• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOMUNITETI SHQIPTAR DHE VATRA DO TË PËRKUJTOJNË MITHAT FRASHËRIN NË PËRVJETORIN E LINDJES

March 17, 2018 by dgreca

-Ditën e Shtunë, 24 Mars 2018, Ora 11.00, do të vendosen lule pranë varrit të Mithat Frashërit që ndodhet në  Ferncliff Cemetery, ne Westchester County, New York. Ftohen bashkatdhetarët të bëhen pjesë e këtij takimi përkujtimor-/1 mitatMithat Frashëri mbetet një ndër ikonat e Shqiptarizmit dhe një model i papërsëritshëm i intelektualit që jetën ia kushtoi Kombit të vet. Është kjo arsyeja që shqiptarët e Amerikës e nderojnë shërbestarin e Kombit në cdo përvjetor të lindjes apo të ditëvdekjes.

Edhe këtë herë Komuniteti Shqiptar në NY-NJ do ta përkujtoi Mithat Frashërin në Përvjetorin e Lindjes, 138 vjetorin e Lindjes së tij. Mithat Frashëri lindi në Janinë me 25 Mars 1880 dhe mbylli sytë në Nju Jork me 2 tetor 1949.

Federata Vatra I bashkohet këtij takimi përkujtimor, pasi e ndjenë detyrim që ta respektojë Mithat Frashërinë  jo vetëm pse ai ishte etalon i atdhetarit, intelektualit, publicistit, diplomatit, historianit, por edhe për faktin se Mithat Frashëri ishte një ndër kandidatët për të drejtuar Vatrën, së dyti ai ishte një ndër ambasadorët e emëruar dhe paguar nga Vatra, së treti ai ishte i dërguari i Qeverisë së Sulejman Delvinës pranë Vatrës për të organizuar Huanë Kombëtare me 1921, Huaja që i dha shtetit shqiptar 198 mijë Dollarë dhe e shpëtoi nga kriza financiare.

Organizatorët ftojnë bashkatdhetarët që të Shtunën me 24 Mars 2018, në orën 11.00 të bëhen pjesë të takimit përkujtimor pranë varrit të Mithat Frashërit, që ndodhet në  Ferncliff Cemetery, ne Westchester County, New York.

Adresa: 280 Secor Rd, Hartsdale, NY 10530

Filed Under: Opinion Tagged With: Komuniteti, Mit'hat Frasheri, perkujtim, Vatra

“Bijtë e Shqipes”përkujtuan dy Bijat e Kombit:Sabiha Kasimati & Musine Kokalari

November 6, 2017 by dgreca

“Bijtë e Shqipes” në Philadelphia përkujtuan e nderuan Sabiha Kasimatin e Musine Kokalarin me rastin e përvjetorëve të tyre të lindjes/
1 sadik salle
Nga Sadik ELSHANI/
1 sabiha Musine
                    Ndër veprimtaritë e shumta që organizon shoqata “Bijtë e Shqies” në Philadelphia, një vend të rëndësishëm zënë edhe ato përkujtimore, në të cilat përkujtohen e nderohen figura të ndritura të historisë, artit, shkencës, kulturës e traditës sonë kombëtare. Një veprimtari e tillë u zhvillua në fund të tetorit (28 Tetor 2017), në mjediset e shoqatës, ku u përkujtuan dhe u nderuan dy mendje të bukura, dy mendje të ndritura, dy gra të jashtëzakonshme: Sabiha Kasimati (1912 – 1951), me rastin e 105 vjetorit të lindjes dhe Musine Kokalari (1917 – 1983), me rastin e 100 vjetorit të lindjes. Për të përcjellur këtë veprimtari ishin mbledhur me dhjetëra bashkatdhetarë. Në tavolinën kryesore ishin vendosur portretet e Sabiha Kasimatit e Musine Kokalarit dhe në mes tyre një vazo me lule. Veprimtarinë e hapi zoti Tajar Domi, kryetar i shoqatës, i cili u uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe bëri një pasqyrë të shkurtër për punën dhe veprimtaritë e shoqatës, duke theksuar rëndësinë, porosinë dhe vlerat e kësaj veprimtarie. Pastaj ai ia dha fjalen z. Sadik Elshani, i cili e mbajti materialin kryesor të kësaj veprimtarie titulluar: “Sabiha Kasimati e Musine Kokalari – dy mendje të bukura, dy mendje të ndritura, dy gra të jashtëzakonshme”.
1 Sadik Elshani
Qysh në fillim ai vuri në dukje shumë gjëra të përbashkëta që kishin në mes tyre këto dy gra të jashtëzakonshme, dy intelektuale të rralla, dy gra të guximshme: “Të dyja kishin lindur jashtë Shqipërisë, në Turqi, ishin të bukura, intelegjente, të zonjat, të parat shqiptare në limitë e tyre përkatëse, të dyja patën njohje me Enver Hoxhën dhe të dyja patën një jetë tragjike. Kur mendoj për jetën e tyre në mend më vijnë vargjet e Mjedës te vjersha “Bilbili”: “Vetë bukuria, o i shkreti/Kenka për ty nji kob””. Në vazhdim ai pastaj foli veç e veç për jetën dhe veprën e Sabiha Kasimatit e Musine Kokalarit, duke paraqitur disa të dhëna jetëshkrimore dhe duke bërë një vlerësim të përgjithshëm për rëndësinë e këtyre dy figurave të rëndësishme për shkencën dhe kulturën tonë kombëtare.
1 Bijte e shqipes
Sabiha Kasimati ishte gruaja e parë që e kishte mbaruar shkollën e lartë franceze në Korçë. Në vitin 1936 fitoi një bursë për të studiuar jashtë vendit dhe ishte përcaktuar për të studiuar në Fakultetin e Shkencave Biologjike në Universitetin e Torinos. Në vitin 1941 përfundoi studimet, ku me sukses mbrojti edhe doktoraturën. Edhe pse kishte oferta per te punuar jashtë, ajo u kthye në Shqipëri.
 Pas ardhjes së komunistëve në pushtet më 1945, ajo filloi një bashkëpunim me biologun, profesor Selaudin Toto, me qëllim të organizimit të Institutit të Shkencave në Tiranë. Këtu iu dha rasti që t’i fillonte hulumtimet ihtiologjike, duke i dhënë asaj një vend brenda Institutit në kuadër të Seksionit të Botanikës.
Më 19 shkurt të vitit 1951 ndodhi një shpërthim bombe në Ambasadën e Bashkimit Sovjetik në Tiranë. Autoritetet shqiptare të asaj kohe, pa kurrëfarë fakte, si fajtorë i konsideruan një grup prej 22 intelektualëve, përfshirë këtu edhe Sabiha Kasimatin (si e vetmja grua). Këta u pushkatuan pa gjyq në natën e 26/27 shkurtit 1951. Jeta e Sabihasë u shua në mënyrën më barbare në kulmin e pjekurisë së saj shkencore e intelektuale, duke lënë një zbrazëti në jetën arsimore e shkencore të Shqipërisë, pikërisht kur Shqipëria kishte nevojë për njerëz të kalibrit të Sabiha Kasimatit e shumë të tjerëve. Vepra e saj shkencore, punimet në fushën e florës e faunës së Shqipërisë, u botua në vitin 1955, por nën emrin e shkencëtarit sovjetik, Anatolij Poljakov, si dhe dy studiusve shqiptarë.
Sabiha Kasimati ishte e para femër shqiptare që mori doktoraturën, e para shkencëtare shqiptare. Ishte një grua e jashtëzakonshme, një intelektuale e rrallë që me tërë përkushtimin e saj iu përvesh punës për zhvillimin e shkencës shqiptare, ndërtimin e institucioneve të larta shkencore. Ajo jo vetëm që ishte një shkencëtare e një kalibri të lartë, por ishte edhe një intelektuale e angazhuar me ndërgjegje të lartë kombëtare, e shqetësuar për fatin e kombit, vendit të saj. Ajo u indinjua pa masë kur regjimi komunist kishte filluar të eliminonte elitën kombëtare. Meqënëse e kishte shok shkolle Enver Hoxhën, ajo kërkoi një takim me të dhe me guxim e kishte ballafaquar diktatorin: “Kam ardhur të të them se ti po vret gjithë intelektualët. Dua të të pyes se me cilët ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë, me teneqexhinjtë apo me këpucëtarët?!” Kuptohet, ky ballafaqim e kishte zemëruar shumë Enver Hoxhen dhe ky ballafaqim njëherësh kishte qenë edhe nënshkrimi i dënimit të saj me vdekje.
Edhe në hetuesi Sabihaja mbajti qëndrim burrëror dhe nuk u përkul para xhelatëve të kombit. Me hetuesinë e shkurtër të Sabihasë u angazhua personalisht edhe Mehmet Shehu, asokohe ministër i Punëve të Brendshme, të cilit ajo me kurajon karakteristike të saj, ndër të tjera ia tha këto fjalë që tingëllojnë edhe profetike: “Ju jeni kriminelë dhe tiranë, që kërkoni të nënshtroni shqiptarët me terror, por do të vijë dita që këto mizori do t’i paguani.” Dhe këto fjalë të Sabihasë tani i ka dëshmuar edhe vetë historia.
Shkencëtari i vërtetë është edhe trim, i guximshëm dhe nuk pranon asgjë përveç të vërtetës. E tillë ishte Sabiha Kasimati, ajo nuk mund të qëndronte indiferente para një katastrofe njerëzore që ishte duke e kapluar Shqipërinë.
Në vazhdim të kësaj veprimtari Zoti Elshani foli edhe për jetën dhe veprën e Musine Kokalarit, duke theksuar se ajo ishte e para shkrimtare femër në Shqipëri, intelektuale, disidente dhe e para femër shqiptare që formoi një parti politike, Partinë Socialdemokrate të Shqipërisë. Studimet për letërsi i përfundoi në Rome në vitin 1941 me një studim për Naim Frashërin. Ka botuar tri permbledhje me tregime: “Siç më thotë nënua plakë” (Tiranë, 1941), “… sa u tunt jeta” (Tiranë, 1944), “Rreth vatrës” (Tiranë, 1941). Gjatë studimeve ka mbajtur edhe një ditar, i cili do të botohet së shpejti. Ndërsa ka lënë një dorëshkrim për jetën e vet: “Mbi jetën time”. Brenda një kohe të shkurtër Musineja u afirmua si një shkrimtare serioze, me brumë, si një mjeshtre e tregimit dhe sipas Lasgush Poradecit, ajo kishte sjellur diçka origjinale, nje stil të ri në letërsi dhe ishte një talent i pamohueshëm. Veprimtarinë e saj letrare e politike Musineja e filloi në një periudhë të turbullt, të trazuar, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Aty nga fundi i luftës komunistët i kishin pushkatuar dy vëllezërit e saj pa gjyq  dhe për këtë ajo ishte e mllefosur, e indinjuar dhe kërkonte drejtësi e shpagim. Për këtë shkak dhe për shkakun se ajo më 1944 ishte themeluese e Partisë Socialdemokrate Shqiptare dhe organit të saj, “Zëri i lirisë”, ajo u arrestua më 17 janar 1946. U dënua me 20 vjet burg dhe për 18 vite qe burgosur në burgun famëkeq të Burrelit. U lirua më 1964 dhe menjëherë u internua në Rrëshen, ku u caktua të punojë si fshesare. Aty edhe vdiq nga kanceri në vitin 1983. Dikur e dënuar si armike e popullit, ajo sot është shpallur Qytetare Nderi e Qytetit të Gjirokastrës, nga Presidenti i Shqipërisë është shpallur Martire e Demokracisë, ndërsa një shkollë fillore në Tiranë e mban emrin e saj.
Në gjyq Mysineja mbajti një qëndrim dinjitoz, të përjetësuar me atë foton me velin e zi në kokë, vel që nuk do t’i hiqej kurrë gjatë tërë jetës së saj tragjike. Është ai qëndrim i grave burrnesha shqiptare: “Unë s’jam fajtore. S’jam komuniste dhe ky s’mun të quhet faj. Ju fituat në zgjedhje, por në burg nuk duhet të jem… Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen” – ajo deklaroi në gjyq.
“Çfarë tmerri, çfarë trishtimi, çfarë zhgënjimi, kur një intelektuale si Musine Kokalari përfundon fshesare në Rrëshën?!” – u shpreh z. Elshani dhe vazhdoi: “Shpesh mendoj sesi Musineja ka mundur t’i përballojë këto tmerre, një grua që tërë jetën kishte studiuar, kishte punuar për të arrirur diçka, një grua me plot ëndrra, shumë plane për te ardhmen, për zhvillimin e kulturës në Shqipëri, emancipimin e vendit. Por ja që fatin e saj e kishin në dorë injorantët, të padijshmit, cinikët, kriminelët. Si ka mundur të qëndrojë Musineja pa u çmendur?! Siç duket ajo kishte krijuar disa mekanizma mbrojtës, duke jetuar fizikisht në një botë të tmerrshme dhe shpirtërisht në një botë tjetër, në botën e saj, ku ndihej e qetë.”
Zoti Elshani e përfundoi paraqitjen e tij duke bërë një vlerësim të lartë për këto dy gra të jashtëzakonshme, shembëlltyrë e intelektualit të angazhuar me ndërgjegje të lartë kombëtare e vlera të larta njerëzore: “Janë përmendore, simbole të qëndresës, fisnikërisë, trimërisë shqiptare. Janë mishërim i fjalës “burrneshë”, që populli ynë e ka krijuar për gra të tilla… Ato e meritojnë nderimin dhe adhurimin e çdo shqiptari, jo vetëm për të arriturat e tyre profesionale, por edhe qëndresën, guximin e tyre për t’u përballuar me diktaturën dhe vetë diktatorin. Kur diktatura i kishte gjunjëzuar edhe burrat, intelektualët e shquar të Shqipërisë, ishin pikërisht këto dy gra që e sfiduan regjimin komunist, duke e sakrifikuar edhe jetën e tyre… Populli ynë i ka borxh Sabiha Kasimatit, Musine Kokalarit dhe shumë të tjerëve. Le të jetë kjo veprimtari e shoqatës sonë një shënjë mirënjohje e respekti për jetën dhe veprën e tyre të ndritur.”
Meqënëse më 2 tetor ishte ndarë nga jeta albanologu i njohur, Robert Elsie (1950 – 2017), organizatorët vendosën që në këtë veprimtari të thuhen disa fjalë edhe për këtë ambasador të kulturës shqiptare. Për jetën dhe veprën e Robert Elsie-t foli gazetari i njohur dhe ish kryetari i shoqatës “Bijtë e Shqipes”, zoti Llazar Vero. Figurën e Robert Elsie-t ai e vlerësoi lart, duke e radhitur atë në mesin e albanologëve më të njohur, më punëtorë, më prodhimtarë e më të përkushtuar. Robert Elsie ka dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme për ta bërë të njohur letërsinë dhe kulturën shqiptare në botë. Duke gjurmuar nëpër arkivat e qyteteve të njohura të botës, Robert Elsie ka zbuluar shumë materiale të panjohura për historinë e Shqipërisë, letërsinë dhe kulturën shqiptare. Robert Elsie përktheu mjaft vepra letrare të letërsisë shqiptare, përfshirë këtu edhe “Lahutën e Malcis”, që ishte një punë  mjaft e vështirë. Për punën e tij madhështore në fushen e albanologjisë, Zoti Vero e cilësoi Robert Elsie-n si një institucion, akademi më vete.  Për ta përjetësuar dashurinë e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët, Robert Elsie kishte lënë testamentin që të varrosej në Alpet Shqiptare, në Theth. Tani ai është bërë pjesë e përjetshme e botës shqiptare.
Për ta bërë këtë veprimtari sa më cilësore, organizatorët kishin bërë edhe një përzgjedhje me disa video ku flitej për jetën dhe veprën e Sabiha Kasimatit e Musine Kokalarit, si dhe kronikat për veprimtaritë që ishin zhvilluar në Tiranë e Prishtinë me rastin e këtyre përvjetorëve. Jo rastësisht ishte përzgjedhur edhe “Sonata e dritës së hënës” (“Moonlight Sonata”) e Betovenit. Kur më 1931, me rastin e 40 vjetorit të themelimit të Institutit Qiriazi, mësuesja e pianos, Aferdita Osmani, kishte lozur këtë pjesë muzikore, Musineja kishte mbetur e mahnitur, ishte frymëzuar nga kjo pjesë. Shkrimtarja Eglantina Mandia librin për jetën e Musine Kokalarit që është një rrëfim artistik, e ka quajtur “Sonata e hënës”. Kjo pjesë e veprimtarisë u mbyll me këngën “Nuse e panusëruar”, kënduar nga grupi Argjiro dhe i kushtohet Musine Kokalarit me rastin e 100 vjtorit të lindjes së saj. I tillë ishte fati i jetës së Musinesë, ajo kurrë nuk e vuri velin e bardhë të nusërisë, por tërë jetën e mbajti velin e zi  të trishtimit.
Veprimtaria u mbyll me koktejlin tonë tradicional: “Bukë e kripë e zemër”. Gjatë veprimtarisë si dhe gjatë koktejlit bashkatdhetarët këmbenin mendime për jetën, veprën e Sabiha Kasimatit, Musine Kokalarit e Robert Elsie, shprehini adhurimin për veprën e tyre dhe shprehnin keqardhje për fatin tragjik të Sabiha Kasimatit e Musine Koikalarit.
Sadik Elshani
Filadelfia, Tetor 2017

Filed Under: Emigracion Tagged With: bijte e shqipes, Musine Kokalari, perkujtim, Sabiha Kasimati, Sadik Elshani

Përkujtohet në Tuz e në Triesh, Patër Luli – Andrea Gjekaj

August 7, 2017 by dgreca

1 Pater LuliMë 4 e 5 gusht, në Tuz e në Trish të Malit të Zi u përkujtua Patër Luli – Andrea Gjekaj. Meshtari, jo shumë i njohur për shqiptarët e trevave të tjera, përmendet akoma në këngët e rapsodëve të Malësisë së Madhe. Ra heroikisht në frontin e Shkodrës, gjatë luftës së vitit 1911, duke kryer detyrën e kapelanit ushtarak, duke bekuar e varrosur të vdekurit me të gjitha Sakramentet e krishtera. Ndërroi jetë në moshën 35-vjeçare, duke u kujtuar nga populli si martir1 Pater LuluNolla3 Nargaj

4 Nikolla

2 Nikolla

2 Padre

Filed Under: Featured Tagged With: Patër Luli – Andrea Gjekaj, perkujtim, Tuz e në Triesh

JU QOFTË I LEHTË DHE`U I KOSOVËS!

April 21, 2016 by dgreca

Përkujtim i përvjetorit të martirit Sali  Mujaj/
NGA RAMIZ MUJAJ/ New York/

 Në vitin 1999, në muajt e dimrit në acarin më të madh, forcat  paramilitare serbo çetnike dhe pjestarë Cerrno Gor, e fshinë përpara popullatën e komunës së Pejës.  Në atë golgotë ishin edhe babai, nëna ime, familjarët si dhe farefisi im,që shkuan duarthatë nga qyteti i Pejës.Të gjithë pa përjashtim, pleqtë, gratë, e fëmijët, dhe të sëmurëve ju desh që ti lëshonin shtëpitë dhe të dilnin nxitimthi sipas urdhrit të paramilitarëve.Dikush përpiqej që të merrte në shpejtësi ndonjë ndonjë veshje, dikush diç tjetër, pa e ditur ose pa e menduar fare se përsëri do të kontrolloheshin apo do të plaçkiteshin e keqtrajtoheshin, i madh e i vogël.Ishte një tmerr i vërtetë. Deri në tentim vrasje e vrasje, paramilitarët kanë vendosur tytat e automatikve tek kokat e popullatës për të dhënë detyrueshëm çdo metelik e bizhuteri  që kishin.  Paramilitarët Serbë me paramendim terrorizonin qytetarët në atë acar.Rrugës së gjatë dhe në borë të madhe ja mësynin kufirit të Malit të zi nëpër bjeshkët më të rrepishme të kufirit në marsin e acartë  të vitit 1999; të gjithë në këmbë dhe të pa paisur fare me rrobat e dimrit. Ndër ata ishte dhe axha im i moshuar dhe i sëmurë rëndë, Sali Rrustem Mujaj me gjithë familje.

Sali Mujaj Salihi, gati thuaj i palëvizshëm, i sëmurë rëndë, duhej ta merrte atë rrugë të golgotës shqiptare mu në mes të acarit të tmerrshëm dhe grykëve të pushkëve e britmat deri në ulurimë të paramilitarëve. Falë familjarëvë të vet, dhe posaçërisht djalit të tij Binak Mujaj, meqenëse edhe ai ishte hall lig, me vuajtje të mbijetesës, që në gjendje që babain e vet ta mbarte mbi supet e veta në atë acar dhe borë të madhe  gati për më shumë se 50 kilometra rrugëtim. Binaku ishte moshatari im, kushëriri im, dhe kolegu im, me të cilin jam rritur bashkë si të ishim vëllezër .
Mbëritën në Rozhajë dhe aty shumica e refugjatve gjetën strehim tek të afërmit, vëllezër në qytet dhe nëpër fshatra si Buxhov, Dacaj e qytet. Pastaj disa nga refugjatët shkuan për në Shkodër në Shqipëri, mirëpo familja e Salihut u vendos në Ulqin. Këtu nuk shkuan shumë ditë dhe axha im, Salihu i sëmurë, vdiq nga mundimi i udhëtimit aty dhe qe vorrosur.

Në vitin 2004, unë isha i kthyer nga Amerika në vendin tim (vendëlindje),duke menduar se ishte koha  të kthehesha përgjithmon.Pasi që kishte mbaruar lufta mendova se çdo gjë do ishte në rregull dhe jeta do të vazhdonte normalisht, popullata do të mjekonte plagët e trupit dhe të shpirtit, do të bashkoheshin me të humburit e luftës, do te rindërtoheshin shtëpitë e djegura dhe gjithçka do të ecte normalisht. U ktheva me familje dhe me mjete, por nuk më doli ashtu.Kishte qenë zhgënjim total kësaj rradhe (no koment). Një ditë më takoi Binaku, që kishte qen’ si vëllau im, dhe më tha: – Si tja bëj, kushëri? Më jep një mendim; eshtrate e babait kam frikë se do të mbesin në Ulqin.

Unë e këshillova siç ma tha shpirti:-Binak vëlla, ti duhesh të bësh ç’është e mundur që eshtrat e babës ti bartësh në Kosovë dhe ti varrosësh në vendlindje,në Rugovë.Unë do të ndihmoj me të gjithë mundësitë e mia.

Ashtu dhe u bë.

Binaku me shumë vuajtje dhe keqtrajtime, me shumë mundime nëpër burokracitë Malazeze, mundi ti sjellë eshtrat e babait të vet në vendlindje dhe i varrosëm me dinjitet në vendlindje, duke pasur pranë solidaritetin  e  vendasve dhe fshatarëve të katundit Dukaj, ish Dukaive e Rugovë.

Tani unë e ndjej një obligim më pak në shpirtin tim që pata një mundësi ndihmese për martirin bashkë me Binakun dhe farefisin tim. Eshtrat e axhës tim u prehën në tokën e Kosovës, në Rugovë, pranë varreve të të parëve tanë.  Unë me këtë rast përkujtimi, shpreh ndjenjat e dhimbjet për Axhën tim martir po dhe për Binakun, që kishte qenë pothuajse vëlla imi dhe ai, tani i ndjerë .

Ju jetuat me nder dhe vdiqët me nder. Ju qoftë i lehtë dheu i Kosovës martire, që aq shumë e deshët, babë e bir, Sali dhe Binak Mujaj.

 

Filed Under: Histori Tagged With: i përvjetorit të martirit, perkujtim, Ramiz Mujaj, Sali Mujaj

Përkujtohet tragjedia detare e anijes Austro Hungareze “Linz”

March 25, 2015 by dgreca

Nga Shefqet Kërcelli/
Më datën 24 mars 2015, në rajonin e kepit të Rodonit, u përkujtua 97 vjetori i mbytjes së avullores së transportit detar të perandorisë AustroHungareze “Linz”. Në këtë ceremoni morën pjesë Ambasadori i Republikës së Austrisë, shkëlqesia e Tij, zoti Thomas Schnoll, Ambasadori i Republikës së Hungarisë, shkëlqesia e tij zoti Antal Neizer, Komanadanti i Forcës Detare, Gjeneralbrigade Qemal Shkurti, Patër Aurel Gjerkaj, Ministër provincial, diplomatë e ushtarakë, përfaqsues nga Ministria e Kulturës, të medias, kuadro dhe detarë të anijes “Iliria”, P-131, etj. Avullorja austrohungareze “Linz”, me kapiten Hugo Tonelli, ishte vapori i “Lloydit” austriak dhe në vitin 1918, u mor për nevojat e ushtrisë perandorake, transport trupash. {Avullorja “Linz” u prodhua në kantierin e Triestes në vitin 1909, me përmasa 104×13.4 m, peshkim-7.9 m dhe tonazh 3819 t}. Gjatë lundrimit nga porti i Rjekës për në portin e Durrësit, më datën 19 mars 1918, ora 19.00, anija hasi me një minë detare në bordin e majtë, 3.7 milje në perëndim të Kepit të Rodonit. Goditja ishte fatale, dhe për rjedhojë anija u mbyt brenda 25 minutash. Në këto kushte dhe tre anijet luftarake {dy anije siluruese, “98” dhe “TB 974” si dhe destrojeri “Balaton”}, që e shoqëronin “Linzin”, nuk patën asnjë lloj mundësie për të evituar mbytjen e saj. Në bordin e anijes bashkë me ekuipazhin, ishin 1003 persona të rregjistruar, nga të cilët 413 robër italianë, të cilët do përdoreshin për punë në territorin shqiptar nga ushtria austrohungareze. Por në anije kishte dhe persona të parregjistruar, ushtarë austrohungarezë që në prag të përfundimit të Luftës së I-Botërore zgjodhën destinacione të tjera qëndrimi, përkthyes shqiptarë dhe italianë, personel nga Kryqi i Kuq, etj, të cilët e bëjnë këtë tragjedi detare nga më të mëdhatë e kohës. Specialisti i zhytjeve, nip tek familja e detarëve të vjetër ulqinako-durrsakë Kapidani, zoti Ilir Capuni, thotë se anija është mbytur në thellësinë 42 m dhe është në gjendje të mirë. Gjatë eksplorimit të bërë nga një ekspeditë shqiptaro-austriake është parë qartë vrima e shkaktuar nga mina detare si dhe gjendja e anijes. I apasionuar pas sportit të zhytjeve, zoti Capuni thotë se në ujërat Adriatiko-Joniane ka me dhjetra anije të mbytura, të cilat mund të eksplorohen nga zhytësa shqiptarë e të huaj, duke i shërbyer më së miri zhvillimit të turizmit nënujor. Organizimi i kësaj ceremonie, por dhe të tjerave në të ardhmen, është një mënyrë për promovimin e këtyre vlerave në ujërat shqiptare. Pjesmarrësit e këtij aktiviteti përkujtimor shkuan në vendin e mbytjes së anijes “Linz” me anijen “Iliria”, {P-131}, ku u zhvillua një ceremoni e thjeshtë në respekt të detarëve e personelit të mbytur në këtë fatkeqësi detare. Diplomatët dhe Gjeneral Shkurti në përshëndetjen e tyre evidentuan fatin tragjik të personelit civilo-ushtarak të anijes “Linz”, mbytur më pak se një shekull më parë. Kontakti në një minë detare e vendosur nga pala tjetër ndërluftuese solli mbytjen e menjëhershme të anijes bashkë me marinarët dhe personelin e saj. Gjithsesi ata ishin njerëz, të cilët lundronin afër brigjeve tona dhe u mbytën në ujërat tona. Natyrisht dhe dhimbjen e parë për ta, e përjetuan banorët e zonës së Ishmit e kepit të Rodonit, të cilët historikisht janë shquar për mikpritje dhe bujari. Ngelet detyrë e studjuesve tanë ta evidentojnë se si e përjetuan banorët e kësaj treve mbytjen e marinarëve të “Linz-it”. Vazhdimësi e kësaj dhimbje njerëzore është ceremonia që u zhvillua sot, për të përkujtuar humbjen tragjike të këtyre marinarëve. Ceremonia barti dhe simbolikën e saj, sepse në këtë ngushëllim për detarët e mbytur morën pjesë dhe marinarë shqiptarë. Pra, shpirtërat e detarëve austro -hungarezë dhe ushtarëve robër italianë, të tretur në thellësitë e Adriatikut bashkë me trupat e tyre, mbas një shekulli morën ngushëllimin e diplomatëve respektivë dhe detarëve shqiptarë. Kjo tregon se vitet bëjnë të vetën, historia, përpjekjet e vazhdueshme për paqe të popujve në këtë anë të Adriatikut sollën këtë ditë të vecantë, që askush se mendonte një shekull më parë. Në vijim diplomatët e huaj nënvizuan përpjekjet për paqe e siguri gjatë këtyre viteve nga vendet e rajonit, si dhe të ardhmen evropiane të popullit shqiptar. Mbas ceremonisë fetare të drejtuar nga Patër Aurel Gjerkaj, nga dy ambasadorët, Ai austriak dhe hungarez dhe Komandanti i Forcës Detare u hodhën në det kurora me lule, në nderim të viktimave të kësaj tragjedie. Kështu në këtë ceremoni të thjeshtë, pjesmarrësit shprehën dhimbjen, hidhërimin dhe ngushëllimet e tyre për detarët e anijes “Linz”. Ju prehtë shpirti në paqe! Ky ishte mesazhi që ata përcollën në këtë ditë marsi, pak milje nga brigjet e Rodonit.

Filed Under: Kronike Tagged With: naija Linz, perkujtim, Shefqet Kercelli, tradgjedia detare

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT