-Të udhëhequra nga drejtuesit kryesorë të opozitës sot në Prishtinë. -Komunikatë për media/
Prishtinë, 9 janar 2016/ Qeveria e Republikës së Kosovës në një komunikatë të sapodërguar shprehet se i dënon aktet e tmerrshme të dhunës të udhëhequra nga drejtuesit kryesorë të Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, sot në Prishtinë.
Duke respektuar të drejtën për protestë të ligjshme dhe paqësore, Qeveria e Republikës së Kosovës e konsideron sulm të drejtpërdrejtë mbi rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, djegien e një pjese të objektit të Qeverisë, goditjen dhe hedhjen e koktejit të molotovit mbi zyrtarët policorë dhe aktet e tjera të shumta të dhunës ndaj qytetarëve, pronës publike dhe private.
Qeveria e Kosovës vlerëson se dhuna e shfaqur në këtë protestë, është e organizuar nga humbësit e dëshpëruar të të gjitha zgjedhjeve në Kosovë, të cilët ambiciet e tyre politike, po përpiqen t’i realizojnë me djegie të institucioneve legjitime dhe përmes zhytjes së vendit në krim dhe anarki.
Qeveria e Kosovës dënon, po ashtu, djegiet dhe rrënimet e kryera në Prishtinë, të prira dhe të nxitura nga kryetari i kryeqytetit dhe drejtuesit tjerë politikë të emëruar së fundi në Komunën e Prishtinës, si dhe thekson se distancimi “sa për sy e faqe” nga dhuna ndaj institucioneve kushtetuese, si largon ata nga përgjegjësia.
Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh mirënjohje të thellë për qytetarët e Kosovës, që me gjithë propagandën dhe manipulimet e sponsoruara nga burime të dyshimta, nuk iu bashkëngjitën kësaj proteste, ku nuk u pa asnjë flamur dhe simbol i shtetit të Kosovës, pasi që qytetarët e dinin se në këtë protestë do të kishte elementë kriminalë.
Qeveria e Kosovës konsideron se kjo protestë kishte për synim rrëzimin me dhunë të Qeverisë dhe lënien e vendit në duar të të inkriminuarve që sot ia vunë zjarrin objektit dhe policisë, ka po ashtu për qëllim prishjen e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, parandalimin e liberalizimit të vizave dhe proceseve tjera eurointegruese, si dhe stopimin e zhvillimit ekonomik të vendit.
Qeveria e Republikës së Kosovës thekson se nuk do të lëshojë pe për shkak të presioneve kriminale, por me besimin e qytetarëve dhe me përkrahjen e vendeve mike perëndimore, do të punojë me përkushtim të plotë për zhvillim të mëtejshëm ekonomik të vendit, integrime euroatlantike, si dhe fuqizimin e gjithanshëm të partneritetit dhe miqësisë me SHBA-të dhe BE-në, procese që nuk mund të zbehen nga dhuna e skajshme që po manifestohet nga grupe parapolitike dhe kriminale të veshura me petk politik.
Qeveria e Kosovës vlerëson punën e organeve për zbatimin e ligjit, që në përputhje të kompetencat dhe detyrat e tyre si dhe aktet ligjore, po mbrojnë institucionet, qytetarët dhe pronën publike e private nga dhuna, si dhe kërkon nga organet e zbatimit të ligjit, që konform ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, të marrin masat për zbardhjen e plotë të zhvillimeve të sotme, ku u lënduan disa pjesëtarë të Policisë, gazetarë dhe qytetarë të rastit./b.j/
Kosovë-Qeveria nis vitin 2016 me plan pune të miratuar
Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Qeveria e Kosovës në mbledhjen e parë të vitit 2016, në 8 janar/
-Rritja e pensioneve, vendimi i parë i qeverisë së Kosovës në vitin 2016/
-Komision për njohjen e stazhit të punës në vitet e 90-ta në institucionet e Republikës së Kosovës të Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990/
-Qeveria e Kosovës rimbledhjet sot edhe në orën 15:30, për herë të dytë ditën e sotme, kur nga ora 00:09 mbajti mledhjen e parë në 2016-të, të 68-tën që nga zgjedhja në Kuvend në 9 dhjetor 2014/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 8 Janar 2016/ Qeveria e Republikës së Kosovës nisi vitin 2016 me rritje pensionesh, me plan pune të miratuar në fundvitin 2015, njofton nga mbledhja korrespondenti i gazetes Dielli.
Rritja e pensioneve të kontributdhënësve, në pajtim me Ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti, ishte vendimi i parë i qeverisë së Kosovës në vitin e ri 2016, në mbledhjen e mbajtur sot paradite, ku u paralajmërua edhe formimi i një komisioni për njohjen e stazhit të punës në vitet e 90-ta në institucionet e Republikës së Kosovës të Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, në rrethanat e okupimit, në lëvizjen për liri e pavarësi.
Qeveria e Republikës së Kosovës rimbledhjet sot edhe në orën 15:30, për herë të dytë ditën e sotme, kur nga ora 00:09 mbajti mledhjen e parë në 2016-të, të 68-tën që nga zgjedhja në Kuvend në 9 dhjetor 2014.
Kryeministri Isa Mustafa, në mbledhjen e parë për këtë vit, kërkoi nga ministrat dinamizim të punës së qeverisë, sidomos në Strategjinë e Zhvillimit Ekonomik, plotësimin e plotë të rekomandimeve të fundit që kanë mbetur lidhur me liberalizimin e vizave, çështjen e implementimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, si dhe për përgatitjet për ligjin për pagat.
Sipas vendimit të sotëm të qeverisë për rritjen e pensioneve të kontributdhënësve, në pajtim me Ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti, çdo pensionisti i cili ka 15 vjet përvojë pune në mënyrë automatike do t’i njihet përvoja shtesë e punës prej 25 vitesh. Kjo nënkupton që pagesa e pensionit kontributiv i cili është sot 140 euro të ngritët në 158 euro si bazë fillestare për kalkulimin e kontributeve apo kualifikimeve tjera.
Kryeministri Mustafa tha se ky është një vendim shumë i rëndësishëm, sepse praktikisht po ju njihet përvoja e plotë e punës të gjithë atyre që kanë pasur 15 vjet përvojë pune si kusht për ta fituar statusin e pensionistëve kontributdhënës.
“Në mungesë të dokumentacionit të kompletuar për këtë pjesën tjetër të përvojës qoftë gjatë okupimit, qoftë gjatë luftës dhe me këtë po arrinë baza e pensionit kontributdhënës në 158 euro. Mbi këtë 158 euro mbetet që pastaj të hartohen dhe të qartësohen kriteret nga komisioni lidhur me efektet që do t’i ketë kualifikimi në pensionet kontributdhënëse”, tha kryeministri Mustafa, duke bërë të ditur se efektet e këtij vendimi më pas do të jenë në përputhje me nivelin e shkollimit dhe kualifikimeve.
Kryeministri Mustafa tha po ashtu se afati që kjo të përfundohet është deri në fund të shkurtit me kusht që shtesën tjetër për pensione ta marrin nga 1 janari i këtij viti.
Lidhur me çështjen që hapi në mbledhjen e sotme të qeverisë ministrja Edita Tahiri që ka të bëjë me zgjidhjen e çështjes së punonjësve të cilët kanë punuar në institucionet e Kosovës në kohën e okupimit, kryeministri Mustafa tha se mbetet çështje në të cilën duhet të punohet, duhet të përcaktohen kritere dhe të gjithë atyre pastaj që kanë punuar në atë periudhë dhe kanë kontribuar t’ju njihet ajo përvojë e punës, dhe që në kritere të përcaktohet se në çfarë forme do të identifikohet ajo përvojë dhe do të dëshmohet përvoja e tillë.
Kabineti qeveritar miratoi edhe konkluzionet e dala nga takimi i Këshillit të Ministrave për Reformën e Administratës Publike.
Po ashtu, në mbledhjen e sotme të qeverisë u mor vendimi për themelimin e Grupit Negociator për përkrahje Buxhetore lidhur me Reformën e Administratës Publike.
Qeveria e Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa, zhvilloi sot mbledhjen e 68-të, të parën në vitin 2016, të cilin e nisi me plan pune të miratuar.
Plani vjetor i punës së qeverisë së Kosovës për vitin 2016, i miratuar në mbledhjen e fundit të 2015-tës, në 30 dhjetor, është koordinuar dhe përgatitur nga Zyra e Kryeministrit në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Integrimit Evropian, pas pranimit të propozimeve fillestare nga të gjitha ministritë.
Plani vjetor i punës përmban 5 prioritete strategjike të qeverisë, objektivat sektoriale dhe planet e ministrive, përfshirë dokumentet strategjike dhe programin legjislativ për 2016-tën.
Në mbledhjen e miratimit u theksua se, plani i punës për 2016-ën është instrumenti kryesor i cili shërben për zbatimin e prioriteteve dhe të politikave të përcaktuara në programin e punës së qeverisë së Kosovës dhe njëkohësisht edhe mekanizmi institucional vjetor i cili shërben për të zbatuar në praktikë planin katër vjeçar të qeverisë 2015-2018, i cili buron nga programi i saj politik.
Po ashtu, Plani vjetor i punës së qeverisë për 2016-tën është në përputhje me objektivat dhe synimet e përcaktuara në dokumentin e programit qeverisës, duke nisur nga prioritetet e vendosura edhe dokumentet tjera të rëndësishme të qeverisë së Kosovës si Strategjia kombëtare për zhvillim 2015-2020, programi i reformave ekonomike etj, drejt integrimit evropian.
Qeveria e Kosovës, me kryeministër Isa Mustafën, e koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe minoritetet, ka më shumë se një vit që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014, në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.
Ndërsa, për nesër në Prishtinë, opozita kosovare ka paralajmëruar protestë. “Nesër në ora 14:00, do të mblidhemi tek Biblioteka Kombëtare, për të nisur kështu protestën për shtet me sovranitet dhe kundër Qeverisë antikushtetuese”, deklaruan sot Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.
Herën e kaluar, në 28 nëntor, në manifestimin e opozitës në Prishtinë sipas vlerësimeve të saj ishin 35 mijë pjesëmarrës. Manifestimi ishte ftuar nga opozita në kundërshtim të katër marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë, veçmas asaj për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe kundër marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
KOSOVË-KRYEMINISTRI MUSTAFA NJOFTON PENSIONISTËT ME VENDIMIN E QEVERISË PËR RRITJEN E PENSIONEVE
PRISHTINË, 8 Janar 2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, priti në takim drejtuesit e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, të kryesuar nga kryetari Shaban Kajtazi. Ky takim vjen menjëherë pas vendimit të sotëm të qeverisë për rritjen e pensioneve të kontributdhënësve.
Kryeministri Mustafa i ka njoftuar pensionistët për vendimin e marrë nga qeveria e Kosovës për rritjen e pensioneve bazë të kontributdhënësve nga 140 në 158 euro, duke e konsideruar këtë si një vendim shumë të rëndësishëm që merret në fillim të këtij viti.
Kryeministri Mustafa po ashtu shprehu mirënjohjen e qeverisë së Kosovës për kontributin e madh që pensionistët kanë dhënë për Kosovën, duke shprehur përkrahjen e mëtejshme të Qeverisë së Kosovës për të gjithë pensionistët kosovarë.
Pas takimit, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi dhe kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazi, mbajtën konferencë për gazetarë.
“Sot kemi marrë një vendim i cili përcakton bazën dhe njeh përvojën e punës pas 15 viteve punë, ashtu siç e përcakton ligji, dhe krijohet baza e re e pensionit kontributdhënëse e cila është 158 euro. Mbi këtë bazë do të bëhen kalkulimet e tjera të nevojshme për kategorizimin e mëtutjeshëm të bazuar në kualifikimet shkollore të cilat do t’i sjellin pensionistët kontributdhënës”, tha ministri Abrashi.
Kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazi, në emër të pensionistëve falënderoi kryeministrin Mustafa, ministrin Abrashi dhe qeverinë në përgjithësi, për përpjekjet e tyre që pensionistët kontributpagues njëherë e përgjithmonë t’i realizojnë të drejtat e tyre. “Ligji për skemat pensionale është miratuar dhe ka hyrë në fuqi më 20 qershor 2014, por që erdhi deri te 1 janari i vitit 2016 i cili do të aplikohet. Ligji dhe udhëzimi administrativ i parasheh kategorizimin. Ne arritëm një marrëveshje me Kryeministrin dhe Ministrin që të fillohet me 158 euro bazë, ndërsa pjesa tjetër, diferenca për kategorizim të paguhet sipas kategorive, koeficientëve dhe ato kurdo që të mbërrijnë dokumentet në Ministri, realizimi i kompensimit të bëhet nga 1 janari. Ka edhe shumë çështje të tjera që do t’i bisedojmë, siç është çështja e përvojës së punës, çështja e kompensimeve të marra nga Serbia, por edhe çështje tjera që bashkë me Ministrinë duhet t’i realizojmë për këto kategori”, tha kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës./b.j/
Program Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian
-Qeveria e Kosovës: Liberalizimi i vizave të bëhet realitet pa vonesa të mëtejme/
-Përshëndetet miratimi i konkluzioneve për zgjerimin dhe procesin e stabilizim asocimit, përfshirë edhe për Kosovën, nga ana e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian/
Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Qeveria e Kosovës në mbledhje, 16 dhjetor 2015/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 16 Dhjetor 2015/ Kosova bëhet me Program Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit të nënshkruar me Bashkimin Evropian në Strasburg, këtë vit në 27 tetor, projekti u miratua sot në mbledhjen e qeverisë, ndërsa në një deklaratë u kërkua që liberalizimi i vizave për kosovarët të bëhet realitet pa vonesa të mëtejme, pasi dje Këshilli i BE-së bëri publike konkluzionet e pakos së zgjerimit.Qeveria e Republikës së Kosovës, në deklaratën nga mbledhja e sotme, përshëndet miratimin e konkluzioneve për zgjerimin dhe procesin e stabilizim asocimit, përfshirë edhe për Kosovën, nga ana e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian.
“Këto konkluzione vulosin faktin që Kosova ka pasur një vit të suksesshëm në aspektin e integrimit evropian, dhe rikonfirmon përkushtimin e të gjithë shteteve anëtare të BE-së për të ardhmen dhe perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës”, thekson deklarata.
Qeveria kosovare tha se, e mirëpresim faktin që Këshilli e thekson nënshkrimin e MSA-së si një marrëveshje të parë gjithëpërfshirëse mes BE-së dhe Kosovës.
“Përshëndesim thirrjen e shteteve anëtare për të konkluduar MSA-në, që ajo të hyj në fuqi, dhe të filloj së zbatuari. Nga ana e Kosovës janë bërë të gjitha hapat ligjor dhe përgatitjet tjera të nevojshme që një gjë e tillë të ndodhë sa më shpejt, në fillimin e vitit të ardhshëm”, shprehet qeveria.
Sa i përket procesit të Liberalizmit të Vizave, qeveria e Republikës së Kosovës merr në konsideratë konkulzionet e Këshillit të BE-së që shpreh vullnetin dhe optimizmin e përgjithshëm të vendeve të BE-së që procesi të lëvizë përpara, duke pasur parasysh rëndësinë e përmbushjes së kushteve të parashtruara në udhërrëfyesin për liberalizim të vizave.
“Qeveria e Republikës së Kosovës i kushton rëndësi të njëjtë përmbushjes së kushteve dhe konfirmon se të gjitha kriteret janë përmbushur në përputhje me udhërrëfyesin. Prandaj, qeveria e Republikës së Kosovës pret që liberalizimi i vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të bëhet realitet pa vonesa të mëtutjeshme”, thekson deklarata.
Qeveria e Republikës së Kosovës tha se është në pritje të publikimit të raportit të fundit vlerësues të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave, e cili duhet të pasohet me rekomandimin për liberalizimin e vizave brenda një periudhe të shkurtër kohore.
“Të gjitha këto veprime janë të pashmangshme dhe do të mundësojnë që qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza gjatë vitit 2016”, u tha më tej në deklaratë.
Qeveria e Republikës së Kosovës shtoi se, i ka parasysh konkluzionet që ndërlidhen me fushat prioritare për reforma, dhe përkushtohet që të zbatoj këto reforma në kontekstin e ri të integrimit evropian të krijuar me nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asocim.
“Presim që ky realitet i ri të krijoj kushte të nevojshme për të dinamizuar përafrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian”, theksoi qeveria në deklaratën e miratuar në mbledhje.
Qeveria e Republikës së Kosovës njëherësh u bën thirrje shteteve anëtare dhe institucioneve të BE-së që t’i ofrojnë Kosovës të gjithë mbështetjen dhe instrumentet në dispozicion si ndihmesë për të adresuar reformat sa më shpejt të jetë e mundur.
“Në këtë drejtim, mirëpresim edhe thirrjen e Këshillit për të gjetur modalitete për të ecur përpara edhe me nënshkrimin e marrëveshjes kornizë për të mundësuar qasjen e Kosovës në Programe të BE-së”, vijon deklarata.
Qeveria riafirmon përkushtimin ndaj bashkëpunimit rajonal dhe për zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me të gjitha vendet e rajonit dhe në këtë drejtim do të luaj rol aktiv në dialogun e lehtësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
“Ky proces ka nevojë për një rezultat të qartë që do të siguroj normalizimin e plotë të marrëdhënieve në formën e një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme duke i lejuar dy shteteve të ndjekin rrugën e tyre drejt BE-së, pa lënë mundësi të bllokadave për anëtarësimin në BE në të ardhmen”, thekson më tej deklarata e qeverisë kosovare.
Qeveria gjithashtu vlerëson thirrjen e Këshillit për të tejkaluar situatën e krijuar nga partitë opozitare dhe dënimin e dhunës dhe pengesës së punës së Kuvendit, si dhe rithekson qëndrimin që kjo situatë duhet të zgjidhet përmes një dialogu institucional në mënyrë që të ketë një fokus në zbatimin e reformave evropiane.
“Në fund, qeveria e Republikës së Kosovës është e inkurajuar nga fakti që Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian ka përsëritur zotimin ndaj politikës së zgjerimit, dhe perspektivës evropiane të rajonit. Qeveria e Republikës së Kosovës riafirmon përkushtimin e vetë ndaj axhendës evropiane duke përfshirë zbatimin e reformave kyçe në fushën e sundimit të ligjit, reformave ekonomike dhe reformat tjera të nënvizuara me qëllim të realizimit të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian”, përfundohet në deklaratë.
Qeveria, në mbledhjen e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, miratoi katër projektligje: Për Falimentimin, për Energjinë Elektrike, për Rregullatorin e Energjisë dhe për Ratifikimin e marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për realizimin e Projektit për Përmirësimin e Sistemit të Arsimit.
Në mbledhjen e qeverisë me 17 pika në axhendë u miratua edhe vendimi për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës emrimin e drejtorëve në Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
QEVERIA E KOSOVËS DËNON PËRDORIMIN E GAZIT LOTSJELLËS
Veseli: Kuvendi i Kosovës është duke u keqpërdorur nga pakica opozitare/
-Takim Jahjaga-Mustafa për zhvillimet aktuale-
PRISHTINË, 15 Tetor 2015/ Kuvendi i Kosovës është duke u keqpërdorur nga pakica opozitare, tha kryetari i Kuvendit Kadri Veseli pak më parë në një konferencë shtypi, pas ndërprerjes së seancës nga gazi lotësjellës, sot për herë të dytë, si edhe javën e kaluar.
Ndërkohë, pas këtyre zhvillimeve sot ka pasur një takim ndërmjet presidents së Republikës, Atifete Jahjaga dhe kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, pas të cilit nuk ka pasur deklarata.
“Me siguri kanë biseduar për këto rrethana, por nuk kam informacion”, tha kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, i pyetur për takimin Jahjaga-Mustafa, në konferencën për shtyp që po e mban në këto momente.
QEVERIA E KOSOVËS DËNON PËRDORIMIN E SËRISHËM TË GAZIT LOTSJELLËS
Qeveria e Republikës së Kosovës në deklaratën e sapodërguar dënon ashpër përdorimin e sërishëm të gazit lotsjellës helmues në seancën e Kuvendit të Kosovës, me të cilin sërish është sulmuar Kuvendi i Kosovës dhe është rrezikuar shëndeti dhe jeta e të zgjedhurve të popullit të Kosovës.
Qeveria e Kosovës i konsideron sjellje të papërgjegjshme dhe në shpërputhje me çdo kod etik, moral dhe praktikë demokratike, veprimet e kundërligjshme dhe anarkike që përfaqësuesit e pakicës politike po ushtrojnë ndaj institucioneve dhe të zgjedhurve të popullit, duke përdorur mjete luftarake, me qëllim që të pengojnë funksionimin normal të shtetit të Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës i bën thirrje përfaqësuesve të opozitës që të heqin dorë nga dhuna dhe sulmet mbi institucionet kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe që agjendat e tyre politike të përpiqen t’i realizojnë përmes mjeteve demokratike.
Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh përkushtimin e saj maksimal për debat të bazuar në rregullat demokratike dhe brenda institucioneve përfaqësuese, me qëllim të ruajtjes së konsensusit nacional, si dhe të përkrahjes së partnerëve ndërkombëtarë, SHBA-ve dhe vendeve të BE-së, për procese madhore që lidhen me të ardhmen e qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës dhe që janë vullneti suprem i popullit të Kosovës./b.j/
Kosovë- Qeveria, shqetësim dhe keqardhje për dhunën
-Qeveria e Republikës së Kosovës, i bën thirrje partive opozitare që të heqin dorë nga veprimet anarkike dhe nga përdorimi i dhunës mbi institucionet e shtetit/
PRISHTINË, 13 Tetor 2015/ Qeveria e Republikës së Kosovës deklaroi sot se, shpreh shqetësim dhe keqardhje për dhunën që grupe militantësh të partive opozitare kanë ushtruar një natë më parë mbi Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kushtetuese, duke lënduar rëndë disa zyrtarë policorë, duke shkaktuar dëme në objekte publike e private dhe duke krijuar shqetësim te qytetarët.
“Aktet e skajshme vandale që u manifestuan gjatë protestës së dhunshme të thirrur dhe të drejtuar nga udhëheqja e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe të përkrahur nga partitë tjera opozitare, cenon rendin dhe ligjin, punën e organeve të pavarura shtetërore si dhe interesat madhore të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës”, thekson komunikata e sapodërguar.
Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër sulmet kundër institucioneve të sundimit të ligjit dhe garantimit të rendit dhe sigurisë, të mandatuara që aktivitetin e fushëveprimit të tyre ta ushtrojnë të lira nga ndërhyrjet dhe dhuna.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, i bën thirrje partive opozitare që të heqin dorë nga veprimet anarkike dhe nga përdorimi i dhunës mbi institucionet e shtetit, me qëllim që të dalin mbi ligjin dhe që të realizojnë axhendat e tyre politike ditore, duke vepruar në kundërshtim me interesat e qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës”, përfundon deklarata.
Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje, subjekti më I madh opozitar kosovar, sot, pas mesditës mban konferencë të jashtëzakonshme për medie në lidhje me ngjarjet e mbrëmshme. Sipas partisë tjetër opozitare, AAK, “pas skandalit të mbrëmshëm duhet të tërhiqet Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Policisë së Kosovës”./b.j/
- « Previous Page
- 1
- …
- 3
- 4
- 5
- 6
- Next Page »