• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

QASJE INTELEKTUALE PËR AKTUALITETIN SHOQËROR

February 7, 2019 by dgreca

Nail_Draga

Shkruan: Dr. Nail DRAGA/*

1 Vizione

Pas miratimit te pluralizmit në Mal të Zi për shqiptarët në këtë mjedis u hap mundësia e veprimtarisë botuese, ku pas një periudhe rreth tre dekada  janë arritur rezultate që janë  vlerësuar   nga opinioni i gjerë kulturor dhe shkencor. Në sajë të titujve të veprave të botuara del se veprimtraia botuese ka qenë e zhanreve të ndryshme si shkencore, letrare, kulturore dhe publicistike. Kemi të bëjmë me një numër të konsideruar autorësh të cilët kanë bërë emër jo vetëm në aspektin lokal por edhe ate mbarëkombëtar.

Dimension i veçantë i kësaj veprimtarie botuese paraqet fusha e publicistikës ku deri më tash janë botuar libra më interes për opinion shqiptarë. Duhet thënë më këtë rast se në sajë të gazetës Koha Javore, nga viti 2002 prej kur doli në qarkullim një mundësi e tillë iu është  ofruar të gjithë atyre që kanë potencial për t’u prezantuar me artikuj, komente e vështrime nga fahu i tyre profesional.

Është pikërisht kjo perudhë kohore e mjaftueshme për të parë autorë të ndryshëm por edhe njëherit bërë një diferncim sa autorial por edhe  profesional. Një analizë e tillë për këtë periudhë kohore na dëshmon për një numër të pakët  autorësh të cilët në mënyrë konstante janë paraqitur në këtë media dhe të tjera të ngjajshme në hapësirën shqiptare mbarëkombëtare. Dhe një nder ta është sociologu Qani Osmani, i cili  trajtimin e çështjeve  të ndryshme shoqërore, e ka preokupim sa personal  por edhe profesional.

Pas librit të parë “Demokracia dhe partitë politike shqiptare në Mal të Zi” tani opinionit i paraqitet me botimin më të ri, me titull ”Vizione, shoqërore, politike dhe fetare”. Libri është përmbledhje e artikujve, vështrimeve dhe opinioneve të cilat autori i ka botuar viteve të fundit në mediat shqipe të shkruara dhe online.

Lënda e prezantuar trajtohet nga dimensioni shoqëror, politik dhe fetar. Në këtë perceptim janë edhe artikujt e prezantuar me qasje jo vetëm sociologjike por edhe intelektuale. Në saje të temave të prezantuara, autori iu ka mundësuar lexuesve meditimin e tyre personal nga gama e gjere e temave të trajtuara, të cilat janë preokupuese jo vetëm në momentin aktual për të gjithë ne.

Si i tillë ky botim ofron mundësi të një debati me lexuesit, dukuri e cila mungon në shoqërinë tonë pluraliste. Vetëm me qasje të tillë e pa paragjykime mund të tejkalohen deformimet shoqërore të cilat janë të pranishme në çdo pore të shoqërisë, me pasoja për të tashmen dhe të ardhmen.

Pikërisht nga ky aspekt duhet përgëzuar autorin sepse ai nuk është statik në analizën e dukurive të ndryshme shoqërore, por, përkundrazi, është kritik me qëllim që çështjet përkatëse të avancohen dhe të jenë të pranueshme për shtresat e gjera. Ai nuk vuan nga paragjykimet dhe qasjet lokaliste, përkundrazi çështjet i trajton edhe në dimensionin mbarëkombëtar. Por, poashtu duhet cekur se ai është kundër politizimit të dukurive të ndryshme shoqërore, dukuri kjo e cila ka marrë përmasa shqetësuese. Autori çështjet i trajton  me një qëndrim intelektual duke i prezantuar  ashtu siç janë dhe me vizionin për ndryshime cilësore.

Ai është  transparent  dhe i drejtpërdrejt dhe me bindjen se vetëm qasja intelektuale eliminon konformizmin dhe servilizmin, dukuri këto të njohura për shoqëritë në tranzicion. Madje  këto dukuri  nuk janë të panjohura edhe në hapësirën shqiptare, që dëshmohet bindshëm  në qeverisjet lokale dhe ato shtetërore.

Duke lexuar këtë botim  del qartë se  vetëm intelektualët me kuptimin e plotë të fjalës, dhe indvidët e guximshëm, pa hipoteka nga e kaluara mund të kritikojnë deformimet shoqërore, duke ofruar ide për zgjidhje të çështjeve kontestuese.

E them pa hezitim se artikujt e botuar  në këtë libër janë ese të shkruara me qasje profesionale për çështjet e trajtuara nga autori. Duke lexuar këto ese  del qartë se kemi të bëjmë me preokupimin e autorit në momentin aktual, dhe si të tillë afrojnë mundësi për analiza dhe komente të ndryshme. Por, me duhet të them se  analiza të tilla mund të bëjnë vetëm  individët pa paragjykime të cilët duan dhe dëshirojnë të shpalosin të vërtetën në këtë kohë të krizës morale. Dhe është pikërisht kjo koha e tranzicionit e cila ka shpalosur në sipërfaqe antivlerat e mediokritetin duke u bërë si dukuri normale në mjedisin tonë shoqëror.

Është pikërisht  kjo kohë kritike  ku individet e ndryshëm  të cilët nuk kanë shprehi leximi, janë në pozitë favorizuese, sepse duke qenë konformist me sjellje  apo mediokër me formim, i përballojnë më lehtë rrethanat e tilla shoqërore.

Edhe pse çdo ese, paraqet pikëpamjet  individuale të autorit, në sajë të qasjës del se kemi të bëjmë me dukuri shoqërore të cilat janë me pasoja të përgjithshme për të sotmën dhe të ardhmen. Autori kritikon devijimet shoqërore, me të vetmin qellim qe ato nesër mos të bëhën shprehi, sepse si të tilla nuk na nderojnë si individ, popull apo shoqëri në përgjithësi.

Në sajë të temave të trajtuara ky libër ofron mesazhe të qarta për aktualitetin tonë jo vetëm në spektrin lokal por  edhe ate mbarëkombëtar.

Pikërisht në këtë dimension duhet lexuar dhe analizuar këtë botim, i cili paraqet një kontribut me vlerë për publicistikën në gjuhën shqipe.

*Qani Osmani,VIZIONE-shoqërore, politike dhe fetare, Ulqin, 2018

Filed Under: Kulture Tagged With: Nail Draga, Qani Osmani, Vizione

ROLI I AUSTRO-HUNGARISË NË SHKOLLIMIN SHQIP NË MAL TË ZI

January 14, 2019 by dgreca

1-Nail-Draga.JPG-300x143ROLI I AUSTRO-HUNGARISË NË SHKOLLIMIN SHQIP NË MAL TË ZI (1916-1918)

 Nga Dr.Nail Draga/

 1.Hyrje/

Për opinionin  e gjerë është   e njohur se pas vendimve të Kongresit të Berlinit(1878) vise dhe vendbanime shqiptare iu dhuruan Malit të Zi. Një veprim i tillë ngjau edhe pas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër(1912/13), sepse   kufiri i Malit të Zi u zgjerua nga lindja duke aneksuar territore të reja të cilat ishin të banuara  popullsi shqiptare. Me rastin  e vendosjes së administrimit të ri pushteti malazias çështje parësore kishte ndryshimin e strukturës etnike të  popullsisë, duke marrë parasysh së shqiptarët ishin homogjen në viset e tyre autoktone. Andaj për  t ia arritur qellimit pushteti aktivizoi dy metoda: kolonizimin  e viseve dhe vendbanimeve shqiptare si dhe asimilimin përmes arsimimit në gjuhën sllave. Të vetëdijshmëm për rrethanat e krijuara shqiptarët  u përpoqen të rezistojnë sa kishin mundësi, por një numër i konsideruar i tyre u shpërngulën duke u vendosur në Shqipëri, e ate kryesisht në Shkodër. Por, në rrethana të reja gjatë Luftës së Parë Botërore në viset shqiptare në Mal të Zi Monarkia Austro-Hungareze, hapi shkollat e para në gjuhën shqipe. Ishte ky një veprim përfid i pushtetit për të fituar simpatinë e shqiptarëve, që pati jehonë pozitive në aspektin arsimor, kulturor e kombëtar, sepse në shkollat e hapura nga Ulqini e deri në Rozhajë, tingëllojë bukur gjuha shqipe si asnjëher  më parë. Një veprim, i tillë për  shqiptarët nuk ishte befasi duke marrë parasysh rolin vendimtar të Monarkisë Austro-Hungareze në Pavarësinë e Shqipërisë.

Përveç literaturës  së konsultuar po ashtu si burim të veçantë kemi edhe gazetën ”Posta e Shqypnies”(1916-1918) e cila dilte në Shkodër, me kryeredaktor P.Gjergj Fishtën, që ka përcjellur me kujdes ngjarjet e ndryshme e në veçanti ato arsimore gjatë kësaj kohe tek shqiptarët në Mal të Zi.

 2.Interesimi i Austrisë për shqiptarët

 Ndikimi i austriak në Shqipëri  ishte i lidhur edhe me të drejtën  e mbrojës së kultit dhe të kishëssë krishterë në Perandorinë Osmane, të siguruar me një sërë traktatesh  ndërkombëtare. Duke filluar nga Paqa e vitit  1615, e nënshkruar në mes Perandorit Matie e Sulltan Ahmetit të II,   duke vazhduar nëto të viteve 1681, 1699, 1718, 1739, 1791, mori përvijim ajo qe njihet si politika e Kultusprotektoratit. Perandoria Austro-Hungareze kishte të drejtën e kontrollit të zbatimit të këtyre trakteve dhe me 1837 Papa ia kaloi Austrisë mbrojtjen e të drejtave të katolicizmit  në Shqipëri. Në kuadrin e kultusprotektratit, Vjena zhvilloi një veprimtari të gjerë  kulturo-arsimore, shkencore, fetare dhe propogandistike.

Politika arsimore austriake dhe rritja e ndikimit të saj ë zhvillimet arsimore e kulturore ndër disa kombësi, është e lidhur  dhe e ndihmuar edhe nga disa dispozita ligjore të Qeverisë së  Vjenës. Në vit1848 ajo hartoi ligjin, sipas të cilit “…në shkollat fillore fëmijët duhet të mësohen në gjuhën e tyre amtare”.Një gjë e tillë u përforcuaa me dispozitat ligjore të vitit 1849.

Kurse neni 17 i ligjit shtetëror austriak i datës 21.12. 1867 për problemet e arsimit, theksonte se “çdo kombësi ka të drejtë të ruaj dhe kultivojë individualitetin e vet kombëtar dhe gjuhën e vet popullore” dhe se “ në këto vise ku disa kombësi jetojnë së bashku, shkollat duhen rregulluar në atë mënyrë që në to të kultivohet edhe gjuha e kombësisë tjetër”.

Edhe pas krijimit të Perandorisë Austro-Hungareze, më 14 nëntor 1868, në disa dispozita ligjore, si ajo  evitit 1876, trajtohet çështja e arsimit dhe e të drejtave të pakicave kombëtare. Ndikimi kulturor austriak ndër shqiptarët dhe në Evropën lindore është i lidhur edhe me lëvizjen “Mbi autonominë  kulturore kombëtare”,mjaft e përhapur para Luftës së Parë Botërore. Pas kësaj teorie, kombësitë e ndryshme në territorin e një shteti duhet të formojnë lidhjet e tyre kombëtare, të cilat duhet të përqëndroheshin në çështjet kulturore dhe zhvillimit arsimore e të kulturës austriake, por njëheri, ka ndihmuar edhe në zhvillimet e kulturës kombëtare të kombësive të tjera.

Në kuadrin e  kësaj politike dhe këtyre synimeve Austro-Hungaria  e përqëndroi vëmendjen në ndërtimin, rindërtimi  mirëmbajtjen e kishave e përgatitje  të klerit katolik në hapjen e shkollave për shqiptarët. Deri në shpalljen e Pavarësisë Austro-Hungaria vetëm në Vilajetin e Shkodrës subvenciononte 47 shkolla fillore nga të cilat 10 femërore.

Por, rrethanat zhvillimit arsimor në periudhën 1916-1918, nuk duhet t shpjegohen vetëm me shkaqe fetare e kulturore, sepse rol primar kanë pasur  faktorët ekonomikë, politikë e ushtarakë. Austro-Hungaria  ishte e interesuar për të siguruar rrugën detare të adriatikut, për të hedhur një këmbë të sigurtë për zgjerimin në Ballkan e drejt  Lindjes. Zhvillimet luftarake ia kërkonin që të kishte siguri e qetësi në prapavijë, dhe mundësisht, të  tërhiqte shqiptarët në luftë përkrah vetes.

Prandaj,  zhvillimet arsimore në periudhën 1916-1918 janë nga njëra anë, shprehje e synimeve politike, ushtarake, fetare e kulturore të monarkisë Austro-Hungareze dhe, nga aana tjetër, shprehje e dëshirave dhe e kërkesave të popullit shqiptar që të shkollohet në gjuhën e vet amtare.

3.Hapja e shkollave në gjuhën shqipe(1916-1918)

Në janar të vitit 1916 Austro-Hungaria  e okupon Malin e Zi. Pas vendosjes së pushtetit të tyre administrativ,  shqiptarët njohën disa liri qe i kishin të mohura  nga ana e Malit të Zi si: përdorim e flamurit kombëtar, pjesëmarrjen në administratën civile lokale, arsimimin në gjuhën shqipe etj.

Me kërkesat e popullatës shqiptare dhe me interesimin e komandave ushtarake austro-hungareze, filluan të hapën shkollat në gjuhën shqipe në viset shqiptare në Mal të Zi, nga Ulqini në jug e deri në Plavë në veri(Ulqin, Salç, Ljare,Tuz, Dinoshë, Priftën, Triesh, Arzë, Plavë, Vuthaj,  Martinaj dhe Rozhajë ).Deri në fund  të qershorit të vitit 1917, funksionuan 23 shkolla në gjuhën shqipe.(Posta e Shqypnies, nr.67, 28.7.1917, f.4).

Komanda austro-hungareze urdhëron që të mësohet gjuha shqipe në të gjitha ato vende ku gjenden shqiptarë, në mënyrë, siç shkruante shtypi, “qi shqyptarët të mbesin shqyptarë e kurgja tjetër”(Posta e Shqypnies, nr.57, 23.6.1917 f.4)

Nuk ka dilemë së për të hapur shkolla në gjuhën shqipe, përveç lokaleve, mjeteve shkollore e teksteve mësimore, mungonin edhe mësuesit. Këtu duhet shtuar edhe problemet ekonomike,  por ishte dëshira për të sfiduar rrethanat e kohës, ku shkolla shqipe bëri hapat e para.

Në këto rrethana për të siguruar mësues komanda austro-hungareze mobilizoi arbneshet e Zarës, të cilët i vuri para alternativës:”O ushtar në front, o mësues   në shkollat shqipe në Mal të Zi”. Shumë prej tyre  pranuan detyrën e mësuesit ku punuan më shumë pasion, duke lënë emër të mirë në kujtesën e nxënësve dhe të prindërve si: Kristo Peroviqi(që njëherit kryente detyrën e inspektorit në shkollat shqipe), Josip Rela, Zef Duka, Nikollë Peroviqi, Stjepan Moroviqi, Mirash  Kërstiqi, Vladimir Kërstiqi, motër Eleonora Moroviqi.

Në disa shkolla ka pasur edhe mësues vendi sikurse ishin Gjon Gjekë Lucajdhe Kolë Prelokë Gegajnga Trieshi, të cilët kanë qenë të angazhuar në Malësi. Po ashtu duhet cekur edhe angazhimin e priftërve në procesin mësimor sikurse ishin padër Jak Salçi  në Ulqin e Salç, famullitari Pjetër Angelio Gaudio  në Ljare i lindur në Itali, por e fliste mirë gjuhën shqipe,  si dhe  Luigj Bushati nga Shkodra i cili ishte  meshtari i kishës së Traboinit në Malësi të Madhe. Ndërsa në Rozhajë mësimin e ka zhvilluar një shqiptar që ishte në shërbimin  ushtarak austriak i lindur në Drenicë.

Në këtë kohë transferimi i mësuesve prej një shkolle në tjetrën ka qenë dukuri e zakonshme. Për  shëmbëll Josip V. Rela ka punuar në Arzë, Guci dhe në shkolla të tjera. Dukuri e ngjashme ka qenë edhe me mësuesit e tjerë.

Përmbajtja e  mësimit ka qenë: leximi, shkrimi, gramatika(prej klasës së dytë), aritmetika, historia, dituri natyre, gjeegrafia, vizatimi, punëdore, kënga dhe besimi.

Nxënësit nuk kishin abetare, fletore, lapsa, libra të tjerë për kryerjen e detyrave shkollore dhe shtëpiake. Pajisja me mjete mësimore ka qenë punë e vështirë. Për furnizimin  e shkollave dhe të nxënësve me mjete mësimore meritë të madhe kanë pasur mësuesit e tyre, por u kanë dhënë ndihmë të madhe  edhe Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda, Shtjefën Gjeçovi  e të tjerë.

Nxënësit ndiqnin rregullisht shkollën, dhe e kishin të siguruar një shujtë në ditë. Ndërsa, nxënësit e varfër kishin të siguruar  falas fletoret dhe lapsat.

Mësuesit e këtyre shkollave me angazhimin në procesin mësimor  si dhe  me sjellje ndaj nxënësve e prindërve të tyre gëzonin autoritet të madh.

Eshtë më rëndësi të cekët me ketë rast kontributi i një mësuesi vendas, i cili i përkiste periudhës së Rilindjës Kombëtare Shqiptare. Fjala  është për mësuesin e nderuar  Gjon Gjekë Lucaj, i cili ka mbetur ekzemplar i përkushtimit arsimor dhe kombëtar në Malësi dhe më gjerë.

Bëhët fjalë pikërisht  për vitin shkollor 1917/18  që është vit historik për banorët e Malësisë përkatësisht të  fshatit Dinoshë(Grudë), sepse atë vit Gjon Lucaj  për herë të parë çelë shkollën shqipe në Dinoshë dhe zhvilloi mësimin një vit shkollor. Mësimin e zhvillonte në godinë private, në kushte tejet të vështira. Godina nuk kishte kushte elementare higjienike e pedagogjike për zhvillimin e mësimit. Por, me inisiativën  e mësuesit të shkathtë dhe të popullit të etshëm për shkollë, kushtet përmirësohen sadopak dhe mësimi zhvillohej rregullisht.

Mësuesi i zellshëm  u mësonte nxënësve  këto lëndë: gjuhë amtare, histori, gjeografi, artimetikë, muzikë etj. Meritë e posaçme e Gjonit është se pasuroi përmbajtjën e mësimit të gjuhës amtare, të historisë, të gjeografisë, muzikës me frymën patriotike në procesin mësimor dhe aktivitetet jashtëshkollore në periudhën 1916-1918. Duhet të  theksohet se Gjoni çmonte të gjitha lëndet mësimore, por më përparësi   ishin ato të cilat ofronin më shumë përmbajtje për rritjen e patriotizmit.

4.Gazeta ”Posta e Shqypnies” për shkollën shqipe

Të dhëna  në lidhje me procesin arsimor në gjuhën shqipe në viset shqiptare në Mal të Zi, siç kem i cekur më lartë na ofron gazeta ”Posta e Shqypnies”(1916-1918), e cila ka dalë në Shkodër nën drejtimin e  kryeredaktorit  P. Gjergj Fishtën. Ne me këtë rast po paraqesim fragmente të cilat janë me interes për të kuptuar rrethanat e kohës kur kanë vepruar këto shkolla në viset shqiptare.

Me mjaft interes është shkrimi  me titull “Shkolla shqype n‘Ulqin”ku në mes të tjerashshkruhet:

 “  Nji mik i joni na shkruen prej Ulqinit: Me 17 t’ Frorit mrrina ktu n’ Ulqin, ku, por saa dola prejë karrocet, m’ rrethuen nji tubë djelmnië bashkatdhetarë, prejë  t’ cillve u ndië brohoria: rrnoftë Austro-Hungaria! rrnoftë Shqypnia! njaq qi mue   m’u lkund zemra prejë gzimit, kahë shifshe gazmendin e tyne per lirië e dashtnië per atdhee. N’e nesret dola neper gjytet, gjithkund m’raa me vuu n’oroë nji entuzjazm t’ vertetë per jetë t’ ree qi kaa zanë fill per ket popull, i cili mjeroj per 40 vjet  n’ robniët Malitzii. Por gzimi i em maa i madhi kje m’ atëherë, kur fati i bardhë  m’qiti me u ndeshë m’ Drejtorin e shkollës s’ gjytetit, Z.Kristo Peroviq, qi asht nji Shqyptaar prejë Boro Erizzo nget Zadret. Mas dishirit t’ em, z.Drejtori me nji herë m’ prini e m’ çoj me paa  shkollen, e u gzova në shpiirt, tujë u vertetue me syy t’ mii se msimi epej krejt n’ gjuhë shkype. Kush e kishte mendue para ksajë vjete, se n’ Ulqin mund do t’ vehej  kurr gjuha shqype per gjuhë msimi nder shkolla t’ Ulqinit!

Nuk ka dilemë se ky ishte një moment emocional, duke marrë parasysh se shkolla shqipe në Ulqin filloi punën me 1 shtator 1916. Ndërsa më pas shkruan se“ punë qi m’ raa  me paa e ndië n’ at shkollë, ndieva edhe kto vjerrsha prejë nji vajzet gjashtë vjeç, qujtun emnit Mahmude:

Zot i dashtun, qi per fmië,

Kee dishmue gjithmonë  dashtnië

Epna die e mend të holla

Qi t’ jetojëm si na mson shkolla.

 

Dhe në fund shkruhet se:Tujë ndië kta vjerrsha, thashë me vedi: masi ky fmië lutka Perendiën, qi me i dhanë die e mend per me jetue si mson shkolla, paa dyshim se, tujë këë qi  n’ Ulqin shkolla bahet shqyp, edhe ajo do t’ dalë shqyptare; pse n’ shkollë trajtohet karakteri i nierit. Per ket  arrsy, prap po tham se Shqyptarët e vertetë do t’ ja u dijnë per nderë ket perparim t’ shkollës të Ulqinit z.Majorit Kroboth e z. Dr. Kristo Pero, t’ cilit aq mirë i kan kuptue nevojët e vendit, edhe po dijnë me i vue si e lypë arrsyja.

”(Posta e Shqypnies”, nr.27, 10.3.1917)

Për hapjen  e shkollës në Plavë kemi një letër në  cilën thuhet:

 “Qe se edhe per ne erdh çasti qi aq fort patem pritë e dishrue. Neper kujdes t’ qeverisë s’ përgjithtë ushtarake, na kje çue edhe neeper msues shkollet nji shqyptaar i rii Z.S.Krstiq, i cili, me 30 t’ prillit, na çili shkollen. Se saa i madh kje, per ket rasë t’ bukur, gzimi  i  gjith katundit t’ onë, mujt  m’ u paa, maa mirë se kurr, m’ at nade n’t’ cillen u mush shkolla me njata fmi t’ cillet e kishin me detyrë-detyrë aq shejte,- me ndjekë msimet. Gzimi i jonë, porsi prind qi jena, kjeedhe fort maa i madh, kur ndime  msuesin se u nepte fmive  t’onë msim m’ t’amlen e t’ dashtunen gjuhen t’ onë gjuhen shqype. Fmiet e vogjel, por nder ta janë disaa edhe t’ rritun, shkojën në shkollë me gzim, si me gzim mundohena edhe na veë me i çue, sado qi  n’ kto kohë t’ ngushta kishin me mujtë me i shtii n’ punë, e me dobië t’ madhe, edhe tu shpia.

Për shkollë, per ket bekim shejt na perket t’ gjithve m’ u munduederi ku t’ mundena e m’ u shkrii, masi gm maa t’ madh nuk mujtem me ndie zemrat t’ona, se tujë paa qi fmiët t’ onë po kan rasë m’ u msue n’ gjuhë t’ parve  t’ onë.”(Posta e Shqypnies”, nr.52, 6.6.1917)

Në lidhje me  funksionimin e shkollave në Malësi të Madheshtypi kohës ne mes tjerash jep edhe ketë informacion:

“Kto shkolla shqyptare t’ Malciës s’ Madhe, si gjithkund njeti, janë myllë per  kta dy muej veer. Por para se me u myllë, Komandari  i Becirkut, Dr. Bugo Peternell, desht me u gjetë vetë nder sprovime, per me paa perparimin qi kishin baa fmia e shkollës s’ Tuzit e t’ Traboinit, e cila kjo vetem, kaa 50 zansa. Prejë  sprovimesh  u duk se fmia kishin perparue mirë fort nder kndime, njaq qi Berci komandanti met fort i kondenuem, e u pergzue me Famullitar t’ Traboinit, fort t’ Ndertin A. Luigj Bushatin, msuesin e asajë shkolle, si edhe me t’ Ndertin zotnië Msues t’ shkollës s’Tuzit-nji Shqyptaar prejë Borgo Erizzo nget Zaret-per kujdes qi kishin  pasë per msim  t’ fmivet. E na gzohëna n’ nji mndyrë t’ posaçme  me z. Becir komandantin qi aq interesë t’ madhe kaaa diftue er msim e gjytetnim t’ bijvet t’ komit t’ onë; pse si e diim, ky zotnië, per me baa qi fmia t’ ndjekin edhe maa me zell e cenë shkollen, per gjith ditë u kaa qitë buken e mjesditës tujë u diftue n’ ket mndyrë dyy herë bamirsi i tyne: per msim e zhdrivillim t’ mendes e per t’ majtiun t’ jetës”.(Posta e Shqypnies”, nr.57, 26.6.1917, f.4)

Gazeta “Posta e Shqypnies” njofton se më datën 8 qershor 1918, nxënësit e qytetit të Ulqinit dhanë provimet e fundit të vitit ku morën pjesë shumë zotërinj, zyrtarë, ushtarë e civila dhe shumë zonja të nderuara. Pas provimeve,  “Një kangë shqipe këndue nji zanit prej xansavet shqiptar, gzoj zemrat e gjithë atyre që dishrojnë përparimin e kombit shqiptar”(Posta e Shypnies, nr.53, 19.6.1918).

Bëhet më dije se në shumë raste në ceremonitë e mbylljes së vitit  shkollor merrnin pjesë komandantët e zonave  ku ishin shkollat. Komandatëti ushtarak i Malësisë së madhe, dr. Hugo Peternell pasi mori pjesë në provimet r zhvilluara në shkollat e Tuzit e Traboinit, mbet tepër i kënaqur se”kishin përparue mirë fort nëdr këndime”(Po aty, nr. 57, datë 23.6.1917).

  1. Ndërprerja e punës së shkollave shqipe

Me kapitullimin e Austro-Hungarisë ndërpritet puna e shkollave shqipe  në trojet shqiptare të administruara nga Mali i Zi si në Dinoshë, Priftën, Tuz, Arzë, Triesh, Ulqin, Ljare, Plavë, Guci, Vuthaj, Martinaj e Rozhajë.

Nga të dhënat e publikuara  në  lidhje me ketë periudhë kohore del qartë  se shkollën shqipe shqiptarët  e kanë mbeshtetur sepse ajo ishte risi sepse për të parën herë mësohej në gjuhën amtare, me përmbajtje e program mësimor, për historinë e gjeografinë dhe muzikën kombëtare. Pra ishte e kundërta që mësohej në gjuhën sllave-serbe, sepse aty mësohej vetëm për sllavet që ishin të huaja dhe të imponuara për shqiptarët.

Në një stuatë   të tillë mësuesit  e këtyre shkollave gëzonin autoritet të madh,  andaj kanë pasur mbeshtetje të madhe nga prindërit e nxënësve dhe popullata vendore.

Ndërsa pas vitit 1918 për shqiptarët e këtyre viseve vijnë kohëra të vështira, sepse vazhdon politika e pabarazisë paraktike ekonomike e shoqërore, përkatësisht ajo  asimiluese e sllavizuese, duke mos lejuar arsimimin në gjuhën shqipe. Ishte kjo koha e hegjemonizmit të  Mbretërisë serbo-kroate-sllovene, që më vonë quhet me emrin Jugosllavi, e cila zgjati deri në fillimin e Luftës së  Dytë Botërore(1941-1944), ku përseri  në këtë kohë okupatorët italian  i hapin shkollat më mësim në gjuhën shqipe, çështje kjo e cila meriton trajtim të veçantë.

6.Përfundim

Ndonëse në kushte të vështira shoqërore-ekonomike, pa mjete mësimore e tekste shkollore, pa infrastrukturë shkollore adekuate, ishte pasioni i mësuesve të cilët nuk kursyen asgjë për të arritur qellimin e misonit të tyre  që ishte arsimimi i shqiptarëve  duke iu mësuar për të parën herë  lexim e shkrim  në gjuhën shqipe.

Ne rrethana të tilla nuk ka dilemë së ishte dashuria e madhe për  gjuhën shqipe nga ana e  prindërve dhe nxënësve shqiptarë  që sfidoi rrethanat e kohës. Ndonëse këto shkolla punuan një kohë të shkurtër pa dyshim ishte ky një kontribut më vlerë  për arsimin e shqiptarëve dhe zgjimin e dashurisë për gjuhën shqipe, kulturën  dhe historinë e popullit shqiptar. Andaj koha e Austro-Hungarisë dhe e mësuesve të angazhuar në procesin mësimor në shkollat në gjuhën shqipe do të kujtohen përherë me admirim, sepse ata vuan gurthemelin e parë të mësimit në gjuhën e bukur shqipe, në viset shqiptare në Mal të Zi.

 

 

 

 

 

 

Literatura konsultuar:

1.Vehbi Hoti,Luigj Gurakuqi për shkollën shqipe dhe arsimin kombëtar, Botoi:”Camaj-Pipa”, Shkodër 2002

2.Prof. dr. Vehbi Hoti, Aspekte të zhvillimit të arsimit shqip në Ulqin dhe në trevat  e tjera në Mal të Zi në periudhën e Luftës së Parë Botërore, nëUlqini në rrjedhat e kohës, Botoi:ART CLUB, Ulqin 2000

  1. Dr.Palokë Berishaj,Shkollat dhe arsimi i shqiptarëve në Mal të Zi deri në vitin 1918, KOHA 5-6/1985
  2. Dr.Palokë Gj.Berishaj,Gjoni e Agroni në shërbim të arsimit dhe shkencës,Botoi:Shoqata Nikollë Ivanaj, Tuz 2003, f.62-62.
  3. Dr.Palokë Berisha,Zhvillimi i shkollës dhe arsimi i shqiptarëve në Mal të Zi prej vitit 1878-1988, Botoi: ART CLUB, Ulqin, 1997
  4. Gazeta“Posta e Shqypnies”,Shkodër (1916-1918)
  5. Elmaz B.Plava,Plava e Gucia në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare(Kujtime dhe dokumente historike),Botoi: Marin Barleti, Tiranë 2002
  6. Hasan I. Gjonbalaj,Paria e Krahinës së Plavës dhe Gucisë(1878-1945),Botoi:Drenusha, Prishtinë, 2009
  7. Nail Draga,Shqiptarët në Mal të Zi,Botoi: Art Club, Ulqin, 1994
  8. M.Sirdani,Për historinë kombëtare,Hylli i Dritës, nr.5, Shkodër, 1936
  9. Haxhi Lajçi,Shkolla në Dacaj dhe në Buxhov(Malësia e Rozhajës) 1943-2013, Rozhajë 2014
  10. Eleni Kocaqi, Si e krijoi Austro-Hungaria shtetin shqiptar,Botoi”Emal”, Tiranë, 2012

Filed Under: Opinion Tagged With: 1916-1918, Nail Draga, ne Mal te zi, ROLI I AUSTRO-HUNGARISË NË SHKOLLIMIN SHQIP

PROVOKIME POLICORE NDAJ FLAMURIT KOMBËTAR NË MAL TË ZI

December 20, 2018 by dgreca

Ngjarjet e ditëve të fundit në lidhje me pengimin e përdorimin e  flamurit kombëtar shqiptar të përkujtojnë kohët e kaluara, ku ndalohej simboli kombëtar  në sajë të një albanofobie e cila  po rikthet përseri  që është kundër barazisë qytetare dhe kombëtare të shqiptarëve dhe mos respektimit praktik të ligjeve që janë miratuar në  në Mal të Zi kur janë në pyetje popujt pakicë në këtë mjedis multinacional.

1 Nail Draga1a Flamuri

Shkruan: Dr. Nail  Draga/

Edhe pse me Kushtetutën e Malit të Zi neni 79 pika 2 si dhe me Ligjin  për përdorimin e simboleve kombëtare neni 1, 2 dhe 3, është i lejuar përdorimi i simbolit kombëtar të popujve pakicë në Mal të Zi, ditëve të fundit në praktikë është paraqitur një albanofobi, pikërisht nga ata që duhet të mbrojnë qytetarët nga provokimet e ndryshme kur janë në pyetje të drejtat qytetare dhe nacionale.

Dhe pikërisht në ditën e festës kombëtare të shqiptarëve me 28 nëntor në Ulqin, në vend që festa e shqiptarëve të ndërohej duke vendosur flamuj kombëtar në qytet sikurse vitëve të mëparshme, ndodhi një incident i papritur me një qytetar i cili është ndaluar nga policia lokale me argumentin se në makinën e tij ka  vendosur dy flamuj të vegjël kombëtar shqiptar. Arsyeja ishte se ai(S.V.)ka shpalosur flamurin e një shteti tjetër që është e ndaluar me ligj. Dhe personi në fjalë është procesuar  dhe dërguar të gjykatësi për kundërvajtje, ku pritet ti jepet vendimi i denimit. Ishte ky rasti i parë deri më tash ku ka vepruar policia, nga miratimi i ligjit për simbole kombëtare nga viti 2000.

Një lajm  i tillë për opinionin ishte befasi e papritur dhe e papranueshme,  por nuk vonoi shumë dhe diçka e tillë u njoftua nga Malësia(4.12.2018). Mediat njohtuan se në fshatin Milesh, qytetari  E.B. në kulmin e shtëpisë në ndërtim ka vendosur flamurin kombëtar shqiptar. Edhe ai është dërguar në polici, është procesuar si  dhe i është marrë flamuri kombëtar si mjet delikti. Pritet vendimi i gjykatësit për masen e denimit. Dhe një veprim i tillë nga policia arsyetohet me Ligjin për qetësi e rend publik, neni 23(Sl.list CG, nr.64/11). Kemi të bëjmë me një ligj i cili nuk është harmonizuar me Ligjin për përdorimin e simboleve kombëtare(Sl.list RCG,nr.55./00), që paraqet dobësinë  profesionale të hartuesve të tij, si dhe mos reagimin nga Ministria e drejtave të njeriut dhe të pakicave. Ndërsa duke pasur parasysh sindromin antishqiptar i trashëguar nga e kaluara  nuk kemi si të  mos  dyshojmë se  një veprim i tillë  është bërë me qellim, duke i dhënë mundësi urdhërdhënësit që policia të veproj në terren në mënyrë utilitare  sipas inercionit  sikurse ishte rasti  ditë më parë në Ulqin e Malësi.

Një rast i tillë të kujton vitin 1992, kur në Tuz   Rrok Dushaj në promovimin e  Lidhjes Liberale të Mal të Zi ka përdorur flamurin shqiptar dhe është denuar për kundërvajtje duke  paguar gjoben në vlerë prej 3000 dinarë.

Në rastin konkret policët janë më së paku fajtorë, por përgjegjësia kyesore bie mbi urdhërdhënësite tyre, të cilët në rastin konkret mbajnë përgjegjësi  për keqpërdorim të pozitës zyrtare ku ndaj tyre duhet të meren masa ndeshkuese, sepse veprimi i tyre është kundër barazisë qytetare e nacionale të pjesëtarëve të  shqiptarëve  në Mal të Zi.

Flamuri  kombëtar shqiptar dhe jo flamuri  i një  shteti tjetër

Edhe pse  për këtë rast ka  pasur  reagime nga disa subjektet politike shqiptare  e jo nga ata të ashtuquajtura qytetare, është konstatim i përgjithshëm se  rastet e tilla na rikthejnë në të kaluarën, në kohën kur flamuri kombëtar shqiptar ishte i ndaluar nga pushteti i kohës(1982-2000).  Arsyetimi policor  se kemi të bëjmë me simbolin e një shteti tjetër, është shpjegim demagogjik si në kohën e monizmit, duke harruar se jetojmë në pluralizëm. Një deklarim i tillë dëshmon  se   ata nuk kanë njohuri se është në funksion Ligji për përdorimin e  simbolëve kombëtare, dhe se nuk dallojnë simbolin kombëtar me ate shtetëror duke dëshmuar injorancën e tyre, sepse shqiptarët kudo që janë kanë një simbol kombëtar  pavarësisht së në cilët shtete jetojnë.

Kur shteti nuk nderon qytetarët e vet

Në një shtet demokratik qytetarët e tij janë të barabartë dhe si të tillë trajtohen nga institucionet shtetërore, jo vetëm me deklarata të rastit por me veprime konkrete duke zbatuar në praktikë barazinë qytetare dhe nacionale. Vetëm shtetet e pakonsoliduara dhe ato me paragjykime  nga e kaluara moniste janë me komplekse dhe e kanë të vështirë të jenë në hap me kohën dhe demokracinë europiane. Madje ka edhe të tillë të cilët nuk realizojnë në praktikë as ligjet të cilët i miratojnë vet si dhe standardët ndërkombëtare kur janë në pyetje mjediset multinacionale, ku në këtë aspekt as Mali i Zi  nuk bën përjashtim.

Veprimet e tilla policore, kur është ne pyetje simboli kombëtar nuk janë personale por ka të bëjë me të gjithë shqiptarët, andaj një veprim i tillë është goditje e të drejtave kolektive të shqiptarëve në Mal të Zi, që është në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe kundër barazisë qytetare dhe nacionale.

Nëse do të vazhdohet me këtë politikë diskriminuese  ndaj simbolit tonë kombëtar  nuk është çudi qe polici të ndalojë nëse do të hetojë   simbolin kombëtar shqiptar  në makinë, apo  në rroba e gjetiu që do të ishte skandal me regji shtetërore.

Mbetet të shohim se çfarë ndryshimi në këtë aspekt(neni 23) do të ketë Ligji për qetësi e rend publik, kur është në pyetje përdorimi i simbolëve kombëtare  për popujt pakicë në Mal të Zi, i cili bëhët me dije se do të jetë në procedur  parlamentare deri në fund të këtij viti.

(Dhjetor, 2018)

1 a Policia

(Fotokopje të vendimeve të denimeve ….)

Filed Under: Featured Tagged With: albanian flag, Flamuri shqiptar, Nail Draga, Provokimet e policise Malazeze

IDENTITETI I RREZIKUAR APO ASIMILIMI POLITIK

December 4, 2017 by dgreca

Diskursi politik/

Në sajë të rezultatëve të  zgjedhjeve  lokale për komunën e Tuzit që u mbajtën javën e fundit të nëntorit, del qartë se subjektet politike nacionale shqiptare nuk janë duke u mbeshtetur  nga votuesit shqiptar, nga del  se kemi të bëjmë me një çështje komplekse, ku  përveç  presionit permanent  nga  ana e pushtetit,  përkatësisht  nga partitë të ashtuquajtura qytetare, kemi të bëjmë me një proces i cili është duke ndikuar në zbehjen e identitetit  të subjekteve politike shqiptare me pasoja asimilimin politik të këtij mjedisi/

Nail_Draga

Nga Nail  Draga/

Ne prag të zgjedhjeve lokale në Tuz(26 nëntor 2017), mediat njoftuan se në mes subjekteve nacionale të shqiptarëve në Malësi(ASH,UDSH dhe LDSH), u arrit një marrëveshje e cila obligonte nënshkruesit për të qenë unik  në zgjedhje pra te dalin me  një listë të përbashkët. Por, duke ditur rrethanat për nënshkrimin e një marrëveshjeje të tilëë si dhe  animozitetet në mes subjekteve shqiptare nuk ishin të pakët ata qe dyshuan për një marrëveshtje në mes paleve nënshkruese. Dhe, ashtu si u dyshua, dy-tre ditë më pas, opinioni u informu se nuk  kemi të bëjmë me listë të përbashkët zgjedhore, por ajo mundësi ekziston pas zgjedhjeve.  Marrëveshja  filloi të mohohej pikërisht nga ata te cilët e kishin nënshkruar, nga del se kishim të benim me një akt jo të vullnetshëm, por ma tepër si akt mediatik se sa me seriozitetin  politik. Duke marrë parasysh përvojën e kaluar por edhe gjendjen aktuale del se ishin të kota përpjekjet e Tiranës për unifikim të spektrit politik shqiptar në Malësi. Nga një qendrim i tillë ne lidhje me ketë marrëveshje me drejt do të ishte të thuhet se janë marrë vesh për mos me u marrë vesh(!).

Mbeshtetje nga diaspora 

Edhe pse ishte një mbeshtetje aktive nga ana e diasporës shqiptare  me banim  në SHBA me origjinë nga Malësia që votuesit shqiptarë në Malësi të votojnë subjektet politike shqiptare rezultati i zgjedhjeve nuk ishte i favorshëm, sepse partia me e votuar doli ajo joshqiptare(DPS), e cila njëherit fitoi edhe numrin më të madh te mandatëve të këshiltarëve(15) për Komunën e Tuzit.Nga ana tjetër subjektët politike shqiptare(ASH,UDSH,LDSH) të cilat morën pjesë në zgjedhje veç e veç, fituan 12 mandate apo 37.5%, duke i  mundësuar të tjerëve të formojnë pushtetin lokal. Është çështje tjetër se a do të jetë pjesë e pushtetit lokal ndonjë subjekt nacional shqiptar, sepse shumica parlamentare lokale mund të formohet pa subjektet shqiptare.

Mundësi korigjimi  për malësorët në vitin 2018

Duke marrë parasysh se ne vitin 2018, qytetarët e Malësisë do të votojnë edhe dy herë tjera, votimi i 26 nëntorit 2017, ishte testi i parë i votuesve të Malësisë, andaj  ekziston mundësi reale për korigjimin e gjendjes ekzistuese.

Nuk ka dilemë se kjo çështje do të jetë në agjenden e analizave të subjekteve përkatëse, për të analizuar  çdo vendvotim, duke sjellur përfundime të qendrueshme  për veprim të metutjeshëm. Votimet ishin ata qe ishin, dhe duhet qenë realist e pranuar së qytetarët votuan  ashtu si kanë dëshiruar me vullnet të lirë  apo presion, duke anashkaluar subjektet nacionale dhe votuar  ato të ashtuquajtura qytetare në përqindje më të madhe. Për njohësit e rrethanave shoqërore dhe sociale në Malësi  një votim i tillë nuk ishte befasi  sepse pak kush ka shpresuar  se do të ndodhte ndonjë mrekulli. Një konstatim i tillë mbeshtetet në faktin se partia e pushtetit(DPS) në Malësi ka mbeshtetësit e vet tradicional vite më radhë, e trashëguar nga koha e monizmit.

Politika e pushtetit dhe identiteti i zbehur

Trajtimi i çështjeve që kanë të bëjnë me elektoratin votues në Malësi, nuk  dallon shumë nga viset tjera shqiptare, por duhet thënë se ky mjedis në aspektin politik është shumë  heterogjen, ku subjektet politike shqiptare e kanë të vështirë të jenë superiore ndaj subjekteve të tjera të ashtuquajtura qytetare.  Ndërsa politika perfide e pushtetit me metoda të ndryshme ka ndikuar në zbehjen e subjekteve politike shqiptare, nga del se subjektet malazeze apo si thuhet gjoja qytetare, kanë arritur këtu të kenë votues të tyre, duke dobësuar unitetin e elektoratit votues shqiptar. Po ashtu nuk përjashtohet mundësia qe mos koordinimi për gjetjen e një modusi për unifikimin e subjektëve politike shqiptare në një  fletë të përbashkët zgjedhore ka dekurajuar votuesit shqiptarë, duke vlerësuar situatën se kemi të bëjmë për interesa personale e grupimeve të ndryshme e jo ato kombëtare.  Ndërsa, nuk duhet përjashtuar as listat me  kandidatët e propozuar për këshilltarë, që nuk ka dilemë se kanë mundur të jenë më të pranueshme për votuesit. Në këtë gamë  nuk duhet përjashtuar edhe qasjën  lideriste e ataviste te disa përfaqësuesve të subjekteve politike, që ka  ndikuar  në dekurajimin  e elektoratit votues shqiptar.

Partitë qytetare dhe asimilimi politik i Malësisë

Duke i cilësuar këto zgjedhje lokale si historike, kemi pasur angazhimin permanent të pushtetit(DPS) përmes premtimeve të ndryshme dhe formave të tjera  të presionit, duke ndikuar në  elektoratin e Malësisë, në mënyrë identike si ne zgjedhjet e kaluara.Ishte ky një veprim perfid  i tyre si duket  për të përgatitur strukturën e re kadrovike për komunën e pavarur, për ta udhëhequr ne mandatin e ardhshëm.

Po ashtu ka vijuar propaganda e pushtetit duke favorizuar    konceptin qytetar të subjektëve politike si me e pranueshme në nivel shtetëror  e menjanuar ate nacional. Një veprim i tillë demagogjik i pushtetit nuk është i panjohur tek shqiptarët sepse kemi të bëjmë me një qasje te kordinuar me pasoja për këtë mjedis. Është pikërisht kjo qasje e pushtetit  qe ka ndikuar në zbehjën e identitetit politik të Malësisë, çështje kjo e cila ka filluar të marrë përmasa shqetësuese. Nëse nuk do të kemi  ndryshim sasior në të ardhmën, komunën e pavarur të Tuzit ka gjasa maksimale ta udhëheqin partitë nga korpusi qytetar, duke u menjanuar ata nacionale shqiptare. Nëse partive qytetare malazeze iu shtojmë edhe  ate boshnjake e cila këtu ka elektorat të konsiderueshëm është e qartë  se malësorët do të jenë të huaj në shtëpi të tyre. Janë këto plane të pushetit me strategji perfide  që quhet asimilim politik i Malësisë, duke rrezikuar identitetin kombëtar shqiptar në Malësisë.

Nuk ka dilemë se kemi të bëjmë me manipulim ordiner, sepse përfaqësuesit e subjekteve politike qytetare malazeze, nuk mund të jenë përfaqësuesit autentik të Malësisë, sepse të tillë mund të jenë vetëm  te zgjedhurit nga partitë nacionale shqiptare.

Dhjetor 2017

Filed Under: Politike Tagged With: APO ASIMILIMI POLITIK, IDENTITETI I RREZIKUAR, Nail Draga

POLITIZIMI I PAKICAVE KOMBËTARE NË SHQIPËRI

November 9, 2017 by dgreca

Diskursi politik/

Barometer tregues  i nivelit të demokracisë të çdo vendi  përveç të drejtave dhe lirive të njeriut është edhe  qasja e pushtetit  ndaj pakicave kombëtare, përkatësisht qendrimi i shumicës ndaj pakicës,  sipas standardëve ndërkombëtare. Në këtë aspekt në vendet e ish kampit socialist pas dështimit të këtij sistemi shoqëror është punuar vazhdimisht për aplikimin e standardëve demokratike europiane, për të eliminuar qasjen hegjemoste e cila ishte e pranishme dekada me radhë ne vendet  përkatëse.Ndërsa rasti i Shqipërisë është specifik, sepse kemi përcaktimin e pakicave kombëtare jo sipas kritereve të njohura por sipas diktatëve politike.

Nail_Draga

Nga Nail  Draga/

Gjatë muajit tetor  vlen të cekën dy ngjarje  më peshë  që kanë të bëjnë me Kuvendin e Shqipërisë. E para ishte një ceremoni   përkujtimore me rastin e 70 vjetorit të ekzekutimit të 16 deputetëve në vitin 1947, nga ana e diktaturës komuniste,  ndërsa  e dyta ka të bëjë me miratimin e projektligjit   për pakicat kombëtare.

Pra, kemi të bëjmë me një projektligj i cili definon dhe legalizon pakicat kombëtare  në Shqipëri  sipas standardëve ndërkombëtare. Trajtimi i kësaj çështjeje nuk është i panjohur për opinionin e gjerë, por të gjithë jemi dëshmitarë se edhe numri i pakicave kombëtare është politizuar sikurse edhe veprimtaritë tjera shoqërore. Eshtë çështje tjetër sa është real numri i përgjithshëm dhe shtrirja territoriale e tyre, sepse vazhdimisht ka spekulime. Nga të dhënat e ndryshme arkivore dhe historike dihet se  në hapësiren  etnogjeografike shqiptare në të kaluarën janë vendosur pjesëtarë të popujve  të ndryshëm,  për motive kryesisht sociale, të cilët kanë punuar në pronat e shqiptarëve. Cekim me ketë rast pjesëtarët e pakicës greke  në Dropull, apo ate malazeze(sllave) në Vrakë mbi Shkodër, të cilët  vazhduan të qendrojnë aty  së bashku me popullsinë shqiptare, duke marrë statusin e qytetarëve të Shqipërisë.Dhe janë pikërisht këto dy pakica kombëtare të cilat janë pranuar  në Lidhjen e Kombëve në vitin 1921, të propozuar nga qeveria shqiptare. Ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore, statusin e pakicës kombëtare e fituan edhe pjesëtarë të popujve të tjerë,  duke u bazuar qoftë në aspektin etnik, gjuhësor apo kulturor.

Bëhët me dije se në fillim të tetorit në Komisionin e Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, me votat e të gjitha palëve është pranuar kërkesa e shoqatave bullgare  për t‘iu shtuar listës së minoriteteve në Shqipëri edhe  pakicën e tyre. Ishte kjo një risi sepse deri më tash zyrtarisht në Shqipëri nuk njihej pakica bullgare, edhe pse një qasje e tillë spekulohej nga mediat e ndryshme. Madje cekëj se shqiptarët janë deklaruar si bullgarë, duke marrë pasaportat e Bullgarisë, për të përfituar nga antarësimi i këtij vendi në Bashkimin Europian.Eshtë pikërisht gjendja e pavolitshme ekonomike, që i ka detyruar shqiptarët të emigrojnë nga vendi i tyre, duke marrë pasaportat e vendeve të tjera, për t‘iu mundësuar qarkullimin pa pengesa në Bashkimin Europian. Dhe pikërisht  në mbledhjen e Kuvendit të Shqipërisë të mbajtur me 13 tetor 2017, u miratu projekt ligji për pakicat kombëtare, me 102  vota për, 10 kundër dhe 1 abstenim ka njoftuar ATSH.

Shqipëria vend specifik për pakicat

Para se te miratohej në Kuvend një projektligj i tillë qarkullonin informata te ndryshme në media se Shqipëria po bëhet vend specifik, me vet faktin se deri më tash janë të njohura ligjërisht tetë pakica kombëtare, të cilat janë: pakica kombëtare greke, malazeze, maqedonase,  vllehe/aromune, rome, egjiptiane, boshnjake, serbe. Dhe këti numri i shtohen edhe bullgarët, duke e rritur në nëntë numrin e pakicave kombëtare.

Më të drejt bëhët pyetja se cilat janë kriteret që një bashkësi komunitare të marrë statusin e pakicës kombëtare. Dhe a janë konsultuar institucionet shkencore apo subjekte të tjera relevante që njohin çështje të tilla. Më sa jemi në dijeni nuk ka ekzistuar  ndonjë qasje shkencore apo profesionale në lidhje me këtë çështje, por ka dominuar ajo  politike, nga del se kemi të bëjmë me politizimin e pakicave kombëtare. Një veprim i tillë nga Qeveria e Shqipërisë nuk është për të çuditur sepse nuk ka veprimtari e cila nuk ka marrë përmasat e politizimit, dukuri kjo e cila do të ketë pasoja në të ardhmen.

Por, sipas informacioneve del se në lidhje me minoritetin bullgar në Shqipëri, ka ekzistuar edhe një letër nga disa deputetë europarlamentar, por gjithashtu edhe kërkesë nga qeveria bullgare për njohjen e pakicës bullgare në Shqipëri.  Dhe nga një presion i tillë u dorëzua fillimisht qeveria shqiptare, e më pas  deputetët me shumicë absolute të votave e votuan një projektligj të tillë.

Dhe pas një votimi të tillë pati reagime të ndryshme në vend dhe jashtë, ku duhet veçuar ate nga  diplomacia bullgare qe e ka cilësuar si fitore të saj, sepse është arritur objektivi pas 104 viteve. Eshtë çështje tjetër ana praktike, se sa është real numri i bullgarëve në Shqipëri, dhe si do të jetë qasja e popullsisë sllave maqedonase në të ardhmën, duke e ditur se deri më tash pakica bullgare nuk ka qenë e legalizuar. Në sajë të gjendjes së pavolitshme ekonomike, qytetarët e Shqipërisë kanë emigruar më të madhe në këtë periudhë të tranzicionit, ku madje cekët se në emigracion janë rreth 1.2 milion shqiptarë. Në këtë valë të emigrimit, nuk ka dilemë se një numër i konsideruar i qytetarëve  shqiptarë kanë marrë pasaporta të vendeve të ndryshme, ku përjashtim nuk bën as Bullgaria. Pikërisht ky ishte edhe motivi i angazhimit konkret i qeverisë bullgare  për njohjen e pakicës bullgare në  Shqipëri. Bëhët më dije së qytetarë nga krahina e Gollobërdës, Gora e madje edhe nga Kukësi janë pajisur me pasaporta bullgare. Eshtë çështje tjetër se si do të jetë në të ardhmën deklarimi i maqedonasve, apo edhe ata do të joshën me pasaporta bullgare, duke e ditur se Bullgaria ka përparësi për lëvizje të qytetarëve si pjesëtare e Bashkimit Europian.Një veprim i tillë nuk duhet të jetë befasi duke ditur faktin se një numër i konsideruar i qytetarëve të Maqedonisë të deklaruar me kombësi maqedonase janë pajisur me pasaporta bullgare, nga del se si të tillë janë edhe nga aspekti kombëtar.Nuk dihet saktësisht se sa ishte ai numër por bëhej më dije  se ishin disa dhjetëra mijëra, që ishte shkak   qe ndikoj  të anulohet edhe regjistrimi i popullsisë në Maqedoni në vitin 2011.Ishte ky një veprim i imponuar për të eliminuar  realitetin e strukturës  kombëtare të popullsisë në Maqedoni.

Diversiteti kulturor i pakicave

Një numër i tillë pakicash kombëtare  paraqet një diversitet kulturor dhe nuk duhet të paraqesë ndonjë shqetësim sepse paraqesin    një përqindje të vogël në kuadër të popullsisë së përgjithshme të Shqipërisë, edhe pse përfaqësuesit e tyre japin shifra joreale, që nuk ia vlen të komentohen.  Shqipëria si më herët edhe tash është vendi më homogjen në aspektin kombëtar të popullsisë,  si rrallë ndonjë vend  tjetër në Europë. Pakicat kombëtare me një të kaluar të konsiderueshme  janë bërë qytetarë të Shqipërisë  pa harruar origjinën e tyre  dhe kanë dhënë kontributin  në zhvillimin e përgjithshëm shoqëror si në të kaluarën dhe në ditët tona.

Kriteret e jo vendimet  politike

Pa mohuar të drejtën elementare të çdo individi që të deklarohet në aspektin kombëtar ashtu si e ndien vetën, për legalizimin  e pakicave të ndryshme kombëtare duhet  patjetër të  respektohen kriteret përkatëse e jo të merren  parasysh vendimet  politike. Nëse në të ardhmën do të vendosë politika si ishte rasti me pakicën bullgare, nuk përjashtohet mundësia që numri i pakicave kombëtare në Shqipëri të jetë në rritje. Sepse nuk do të jetë befasi që ndonjë grup të deklarohet  fjala vjen si  italian apo turq dhe të paraqesë për legalizim një kerkesë të tillë. Sepse nëse  iu është mundësuar bullgarëve të jenë pakicë kombëtare, një dukuri e tillë për të tjerët nuk do të jetë  përjashtim, nëse politika nuk vendosë ndryshe.

(Nëntor, 2017)

Filed Under: Analiza Tagged With: Nail Draga, ne Shqiperi, POLITIZIMI I PAKICAVE KOMBËTARE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT