• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vitet e reja wilsoniane për shqiptarët

December 12, 2023 by s p

Ndriçim Kulla/

1999 dhe 2008-vite wilsoniane: çlirimi i Kosovës, fushata e pestë e ndihmës humanitare, pavarësia e Kosovës, pranimi i Shqipërisë në NATO.

Në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane ka disa vite që meritojnë të quhen “vite Wilsoniane”, sipas vitit 1920, kur Wilsoni u bë shpëtimtari i shtetit shqiptar. Një vit i tillë Ëilsonian është viti 1999, i çlirimit të Kosovës, ku SHBA kishte rolin kryesor, si dhe viti 2008, që mund të quhet dyfish Ëilsonian, për arsye se në këtë vit me mbështetjen e SHBA u shpall pavarësia e Kosovës, që përsëri me mbështetjen e SHBA u njoh menjëherë nga SHBA dhe shumë vende të botës duke përfshirë pjesën më të madhe të vendeve të NATO-s dhe Bashkimit Europian. Në të njëjtin vit, në Samitin e NATO-s në Bukuresht, Shqipëria mori ftesën për t’ u bërë vend anëtar i NATO-s.

Kosova përbënte shqetësimin kryesor të SHBA në marrëdhëniet amerikano-shqiptare, që kur nisën luftërat në ish-Jugosllavi. Fred C. Abrahams në librin e tij për Shqipërinë postkomuniste thotë për periudhën pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA në 1991:

Çështja kyçe për Uashingtonin dhe ideja kryesore që drejtonte politikat e tij për dhjetë vjetët e ardhshëm nuk ishte Shqipëria si shtet por shqiptarët në Ballkan.

Në fakt Kosova kishte qenë pikënisja e krizës që çoi në shpërbërjen e Jugosllavisë. Ambasadori amerikan në Jugosllavi, në vitet 1989-1992, Ëarren Zimmerman, domethënë në periudhën para dhe në fillimet e luftës në Jugosllavi, thotë në kujtimet e tij:

Kur erdha në Beograd në fillim të vitit 1989, të gjithë kishin në mendje Kosovën.

Zimmerman kishte në të kaluarën e tij diçka që e bënte të ishte i papëlqyer për serbët. Ishte fjala për kohën kur Zimmerman kishte kryesuar një delegacion amerikan në KSBE (sot OSBE), që kishte punuar fort për të arritur një rezulotë që serbët e shikonin si një mjet për të ndërhyrë në Kosovë. Zimmerman thotë për këtë çështje të së kaluarës së tij:

Vetëm pak muaj më parë mbledhja e radhës e Konferencës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin Evropian (sot OSBE- N.K.), pas dy vjet negociatash kushtuar të drejtave të njeriut dhe kontrollit të armëve duke përfshirë shtetet e Europës dhe të Amerikës së Veriut, kishte përfunduar me një dokument që riafirmonte se trajtimi i qytetarëve të vet nga një qeveri ishte një subject i ligjshëm për t’ iu nënshtruar shqyrtimit ndërkombëtar.

Sipas kësaj rezolute KSBE mund të ndërhynte edhe në Kosovë, gjë që kuptohet se serbët nuk e donin aspak. Kjo rezolutë e miratuar me nismën dhe mbështetjen amerikane, tregonte se me sa largpamësi e kishin përgatitur amerikanët ndërhyrjen e mëvonshme në Kosovë, për çlirimin e saj nga Serbia. Në sajë të kësaj rezolute u mundësia vajtja në Kosovë në 1998 e misionit verifikues të OSBE, të kryesuar nga ambasadori Ëilliam Ëalker, përfaqësues i SHBA, i cili evidentoi provat e masakrave serbe ndaj shqiptarëve në rastin e Raçakut, që u bë shkak direct për Konferencën e Rambouillet, ku pas refuzimit të serbëve për të nënshkruar dokumentin e saj, NATO mund të niste bombardimin e Serbisë. Dhe tani (1989), Zimmerman, njeriu me emrin e të cilit ishte e lidhur kjo rezolutë, nga pozita e ambasadorit amerikan në Beograd, fliste për Kosovën atje, në bazë të kësaj rezolute:

Vërejtja ime për zyrtarët jugosllavë ishte që, nëse Jugosllavia dëshironte të vijonte marrëdhëniet e saj të ngushta me Shtetet e Bashkuara, ajo duhet t’ u vinte fre shkeljeve të të drejtave të njeriut në Kosovë. I mbetej Jugosllavisë të vendoste se cfarë do të zgjidhte.

Rezolutën e mësipërme e kishte inicuar dhe mbështetur Administrata republikane e viteve ’80 në Shtëpinë e Bardhë, por atë e shfrytëzoi me shumë efektivitet Administrata demokrate e Clintonit. Kështu u vërtetua edhe një herë ai fenomen, i vënë re akoma më tepër me fillimin e luftërave në Jugosllavi se kishte një vazhdimësi në qëndrimin për mbrojtjen e Kosovës të administratave republikane dhe demokrate në Shtëpinë e Bardhë. Këtë gjë më mirë e tregon ish-Sekretarja e Departamentit të Shtetit në kohën e luftës së Kosovës, Madeleine Albright, që shkruan në kujtimet e saj:

Administrata e Bush-it të Vjetrit, e cila në përgjithësi kishte qenë pasive në Ballkan, vendosi të bënte një hap të guximshëm teksa po bëhej gati të linte pushtetin. Ditën e Krishtlindjeve të vitit 1992 diplomatët e Shteteve të Bashkuara e njoftuan Millosheviçin se Shtetet e Bashkuara do të kundërpërgjigjeshin ushtarakisht, nëse serbët do të fillonin një konflikt të armatosur në Kosovë. Tri javë pas ardhjes në pushtet të Presidentit Clinton më 1993, Sekretari i Shtetit Christopher e theksoi sërish “paralajmërimin e Krishtlindjeve”.

Nëqoftëse amerikanët mund të kishin ndonjë dyshim për pretendimet e shqiptarëve se dhuna serbe ndaj tyre kishte si objektiv final gjenocidin total ndaj shqiptarëve të Kosovës, këtë ua hoqi vetë Milosheviçi, i cili në bisedë me Komandantin e NATO-s në Europë, gjeneralin amerikan Ëesley Clark, ia pohoi vetë këtë gjë. Clark e tregon kështu një bisedë me Milosheviçin në Beograd, në 1998:

Milosheviqi solli “Brandy” për vetë, për Milutinoviqin, për Naumannin dhe për mua, dhe për herë të parë, iu bashkova atij. Tash, ai i gjasonte një filozofi, në momentin kur filloi të diskutojë rreth së ardhmes ekonomike të Serbisë. Më pas, sikur të kishte dalë ndonjë tren nga binarët, ai me shpejtësi ndërroi temë.

“Ju e dini general Klark, që ne e dimë se si duhet t’ i qërojmë hesapet me shqiptarët, me këta vrasës, me këta dhunues, me këta vrasës të fëmijëve të tyre. Përpara, ne jemi kujdesur për ta.”

Fytyra e tij u skuq dhe zëri i tij fitoi ashpërsi, në momentin kur i dënonte ata. Ishte ky ndonjë paragraph jashtë ndonjë kumtese publike, mendova unë.

“Në Drenicë më 1946 ne i kemi vrarë ata. I kemi vrarë që të gjithë!” Naumanni dhe unë e shikonim me kureshtje.

Ai, sipas gjasave kishte menduar se ne nuk i kishim besuar, kështu që filloi t’ i kualifikojë të arriturat. “Oh, na janë nevojitur disa vite, por ne, në fund, i vramë që të gjithë!” Ishte i vetkënaqur, i lumtur dhe shikonte sikur të priste aprovimin tonë.

Ne ishim të tronditur nga shfrimi i tij. “Zoti president, ne madje as që ishim duke diskutuar rreth kosovarëve, ne po bisedonim rreth zhvillimit ekonomik të Serbisë!” Po ne e denim, atëherë dhe aty, se gjasat janë tejet të vogla që e gjithë kjo krizë të përfundojë në mënyrë paqësore.

Në një çast sinqeriteti që me sa duket i vinte nga dehja me alkool, Milosheviçi po zbulonte se plani i tij nuk kishte të bënte vetëm me asgjësimin e atyre që i quante terroristë shqiptarë në Kosovë, por me asgjësimin e shqiptarëve të Kosovës si popull. Ishte ai që njihet si Plani “Patkoi” për spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës. Milosheviçi fliste për planin e tij sikur të kërkonte miratimin e amerikanëve, lejen e tyre për ta zbatuar atë. Që nga ky çast amerikanët e kishin të qartë se për çfarë bëhej fjalë në Kosovë. Nëqoftëse Milosheviçi i kishte fshehur gjurmët e tij në Bosnjë-Herzegovinë, duke arritur të luante rolin e faktorit të paqes në Konferencën e Daytonit, në Kosovë po e zbulonte veten si ideatorin dhe urdhëruesin e genocidit. Tanimë amerikanët e dinin Milosheviçi përbënte një sfidë të ngjashme me atë të Hitlerit. Sekretarja e Departamentit të Shtetit Albright, duhet të ketë qenë me siguri e informuar nga Clarku për këto mendime që shfaqi Milosheviçi, kur në një nga mbledhjet ndërkombëtare për Kosovën para fillimit të bombardimeve, ajo mbajti këtë qëndrim që tregon në kujtimet e saj:

Debati u nxeh dhe ndërsa dëgjoja, zhgarravitja e zemëruar në bllokun e shënimeve. Kisha ardhur në mbledhje e përgatitur t’ i parashtroja qartazi pikëpamjet e mia të papërkulura, kështu që isha e vendosur të mos e tradhtoja besimin e atyre që prisnin që Amerika të merrte situatën në dorë. Në një çast Jamie Rubin-i, që zakonisht ishte mjaft luftarak, më tha të bëja kompromis për një propozim të caktuar. Ia ngula sytë gjithë inat dhe i thashë: “Jamie, mos mendon se jemi në Mynih?”

Kosova nuk do të lihej në duart e Milosheviçit, si Çekosllovakia në ato të Hitlerit në 1938. Amerikanët ishin të vendosur për këtë gjë por Milosheviçi nuk e besonte këtë gjë. Ai nuk besonte se popull amerikan do ta kuptonte këtë vendim të Clintonit dhe Albrightit dhe se këta, edhe nëqoftëse do ta nisnin bombardimin e Serbisë, do të ishin të detyruar ta ndërprisnin pas pak ditësh për shkak të reagimit të opinionit public. Milosheviçi mendonte se Clintoni dhe Albrighti nuk do të ishin në gjendje që ta shpjegonin në mënyrë bindëse popullit amerikan vendimin e tyre pëe bombardimin e Serbisë, një vendi që kishte qenë aleat i Amerikës në dy luftra botërore. Por Milosheviçi nuk kishte kuptuar natyrën prej misionari të popullit amerikan, që reagoi ndryshe nga ç’ kishte pritur ai. Bill Clinton thotë në kujtimet e tij për ditën kur nisi fushata e bombardimeve e NATO-s kundër Serbisë:

Në 24 mars unë i fola popullit amerikan për atë që ishim duke bërë dhe pse po e bënim këtë. Unë u shpreha që Millosheviçi i kishte zhveshur kosovarët nga autonomia e tyre, duke iu mohuar atyre të drejtat e garantuara nga Kushtetuta për të folur gjuhën e tyre, për të patur shkollën e tyre, dhe qeverisur vetveten. Unë përshkrova krimet serbe: vrasjen e civilëve, djegien e fshatrave, dhe dëbimin e njerëzve nga shtëpitë e tyre, gjashtëdhjetë mijë në pesë javët e fundit , një çerek milioni gjithsej. (Bill Clinton e ka fjalën deri në 24 mars 1999- N. K.) Përfundimisht unë i vendosa ngjarjet e fundit në kontekstin e luftrave që Millosheviçi kishte bërë kundër Bosnjës dhe Kroacisë dhe pasojat destructive të vrasjeve të tij në të ardhmen e Europës.

Milosheviçi gjithashtu, mendonte se NATO do të përçahej dhe vendet europiane të saj nuk do ta pranonin vullnetin amerikan për të bombarduar kryeqytetin e një vendi europian. Amerikanët, edhe nëqoftëse do t’ i nisnin bombardimet mendonte ai, pas disa ditësh do të mbeteshin të vetëm në këtë luftë, dhe do të detyroheshin të tërhiqeshin me turp. Por Milosheviçi gaboi edhe këtu. Aleanca atlantike e ruajti kompaktësinë deri në fund të fushatës, deri në dorëzimin e Milosheviçit. Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë në atë periudhë Joschka Fischer në kujtimet e tij tregon edhe këtë ngjarje:

Unë u thashë kolegëve të mi se gjatë kohëzgjatjes së luftës, revista amerikane “Time” kishte publikuar një artikull tejet kritik, me titull: “Lufta e Medeleinit”. (fjala është për Sekretaren e Departamentit të Shtetit Meadelein Albright- N. K.) “Mirë, vazhdova unë, nëse kjo ka qenë lufta e Madeleinit, atëherë kjo sot është paqja e Madeleinit.”

Amerika e kishte udhëhequr Europën në të parën luftë humanitare në botë, dhe kjo luftë ishte bërë për Kosovën. Mironjohja e shqiptarëve të Kosovës dhe e shqiptarëve në përgjithësi, për Amerikën ishte e pakufishme. Komandanti i NATO-s në Europë, Gjenerali Ëesley Clark, i cili udhëhoqi fushatën e NATO-s, thotë për vizitën e tij në Kosovë, pas hyrjes së trupave të NATO-s atje:

Më 24 qershor, Javier Solana dhe unë, shkuam së bashku në Prishtinë. Për dallim nga propaganda e mëhershme serbe, kryeqyteti i Kosovës ishte dëmtuar pak nga fushata ajrore- vetëm disa goditje precise kundër objekteve ushtarake dhe policore serbe. Kishte gëzim nëpër rrugë atë ditë, në momentin kur Solana dhe unë u rrethuam nga turma e ithtarëve të entusiazmuar. Deri në atë moment nuk ia kisha lejuar vetes të ndjeja efektin e asaj që kishte arritur NATO-ja. Por, tash kjo ishte e pamohueshme. Operacioni “Allied Force” ishte një fitore për këta shqiptarë, të cilët ishin keqtrajtuar, ishin sulmuar dhe, së fundi, ishin dëbuar me qindra mija nga shtëpitë e tyre dhe nga vendi i tyre. Thjesht kjo ishte më shumë se vetëm një fitore për NATO-n. Kjo ishte një fitore personale për të gjithë ne, që punuam për të tërhequr vëmendjen për planet e Millosheviçit për Kosovën dhe që luftuam për të ndalë dhe, në fund, për të kthyer mbrapsht spastrimet etnike.

Presidenti Bill Clinton fitoi një vend pranë Wilsonit në “Malin Rushmor” shqiptar të mirënjohjes për Amerikën. Paralel me luftën për çlirimin e Kosovës, Amerika në 1999 udhëhoqi edhe një nga fushatat më të mëdha të ndihmës humanitare në histori, atë për strehimin ushqimin dhe kujdesin shëndetësor për popullsinë shqiptare të dëbuar nga Kosova, që kryesisht erdhi në Shqipëri dhe Maqedoni. Më shumë se një milion shqiptarë të Kosovës u dëbuan me dhunë nga vendi i tyre. Solidariteti i popullit dhe shtetit shqiptar, si dhe i vëllezërve të tyre në Maqedoni ishte i madh, por burimet e tyre ishin fare të pamjaftueshme për të përballuar një emergjencë të tillë humanitare. Mediat ndërkombëtare, veçanërisht ato amerikane, sensibilizuan botën për këtë emergjencë humanitare dhe nga të gjitha anët, në radhë të parë nga Amerika erdhën shumë organizata humanitare për të marrë në dorë situatën. Promotorri i angazhimit të organizatave ndërkombëtare të ndihmës humanitare ishin gjithashtu amerikanët. Vetë qeveria amerikane mori pjesë në këtë fushatë humanitare me organizmat e saj të këtij lloji. Kjo ishte fushata e pestë amerikane e ndihmës humanitare që zhvillohej gjatë shekullit XX. Në sajë të kësaj fushate nuk pati vdekje masive te refugjatët shqiptarë të luftës të ikur nga Kosova, siç ndodh në botë me popullsitë e zhvendosura në mënyrë të dhunshme, dhe që pësojnë shumë vdekje nga uria dhe sëmundjet. Amerikanët e prishën edhe llogarinë e Milosheviçit se popullsia shqiptare e zhvendosur nga Kosova do të vdiste masivisht në Shqipëri dhe në Maqedoni.

Përveç Clintonit, një tjetër vend në “Malin Rushmor” të mirënjohjes shqiptare për Amerikën e fitoi Presidenti Bush i Riu, i cili në qershor 2007 u bë i pari president amerikan që vizitoi Shqipërinë dhe që nga Tirana shpalli dy lajme të mira për kombin shqiptar: Se pavarësia e Kosovës nuk mund të vonohej më, dhe se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO do të ishte një gjë e shpejtë. Nëqoftëse babai i tij, Presidenti Bush i Vjetri hoqi një “vijë të kuqe” në hapësirë, për Kosovën, me paralajmërimin e tij ndaj Serbisë që të mos e zgjeronte luftën në Kosovë, Bush biri në 2008 hoqi një vijë të kuqe në kohë, sa i përket statusit të Kosovës, duke paralamëruar pavarësinë e saj të shpejtë.

Të dy këto gjëra do të ndodhnin në vitin në vazhdim, që do të ishte viti i fundit i Bushit të Ri në pushtet, dhe ndodhën pa u mbushur një vit nga vizita e tij në Tiranë. Në përvjetorin e vizitës së tij në Shqipëri Kosova kishte shpallur pavarësinë dhe ishte njohur nga shumë shtete, dhe Shqipëria kishte marrë ftesën për t’ u anëtarësuar në NATO. Me këtë u bë realitet ëndrra e vjetër e shqiptarëve, që nga koha e Rilindjes Kombëtare, që Shqipëria të ishte nën diellin që lindte nga Perëndimi, sic thoshte Naim Frashëri. 2008 u bë kështu një tjetër vit gurthemeli në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.

Marrëdhëniet speciale shqiptaro-amerikane u konfirmuan kur në 2012, me rastin e 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar, Sekretarja e Departamentit të Shtetit Hillary Clinton nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, iu tha shqiptarëve fjalinë historike: “SHBA kanë qëndruar me ju për 100 vjetët e parë të pavarësisë dhe do të vazhdojmë te jemi me ju edhe në 100 vjetët e ardhshëm!”

Këto fjalë u pritën me duartrokitje të zgjatura nga deputetët e të gjitha krahëve të parlamentit. Pas 100 vjetësh, një tjetër Sekretar i Departamentit të Shtetit do të thotë në Tiranë: “SHBA kanë qëndruar me ju për 200 vjetët e parë të pavarësisë dhe do të vazhdojmë te jemi me ju edhe në 200 vjetët e ardhshëm!”

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Ndricim Kulla

Një dialog i frikshëm hetuesie për Oswald Splengerin në kohën e diktaturës

August 12, 2023 by s p

Ndriçim Kulla/

Subjekti i këtij libri të shkruar nga unë dhe të botuar nga Plejad 2022 është një histori reale tepër interesant nga koha e diktaturës. Oswald Splengeri një filozof dhe historian I madh gjerman me përmasa të shquara botërore është autor i librit “Rënia e Perëndimit” të cilin Plejad e botoi para dy vitesh.

Gjurmët e interest tim për të mësuar më shumë mbi idetë e debatuara të këtij libri të ndaluar u bënë objekt i një hetimi të frikshëm nga hetuesia e regjimit ku edhe sot pyes veten si kam shpëtuar nga akuza dhe dënimi? Ndoshta se bëhet fjalë edhe për fundin e viteve 80-të dhe diktaturës kishin filluar ti binin dhëmbët , por ndoshta dhe aftësia edhe qetësia ime që e shmanga me pak “pelivanllëk “këtë incident.Sidoqoftë kjo më ka motivuar shumë që unë të botoja dhe librin e madhme fame botërore për lexuesin shqiptar” Rënia e Perëndimit”.

Tre hetuesit më ngjanin si tre demonë të dalë nga faqet e “Ferrit” të Dante-s dhe që përdornin katër pikëpyetjet si çengela për të më varur kokëposhtë në flakët e ferrit që më dukej se hapeshin diku mes meje dhe atyre. Gojët e tyre pyesnin parreshtur për pikëpyetjet dhe mua më dukej se kravatat e tyre që ishin poshtë gojës, ishin si litarë në të cilët ishin të lidhur çengelët.

– Interesante kjo që ti punëtor miniere merresh edhe me kërkime filozofike, – më tha ai që dukej si kryesori nga tre hetuesët që më morën në pyetje.

(Demoni i parë)

– Më pëlqen të lexoj filozofi, dhe në përgjithësi mbaj shënime për leximet e mia, me përshtypjet e mia modeste, nuk merrem me kërkime, kjo është fjalë e madhe. – I ktheva përgjigje unë dhe në çastin e fundit e përmbajta veten që të mos e korrigjoja duke i thënë se Spengler-i ishte historian më tepër se filozof. Por pastaj me siguri që do të më thoshin se ku e dija unë këtë gjë, a e kisha lexuar Spengler-in, si e kisha gjetur etj.

Demoni i dytë më tha:

– Që të pëlqen filozofia dhe lexon libra filozofikë mirë bën se partia jonë kërkon që edhe punëtorët të lexojnë sa më shumë. Është e vërtetë se ka libra të vështirë dhe të lehtë, dhe ky është një libër i vështirë, por ti duket se ke dëshirë të zhbirilosh dhe kjo duket edhe nga pikëpyetjet që ke vënë. Pikëpyetja vihet atje ku ai që lexon nuk është i bindur apo nuk është.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Ndricim Kulla

Në qoftë se do mungosh me votën tënde në 14 maj do jesh njeri pa mbrojtje

May 11, 2023 by s p

Ndriçim Kulla/

Në qoftë se do mungosh me votën tënde ditën e votimeve duhet ta dish se Abraham Lincoln ka thënë: “Zgjedhjet i përkasin popullit. Është vendimi i tij. Nëse ata vendosin t’i kthejnë shpinën zjarrit dhe të djegim të pasmet e tyre, atëherë atyre do t’u duhet që të rrinë ulur mbi flluskat e lëkurës së tyre”. Lincoln ka folur akoma më tepër me një gjuhë të kuptueshme për masat e gjëra të votuesve. A nuk duket se ai ka folur për votëshitësit shqiptarë të kohës së sotme? Sipas kësaj që thotë Lincoln, del se ti i dashur votëshitës do ta përdorësh votën tënde si një pishtar të ndezur për të djegur veten nga prapa, dhe do të duhet që në katër vjetët e ardhshëm të ulesh mbi plagët që i ke shkaktuar vetes, duke duruar dhimbjen e madhe. Kur ta djegësh votën tënde duhet ta dish se ish-presidenti amerikan, Lindon B. Johnson ka thënë: “Një njeri pa votë, është një njeri pa mbrojtje”. Këtë që thotë Johnson, ti i dashur votëshitës ndoshta e ke më të vështirë ta kuptosh se sentencat e para. Por sipas kësaj që thotë Johnson, munguar ia ke dhënë mbrojtjen tënde atij që do ta përdorë pushtetin për qejfet e tij.
Kur ta humbësh votën tënde duhet ta dish se një tjetër ish-president i famshëm amerikan, Franklin D. Roosevelt ka thënë: “Askush nuk do të mund ta privojë kurrë popullin amerikan nga e drejta e votës, përveç vetë popullit amerikan, dhe mënyra se si mund ta bëjë këtë është duke mos votuar”. Kjo shprehje duket se është një përmbledhje e të gjitha sentencave të mësipërme, të thëna nga paraardhësit dhe pasardhësit e Franklin D. Roosevelt. Domethënë se populli amerikan duke mos dashur të bëjë vetëvrasje ditën e zgjedhjeve, as të djegë të pasmet në zjarrin që do të ketë ndezur vetë, as të mbetet pa mbrojtje, nuk e fal për asgjë në botë të drejtën e votës dhe ushtrimin e lirë e të përgjegjshëm të saj. Kur ta shesësh votën tënde, pastaj nuk të mbetet veçse të aplikosh për lotarinë amerikane, që të shkosh të jetosh në vendin që është bërë i begatë në sajë të përgjegjshmërisë së qytetarëve të tij për votën, të qytetarëve të tij të edukuar me sentenca si ato që kam thënë më lart. Por, nëse nuk fiton në këtë lotari dhe dihet se pjesa më e madhe nuk fitojnë, nuk të mbetet veçse të mendosh për të rregulluar vendin tënd, dhe kjo gjë nis që nga vota jote.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ndricim Kulla

Eshtë koha dhe vevoja për të kujtuar që të mos e shesësh votën i dashur bashkombasi im!

April 27, 2023 by s p

Ndriçim Kulla (Nderi i Kombit)/

Kur ta shesësh votën tënde, me siguri do të mendosh se dole me fitim, pasi sigurove diçka, qoftë para, apo ndonjë send, që t’u duk sikur ta falën aty për aty. Kjo pasi e hedhura e votës në kuti të duket sikur po hedh në pus një send që të përket, pa nxjerrë asnjë përfitim prej tij. Sekseri që do të kërkojë të blejë votën tënde për llogari të partisë për të cilën punon, do të pëshpëritë te veshi se të dielën do të kesh një copë letër në dorë, nga e cila mund të përfitosh diçka paraprakisht, nëse në të shënon emrin e kandidatit dhe të partisë që dëshiron ai. Do të përfitosh 50 apo 100 mijë lekë të vjetra, një telefon celular, një thes me miell, një palë pantallona bluxhins, një palë atlete e ku e di unë tjetër se çfarë, pasi blerësit e votave kanë fantazi shumë të madhe në këtë regjim. Ata janë të aftë të nuhatin kërkesat e tregut të votës dhe pas kësaj bëjnë ofertat e tyre të larmishme.
Të dielën do ta kesh një copë letër në dorë, nga e cila mund të përfitosh diçka, të thotë sekseri, të hënën kjo copë letre nuk vlen as sa një copë letre higjienike në banjën e kafenesë së lagjes ku bëre pazarin e votës me sekserin, duke pirë kafet apo birrën e ofruar bujarisht nga sekseri. Sekseri i votës që të pëshpërit te veshi është i sigurt në vetvete dhe bindës se ai e di mirë një gjë: Ti nuk e njeh vlerën e votës tënde. Ti nuk e di se vota jote është pushteti që ti ke mbi të ardhmen. Por ky pushtet ka një kohë shumë të kufizuar, një ditë në katër vjet, ose më saktë, një ditë në dy vjet po të llogarisim zgjedhjet parlamentare dhe ato vendore. Ditën e zgjedhjeve ti je një pushtetar, ose më saktë një pushtetarbërës, një kingmaker. Ditën e zgjedhjeve ti zgjohesh nga gjumi si pushtetar, gjatë asaj dite deri në perëndim të diellit, kur të mbyllen kutitë e votimit, ti je një pushtetar. Ti je lypësi i përrallës që u bë mbret për një natë.
Por ti do të zgjohesh nga gjumi ditën e zgjedhjeve jo si një pushtetar, por si një skllav se ti e ke shitur tanimë paraprakisht jo thjesht votën tënde, por të drejtën tënde për të votuar. Vota jote tanimë i përket sekserit të votave. Ti do të shkosh në qendrën e votimit si një automat dhe do të votosh sipas pazarit që ke bërë me sekserin e votave. Ti në fakt nuk i shite sekserit vetëm votën tënde, por i shite dy gjëra. Veç votës i shite edhe kënaqësinë e ditës tënde të pushtetit. Ose më saktë, këtë të dytën ia dhe falas. Ditën e zgjedhjeve sekseri i votave do të zgjohet nga gjumi me ndjenjën e kënaqësisë të të qenit pushtetar, kingmaker, në sajë të zotërimit paraprak të votës tënde dhe të votave të disa të tjerëve që mund të jenë edhe anëtarët e familjes tënde, ose të afërmit e tu, votën e të cilëve ti e ke shitur bashkë me tënden, si pa gjë të keq.
Me kalimin e kohës do të vijë edhe ndjenja e skllavërisë, se politikani të cilit ia ke shitur votën me anë të sekserit, do të duket sikur të thotë nga ekrani i televizorit: Mua nuk ke çfarë të më kërkosh, se shpërblimin e votës që më ke dhënë e ke marrë, aq sa e çmove vlerën e votës tënde. Ndjenja e skllavërisë do të bëjë që të mos e quash ndonjë gjë të madhe përsëritjen e veprimit që ke bërë, kur sekseri i votave të shfaqet përsëri, para zgjedhjeve të ardhshme, për të ta blerë votën. Ai vjen plot siguri se e di që atë të cilin e shtie një herë në dorë, ai bëhet skllavi i tij. Tanimë që ti je një votëshitës përsëritës, ti nuk ke shitur thjesht votën, as thjesht ditën tënde prej pushtetari, kingmakeri, një herë në katër vjet, por ti ke shitur veten tënde. Tanimë ndjenja e skllavërisë bëhet e plotë. Ashtu si të gjithë skllevërit, ti e quan një gjë të natyrshme skllavërinë tënde.
Sentenca famëkeqe e Stalinit “Ata që votojnë nuk kanë rëndësi, ata që numërojnë votat kanë rëndësi”, në Shqipëri tanimë është duke u shndërruar në “Ata që votojnë nuk kanë rëndësi, ata që blejnë vota kanë rëndësi”. Sekserët e blerjes së votave tanimë kanë zëvendësuar në një masë të madhe manipuluesit teknikë të votave. Kjo mënyrë e dytë e manipulimit të zgjedhjeve, me anë të blerjes së votës, është më poshtëruese për ty i dashur votëshitës, se në rastin e parë, kur ti votoje sipas vullnetit tënd, por vota që ti hidhje në kuti nuk numërohej drejt. Në rastin e dytë nuk preket dinjiteti yt, ndërsa në rastin e parë, po. Këtë thënie të Stalinit e dinë edhe sekserët e tu, se e kanë dëgjuar nga politikanët në shërbim të të cilëve janë, të përshtatur me realitetin e sotëm shqiptar, dhe ndoshta ata me krenari profesionale ta thonë edhe ty. Se sot, ata politikanë që blenë vota i instruktojnë sekserët e tyre të votës me sentencën e përshtatur të Stalinit, pra se nuk ka rëndësi të kesh zgjedhës që të mbështesin, por rëndësi ka që të kesh sekserë të votave që dinë të të sjellin votat e zgjedhësve. Kështu ti i dashur votëshitës mëson me fjalët e Stalinit se ti je askushi dhe nëse nuk e shet votën tënde ajo do të shkojë kot, se të tjerët do ta bëjnë këtë.
Por ti që dëgjon vetëm Stalinin nga sekseri i votave, do të habiteshe në qoftë se do të dëgjoje se sa shumë njerëz të mëdhenj e të mençur, të rangut botëror, janë munduar që t’u bëjnë të qartë njerëzve të thjeshtë si ty, me gjuhë të kuptueshme, rëndësinë e votës dhe dëmet që vijnë nga keqpërdorimi i saj, në radhë të parë për atë që e keqpërdor votën. Kur ta shesësh votën tënde, duhet ta dish se ish-presidenti amerikan, Theodore Roosevelt ka thënë: “Një votë është si një pushkë. Vlera e saj matet me karakterin e atij që e përdor atë”. A nuk është thënë në atë mënyrë që ta kuptojnë shtresat e gjëra të votuesve? Dhe në fakt duket sikur ai që e ka thënë ka pasur parasysh turmat e votëshitësve shqiptarë të vitit 2015 dhe 2017 . Sipas kësaj thënieje del se ti i dashur votëshitës ke vrarë veten me këtë armë që të është dhënë ditën e zgjedhjeve. Nuk është çudi që ti i dashur votëshitës, kur shikon në ekran politikanin që mori pushtet me votën tënde, thua pikërisht këtë: “Vrava veten me dorën time!”

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Ndricim Kulla

Nga Durrësi dhe Elbasani me Iglin dhe Luçianon po dërgohet një ogur i madh

April 15, 2023 by s p

Ndriçim Kulla/

Lexova jo pa kureshtje mesazhin hapës të kryeministrit për fushatën zgjedhore të 14 Majit. Tashmë aftësia prej tellalli e propagandës së tij ka marrë dhenë, por gjithësesi doja t’ia verifikoja edhe kësaj rradhe ligjëratën. Dhe verifikimi më doli po aq zhgënjyes sa dhe qesharak, por mbi të gjitha i dhimbshëm nëse kemi parasysh realitetin në të cilin ndodhet çdo shqiptar. Që në një vështrim të përgjithshëm sheh që kemi të bëjmë vetëm me një tellall gënjeshtar, të shthurrur deri në halucinacion në çdo gënjeshtër që qet, por më tepër pa kurrfarë mëshire për gjithë këtë lloj tellallëzimi që guxon të bëjë në sy të gjithë shqiptarëve. Ja dëgjojeni pak se ç’broçkullit goja e tij: Ne jemi fuqia e ndryshimit në këtë vend. Kurdo që zgjedhësit na besojnë, ne bëjmë atë çka tjetër as nuk dinë ta bëjnë, as nuk munden dhe as nuk e kanë bërë ndonjëherë, qoftë edhe në një bashki të vetme.

Inteligjenca e çdo njeriu fyhet sa herë dëgjon fraza ekstreme të mburrjes dhe lavdërimit të pabazë dhe vulgar të tipit “ as nuk dinë, as nuk bëjnë, as nuk munden”, dhe që merr një dozë donkishoteske të parodisë dhe karikaturës kur shtohet me frazën “asnjëherë dhe në asnji bashki”. Nuk ka shëmbull më të shpifur dhe bindës në budallallëkun e të ndjerit superior si bullizues publik, si hedonisti cinik i ligjërimit më pervers të megallomanisë dhe fodullëkut.

Do të mund të bënim një listë shumë të gjatë bashkish në vite që janë zhbërë totalisht nga administrimi socialist, por le të marrim dy shembujt më të këqinj të kësaj qeverisje, dhe për më tepër shembuj të një degradimi shumëvjeçar dhe të përlavduar dhe mbajtur në mbrojtje personale, nga vetë tellalli i demagogjisë: pinoku ynë kryeministër. Flas për Durrësin e të famshmit hajdut votash Dako që vazhdon të qeveriset nga matrioshkat e tij dhe për legjendat e ligjeve me krimin në Elbasanin e Normales me gjithë imitimet e tyre më të këqija që u krijuan.

“Bilanci ynë është pozitiv me kontratat zgjedhore”, pohon zoti Rama me paturpësinë më të madhe, kur në fakt le të shohim se çfarë konstatohet nga sondazhi i zgjedhësve për gjendjen e qytetit: Të gjithë biem dakord se pasuritë natyrore më keq se në Durrës nuk janë menaxhuar gjëkundi në Shqipëri, duke cenuar edhe identitetin kulturor.Të gjithë biem dakord që për betonin e Dakos betonizuam qytetin, zumë detin me ndërtime, cenuam vijën bregdetare. Nëse do të gjenin disa fjalë për të përshkruar bashkinë e këtyre viteve, ato janë arrogancë, mungesë transparence dhe larg qytetarit, një bashki si agjenci shërbimesh e qeverisë, madje të duket sikur ka drejtoreshë qeverie dhe kryetare bashkie. Ja kjo është përballja tragjike e tellallit te propagandës Rama me gjëndjen e tmershme në të cilën gjendet Durrësi ynë dhe që kandidati i cmuar i opozitës, i dalë për herë të parë në demokracinë shqiptare nga beteja e primareve, zoti Igli Cara, ka marrë përsipër me vizion dhe kurajo, ide dhe integritet, ta shndërrojë plotësisht. Durrësi ndodhet në udhëkryqin më të rrezikshëm. në vitet e socialistëve u nëpërkemb demokracia, u kriminalizua ekonomia, u shpërfill puna, dija e zotësia u ble e shatnazhua vota e u vendos regjimi. U instalua nje Bashki me arrogancë, mungesë transparence në vendimmarrje e larg qytetareve, si agjenci shërbimesh e qeverisë. Sikur ka drejtoreshë qeverie e jo kryetare bashkie. Për të gjitha këto pasoja negative ka një përgjigje, dhe kjo vjen pikërisht nga ky kandidat kur në programin e shpallur prej tij ai thotë: “Ne së bashku do të bëjmë gjithçka për ta kthyer bashkinë në një institucion real të qytetit dhe të qytetarëve, përmes programeve afatshkurtra dhe afatmesme. Prioritet i rëndësishëm do të jetë përfundimi i procesit të rindërtimit brenda vitit 2024. Ky është premtim”! Për të gjitha këto të këqija që e kanë lënë Durrësin në rrënim, falë një babëzie që shkon deri aty sa të falen taksat e qytetarëve të vet, rreth 11% të investimeve, plot 231 milionë euro që duhet të jenë të qytetarëve por që u falën dhe sollën për pasojë që edhe porti i ri të bëhet me lekët tona, tani ka një përgjigje. Është fakt se që prej 2016 Durrësi ështe pa plan rregullues dhe strategjia fituese e Igli Carës përmban një hap të rëndësishëm në këtë drejtim. Ajo planifikon një integrim të zonave të reja urbane dhe mbulimin e tyre me shërbim, transport publik dhe infrastrukturë, për të përmbushur kështu vizionin e tij të madh për mirëqenien dhe shëndetin e qytetarëve, zhvillim të qendrueshëm ekonomik të Durrësit dhe rikthimin e tij në polin më të rëndësishëm të turizmit në vend.

Pas Durrësit, edhe një tjetër qytet është simboli më i mirë që përgënjeshtron gënjeshtën dhe demagogjinë pinokiane të mesazhit hapës të kryeministrit, të demaskuar pas shprehjes “Bilanci ynë është pozitiv me kontratat zgjedhore”. Po ja se cfarë shpreh një kandidat tjetër i çmuar i aradhës demokrate, ligjërues,intelektual dhe luftëtar i paepur i viteve të tëra të demokracisë shqiptare, zoti Luçiano Boçi,

Një emër i tillë është shumë i njohur edhe në zgjedhjet parlamentare, pasi ai ishte deputeti më i votuar në këtë qark dhe arriti të thyejë listën e kandidatëve në Elbasan, teksa renditej i shtati fillimisht, por në fund u fut në listën fituese të gjashtë vendeve që PD fitoi. E kjo falë cilësorëve të tij: një nga njerëzit më me reputacion në zonë, me influencë, një njeri që ka mendimin e tij të pavarur dhe pozicionimi i tij ka qenë gjithmonë në shërbim të qytetarit, në shërbim të votuesit.

Por në vazhdën e traditës së re dhe nga më të mëdhatë të demokracisë shqiptare, atë të primarieve, ka qenë po ky personalitet që me vlerat dhe dinjitetin e tij ka hedhur bazat edhe të një uniteti të qëndrueshëm, real e të shëndetshëm mes rradhëve të popullit opozitar. Në vizionin e tij përballjet konceptohen si gara simpatie dhe dakordësie, ndaj risia që ai ka arritur të sjellë në këtë fushatë është edhe dakordësimi që ai ka artikuluar për grupimin tjetër demorat në këtë zonë, të faktuar me vetë pohimin e tij: “Nuk është deklaratë formale, kontaktet tona kanë qenë dhe janë të vazhdueshme e kontaktet e mia personale do jenë të vazhdueshme për të realizuar atë fuzionim të gjitha forcave tona që i kemi pasur dikur, i kemi e do i shtojmë që të arrijmë objektivin e fitores”. Janë të gjitha këto lloj aftësi cilësore që prezantohen në vetë personalitetin e tij, të mbrujtura në një perspektivbë të re që po lind janë kthyer në një lumë energjish pozitive të shprehura në mesazhin e prezantimit të tij: “Le të angazhohemi bashkë me qytetarët që t’i kthejmë qytetit harmoninë e dikurshme, shkëlqimin dhe ngjyrat reale të jetës së përditshme. E dimë që beteja nuk është e lehtë, është betejë me pushtetin, korrupsionin, paratë e pista, Edi Ramën…por ne do t’ia dalim!”

Këtë besim dhe forcë në kauzën e madhe të rrëzimit të gjithë këtyre pushteteve si korrupsioni dhe paraja e pistë, me të cilën mbahet qeverisja e Ramës, do të doja ta shpërndaja si një ogur të mbarë për të gjithë demokratët anembanë Shqipërisë. Bëhuni të fortë, qëndrestarë për fëmijët tuaj dhe për të ardhmen e këtij vendi. Gjithçka do të jetë me ju deri në fitoren e madhe.

Filed Under: Kronike Tagged With: Ndricim Kulla

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT