëri e komb modern shqiptar.
Fotaq Andrea
Shtator 2016.