Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Në Shqipëri këto gjashtë muajt e fundit kanë ndodhur dy krime ekonomike të nivelit më të lartë shtetëror. Vrasja e drejtorit të Credins Bank Artan Santo dhe vjedhja e Bankës së Shtetit Shqiptar, që u shoqërua me arrestimin e Guvernatorit dhe të disa zyrtarëve të këtij institucioni.
Deri tani shteti shqiptar nuk ka zbardhur asnjë nga këto krime, të cilat duhet t’i zbardhë me çdo kusht. Asnjë investitor i huaj nuk ka siguri të vijë në Shqipëri, nëse vendi nuk garanton shtetin ligjor. Shtet ligjor i dënon shkelësit e ligjit, pa marrë parasysh postet e larta që ata mbajnë, prandaj thuhet se “të gjithë janë të barabartë përpara ligjit”.
Megjithë pengesat, barrierat, vështirësitë, gjithçka duhet të jetë e tejkalueshme, sepse në një sistem demokratik, shteti i së drejtës duhet të triumfojë. Ne të gjithë duhet të besojmë se në Republikën e Shqipërisë duhet të ketë shtetarë të aftë e të ndershëm që ta kryejnë me devocion detyrën ndaj shtetit dhe qytetarit. Sepse ndryshe sistemi demokratik do të degradojë në sistem mafioz.
Këto ditë televizioni publik italian RAI UNO shfaqi filmin – “Qualunque cosa succede” –Çfarëdo që të ngjasë-, një miniseri televizive kushtuar Giorgio Ambrosolit. Një film kushtuar po Ambrosolit, me titullin “Un eroe borghese“, mban firmën e Michele Placidos.
Po kush ishte Giorgio Ambrosoli? Duke cituar Carlo Azeglio Ciampi, ish-Presidentin e Italisë « Giorgio Ambrosoli ishte një qytetar italian në shërbim të Shtetit, i cili thjeshtësisht dhe normalisht kreu detyrën». Ndërsa në fjalët që motivojnë Medaljen e Artë të Vlerave Qytetare midis të tjerave thuhet se “Giorgio Ambrosoli ishte shembull i shkëlqyer i sensit të lartë të detyrës dhe të integritetit moral absolut, deri në sakrificën ekstreme”.
Më thjeshtë, Giorgio Ambrosoli ishte një avokat profesionist me kompetenca, shumë i aftë dhe i ndershëm që sakrifikoi jetën për hir të vlerave të shtetit ligjor.
Pas crack-ut të Bankës Private të Italisë, Giorgio Ambrosoli emërohet në shtator të 1974 prej guvernatorit të atëhershëm Guido Carli komisar likuidues i kësaj banke, me qëllim hetimin e situatës ekonomike, ku dyshohej për krim ekonomik. Siç rezultoi, në këtë aferë mafioze kishte përfshirje të politikës, eksponentëve të financës së lartë, deri të figurave të Vatikanit si dhe mafies siçiliane këtej e përtej oqeanit, do me thënë në SHBA, që e kishin kthyer Bankën Private të Italisë në një kupolë të krimit të malavitës dhe shtetarëve të korruptuar.
Duke qenë se fjala ishte për fitime me miliona e miliona dollarë, Giorgio Ambrosoli merr sinjale kërcënimesh menjëherë sapo emërohet dhe pesë muaj pasi kishte marrë detyrën, në shkurtin e vitit 1975, i ndërgjegjshëm për situatën kritike, ai do t’i shkruante një letër së shoqes, ku i linte amanet rritjen e fëmijëve. Në fakt, ajo që priste do t’i vinte 4 vjet e sa më vonë, në 12 korrikun e 1979, kur ai gati e kishte mbaruar detyrën që kishte caktuar vetes, të paraqiste prova të mjaftueshme kundër Michele Sandonan, pronarit kryesor të Bankës Private të Italisë që kishte shumicën e aksioneve. Sandonan drejtësia do ta dënonte me burgim të përjetshëm, me akuza të provuara për veprimtari kriminale mafioze dhe si mandant (porositës) i vrasjes të Giorgio Ambrosolit.
Që kur e mori detyrën e deri në vrasje, Giorgio Ambrosoli pati pak mbështetës nga ana e shtetit, aq sa dukej sikur shteti mbante anën e mafies. Ndërkohë ai kishte mbështetjen e guvernatorit të Bankës të Italisë, Paolo Baffit, i cili kishte zëvendësuar Guido Carlin dhe të Mario Sarcinellit, që atë kohë ishte nëndrejtor i Bankës së Italisë dhe përgjegjës për mbikqyrjen e bankave të kreditit.
Për t’i dhënë goditjen përfundimtare Giorgio Ambrosolit, drejtësia e kapur italiane, në marsin e 1979, vetëm katër muaj përpara vrasjes, arreston edhe të dy mbështetësit e tij, Guvernatorin Paolo Baffi dhe Mario Sarcinelli, që akuzohen nga Prokuroria e Romës për shpërdorim të detyrës dhe favoritizëm personal. Sarcinelli u arrestua dhe doli nga burgu vetëm pasi u shkarkua nga detyra, ndërsa Baffit iu shmang burgu për shkak të moshës.
Arrestimi i dy figurave të shquara të botës të financës u prit me indinjacion të thellë dhe manifestime solidariteti, ku vlen të përmendet një apel publik i firmosur nga 147 ekonomistë nga më të famshëm të Italisë. Paolo Baffi dhe Mario Sarcinelli dolën të pafajshëm, por Baffi nuk pranoi më të vijonte detyrën e Guvernatorit të Bankës të Italisë, të cilën pas tij në gushtin e 1979, vetëm një muaj pas vrasjes të Giorgio Ambrosolit, e mori Carlo Azeglio Ciampi, i cili në vitin 1999 për dy mandate rresht, do të ishte Presidenti i Republikës Italiane.
E tregova këtë histori e cila ka shumë ngjashmëri me aktualitetin shqiptar, sa i përket krimit ekonomik, për të treguar se lufta kundër shkelësve të ligjit nuk ka lindur as sot dhe as dje, se kjo luftë është permanente dhe ku fitues duhet të jetë gjithmonë shteli ligjor dhe qytetari, pavarësisht bindjeve politike.
Kastat në Indi dhe klasat në Shqipëri
NGA ILIR HASHORVA/ New York/
29 Nëntori është dita më veçantë në historinë moderne të Shqipërisë. Për disa, ajo është dita e çlirimit, për të tjerë – dita robërisë; për disa, ajo është dita e përfundimit të luftës me fitore të nacionalçlirimtares, për të tjerët – dita e fillimit të tiranisë komuniste. Për mua, më shumë nga të gjitha, 29 Nëntori është dita e ndarjes dhe e përçarjes së dhunshme të popullit shqiptar, ndarje dhe përçarje që vazhdojnë edhe sot dhe nuk dihet se sa do të zgjasin. Komunizmi iku së bashku me terrorin e tij, ndarja dhe përçarja mbetën.
Deri në fillim të viteve 1940, populli shqiptar ka qenë një dhe brenda tij nuk ka pasur grindje apo armiqësi. Ka pasur grindje dhe armiqësi midis elitave politike, por jo midis vetë popullit. Ideologjia e tij deri në këtë kohë ka qenë ideologjia kombëtare. Elitat e popullit kishin dallime e mosmarrëveshje për mënyrat dhe rrugët që do të duhej të ndiqeshin për të realizuar sa më mirë çështjen kombëtare në të gjitha aspektet, por ato nuk ishin armike për vdekje të njëra tjetrës. Pas kësaj kohe, në skenë u fut komunizmi, komunizmi i ideologjisë se internacionalizmit, i cili më shumë se miqësinë me popujt e tjerë, pati kujdes ndarjen dhe futjen e armiqësisë brenda popullit të vet. Komunizmi futi në Shqipëri farën e përçarjes. Ai e ndau këtë popull, në një anë në komunistë, dhe, në anën tjetër, në jo komunistë dhe antikomunistë: në “ne” dhe “ata”. Grindjet dhe ndarjet tashti kaluan nga elitat, te populli: brenda fisit, brenda familjes, duke krijuar në këtë mënyrë ndarjen më të madhe në historinë e popullit shqiptar, ndarje që u shoqërua me armiqësi dhe tragjedi të panumërta, ndarje që vazhdon edhe sot, ndonëse e pa shoqëruar me tragjedi si më parë.
Ishte fillimi i viteve 90, kur sapo ishin liruar të burgosurit dhe të internuarit politikë. Së bashku me disa shokë, shkuam për vizitë te një shok tjetër, familja e të cilit ishte komuniste e flaktë. Në dhomën e bukur e të mirë ku na pritën, krahas njerëzve të familjes, të veshur e të mbajtur shumë mirë, binte në sy edhe një person tjetër që stononte ndaj atij ambienti: dukej i heshtur, i dobët, i tharë, i nxirë, i veshur keq, me një kasketë të vjetër në kokë. Të jepte përshtypjen se kishte hequr keq. Atë e kishin ulur në një kolltuk në krye të dhomës dhe një nga gratë e shtëpisë i mbante gjithë dashuri dorën. “E shihni këtë – na u drejtua neve – ky është dajoja. Sapo e kanë liruar nga internimi. Nuk e njihnim fare, s’e kishim parë kurrë. Ah, ç’na bëri ai Enver Hoxha! Na ndau nga njerëzit, nga njerëzit e dashur, nga njerëzit e afërm. Dajo, – i drejtohej atij që e quante dajo – je rehat, hë, shtriji këmbët, mirë je? Ah mor Enver Hoxha ç’ na bëre, na ndave nga njerëzit!” – përsëriste. Nuk di se sa zgjati ai qëndrim dashamirës ndaj “dajos”, por, me siguri, jo gjatë. Kur u pa që “dajoja” me shokë, ata që u liruan nga burgjet dhe internimet, jo vetëm që nuk patën ndonjë zë të fortë në Shqipërinë e ardhme, por as ndonjë zë të mekur, u abandonuan si më parë.
Trishtohemi dhe njëkohësisht edhe çuditemi kur mësojmë se në Indi shoqëria ishte e ndarë në kasta në formë hierarkike dhe se ekzistonte edhe një grup që ndodhej jashtë kastave, që quhej grupi i të paprekshmëve, i cili shfrytëzohej, shtypej e përbuzej, që prej kohësh që s’mbaheshin mend, nga pjesa tjetër e shoqërisë, nga shoqëria e kastave. Por, nuk na ka shkuar mendje se edhe ne në Shqipëri gjatë komunizmit kemi jetuar në një sistem apo në një shoqëri të ndarë në kasta apo, ç’është e njëjta gjë, në klasa që ishin më të theksuara e më të kundërta se ato që qenë vendosur në Indi; se edhe ne kemi pasur një klasë shumë të ngjashme me të paprekshmit indianë, madje edhe më të mjerë, edhe më të shtypur, edhe më fatkeqe, edhe më të persekutuar se ajo: “klasën e të deklasuarve”.
Ai që ka pak njohuri nga shoqëria indiane, e di se ajo shoqëri ka qenë e ndarë në kasta të vendosura në formë piramidale me në krye brahminët të cilët pasoheshin nga kshatriat, vaishnavat dhe, në fund sudrat. Pas tyre vinin ata që nuk futeshin në asnjë kastë, ata që ishin lënë jashtë kastave, të paprekshmit. Në ngjashmëri me kastat indiane edhe shoqëria shqiptare kishte brahminët e saj, ata që quheshin udhëheqja e lartë e partisë dhe pushtetit; kishte kshatriat e saj – komunistët e ndryshëm dhe rrethet e tyre që drejtonin në nivele më të ulëta; kishte vaishnavat e saj – intelektualët e ndryshëm, ata që quheshin kuadro, apo monopol i partisë; kishte sudrat e saj – punonjësit dhe punëtorët e zakonshëm dhe, në fund, shoqëria shqiptare, kishte edhe të paprekshmit e saj, të deklasuarit – ata që nuk hynin në asnjë klasë, ata që ishin jashtë klasave. Këta ishin ata që komunizmi i përcaktonte si reaksionarë, si të prekur, si kulakë, si me biografi të keqe, si armiq të partisë, si armiq të popullit, si kriminelë lufte, si sabotatorë të pushtetit popullor, ishin ata që nuk përfitonin triskën e frontit: atë triskë që po të mos e kishe, të pinte e zeza dhe, po ta kishe, nuk të hynte në punë. Këta, çfarëdo që të bënin, sado që të punonin, sado ndershmëri të tregonin, sado zgjuarsi dhe kulturë që të kishin, nuk e përmirësonin dot biografinë e tyre, gjendjen e tyre. Ata lindnin si të deklasuar dhe vdisnin si të deklasuar.
Pas mbarimit të luftës dhe marrjes së pushtetit, komunistët, të pajisur me forcën që u a jepte totalitarizmi tiranik dhe pozicioni i fitimtarit, iu kthyen kundërshtarëve të tyre të luftës si dhe të gjithë të tjerëve të konsideruar si kundërshtarë potencialë të paqes: nacionalistëve, intelektualëve, tregtarëve, demokratëve, klerikëve, të cilët i kthyen në pre të sadizmit të tyre. Me kundërshtarët fillestarë të regjimit që u shpëtuan vrasjeve dhe me pasardhësit e tyre, u krijua bërthama e grupimit të ri, e klasës së re, e klasës së të deklasuarve, tek e cila do të shfrynte të gjithë sadizmin e tij komunizmi shqiptar.
Komunizmi shqiptar, që erdhi në pushtet me parullën e zhdukjes së klasave, me parullën e krijimit të një shoqërie të lirë e pa klasa, krijoi klasat e veta dhe, ç’është më e keqja, i vuri ato të luftonin me njëra-tjetrën.
Të paprekshmit indianë ishin ata që ishin dhe në grupin e tyre nuk mund të kalonin persona nga kastat e tjera, ata nuk mund të shtoheshin nga jashtë me të gjallë; në të paprekshmit shqiptarë, në të deklasuarit shqiptarë, kalonin vazhdimisht persona, familje dhe fise nga klasat e tjera që e zmadhonin dhe e zmadhonin pambarimisht atë klasë.
Nga shteti indian nuk bëhej ndonjë luftë kundër të paprekshmëve indianë, madje, nga një pjesë e popullsisë nuk kishte as përbuzje ndaj tyre, përkundrazi mund të shprehej edhe njëfarë keqardhjeje për të ta, por për të deklasuarit shqiptarë nuk mund të shprehej asnjë keqardhje. Mbi ta binte e gjithë ligësia e shtetit të komunist dhe e servilëve të tij. Mbi ta binte e gjithë propaganda e regjimit komunist, e gjithë shtazëria dhe urrejtja e sigurimit, e policisë, e hetuesisë dhe gjykatave të kohës, e gjithë vepra e artistëve dhe shkrimtarëve shqiptarë.
Për çudi, sistemi që pretendonte se do të ndërtonte shoqërinë pa klasa, shoqërinë e të barabartëve, shoqërinë e mos shfrytëzimit të njeriut prej njeriut, madje të trajtimit të njeriut si “kapitalin më të çmuar”, u bë sistemi që krijoi klasat më të ndara në histori, që krijoi shoqërinë e të ndryshmëve, shoqërinë që u ndërsye e gjitha të luftonte, të shfrytëzonte dhe të poshtëronte në maksimum klasën e deklasuar.
Regjimi komunist jo vetëm që krijoi klasat apo kastat, por i vuri ato edhe në luftë më njëra-tjetrën; ai krijoi luftën e klasave që ishte një vazhdim i natyrshëm i luftës civile në kushte paqeje. Për atë regjim lufta e klasave ishte “forca lëvizëse e shoqërisë”, një luftë që përbënte veprimin më diabolik të komunizmit. Lufta e klasave zhvillohej në mënyra nga më të ndryshmet dhe objektivi kryesor i saj ishte goditja e vazhdueshme dhe e fuqishme e atyre që nuk konsideroheshin si përkrahës të regjimit, apo që konsideroheshin si kundërshtarë të tij, goditje që kryhej nga të gjitha klasat e tjera, por që viheshin në lëvizje dhe ndërseheshin nga udhëheqja e lartë e Partisë Komuniste dhe e shtetit komunist. Ai regjim kishte krijuar një gjendje të tillë që të deklasuarve shqiptarë nuk mund t’u afroheshe, nuk mund t’u flisje, nuk mund t’u merrje vajzën apo djalin për nuse apo për dhëndër, nuk mund të shkëmbeje vizita, nuk mund t’i kishe në rrethin tënd, nuk mund t’i ftoje në gëzime a hidhërime familjare, sepse jo vetëm të “ndotnin”, si të paprekshmit indianë, por të kthenin edhe ty në të paprekshëm, në të deklasuar. Kjo kategori njerëzish, jo vetëm që detyrohej të bënte punët më të ulëta e më të rënda, por bënte edhe punët më të rrezikshme. Ajo punonte për hapje tunelesh, për tharje kënetash, për ndërtime tarracash bujqësore, për nxjerrje mineralesh etj. Në qoftë se u bënë disa ndërtime në kohën e komunizmit, dhe në të vërtetë u bënë, të paprekshmit shqiptarë kanë një pjesë të madhe të punës në to.
Kur dy persona akuzoheshin për të njëjtin faj, ai me biografi jo të mirë, i deklasuari, do të dënohesh gjithnjë shumë herë më rëndë se tjetri që ishte me biografi më të mirë, se ai që qe “i yni.” Për të njëjtën punë, shpërblehej shumë më shumë “i yni” se “ai tjetri”.
Në qendrën time të punës, u ndërtua nga vetë punonjësit e tij një ndërtesë banimi ku do të strehoheshin kryesisht punonjës që ishin me kushte të vështira banimi dhe që do të punonin për ndërtimin e tij. Kur pallati u ndërtua dhe erdhi puna për ndarjen e apartamenteve, u tha se si kriter për ndarjen e tyre do të ishte masa e punës së kryer nga secili. Njërit prej atyre që kishte punuar sa dhjetë të tjerë, iu dha apartamenti më i keq. Ai u ngrit në mbledhjen që u bë për ndarjen e pallatit dhe tha se atij, për shkak të punës së madhe që kishte bërë, punë që e dinin të gjithë dhe nuk e vinte në dyshim askush, i takonte një apartament më i mirë se ai që i caktoi drejtoria dhe organizata bazë e partisë. Por, për fatin e tij të keq, ai qe i afërt me kastën e të paprekshmëve, kështu që drejtori u ngrit e i tha “Ty nuk të takon apartament tjetër. Biografia tënde nuk është e mirë!” I mjeri punonjës kuptoi se me pretendimin që paraqiti ishte rrezik të humbiste jo vetëm apartamentin që i dhanë, por edhe punën. Kështu, i dëshpëruar, u ul pa e zgjatur. Njeriu me “biografi të keqe,” i paprekshmi, i deklasuari, shërbente vetëm për shfrytëzim dhe për përbuzje.
Dy klasa e kundërta: brahminët shqiptarë dhe të paprekshmit shqiptarë ishin krejt të ndryshme nga njëra-tjetra. Brahminët kishin zonën e tyre të banimit, të ndarë nga pjesë të tjera banimesh dhe të mbrojtur me mure, me gardhe e me roje vigjilente që të shihnin me dyshim dhe me inat kur u kaloje pranë. Ata kishin shërbyes, kuzhinierë, dado për rritje të fëmijëve, makina, shoferë e truproje të shumta. Ata kishin vendet e tyre të pushimit. Ata kishin farmaci e klinika speciale mjekësore ku kuroheshin për urgjenca, se për sëmundje të tjera shkonin jashtë vendit. Ata kishin dyqanet e tyre të blerjes së ushqimeve dhe veshmbathjes.
Edhe të paprekshmit kishin vendet e tyre të banimit, getot e tyre, të ndara nga ato të të tjerëve. Ato ishin burgjet, kampet e internimit, kampet e punës, fshatra të caktuara enkas për ta, ishin kasollet a stallat, ishin bodrumet e shtëpive të tyre në katet e sipërme të të cilave banonin pjesëtarë të kastave më të larta. Ata nuk shkonin dot në shkolla të larta, në ushtri do të bënin pjesë në repartet e punës në të cilat ose do të punonin në bujqësi, ose në ndërtime tunelesh, duke punuar vazhdimisht në rrezikun e shpërthimit të minave. Shumë nga pjesëtarët e të paprekshmëve nuk kishin as varre, sepse vriteshin apo vdisnin nëpër burgje dhe burgu nuk ia jepte trupin e të vdekurit familjarëve të tij.
Gjendja e tyre ishte e mjerë dhe i vetmi ngushëllim për ta ishte se mësonin se kishte edhe më keq, se e keqja nuk kishte fund, se sado keq të ishe, kishte dhe një që ishte edhe më keq. Ata sikur e dinin urtësinë kineze që thoshte “Qahesha e ankohesha se nuk kisha këpucë, përderisa pash një që nuk kishte as këmbë.” Dhe, kjo i mbante disi gjallë.
Ndryshe nga të paprekshmit indianë, të paprekshmit e komunizmit shqiptar, të deklasuarit, as që mund të mendohej se mund të ngriheshin dhe të kërkonin trajtim të njëjtë me të tjerët. Ata ishin aq të shtypur e të frikësuar dhe regjimi ishte aq i gatshëm për të mbytur çfarëdo përpjekje për trajtim të barabartë, saqë as mund të mendohej që ndonjë prej tyre të kërkonte ndonjë të drejtë. Atyre as që duhej t’u shkonte nëpër mend se diçka mund të ndryshonte.
Të të kategorizonin si të deklasuar, si reaksionar, si të prekur, si me biografi të keqe, ishte fatkeqësia më e madhe. Ata pa skrupuj, ç’farë nuk bënin për të shpëtuar nga ai kategorizim. Në librin e tij “Rrno vetëm për me tregue,” At Zef Pllumi tregon:
“Ndërsa punojshem ne lulishten e komandës, atje në Zejmen, nji nanë erdh me takue djalin e vet, që ishte në burgun ordiner dhe e ndjeva tue i thanë: ‘Të falënderojmë, o djalë, që nuk na korite e nuk u dënove si armik i pushtetit, por vetëm për hajni…’ Pra bota kishte ndrrue krejtësisht: braci ishte i ndershëm, ndërsa armiku i pushtetit, marre e turp!”
Djali, megjithëse kishte kryer aktin e vjedhjes, aktin e dënuar që prej fillimit të botës nga të gjitha fetë, nuk e kishte “turpëruar dhe degraduar” familjen, ajo nuk do të kalonte në kategorinë e të deklasuarve, në kategorinë e atyre që do të vuanin gjithë jetën si armiq të regjimit!
Kur një nga bashkëshortët goditej si i paprekshëm, në një shumicë rastesh, bashkëshorti tjetër e divorconte në vend atë. Kur një person merrte pjesë në një film a shkruante një libër dhe më pas, për arsye të ndryshme, kalonte si i paprekshëm, filmi a libri ktheheshin automatikisht në të paprekshëm dhe hiqeshin nga qarkullimi. Kur një person arrestohesh dhe dënohesh për agjitacion e propagandë, për tentativë arratisje, apo për “krime” të tjera politike, e gjithë familja dhe fisi i tij deri në tre breza kthehesh automatikisht në të deklasuar. Kur dikush kthehesh befas në të deklasuar, të gjithë i largoheshin, të gjithë e mohonin, edhe njerëzit më të afërm, pa lë më kolegët e shokët.
Njëlloj si të paprekshmit në Indi që u ishin nënshtruar fatit, që nuk mund të dilnin nga gjendja e mjeruar, që e pranonin atë gjendje si një dënim që merrnin për një të kaluar jo të mirë të tyre në jetën paraardhëse, ashtu dhe të deklasuarit shqiptarë duhej ta pranonin gjendjen e tyre si ndëshkim për një punë jo të mirë të bërë nga prindërit e tyre, nga gjyshërit e tyre, nga pjesëtarë të tjerë të familjes së tyre, apo qoftë edhe nga kushërinj të afërt apo të largët.
Klasa e të deklasuarve shqiptarë u krijua, u mbajt dhe u shtua si pasojë e sadizmit komunist, për të shfrytëzuar një kategori njerëzish dhe për ta mbajtur atë kategori të shtypur, në mënyrë që të mos kishte mundësi ti shkonte mendja e të ngrihesh për të rrezikuar a rrëzuar komunizmin dhe komunistët, ajo u mbajt edhe si kërcënim i vazhdueshëm për të gjithë të tjerët. Klasa e të deklasuarve u mbajt gjatë gjithë kohës larg të tjerëve, e mjeruar, e pamësuar, e pazhvilluar, e frikësuar. Qëndrimi për një kohë të gjatë i kësaj klase në këtë gjendje, pati efektet e veta. Nga ky shkak, ajo, edhe kur ranë brahminët si klasë dhe si ideologji, pra kur ra komunizmi, nuk qe në gjendje të kuptonte se ç’ndodhte, madje as që kishte dëshirë të kuptonte, mjafton të dëgjonte se si ish-brahminët, ish-komunistët fanatikë, tashti të “konvertuar” në miq të të paprekshmëve, kritikonin e nëmnin regjimin e tyre të mëparshëm më shumë nga ç’do të dinin t’i kritikonin e t’i nëmnin vetë ata. Të deklasuarit u habitën dhe u kënaqën me kaq dhe nuk kërkuan kurrë më shumë.
E gjithë ajo që ndodhi me atë klasë të mjerë nuk u dokumentua kurrë zyrtarisht. E vërteta e plotë nuk doli kurrë në shesh. Vetë ish-të deklasuarit si grup, apo si klasë, nuk u interesuan aq për të, sasa për të përfituar ndonjë copë nga pronat e shtetëzuara, apo ndonjë këst pagese për burgjet e kryera pa faj, nga ata që i mbajtën në atë gjendje për afro gjysmë shekulli. Përpjekje individuale për të dokumentuar atë që ndodhi pati nga disa idealistë, por përpjekje kolektive, apo zyrtare nuk pati kurrë. Njeriu transformohet kur mbi të ushtrohet vazhdimisht e për kohë të gjatë dhunë e gjithanshme degraduese fizike dhe psikike.
Nga të gjitha të këqijat e komunizmit shqiptar, krijimi i klasave dhe vënia e tyre në luftë me njëra tjetrën pra, lufta e klasave, ishte, ndofta, krimi më i rëndë në historinë e popullit shqiptar. Komunizmi e ndau Shqipërinë në atë kohë dhe ajo ndarje vazhdon gati njëlloj edhe sot. Komunizmi e la Shqipërinë mbrapa në atë kohë, duke e privuar nga një elitë intelektuale dhe morale dhe e lë atë mbrapa edhe sot nga mungesa e një elite të re që do të dilte nga elita e vjetër.
Nju Jork, nëntor 2014 Ilir Hashorva
SI U PRITËN MISIONET ANGLO-AMERIKANE NE SHQIPERI
NGA GËZIM LLOJDIA/
1.Duke ndjekur rrugëtimin dhe udhë-përshkrimet e gazetës “Flamuri”.Çështja që përvijohet qartazi dhe hollësisht e mundshme për tu zbërthyer:aleatët e luftës dhe pasqëndrimi me ta. Gjemia lëkundet dhe nga vjen era fillon lëvizjen. Më 3 nëntor 1943 gjejmë aty se KQ i PKSH u ka shpërndarë një qarkore,kuptohet të fshehtë. Fjalitë ku duhej përqendruar : duhet ti kem syte të kthyer nga Moska, edhe ta shikojmë çdo gjë, në prizmin e luftës që po bënë Bashkimi Sovjetik. Duhet të krijojmë në popull dashuri dhe respekt për Bashkimin sovjetik,Ushtrinë e kuqe dhe Stalinin..Ka qarkulluar një qarkore gati e fshehtë që është firmosur prej” Shpatit” më të dhëna 9 shtator 1943 ku rreshtohen disa radhë kundër qeverisë angleze dhe reaksionit imperialist, që në rast të një zbarkimi do ti ndihmonte çetat e Ballit Kombëtar i cili njihej për tendencën antikomuniste dhe antifashiste. Të mëvonshme ngjarjet janë një konsekuencë rrjedhojë e logjikës,shkruhet.
që do të godiste anglo-amerikanët filluan me fjalimet e drejtuesve të shtetit të atij regjimi.
2.Çfarë ngjau? Ardhja në fuqi e laburistëve në Angli sikur ngrohu shpresat që u shuan po kaq me shpejtësi.
Germë për germë shkruhet kështu tek gazeta në vitet ’50 të shekullit të shkuar. “Kështu me mjeshtrin djallëzore dëbuan Nuncin Apostolik të Papës Mgr Nigris.Nga fundi i marsit të vitit 45 shtrënguan konsullin turk të fshihet në misionin Englez dhe të largohet fshehtas nga Shqipëria,mbasi e atakuan deri më gurë brenda në konsullatë. Filluan ti qesin pengime zyrtarëve të UNRRA,të cilët i shikofshin si agjentë të demokracive perëndimore. Disa nga ata si Mrs Pennington shqiptarofile e njoftuan,i dëbuan me forcë nga Shqipëria. Në fund përgatitën sulmet kundër misioneve ushtarake anglo-amerikane .Këto misione të mbikëqyrura vazhdimisht nga policia e Koci Xoxes nuk kishin liri udhëtimi nëpër vise të ndryshme të Shqipërisë dhe njerëzit që bijnshin në kontakte me ta shënoheshin nga agjentë të veçantë për tu përgatitur një ditë burgimin e tyre. Misionet aleate e humbën një ditë lirin me kërkue vorrezet e ushtarëve dhe oficerëve aleat të vramë gjatë luftës në tokën shqiptare…
3.Gazeta më poshtë shkruan:
Me fqinjët Hoxha ka inauguruar një politikë antikombëtare. Shqipënija ka në robni jugosllave që nga viti 1913. Krahina të gjana dhe të pasura si Kosova, Dibra, rrethet e Shkodrës, me një sipërfaqe e popullsi sa Shqipëria e sotme e quajtën e lirë. Afër 1.000.000 shqiptarë vuajtën dhe vuajnë tu pritë një ditë drejtësie për tu bashkuar me Shqipënin Nëne. Kur Shqipnija për qejf të Enver Hoxhës dhe me urdhen të Moskës kishte hyr në prerin e Jugosllavisë që e kishte robuen mirë vendin me traktate ushtarake,ekonomike,politike, marshalli Tito kishte zanë vendin e Skënderbeut. Atëher Enver Hoxha mohonte Kosovën dhe “tanësin tokësore”tu deklarue në fillim të 1945 :”Me Jugosllavinë nuk kemi asnjë rivendikim”.Sot punët kanë ndryshuem”Shokët” janë ba armiq të tërbuem. Jugosllavija akuzon Enver Hoxhën pse prishi gjithë traktatet e akordet, dhe e armiqësoi me Shqipënin,ndërsa qeverisa komuniste e akuzon Jugosllavinë pse masakroi mijëra kosovarësh të cilët dojshin të bashkoheshin me mëmëdheun. Ka haruar Enver Hoxha se në atë kohë pat dërguar brigadat komuniste për të shtyp kryengritjen kosovare kundër robërisë së kuqe. Politika e ndjekur me fqinjin jugor Greqinë. Me pak rreshta citohet kështu se jugu i Shqipërisë ka ngelur në Greqi që nga viti 1913,Çamëria me je popullsi prej 130000 banorë. Por sot nga stërminimi sistematik i qeverive të ndryshme dhe nga shtrëngimi për ikur për në Turqi,kjo popullsi përmban 30000 shqiptarë .Çfarë bënë qeveria e Tiranës,shkruan gazeta.Hoxha nxirret deri ne qiell shpërthen kundra Greqisë të quajtur monarko-fashiste,por shkaku nuk janë as çamët dhe as Çamëria. Ai është urdhëruar të mbajë në pasiguri kufirin e Epirit,për të vendosur ne vend planet e sovjetikëve. Kur çetat e ELAS dominonin në kufirin e veriut,komunistët nga viti 1943 prishën piramidat e kufirit greko-shqiptar dhe deshën të përgatisin popullin për një përqafim .Nëse në Athinë do të kishin fituar të majtët qeverisë nuk do ti binte ndërmend as për tokat shqiptare,as për çamët. Këtu ka një citim të Mithat Frashërit në 1942:”Partia Komuniste interesohej jo për luftën kundra kombësive të huaja në Shqipëri,por për luftën kundra ideve dhe kombeve qi ishin kundra komunizmit, dhe Bashkimit Sovjetik. Sa për Shqipënin mjaftonte të tepronte nji shqiptar por aj të ishte komunist”.Për fqinjin tjetër Italinë. Thuhet se është lidhur një marrëdhënie diplomatike,por qeveria e Tiranës e shikon me syzet fashizmit. Çfarë fshihej pas asaj marrëveshje konsullore?Të futeshin në Itali agjentë për të vëzhguar dhe për të kryer atentat kundërshtarëve politikë. Kështu regjimi mori në sy të gjitha rreziqet duke u mbajtur pas kapistre të Moskës e cila nuk kishte përgatitur dhe as nuk u angazhua në ndonjë trakt për mbrojtjen e Shqipërisë.
Diskutimi: A ka pasur luftë civile në Shqipëri?
Nga Gavrosh Levonja/
Organizimi i një ceremonie përkujtimore nga shoqata “Labëria” u shfrytëzua nga disa historianë zyrtarë të regjimit komunist për t’i bërë hyjnizimin e radhës luftës “nacional-clirimtare”, në kohën që mbrojtën tezën sipas të cilës ajo nuk ka qenë aspak luftë civile. Që është bërë luftë, kjo sigurisht nuk mund të mohohet, por të hedhësh poshtë tezën që, sidomos, pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, pati dhe karakterin e një luftë civile, do të thotë ta shkruash këtë pjesë të historisë duke u bazuar në “direktivat e partisë”, “mësimet e shokut Enver” apo, më e pakta “dokumentat” të cilët servireshin nga regjimi komunist dhe propaganda e tij. Lidhur me këtë, mund të them se janë vetë burimet e sipërpërmendura, të cilët vërtetojnë se lufta ka pasur goxha elementë të një luftë civile. Ata të cilët janë shkolluar para vitit 1990, në tekstet e historisë të të gjitha niveleve shkollore, mësonin se “lufta nacional-clirimtare” ishte luftë kundër okupatorit dhe “tradhtarëve të vendit”. Duke pasur parasysh se “tradhtarët” nuk mund të ishin nga radhët e forcave pushtuese, mjafton vetëm kjo për të ardhur në përfundimin se lufta ishte zhvilluar edhe kundër një pjese shqiptarësh. Sigurisht, ata që kundërshtojnë tezën e “luftës civile” përgjigjen menjëherë se “tradhtarët” përfaqsojnë të ashtuquajturit “kolaboracionistë” ata që morën pjesë në qeveritë e krijuara në kohën e pushtimit apo në struktura të tjera shtetërore të asaj periudhe, pa marrë mundimin të thellohen në arsyet e shkaqet që i shtynë ata, (një pjesë e të cilëve figura të ndritura të kombit). Boll të përmend një nga motivet, qtë që vetëm gjatë periudhës së luftës u bë realitet bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare nën një shtet të vetëm. Megjithatë, Patër Anton Harapi në një shkrim monumental të botuar në shtypin e kohës duke shpjeguar arsyet që e shtynë atë të bëhej pjesë e këshillit të regjences, ka radhitur në mënyrë të qartë e bindëse dhe shkaqe të tjerë, si nevojën e një autoriteti për të ruajtur vendin nga kaosi e vëllavrasja. Mirëpo, në të njejtën linjë, në tekstet e historisë së asaj kohe, përsa I përket luftës “nacional-clirimtare” flitej gjërësisht dhe për luftën kundër “organizatave tradhtare” , “Balli Kombëtar” dhe “Legaliteti” në kohën që nuk shkruhej as edhe një rrjesht i vetëm për luftën e këtyre formacioneve kundër okupatorit. Lidhur me këtë, qoftë dhe në formë kurioziteti, u kërkoj historianëve që thonë se luftën e bënë komunistët, t’i ofrojnë opinionit publik numrin e cetave komuniste dhe atyre jo komuniste deri nga mesi I vitit 1943 përfshi dhe aktivitetin e tyre. Vetëm se u lutem historianëve të mos përfshijnë në listën e cetave komuniste, ndonjë si ajo e Babë Myslymit e formuar para krijimit të PKSH, të cilën drejtuesit komunistë e kishin më shumë si strehë kur e kishin punën pisk, dhe nga ana tjetër me dërgimin atje të elementëve nga radhët e PKSH të krijonin në publik përshtypjen se ajo ishte një krijesë e PKSH-së gjë që e bënë dhe me ceta të tjera, drejtuesit e të cilave nuk ishin komunistë. Historianët që mohojnë ekzistencën e luftës civile më së pari duhet të ndalen në mënyrë të hollësishme tek marrëveshja e Mukjes, tek shkaqet dhe rrethanat të cilat cuan tek ai takim historik e më pas hedhjen poshtë të saj nga krerët e PKSH. Me përjashtim të ndonjë trurrjedhuri apo të indoktrinuari deri në palcë, vështirë se mund të gjendet ndonjë historian, I cili ta argumentojë pozitivisht antemimin e Marrëveshjes së Mukjes nga udhëheqja komuniste. Në fakt denoncimi i kësaj marrëveshjeje shënon dhe momentin e fillimit të kryqëzatës komuniste kundër nacionalistëve, kryqëzatë e cila nuk kurseu as legalistët e udhëhqur nga heroi I rezistencës së 7 prillit, Abaz Kupi, deri në atë moment nënkryetar i Shtabit të Përgjithshëm të krijuar e dominuar nga komunistët. Kryqëzata kundër nacionalistëve dhe jo komunistëve në përgjithësi, më shumë se me luftën kundër pushtuesit, kishte si qëllim pastrimin e rrugës për të arritur tek vendosja e pushtetit komunist në vend. Përsëri, edhe për këtë mjafton t’u referohesh interpretimeve e qëndrimeve të shprehura në tekstet e historive të shkruara gjatë kohës së komunizmit, përfshi dhe historinë e PKSH, ku lufta nacional-clirimtare paraqitej dhe si një revolucion për marrjen e pushtetit nga bejlerët, agallarët e klasat shfrytëzuese duke i a dhënë atë “klasës puntore dhe fshatarësisë punonjëse” . Ca nga kundërshtuesit e luftës civile për të qenë më të besueshëm nuk kursejnë dhe qëndrimet kritike ndaj bëmave e gjëmave që provuan shqiptarët pas 29 nëntorit 1944 flasin dhe për “disa gabime” dukë u rrekur të ndajnë periudhën e luftës nga diktatura 45 vjecare komuniste. Por periudha nga nëntori 1941 deri në dhjetorin e 1990-ës është një vijë e gjatë e pandërprerë, që filloi duke “dekoruar me plumb ballit” individë që mendonin ndryshe, gjatë luftës, duke vazhduar me ekzekutimet masive në vitet e pasluftës për të arritur tek burgosjet e deportimet e përbindshmetë qindra mijra njerzish të pafajshëm, krimi i vetëm I të cilëve ishte në të qenët e tyre si trashëgimtarë të dikujt që nuk e “kishte ndihmuar” partinë gjatë luftës. Vetë lufta civile, për të cilën po flas është një shembull I qartë i kësaj vazhdimësie. Lufta civile e filluar në vitin 1943 do të vazhdonte deri në fund të vitit 1990, tashmë në formën e “luftës së klasave”, vecse “klasave të përmbysura” në 29 nëntorin e 1944-ës do t’u shtoheshin vit pas viti kategori të tjera nga radhët “e tanëve” deri dhe udhëheqës komunistë, të shquar dikur në luftën kundër “tradhtarëve të vendit”.
“KUJDES, MOS MË BËHESH PRE E MARRËZISË NË SHQIPËRI!“
Nga Fadil LUSHI/Tetove/
Kjo ishte porosia, që i dha perandori Wilhelm II nipit të vet, princ Vidit, kur në vitin 1914 u nis drejt Shqipërisë. “Ndoshta në momentet e zbarkimit në portin e Durrësit, këto fjalë paralajmëruese të xhaxhait të tij të madh, i kishin mbetur vath në vesh të tij”.
Miqtë e mi të nderuar, ndonëse unë me profesion nuk jam historian, do të kërkoj falje nga njerëzit të cilët merren me studimin e së kaluarës njerëzore. Do të bëj përpjekje që në këtë shkrim gazete të radhës assesi të mos e zvetënoj hisen dhe kontributin që i kanë dhënë dhe që i japin ndriçimit të antropologjisë humane dhe emancipimit të çështjes së kauzës shqiptare. Fillimisht shkrimin do ta nis me një kalorës të vonuar shumë të “katandisur” (që më pastaj të vazhdoj artikulimin e kryefjalës), i cili realitetit tonë politik ia ka hedhur sytë së prapthi. Se është i marrë, i marrë është, dhe këtu nuk ka vend për të dyshuar dhe diskutuar, se “është syrtyk”, është “syrtyk” me tamam, edhe këtë e dimë dhe të tjerët e dinë, se është paksa i vonuar në zhvillimin mendor, është goxha i vonuar, se është bërë pronar i deleve të qehajait, edhe këtë e dimë, se i qeth delet dhe leshin e tyre e shet për lesh…, se ua rrjep lëkurat edhe këtë e dimë, se dikur e hiqnin zvarrë si ata zagarët e pashait…, se për nga fjalori duket si debil…, se për nga veshja duket si çun Stambolli, për nga këpucët si aga Anadolli…, se në “fiqir” duket si shpellar dhe trap…, edhe këtë e kemi si informacion, por ama se do ta “thante atë gotën e mbushur me ujin e Skraparit”, me një frymë dhe me një gëlltitje, lëre që hiç nuk ma kapi “fiqiri”, por edhe nuk doja të besoj. Jo se kishte “takat” (atë moti kohë e kishte lënë), por pse e bëri me inat dhe për inatin tim…, kishte marrë ca “habere” se unë kisha hequr dorë nga kjo e keqe. Më tha – nëse je burrë nuk do të thotë se je mur prej “qerpiçi”…, ia ktheva – nëse nuk jam burrë mund t’i “kthehem origjinës dhe identitetit!?”. Dhe, papritur ky kalorësi i vonuar, shpërtheu njësoj si ai “budallai” që padrejtësisht dhe i paftuar merr vend në ndejën e njerëzve të urtë. Mbase këtë shpërthim e ka të trashëguar. Historia e këtij “syrtyku” nuk është i veçantë…, me një të tillë shpërthim do të karakterizohen edhe ca shqiptarë të cilët dikur moti mëtuan të bëjnë politikë!?
Historia jonë shekullore shpjegon a lakon edhe këtë fakt: shqiptarët, sa herë që shpërthejnë dhe rebelohen, aq herë e përjashtojnë dhe e nëpërkëmbin qetësinë dhe urtësinë, aq herë e anashkalojnë tolerancën, aq herë i ngatërrojnë parimet dhe aq herë shtrembërojnë buzët, sa herë do të shpërthejnë, aq herë do të ngatërrojnë mendimet a atë filozofinë puro shqiptare.
Shpërthimi i parë i shqiptarëve do të hetohet “…, më datë 21.2.1914, kur në një banket të madh (diku në një cep të Evropës “hileqare”), shoqëruar me muzikë dhome me pjesë të Vagnerit e Çajkovskit, u bë celebrimi i pranimit të fronit shqiptar nga ana e Princ Vidit. Një orë më parë, një delegacion prej 18 shqiptarësh, të cilët përfaqësonin zona të ndryshme të Shqipërisë, kishin ardhur për t’i vënë Princ Vidit kurorën e vendit të tyre. Princ Vidi e pranoi kurorën dhe u bë praktikisht mbreti i Shqipërisë. Pas 180 ditësh çdo gjë do të mbaronte. Por periudha kur ai u ngarkua të bënte një detyrë të tillë, korrespondoi me zhvillimin e ngjarjeve të rëndësishme për kohën në Ballkan…”
Se kjo ishte një diletantizëm dhe një marrëzi politike e parë dhe e fundit nuk ishte. Sot, të thuash se në atë kohë Shqipëria nuk kishte një figurë politike që do të udhëhiqte vendin, do të ishte një marrëzi. Kjo marrëzi nuk ishte e fundit. Një e tillë me shumë gjasa do të përsëritet së shpejti në rastin e institucionit qendror, siç është rasti i bankës së Shqipërisë, ku kohë më parë ndodhi ajo “hajdutëria çerekshekullore”…, si dhe çështja e guvernatorit të Bankës në fjalë. Gjithandej diskutohet a lakohet emri i një trashëgimtari të Ardian Fullanit!? Për këtë dhe arsye të tjera, me të drejtë nga ana e Presidentit do të vijë një shpërthim zemërimi, me çka sipas tij duhet të shuhen përfundimisht shpresat për një guvernator të huaj për bankën e Shqipërisë. Tekefundit, Kushtetuta parashikon që në krye të bankës shqiptare duhet të qëndrojë një guvernator shqiptar dhe jo i huaj. Parashtrohet pyetja a mos vallë edhe pas 102 vjetësh, na duhet një Princ Vid, i cili do të ulet këmbëkryq në kryeminderin e thesarit shqiptar, a mos vallë ky guvernator “jabanxhi” do t’i shërbejë bankës apo do ta sundojë atë, a mos vallë Shqipëria, sot nuk ka “burra, gra dhe vajza a djem të aftë për të marrë në dorë fatet e vendit”, a mos vallë shqiptarët edhe sot e kësaj dite duhet të konsumojnë gjellët e kuzhinave politike të së shkuarës, të asaj të Konferencës rospi të Londrës, a mos vallë nuk ndërgjegjësohemi e të themi se ato vakte për ne shqiptarët ishin disfatiste, a mos vallë ato vakte nuk janë të tejkaluara e të harruara.
Të thuash se njerëzit që hedhin këto ide a propozime për institucionin e guvernatorit janë “axhami”- nuk janë, të thuash se vrapojnë pas pushtetit – vrapojnë…, por ama të mos thuash se e gjithë kjo është budallaki, atëherë vetë je budalla.
Shpërthimi i fundit u hetua para 9 muajsh, kur me një vendim të posaçëm të Ministrisë së Arsimit u ngrit Komisioni për rishkrimin e historisë së sistemit parauniversitar në Shqipëri. Kryetar i këtij Komisioni u emërua Paskal Milo, një ish-diplomat në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Kjo ide është vërtet humane dhe emancipuese, por ama që kaptinën e Luftës Nacional-Çlirimtare a periudhën e komunizmit në Shqipëri do ta shkruajë historiani gjerman, Fisheri (jo Princ Vidi), është jashtë çdo logjike. A mos vallë prapë të huajt do të na e shkruajnë historinë…, a mos vallë këndvështrimi i tyre do të jetë më “objektiv” se yni, a mos vallë ata nesër nuk do të akuzohen për “njëanshmëri” apo, në instancë të fundit, do t’u themi “faleminderit që edhe kësaj radhe ndërmjetësuat a futët hundët në punët tona dhe që na e shkarravitët të kaluarën tonë pavarësisht si ishte ajo!??”. Të gjithë ata që do t’i besojnë kësaj ideje a këtij propozimi, o janë të marrë, o janë “hyzmeqarë të pagdhendur”, o janë “topallë mendorë”. Kjo mesele i vjen njësoj sikur ujkut t’ia varësh në qafë mëlçitë e qengjit…, dhe ti, vëlla i dashur, mendon se ujku nuk do t’i hajë ato mëlçi.
Thonë se çdo “tenxhere” kërkon kapakun e vet, pavarësisht se çfarë çorbe zihet në të…, qoftë ajo të jetë e fukarasë a e pasanikut, qoftë evropiane a shqiptare.
- « Previous Page
- 1
- …
- 8
- 9
- 10
- 11
- 12
- …
- 16
- Next Page »