• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ZHVILLIMET E FUNDIT POLITIKE:ALETATET E PD TERHIQEN NGA ZGJEDHJET

March 9, 2017 by dgreca

Agron Duka ç’regjistron partinë nga KQZ/2ALEATET E PD Nis tërheqja e aleatëve të Lulzim Bashës nga zgjedhjet e 18 qershorit. Vendimi u mor pas takimit që kreu i PD-së, pati me ambasadorin amerikan, Donald Lu.Opozita duket se do të përshkallëzojë qëndrimin me dy hapa, organizmin e kuvendeve në të gjitha qytetet dhe bllokimin e zgjedhjeve të 18 qershorit.Duka ishte i pari që lajmëroi çregjistrimin nga Komisioni.Në një prononcim për mediat, ai tha: Së bashku ramë dakord për të mos shkuar në zgjedhje pa qeveri teknike. Sot do t’i kërkoj KQZ çregjistrimin e Partisë Agrare Ambjentaliste!1 METAKuvendi i Shqipërisë mbështet Rezolutën e Kosovës/

Në përfundim të seancës plenare sot në Kuvendin e Shqipërisë, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta deklaroi se Kuvendi i Shqipërisë përshëndet dhe mbështet plotësisht Rezolutën e miratuar sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës përmes  së cilës kërkohet lirimi i menjëhershëm i ish-Kryeministrit të Kosovës z. Ramush Haradinaj.“Dua të përshëndes edhe në emrin tuaj dhe të gjithë Kuvendit të Shqipërisë, Rezolutën e sapo miratuar nga Parlamenti i Kosovës që kërkon lirimin pa kushte të z. Haradinaj”, u shpreh Kryetari Meta në fund të punimeve të seancës së sotme.Me nismën e partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Kuvendi i Kosovës miratoi të enjten një rezolutë që kërkon lirimin pa kushte dhe sa më shpejt të ish-kryeministrit të Kosovës, z. Ramush Haradinaj, duke e konsideruar atë si detyrë primare shtetërore.

1 bERISHA

1 ALEATET E PDBerisha: Ja kush janë ‘të fortët’ që vizitojnë zyrën e Edi Ramës!

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka folur me emra konkretë sot se cilët janë “të fortët” e krimit që mbështesin Kryeministrin Edi Rama. Në fjalimin e tij sot në çadrën e protestës, Berisha tha shprehimisht:

“Çfarë ndodhi këto 4 vite?! Të gjitha bandat, një nga një, të cilat ne, 204 grupe kriminale i arrestuam dhe i çmontuam, që i vendosëm para ligjit, për ç’ka u anëtarësuam dhe në NATO, Edi Rama një nga po i nxjerr nga burgu.

Çfarë ndodhi gjatë këtyre viteve? Edi Rama futi 19 vrasës, trafikantë prostitucioni e droge në parlament si kurrë ndonjëherë në historinë e një parlamenti. Çfarë ndodhi më tutje? Pasi opozita bojkotoi 6 muaj parlamentin për dekriminalizim, Edi Rama, vrasësit, përdhunuesit, trafikantët i nxjerr nga dera, i fut nga dritarja!

A e dini ju cilët janë vizitorët e zyrës së Kryeministrit këto ditë? A mund t’i imagjinoni? Jua them unë! Janë Lul Berisha, Ymer Lala, Orik Shyti, Armand Prenga, Arben Ndoka! Këta janë vizitorët e zyrës së kryeministrit!”- theksoi Berisha.

 Blushi: Reformën në drejtësi e keni trukuar që ditën e pare

 Kryetari i LIBRA-s, Ben Blushi, ka lëshuar akuza të rënda ndaj mazhorancës në Kuvend këtë enjte për pikën më të dobët: Reformën në drejtësi.

Ai e akuzoi Ramën dhe shumicën qeverisëse se e ka truktuar të gjithë reformën në drejtësi, e ka komplikuar aq sa atë nuk e beson më njeri dhe solli shembull kandidatët që po përzgjidhen për Vetingun.

“Dalin disa ministra dhe thonë se pas procesit të Vettingut, do të ndryshojë modeli i këpucëve, do të rritet numri i bletëve në Dibër apo do të ndryshojë çmimi i arrës në Tropojë, – tha Blushi. –  Jo të nderuar!

Vetingu ka për qëllim që të fusë disa ish-­ministra, ish-­kryebashkiakë apo qeveritarë – vrasës në burg. Kaq e thjeshtë është!

Pse e hapët ju garën e Vetingut? Pse doni të shtoni kandidatë të tjerë? Ju keni bërë një përzgjedhje para përzgjedhjes. Nuk ju pëlqyen dhe vendosët disa të tjerë. Ky proces u komplikua. Kush e beson këtë reformë në drejtësi. Ju e keni trukuar këtë që ditën e parë

Çdo të thotë të trukosh një garë? Në 2005 me kujtohet se po bëheshin zgjedhjet për kryesinë e re në PS, dhe në darkë përfundoi procesin ndërsa në mëngjes vjen dhe më thotë Rama që kemi harruar Mimin dhe u fut pa u votuar në garë. I tillë është dhe procesi i Vetingut ku po futen pa u votuar në garë”

Të dy proceset janë bllokuar. Reforma në Drejtësi është bllokuar me një vendim nul. Për ju nuk më vjen keq por për Shqipërinë po. Shkatërrim të mbarë, por Shqipëria nuk e meriton këtë çmim.

Filed Under: Politike Tagged With: ARMAND DUKA, Berisha, Blushi, Kuvendi, Politika, TERHIQET NGA ZGJEDHJET

HEQJA E MANDATEVE, NDARJA E POLITIKES NGA KRIMI

December 29, 2016 by dgreca

*ME NE FUND DEMOKRACIA NIS TE FUNKSIONOJE: HIQEN MANDATET/

*KQZ heq mandatin e Elvis Roshit dhe dy deputetëve Selami dhe Tahiri/

* Ambasada Amerikane: Vendimi i sotëm është një fitore për popullin shqiptar dhe një paralajmërim për kriminelët/

1-mandatat

Më në fund demokracia ka nisë të lëvizë dhe Reforma në Drejtësi po jep shenjat se nuk ka kthim pas. Shqipëria e lodhur nga klasa politike me tranzicionin e tejzgjatur 25 vjecar, kërkon që të ndahet nga krimi, që I vshtë bashkëngjitë politikës.

KQZ-ja ka vendosur sot shpalljen të pavlefshëm dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit të kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi si dhe të dy deputetëve: Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri. Ajo që ra ne sy ishte fakti se anetaret pranë  PD në KQZ nuk votuan pro heqjes së Dashamir Tahirit, ndërsa për dy të tjerët rrezultati qe 7 me 0. Tre vendimet hyjnë në fuqi menjëherë sapo publikohen në Fletoren Zyrtare.

Vendimet janë lexuar para medias nga kryetari i KQZ-së, Denar Biba, pasi komisioni ishte tërhequr për të votua dhe pas shqyrtimit dhe argumentimit ligjor që i bënë secilit rast publikisht, anëtarët e KQZ-së.

Tani, vendimet e KQZ-së do t’i dërgohen Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit për të nisur procedurat për zëvendësimin e tyre.

Rama shkarkon Elvis Roshin pas heqjes së mandatit nga KQZ-ja

 

Qeveria ka shkarkuar diten e sotme Elvis Roshin nga kreu i Bashkise se Kavajes, pas heqjes se mandatit te tij nga KQZ-ja, pasi e kapte ligji i Dekriminalizimit.Mesohet se Qeveria e ka shkarkuar me vendim qarkullues kreun e Bashkise se Kavajes.

Megjithate, edhe pas shkarkimit Roshi mbetet ne detyre. Keshtu, ai ka te drejte ta ankimoje ne Kushtetuese shkarkimin e tij, njesoj sikurse beri Shukri Xhelili.Deri sa te shprehet Kushtetuesja, Roshi mbetet ne detyre si kryetar i Bashkise se Kavajes.Vetem pasi te shprehet Kushtetuesja kunder Roshit, atehere edhe Presidentit i lind e drejta per te dekretuar zgjedhjet e pjesshme.Sakaq, Rama ka edhe një kërkesë tjetër mbi tryezë për shkarkimin e kreut te Bashkise se Durresit Vangjush Dakos, per akuzat qe opozita ka hedhur ndaj tij ne lidhje me lirimin e Lul Berishes se do punesohej ne Bashki.

 Deklaratë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës

 mbasada e Shteteve të Bashkuara mirëpret vendimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve dhe kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm për t’i hequr mandatet tre politikanëve, Elvis Rroshit, Shkëlqim Selamit, dhe Dashamir Tahirit, nën ligjin e dekriminalizimit. Vendimi i sotëm është një fitore për popullin shqiptar dhe një paralajmërim për kriminelët që po mendojnë a të jenë kandidatë  në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Zyrtarët e zgjedhur apo të emëruar që plotësojnë deklarata false duhet të ndëshkohen më gjithë forcën e ligjit. Personat me dosje penale nuk mund të kenë vend në përfaqësimin e shqiptarëve.

Filed Under: Politike Tagged With: heqja e mandateve, krimi, Politika, reforma

Politika dhe propaganda naziste….

November 30, 2016 by dgreca

…si shembull për politikën dhe propagandën komuniste shqiptare/1-ilir-harshova-600x400-300x237NGA ILIR HASHORVA/*

Duke paraqitur disa aspekte të politikës dhe propagandës naziste, do të kuptojmë se sa ngjason komunizmi shqiptar me nazizmin gjerman. Nga të parat institucione që krijoi Hitleri kur erdhi në fuqi, ishte Ministria e Propagandës, më 13 mars të vitit 1933. Në krye të kësaj ministrie ai vendosi Josef Gëbelsin, një nga udhëheqësit nazistë më të kultivuar. Detyra kryesore e asaj ministrie ishte të vinte me mjeshtëri nën kontroll të gjitha aspektet e jetës shpirtërore, kulturore dhe intelektuale gjermane. “Sekreti i propagandës është të depërtojë te njeriu tek i cili synon, pa e kuptuar fare ai. Natyrisht, propaganda ka një qëllim, por qëllimi duhet të mbulohet me aq zgjuarsi dhe virtuozitet, saqë njeriu të mos e vejë re fare” – thoshte Gëbelsi për propagandën.

Më 25 mars, Gëbelsi përcaktoi detyrën e ministrisë si “mobilizuese shpirtërore” e popullit për rikrijimin e qëndrueshëm të shpirtit të ri gjerman në mënyrë që “populli të fillojë të mendojë si një, të reagojë si një dhe të vërë veten me gjithë zemër në shërbim të regjimit”. Gëbelsi donte jo vetëm të paraqiste regjimin dhe politikën e tij në mënyrë krejt pozitive, por edhe të paraqiste të gjithë popullin gjerman si mbështetës të bindur të atij regjimi. Hebrenjtë duheshin mënjanuar nga të gjitha aspektet e jetës kulturore gjermane.

Më 22 shtator të vitit 1933, brenda Ministrisë së Propagandës, u krijua Dhoma e Kulturës së Rajhut e cila do të kishte shtatë seksione: atë të literaturës, të teatrit, të muzikës, të radios, të filmit, të arteve të bukura dhe të shtypit. Të gjitha këto, këtej e tutje, do të viheshin nën kontrollin e shtetit.

Nga punët e para që bëri Ministria e Propagandës, ishte vendosja e festave të reja në kalendarin e festave publike. Kështu, u vendos 20 Prilli, si ditëlindja e Hitlerit; 7 Nëntori, si dita e puçit nazist të vitit 1923 dhe 1 Maji, Dita Kombëtare e Punës. Në 1 Majin e parë, kolona të gjata punëtorësh parakaluan me formacione ushtarake duke kënduar himnin nazist “Këngën e Horst Veselit”. Në mbarë Gjermaninë u ndërruan emrat e rrugëve, duke i zëvendësuar me emrat e heronjve të rinj nazistë.

Personaliteti i Hitlerit u bë kudo mbizotërues. Nga marsi i vitit 1933, filloi një garë midis qyteteve për ta bërë Hitlerin qytetar të tyre të nderit. Në gati të gjitha qytetet, shesheve kryesore iu vu emri i Hitlerit. Në ditëlindjen e Hitlerit, qytetet zbukuroheshin me flamuj, parulla e lule. Për të bëheshin dokumentarë të posaçëm filmi që e paraqisnin atë si gjeninë që Perëndia ia kishte dhuruar Gjermanisë.

Një sektor shumë i rëndësishëm propagandistik ishte letërsia. Më 10 maj të vitit 1933, studentët gjermanë organizuan kudo mbledhje kundër shpirtit jo gjerman në letërsi. Ata hartuan një listë të librave që nuk i shërbenin nazizmit, i mblodhën ato, i bënë pirg në sheshe publike dhe iu vunë flakën. Në Berlin, në djegien e librave qe i pranishëm edhe Gëbelsi që, me atë rast, tha: “Çdo libër apo vepër arti që vepron në mënyrë subversive mbi të ardhmen tonë, apo godet rrënjët e mendimit gjerman, të shtëpisë gjermane, apo të forcave lëvizëse të popullit tonë, duhet të digjet”. U dogjën edhe librat e Hanrih Hajne-s, i cili pat thënë: “Aty ku digjen librat, në fund do të digjen edhe njerëzit”. Për djegien e librave të tij, Frojdi tha: “Të paktën u dogja me shokë të mirë”,  ndërsa  Cvajgu – : “E pashë më shumë si një nder, sesa si një turpërim që u lejova të kisha të njëjtin fat me shkrimtarë të tillë të shquar si Tomas Mani, Hainri Mani, Verfeli, Frojdi, Ajnshtaini dhe shumë të tjerë, veprat e të cilëve i çmoj më lartë se të miat”.

Shkrimtarët që nuk shkruanin, apo që nuk kishin shkruar ato që u vinin për shtat nazistëve, u sulmuan. Një numër prej tyre u larguan nga Gjermania, Shkrimtarët që ngelën, ose u kthyen në vegla të nazizmit, ose u burgosën.

Bibliotekat dhe libraritë vëzhgoheshin me kujdes për libra të padëshiruar nga agjentët e Policisë Kriminale, nga Gestapoja, nga Ministria e Brendshme, nga “Rinia e Hitlerit”, nga organizata të studentëve nazistë, nga trupat SA si dhe nga një qendër që quhej “Autoriteti Suprem i Censurës për Literaturë të Ndyrë dhe të Pavlefshme.”

Shtypi u vu i tëri nën kontrollin e shtetit. Gazeta e Partisë Naziste ishte “Vëzhguesi Racial”. Të abonuar në të ishin veçanërisht mësuesit, të cilët e përdornin atë gazetë për të ilustruar mësime në klasë.

Një sulm frontal kundër ndikimeve të huaja në kulturën gjermane filloi me sektorin e filmit. Zyra e Filmit do të kishte nën mbikëqyrje të gjithë industrinë e filmit. Prej industrisë së filmit u larguan të gjithë punonjësit hebrenj, qofshin ata artistë, teknikë apo inxhinierë. Kinematografia gjermane u vu tërësisht në ndihmë të luftës dhe nazizmin, duke luftuar bolshevizmin dhe hebraizmin.

Një sektor tjetër i rëndësishëm për propagandën ishte radioja. Ministria e Propagandës filloi menjëherë spastrimet nga të gjithë elementët e padëshirueshëm: nga hebrenjtë, liberalët dhe socialdemokratët. Për Gëbelsin, radioja ishte instrumenti më modern dhe më i rëndësishëm për ndikimin te masat. U prodhuan radiot e lira, Volksempfanger (Radiomarrës të Popullit), në mënyrë që në çdo shtëpi gjermane të kishte një radio. Radiot e Popullit merrnin vetëm stacione të afërta, në mënyrë që ata që banonin pranë kufirit, të mos mund të dëgjonin stacione të huaja. Fjalimet e Hitlerit zakonisht transmetoheshin me altoparlantë të mëdhenj të vendosur në sheshe publike, në qendra ndërmarrjesh e fabrikash, në shkolla, në restorante etj. Lajmërimet për grumbullim dhe dëgjim në raste të tilla bëheshin me sirena, njerëzit linin punën dhe grumbulloheshin pranë altoparlantëve apo radiove.

Në Ministrinë e Propagandës u krijua edhe Dhoma e Muzikës e Rajhut. Një sulm i vërtetë filloi ndaj muzikës. Trupat SA dhe SS-e futeshin në sallat e shfaqjeve dhe ndërprisnin programet muzikore.

Nuk ishte e vështirë për nazistët të sulmonin këtë apo atë lloj muzike kur kompozitori ishte hebre, apo kishte lidhje me hebrenjtë, por nuk ishte e lehtë për ta, të përcaktonin se cila do të ishte muzika e pranueshme për Rajhun e cila jo. Nuk pati ndonjë muzikë me karakteristika naziste.

Duheshin eliminuar të gjitha ndikimet e muzikës së huaj, sidomos ato të xhezit, për të cilën thuhej se ishte dëshmi e kulturës raciale inferiore, e afro-amerikanëve. Muzikantët nazistë e kritikonin “muzikën neger” si seksualisht provokative, imorale, primitive, barbare, jo gjermane dhe tepër subversive, e prodhuar nga inferiorë racialë, nga afro-amerikanët dhe nga hebrenjtë. Për ta, ajo shprehte degjenerimin amerikan. Ndër veglat muzikore dënohej veçanërisht saksi për tingujt e tij “dalldisës” dhe, ndër kompozitorët kritikoheshin ata hebrenj amerikanë: Irving Berlin dhe Xhorxh Gërshuin. Xhezi nuk transmetohej nga asnjë lloj radioje. Megjithatë, ishte pak e vështirë të kontrollohej  muzika që luhej në salla vallëzimi, në klube nate, në bare të hoteleve etj. Megjithatë, duke marrë parasysh edhe dëshirën e madhe të dëgjuesve të radiove, në emisione të vona të natës, Gëbelsi lejoi të transmetohej pak muzikë me motive xhezi e suingu. Ai lejoi njëherë të luhej një shfaqje me muzikë nga Gërshuini, por revista ultranaziste “Der Stürmer” e kritikoi aty për aty.

Në artet pamore u hoqën pjesët abstrakte e moderniste të cilat u quajtën të degjeneruara. Në to, rol me rëndësi luajti shija e vetë Hitlerit. Për të, duhej të kishte një art të ri gjerman. Arti duhej të reflektonte shpirtin arian të popullit. Ideja se arti ishte ndërkombëtar duhej hedhur poshtë si dekadente dhe si shpikje hebreje. Artistët hebrenj u larguan menjëherë nga punët, po ashtu, u larguan artistët e artit abstrakt, artistët e krahut të majtë, në përgjithësi artistët që kishin njëfarë njohje ndërkombëtare si dhe artistët që në të shkuarën kishin krijuar vepra jo në pajtim me frymën nacionalsocialiste. Të gjitha galeritë e arteve e muzetë si dhe koleksionet personale artistike do të pastroheshin nga “krijime monstruoze e të degjeneruara” të cilat do të konfiskoheshin pa pagesë.

Në verën e vitit 1933, nazistët shpërbënë të gjitha organizatat e rinisë, me përjashtim të asaj katolike. Tashti, vajzat dhe djemtë duhej të bashkoheshin me “Rininë e Hitlerit”. Djemtë futeshin në atë organizatë në moshën 6 vjeçare, por anëtarësia e plotë dhe stërvitja sistematike fillonte në moshën katërmbëdhjetë vjeçare dhe përfundonte në moshën 18 vjeçare. Prej të rinjve kërkohej bindje e plotë dhe mësimi me vështirësitë.

“Rinia e Hitlerit” shkonte rregullisht në kampe verore ku stërvitej fizikisht e ideologjikisht si dhe mësonte të parakalonte në parada. Të rinjtë kishin për detyrë të raportonin para eprorit të tyre çdo gjë që dëgjonin në familje e që ishte në kundërshtim me vijën naziste.

Terrenet sportive ishin vetëm për Të Rinjtë e Hitlerit. Në vitin 1939, “Rinia e Hitlerit” kishte 8.7 milion anëtarë, gati aq sa ishte popullsia që përbëhej nga grupmoshat 10-18 vjeç. Të gjithë anëtarët e “Rinisë së Hitlerit” bënin një betim personal për besnikëri ndaj Hitlerit. Këngët që këndonin ishin këngë naziste, librat që lexonin ishin libra naziste. Propaganda naziste për të rinjtë bëhej në shkollë. Në çdo klasë shkolle duhej të ishte vendosur fotografia e Hitlerit. Mësuesit dhe nxënësit përshëndeteshin në çdo fillim dhe mbarim mësimi në mënyrë naziste. Të gjitha fjalimet politike dëgjoheshin përmes altoparlantëve nga të gjithë nxënësit në shkollë. Të gjithë mësuesit duhej të ishin anëtarë të Ligës Nacionalsocialiste të Mësuesve dhe nxënësit – anëtarë të “Rinisë së Hitlerit”. Tekstet e historisë silleshin rreth konceptit se heroizmi në formën e tij gjermane lidhesh me idenë e udhëheqësit. Detyra e historisë ishte t’u mësonte nxënësve se jeta dominohej nga beteja, nga lufta, se raca dhe gjaku ishin në thelb të gjithçkaje të ndodhur në të shkuarën, në të tashmen dhe në të ardhmen dhe se udhëheqja përcaktonte fatin e popujve. Tema qendrore të mësimit ishin kuraja në luftë, sakrifica për një çështje të madhe, admirimi i pakufishëm për udhëheqësin dhe urrejtja për armikun e gjermanëve – për hebreun.

Temat e hartimeve të nxënësve do të lidheshin me nacionalsocializmi dhe me Hitlerin. Ja një pjesë hartimi nga një nxënës: “Si fëmijë, Hitleri nuk ishte prej atyre që qëndronin në shtëpi. Ai pëlqente të ndeshej jashtë me fëmijë të tjerë. Një ditë ai qëndroi jashtë më gjatë se herë të tjera. Nëna u shqetësua, shihte orën dhe po mendonte se mos i kishte ndodhur gjë djalit. Disa orë më parë e kishte parë atë tek ikte me disa shokë të tjerë më të mëdhenj…. Më pas dera u hap, Hitleri i vogël hyri me kokën me bullunga e me fytyrën të gërvishtur, por me sy që i shkëlqenin. Nëna u frikësua, por ai bërtiti: “Nënë, shokët sot më bënë gjeneralin e tyre”.

Stërvitja fizike ishte e detyrueshme. Edukimi fizik përfundonin me stërvitjen dhe shërbimin ushtarak. Disiplina ushtarake, theksimi i forcës fizike, theksimi i garës, i bëri fëmijët të bëheshin të dhunshëm dhe agresivë.

Nga të rinjtë e universiteteve u krijua “Liga Naziste e Studentëve. Të gjithë ata që mbaronin shkollën e mesme, duhet të bënin njëfarë stazhi pune para se të fillonin studimet në universitet. Gjatë kohës së studimeve, studentëve u kërkohej të bënin dhjetë javë punë në kampe pune, ku do të punonin në ndërtime rrugësh, në tharje kënetash, apo në bujqësi.

Nazistët inkurajuan me të gjitha mundësitë lindjen e sa më shumë fëmijëve, në mënyrë që fuqia ushtarake e Gjermanisë të shtohej dhe popullsia të ishte kryesisht e re, gjë që do të ishte esenciale për shëndetin kombëtar. Emancipimi i gruas do të sillte dashje pa dashje uljen e numrit të fëmijëve të lindur, prandaj nazistët kërkuan që vendi i gruas të ishte në shtëpi, te fëmijët, te familja. Nazistët udhëzonin që çdo grua të lindte një herë në dy vjet dhe gjatë jetës së saj të kishte mundësi të lindte deri në pesëmbëdhjetë fëmijë. Për shtimin e numrit të lindjeve, nazistët jepnin inkurajime materiale e morale. Kryetarja e Grarisë Nacional Socialiste ishte Gertrud Sholtz-Klink, e cila ishte krenare që kishte lindur njëmbëdhjetë fëmijë. Në vitin 1934, për nënat u caktua një ditë feste që quhej Dita e Nënës. Në Ditën e Nënës në vitin 1939, tre milion grave që kishin lindur mbi katër fëmijë, me ceremoni të posaçme të mbajtura kudo në Gjermani, iu dha titulli “Nënë e Rajhut”. U shtypën medalje të posaçme të quajtura “Kryqe Nderi të Nënës”, që ishin prej bronzi për nënat me katër deri pesë fëmijë, prej argjendi për nënat me gjashtë deri shtatë fëmijë dhe prej ari për nënat me tetë ose më shumë fëmijë. Nënat që mbanin këto medalje mund të blinin pa radhë në dyqan dhe anëtarët e Rinisë së Hitlerit ishin urdhëruar t’i përshëndetnin në rrugë. Nënat që kishin lindur dhjetë e më shumë fëmijë kishin një nder më shumë, pasi Hitleri do të bëhej nun për fëmijën e dhjetë që, po të ishte djalë, do të quhej Adolf.  Përpjekjet të mëdha u bënë për të përjashtuar gratë nga puna. Për Hitlerin, ideja e emancipimit të femrës ishte hedhur nga hebrenjtë dhe ishte në thelb jo gjermane. Në Gjermani, deklaronte Hitleri, bota e burrit është shteti, ndërsa e gruas është burri i saj, familja e saj, fëmijët e saj dhe shtëpia e saj.

Emblemat naziste, fjalët dhe konceptet, mbushnin jetën e përditshme. Jo vetëm filmi, radioja, gazetat, revistat, skulpturat, pikturat, letërsia, arkitektura, muzika i shërbenin idealit nazist, por edhe çdo mjet tjetër përdorej për të mbytur ndjenjat dhe mendimin individual dhe për t’i kthyer gjermanët në një masë unike, të vetme, të bindur e të disiplinuar.

Më 27 shkurt të vitit 1933, u dogj godina e parlamentit gjerman, Rajhshtagu. U arrestua një komunisti danez dhe, ndonëse u vërtetua se ai kishte vepruar vetëm, shteti filloi një sulm kundër të gjithë komunistëve. Mijëra telegrame i shkonin gjoja qeverisë nga populli i cili kërkonte masa të forta kundër komunistëve.

Më 20 mars të vitit 1933, në një fabrikë të braktisur në periferi të Munihut, në Dahau, nisi terrorin kampi i parë i përqendrimit. Këtu do të mbylleshin të burgosur politikë.

Më 24 prill të vitit 1934, filloi punën gjyqi special, “Gjyqi i Popullit”, që do të merrej me shpejtësi me “krimet’ politike. Fillimisht, dy gjyqtarë të këtyre gjyqeve ndihmoheshin nga tre persona të tjerë: një nga SS-ët, një nga trupat SA (Sturmabteilung – trupat e sulmit, këmishë kafet, organizatë paramilitare aktive) dhe një nga Partia Nacionalsocialiste.

Informacione për ata që do të konsideroheshin si armiq të regjimit merreshin kryesisht nga agjentë të partisë si dhe nga populli në përgjithësi. Raportet shkonin nga njerëz të kafeneve, pijetoreve, restoranteve, hoteleve, nga kolegë pune, nga berberët, nga njerëz që kishin dëgjuar ndonjë bisedë në rrugë, nga fqinjët, nga njerëz të familjes. Spiunllëku u përhap gjerësisht. Raportet në Gestapo ishin të pafundme, saqë ajo nuk mund t’i përballonte dhe t’i përpunonte të gjitha. Shumica e denoncimeve kishin motive personale, apo s’kishin fare motive. Nxënësit apo studentët shpesh spiunonin profesorët e tyre, zyrtarët spiunonin shefat të cilëve donin t’u zinin vendin, tregtarët spiunonin tregtarë të tjerë konkurrentë. Sipas Ligjit të Thashethemeve, mund të dënoheshin dhe të burgoseshin ata që thoshin se nazistët po kufizonin lirinë e njeriut, se nëpunësit civilë paguheshin më mirë, se revista naziste antisemite “Der Stürmer” po turpëronte kulturën gjermane, se të burgosurit rriheshin në kampe, se Hitleri ishte një dezertor austriak, se figura me rëndësi të Rajhut të Tretë ishin të korruptuara, për shakara të ndryshme që lidheshin me politikën etj.

Qeveria filloi të vëzhgonte jo vetëm kundërshtarët, disidentët dhe të pakënaqurit, por edhe ata të cilët nuk tregonin entuziazëm për Rajhun e Tretë dhe politikën e tij. Në çdo bllok banimi ishte vënë një “Roje blloku”, detyra e të cilit ishte të vëzhgonte se kush hynte e dilte në shtëpitë e bllokut, të shihte e të vëzhgonte se mos ndonjëri nuk vendoste flamurin në ditë feste, apo se nuk shkonte në parada a mitingje. Çdo degë lokale e partisë  kishte nën komandë tetë qeliza, çdo qelizë kishte 15 blloqe dhe çdo bllok kishte nën vëzhgim rreth 50 familje. Në fillim të luftës, rojet e bllokut arritën në rreth 2 milionë vetë. Ata që denonconin fqinjët, kontaktet e para i kishin me kryetarin e bllokut. Një organizim i ngjashëm funksiononte edhe në ndërmarrjet e prodhimit. Vëzhgimet ishin veçanërisht të ashpra në ditë zgjedhjesh dhe plebishitesh. Zgjedhjet dhe plebishitet ishin si njëfarë stërvitje në propagandë, në të cilat qeveria mobilizonte elektoratin me të gjitha mjetet që kishte në dispozicion për të shfaqur pamjen e një sistemi legjitim. Në këto lloj zgjedhjesh asnjë nuk guxonte të mos votonte dhe asnjë nuk guxonte të thoshte “Jo” për Partinë Nacionalsocialiste. Të gjithë kishin frikë se i përgjonin kur votonin dhe të gjithë e dinin se votimet do të dilnin ashtu si i dëshironte qeveria. Ata që në mënyrë demonstrative refuzonin të votonin, arrestoheshin. Prania e nazistëve dhe trupave SA në qendrat e votimit e shtonte presionin ndaj qytetarëve për të votuar për regjimin dhe për të votuar pa u futur në kabinat e fshehta të votimit. Në disa raste kabinat e fshehta të votimit hiqeshin fare, ose para tyre qëndronin trupa SA me pankarta ku shkruhej  “Vetëm tradhtarët futen këtu”, ndërsa kutia e votimit vendosej jashtë. Për të sëmurët dhe për ata që lëngonin në shtrat ishin krijuar qendra të lëvizshme votimi që u shkonin në shtëpi. Kundërshtarë të njohur të regjimit arrestoheshin paraprakisht para zgjedhjeve dhe mbaheshin ashtu deri sa kalonte dita e votimit.

Me ligjet që dolën në vitet 1934 dhe 1935, kërkohej që çdo punonjës të kishte librezën e tij të punës, ku do të shënoheshin punët e bëra, specializimet, karakteristikat dhe vërejtjet për punën e kryer të cilat e kishte për detyrë t’i vinte qendra e punës. Librezat e punës i mbante qendra e punës. U nxorën ligje që punonjës të padëshiruar të largoheshin nga punët që kishin dhe të çoheshin në vende të tjera.

Veprimet e para antisemite naziste filluan me shpronësimin e hebrenjve dhe me likuidimin e supertregëtoreve (supermarketet) të cilat ishin krijuar në Gjermani që në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Shumica e atyre që i kishin hapur këto supertrgtore ishin hebrenj. Trupa SA rrinin para këtyre dyqaneve me pankarta në duar në të cilat thuhej se ata që hynin në to ishin tradhtarë të racës gjermane. Me kalimin e kohës ato dyqane u mbyllën.

Për të filluar zgjidhjen e problemit të papunësisë, në mars të vitit 1933, Hitleri nisi programin “Ndihma për fshatin.” Sipas atij programi, të rinjtë e papunë të qytetit do të shkonin të punonin në fshat, ku do t’u sigurohej banesa, të ngrënit dhe njëfarë pagese. Deri në gusht, në këtë mënyrë u punësuan 145000 të papunë.

Më 7 prill të vitit 1933, u nxor ligji për “Rivendosjen e Shërbimit Civil Profesional”. Sipas atij ligji, largoheshin nga punët të gjithë ata që nuk kishin formim profesional të përshtatshëm, ata që nuk ishin me origjinë ariane, apo që kishin bashkëshortin jo arian, si dhe të gjithë ata që aktiviteti politik i mëparshëm i bënte të pabesueshëm për shtetin e ri. Drejtues jo nazistë të niveleve të ndryshme, ose detyroheshin të jepnin dorëheqjen, ose të futeshin në parti. Për të ruajtur vendin e punës, shumë nëpunës u bënë anëtarë të Partisë Naziste.

Më 14 korrik të vitit 1933, u dha ky njoftim për likuidimin e sistemit demokratik në Gjermani: “ Partia Nacional Socialiste e Punëtorëve Gjermanë përbën të vetmen parti politike në Gjermani. Cilido që orvatet të mbajë strukturat organizative  të një partie tjetër, apo të formojë një parti të re, do të dënohet me rreptësi”. Gjermania u kthye në diktaturë njëpartiake. Të gjitha institucionet u vunë nën kontrollin e nazistëve.

Nga 5000 profesorë universitetesh që ishin deri në vitin 1934, 1600 profesorë u pushuan nga punët. Ishin vetë studentët që, në bashkëpunim me profesorët nazistë, dëbuan profesorët dhe studentët hebrenj. Në këtë kohë, 960 profesorë, duke përfshirë edhe filozofin Haideger, bënë deklarata publike në mbështetje të Hitlerit, regjimit nazist dhe të politikës së tyre për arsimin.

Nazistët treguan interes të veçantë për nazifikimin e arsimit. Arsimtarët u deklaruan shërbyes civilë, iu kërkua të aderonin në Ligën Nacional Socialiste të Mësuesve dhe të betoheshin për besnikëri absolute ndaj Hitlerit.

Brenda partisë së tij, Hitleri forcoi kontrollin dhe eliminoi rivalët. Brenda pak më shumë se një viti, nga marsi i vitit 1933 deri në gusht të vitit 1934, Hitleri mori fuqi të plotë. Ai përvetësoi makinerinë e shtetit, mbyti opozitën dhe partitë e tjera, vuri autoritetin e tij kudo në parti dhe në ushtri, u bë president, kancelar dhe kryekomandant i ushtrisë. Ai do të thirrej Fyrer, pra udhëheqës, komandant.

  * Shënim: Materiali i këtij shkrimi është marrë kryesisht nga libri im ende i pabotuar: “Antisemitizmi – Nga zanafilla fetare te Holokausti nazist”.

Filed Under: Politike Tagged With: dhe propaganda naziste, Ilir Harshova, Politika

Shamia në Shkolla, debati

September 22, 2016 by dgreca

Bartja e shamisë në shkolla, mes vendimit politik dhe përcaktimit individual/

Nga Luljeta Krasniqi – Veseli/

Ilustrim

Lejimi i mbajtjes së shamisë për femrat e besimit mysliman në shkollat fillore dhe të mesme është rikthyer si një temë diskutimesh në Kosovë.

Debatet kanë nisur që para gjashtë viteve, kur fillimisht ishte vërejtur një numër i nxënëseve që kishin vendosur shaminë, teksa ishin ende duke vijuar shkollimin e ulët apo të mesëm, dhe më pas ishte Ministria e Arsimit që kishte lëshuar një udhëzim administrativ që ndalonte bartjen e shamisë në shkollat fillore dhe të mesme publike.

Një vajzë, me inicialet A. I., nga Gjilani, (identiteti i së cilës është i njohur për redaksinë) ka tri vite që ka mbuluar kokën e saj me shami. Ajo tregohet e vendosur kur bëhet fjalë për të drejtën e mbajtjes sëshamisë në shkollë, ndërsa thekson se kjo gjë duhet lejuar të gjithëve që e ndjejnë si nevojë për të përmbushur, siç shprehet ajo, obligimin e një myslimani.

“Shaminë e mbaj që kur i kam pasur 15 vjet, që gati tre vjet. Nuk ma ka imponuar askush, e kam bërë me vetë dëshirë. Kam pasur probleme kur e kam vendosur shaminë, pasi që familja ime e ka kundërshtuar këtë, ngase në familjen tonë askush nuk mban mbulesën fetare. Edhe në shkollë nga disa jam paragjykuar. Por, unë mendoj që çdo femër myslimane e ka obligim të mbajë shaminë. Unë i jam përkushtuar fesë myslimane, kam lexuar edhe Kuranin”, thotë ajo.

Krejt ndryshe mendon J.S. nga Prishtina, për të cilën mbajtja e shamisë në shkollë të mesme nuk do duhej toleruar, për shkak të moshës së re të nxënësve që vijojnë mësimin e mesëm.

“Bartja e shamisë nëpër shkolla fillore dhe të mesme parqet problem për shoqërinë dhe ata fëmijë, pasi që ata janë ende nën moshën 18 vjeç dhe nuk e kanë moshën e pjekurisë për ta ditur se a dëshirojnë të mbajnë shaminë. Ata mund të ndikohen prej shoqërisë, familjes apo rrethit për bartjen e mbulesës”.

“Unë mendoj që duhet të ketë bazë ligjore dhe duhet të jetë e rregulluar kjo çështje që të mos i lejohet bartja e shamisë deri në momentin kur përfundojnë shkollën e mesme. Pastaj në universitet është e drejtë e secilit, pasi që konsiderohet të kenë arritur moshën madhore dhe konsiderohen se është rrugë që ata kanë vendosur vet ta zgjedhin”, thekson ajo.

Së fundi, ish- lideri i subjektit opozitar, Lëvizja “Vetëvendosje”, Albin Kurti, në një intervistë dhënë për mediet lokale në Kosovë, ka ri aktualizuar çështjen e bartjes së shamisë. Ai ka deklaruar se subjekti politik Vetëvendosje është “për bartjen e shamive prej moshës 16 vjeçare dhe me fytyrë të zbuluar”, për ato femra që vendosin vet të bartin shaminë.

Kushtetuta e definon Kosovën si shtet demokratik dhe laik, me shoqëri multi-etnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera, besimet fetare të të cilave janë të ndryshme.

Në vitin 2010, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës kishte nxjerr një Udhëzim Administrativ, i cili ndalon mbajtjen e shamisë në shkollat fillore dhe të mesme publike.

Ky udhëzim, në atë kohë, kishte nxitur reagime të mëdha të përkrahësve të idesë për mbajtjen e shamive nëpër institucione publike.

Ata patën protestuar kundër ndalimit të shamisë në shkollat publike të Kosovës dhe kishin kërkuar nga ish kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, që të shfuqizohet një vendim i tillë.

Ky udhëzim administrativ, sipas zyrtarëve të arsimit, nuk ka ndonjë efekt që nga momenti kur në vitin 2011 në Kuvendin e Kosovës ishte miratuar ligji për arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës.

Faton Fetahu, këshilltar ligjor i Ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka thënë se në bazë të ligjit nuk përcaktohet e drejta për të bartur shaminë ose cilindo simbol fetar.

Ai thekson se shkollat publike në Kosovë janë të ndara në raport me qëndrimet fetare apo me simbolet të cilat i prezantojnë qëndrimet fetare.

“Ligji për arsimin parauniversitar përcakton që institucionet publike arsimore duhet të përmbahen nga mësimdhënia fetare dhe nga veprimtaritë tjera të cilat propagandojnë një fe të caktuar, që në rastin konkret nuk është se e mohon, por as nuk e lejon që në shkollat tona të këtë prezantim të një feje të caktuar”, thekson Fetahu.

Në Bashkësinë Islame të Kosovës thonë se bartja e mbulesës apo shamisë është obligim, përkatësisht detyrim fetar, për gjininë femërore dhe se kjo obligohet nga mosha madhore apo ndryshe, mosha e pubertetit. Kjo moshë thuhet të jetë nga mosha 14- 15 apo 16 vjeç.

Zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se duke pasur parasysh faktin që mbulesa është obligim fetar, vajzat nuk duhet të pengohen që të vijojnë mësimin shkollor për shkak të mbulesës, e cila është obligim fetar.

“Ne kemi pasur probleme, ku në shkollat fillore dhe të mesme vajzat nuk i kanë lejuar t’i bartin shamitë bazuar në një udhëzim administrativ të Ministrisë së Arsimit, me të cilin ndalohet mbajtja e shamisë në shkolla. Në disa komuna është respektuar e në disa ka pasur tolerime dhe nuk ka qenë pengesë bartja e mbulesës. Me ligj, shkollimi fillor dhe i mesëm është obligativ dhe nuk do të ishte mirë të ishte pengesë mbulesa në shkollimin e femrave dhe vajzave”, thekson Sadriu.

Ai thekson se mbulesa – që ata kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që të lejohet në shkollat fillore dhe të mesme – nuk nënkupton mbulim të fytyrës.

Problemet rreth kësaj çështjeje, tregon Sadriu, ende nuk janë zgjidhur dhe se Bashkësia Islame e Kosovës vazhdon të bëjë kërkesën e njëjtë tek institucionet e Kosovës që të mos pengohet shkollimi i vajzave të cilat bartin shaminë.

Për me keq, thekson Sadiku, çështja e bartjes së shamisë ka tendenca të politizohet, e që sipas tij, nuk do të duhej të ndodhte.

“Unë kisha thënë që çështja ka tendenca të politizohet nga ana e subjekteve politike. Kjo duhet t’iu lihet institucioneve fetare, në këtë rast BIK-ut, dhe në bazë të kërkesës sonë të merret një vendim dhe assesi të mos jetë çështje e subjekteve politike dhe të politizohet një problem i tillë”, thekson Sadiku.

Bartja e mbulesës për studiuesit e religjioneve vlerësohet se nuk mund të rregullohet as me udhëzim administrativ për heqje të mbulesës e as me udhëzime apo përkufizime se duhet të bartet. Sipas tyre, kjo është çështje personale e secilit njëri.

Ismajl Hasani, profesor i sociologjisë së religjionit, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se bartja e mbulesës nuk ka mundësi të ndalohet në mënyrë rigoroze në asnjë udhëzim administrativ, siç nuk ka mundësi të paragjykohet bartja e shamisë.

“Bartja e shamisë nuk mund të rregullohet as me udhëzim administrativ për heqje e as me udhëzime, përkatësisht me përkufizime se duhet të bartet…është çështje personale e secilit njëri se çka dëshiron të mbajë në kokën e vet…është çështje se si ajo shami kompozohet edhe në aspektin estetik të dukjes e veshjes, në shkollë, shkollën laike”, thotë Hasani.

Ai sqaron se si studiues i çështjeve të religjionit nuk ka rastisur të gjejë një përkufizim të tillë që mosha 16 vjeçare është mosha për bartjen e shamisë, sepse siç thekson ai, mosha 16 vjeçare është moshë minore.

“Nuk do të duhej që një lider politik të japë verdikt se është në rregull bartja e shamisë nëpër shkolla për vajzat mbi moshën 16 vjeçare. Subjektet e ndryshme politike përmes këtyre joshjeve bëjnë përpjekje të mbledhin vota në zgjedhjet e ardhshme tek ata njerëz që mund të jenë militantë të tyre në proceset zgjedhore”,thekson Hasani.

Përveç çështjes së lejimit të mbajtjes së shamisë në shkolla, së fundi ishte iniciuar si temë debati edhe futja e lëndës së mësim-besimit në shkollat fillore dhe të mesme.

Ky debat është përcjellë me qëndrime kundërthënëse, për dhe kundër, të përfaqësuesve të institucioneve dhe shoqërisë në përgjithësi.

Lidhur me këtë, ligji aktual për arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës nuk lë hapësirë që të futet si pjesë e arsimit edhe edukata fetare, si lëndë e veçantë. Futja e kësaj lënde në institucionet arsimore dikton nevojën e ndryshimeve paraprake ligjore. (Kortezi: REL)

Filed Under: Analiza Tagged With: beteja, feja, Politika, Shamia ne shkolla

Greku pinte Metaksë, shqiptari-Skenderbeg, serbi- Shlivovicë, maqedonasi… Mastikë

May 10, 2016 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/

POLITIKA, KJO LAVIRE HYJNORE!/Ky daja, një ditë sërish erdhi te zyra ime. Mu duk se rradakja a fiqiri i kishte dalë toptan nga terezia. Ishte bërë i tëri hundë e buzë. U ul në kolltuk, ashtu rehatshëm…, njësoj si ai mysafiri i paftuar që të vjen në “zijafet”. Ata që nuk e njohin nga afër, e konceptojnë si “derdimen”, por ama ai nuk është i tillë. Në fakt është një njeri që i ka të gjitha haberet sa u përket vakive këtejpari. E përshëndeta me gjysmë goje. Edhe ai ma ktheu njësoj dhe paksa si me inat. I parashtrova  pyetjet: Ç’kemi? Si i ke punët dajo…? Kurse ai ma ktheu me çallëm dhe ashtu korçarçe: “Punët i kam xham fare!?” Nuk i besova. Duke ia paragjykuar përgjigjen, thash se si mundet një njeri, me gjithë atë “surrat të shëmtuar dhe paksa të shtrembëruar”, me gjithë atë ulërimë të gjatë, të dhembshme, të thekshme e me kokën rrëmujë, t’i ketë punët “xham fare”. Sikur kishte ardhur të më “bëjë me faj”. Vazhdova me pyetje: Me ç’sebep u duke këtejpari. Sikur “hazërxhevapin” e kishte në xhep. “Erdha të të tregoj se sot herët në sabah, te apartamenti im plasi poterja!” E pyeta se kush e filloi këtë potere dhe kush ishte kryeshamataxhiu… “Kush tjetër, pos meje. E nisa me dajeshën tënde!”. Po ç’të bëri kjo dajeshë e ngratë që me ty heq të zinjtë e ullirit! “Eh, ajo t’u pi çaj rusi, filloi të më lakojë ca broçkulla. Duke mos i duruar këto andralla të saj, fillimisht theva derën e dhomës, mandej dëmtova ashensorin dhe, së fundi, ua prisha gjumin gjumashëve dhe ca zonjave të rënda që hiqen pak shtatzëna!”. E ndërpreva duke i thënë: O shkurtoje, o mbylle këtë muhabet. “Jo ore, qerrata, kush je ti të më bësh urdhrin…, mu tani do ta ndez muhabetin për do çështje politike!” Hë, ç’më zuri belaja me dajën dhe me politikën ditore, me atë politikë, që ka humbur rrugën, shijen, freskinë dhe cilësitë…, politikës që i ka dalë boja…, që ka humbur vlerën nga përdorimi i tepruar dhe është bërë e mërzitshme nga përsëritja e shpeshtë në kohë dhe në vend të gabuar!

Ky daja, më dha urdhër të prerë: ”…, kësaj radhe, këtë shkarravinë,  do e nisësh me kryeparin e shtetit në veçanti me vendimin e tij absurd dhe aspak juridik sa i takon abolimit të njerëzve në faj, mandej do të shkruash për ca politikanë të dovletit biblik që shtrihej diku në hapësirat e Gadishullit Ilirik (si thoshte poet Aliu nga Podrimja e Kosovës)…, do të shkruash për ca politikanë të cilët, sot e gjithë ditën e Allahut, më duken si ato çavot romë (çdo respekt për ta), që te semaforët përballë një ambasade atje diku në Topana të Shkupit, ushtrojnë zanatin e xhamlarësve të veturave…, do të shkruash për ata politikanë që nuk kanë apo nuk njohin kanun, për ata që nuk dinë se ç’është morali, për ata që nuk dinë për fukarenj dhe për fukarallëk…, do të shkruash për ca politikanë që dikur opingat e tyre i zëvendësuan me këpucë të kuqe dhe allafrënga…, do të shkarravisësh për politikanët e moderuar, të përdalë, politikanë të cilët duke ngatërruar rrugët krijuan ngatërresa mes miletit, shtetit dhe pushtetit…, për politikanët ziliqarë, për politikanët të cilëve u është shkurtuar e drejta e të menduarit ndryshe…, politikanë të cilët prodhojnë politika të mbrapshta që më pas i grumbullojnë  dhe i sistemojnë bythëpraptas…, politikanë që prodhojnë megalomani, provincializëm dhe biçimsëz politikë…, për politikanët të cilëve nuk u mungon buka e gojës, për njerëz me halle ulëritëse, për politikanët që kanë rënë në hall me fëmijët e tyre, të cilët natën e kalojnë në kafeteritë prestigjioze dhe të shtrenjta të kryeqytetit, për politikanët të cilët deri pak kohë më parë ishin hem lypsarë, hem qibarë, hem kopukë, hem komunistë, hem nazeqarë që dikur qanin orë e çast dhe pa ndonjë shkak, hem qerosë e fodullë, hem të papërmbajtur e çallëmxhinj, kryekërrusur e të neveritshëm…, do të shkruash për politikanët individualistë, për ata që sot e gjithë ditën janë kryeustallarë të kështjellës së kusarisë, korrupsionit, krimit të organizuar, për pushtetarët që nuk e kanë frikë shtetin, për miletin gjegjësisht për taksapaguesit që i frikësohen pushtetit, për miletin që vuan nën kërbaçin e pushtetarëve jomeritorë…, do të shkruash edhe për ata politikanë të cilët nuk vjedhin vetëm pasurinë e prindërve dhe kalamajve të tyre…, do të shkruash në veçanti për ata politikanë, të cilët sot me gojën plot gjetën a morën guximin t’u thonë diplomatëve evropianë: sikter dhe ikni nga vendi ynë, ndërkaq agababës Amerikë, i thanë pezdeveng!?”. Të gjitha referimet e dajës i kuptova, përpos informacionit në lidhje me këpucët e kuqe dhe me zonjat e rënda që hiqen pak shtatzëna!???

Ky dajkoja, aq shumë më lodhi saqë u detyrova t’i them, ashtu troç, a mos vallë ke ngatërruar zyrën time, me atë të ofiqarit të gjendjes civile a edhe me atë të kryeimformatorit të  ShIK-ut…, a mos vallë mua më ngatërrove me fallxhoren e Shutkës, a mos vallë ngatërrove zyrën time me supermarketin e bllokut tënd, pronari i të cilit shet kikirikë, a mos vallë zyrën time dhe të hiqimetit e ngatërrove me atë zyrën e komitetit dhe me postën e policisë, o ti dajko, a mos vallë zyrën time e ngatërrove me atë të qoftexhiut Yillmaz, aty në hyrje të Kapalli Çarshisë së Stanbollit…! Sikur dajkos, desha t’i them se hiç fare nuk më shkojnë shkrimet me porosi, qofshin ato dedikuar edhe politikanëve, dhe ca të tjerëve…, të cilët në emër të  makiave-lizmit provincial, preferojnë po edhe mëtojnë ta pushtojnë pushtetin, qoftë edhe për Neronin e Debar Maallo-s, që me budallallëkun e tij, parapëlqen ta djegë Shkupin…, dhe të tjerat kasaba dhe katunde përreth tij…

Që unë ta humanizoj dhe emancipoj sadopak këtë shkrim, do ta përmbyll me një barsoletë ku protagonistë do të jenë popujt, të cilëve u kishte ra hiseja të jetojnë në një vend të mallkuar nga padishahu. Do të shkruaj për historinë e Gadishullit Ballkanik, për popujt të cilët në mënyrën e tyre i dalin zot gadishullit, ata që kërkojnë të drejtën e pronësisë. Dikur moti në një mejhane orientale, ishin tubuar ca njerëz, i pari ishte grek, i dyti shqiptar, i treti hiqej serb, i katërti maqedonas, i pesti bullgar dhe i gjashti turk me kod osman. Secili fliste në gjuhën e vet dhe njëkohësisht pinte rakinë e vet të flamosur (jo të gjithë pinin rakinë me terbie). Greku pinte Metaksë, shqiptari-Skenderbeg, serbi- Shlivovicë, maqedonasi pinte Mastikë, bullgari-Mustak dhe turku pinte Yeni raki të përzier me ujë. Toptan ishin bërë tapë, jo nga rakitë, sa nga nacionalizmi dhe folk a kiç-patriotizmi i tyre. Greku tha se Gadishulli Ballkanik është antik, shqiptari tha se është Ilirik, serbi tha “To je nashe”, maqedonasi tha se është Biblik, bullgari tha se është i Car Borisit, turku lëre që tha se Gadishulli është Otoman, por tha se të gjithë ju që i dilni zot këtij vendi, të tërë jeni minoritarë!

Në momentin që isha duke e përcjellë dajën, më ra telefoni, andej matanë u dëgjua zëri i ashpër i dajeshës, e cila më tha se a e ke dajën atypari… Unë iu përgjigja me pyetjen se ç’të duhet. “Mua nuk më duhet, u duhet lugëve të sofrës… dhe kalamajve të padëgjueshëm e zevzekë, të cilët kanë marrë në dorë shkrepësin… dhe po kam frikë se mos ia vënë flakën shtëpisë, hajt të mos them shtetit!?”.  Atëherë daja iku me rrëmbim.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, lavirja Hyjnore, Politika

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT