-SI E NDRYSHOI COVID-19 PSIKOLOGJINË E NJERIUT-
Pellai Ruopp, psikologe klinike në “Klinikën Universitare” të qytetit Tubingen Gjermani, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ndryshimet e jashtëzakonshme që ka pësuar shoqëria njerëzore dhe njerëzit në vëçanti pas prekjes nga Covid-19. Çfarë do të thotë të jetosh në një botë të pasigurtë? Dhunë, depresion, revoltë, agresivitet, vetvrasje, mosbesim, ku jemi duke shkuar? Me Pellai Ruopp bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.
SI KA NDRYSHUAR BOTA, PSIKOLOGJIA E NJERËZVE, PARA DHE PAS COVID-IT
Së pari, do të thosha që nuk ka një jetë pas Covid-it, por dot të thosha që ka një jetë me Covid-in, pasi është diçka që nuk e kemi kapërcyer ende. Kësisoj nuk do të mund të flisnim për kohën e më pasme. Covid-i është një armik i padukshëm dhe kush nuk e sheh armikun e tij, e humbet ndjenjën e kontrollit. Humbja e ndjenjës së kontrollit shkakton pasiguri te njerëzit, pasi kjo humbje mbjell pasiguri brenda psikologjisë njerëzore. Ky fakt, pra humbja e kontrollit, shkaktoi edhe blerjet masive të cilat ndodhën në momentet e para, të fillimit të pandemisë. Njerëzit u frikësuan. Humbi ndjenja e sigurisë. Dhe këtë vend bosh të shkaktuar nga pasiguria, njerëzit mendonin ta mbushnin. Thënë ndryshe, po mundoheshin që të “blinin” pak siguri. Në njëfarë mënyrë kështu mund ta shpjegojmë. Ky virus e ka bërë shoqërinë njerëzore më të ndjeshme. Ai na ka bërë të qartë se nuk mund t’i kontrollojmë të gjitha situatat, dhe situatat që nuk mund t’i kontrollojmë dot, aktivizojnë stresin. Stresi fizik e çon trupin në mbingarkesë, e cila shkakton depresionet, sëmundjet e zemrës etj. Pra stresi prodhon pasoja fiziologjike. Do të thosha se këto janë ato gjëra, që ka shkaktuar Covid-i për shoqërinë njerëzore.
COVID-I, I KA BËRË NJERËZIT MË TË DASHUR, MË TË MBYLLUR, MË TË EGËR, MË BESUES APO MË MOSBESUES? ÇFARË KA NDODHUR ME NJERIUN?
Pyetja është interesante. Në fakt, njerëzit janë të prirë nga vetë natyra, që të kërkojnë shpjegime për gjithçka. Këtë kërkon edhe pyetja juaj. Kur njeriu kërkon shpjegime, merr edhe përgjigje për një situatë të caktuar e natyrisht që ndihet më mirë. Në rastin konkret, Covid-i nuk ka një shpjegim. Nuk mund të themi nëse erdhi për këtë apo për atë arsye dhe të mundohemi që ta sqarojmë. Mendoj se Covid-i ka ardhur si një lloj “katalizatori” në botë, për të kuptuar, për t’i treguar çdokujt botën që jetojmë, për të na e shpjeguar atë e ndoshta për ta bërë edhe më njerëzore, për t’i treguar njeriut kufijtë e vet: nuk i kemi të gjitha në dorë dhe nuk mund të bëjmë gjithçka… Ky është një mendim imi, personal, pasi në çdo gjë të keqe apo të mirë ne mundohemi të gjejmë arsyet se si ndodhi, se përse ndodhi.
COVID-I DHE DHUNA NË FAMILJE, VETËVRASJET, DIVORCET… Ç’PO NDODH NË SHOQËRI?
Është një fakt që në të gjitha vendet është rritur dhuna në familje dhe depresionet. Për vetëvrasjet nuk kemi shifra dhe nuk ka studime konkrete në këtë drejtim. Mirëpo është fakt se kemi ndërtuar zyra shtesë, të posaçme, me psikologë të cilët ofrojnë 24 orë shërbim telefonik për të ndihmuar familjet: fëmijët në radhë të parë dhe gratë. Në Gjermani është rritur ndjeshëm numri i atyre që quhen “Frauenhaus” ose strehët, strehimoret e grave të dhunuara, vende të cilat ofrojnë mbrojtje e strehim të përkohshëm. Pra, është rritur ndjeshëm numri i grave që kanë kërkuar strehim në atë drejtim. Natyrisht që kjo gjë ka ardhur si pasojë e mungesës së aktiviteteve shoqërore, sportive etj. Gjithashtu, në Gjermani është praktikuar edhe puna me orar të shkurtuar dhe në këtë mënyrë, natyrisht, njerëzit janë përballur me njëri-tjetrin. Kanë dalë ndoshta shumë probleme që më përpara nuk i kanë pasur nëpër familje dhe kjo ka rritur agresivitetin. Kësaj i shtohet edhe pasiguria sociale, sepse kur individi punon më pak, lind frika e humbjes së vendit të punës dhe e pakësimit të të ardhurave. Këta faktorë kanë qenë shtysat që dhuna në familje është rritur në mënyrë të ndjeshme dhe me shifra të dukshme, e natyrisht është rritur edhe depresioni.
NDARJET E SHOQËRISË GJERMANE: LINDJA (ISH-KOMUNISTE) PROTESTON DHE PSE NUK E BESON COVID-IN?
Do të thosha që kjo pyetje është shumë interesante, pasi ka një lloj lidhjeje e ngjashmërie edhe me popullin tonë. Ka pasur shumë demonstrata në pjesën lindore të Gjermanisë, ku ka qenë vërtet shumë e lartë pjesëmarrja e njerëzve që nuk besojnë në Covid, e që protestojnë kundër masave të marra nga qeveria. Në ditët e fundit kam lexuar një shkrim interesant, në të cilin thuhej se, Covid-i në pjesën Lindore nuk ka gjetur viktima, por ka gjetur kundërshtarë. Kjo do të thotë se ka diçka që të bën të mendohesh, pasi tregohet qartë edhe ndarja e dy Gjermanive nga mënyra se si njerëzit mendojnë. Në pjesën lindore të Gjermanisë, njerëzit janë shumë skeptikë pasi ata kanë pasur një regjim komunist, njësoj si dhe tek ne. Gjithçka që vjen nga lart, ata e shikojnë më mosbesim dhe mundohen që tu dalin gjërave para dhe thonë: mund të jetë ë vërtetë, por mund edhe të mos jetë. Kam shumë miq personalë në Gjermaninë lindore që janë akademikë, mjekë, inxhinierë e që filluan të me pyesin mua nëse kam pasur në spital njerëz konkretë me Covid. Kjo do të thotë që as ata nuk i besonin ato që lexonin e që dëgjonin. Kurse në pjesën perëndimore të Gjermanisë, popullsia thjesht i zbaton rregullat që qeveria vendos dhe nuk ngrenë shumë pyetje; shumë pak mund të jenë ata që vënë në dyshim ekzistencën e Covid-it. Masat e ndërmarra parandaluese për virusin funksionojnë në mënyrë shembullore, kurse pjesa Lindore ka shumë probleme. Ditët e fundit, shtypi tregon se është rritur ndjeshëm numri i të infektuarve në pjesën Lindore, ngaqë njerëzit nuk besojnë dhe nuk mbrohen si në pjesën Perëndimore. Ka të bëjë me ideologjinë dhe me mënyrën e jetesës që ata kanë pasur për vite me radhë. Eshtë diçka që nuk ikën menjëherë, e cila do një punë bindëse më të thellë ndoshta, mendoj unë, dhe një punë sqaruese më afër njerëzve. Megjithëse ne edhe kancelaren Angela Merkel e kemi të ardhur nga Lindja, përsëri as ky fakt nuk i qetësuaka masat. Mund të them se ka një lloj polarizimi, një lloj krisjeje të shoqërisë gjermane në këtë drejtim dhe kjo mungesë uniteti shoqëror, vjen pikërisht nga sa përmenda më sipër: ka lidhje me formimin dhe eksperiencën e ndryshme të popullsisë gjermane.
CILAT JANË PROBLEMET E SHËNDETIT MENDOR, ME TË CILAT PO PËRBALLET SHOQËRIA NË GJERMANI AKTUALISHT, TË CILAT NDIKOHEN NGA COVID-19?
Do të thosha se problemi më i madh me të cilin po përballet aktualisht shoqëria gjermane, është aktualisht mungesa e sigurisë. Gjermania është një vend social dhe ka garantuar gjithmonë sigurisë sociale. Tani, me prezencën e Covid-it, njerëzit kanë filluar që të kenë frikë, pasi frikë pasi firmat e mëdha kanë nisur që të shkurtojnë njerëz nga puna. Kompanitë e vogla ose restorantet që kanë punuar falë turizmit tani kanë humbje të mëdha dhe është diçka që ndihet në shoqëri. Janë rritur depresionet. Është shtuar ankthi për humbjen e vendeve të punës ose ankthi lidhur me situatat që ndodhin në familje. Por, nuk ka akoma studime konkrete që të mund të jepja shifra të sakta përqindjeje dhe po flas nga përvoja personale që kam në spital, ku vihet re se janë rritur shifrat e të prekurve nga depresioni. Agresiviteti në familje është bërë alarmues.
MESAZHI JUAJ PËR LEXUESIT E “DIELLIT” DHE PËR DIASPORËN SHQIPTARE NË SHBA
Covid-i është një mundësi për të ndryshuar pozitivisht. Historia ka treguar se kohët më të vështira me të cilat është përballur njerëzimi, kanë çelur mundësi të reja për përmirësim, për forcimin e familjeve ose edhe për forcimin e komuniteteve. Shikojeni situatën e këtij virusi, si një mundësi për të qenë më pranë familjeve tuaja, si një mundësi për të bërë më shumë për komunitetin tuaj, për jetën tuaj dhe qëndroni të shëndetshëm e gjithmonë pozitivë.
Falënderoj “Diellin” për mundësinë e kësaj interviste që më mundësoi shkëmbimin e disa mendimeve me bashkatdhetarët e mi kudo që ndodhen! Në këto kohë kërcënimesh globale, si ai i Covid-it, edhe solidariteti duhet të jetë i tillë. Mendoj se publikimet tuaja i shërbejnë pikërisht këtij solidariteti mes shqiptarësh e më gjerë.