Bisedë me pianistin e shquar shqiptar Genc Tukiçi:Babai im Ibrahim Tukiçi më ka mësuar të përqafoj energjinë universale dhe me anë të forcës shpirtërore ta shpreh në muzikë…/
Artisti i shquar shqiptar Genc Tukici që me lojën e gishtave të tij duket sikur bën balet mbi tastierën e pianos ka magjepsur mijëra e mijëra artdashës në koncertet që ka dhënë në shumë vende të botës. I lindur në një familje artistësh si i biri i Ibrahim Tukiçit i cili ishte një intepretues i shkëlqyer i muzikës klasike dhe popullore medoemos që kjo kulturë muzikore do të ndikonte në botën shpirtërore të Genc Tukiçit.
Ju ftoj të ndiqni bashkëbisedimin me një artist dhe pianist të mirënjohur dhe me siguri që nuk do të lexoni një intervistë të zakonshme, por në vend të bisedës do të dëgjoni tingujt në tastierë luajtur mjeshtërisht nga një pianist shqiptar që është bërë pjesë e qenies së tij.
Z.Genci cili ka qenë koncerti i parë dhe në çfarë moshe keni dalë për herë të parë në skenë?
Koncerti i parë më kujtohet, ka qenë në koncertet e Majit në Teatrin e Opéras dhe të Baletit në Tiranë, kam qenë 6 vjeç.
Cilat kanë qenë marrëdhëniet tuaja me këngëtarin e famshëm Ibrahim Tukiçin si biri i Tij dhe sa ka ndikuar si prind dhe pedagog në edukimin muzikor dhe estetik të botës suaj?
Babai im i nderuar ka qenë dhe është akoma sot personi më i rëndësishëm në formimin tim si muzikant, por edhe si njeri, roli i tij është determinant në jetën time. Ai më ka mësuar të përqafoj energjinë universale dhe me anë të forcës shpirtërore ta shpreh në muzikë, të jem modest dhe ti dua njerzit dhe natyrën, të dua jetën, të dashuroj pafund…
Po me vëllain tuaj këngëtar, kompozitorin e mirënjohur David Tukiçin a mund të tregoni displinën artistike qe ju edukoi babai juaj dhe a ka pasur momente dëshpërimi kur keni qenë fëmijë që në vend të lojnave si moshatarët tuaj merreshit me mësimin e muzikës dhe të instrumenteve?
Davidi,vëllai im i madh, miku im më i mirë, koleg serioz, partener, muzikant i shkëlqyer, personalitet sensibël dhe vullkanik, të dy admirues të futbollit. Më kujtohet që falë disiplinës dhe rigorozitetit që babai na ka imponuar që në fëmijëri, shpesh herë kur luaja Bach apo Bethoven, lotët më ridhnin ndër faqe, teksa dëgjoja shokët e mi që luanin futboll… Pak kohë më pas, loja më e mirë për ne u bë muzika. Në të ne gjenim gjithçka, gezimin, vuajtjen, madhështoren, hyjnoren, sarkazmën, ironinë, dashurinë, pasuri e rrallë për një fëmijë, trashëgimi e paçmueshme nga Baba…
A mendoni se pasurinë muzikore që ju ka lënë Ati juaj dhe shtëpinë e tij ta ktheni në një Muze për të gjithë artdashësit e Tij, sepse shpesh ndodh që njerëzit që kanë lënë gjurmë në shumë fusha ikin, ikin pakuptuar dhe ndodh që i mbulon pluhuri i harresës nga qeveritë e ndryshme?
Në respekt për peindërit tanë ne e kemi lënë shtëpinë tonë ashtu siç ishte kur ata ishin në jetë bashkë me ne. Por kjo është e lidhur me ne, fëmijët e tyre, ndërsa, mendoj se trashëgimia më e mirë për një muzikant është të lerë gjurmë në mendjen dhe shpirtin e njerëzve, ky është muzeu më i mirë, një muzikant i vërtetë reziston në kohë.
Në çfarë vendesh keni dhënë koncerte dhe cilët kanë qenë partnerët kryesorë dhe repertori tuaj?
Kam luajtur në Europë, Azi, Afrikën e Veriut si dhe në Amerikë, por kjo është vetëm një panoramë gjeografike, me kohë kam kuptuar që muzika nuk ka kufi. Kam pasur shumë partenerë të ndryshëm, muzikantë nga e gjithe bota, kemi folur të njejtën gjuhë, kemi folur muzikë, por parteneri me i rëndësishëm për mua është vêtë muzika.
Ju jetoni në Francë si muzikant, artist, cilat janë kontaktet tuaja me diasporën shqiptare në Francë dhe si ndiheni përballë kolegëve francezë, pasi ju ecët në gjurmët e muzikës shqiptare dhe ABC-n, tingullin hyjnor të saj e dëgjuat në shkollat e muzikës shqiptare?
Unë jetoj dhe punoj në Paris, ku niveli dhe kontributi i muzikantëve shqiptarë është i konsiderueshëm, vërtetë unë jam diplomuar në shkollën shqiptare dhe mund të thèm me bindje që vertetë Shqipëria është vend i vogël, por me një shkollë muzike të nivelit ndërkombëtar që për nga cilësia si dhe tradita e shkurtër, por e ngjeshur, nuk i len gja mangut dhe shkollave ma të mira në botë, për këtë jam shumë krenar….
Po në Amerikë keni plane për koncerte dhe si konkretisht?
Po, kam disa projekte për të luajtur në Amerikë dhe veçanërisht në New York, por akoma datat nuk janë preçize…
Cilat janë projektet tuaja në të ardhmen?
Aktualisht jam duke kompozuar një pjesë për soprano dhe piano me titull “Soprano Folle”, që do të luhet në Paris në sezonin e ardhshëm. Nga shtatori děri në dhjetor do të kem koncerte me Inva Mulën dhe Ermonela Jahon në Paris dhe në Londër, në shtator në Prishtine dhe në nëntor në Tiranë. Kështu mbyllet 2014-ta.
Si muzikant çfarë do t’u sugjeronit prindërve të rinj që kanë dëshirë t’ju mësojnë fëmijëve të tyre pianon, cila është mosha më e përshtatshme?
Do t’ju këshilloja çdo princip të drejtë për fëmijën drejt muzikës dhe pianos jo vetëm si një zbavitje e thjeshtë, por si një instrument që po fillove me pak rigorozitet, hap një dritare për fëmijën nga ku mund të shohë me sytë e zemrës shumë larg dhe pa kufi, fantastike apo jo? Sa më shpejt aq më mirë, por mosha më e mirë është ajo kur ti fillon dhe e don muzikën…
Diçka për familjen tuaj?
Në familjen time çdo gjë sillet rreth muzikës. Pianoja është piestare e familjes, bëhet muzikë pa orar, nga mëngjesi děri natën vonë. Muzika është ushqim shumë i mirë, nuk të shëndosh, të mban élégant dhe në formë…
Faleminderit për intervistën,
Faleminderit dhe juve!
Bisedoi Keze Kozeta Zylo
New York