SHKRUAN: LISANDRI KOLA/
University of Michigan /
Department of Slavic Languages and Literatures /
3040 MLB, Ann Arbor, Michigan 48109 /
LETËR E HAPUN ZOTIT PANDELI MAJKO PËR STRATEGJINË E RRUGËS SË KUJTESËS /
(Rasti i Arshi Pipës, Prof. Emerit.)
I përnderti zoti Pandeli Majko, Ministër i Shtetit për Diasporën
Po Ju drejtohem Juve me këtë letër, në cilësinë e Ministrit të Shtetit për Diasporën, me shpresën se fjalët e mia kanë me gjetë mirëkuptimin e duhun.
Siç jeni në dijeni, kontributi i Arshi Pipës në Shqipni dhe jashtë saj ka qenë jashtë mase i madh. Me figura si ai, S. Skendi, I. Luzaj, S. Repishti, P. Prifti etc. mund të pranojmë pa droje se vendi ynë asht renditë me dinjitet në panteonin botënor të suksesit, tue pasue gjeneratën e parë intelektuale në Amerikë si F. Konitza, F. Noli e M. Frashëri.
Njimend vepra e Pipës mbetet pasaportë e çmueshme akademike, intelektuale e artistike pavarësisht se në Shqipni, për fatin tonë të keq, ende nuk e ka fitue statusin e ‘pranimit’ që bota ka për këtë njeri. Mbas 90s asht e vërtetë se vepra e tij u botue/përkthye nga shtëpitë botuese Pheonix e Princi, janë mbajtë nji a dy sesione shkencore, publikue revista në nder të tij, por e gjitha rezulton e paktë. Duhet të jeni në dijeni, kam bindjen, se fondi i Pipës (biblioteka, arkivi e objekte personale) gjendet në Muzeun Historik të Shkodrës—dhuratë kjo nga vetë autori sa qe gjallë—i cili mjerisht asht në kushte të papërshtatshme. Me këtë nuk e kam fjalën me ndërtue a restaurue ndonji muze…
Në botën akademike e universitare të Shqipnisë, flas nga përvoja ime si pedagog në UT (2014-19), emni i Pipës asht gati klandestin. Kjo për çudinë tonë kur Columbia University, University of Minnesota e me radhë i kanë botue monografitë e tij dhe i kanë pasë në programet e veta studimore. Në dijeninë time, vepra artistike e tij nuk asht zhvillue kurrë në universitetet shqiptare me përjashtim të Librit të burgut, gjatë leksioneve Historia e Sonetit Shqip apo Letërsia Moderne Shqipe që i kam mbajtë unë në UT, FHF, Departamenti i Letërsisë. Këtë nismë tashma po e përcjell edhe në Amerikë ku ligjëroj Albanian Literature of Exile e ku A. Pipa asht pjesë esenciale e programit—po përmend faktin se letërsia shqipe zhvillohet për herë të parë në universitetet amerikane. Po në kuadrin e kontributit individual, me rastin e 20 vjetorit të vdekjes së A. P., revista Kêns i ka kushtue numrin e parë të saj: www.kens.al. Numri III-IV (2019-20) i saj ka sërish në fokus publikimin e veprës së Pipës (specifikisht përkthime). Po shtoj se kjo revistë mbahet me buxhet personal si shumë kontribute të miat.
Me Juve po ndaj të njejtin shqetësim që kam nda’ me autoritete të tjera lokale qysh prej vitit 2015: ‘Për nji shtatore të Arshi Pipës në qytetin e Shkodrës’ gaz. Standard ose ‘Për nji shtatore të Arshi Pipës’ gaz. Panorama, 2017 (rikonsiderim). Pasi kam konstatue me dhimbje se qyteti i tij i lindjes nuk e ka në program vizionin e kujtesës, dhe pasi jam njohë me programet Tueja qeveritare sa i takon pasqyrimit të vlerave të Diasporës, më lejoni të shtjelloj mendimin dhe propozimin tim.
Viti 2020 asht 100 vjetori i lindjes së Arshi Pipës. Meqenëse si model i rezistencës njerëzore e intelektuale ndaj diktaturës komuniste shqiptare dhe kjo pikërisht përkon me frymën e programit të qeverisë shqiptare:
“Rrugët e Kujtesës” janë gjithashtu një itinerar unik i Shqipërisë që do të vijojnë të nxjerrin në pah aspektin historik dhe edukativ të siteve të ish-diktaturës si Spaçi apo Tepelena, në vijim të projekteve tashmë të njohura muzeale të Kujtesës (Programi i Qeverisë 2017-21, f. 13).
Do të ishte në dinjitetin kombtar ngritja e nji përmendoreje të A. Pipës në Tiranë si kremtim jubilar. Ky akt gjykoj se ndihmon kujtesën historike, tregon ndjeshmëninë civile dhe përgjegjësinë intelektuale, përkujton privimin e të drejtaje dhe të lirive njerëzore, qendërzon respektin ndaj autorëve shqiptarë në Diasporë dhe mbi të gjitha kjo strategji: “ruan dhe forcon identitetin kombëtar të shqiptarëve” (Strategjia Kombëtare e Diasporës 2018 – 2024 dhe Plani i Veprimit, f. 50). Në nji rrafsh tjetër human, them se asht edhe detyrim ndaj familjes së tij, sepse vëllai i tij Av. Myzafer Pipa u vra barbarisht në Shkodër gjatë diktaturës e sot nuk dihet se ku e ka vorrin, motra e tij, shkrimtarja Bedi Pipa vdiq vetëm 24 vjeçe me pengun e njenit vëlla të vramë dhe tjetrit të burgosun e pa strehë konkrete mbi krye, i ati i tij dha shpirt mbas stërmundimit në nji karrocë kali gjatë rrugës për në barakën e radhës ku i kishte caktue Zyra e Strehimit, motra tjetër që sfidoi fatin dhe regjimin enverist, Fehime Pipa ndërroi jetë pak vjet ma parë pa ia përmbushë amanetin Arshiut (botimin e plotë në shqip të veprës së tij). Motra tjetër, Nedreti, ka kontribue pesonalisht me përkthimin e veprës filozofike nga italishtja Skicë e një konceptimi mbi jetën + Mbi gjeniun. E do të ishte me randësi, para se të bashkohet në amshim me familjen e saj, të shihte nji akt konkret të shtetit shqiptar në lidhje me prof. Pipën.
Këto fjalë i shoh të arsyeshme t’Jua drejtoj meqë e cilësoj veten të brendashkruem në pohimin programativ: “Strategjia Kombëtare i kushton rëndësi të veçantë ruajtjes së identitetit kulturor, gjuhësor dhe kombëtar të diasporës” (ibid, f. 50).
Letrën drejtue Juve do t’ia vê në dispozicion fedaratave, organeve botuese dhe komunitetit shqiptar në Amerikë, me shpresën për me e nxitë dhe me e finalizue këtë nismë. Nëse asht vullneti i mirë për ‘rrugën e kujtesës’ besoj se të gjithë mund të kontribuojmë me e ‘hapë’ atë. Me këtë due të nënvizoj se kompetencat ministrore a bashkëministrore do ta gjejnë formulën juridike dhe atë të buxhetit për zbatimin e programit qeveritar. Ky zbatim do të justifikonte ndihmesën atdhetare të secilit shqiptar nëpër botë si edhe do të motivonte përfaqësimin e Diasporës në projekte të tilla strategjike.
Me shpresën dhe dëshirën që në faqen e Ministrit të Shtetit për Diasporën ka me u hapë, sa ma parë, zyrtarisht nji projekt skulpturor i Arshi Pipës, real e transparent.
Në pritje të nji përgjigjegje (në adresat në krye të letrës).
Me nderime,
I jueji
Lisandri Kola
(Shënim: kjo letër asht shkrue dhe i asht postue MSHD më 19 Shtator, 2019)