Nga Enver Bytyçi/
Opozita me tri partitë politike me programe e vizione të ndryshme nga njëra-tjetra, përkatësisht Vetëvendosja, AAK dhe Nisma, kanë thirrur qytetarët, që më 17 shkurt të protestojnë. Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka paralajmëruar se protesta e opozitës më 17 shkurt, ditën e pavarësisë së Kosovës, do të jetë protesta më e madhe në historinë e shtetit më të ri të Europës, duke shfaqur kështu dëshirën e fshaheu që kjo ditë mundësisht të shndërrohet në betejë e përleshje midis protestuesve dhe policisë së shtetit.
Data e 17 shkurtit 2008, pra shpallja e pavarësisë së Kosovës, ishte ngjarja më e madhe në historinë e kombit shqiptar, e barabartë me ngjarjen e 28 nëntorit 1912, sepse 17 shkurti plotësoi gjysmën e asaj që mungoi për një shekull nga dita e pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjes së flamurit në Vlorë nga Ismail Qemali. Në Shqipëri nuk ka ndodhur, së paku prej 103 vjetësh, që në ditën e pavarësisë së vendit të protestohet. Ka patur lëvizje të majta e të djathta, qeveri të majta e të djthta, ka pasur kriza e konflikte politike të njëpasnjëshme, ka pasur mbretëri, diktaturë komuniste, demokraci në zhvillim, anarki, e mëgjithatë nuk ka ndodh ndonjëherë që ditën e pavarësisë së vendit të bëhet ndonjë protestë. Se dita e pavarësisë është si dita e Bajramit, apo si dita e Pashkëve, është ditë e shenjtë, me të cilën nuk guxon kurrkush në çdo lloj forme e për asnjë arësye të luajë.
Në Prishtinë po ndodh për herë të parë në histori që ditën e pavarësisë së Kosovës opozita të bëjë protestë. Ajo e ka thirrur protestën gjoja përkundër asosacionit të komunave serbe dhe vijës së demarkacionit. Por organizimi i saj në ditën e pavarësisë është një goditje që i jepet shtetësisë së Kosovës. Një goditje e rëndë, një goditje që nuk do ta kishin mundur ta fusnin në skenarin e tyre as armiqtë e kundërshtarët e shtetit të Kosovës e të kombit shqiptar. Të mobilizosh e të thërrasësh njerëzit në protestë ditën e shenjtë të pavarësisë do të thotë të kundërshtosh një proces të mundimshëm, të realizuar me shumë mund e sakrifica. Do të thotë të mohosh sakrificën e gjakun e dëshmorëve, do të thotë të shkelësh aspiratën e kombit tënd për liri. Të protestosh ditën e pavarësisë do të thotë se je kundër saj, pa thënë se për çfarë opsioni tjetër lufton e punon. Do të thotë se nuk pajtohesh me lirinë që shqiptarët dhe pakicat tjera në Kosovë e fituan pas çlirimit të Kosovës. E di se opozita thotë të kundërtën dhe këto që rendis këtu ia atribuon qeverisë. Dhe nuk është se nuk ka të drejtë në argumentin e saj. Por mjaftojnë 365 ditë të tjera ta shprehë revoltën e saj kundër qeverisë. Them 365 ditë të tjera se ky vit na ka qëlluar me 366 ditë. Një ditë, dita e pavarësisë, nuk është vetëm e qeverisë, është dita e opozitës dhe e të gjithë shqiptarëve papërjashtim, e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Megjithatë opozita zgjodhi pikërisht këtë ditë të shenjtë të reagojë me protest, qëllimi dhe rrjedha e së cilës është e frikshme.
A është kjo një tregues se në Kosovë po zhbëhet liria dhe pavarësia?! Derisa shqiptarët nuk kanë njohur ndonjë projekt tjetër se çfarë do të vijë pas kësaj, duhet menduar se opozita e Kosovës po lufton kundër vetëvetes, kundër lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Argumenti se është qeveria përgjegjëse dhe se ajo po e zhbën pavarësinë e Kosovës mund të përdoret, siç thashë 364 ditë të vitit, por jo në të vetmen ditë të shenjtë të kombit, në ditën e pavarësisë. 17 shkurti është ditë e shenjtë, ditë e bekueme prej Zotit, prej kombit shqiptar dhe prej aleatëve tanë perendimorë, të cilët dikush nga Vetëvendosje i konsideron si “imperialistë”. Dita e pavarësisë është e paprekshme, siç nuk preken shenjtët dhe profetët, Krishti dhe Muhameti.
Por kush po e zhbën edhe formalisht pavarësinë e Kosovës? Revolucionarët majtistë bolshevikë të bashkuar me një pjesë të luftëtarëve për lirinë e Kosovës, madje me parulla nacionaliste. Me revolucionarët majtisë të vetëvendosjes, me aventurierët Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti është bashkuar edhe Ramush Hajredinaj dhe Fatmir Limaj, pastaj ndonjë tjetër pjestar i Luftës Çlirimtare të Kosovës. Analistët kanë theksuar se këta janë bashkuar me një qëllim tjetër, anullimin e krijimit dhe funksionimit të Gjykatës Sepciale, e cila do të shqyrtojë disa raste të inkriminimit të disa individëve, ndoshta dhe drejtues të UÇK-së, në periudhën e luftës e të pasluftës. Me shumë gjasa kjo është arësyeja kryesore dhe për këtë shkak ka nga ata deputetë në mazhorancë që i duartrokasin veprime të tilla anarkiste.
Kjo do të thotë se të dy palët, anëtarët e Vetëvendosjes, pjesa që nuk ka lidhje me luftën si dhe pjesa e lidhur me Luftën, janë bashkuar me një qëllim: Të kundërshtojnë faktorin ndërkombëtar në Kosovë. Kjo do të thotë se “qeni i shtëpisë po na e sjell ujkun në oborr”. Dmth po revokon pavarësinë dhe po ia bën një shërbim ujqve që e patën shqyer Kosovën për një shekull, për t’i rikthyer prapë në Kosovë. Ani pse parullat e tyre janë për “ta përzënë Serbinë nga Kosova”. Serbia nuk përzihet me parulla, por me zgjuarsi, me projekte konkrete, me bashkëpunimin e palëve, me harmoninë politike e sociale të Kosovës, me institucionalizimin e shtetit, me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, me funksionimin e parlamentit dhe institucioneve të tjera dhe mbi të gjitha me forcimin e aleancës së shenjtë të shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera aleate europiane.
Uroj që protesta e 17 shkurtit të anullohet dhe Shpend Ahmeti në vend të vendosë pankarta e të bëjë thirrje për demonstratë antipavarësi, t’i rikthehet detyrimit ligjor që ka për të krijuar atmosferën e festës së pavarësisë, të asaj pavarësie që rrezikohet çdo ditë nga aventura të tilla.
Kosovë-Opozita, takohen tre liderët për protestën e 17 Shkurtit
-Përgatitje për protesën e 17 shkurtit në Prishtinë/
PRISHTINË, 10 Shkurt 2016/ Liderët e tre partive opozitare në Kosovë, Ramush Haradinaj i AAK, Visar Ymeri i VV dhe Fatmir Limaj i Nisma, sapo kanë përfunduar një takim në selinë e AAK-së në Prishtinë.
Pas takimit u deklarua se, “kundërshtimi politik opozitar është i vendosur dhe do të vazhdojë të jetë më i fuqishëm se asnjëherë më parë, deri në shpërndarjen e parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme”.
“Protesta e 17 shkurit, do të jetë ndër protestat më të mëdha të organizuara deri me tash”, thekson deklarata e dërguar pak më parë.
Në 17 shkurt është dita e 8 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Në 9 janar 2016, në protestën në Prishtinë, kundër qeverisë, sipas opozitës ishin rreth 100 mijë pjesëmarrës, ndërsa sipas Policisë së Kosovës ishin 8 mijë. Më parë, në ditën e festës së 28 nëntorit 2015, në manifestimin e opozitës në Prishtinë sipas vlerësimeve të saj ishin 35 mijë pjesëmarrës./b.j/
Protesta e opozites, flake dhe tym pas fjalimeve
Policia nis arrestimet,u arrestuan gjashtë protestuesi e pare…/
Gazeta”Koha ” ne Kosove raportoi se protestuesit hodhen bomba molotov ndaj nderteses qeveritare. Një flakë e madhe po shihet në bazën e ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, pas një sasie të madhe të koktej molotovit që është gjuajtur në drejtim të saj, shkruante koha.
Pas kësaj ka reaguar Policia e Kosovës, e cila ka nisur shpërndarjen e masës duke përdorur edhe gazin lotsjellës.Ajo është ndalur më pas.
Nga kokteji i molotvit, që protestuesit kanë hedhur në drejtim të Policisë së Kosovës, ka marrë flakë njëra nga dy autoblindat që janë përfshirë në aksionin për shpërndarjen e protestuesve.
Zjarri në të ka arritur të neutralizohet tek pas intervenimit të policëve të njësisë speciale.
Në ndihmë të këtyre dy autoblindave ka ardhur edhe një tjetër, që ka edhe topa uji.Pamjet e trasmetuara nga kamerat e KTV-së tregonin për së paku një polic të lënduar.Ai është parë duke u ndihmuar nga dy kolegë të tij, ndërsa ai shihet duke çaluar.
Policia po vazhdon të hedh shumë gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, e ata pos që po ia kthejnë gazin po hedhin edhe koktej molotovi dhe gurë.
Policia nis arrestimet. arreston gjashtë protestues.
Kryeministri-Opozites: Protestoni të qetë dhe në mënyrë paqësore
-Qeveria e Kosovës mbajti mbledhjen e 69-të/
-Kryeministri Isa Mustafa u bëri thirrje partive politike të opozitës që protestën e paralajmëruar për të shtunën në Prishtinë, ta organizojnë në mënyrë të qetë dhe në mënyrë paqësore/
Prishtinë, 8 janar 2016/ Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, mbajti pasdite mbledhjen e 69-të, të dytën brenda ditës së sotme.
Gjatë mbledhjes, kryeministri Isa Mustafa u bëri thirrje partive politike të opozitës që protestën e paralajmëruar për të shtunën në Prishtinë, ta organizojnë në mënyrë të qetë dhe në mënyrë paqësore. “Kjo para së gjithash, sepse Kosova ka përjetuar mjaft dhunë dhe askush nuk ka të drejtë të demonstrojë dhunë për motive politike dhe për ardhje në pushtet. Organet shtetërore do të përkujdesen me përgjegjësinë më të madhe për ta ruajtur rendin dhe qetësinë, për ta ruajtur jetën e qytetarëve, pronën publike dhe pronën private. Ato do të veprojnë në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me ligjet e Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.
Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, ka ftuar qytetarët e Republikës së Kosovës, që ashtu sikur janë sjell me integritet gjatë tërë kësaj kohe, të punojnë bashkërisht në proceset zhvillimore dhe në forcimin e partneritetit me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe që zgjidhjet për të gjitha çështjet të bëhen brenda institucioneve legjitime dhe legale përfaqësuese dhe kushtetuese.
“Qeveria e Republikës së Kosovës do të punojë pa asnjë luhatje në realizimin e synimeve zhvillimore, integruese dhe euroatlantike të vendit tonë dhe se këto synime janë në interes të çdo qytetari, janë në interes të Kosovës në tërësi, në interes të stabilitetit në rajon dhe në interes të tanishmes dhe të ardhmes së Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Isa Mustafa.
Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, duke u nisur edhe prej rrethanave të reja të krijuara, theksoi se përkundër hapave të mëdhenj që janë ndërmarrë, siç janë nënshkrimi i MSA-së, përmbushja e të gjitha kritereve për procesin e liberalizimit të vizave dhe pritja në javët e ardhshme edhe i rekomandimit prej BE-së dhe fokusit maksimal për themelimin e shpejtë të Forcave të Armatosura të Kosovës, institucionet e vendit, siç u shpreh Thaçi, për fat të keq po ballafaqohen me sfida të panevojshme, të papritura dhe fare të paarsyeshme, kërcënime për protesta të dhunshme, që do të cenonin procesin e liberalizimit të vizave, themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, do të lëndonin bashkëpunimin e shkëlqyer me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
“Prandaj, është në interes të të gjithëve që të shikojmë drejt një perspektive të përbashkët të agjendës shtetërore dhe në asnjë rrethanë konfrontuese sepse tek e fundit kush e udhëheq vendin vendos, kështu vendosin qytetarët e vendit dhe jo disponimet e tre-katër individëve. Institucionet e vendit janë legjitime, të dala nga zgjedhjet fer, të lira, demokratike, transparente, të pranuara nga të gjithë spektri politik kosovar, edhe prej atyre tre-katër liderëve që po protestojnë, dhe në anën tjetër i kemi institucionet legale të vlerësuara lart edhe prej bashkësisë ndërkombëtare. Prandaj edhe siç e tha kryeministri Mustafa, vlerësoj se është në interes të të gjithëve që të kemi një reagim më të balancuar dhe më të arsyeshëm të opozitës. Megjithëse nuk ka arsye për të protestuar, por është si pretekst për marrjen e pushtetit me dhunë nga ana e tyre, që është pretendim për shkelje flagrante të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Prandaj, vlerësoj se duke u nisur prej këtyre rrethanave, mendoj se do të ishte me rëndësi që ne të vazhdojmë me agjendën tonë, ndërkohë opozita e dhunshme, të themi shumë hapur, është duke i rrezikuar të gjitha të arriturat e Republikës së Kosovës. Por, sido që të jetë, ne kemi besim të plotë në qytetarët e Kosovës që, siç e tha edhe kryeministri, kanë dëshmuar gjithmonë pjekuri të lartë politike, dhe shtetërore dhe orientim perëndimor. Tek e fundit kjo që po ndodhë këto ditë, kemi të bëjmë me një ballafaqim të konceptit qeverisës të mirë pro-perëndimor dhe të atij anarkist, të mos durimit për t’i pritur zgjedhjet në kohë kushtetuese dhe ligjore. Sido që të jetë, të gjithë janë të vetëdijshëm se zgjedhjet do të mbahen në 2017 lokalet dhe në 2018 të përgjithshmet. Natyrisht se ata që i kanë shërbyer vendit gjithmonë edhe do të jenë të shpërblyer, ata që e kanë dëmtuar, rrënuar por edhe prishur imazhin e vendit tonë do të ndahen jo mirë, përsëri”, tha zëvendëskryeministri Hashim Thaçi.
Qeveria e Kosovës mori vendim për autorizimin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik për Pagesën e shpenzimeve administrative në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve Investive (ICSID) në kontestin e ngritur nga kompania “ACP Axos”.
Po ashtu, Qeveria mori vendim për angazhimin e kompanisë ligjore “Patton Boggs” për ndërmarrjen e veprimeve procedurale – përgatitore me karakter urgjent pranë Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve Investive (ICSID) në çështjen e ngritur nga kompania “ACP Axos” lidhur me privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës./b.j/
Kosovë-opozita: Nesër në ora 14:00, protestë në Prishtinë
-Herën e kaluar, në 28 nëntor, në manifestimin e opozitës në Prishtinë sipas vlerësimeve të saj ishin 35 mijë pjesëmarrës/
PRISHTINË, 8 Janar 2016/ “Nesër në ora 14:00, do të mblidhemi tek Biblioteka Kombëtare, për të nisur kështu protestën për shtet me sovranitet dhe kundër Qeverisë antikushtetuese”, deklaruan sot Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.
Para protestës së nesërme në Prishtinë, opozita e bashkuar kosovare mbajti sot konferencë shtypi në Sheshin Skenderbeu, afër ndërtesës së qeverisë së Kosovës.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të bashkohen në protestën e nesërme. “I ftoj të gjithë qytetarët që në ora 14:00 të vijnë tek Biblioteka Kombëtare, e të marshojmë bashkë deri në Sheshin Skenderbeu. Të protestojmë për anulimin e marrëveshjeve të dëmshme dhe të kërkojmë llogaridhënie nga ata që e shkelën Kushtetutën”, tha Haradinaj.
Visar Ymeri, Kryetar i Vetëvendosje-s, tha se nesër është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme për Republikën e Kosovës. “9 janari është dita e protestës gjithëpopullore, dita e protestës së qytetarëve kundër marrëveshjeve të dëmshme dhe të rrezikshme që i ka nënshkruar qeveria e Kosovës, dhe kundër këtyre shkelësve të Kushtetutës. Nesër, qytetarët do të bëhen bashkë për ta kërkuar sovranitetin e vendit. Republika e Kosovës nuk mund të udhëhiqet nga njerëz që me vendimet e veta tentuan ta përmbysin rendin kushtetues të vendit”, theksoi Ymeri.
Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, tha se nesër në shesh do të protestojmë masivisht, për të mos lejuar që shkelësit e Kushtetutës të vazhdojnë të qeverisin me vendin. “Është momenti kur zëri qytetar duhet të jetë i bashkuar dhe i fuqishëm, ashtu që të mos lejojë një precedent të keq në Kosovë që shkelësit e Kushtetutës të vazhdojnë të qeverisin. Nëse ata refuzojnë të japin llogari, atëherë edhe ne si qytetarë duhet të refuzojmë të na qeverisin shkelësit e Kushtetutës”, u shpreh Limaj.
Herën e kaluar, në 28 nëntor, në manifestimin e opozitës në Prishtinë sipas vlerësimeve të saj ishin 35 mijë pjesëmarrës. Manifestimi ishte ftuar nga opozita në kundërshtim të katër marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë, veçmas asaj për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe kundër marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi./b.j/
- « Previous Page
- 1
- 2
- 3
- 4
- 5
- …
- 8
- Next Page »