Nga Prof. Murat Gecaj/
1-Disa kohë më parë, pra kur u botua libri i tretë me poezi, nga Lumturi Ymeri (me emrin letrar, Bersava), “Dritëhije dashurie”(Tiranë, 2013), kam publikuar një shkrim modest. Dëshiroj që t’i përmendi këtu pak radhë, nga ai recension:
“Autorja i gëzohet jetës dhe ngazëllehet për krijesat, që solli në këtë botë. Prandaj, ajo kënaqet dhe lumturohet, bashkë me ta: “Biri im, / ti ece brenda trupit tim,/ plekse rrënjët e tua,/ me indet e mia” (“Ditëlindja”). Kënaqësinë për jetën e ndiejmë të shprehur në disa poezi, si: “E shthura gërshetin”, “Diej, do të blej”, “Qëndise, penë…!” etj. Të këndshme janë edhe poezitë e pjesës “Intermexo”, ku autorja e tregon hapur dëshirën e saj të sinqertë: “Të thithi frymë në terr,/të bëj fjalë në dritë!” Në nëntë faqe, ajo na jep “copëza” nga shpirti i saj poetik. Ndërsa, në mbyllje, lexojmë vargjet aq domethënës: “Të ecësh me këmbë në tokë,/ vërtetë të ngatërrojnë ferrat,/ por të ecësh me këmbë në ajër,/ nuk mund t’i realizosh, ëndrrat!”
Ndërsa, pas më shumë se një viti, përsëri na mblodhi në një përurim të librit të ri të saj, kjo kolege e mike poete. Në mjediset e Ministrisë së Kulturës në kryeqytet kishin ardhur familjarë të Lumturisë, kolegë e miq të saj, shkrimtarë, poetë e artistë, si nga disa qytete të vendit, por dhe nga Tropoja, si arsimtari e publicisti Ibrahim Hajdarmataj, Kosova dhe deri krijues nga Suedia.
Me këtë botim, Lumturi Ymeri doli para lexuesve të saj, pa u nxituar dhe duke u ngjitur shkallë-shkallë e me kujdes. E themi këtë gje, sepse katër librat e botuar janë në një largësi kohore njëvjeçare:“Natë, mbi gjysëmbotë” (2011), “Qielli në qeli” (2012), “Dritëhije dashurie” (maj 2013) dhe “Klithma fryme” (dhjetor 2014). Në librin, që u përurua sot, poezitë janë ndarë në katër cikle dhe në 110 faqe, me përkujdesjen letrare nga Ndue Lazri e D.Gjergji.
2.
Ishte moderator i kësaj veprimtarie përuruese dhe e çeli atë, publicisti e poeti Demir Gjergji. Ndërsa në ekran u shfaqën pamje nga botimet e poetes Lumturi Ymeri, shkrimet e botuara për ta, si dhe vetë ajo duke recituar disa krijime të zgjedhura. Vargje nga libri i ri lexoi edhe kritiku Behar Gjoka, i cili nënvizoi se krijimet e Bersavës janë poezi shpirti e moderne.
Botimin e këtij libri, por dhe tërë krijimtrarinë poetike të kësaj autoreje, e përshëndetën kolegë, mësues dhe drejtorë shkolle, me të cilët ka punuar ose punon tani, kjo mesuese e edukimit fizik.
Me interes u ndoqën fjalët dashamirëse të poetes kosovare, me banim në Suedi, Zyrafete Kryeziut-Manaj e Zyba Hysës, nga Vlora; Dedë Shkurtit e Klaudia Malajt, recitimet e Drita Lushit dhe Xhelal Lucës etj.
Ishte diçka simbolike, që ky përurim u organizua pikërisht në pragun e Vitit të Ri 2015. Autorja i falënderoi përzemërsisht, si folësit dhe gjithë pjesëmarërsit në këtë veprimtari, botuesin e “Ada”-s, Roland Lushi etj.
Pastaj, bisedat e të ftuarëve u vazhduan në koktejin e shtuar nga familja, me këtë rast dhe morën lirin e ri, dhuratë nga autorja, me nënshkrimin e saj.
…Në mbyllje të këtyre pak radhëve, e urojmë dhe e përgëzojmë mësuesen poete, Lumturi Ymeri, për këtë dalje të re, para lexuesve tanë! Jemi të bindur, siç u shprehën dhe folësit në këtë veprimtari, të bukur e mbresëlënëse, që ky libër do të shënojë një rritje tjetër në krijimtarinë e saj, jo vetëm sasiore, por dhe cilësore.
Tiranë, 27 dhjetor 2014
Kryeministri Rama takim me Tony Blair në Tiranë
Kreu i qeverisë Edi Rama, u takua mëngjesin e sotëm me ish-kryeministrin britanik, Tony Blair. Ky i fundit është njëherësh edhe këshilltari i kryeministrit Rama.
Takimi, i cili nuk ishte njoftuar për mediat, u zhvillua në ambientet e Kryeministrisë. Ndërkohë që priten të zbardhen detaje të tjera lidhur me këtë takim.
102 VITE PAS NGRITJES SE FLAMURIT NE TIRANE
Tirana përkujton sot 102 vjetorin e ngritjes së flamurit, Bashkia rikthen bustin e Jeronim De Radës në kryeqytet/
Bashkia e Tiranës siç e ka kthyer tashmë në traditë prej 3 vitesh ka përkujtuar ngritjen e flamurit në Tiranë përmes një ceremonie të veçantë, organizuar pikërisht në vendin ku u ngrit ky flamur 102 vjet më parë.
Ngritja simbolike e flamurit ka hapur këtë ceremoni në të cilën morën pjesë personalitete të shquara të qytetit të Tiranës, përfaqësues të familjeve firmëtare të ngritjes së flamurit dhe shpalljes së pavarësisë, drejtues të pushtetit vendor, Prefekturës, të Qarkut të Tiranës, deputetë etj.
Kryebashkiaku Lulzim Basha duke u përulur me nderim dhe mirënjohje para firmëtarëve të pavarësisë dhe atyre që ngritën flamurin në Tiranë shprehu bindjen se duke bashkuar energjinë pozitive të shpirtit të Tiranës dhe Shqipërisë do të mundësohet tejkalimi i çdo pengese, çdo bllokimi, çdo vullneti të mbrapshtë dhe do të ecë përpara projekti i Shqipërisë moderne, Shqipërisë europiane.
“Duke bashkuar energjinë pozitive të shpirtit të Tiranës, shpirtit të tiranasve do të dimë të tejkalojmë çdo pengesë, çdo bllokadë, çdo bllokim, çdo vullnet të mbrapshtë, për të çuar përpara ëndrrën e shpallësve të pavarësisë në Tiranë, Vlorë e gjithë Shqipërinë, një Shqipëri moderne, një Shqipëri europiane, një Shqipëri të zhvilluar, ku shqiptarët të kenë mundësi dhe shanse të barabarta për të ndërtuar një jetë më të mirë. Sot, këto fjalë përballen me një realitet të cilin shqiptarët e përshkruajnë si të zymtë dhe me shpresë të vakët apo të paktë e shpeshherë pa shpresë. Frymëzimi që marrim nga kjo ngjarje duhet të na shërbejë për të mbledhur forcat tona, për të besuar tek e mira, për t’i thënë ndal së keqes kudo që e gjejmë, brenda vetes sonë, tek njëri-tjetri, tek kundërshtari politik. Ky frymëzim do të na shërbejë për tu bashkuar të gjithë rreth idealit të Shqipërisë europiane, për ta nxjerrë nga mjerimi ekonomik, nga varfëria, nga papunësia, nga padrejtësia, edhe nga dogma e demagogjia. Ky është dhe do të do jetë përjetë ideali flakadan i Tiranës dhe i patriotëve të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë” – deklaroi kryebashkiaku Basha.
Kreu i Bashkisë bëri gjithashtu të ditur sot se në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak do të propozojnë shpalljen e Ditës së Falënderimit për komunitetin autokton tiranas dhe ngritjen e një komisioni i cili do të përcaktojë vendosjen e emrave të personaliteteve dhe familjeve të njohura tiranase, disa rrugëve dhe shesheve në kryeqytet. “Kam nderin t’ju njoftoj se do i propozoj Këshillit Bashkiak në mbledhjen e ardhshme miratimin e Ditës së Falënderimeve për komunitetin autokton tiranas, për këta njerëz të dyerve më të mëdha edhe se vetë Porta e Lartë, jo për nga dimensioni por për nga bujaria dhe fisnikëria që bënë të mundur pritjen dhe kthimin e këtij qyteti në kryeqytet edhe para dizenjimit si të tillë nga Kongresi i Lushnjës, përmes fisnikërisë, dhembshurisë, largpamësisë që treguan tek pritën bashkëatdhetarët e tyre të përndjekur, nga çdo cep, nga të katër anët e vendit nga shovinistët, nga fqinjët me synime grabitqare ndaj trojeve shqiptare. Po kështu, nismën për krijimin e komisionit për emërtimin e rrugëve të Tiranës, me qëllim që këta patriotë dhe dhjetëra e qindra patriotë të tjerë të Tiranës të kenë vendin, kumtesën, nderimin që meritojnë në rrugët e Tiranës, në sheshet e Tiranës, në jetë të jetëve, në kujtimin tonë dhe brezave që do të vijnë” – deklaroi zoti Basha.
Po sot, Bashkia e Tiranës në një ceremoni të veçantë ka rikthyer ne kryeqytet bustin e Jeronim De Radës. Busti, vepra e shkëlqyer e Artistit të Popullit Odise Paskali është lënë për vite në harresë. Sot, Bashkia e Tiranës e ka rivendosur në një shesh dinjitoz, ashtu siç e meriton qoftë personaliteti i De Radës, qoftë edhe vepra e shkëlqyer e Odise Paskalit.
Studiuesi i njohur Ndriçim Kulla theksoi se Jeronim de Rada konsiderohet si rilindësi i parë ose si themelues i Rilindjes tonë evropiane. Ndriçim Kulla i ka bërë një apel shtetit për një vëmendje më të madhe ndaj kulturës dhe personaliteteve të shquara të letrave shqipe. “Si një publicist dhe studiues, gjithmonë i kam mëshuar idesë tek rikthimi tek rrënjët, sepse rikthimi tek rrënjët nuk duhet të jetë një formalitet, por është diçka emancipuese dhe diçka e shëndetshme për shpirtin e gjithsecilit. Ne sot po kujtojmë, ose po i bëjmë më mirë homazhe një personaliteti shumë të njohur të kulturës sonë kombëtare, Jeronim De Radës. Ju përgëzoj për këtë aktivitet shumë të rëndësishëm dhe dua të them dhe të përsëris edhe njëherë se Jeronim de Rada konsiderohet si rilindësi i parë ose si themelues i Rilindjes tonë evropiane. Ai, larg atdheut të tij, në Kalabri ishte i pari që frymëzoi ose bëri, nisi përgatitjen kulturore për pavarësinë e Shqipërisë. Unë mendoj se ky njeri mistik e ndjeu se brenda shpirtit të tij, ndjeu një mision për ringjalljen e atdheut të tij, ashtu siç ndjeu edhe Dantja për Italinë, ndonëse ai s’e bëri të qartë kurrë këtë, nuk e sqaroi kurrë. Më vonë, ndoshta edhe për shkak të modestisë, ose nuk qe i sigurt për këtë mision, më vonë ai u shpreh se vlerësimi nuk më takon mua por ky vlerësim i takon gjuhës sonë kombëtare dhe ruajtjes së atdheut tonë të përbashkët, të Shqipërisë. Shkrimtari Ismail Kadare, në vitin 1964 ka thënë: “De Rada u kthye në pallatin e poezisë si një vajzë e freskët, por e belbët, sepse atdheu i tij në atë kohë ishte i humbur” dhe De Rada ishte protagonisti kryesor i cili i bëri të qartë Europës se Shqipëria ishte një vend fisnik, me sentimente të larta njerëzore të pakrahasueshme edhe me kombe të tjerë dhe ishte një vend që kishte heronj si Skënderbeu dhe heronj të tjerë që luftuan për vlerat e Europës që ne sot po aspirojmë të shkojmë si askush tjetër në rajonin e Ballkanit.
Këtë e quajmë vërtetë një kontribut, sepse gjithsecili duhet të krijojë një ndjeshmëri të lartë, kur De Rada në ato kushte kur atdheu nuk ekzistonte krijoi një atdhe që më mbrapa të krijonte një shtet. Gjithsecili nga ne sot duhet ta kthejë këtë moment në një moment reflektimi, që në kushtet e globalizmit, ne duhet të shikojmë të gjithë nga kemi ardhur, të shikojmë frymëzuesit, të shikojmë mendimtarët, t’i kujtojmë në ç’ kushte kanë luftuar për të krijuar Shqipërinë ashtu siç e kemi, por gjithsesi kemi një Shqipëri dhe një shtet të përbashkët. Unë duke përfituar nga rasti, pa e tepruar, dua t’ju bëj thirrje politikanëve, qeveritarëve edhe bashkiakëve, duke marrë shkas nga ky shembull shumë i mirë që duhet t’i kthehemi jo vetëm të kaluarës, por t’i kthehemi kulturës sepse vetëm me njerëz, vetëm duke mësuar, duke u edukuar, duke njohur njerëz si personaliteti i De Radës, ne do ta përballojmë më mirë globalizmin, të cilin neve nuk e ndalojmë dot, por e kemi pranuar dhe jemi përshtatur dhe vetëm në këtë mënyrë ne do të ruajmë identitetin tonë kulturor dhe ndërkombëtar” – theksoi studiuesi Ndriçim Kulla.
DELEGACIONI I VATRËS NË TIRANË
Kryetari i VATRËs dr. Gjon Bucaj i dhuroi Qendrës Botërore Bektashiane në Tiranë një fotografi të zmadhuar në kornizë të klerikëve të të gjitha besime fetare, pjesmarrës në 100 vjetorin e Federatës Panshqiptare në Amerikës/
* Të Hënën delegacioni do të ketë takime me Komitetin Musliman Shqiptar dhe Kishën Katolike,do të ejtë ceremonia e dekorimit të Martirëve në Presidencë, pritje në Bashkinë e Tiranës, takim me dr. Sali Berishën dhe veprimtari të tjera/
NGA CEZAR NDREU/ TIRANË/
Një delegacion i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, po qëndron në Kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. Delegacioni kryesohet nga kryetari i Vatrës, dr. Gjon Bucaj, zv/kryetari Agim Rexhaj me zonjën Laura, sekretarja e Vatrës Nazo Veliu, anëtari i këshillit të Vatrës Cezar Ndreu, sekretari i degës së Vatrës në Ëashington Eduard Bucaj e të tjerë.
Gjatë ditës së dielë, 23 nëntor 2014, delegacioni u prit në Kryegjyshatën Botërore nga Baba Mondi, i cili u uroi mirëseardhjen dhe e përgëzoi Vatrën për punën e madhe që ajo vazhdon të bëjë prej 102 vitesh për cështjen Kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Dr. Gjon Bucaj, falenderoi për pritjen e përzemërt dhe tregoi për veprimtarinë Kombëtare të Vatrës në misionin e saj të përhershëm historik. Pasi informoi për qëllimin e vizitës në Tiranë të delegacionit, i cili do të jetë i pranishëm për ceremoninë që organizohet të Hënën me 24 Nëntor në Presidencë, ku presidenti do të dekoroi pas vdekjes Martirët e Vatrës, si dhe zv/kryetarin e tanishëm Agim Rexhaj, z. Bucaj tha se për Vatrën, është amaneti i themelusve për forcimin e bashkëjetesës fetare. Ai tregoi konkretisht për ritin që përdor Vatra në cdo festim të Pavarësisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, ku janë të pranishëm të gjithë klerikët e besimeve fetare dhe bekojnë festat kombëtare sipas një kalendari të përvitshëm . Po ashtu, dr. Bucaj, iu referua shembullit të shkëlqyer që dhanë klerikët shqiptarë në Amerikë dhe ata të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, që ishin të pranishëm në 100 vjetorin e Vatrës. Prania e klerikëve në Konferencën Shkencore Historike të Vatrës dhe në darkën solemne të 29 Prillit 2012, ku nën drejtimin e priftit atdhetar Arbëresh, Antonio Beluschi, bekuan shqip. Pikërisht fotografinë simbolike të asaj nate, kryetari Bucaj, ia dhuroi Teqesë Botërore me qendër në Tiranë, ndërsa nesër do t’ia dhuroi Katedrales Katolike dhe Komunitetit Islam Shqiptar. Baba Mondi falenderoi dr. Bucaj, dhe shoqërusit e tij për këtë dhuratë tepër simbolike, që me praninë e saj në mjediset e qendrës botërore Bektashiane do të përcjellë atë përvojë që Vatranët e ruajnë për 102 vite.
I pranishëm në vizitën e delegacionit shqiptar ish dhe Kryetari i Komitetit Shtetëror të Kulteve, z. Rasim Hasani si dhe biznesmeni Kadri Morina.
Ambasadori i Hungarisë vendosi trëndafila të bardhë në kujtim të Mbretëreshës Geraldine
“Trendafili i Bardhë” i Budapestit,” – Mbretëresha Geraldinë – Mbretëreshë e Shqiptarve 1938 – 2002/
Beqir SINA, New York/
Tirane- “Në Mauzoleumin e Familjes Mbretërore Shqiptare, sot u vendos një buqet me trandafila të bardhë nga Ambasadori i Hungarise, Sh.Tij. Antal Heizer në kujtim të Mbretëreshës Geraldine, e njohur si Trendafili i Bardhë i Budapestit,” shkruan në një postim të Tij, në rrjetin social facebook, Princi Leka.
Në fotografinë e postuar prej Tij – duket Ambasadori i Hungarise, Sh.Tij. Antal Heizer – L.T.M. Princi Leka, zonjusha Elia Zaharia, e fejuara e Princit Leka,
Në Mauzoleumin e Familjes Mbretërore në Pallatin e Brigadave më vendimin e Qeverisë së Shqipërisë me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë më 12 nëntor 2012 u varrosën eshtrat e Mbretit Zog – e Nënës Mbretëreshë, Sadije, Mbretëreshës Geraldine, Mbretit Leka, Mbretëreshës Susan dhe të anëtarëve të tjerë të Familjes Mbretërore Shqiptare.
Mbretëresha Geraldinë – Mbretëreshë e Shqiptarve 1938 – 2002
Simbas Wikipedia – Mbretëresha Geraldinë më vonë Nëna Mbretëreshë Geraldinë ose Kontesha Géraldine Margit Virginia Olga Mária Apponyi de Nagyappony formalisht Madhëria e Saj Mbretëresha Geraldinë e Shqiptarve (lindi më 6 gusht 1916 në Gjenevë të Zvicrës, në shtëpinë e gjyshes së Saj. Vdiq në Tiranë në moshën 86 vjeçare, më 22 tetor 2002) ishte mbretëresha e shqiptarve dhe bashkëshortja e Mbretit Zogu I dhe nëna e Leka Zogut I.
Origjina
Mbretëresha Geraldinë rrjedh nga një familje shumë e njohur Hungareze. Origjina dhe pedigreja e Familjes së Saj daton e dokumentuar qysh nga periudha e Mesjetës, kur Hungaria u pushtua nga Arpadët në vitin 894, dhe kjo familje ishte pjesëmarrëse në krijimin e monarkisë hungareze, nën dinastinë Arpadiane. Në historinë mijëravjeçare të Hungarisë, nuk ka ngjarje të rëndësishme ku familja Apponyi të mos ketë luajtur rol tejet të rëndësishëm. Në periudhën e fundit të dinastisë Arpadine, në 1280, u shfaq emri Chevalier d’Apponyi për herë të parë, si zotërues i një ferme shumë të madhe, për të cilën konfirmohet me dokumente arkivore se mbante emrin “Nagy Apponyi”, e që ishte dhe mbeti deri vonë pronë e kësaj familjeje. Të gjithë paraardhësit e Familjes Appony kanë pasur karrierë shumë të suksesshme politike dhe kanë mbuluar detyra nga më të rëndësishmet shtetërore në Perandorinë Austriake, në të cilën kanë gëzuar tituj të rëndësishëm fisnikërie, sikundër: baron, kont, etj..
Kushriri i pare te Mbretëreshës Geraldinë, Konti Albert Appony, kryesoi delegacionin Hungarez në Konferencën e Paqes së Versajës dhe më pas përfaqësoi Hungarinë në Lidhjen e Kombeve. Ndërsa gjyshi i Saj, Konti Lajosh Appony, mbajti funksionet më të larta honorifike të Perandorisë Austriake: si Këshilltar intim dhe shambellan i perandorit Franc Jozef dhe Mareshal i Madh i Oborrit të Perandorit Franc Jozef. Gjyshja e Saj ishte një aristokrate prusiane dhe njëkohësisht edhe vajza e Kontit Herman Roger dë Seherr Tos, pasardhës i Princit Ernest – Joakim d’ Anhalt, prej të cilit kanë rrjedhur shumica e dinastive mbretërore evropiane, çka më pas u bë shkas për të marrë nofkën e merituar Babai i mbretërve”. Atdheu i tyre, Hungaria, u copëtua dhe në bazë të Traktatit të Trianonit të vitit 1919, një pjesë e madhe e territorit hungarez, krahas 3.5 milonë hungarezëve, mbetën jashtë kufijve shtetërorë dhe së bashku me to edhe pronat e familjes Apponyi, të cilët u përfshinë nën administrimin e Sllovakisë. Familja Appony ka lidhje gjaku me të gjitha mbretëritë e Europës. Gjyshi nga nëna i Mbretëreshës Geraldinë ishte Xhon Herri Stewart, i cili rridhte nga një familje fisnikësh skocezë, të emigruar në SHBA në shekullin XVII, dhe ishte diplomat i suksesshëm. Ndërsa gjyshja e Saj nga nëna ishte pinjolle e Familjes Hardingun, pronarë të mëdhenj tokash në Karolinën e Veriut. Ajo ishte e bija e kontit Gyula Appony dhe e konteshës Glayds Virginia Stewart, e cila ishte një shtetase amerikane shumë e pasur nga shteti i Marylendit, babai i së cilës ka qenë emëruar si Konsull i Përgjithshëm i Amerikës në Hollandë. Përveç vajzës së madhe Geraldinë, çifti Appony kishte edhe një vajzë tjetër të quajtur Virxhinia, si dhe një djalë të quajtur Xhula.
Pas vdekjes së gjyshes së tyre, për Geraldinën dhe motrën e saj Virxhinia u kujdes e motra e babait të tyre, kontesha Fanny Karolyi, e cila zotëronte një nga kështjellat më të famshme dhe më te bukura të Hungarisë në Zebegeny. Vajzat që kalonin verën në kështjellën e Zebegeny-it, kishin marrë nga një emër luleje. Për shkak të bukurisë së Saj dhe bardhësisë natyrale të lëkurës dhe veshjes me rroba po të të njëjtës ngjyrë, Geraldina u quajt meritueshëm “Trëndafili i Bardhë i Hungarisë”. Geraldina tashmë e rritur, na shfaqet si një europiane autentike që kish trashëguar shumë virtyte dhe vlera morale nga jeta intensive e brendshme e Seher Tesëve, nga bujaria dhe kultura e rafinuar e Aponyve, nga dinamizmi i Stewartëve, nga sensi i përshtatjes dhe i kurajës përballë fatkeqësive prej Hardingëve.
Ceremonia martesore me Mbretin Zogu I në Tiranë
Edukimi
E mbetur jetime qysh në moshë të vogël, nën përkujdesjen e gjyshërve Aponny, Kontesha Geraldinë u dërgua në një shkollë angleze në Menton të Francës. Më pas gjyshërit e Saj Aponny, e dërguan në kolegjin “Sacred Heart” të Pressbaum, afër Vjenës në Austri, ku mbaroi fakultetin e shkencave shoqërore dhe financiare. Kontesha Geraldinë iu përkushtua me gjithë shpirt stenografisë, sociologjisë, historisë, letërsisë, etj.. Një ndihmesë në edukimin e Saj jepte edhe biblioteka e familjes, e cila ishte shumë e pasur, me rreth 30.000 libra. Për shumë kohë Kontesha Geraldinë, për shkak të zotërimit të dijeve enciklopedike dhe gjuhëve të huaja të shumta, mbuloi detyrën e kryecicerones pranë Muzeut Kombëtar të Hungarisë.
Aktiviteti
Mbreti Zogu I me Mbretëreshën Geraldinë
Mbretëresha e Shqiptarëve Geraldinë, gjatë periudhës së shkurtër të qëndrimit në Shqipëri u impenjua maksimalisht për rritjen e mirëqenies së popullit shqiptar, sidomos të shtresave në nevojë. MSM kontribuoi për ngritjen dhe funksionimin e institucioneve në shërbim të shtresave në nevojë, si spitalet, azilet dhe jetimoret. Vizitat e shpeshta që bënte në këto ambiente, ishin “vizita pune” për të. MSM u impenjua totalisht edhe për promovimin dhe jetësimin e të drejtave të grave, si dhe për mundësitë e emancipimit të tyre. MSM punoi shumë për të ndihmuar në përmirësimin e shërbimit spitalor në Shqipëri, dhe dha një ndihmesë të madhe për ngritjen dhe funksionimin e spitalit Ushtarak në Tiranë. Ajo solli nga Austria, mjekë shumë të mirë për drejtimin e Spitalit Ushtarak. MSM nxiti ngritjen dhe më pas themeloi Maternitetin e parë shqiptar, në Tiranë. Një nga projektet që mbahet mend edhe nga bashkëkohës të asaj periudhe, është mobilizimi dhe ngritja e fushëveprimit të Kryqit të Kuq shqiptar. Mbretëresha Geraldinë mundësoi hapjen e edicionit të parë emetues radiofonik, në Radio Tirana.
Prioritet i punës së Saj ishte emancipimi i shoqërisë shqiptare në përgjithësi, për ngritjen e vetëdijes së saj dhe në veçanti emancipimi i pjesës rurale të popullsisë. Përveç përkushtimit të Saj në të mirë të popullit shqiptar, MSM Geraldinë gjente kohë të përkujdesej për mbarëvajtjen e Familjes së Saj, sikundër ishte ndikimi për një edukim sa më cilësor të trashëgimtarit të Fronit Mbretëror.
Mbretëresha Geraldinë – Mbretëreshë e Shqiptarve 1938 – 2002
Emri: Geraldinë
Mbiemri: Zogu, Apponyi de Nagyappony
Lindi më: 6 gusht 1916
Vendlindja: Gjenevë të Zvicrës
Vdiq më: 22 tetor 2002
Vdiq në: Tiranë, Shqipëri
- « Previous Page
- 1
- …
- 5
- 6
- 7
- 8
- 9
- …
- 12
- Next Page »