• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqipëria po qanë…

May 21, 2022 by s p

Ndriçim Kulla (Nderi i Kombit) /

“Deti u bë mal me njerëz, dhe toka det me lot”, këndonte Ardit Gjebrea, në vitet ‘90, në atë këngë të tij të mrekullueshme në festival, që besoj ka arritur të përlotë shumë njerëz në Shqipërinë e asaj kohe, që po përjetonte migrimin më të madh të historisë së saj. Ishte vërtet diçka e dhimbshme, e tmerrshme në historitë njerëzore, por edhe një shfryrje e madhe e dufit dhe dëshirës për liri që aq shumë e dashuronin shqiptarët. E përsëri, me gjithë vuajtjet dhe kalvarin e “Shqipërisë që po ikte”, “Shqipëria që po mbetej” kishte shpresë, aq shumë shpresë dhe besim se shumëçka do të ndryshonte. Kanë kaluar tre dekada që atëherë, brezi i të rinjve të asaj kohe tash po rrit fëmijët apo po gëzon fëmijët e fëmijëve të vet, gjeneratat kanë ndryshuar, Shqipëria ka ndryshuar, e megjithatë, për çudinë e të gjithëve, zemra dhe shpirti i saj mbetet po ajo e “viteve ‘90”.

Kam një cinik këtu pranë që në çdo fjalë a mendim që unë hedh mundohet të më thumbojë e më thotë: “Çfarë, do të mohosh gjithçka është bërë, mos do të thuash se Shqipëria s’është vend më i mirë, më i pasur, e më i bukur për t’u jetuar se sa në vitet ‘90”. Jo, i them, Shqipëria është zhvilluar, por jo me shpejtësinë e njerëzve të vet, jo, as me pritshmëritë e tyre më pesimiste, se ndryshe nuk do të përjetonim sot po të njëjtën dhimbje e trishtim kur lexojmë e shohim me sytë tanë një Shqipëri që përsëri po ikën, ngadalë, shtruar, ashtu si pa u ndjerë, ashtu si pa u kuptuar, pa anije, britma, tragjizma nëpër media, por me një konstante e vazhdimësi shumë më të frikshme se ajo e viteve ‘90. Po përsëri ciniku brof përpjetë e thotë: “Varfëri e migrim ka kudo, në çdo vend, si mund të pretendojmë të mos ketë në Shqipëri?”. Jo, jo, ia kthej, edhe me më shumë vendosmëri, por me një zë që tani ka filluar të më dridhet nga mallëngjimi. Nuk janë njësoj këto migrime, pavarësisht se skenat i kanë aq të ndryshme, njëri zhurmëmadh, por plot shpresë, kurse ky i sotmi, i pazhurmshëm, por besimthyer. “Shqipëria po qan”, këndonte atëherë Gjebrea, “ajo e di si duron, po i shkundeshin filizat”. Po tani vallë ç’mund të themi, të ulërasim, të bërtasim nga trishtimi, kur shohim se Shqipërisë po i largohen më të mirët, më të shkolluarit, më punëtorët, shtylla e asaj administrate, e atij shteti që shtyn përpara çdo komb, më kreativët dhe më profesionistët, forca lëvizëse e biznesit dhe ekonomisë që klasa e mesme i siguron çdo vendi që synon të ketë të ardhme.

Mos vallë, pikërisht tani Shqipërisë nuk po i shkunden filizat, por po i shkulen rrënjët, po i priten krahët, po i shkulet shpirti? I kam shqyrtuar statistikat e atyre që po ikin, shumica kanë qenë gjithë kohën të punësuar, të zotë, të aftë, edhe pse të heshtur, të duruar, se aq mirë e njohin, por dhe aq shumë e dashurojnë Shqipërinë. Janë po ai brez ose pinjoll i atij brezi “Shqipërie që mbeti” në fillim të viteve ‘90, jo pse nuk mundej, por sepse dëshiroi dhe besoi se Shqipëria mund të bëhej. Është po ai brez që punoi aq fort, jo në një, por në disa punë njëherësh, se ata e dinin se e tillë është Shqipëria dhe ekonomia e saj, nuk të ofron më shumë; ai brez që deshi të ndërtonte diçka, një jetë me duart e tij, një biznes, një karrierë që mjaft herë ia mbërriti; ai brez që sot ka dhe një shtëpi të bukur për veten dhe familjen, ndoshta dhe një shtëpi në plazh (edhe pse me kredi), ai brez njerëzish që duruan përtej stërmundimit, që u përpoqën, luftuan ndershmërisht, përtej naivitetit dhe burrërisë shqiptare, që ky vend, kjo administratë, ky shtet t’i linte të paktën të shpreheshin, t’u thithte kapacitetet, e kësisoj t’u tregonte edhe respekt, edhe mirënjohje, tek e fundit edhe përkujdesje. Ata po ikin, por qenë dhe janë më të mirët e këtij vendi, të aftë, të ditur, të kultivuar, që e nxjerrin bukën dhe nga dheu, përderisa gjejnë punë të mirë-paguara kudo ku shkojnë. Mirëpo, njeriu që të zhvillohet për shtetin dhe vendin e vet, ka nevojë për barazi e meritokraci, këto janë flatrat e tij shpirtërore, që ky brez nuk i pati kurrë, kjo është më e pakta bukë që Shqipëria, edhe ashtu e varfër siç është, mund t’ua jepte e nuk ua dha.

Ndaj, është shumë më tragjik e vdekjeprurës për të ardhmen e saj, kjo ikje e heshtur, e përditshme, e njerëzve më profesionistë të këtij vendi, jo si emigrant të thjeshtë, por me avionë, me kontrata e viza pune. Ja, pse Shqipëria që mbeti dikur në vitet ‘90, tani po ikën, bashkë me pinjollët e vet, në atë ikje që mund të quhet mërgimi më i madh i trurit e mendjes që ky vend ka provuar ndonjëherë. I kam dëgjuar disa syresh prej tyre, që teksa ikin më thonë: “Kur isha ende i ri, në vitet ‘90, më patën mësuar se në qoftë se je i zoti dhe punon shumë, nuk mund të mos çash në jetë, qoftë edhe në Shqipëri, ndaj unë qëndrova. Nuk mund të them se nuk e provova,(madje kam provuar shumë), as se jam i mërzitur apo i dhembur me rrjedhën e jetës sime jo të lehtë, por një mësim të tillë nuk mund t’ia jap sot sime bije. Nuk mund t’i shpjegoj, pa e gënjyer, se me meritë e drejtësi mund të ndërtojë një jetë të mirë në këtë vend siç jam munduar të bëj edhe unë. Ndaj vetëm hesht, hesht e iki me mendje si ata që largohen”. Është pikërisht kjo heshtje, kjo heshtje gjëmim-madhe ajo që duhet të na shpjegojë politika e gjithë këtyre viteve e majtë dhe e djathtë, ajo prej së cilës ajo duhet të nxjerrë mësime e t’i bëhet busull për çdo program e lëvizje politike, të sotme e të ardhme. Është thelbi dhe arsyeja e kësaj ikje, ajo që duke e kuptuar sa më mirë e sa më thellë, mund ta ndriçojë që të mos përsërisë gabimet e së përditshmes në mos ngjalljen e shpresës dhe në krah-këputjen e besimit. E përsëri ciniku më ndërhyn duke më thënë: “Po ikin, po pse nuk patën guximin të qëndrojnë e të flasin, të shkruajnë, të luftojnë për ta ndryshuar ketë vend?”. Përkundrazi, i them, ata duruan kaq gjatë, pikërisht se e njihnin këtë vend. Ata folën e shpeshherë me vepra, por ministri dhe shefi i administratës ishte i korruptuar, e s’i dëgjoi njeri idetë e tyre. Ata shkruan, por drejtori i kërcënoi se ishte partiak, nuk u hapi rrugë se kishte dhënë lekë për vendin e punës. Ata qenë të urtë, të matur, dhe e deshën plot durim këtë vend; i mikluan për t’i futur në politikë e “për të bërë prokopi” siç flitet shpesh, por ata qenë të ndershëm, aspak naivë, por të ditur në pamundësinë e tyre të madhërishme, se vetëm kështu mund të bëhej Shqipëria. Ata bënë biznes, edhe të suksesshëm, por tatimori dhe doganieri u lypte ryshfet, pabarazia e taksave që paguanin të drejtit dhe të padrejtit i vrau, i lëndoi, në pafajësinë e tyre të mrekullishme shtetformuese, se vetëm pa korrupsion, pa klientelizëm mund të ecë përpara ekonomia e këtij vendi. Por ata folën, me besimin dhe shpresën e patundur në mrekullitë që mund të bëjë liria dhe demokracia, edhe politikisht, si ai brezi gri i saj, si ai zëri i pandikuar, i pablerë, i mazhorancës së heshtur, sa herë që Shqipëria gjendej në udhëkryq. Ishin ata që kur qeveria socialiste e asaj kohe ishte e zhytur në krim e korrupsion, besuan në kartën e moralit dhe i dhanë Berishës atë që edhe mund të mos imagjinohej disa vjet më parë, të drejtën për t’u rikthyer edhe njëherë në pushtet. Ishte po ky zë, që foli politikisht, duke i dhënë mandatin e bashkësisë së Tiranës për tre herë resht Edi Ramës, e pastaj kërkoi të provojë një figurë të re politike, asokohe shpresëngjallëse. E së fundi, foli në zërin e 1 milion votave që rrëzuan Berishën dhe i hapën rrugë një fryme të re asokohe, atë të Rilindjes. Po sot, çfarë ka mbetur nga gjithë ajo masakër e iluzioneve të tyre? Zhgënjim dhe ikje.

Ndoshta pikërisht, për këtë arsye ata po ikin, sepse kanë folur ashtu siç flitet, me votë, e Shqipëria dhe politika e saj ua ka marrë frymën, ua ka shuar zërin, ua ka nxirë jetën. I kam parë sytë e trishtë të një “mërgimtari” të sapolarguar teksa më thoshte: “Shqipëria, druaj se nuk ka më nevojë për ne, misioni ynë, misioni i brezit të viteve ‘90, kam frikë se ka përfunduar, ky vend nuk na ndihmoi e nuk na dha aq shumë sa ne i dhamë, nuk na deshi aq shumë sa ne e deshëm. Tani na duhet të mendojmë për shpirtin tonë dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë”. E teksa ata shkojnë e përsëri do të shkojnë, gjithkujt duhet t’i buçasë në vesh trishtimi i tyre tek flasin, heshtja e tyre tek qajnë e mallëngjehen. E ardhmja e tyre, pa dyshim, që do të jetë më e mirë, ndoshta dhe e shkëlqyer, po për jetën e atyre që do të mbesin në këtë vend, po për fëmijët e të rinjtë e këtij vendi, ç’të ardhme vallë do të ketë? Por edhe duke ikur, ata po flasin, edhe duke ikur heshtja e tyre flet më shumë se sa të gjithë ne që kemi ngelur në këtë vend. Mbetet detyrë urgjente e politikës ta kuptojë e ta dëgjojë, por edhe e gjithë popullit. Perikliu, kryetari i madh i Athinës, teksa mblidhte një ditë popullin rreth atyre që kishin mbetur nga lufta e Peloponezit, me një zë të përmallshëm pat britur: “Ky vit e bjerri pranverën e vet…”. Duke e ndjerë thellë gjëmën e dhimbjes së tyre më jepet me ofshajtë edhe unë kështu: “Shqipëria po e bjerr pranverën e së ardhmes së saj”. Vetëm se duhet t’ia vërë mendjes mirë populli kësaj gjendje, se me bjerrë pranverën e fuqive të veta është shuplaka më e rëndë që ai mund t’i bëjë një shteti, një vendi, duke i sjellë ndërkaq më të rrezikshmin varfërim. Kurse, ndaj ju të gjithëve që keni për detyrë kujdesin dhe drejtimin e këtij kombi, do të doja t’iu ulërija: “Përmbusheni deri në fund detyrën tuaj, duke e ruajtur këtë popull prej trandjes së emigrimit”.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Ndricim Kulla

Jo, po: ka Shqipni për Zotin

May 14, 2022 by s p

Ndriçim Kulla

(Nderi i Kombit)/


Përtej fushës së albanologjisë, së historisë së Shqipërisë dhe dokumentimit kapilar të saj, padyshim vlera më e çmuar që albanologu madh At Giuseppe( Zef )Valentini i ka lënë letërsisë sonë, janë kritikat e një niveli elitar që ai ka dhuruar për figurat më të mëdha letrare të Shqipërisë së asaj kohe.
Kështu, në këtë panoramë recensionesh e artikujsh për De Radën dhe Zef Sqiroin, për Koliqin apo Mjedën, paraqiten madhështore sprovat e tij mbi Fishtën, me anë të të cilave autori mëton të gjejë çelësat për të hapur thesarin e poezisë fishtjane, e të kryeveprës së tij “Lahuta e Malcisë”. Madje admirimi i tij për këtë vepër, e nxiti Zef Valentinin të luftonte shpesh (që kur Shqipëria ishte nën diktaturë dhe e mbante si të dënuar politik) për rehabilitimin e figurës së poetit. Në një shkrim të rëndësishëm te “Shejzat” e vitit 1962, Valentini shkruan: “S’ka grimë dyshimi që qëllimi i poemës ishte ekzaltimimin e malsorëve, gjithmonë në luftë me sundimin turk, të cilët i mësuan ato përmendësh prej famullitarëve të tyre françeskanë, duke i bërë kështu pjesë të repertorit të vet”. Prandaj Fishta u shndërrua në Tirteun e fushatave më të fundit për pavarësinë kombëtare. Pra, nuk mund të kemi grimë dyshimi në sentimentet patriotike të poetit, i cili, që prej vendosjes së regjimit komunist, ishte njëri prej autorëve më të dënuar si armik i pushtetit dhe atdheut. Preteksti: mohoi të gjithë të shkuarën e tij patriotike me pohimin e regjimit italian. Dhe i vetmi fakt për këtë gjë jepet pranimi nga ana e tij e emërimit si Akademik i Italisë apo mos vallë pse direktiva e tij politike e yshtte të parapëlqente për Shqipërinë, të shtrënguar asokohe për të gjetur mbrojtje, një mbrojtje perëndimore më shumë se sa një mbrojtje shumë më të rrezikshme sllave. Në një kohë që edhe jo pak të tjerë mundën të përshtaten si ai, por nuk u mohuan a mënjanuan dhe e kundërta, shumë të tjerë të mohuar nga ky regjim, qenë në realitet kundërshtarë të paepur të bashkimit me Italinë. E kush vallë mund ta shpjegojë këtë mister motivesh të errëta e kontradiktore?
Vlerësimi historik
Në një shkrim të vitit 1965 me titull “Aventura e shpirtit në historinë politike të Shqipërisë”, Valentini u përpoq ta kujtonte dhe interpretonte situatën dhe zhvillimet e një periudhe të tillë. E duke u rikthyer te koha dhe vepra e tij, mua më vjen ndërmend kujtimi magjepsës dhe dramatik i një personazhi të epokës së fundit të historisë antike: Cassiodoros, romantini që duke punuar si sekretar i mbretit barbar Teodoriko, e duke shkruajtur në emër të tij tekstet e letrave dhe të ligjeve, u jepte atyre një shpirt roman e i bënte të vepronin si një roman. Po njëlloj, edhe në epokën e këtyre njerëzve për të cilët folëm, arrihej me një lehtësi tash të pabesueshme, të bëje dhe gjërat më të pamenduara me hierarkët e asaj kohe, duke u thënë atyre thjesht se kjo do të qe një ide a një iniciativë “vërtet fashiste”, përballë së cilës ata gjendeshin të çarmatosur e lehtësisht entuziastë për atë që ty mund të kërkoje për vendin tënd. Nuk e di – mes atyre që s’kanë arritur ta provojnë – se sa bindëse është një histori e tillë, megjithatë mbetet i vërtetë fakti se në këto vite që korrespondon dhe me vitet ‘30 të shek. të kaluar sentimenti nacional shqiptar dhe vetë kultura shqiptare dolën të fuqizuara dhe për këtë do të mjaftonte të listohej bibliografia kulturale e asaj periudhe goxha të shkurtër e cila barazohej ose dhe e tejkalonte në masë e në cilësi bibliografinë e një periudhe të mëparshme shumë më të gjatë. Gjithsesi, duhet të themi se është një ligj i pandryshueshëm në vlerësimin historik të meritave të veprës së çdo njeriu të një kulture militante, mbajtja parasysh e situatës në të cilën ai u gjend e mundën të zhvillojnë veprën e vet njerëz si Fishta. Ngandonjëherë mund të bëhet fjalë për situatën e jashtme, ashtu siç e konsideruam deri këtu, por herë të tjera problemi mund të trajtohet nga një situatë e mbrujtur më nga afër prej vetë jetës së kulturës, e aftë kësisoj të kushtëzojë veprën e njeriut të kulturës me akoma dhe më shumë forcë-ngulitje.
Padrejtësia
Është e vërtetë që një mendimtar autentik duhet të jetë superior mbi rastësitë e rrjedhimisht edhe mbi mentalitetin e kohës, derisa të shndërrohet në një martir të idesë. Por lipset gjithashtu të pohohet edhe fakti se në disa raste pranimi i heshtur i ideve të kohës nuk mund t’i atribuohet gjithmonë dobësisë së mendimit dhe karakterit; ndodh jo rrallë që për dashuri të vetë së vërtetës dhe drejtësisë, e vërteta dhe drejtësia të paraqiten me argumente që i përkasin mentalitetit të kohës dhe ambientit, të mbartur me qëllimin e mirë për ta pranuar këtë të vërtetë dhe të drejtë nisur nga premisat e pohuara nga të gjithë ose të paktën të pohuara në heshtje si argumenta ad hominem. Kështu, mund të ndodhë që argumente të tilla t’u zhvillohen të gjithëve si të gabuara e të pavlera; ose, duke u shpënë shpesh nga të tjerët në rrjedhime ekstreme, të njihen përgjithësisht si të rrezikshëm e të gjykohen lehtësisht fals në çfarëdolloj hipoteze. Por drejtësia dhe logjika e shëndoshë të ndalojnë të dënosh vetëm për këtë shkak edhe idetë që u mbështetën mbi argumentime të tilla, edhe pse ato mund të mbështeteshin ndryshe. Aq më shumë nevojitet t’i rrihet larg dënimit të atyre që i përdorën, si njerëz me qëllime të këqija ose ligdashës, kur rrjedha konstante e jetës flet përkundrazi në favor të tyre. Më e shumta që mund të thuhet është se gabuan ashtu siç mund të gabojë çdo njeri, por kjo gjë s’mund t’u lëvizë asnjë fije meritave të tyre të mëdha e të vërteta. Disa vite më pas, më 1972 nga Palermoja , në revistën “Popuj dhe misione”, Valentini do të ndihej përsëri keq në orvajtjen e tij të pashpresë për rehabilitimin e Fishtës kur shkruante: “E vërteta është se dëshmia e pare e fushatës antifishtiane qe ndikimi i fort serb në vitet e para të regjimit komunist”. E kjo kuptohej qartë, poeti i madh kish luftuar gjithnjë tmerrësisht synimet ekspansioniste sllave. Mirëpo më pas, gjersa u dënua me vdekje triumviri Koçi Xoxe si serbofil për shkak te synimeve antishqiptare, përse vallë nuk mund të rehabilitohet Fishta si antisllav? I dukej e pabesueshme “shqiptarit”(Valentinit) të madh se si mund të harrohej kaq shpejt e kaq prerë një trandje e molisje kaq e fortë popullore siç qe ajo e vdekjes së tij, që nëse do të citonim Shantonë në “Kujtimet françeskane” mund të thoshim se “Vdekja e At Fishtës nuk qe vdekja e një kishtari, e nji patrioti apo një poeti cilitdo, nuk qe vdekja e një njeriu zakonisht të famshëm e zakonisht të dashtun që mund të përkujtohet me fjalë të mirë-reshtuara brenda një ligjërate të bukur”.
“Për fe e Atdhe”
“Vdekja e At Fishtës qe një tronditje, një tërmet, një revolucjon. Një tronditje që pat shkundur deri dhe skutat më të thella të zemrave tona, një tërmet që pat qitur për fushë fijet ma t’imta e ma të bukura të ndjenjave tona kombtare, një revolucjon që n’atë çast hutimi e dhimbje pat pështjelluar e turbulluar mbarë ndërtesën e shpirtit tonë”. I dukej absurde studiuesit të rreptë, se si një regjim që deklarohej nacionalist të vazhdonte me po të njëjtën rrugë të mohimit, për një vepër që konsiderohej si më i famshmi ditiramb politik i letërsisë shqipe dhe për një poet që shkoi në varr duke mbajtur të pashlyer betimin e tërë jetës së vet se “nuk ka dashuri të vërtetë të atdheut aty ku nuk njihet a ku përjashtohet a luftohet emri i Zotit; se patriotizmi nuk është as vetëm një instinkt, as vetëm një modë apo zanat, po përkundrazi, se patriotizmi është njohja e atdheut, dashuria e mbi të gjitha shërbimi i atdheut; E kjo qe vërtet palca e personalitetit të tij, sinteza e gjithë veprimtarisë së tij”. Asnjë president deri më sot nuk e ngriti veten në nivelin e fisnikërisë për t’i dhënë këtij kontribuuesi shumë të përzemërt të historisë, kulturës dhe besimit të shqiptarëve vlerësimin e lartë të merituar.
Lahuta e Malcisë
Asnjë qeverie të deri të sotme të tranzicionit shqiptar nuk i lindi ideja e një projekti kulturor për të rehabilituar shtëpinë e rrënuar të At Gjergjit e cila është një copë historie e gjallë për të gjithë ne brezin e sotëm dhe brezat e ardhshëm. Për fat të keq me dhembje për gjithsecilin prej nesh, që e duan me zemër poetin dhe klerikun e adhuruar, i masakruar tmerrësisht nga sistemi komunist, figura e tij sot zyrtarisht ende është e parivlerësuar. A është kjo apati, padituri, verbëri, cinizëm apo pakujdesi shtetërore?! Në kontrast me këtë pakujdesi proverbiale, për këtë simbol të shquar të kombit shqiptarë, s’ka se të mos më vijnë ndërmend disa rreshta nga Hajnih Hajne. “Vendosni mbi qivurin tim një shpatë, pse unë kam qenë një ushtar trim në luftën e lirisë së njerëzisë”. Ky testament politik i poetit të madh gjerman, fare mirë mund të ishte edhe testamenti i At Gjergj Fishtës. E shpata që Shqipëria mund të ulë në varrin e këtij ushtari, të këtij poeti e profeti të lirisë shqiptare, është padyshim “Lahuta e Malcisë”! Shpatë e prehme me duart e tija! Në bibliografinë e vet, duke dashur të sistemojë gjithë poezitë e poemat, gjithë shkrimet e përkthimet, ai mendon një vepër dyvëllimëshe të titulluar “Për fe e Atdhe”. Pro aris et focis! Pikërisht ky qe amaneti i tij më i madh për të ardhmen e Shqipërisë, amaneti i një poeti, që ishte fryt i njëhershëm i gjakut të një race të tërë, i përftuar në natën e epokave që nuk njihen e në trishtimin e mundimin e dëshmorëve të panjohur, i cili zbriti në terrin e varrit duke kënduar me zë të lartë vargun e bukur të një poezie të tij të bukur: “Jo, po: ka Shqipni për Zotin!”

Filed Under: Analiza Tagged With: Ndricim Kulla

KUR FAIK KONICA KËRKONTE RRITJEN MENDORE TË POPULLIT SHQIPTAR

May 6, 2022 by s p

Nga Ndriçim KULLA (Nderi i Kombit)

Studiues, publicist

Konica, diti të hedhë bazat e mendimit të përparuar dhe modern shqiptar, të vizionojë një Shqipëri të ardhshme europiane përkrah kombeve të qytetëruara të kontinentit të lashtë. Aq sa fshikulloi ashpër, si rrallëkush, mentalitetin e prapambetur shqiptar, “mendjet e klasit të katërt” siç i quan ai, krejt përgjumësinë pesëshekullore, po aq diti të ngrejë lart, në piedestal glorifikimi, në vetë botën perëndimore, vetitë më të mira të shqiptarëve, doket, zakonet, historinë, krenarinë shqiptare në shekuj, e mbi të gjitha, gjithçka të vyer shpirtërore që shqiptarët dhanë historikisht, krahas gjakut të tyre që rrjedh në damarët e Europës.Është e njohur pena e mprehtë koniciane për të goditur ashpër, drejtpërdrejt dhe tërthorazi, por edhe me ironinë dhe sarkazmën e tij të rrallë, tërë dukuritë shoqërore regresive të Shqipërisë në kapërcyell të shekujve XIX-XX, botëkuptimin e prapambetur anadollak që kishte përgjumur shqiptarët për pesëqind vjet, kritikë kjo sociologjike e llojit volterian, me forcë e fuqi tronditëse, troshitëse, shkundëse. Në këtë vështrim, kjo lloj kritike koniciane me ashpërsi mbresëlënëse ka karakter të theksuar konstruktiv, tek sendërton hap pas hapi vetëdijen kombëtare, çel sytë e mendjes, e vesh atë me forcë vepruese shoqërore, e orienton dhe e ngacmon drejt një qëllimi fisnik me synime të qarta në kuadër të një perspektive të afërt a të largët.

Që në numrin 1 të Albanias (1897), në kryeartikullin “Armiqtë e Shqipërisë”, Konica mbërthehet fort pas realitetit të zymtë të kohës kur shqiptarit i mungon “buka e barkut”, “buka e mendjes” dhe është i rrethuar nga armiq të jashtëm. Me dy paragrafë të shkurtër, ai shpreh dhimbjen e tij për këtë realitet të hidhur dhe veç kur shpërthen e revoltohet në paragrafin e tretë me ashpërsinë e një heroi homerian duke shpallur, deri dhe me qitje të largët, gjithë rezonancën aktuale: “Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë. Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në historinë e Evropës. Nga më të voglat trazira gjer në luftërat më të gjakta, shqiptari ka hequr hark, vërvitur kordhë a zbrazur pushkë. A ka gjë më të turpshme, më të ulët se historia e këtij kombi që, për pak të qelbur argjend [të holla], shet mish njeriu në çdo luftë, edhe kujt s’i erdhi dëshirim nga aq qindra vjet që e shkelin dhe e kurvërojnë të huajt, s’i erdhi dëshirim të japë dy pika gjak për lirinë e vetvetes? Të donin Shqiptarët lirinë e Shqipërisë lehtazi e bëjnë; por rrinë të patundur dhe kështu dëftojnë që s’e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqtë e saj”.Nën një qiell të zymtë shqiptar ku përzien e përplasen shtëllunga resh shekullore në hone të vetëdijes e pavetëdijes kombëtare, ai e kërkon fjalën të çiltër, të qëruar, të revoltuar e revoltuese njëkohësisht, që të shpërthejë me gjëmim rrufeje zeusiane.

Topitja ka shkuar nën cakun e flijimit dhe vetëflijimit, të durimit dhe vetëdurimit, dhe lypset tanimë ndërgjegjësim e vetëdije, me shpërthim vullkanik shoqëror.Në numrin 2 të Albanias, kur Konicës i bëhet presion nga një kategori bashkatdhetarësh për të kufizuar në shkrimet e revistës lirinë e pikëpamjeve të veta politike, shoqërore e fetare, pionieri erudit i Rilindjes tregohet i papërmbajtshëm, si një përrua që derdhet nga lartësitë qiellore me shkrimin “Ç’është liria?”. “Dua të marr shpatën”, revoltohet ai, “e t’u çajë kokën gomerëve, e në vend të trurit të kllasë këtë: ç’është liria?… Më mirë të shesë m… njeriu, se të shkrojë për Shqiptarët… ç’është liria: Liria është të mundet njeriu: 1. të besojë ç’i do zemra; 2. të thotë ç’i do zemra; 3. të shkruaj ç’i do zemra; 4. të bëjë ç’i do zemra, veç jo ato që janë kundër lirisë së tjetrit njeri. Por Shqiptarët, më të shumtë janë shpirtrobër… sundon në shpirtrat e tyre feja: unë i botojë letrat e tyre kur thonë që kanë fe, por nuk duan që unë të shajë fetë e tyre… “s’të lëshojmë lirinë që të shaç fetë…” Dhe Konica përfundon me një thirrje sfidë që të bën të dridhesh ende dhe sot për aktualitetin e saj: “Vëllezër shqiptarë: Mjaft rrojti e mjera Shqipëri jetën e Kurmit.

Duhet edhe ajo të nisë tani të rrojë jetën e mendjes (la vie intellectuelle). Jeta e mendjes është të hapim tërë zemrat tona, të flasim vëllazërisht njëri kundër fjalës së tjetrit, të kuvendojmë si njerëz të qytetëruar, që mblidhen e luftojnë me fjalë [shoqërisht] për idetë e tyre… kështu do njihemi më mirë, s’do kemi mendime të fshehura, dhe do të kuptojmë që të tërë jemi të lidhur me dy lidhje të arta: dëshirimi i së Vërtetës dhe dëshirimi i Shqipërisë”. Emancipimin shoqëror si një çështje madhore, Konica e trajton me penë të fuqishme në shkrimin “Rritja mendore e popullit shqiptar” (Albania, prill 1906). Thjesht çështjen e arsimimit shqip dhe të luftës kundër padijes, ai nuk e kufizon aspak te brezi i ri, domethënë të pritet një herë sa të shkollohet brezi i ri që të mund të arsimohet krejt shoqëria. Jo, përveç mësimit të shkrimit dhe leximit të gjuhës shqipe te brezi i vjetër, krahas atij të ri, Konica kërkon “zgjerimin e kufirit të mendjes së tyre”, duke kaluar kështu nga një fazë e parë e domosdoshme, njohja e shkrimit, në një fazë të dytë që ai e quan“lërimin e mendjes”, domethënë kulturimin dhe qytetërimin shoqëror, një tjetërsim pra të njeriut shqiptar të kohës, i prapambetur në mendime apo me botëkuptim të ngushtë. Dhe populli, këmbëngul Konica, e ka dashurinë për “lërim të mendjes”, sepse kërkon të ecë përpara, të mësojë. Por i mungojnë librat, “këtu fle lepuri”, aty është çështja.Gjendjen e librave (metodave) shqipe dhe të abeceve Konica e sheh të mjerueshme (janë për mëshirë!) e as që mund të bëhet fjalë për aritmetikë, gjeografi, trigonometri etj.

Këtu Konica bën dallimin e madh në libra për fëmijë dhe libra për të rritur (për burra me mustaqe!) dhe një abetare e thjeshtë kurrsesi nuk mund t’u adresohet këtyre. Shqiptari për Konicën duhet të hapë sytë e mendjes, të shohë rrotull tij se çfarë bëjnë kombet e qytetëruar që edhe kombi shqiptar të përparojë e të ecë krahas tyre. Pra, përqasja e gjendjes shoqërore të mjerueshme në Shqipëri me gjendjen e përparuar shoqërore, sidomos në vendet e zhvilluara perëndimore, është një pikë referimi konstante në botëkuptimin konician për ndërgjegjësim e veprim shoqëror. Nëse gjetkë, zhvillimi botëkuptimor e shoqëror ka ecur përherë me hapa të shpejta, tek ne, për njëmijë arsye të jashtme e të brendshme, ky zhvillim nuk ka ndjekur ritmet e duhura bashkëkohore, dhe Konica s’përton në këtë mes të fshikullojë ashpër një dukuri të tillë të përgjumjes shoqërore në Shqipërinë e Turqisë europiane. Ky fshikullim i spikatur i viteve të “Albanias”, do të ngrihet në një model të vërtetë të kriticizmit në fillim të viteve ‘20. “E trishtë është jeta, e unë i kam lexuar të gjitha librat”. Me këto vargje nis njëra nga poezitë më të famshme të poetit francez Stefan Malarme. Por po njëlloj, kështu nis edhe njëra nga ato esetë e shkurtra të Konicës me titull “Jeta dhe librat”, e shkruar dukshëm mbi një reliev të qartë shpirtëror. Është ky një çast psikologjik, që e përqendron mendimin e tij te tragjedia “Prometeu i lidhur” i Eskilit, një libër siç shkruan ai “i vjetër për nga mosha 2400-vjeçare”, por gjithnjë i ri për nga mendimet”. Prometeu për Konicën është idealisti që vuan dramën e përjetshme të lirisë së mendimeve, dramën e dashurisë së madhe që ai ka e kërkon të mbizotërojë tek njerëzit. Një hero i tillë, tek i cili ndoshta Konica frymëzohet edhe për veten, ka se ç’t’u thotë shqiptarëve në fillim të viteve ‘20, kur në Shqipëri luftohej pikërisht kundra tiranisë dhe lirisë së mendimit. Është kjo ide një nisje emblematike e një sërë sprovash të cilat shtresëzohen në vite me tipologji e personazhe të rinj, që më tepër përfaqësojnë kategori të vërteta njerëzore, nëpër të cilat Konica do ta shtratëzojë analizën e vet, për të arritur në sprovën më të arrirë “Shqipëria si mu duk”, ku mendimi i tij, nëpërmjet një analize sociologjike e psikologjike, formëson një kategorizim të mirëfilltë antropologjik të shoqërisë shqiptare.

Një fizionomi të tillë trajtimore shpreh Konica që në ciklin “ Katër përralla nga Zullulandi” (1922). Zullutë paraqiten nga autori më shumë sinjë turmë se sa si një popull i ndërgjegjësuar, duke na lënë të nënkuptojmë menjëherë se kemi të bëjmë me njërën nga tipologjizimet ose kategoritë e tij sociologjike, mbi të cilat ai ndërton gjithë ligjërimin e llojit të kriticizmit dhe stigmatizimit. Dy janë udhëheqësit që mund të nxjerrë lëvizja spontane e zulluve. I pari është Denizulla Sepia, një aventurier i paskrupullt, mashtrues e demagog, një njeri i fjalëve boshe dhe përfaqësues i interesave të ngushtë e meskinë. Duket se kjo kategori njerëzore, e përzgjedhur dhe skalitur kaq mjeshtërisht që para 100 viteve, në mesin e politikës shqiptare duket se është më e gjallë se kurrë. Përballë tij, autori vendos plugun, atdhetarin e flaktë dhe idealist, që pa zhurmë e pa bujë, me një mençuri të heshtur, synon të krijojë lëvizjen e vërtetë kombëtare në Zulluland, atë lëvizje që i kthen zullutë nga një turmë e përgjakur në një komb me dinjitet, të lirë, të qytetëruar dhe me nder.

Ndoshta edhe kjo kategori ka një jetë historike në realitetin tonë të sotëm, trashëgimnia më kulmore e veprës gjendet në kategorizimin e tretë. Konica, ky psikolog i hollë i mendësisë individuale edhe kolektive shqiptare, e ka antropologjizuar në mënyrë të qëllimshme dukurinë e rëndësishme sociale të ekzistencës së turmës, si një masë e pavetëdijshme, e zhveshur nga qëllimet dhe aspiratat ndërtuese, që pushtohet shumë shpesh nga instinkte dhe delire. Është ky një projektim gjenial me të cilin do të ndeshen mjaft mendimtarë shqiptarë të kohës, por që askush nuk do të dijë ta shpjegojë dhe përshkruajë më kthjelltësisht se Konica.

Filed Under: Politike Tagged With: Ndricim Kulla

Promovohet libri i Ndriçim Kullës, “Shqipëria dhe Bota në veprën e Kadaresë”

July 1, 2016 by dgreca

“Shqipëria dhe Bota në veprën e Kadaresë” është libri me i ri i studiuesit  Ndricim Kulla. I konceptuar në trajtën e një albumi me vendet me të bukura që përshkruan autori, ky botim vjen pas një pune 20 vjeçare , në kuadër të 80 vjetorit të lindjes së shkrimtarit Kadare.

Ndricim Kulla: Më lindi ideja që me këtë mund të bëja një album që mund të kishte trajtën e një guide, që mund t’i shërbente promovimit të turizmit shqiptar dhe aq më shumë që kjo bëhet nga pena e shkrimtarit me famë botërore Ismail Kadare.

Në këtë botim flitet për qytetet kryesore të Shqipërisë por edhe disa vende të botës që Kadare nuk i kishte vizituar asnjëherë , por i kishte përshkruar me shumë saktësi.

Ndricim Kulla: Unë jam fokusuar tek koha e studimeve të tij në Moskë, Parisi. Unë u habita që ai përshkurante me kaq saktësi, por njëkohësisht të marrim edhe një shembull tjetër Sahara, që ai bën një vjershë brilande që nuk e ka shkruar dikush pa qenë në Sahara.

“Shqipëria dhe Bota në veprën e Kadaresë” është shkruar në shqip dhe anglisht ,me qëllim promovimin e turizmit dhe bukurive natyrore të vendit në sytë e të huajve.

Filed Under: LETERSI Tagged With: “Shqipëria dhe Bota, Ndricim Kulla, në veprën e Kadaresë”

Mehmet Prishtina, një pionier i vullnetarizmit kulturor

June 4, 2014 by dgreca

Nga NDRICIM KULLA*/
Në këtë artikull dua të përqendrohem në veprën e një bashkëkombësi, i cili prej disa vitesh ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik në Kosovë, por edhe në Shqipëri, jo vetëm të një përmbajtje konkrete të filantropisë kulturore që ushtron, por sidomos për fenomenin e ri pozitiv që po promovon në jetën tonë dhe që është një dashuri e re për sa u përket përmasave të tij të mëdha. Është fjala për atë fenomen, ende jo shumë të njohur të Shqipërisë, që në praktikën e shekujve të fundit, sidomos në botën perëndimore njihet me emrin vullnetarizëm. Vullnetarizmi është ai aktivitet filantropie me qëllime jo fitimprurëse që individë të veçantë kryejnë në fusha të ndryshme të veprimtarisë shoqërore, të pa angazhuar nga askush dhe të pa detyruar nga asnjë parti politike. Bashkëkombësi ynë që merret edhe me këtë kauzë quhet Mehmet Prishtina dhe është një banor relativisht i ri në kryeqytetin e Republikës së Kosovës, origjina e të cilit është nga fshati Polac i krahinës heroike të Drenicës, e cila njihet në historinë e Kosovës si vendlindja e lirisë dhe pavarësisë së saj.
Është nga kjo krahinë që e kanë prejardhjen Azem dhe Shote Galica, Hasan Prishtina, Adem Jashari, heronj dhe personalitete të tjerë. Pikërisht në këtë zonë lindi Ushtria Çlirimtare e Kosovës, emblema e pashlyeshme e pamposhturisë së këtij populli për të qenë më vete.
Është në krenarinë më superiore të kësaj treve se pikërisht aty, nga fshati i mësipërm, zë fill prejardhja e rilindësit të madh shqiptar Hasan Prishtinës. Qysh fëmijë Mehmeti u detyrua të emigrojë së bashku me familjen për shkak se prindërit e tij ishin në kundërshtim të hapur me pushtuesin serb, i cili dihet që u rezervonte kundërshtarëve tij fatin e zi të emigracionit ekonomiko – politik.
Në fakt ai që nisi si një mallkim i jetës së tij do të ishte e kundërta e tij. Në vendin e ri ku qëndronte, Mehmeti së bashku me familjen e tij, vëllezërit dhe motrat, demokracia, ju mundësoi atyre jo vetëm të punonin e të jetonin, por edhe të shkolloheshin. Ishte Gjermania që u bë një atdhe i dytë i shtrenjtë për këtë të ri nga Kosova dhe familjen e tij. Qyteti ku ai kreu studimet dhe punoi, Mynihu, me zhvillimin industrial dhe kulturën e tij ka qenë dhe mbetet një nga ato metropolet më të mëdha të kontinentit evropian që të ofron zgjim dhe emancipim. Aty ai u diplomua për Shkenca Politike dhe Drejtësi Evropiane e cila do t’i vlente më tej për t’u orientuar qartë për rrugën e gjatë profesionale dhe biznesin. Po aty, në Munih ai do të niste edhe rrugën e bashkëpunimit me të gjitha ato forca politike që përgatitën luftën për çlirimin politik të Kosovës nga pushtuesi serb. Mehmet Prishtina do të ishte aktiv me pjesëmarrjen e tij në të gjitha mitingjet, tubimet, protestat masive që parapërgatitën bombardimet e NATO-s e cilado mbetet si një nga periudhat më fatlume të fatit të kombit shqiptarë.
Vetëm disa muaj përpara se Qytetërimi Perëndimorë të niste luftën për çlirimin e Kosovës, babai i tij me ndërgjegje të flaktë patriotike edhe pse pensionist dhe i moshuar në moshë, mori një vendim që e mbuloi përjetë me nder dhe lavdi dhe që e vuri atë përgjithnjë në Panteonin e dëshmorëve heroik të Kosovës. Ai u kthye i vetëdijshëm nga Perëndimi se lufta po vinte dhe ai duhej të ishte aty. Ky burrë fisnik do të vritej në përpjekje me pushtuesit vetëm pak ditë përpara se Kosova të çlirohej, atëherë kur trupat e NATO-s hynë triumfuese në Prishtinë me ëndrrën e tij të përmbushur. Një shembull i papërsëritshëm i dashurisë më sublime për atdheun e të parëve. Ati i Mehmet Prishtinës do të mbetet në kujtesë të brezave në Drenicë dhe kudo gjetkë mes shqiptarëve si një njeri i thjeshtë që u vetëflijua për lirinë. Ashtu si ai luftuari në këtë truall të legjendave më të bukura u vetëflijuan edhe pjesëtarë të tjerë të fisit të tij më të afërt dhe më të largët. Në fshatin Polac ndodhet një varrezë e veçuar e fisit Prishtina ku gjenden me dhjetëra varre të rënësh në luftërat e fundit të shek të XX-të, të cilët janë një dëshmi e skalitur në mermer e vetëflijimit të këtyre burrave. Janë shpirtrat e tyre që lëshojnë çdo natë shkëlqimin në atë tempull vdekjeje. I pajisur me këtë traditë të vyer në formimin e tij personal u kthye përfundimisht në dheun që e lindi dikur për t’u bërë një banor i devotshëm i Prishtinës së re. Ndonëse ishte shkëputur për disa dhjetëvjeçar nga atdheu i tij i shtrenjtë ai u përshtat shumë shpejt me mjedisin e ri ku ai nisi një jetë të dytë. Ky qytet, që sapo kishte dalë nga pasojat shkatërruese kishte nevojë për kujdesin dhe përpjekjet e të gjithë bijave dhe bijve të saj .Për Mehmet Prishtinën është lumturia e tij jo se ky është një qytet i përkryer, por se është dashuria e tij e parë dhe e fundit që nuk e ndërron me asgjë. Me këtë mendim të ngulitur ai zuri ta ridashurojë Prishtinën e tij dhe u bë shumë shpejtë i vetëdijshëm se Kosovës i mungojnë shumë gjëra dhe se duhej ta kapte çdo gjë nga fillimi.
Përpara Prishtinës edhe Munihu i madh nuk ishte gjë tjetër veçse një kujtim i largët. Duke qenë i ndërgjegjshëm për këtë gjë, ai nuk dëshpërohet asnjë çast, por përfytyron në mëndje një të ardhme më të mirë në çdo aspekt që ai ndesh. Prandaj krahas punës së përditshme mendon, shqetësohet dhe u përkushtohet realizimit të disa aspiratave kulturore, të cilat nuk kërkonin investime të mëdha, por gjithsesi kërkonin zemërgjerësi ,atdhedashuri dhe kulturëdashësi ,por ,që sigurisht që nuk ishin dhe kaq të thjeshta për mundësitë e të tij modeste si ish emigrant i vjetër .Megjithatë, ai u betua se do të kontribuojë për diçka në fushën e kulturës. Diçka që do shërbente për ringjalljen e historisë së Kosovës ,asaj historie të mbushur me shumë dhimbje,me shumë sakrificë , e që kërkonte të dilte nga harresa për tu shfaqur me dritë. E tërë kjo ndërmarrje filantropike e Mehmetit u ngjiz tek Hasan Prishtina. Hasan Prishtina është një figurë që i përket sa Kosovës aq edhe Shqipërisë. Ai në historiografinë tonë është ndër 5- 6 yjet e historiografisë shqiptare .Nuk është pa domethënie se në boshtin vertikal jug-veri të kryeqytetit tonë Tiranë ndodhen monumente të ”Nënë Terezës”, Ismail Qemalit, Skënderbeu, Hasan Prishtinës dhe Ahmet Zogut. Ky është boshti më i rëndësishëm, i mbarë Tiranës si kryeqyteti i Shqipërisë Etnike dhe këta personalitete janë njëkohësisht 5 nga personalitetet më të lavdishëm të shqiptarëve. Nga këta personalitete vetëm Hasan Prishtina ,fatkeqësisht është më pak i njohur tek ne ,qoftë nga harresa qëllimkeqe antishqiptare,qoftë nga neglizhenca. Ja, pikërisht për këtë arsye personazhi i artikullit tonë Mehmet Prishtina e nisi veprën e bamirësisë kulturore me këtë figurë. Për Mehmet Prishtinën Hasani nuk ishte një çështje thjesht respekti apo lidhjesh farefisnore, trashëgimie apo diçka tjetër e tillë,por rikthimi i së vërtetës historike në piedestalin e nderimit shtetëror ,me qëllim që të dalin në dritën e diellit simbolet reale të Kosovës në historinë e kombit shqiptarë, ku 100 vjetori i Pavarësisë tonë do të shfaqej si rasti më ideal për këtë synim. Nga të 5 –të simbolet vetëm Ismail Qemali dhe Hasan Prishtina do ishin dy simbolet kryesore të kësaj Pavarësie. Nga një lobim intensiv i vlerësuar me iniciativën e personale të Mehmetit Hasan Prishtina erdhi në kujtesën shtetërore të Kosovës atje ku ai e meritonte në mënyrën më shembullorë për një njeri si ai,i diplomuar në institucionin arsimor më perëndimor të Perandorisë Otomane,Shkollën e Lartë të Administratës Perandorake që përbëhej nga pedagog francezë. Pikërisht këtij pararendësi të Pavarësisë së Kosovës, qoftë edhe për këtë fakt, e meritonte që Universitetit Shtetëror në Prishtinës ti jepej emri i tij .Dhe sot ky universitet, quhet Universiteti “Hasan Prishtina” .Është nderimi më i madh, që po i behet inteligjencës shqiptare dhe arsimit nëpërmjet këtij politikani që tipar kryesor kishte intelektualitetin e tij. Dhe kryevepra e filantropisë kulturore të Mehmet Prishtinës nuk ishte thjeshtë mbështetja financiare që u bëri tre monumenteve të këtij personaliteti në Tiranë,Prishtinë dhe Shkup ,por gjithashtu ai interesim i madh dhe i përhershëm duke trokitur në dyert e institucioneve shtetërore në Prishtinë dhe në Tiranë në zgjim të Hasanit te anashkaluar. Në inaugurimin e tyre morën pjesë me mijëra qytetarë ku panë të derdhur në bonzë heroin e tyre të harruar të Pavarësisë Kombëtare. Për të qenë të sinqertë falë interesit të tij këmbëngulës para disa ditësh në Pallatin e Brigadave në Tiranë, ne organizuam dhe përjetuam një ngjarje me përmasa kombëtare ,ku Presidenti i Republikës z Bujar Nishani i akordoi Hasan Prishtinës dekoratën më të lartë që jep shteti shqiptarë “Dekoratën e Flamurit”. Ishte një ceremoni e bukur, e thjeshtë por dhe madhështore në të cilën morën pjesë personalitete nga Kosova dhe Shqipëria, por dhe malësor të thjeshtë nga Polaci i Hasanit dhe nga tërë Drenica. Për hir të së vërtetës këmbëngulja e dhe vullneti tij patriotik kanë vulë të pa dukshme në atë ceremoni që i mblodhi shqiptarët së bashku për të nderuar heroin e tyre të përbashkët.
“Vullnetarizmi kulturor i një qytetari biznesmen si Mehmet Prishtina nga fshati Polac i Drenicës së Hasan Prishtinës , që sot po jep një kontribut shembullor me ndihmën e tij financiare dhe iniciativat e tij personale për lartësimin e figurës së Hasan Prishtinës është një rast që duhet të merret si shembull dhe të kuptohet se çfarë dashurie kanë për rrënjët e tyre qytetarët kosovarë”- u shprehë Presidenti Nishani gjatë kësaj ceremonie dekorimi.
Por vullnetarizmi i tij nuk u ndal në mbështetje ndaj lartësimit të kësaj figure kombëtare .Hasan Prishtina kishte nevojë edhe për një rilindje në literaturë. Me iniciativën dhe mbështetjen e tij financiare u bë e mundur botimi i disa librave që hedhin dritë mbi figurën shumëdimensionale të këtij personaliteti politikë..Ishte vullnetarizmi kulturor i këtij biznesmeni me mundësi modeste që të bëhej në Tetovë një konferencë ndërkombëtare me pjesëmarrjen e 30 studiueseve shqiptarë dhe të huaj mbi kontributin e Hasan Prishtinës në Pavarësinë tonë Kombëtare. Është pikërisht vullnetarizmi i tij kulturor i cili e ka ngacmuar sedrën e tij , që ti shpallë vetes së tij projekte të tjera mbi përjetësimin e mëtejshëm të kësaj figure. Botime librash, dinjitoze me biografi dhe dokumente. Një monomet tjetër në Vlorë për këtë figurë së bashku me Komunën e Prishtinës janë shprehje e një zgjimi të vrullshëm integrues që po bëjnë shqiptarët me njeri tjetrin. Në të gjitha këto veprime vullnetare Mehmet Prishtina fillimisht ka qenë i vetëm. Por ai nuk u tërhoq nga përkushtimi i tij ndoshta përtej mundësive për të lartësuar heroin e tij. Ai është i bindur se sikur çdo individ i ngjashëm në mundësi si ai të bënte qoftë edhe diçka vullnetare për personalitetin që do Shqipëria dhe Kosova do rizgjohen të përmbrujtura nga kujtesa historike dhe kultura shqiptare do ringjallet dhe madhështohet nga admirimi i miliona shqiptarëve të cilët do zbulojnë një histori të re të vendit të tyre. Mehmet Prishtina është vetëm një pionier i ri i këtij vullnetarizmi kulturorë. Shpresojmë se shembulli i tij i ri do ti hap rrugë atij rizgjimi të traditës së bujarisë shqiptare të kohës së Rilindjes Kombëtare e cila nisi me “Kalendarin Kombiar” dhe vazhdoi me botime, ndërtime shkollash, shtypshkronjash dhe akte të tjera kulturo-arsimore në shërbim të zgjimit kombëtarë shqiptarë dhe lartësimit shpirtëror të shqiptarëve.
* Ndihmes i Presidentit te Shqiperise Nishani,studiues,botues dhe publicist.

Filed Under: Histori Tagged With: kulturor, Mehmet Prishtina, Ndricim Kulla, një pionier i, vullnetarizmit

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT