Amerikë-Kosovë, Sekretari Pompeo pret Presidentin Thaçi
-Presidenti Thaçi pritet nga Sekretari Pompeo në Uashington: Kosova do të vazhdojë të bashkërendojë çdo hap të saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës/
Uashington, 26 Shkurt 2020-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur sot nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, në kuadër të vizitës zyrtare të Presidentit të Kosovës në Uashington.
Presidenti Thaçi ka shprehur mirënjohjen e thellë të popullit dhe institucioneve të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dekada me radhë.
“Na keni përkrahur në kohët më të vështira si dhe në ditët më të mira tona. Mirënjohja jonë është e përhershme”, është shprehur Presidenti Thaçi.
Temë e diskutimit ishte edhe dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Marrëveshja e përhershme e paqes, në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të thotë paqe për tërë Evropën Juglindore, do të thotë kthim kah e ardhmja, do të thotë zhvillim dhe prosperitet”, ka thënë presidenti Thaçi në takim.
Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova do të vazhdojë të bashkërendojë çdo hap të saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Duke ecur bashkë me Uashingtonin i kemi realizuar aspiratat tona”, përfundoi Presidenti Thaçi./b.j/