• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kauza njerëzore e shqiptares Shkreli

October 9, 2016 by dgreca

1-suzana-shkreli-3

NGA MARJANA BULKU/

Ajo është 29 vjec.Shkollimi dhe edukimi familjar janë shtylla të forta që përforcojnë cilësitë njerëzore,por tek Suzanna Shkreli,shqiptarja e parë që kandidon për në Kongresin amerikan duket se maturimi i ka rrënjët përtej edukimit apo ambicies politike.Është profesionalizmi që udhëheq kauzat cka bën të mundur që të shohësh përtej caqeve apo flamujve të politikës.Kauza Shkreli ka në themelet e veta jetën,sigurinë e fëmijëve në këtë botë globale ku jo cdo liri është LIRI.Kauza Shkreli është kauza e gruas, e familjes,është kauza anti -dhunë dhe pro-jetë.Të ketë lidhje kjo kauzë me rrënjët e saj shqiptare, me ato zana t’bukura bjeshkësh që ushqejnë jetën me forcë e nder?! Padyshim që po. Teksa pohon origjinën e saj shqiptare me anglishten e rrjedhshme e me shqipen dëshmi e gjallë origjine ,ia përforcon identitetin vetvetes duke nxitur krenarinë e natyrshme ndër ne.Është historik akti i kandidimit të saj për në Kongres, është e pandalshme mbështetja e saj jo vetëm prej shqiptarësh, por edhe prej konservatorëve, fisnikëve,institucioneve amerikane që sigurinë njerëzore dhe mbrojtjen nga dhuna e cdo lloji e konsiderojnë themel demokracije.Fitorja e Suzanna Shkrelit nuk do të jetë thjesht një demokrate më shumë në Kongres, por një kauzë më shumë, një siguri më shumë, një e drejtë më shumë,një shpresë më shumë,një shqiptare që edhe pse e lindur në këtë vend lirish ku jo doemos origjina përcakton progresin personal,është kjo e fundit pra progresi personal që i bën nder origjinës.Ne ndjehemi më të fortë kur amerikanët përmendin Shqipërinë, faktojnë historinë e saj kaotike, ndërkohë që po përjetojmë ditët kur historia amerikane do të shkruajë për ne, për Ulqinin e Tuzin, Tiranën e Prishtinën, Suzannën dhe ato mijëra shqiptarë që duke mbështetur Suzanna Shkrelin për në Kongres bëhen aktivë në një politikë dinamike e gjithpërfshirëse sic është ajo amerikane,braktisin indiferencën dhe tulatjen për të mos ushtruar votën në këtë vend që Shqipërisë ia cmon cdo cilësi.Ky është rasti për të kuptuar se ndër shqiptarë nuk ka kufinj kohor apo gjeografikë, se ne e konsiderojmë shqiptar Malin e zi a Preshevën,Gostivarin e Dibrën e Madhe, se ata që erdhën prej dekadash këtu janë po aq shqiptarë sa ata që vijnë rishtaz,është rasti për të kuptuar se kauzat që na bashkojnë janë përmbi qëllimet e ligta që na ndajnë, është momenti për të shpresuar se brezat që rriten këtu e që kanë provuar sakrificat e prindërve kanë të drejtë të ëndërrojnë e të realizojnë ëndrrat e pajetuara të tyre. Suzanna Shkreli,jo vetëm një Zanë shqiptare por edhe simijëra të tjera që u lindën në USA,emigruan këtu, Suzanna e kauzës së jetës,bija jonë që bashkon brezat dhe andrrat e tyre,shpresat dhe mallin e shqiptarëve këtu ,atje, kudondodhen është rasti jonë që nuk do ta humbasim.

http://suzannaforcongress.com/

Filed Under: Emigracion Tagged With: e shqiptares Shkreli, Kauza njerëzore, Marjana Bulku

Simfoni historish njerëzore

September 27, 2016 by dgreca

Nga Marjana BULKU/

24 shtator 2016, Simphony Space. New York- Simfoni historish njerëzore, zërash,urimesh,mirënjohjesh.Një simfoni me ”lule bore shqiptare” ca tinguj që përmbyllën finalen e një mbrëmje të pazakontë që nën magjinë artistike e cila nderonte në gjuhën shqipe zonjat që prej vitesh nuk jetojnë më në Shqipëri, na e bëri edhe më prezente Shqipërinë, me gjithë nënat, miket motrat e miqtë tanë përtej simfonisë skenike njujorkeze.Skena që nderonte shqiptaret duke nxitur qindra të tjerë që ta duan vendin amë  ,të bëjnë cfarë të mundin për të sepse atje nuk të harrojnë, atje të duan ,atje kanë nevojë për modele që dijnë të gjejnë rrugët edhe kur ato nyjëzohen, atë mbrëmje shtatori foli shqip, skena këndoi shqip, skena u nderua nga kreu i shtetit shqiptar Presidenti Bujar Nishani, ajo u bë dëshmitare e hapave që ndjek suksesi bazuar në punën dhe dinjitetin.Gjithcka nisi nga një ide, sic shprehet Presidentja e Albanian Excellence znj Flora Nikolla  , nga një vullnet pozitiv që konkrete dhe të dukshme e bëri rrugëtimi i gjatë nga Tirana drejt Nju Jorkut në një Gala që edhe më madhështore e bënte mirnjohja dhe respekti për punën me të cilën zonjat e Nju Jorkut kanë ndërtuar jetën dhe karrierën në kryeqendrën më të madh të botës.Këtë herë protagoniste ishin Zonjat, ato që familjes i falin kohën, mundin dhe dashurinë.Por përtej zonjave janë familjet, miqtë, kolegët, e kush si ato di të ndërtojë miqësi që zgjasin deri në përjetësi?!Është kaq bukur kur shqiptarët i sheh bashkë, e padyshim që kjo përbën arsyje për të mbetur ditë në kujtesë. Ajo cka do ta bëjë të jetojë gjatë këtë gala festive e dinjitoze, përtej Simphoni Space, veshjeve plot klass shqiptaresh, tingujve të mrekullueshëm që u dëgjuan aty, interpretimit të sopranove tona Dëshira Ahmeti Kërliu, Lindita Lole Mezini, cellistes Gjilberta Lucaj,interpretimi mbi piano i Zonjës Edlira Gjoni , skenografia modeste por mjaft  simbolike,dokumentari emocionues plot detaje e fakte produkt i një pune cilësore stimuluese e frymëzuese.E gjitha kjo tablo nën regjinë e Andis Gjonit i foli sallës dhe përtej sallës, shqiptarëve të Nju Jorkut dhe jo vetëm atyre, e ndërsa skena fliste unë shkoj thellë e më thellë në cdo element që e formëson ngjarjen,duke filluar nga  ideja,artikulimi i saj, partnerët që janë një suport jo vetëm njërëzor  por edhe material,zonjat dhe identifikimi i tyre, produktet që ato i bëjnë edhe më zonja e njerëzore,gërshetimi i elementeve artistike,prezenca e kreut të shtetit jo vetëm fizike por edhe emocionale e prekëse në cdo fjalë e fjali,tingujt e ”Lule borës”që na sollën Shkodrën  artit dhe cdo qytet Shqipërie që këndon përmes tingujve të kompozitorit të madh e të paharruar shkodran Simon Gjoni.Dhe si për ta materializuar, bërë të prekshëm dhe produktiv këtë event Albanian Excellence ka publikuar edhe një botim  që përjetëson 24 shtatorin 2016 me profesionalizmin e intervistave të Flora Nikollës, mesazhet e pafundme të zonjave që bëjnë histori pune e arritjesh me punë, tabllotë fotografike të Anjola Toros, dhe padyshim që ky botim përbën memorjalin e akteve të tilla që përvecse gjallërojnë jetën e shqiptarëve në emigrim, na lidhin më fort me pjesët tona të jetës të mbetura përtej oqeanit të distancave që na ndajnë . Faleminderit Albanian Excellence që na bashkon me Shqipërinë amë.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Marjana Bulku, zonjat e Nju Jorkut

KONICA PËRMES ANATEMIMIT DHE SHKËLQIMIT

September 21, 2016 by dgreca

 

1-ok-marjana-1NGA MARJANA BULKU/Nju Jork/

Viti 2016 është shpallur ”Viti i Konicës” një iniciativë kjo e Vatrës Panshqiptare këtu në SHBA për nder të njërit prej udhëheqësve të vet. Vatra e ka për traditë t’ju bëj vend dhe nderime liderave që i dolën zot Kombit, intelektualëve që patriotizmin e kanë përmbi interesat e ngushta të momentit. Nuk e di se sa përbën lajm kjo për shqiptarët andej Atlantikut, as për këta këtej Atlantikut, por thellësisht mendoj se sikur një ditë të vitit të lexonim Faik Konicën, të njihnim personazhet e tij, të tentonim të mendonim si Konica, ta njihnim Shqiperinë si ai, ta kundërshtonim të keqen, të shkruanim përmes faktesh historinë tonë, të kritikonim regjimet…ne do ishim një popull elitar. Konica, ky korife i dijes, disident i regjimeve të padrejta, publicisti, esseisti, prozatori modern, polemisti,diplomati e mbi të gjitha havardisti i artë, që i përket jo vetëm letërsisë shqipe e cila ia ka kufizuar padrejtësisht përmasën atij duke ia mohuar shqiptarëve leximin e veprës së tij që duket sikur është përherë aktuale sepse kështu dijnë të jenë njerëzit e mëdhenj, universalë, por Konica mbetet një kulmim i perhershem i kulturës sonë kombëtare për përshkrimet e tij mbi etnografinë, traditat, stilin konservator të jetesës,të cilat përbëjnë tablotë e para realiste nga ku të huajt na perceptonin ne përtej atij izolimi apsurd mohues,deri shfarosës. Konica ky njeri anti-kornizë nuk mund të ndërtonte personazhe me urdhër, nuk mund të mendonte njëlloj qoftë edhe si eprorët e vet, nuk mund ta fshihte mendimin e vet, publicistika e tij aktive përmes gazetës Albania dhe Dielli dëshmojnë se të jesh intelektual do të thotë të jesh i angazhuar me identifikimin e cështjeve në mënyrë të vazhdueshme e ritmike dhe realiste pse jo kritike.Përmasa e tij intelektuale është krahasuar me një bibliotekë lëvizëse një analogji kjo që i shkon përshtat plotësisht Konicës, të cilit edhe personazhet e veta i ngjajnë aq shumë.Ata janë të lirë,e duan progresin, respektojnë brezat por duke iu nënshtruar vlerave që na zhvillojnë,ata nuk mund të jenë detyrimisht heronj të luftës apo të punës sic Realizmi socialist edhe në letërsi diktonte, ata janë studentë , diplomohen jasht Shqipërisë , e duan Shqipërinë pa fund, kanë provuar se malli për atdheun peshon fort kur je larg tij, ata zhgënjehen nga realiteti apsurd, duan ta ndryshojnë atë, e shohin që është e vështirë, duhen shumë studentë, duhen më pak heronj lufte a pune…po,duhen mendje që ti prijnë atyre njerëzve fatkeq që politika i izolon . Personazhet e Konicës janë ëndërrimtarë që në pragun e varfer të shtëpisë dhurojnë vizione të së nesërmes që nuk vjen nëse nuk kupton dhe pranon gjendjen ku ndodhesh. Konica ky thyes kornizash përmes mendimit të lirë , atij mendimi që konstrukton polemika e debate që shtojnë perspektiva zhvillimi shoqëror dhe kulturor, ky shembull i opozitarizmit nga i cili opozitarizmi foshnjor shqiptar ka shumë për të mësuar dhe uroj që të paktën një ditë të vitit të flasin me stilin e tij ,ta lartësojnë gjuhën shqipe jo sa ai por si ai.Konica ky havardist që njihte të paktën katër gjuhë të huaja nuk heziton kurrë të shkruajë në gjuhën shqip sepse kështu do ti bënte dhuratën më të bukur Kombit të tij,shpresën për të mos u asimiluar,ëndrrën për të tejkaluar izolimin e gjatë komunist e për ti shkuar edhe lexuesit të varfër shqiptar që kornizat me heronj e marksizëm e histori partie ia bënë edhe më të neveritshëm leximin.Viti 2016 është viti i Konicës, e sikur të paktën për cdo vit të kishim një ditë Konicë, lexuesit do pasuroheshin, gjuhëtarët do ndricoheshin, kultura shqiptare gjithashtu, diplomatët një krenari më shumë, studentët edhe më të thelluar, esseistët, letrarët shkrimtarët, opozitarët, politikanët gjithashtu shikimin thellësisht nëpër realitetin tonë që nuk është gjithmonë ashtu sic duket. Konica ky ajsberg i mendimit është i lartë sa c’duket është i thellë dhe i padukshëm po aq, prandaj ende shkruhet për të, flitet e përflitet për të, këtu edhe atje me Atlantikun gjigand në mes.Konica përmes anatemimit dhe shkëlqimit na bën të kuptojmë se objektivizmi e lartëson individin edhe kur subjektivizmat tentojnë të dhunojnë qoftë edhe varrin që ashtu përmes pllakave të thyera duket se thotë: Konicë, si Ty-të nuk duhet të vdesin!

Filed Under: Histori Tagged With: anatemimi dhe shkelqimi, Konica, Marjana Bulku

Post Dibër 2016-Të gjithë heronj…populli ”viktimë”

September 15, 2016 by dgreca

 

1-ok-marjana-bulkuNga Marjana BULKU/*

Të gjithë heronj, populli viktimë, një llogor jo i panjohur për ne, Kështu m’u duk qyteti ku u linda e u rrita, (unë, Ilir dhe fëmijët e mi) këtë 11 shtator 16. Teksa e vështroja nga larg këtë panoramë edhe pse nuk u ndjeva larg, plagë të vjetra m’u shfaqën e më bënë që të kuptoj se progres-regreset tona kanë autor politikën. Politika, ngarkuar me mllefet e urrejtjes, përballjes, ku vlerat e individit, cilësitë e edukimit, vyrtytet e familjes, i fsheh, i burgos, dhe na i ndërsen duke na cfuqizuar. Politika e sëmurë që e bën të pashpresë Shqipërinë tonë të bukur por të dhunuar sistematikisht nga kjo politikë që nuk po e ndëshkojmë dot. Fotot e lumtura me VIP-at e Tiranës më bënë të provoj mjerimin edhe pse jetoj në New Yorkun e paanë që dielli i shtatorit ia shquan bukuritë.Ato buzëqeshje gjysëm të vërteta dhe ekzaltime të kota, të bëjnë të kuptosh izolimin, limitet kulturore, barrierat shumëplanëshe që janë ndërtuar pasi u shembën muret e diktaturave.Në ditë si këto ka shtrëngime duarsh, shikime në sy, fjalë dhe fjalë dhe fjalë…që të paktën e thyejnë monotoninë e zërave.Më vinin ca vargje përzier me fëmijërinë ku podiumet enverore nuk na bashkonin dot edhe pse buzëqeshnin duke përshëndetur me duar, përkundrazi, këto shfaqje ishin ”aktet e fundit pak përpara se perdja të binte”. Sa shumë podiume, postera, thirrje madje edhe klithma që edhe më të pashpresë e bëjnë arsyjen që nuk din të ulërasë dhe po ashtu kaq kontradiktore me terrenin e varfërinë plot shkaqe të zinxhirta. Matem fort të shkruaj për vendlindjen time këto ditë, më duket si epiqendra e një tërmeti ku deshmitarët, shkaktarë, autorët, viktimat shtyheshin e fryheshin për të parë, rrëmuar,si protagonistë. Kjo epiqendër është realitet i projektuar mirë apo keq, me qëllim apo naivitet, që deri pak muaj më parë ishte periferike.Vërshimet mediatike do duhet t’ia kishin tërhequr vemendjen politikës, por ndodh e kundërta, politika e shkakton tërmetin dhe pastaj populli viktimë, gazetar, analistë aviten pas gjurmësh.E nga gjithë kjo zallamahi lokale, kombëtarët zbuluan dy plagë, njëra e trashëguar, e tjetra vrastare;varfëri e drogë, ndërsa ndërkombëtarët panë se në këtë vend që Zoti e ka bekuar me bukuri, droga qenka zot. Personalisht, përtej lupës së vëzhgimeve të mia meditative, dua të pohoj dy elemente që arrita të dalloj në epiqendrën permanente të jetës time Dibër;1 Së pari hapja ndaj intelektualëve që janë të gatshëm të kontribojnë duke sakrifikuar sikurse Kandidati potent i të djathtës zoti Shehu,si dhe  ata që pelegruan drejt Dibrës,thellësisht do doja që Bujar Kapexhiu (piknisje e bukur e fushatës) të mos ikte që aty e t’ia vizatonte si vec ai din cdo ditë atij qyteti ,pa kosto,me lapsin e tij mendimtar e me një botim të thjeshtë, si kryeposti ma i mencur ku humori satiriko grotesk cjerr të vërtetat tona që dhembin . 2.Së dyti  nuk mund të mos theksoj qytetarinë e doktor Remit, mikut të fëmijërisë, rinisë, mjekut që nuk është kursyer kurrë të shërbejë, gjithmonë duke vrapuar e që nuk di nëse do mundet tia shërojë plagët që të gjithë bashkë do duhet ti zbulojnë.Si dëshmitare fitoresh por edhe humbjesh, them se populli është syri, vemendja dhe matësi më i mirë i akteve që politika interpreton, ndaj më pëlqen që ta konsideroj dëshmitar dhe ku  cdo akt angazhimi e bën akoma më të civilizuar atë, natyrisht investimi dhe rritja e cilësisë së jetesës që jo gjithmonë përkthehet ”para” ia rrit vlerën dhe protagonizmin atij.Dhe si i tillë ai nuk humbet kurrë në demokraci.

Karikatura: Bujar Kapexhiu

Kortezi”Mapo

Filed Under: Featured, Opinion Tagged With: heronj dhe viktima, Marjana Bulku, Post diber 2016

Mos vdis OPOZITË!

August 22, 2016 by dgreca

NGA MARJANA BULKU*/ New York/

Thonë që është binjak me varfërinë , ia zbulon plagët e fshehta dhe ato gangrenë që tashmë Dibrës por edhe gjithë Shqipërisë i dolën sheshit përtej vrimash imoraliteti jo vetëm politik, ku u zbuluan fajësitë e pozitës por edhe ca mëkate jo të vogla të opozitës 2015 si dhe raporteve qe krijojne te  dyja keto ne  arenen e politikes shqiptare.

Mos vdis opozitë!Më vjen natyrshëm kjo pasthirrmë si një lutje shekullore, si një thirrje për ndihmë. Ai vend që është i të gjithëve por pronë e pakkujt ka shumë nevojë për ty.Ai vend ku varfëria shtohet , ku problemet intensifikohen e ku dhuna buron nga cdo anë e duke u performuar frikshëm në familje shoqëri e politikë, pret rilindjen tënde.

Mos vdis opozitë, edhe pse asfiksuar , corientuar,sulmuar, mohuar.Diktatura e gjatë nuk bëri kurrë autokritikë dhe pushteti i padrejtë ”të gjithë në pozitë kundra cdo lloj opozite ” hodhi rrënjë të thella ndër ne.

Mos vdis opozitë, dëgjoji mendjet e kthjellëta edhe pse shpesh herë i injorove,përcmove, , mbase jo me shpirt sepse politika nuk qenkërka më art i zgjidhjes sic e konsideronte Bismark, por terreni ku parimet janë zëvendesuar nga shifra e synimet në interesa e për rrjedhojë vizionet janë të paqarta. Po ti mos vdis! Për shpirtrat e atyre që Shqipërinë e deshën demokratike e sot nuk jetojnë më, për ëndrrat e rilindasve që i kushtuan vepra që lindin kombet përmes dhimbjesh me pendë e me mend.

Mos vdis sepse për ty ka nevojë E DREJTA që sapo iu miratua një shteg në parlamentin e ndotur.Historia jonë ka shumë nevojë për ty opozitë , atë nuk e shkruajnë vetëm ”luanët”,por edhe viktimat.Opozita, vlera jonë e munguar,e mohuar, e cunguar, e përcudnuar në shekuj nuk duhet të vdesë sepse ajo fisnikëron një komb, mban gjallë një të vërtetë, shëron një të drejtë,, ndricon një shpresë.

Mos vdis Opozitë!Ti nuk je forca e kamzhikut, por ajo e logjikës që gjithmonë triumfon, edhe pas kalvaresh të vuajtjes, të mundimit.Pa ty vdesin edhe shumë të vërteta të bukura, të trishta, të pastra , të turbullta por që ndricojnë botën tonë shqiptare.Ti je gjithmonë alternativa tjetër kur shpresa ka humbur , kur shtigjet janë mbyllur, kur tuneli s’ka dritë.Ti je zëri që duhet të flasë me të kundërtën kakofoni plot zhurma realiteti, je zëri i vlerave, veprave e fjalëve që frymëzojnë. Varfëria nuk përkund vetëm krimin dhe imoralitetin por edhe fisnikëri e vyrtyte që as blihen as shiten, nxiti e rriti pra, bëji krah këto dy të fundit e bashkëudhëtarë në shtegëtimin tënd në formë V -je.Bëji opozitë të keqes  , bëji opozitë padrejtësisë, dhunës, drogës këtij trendi që përmbyt jetën , bëji opozitë vjedhjes, imoralitetit e gjithckaje që kërcënon të mirën. Janë kaq shumë misione që nuk u kryen ,presin, u lanë në mes,sepse … janë shumë Sepse vetëm pas një Përseje.

Mos vdis Opozitë. Ti je ëndrra e mijëra emigrantëve politikë, ekonomikë që nuk të jetuan dot aty edhe pse shumë të deshën, u burgosën për ty, u internuan për ty, u pushkatuan për ty, guxuan për ty. Ti je zëri që nuk duhet të mbytet nga thirrjet me grushta ” Fitore dhe urra” ti je zëri që duhet dëgjuar dhe respektuar sepse ti je zëri i munguar, gjithmonë i mohuar.

Mos vdis Opozitë, por kujdes nga të padrejtët, ata të vdesin edhe ty, pak nga pak si trupin që nuk e vdes vec paushqimi ,pamjekimi, por edhe heshtja e mosrënkimi nën agoni ku askush s’e ndjen dhembjen që s’bzan.

Mos vdis Opozitë!

Për ata që besuan tek ti, për ata që punuan për ty, edhe për ata që u zhgënjyen nga ”brishtësia ”jote, për ata që e pësuan nga gabimet e tua dhe për ata që BESOJNË tek ti, mos vdis! Behu zeri i atyre qe s’flasin dot!

*Autorja e shkrimit gjat nje takimi me Kryetarin e Opozites Shqiptare, z. Basha ne Seline e Federates Vatra ne Nju Jork

Filed Under: Opinion Tagged With: Marjana Bulku, Mos vdis, opozite

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 24
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT