• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KARVANI I FERRIT

October 29, 2018 by dgreca

Karvani i ferrit/

2Rafael-300x263

Nga Rafael Floqi/

Mikut tim Nikollë Hysa, të cilin një vjeçar, së bashku me djepin e hodhi mushka ne greminë, ndërsa nëna e tij po dërgohej tok me fshatarët për internim në Kampin e Tepelenës…./

Malet po kërrusen nën peshën e dhimbjes

Kreshta e Marlulës ngushëllon atë të Vilës,

Shkëmbinjtë gërricin faqet në vallen e gjamës,

Në fshat s’ka më as kuaj as mushka,

As keca, aq qengja, as lehje qensh lajmërues,

As gjelat s’këndojnë,

Veç korbat,

Dhe lakuriqët fole bëjnë në oxhak,

Pasi tym s’del më nga kullat,

Dhe lumi i Limit s’ka ujë por lot.

Në Vermosh kudo zjarret janë fik….

Mbi shkëmb era si kasnecë ndjellakeqe

përhap gjamëm majëkrahu si britmë:

Në Qafën e Përdelecit, në të Vjedernikut,

Është shfaqur kuçedra e kuqe

Burrat kanë ikun ….

Të tan’ po i marrin, pleq gra e ferrishta

Të tan po i mbledhin e po shkojnë,

Me gra me pleq me çuna me cuca,

Vermoshin po mbyllin në Vathën e Vdekjes,

Kelmendin duan ta shuajnë.

-Po ku je, o ku je,…  o Prekë Cali ?, thërret mali…

Të gjithë i tubuan, e mblodhën gjindjen si berra,

Tok me mbi 70 kuaj, mushka, kosha, kashunë,

pleq e fëmijë, dhe djepe,

oh sa djepe,

vuri përpara Batalioni i zbulimit….

 

Dhe kullat janë bosh….

Dhe veç era oshtin e shkërmoq dyert në pragje.

Bravat, kërcasin, kanatat përplasen

Ata gajasen…

Qentë i lehin hënës dhe kuisin duke trembur orlat

nga kufomat e burrave të vramë e të pavarrosur…..

Të tan’ i morën, të tan po shkojnë,

Dhe shpirti i Prek Calit endet fantazmë

nga shpella.

“Se di se për ku këta njerëz, po i çojnë…

Nuk mundem sot t’u prij dot gjindjes

Si Mem Smajli, në Bjeshkët e Pojanicës”.

E gjithë lama vjen erë tradhtie, gjëmon Preka.

Në shesh kanë qerthue të gjithë që i gjetën

Qe Marku, Pali, qe Gjeka qe Frani qe Kola,

Qe Mria, qe Lezja, dhe Lula dhe Pashka

Me pleq dhe ferishta dhe reja dhe plaka,

Ndër ta turfullon gjaku i Norës së Kelmendit,

Ndërsa në oborr korbat mësynë trupin e të vrarit

Që nata tradhtare, siç duket pa gjyq e vrau

“Për një faj, për të vetmin faj, se qe i pafaj

O Krisht ….

Para skuadrës të pushkatimit “Zjarri” dhe flaka,

Dhe jehona e tyre që ende zhdaravitet honesh

Fjalët e thikta “Ta vrasim, ta bëjmë shembull”,

Babën që erdhi veç për të parë të birin.

Dhe shkabat ia shqyen plakut të vdekur sytë,

Por djaloshit sytë ia lënë pa cekur.

Para bukurisë

dhe shkabat dhe orlët s’munden, kanë shpirt

Por jo njerëzit.

Dhe ashtu të vdekur e lanë zbuluar,

Vetëm 15 vjeç,

se bukuria e kishte aq të pacak gjëmën.

 

Dhe në frëngjitë e përflakuara, përzhitshëm,

Përzishëm vajtojnë e nxjerrin flakë në kamare,

Ata erdhën tok me shqaun dhe na vranë…

Në atë kullë të Calajve ku pleqnoheshin ngjarjet koha,

Ku gjykoheshin njerëzit, nderi, besa, burrnia,

atdhedashuria, feja, fisnikëria

dhe dënohej me shpërfillje paburrnia…

Por sot ka bujt i paftuar,

Toger Baba, apo toger vdekja

Tok me batalionin …

Dhe të vdekurit

Sot s’ka e s’mundet kush me i varrosë…

S’mundet.

 

“Një nënë lutet, veç të mjelë pak dhitë

Të ushqejë për udhë të dy fëmijtë,

Njëri katër e tjetri tre vjeç strukur

në koshat e një kali nuk flasin,

as luajnë me topin e grisur të leckës…

Karvani niset, kambanat e kishës janë shortitë

Zanat kanë marrë arratinë Bjeshkëve të Namuna…

Zilet e mushkave po treten ca nga ca

Duke çuar e zgjuar hamendjet e të mbeturve

Ku po i çojnë ku po e çojnë karvanin ?

Larg Vermoshit, larg Lugut të Skropatushës,

Larg Lugut të Dolit dhe shkëmbinjve të Lëpushës,

Thonë në Tamarë , tek ura 500 vjeçe,

thonë përtej në Shkodër,

Thonë larg në jug në një vend erërash

Buzë lumenjsh të tjerë, buzë malesh të tjera…

Tepelenë i thonë.

Karvani ecën, ecën por gjë s’di se ku

Ata s’ pyesin, s’munden, asnjë s’bëzan…

Janë bërë një dhe njerëzit dhe kafshët

Me ca zhurma të çuditshme thundrash zvarritëse

që habisin dhe nallbanët

Mushkat kuajt dhe hajvanët heshtin,

Dhe tërheqin zvarrë patkonjtë në pluhur.

Dhe malet klithin

e shkëmbinjtë rrezojnë gurë,

Dhe oshtijnë nga dhimbja shpellat

E tremben ujkonjat, tremben edhe mushkat,

Njëra hedh vickla

E shkund dhe rrëzon nga samari

Djepin e motakut, fluturimthi tej natës,

Rrëkëllehet mes bungjesh në greminë

Foshnja dhe djepi, përkundet mes shkrepash

”O bir ku je”, klith nana,

e me gjëmime gjame kall në flakë rrufetë e pezmit.

Ngrin karvani,

Fëmija qan se s’di të flasë ende,

Djepi rrokulliset, mes shkurresh, trandiset,

Ajo turret pas tij, ndër ferra gërvishtet

Pa, pra, një breshërimë e step, Një klithmë : “Ndal!”

Shqyhen qiellin e natës, që pa frymë grah

“Thirrja “O bir….!, i dhimbet dhe dheut ….

A ka Ajkunë qe mos kërkojë dot djalin?

Mbi bokërima, mbi shqopa, ku kacavirret djepi,

Fëmija i trembur hesht dhe fle…

E klithma e nënës që natën çau.

Bën malet të thërrasin njeri-tjetrit majëkrahu

“Qetësohu shsht, atë e shpëtuan zanat,

E Gurrës së Smutirogës që mbron nënat”.

“Ec para, para bërtet bisha …, Para!! ”

Dhe jehonat e urdhrave përthyen në harresë,

Gjersa heshtja mbretëron, gjithçka e zbrazët,

Zemra e nënës papritmas qetësohet,

Një ditë më parë i qe vrarë burri, sot i iku djali,

Ç’e do jetën le të hidhet mbi një hon…

A zemra që sa s’ plas rroket pas molike,

Por burrat me pushkë e shtyjnë, “Ec para!”.

“Ec, ec!” nuk dëgjohen më të qarat e foshnjës

Pishat e egra thurin djepet e trishtimit.

Thumbojnë dhembjen e madhe me hapa ecje,

E presin me tehe thikash shkëmbinjtë e bardhë

Që përlotin stalaktitet e gjalla e shpellës së Jacicës,

Si në defterët e tragjedive si në kryqet e varrezave,

Si në fluturimin e skifterëve dhe të bufave,

Që prekin malet me kulmin e pezmit e të dhimbjes,

Dhe karvanin e ngucin e shtyjnë të ecë para

Dhe në mes të natës një këngë mërmërisje,

Që mushkat me zilet si vajtojca për fëmijët e tretur

Dhe karvani ec, ec, duke ia marrë edhe ai gjëmës.

Ndërsa qumështi i Rozafës niset e thahet prej lodhjes

Dhe gurra e Jasicës nuk i ndihmon dot lokes.

Xhubleta u çor nga ferrat, këmisha plas nga dhimbja

Dhe nëna thith gjinjtë e saj

e për t’u ushqyer ha veten, pi dhimbjen e saj…

Dhe hana ngjallet mbi Bjeshkët e Nanuma

E përpiqet të fiksojë të rënët dhe retë

Vrasësin e tokës së varreve të burrave të mirë,

Që Kelmendi mos t’i harrojë, u qet këngë,

Burra si gurë sinori në trojet e atit…

Maleve drita papritmas përkundet në djepa drush,

Dielli nuk i beson syve të vet,

Lumi turbullon shakujt e rrokullis gurë

Dhe zogjtë dhe qielli tani janë gurë të ngrirë

Veç mushkat dhe gjëmat ecin,

Drejt shelgjeve të vajtimit marshojnë

Në fshat hingëllimat e kuajve e fundit

përzihen me zërin e gjetheve në pyll,

Drejt shelgjeve të erës të vajtimit

Marshon karvani i dhimbjes,

Te-pe-lenë, i tingëllon “të fat pa lemë”….

E tok me hapat e pleqve në natën e fundit të ferrit,

Në një këngë të re legjendash përcillet

Nga rreka e thatë e përroit të pasigurt, derdhet,

E zbret prej malesh karvani i vdekjes prore

Përtej nëntë rrathëve të Ferrit të Dantes,

Lahuta përvajshëm, përvujtshëm qan

E dredh në harqe vargjet e saj mortore,

E këlthet Malësia me zërin e At Fishtës :

“O natë e kobshme!  O natë tri herë mizore,

O nata e fundit t’ferrit,

Pse ti shtekun ia çile ushtris gjaksore”.

 

Mëngjes, për në punë

 

 

Hëna e plotë pas pemësh gjurmon fshehtas

Në këtë agim të mistershëm Halloweeni,

Nanurisjen e shoferëve që shkojnë në punë

Me makina si në karvanin funeral të gjumit.

Ajo mëngjesin pret, ende s’ka kënduar gjeli…

Shekujt e rinj, shtriga të reja pjellin

U, u, kuku, duku tek Facebook-u,… boou-ku

Mallkojnë një gjykatës dhe pse i pafajshëm,

Ç’ rëndësi ka, dhe ne qemë të pafajshme,

Me too, boo, kur shpirti digjej nga turra me dru…

Radioja ysht hënën, “Abrakadabra, t’u shoftë drita“

Dhe në këtë autostradë makabre të vjeshtosur,

Mbuluar nga një rrjetë merimange gjethesh

Një karvan njerëzish që ikin, e një karvan që vjen,

Duke cytur hënën, herë me drita mjegullash,

E duke e zbuar herë me pishtarë të kuq stopash…

E në çast, duket sikur Dielli e rrufiti kafenë,

Rreziti pyllin, e pemët i pyeti “ Si keni ndje?”

Mes dridhmash, dushqet, drodhën degët,

E Hëna si gjethe e zverdhur u rrëkëllye përdhe,

Dhe aureolën e misterit  e shoi, e fiku

E alivanosur u zbeh, dhe i humbi drejtpeshimi,

E anës një rruge u ngul si tabelë trafiku,

Ku shkruhet:

”Ndalohet rreptësisht, ëndërrimi!”

 

 

Vjeshtë

 

Një çift patash i gëzuar para shtegtimit,

zbuloi një pellg të vockël në lëndinë,

mes pemëve me gjethe ngjyrë shege

që rrëkeja e shiu e pat harruar jetime.

 

Dhe me zhurmë, përqafuan, u puthën,

s’e se dinin kur do çiftoheshin sërish,

Plot zhurmë pendët e qullëta shpupluan,

ajo qafëzezë , ai qafë ngjyrë plumb.

 

Mbi ta “V”-ja e një skuadrilje patash

shkundte prej resë pupëlore vesën,

e mështekna rrëzonte mbi baltë gjethet

si për t’ia mbuluar mëkatit gjurmët.

 

Një puthje e lashtë

 

Nuk e di se ku je ti tani,

Shumë vjet kanë kaluar,

Por nuk e di,

sesi ngrohtësia e asaj puthje

ka mbetur në kujtime…

Nuk e di

a ka një termos memoria

Për sa kohë

kur ndjenjat janë fikur

ka mbetur

ca prush

nga mumja e puthjes,

edhe pasi ti ke ikur.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Karvani i Ferrit, Rafael Floqi

Bulëza të filozofisë së Niçes, në veprën e Migjenit

October 14, 2018 by dgreca

300px-Migjeni

Nga Rafael Floqi/Migjeni lindi më 13 tetor 1911 në Shkodër, si sot 107 vjet më parë. Arshi Pipa fillimin e krijimtarisë artistike të Migjenit të asaj kohe e ka karakterizuar, se :”Migjeni e konsideronte veten si një misionar, detyra e të cilit ishte të shpallë një moral të ri për të ardhmen. Për ta krijuar këtë të fundit ishte e nevojshme që të shkatërrohej kulti i idealeve heroike, të shfaqej realiteti social, njëkohësisht të demaskohej demagogjia e regjimit. Vepra e Migjenit i orkestroi këto tema kryesore, duke i ngritur ato nga niveli i gazetarisë në atë të poezisë shoqërore. Origjinaliteti i tij shtrihet në hapjen nga ai të portave të letërsisë shqipe për problemet sociale”. Qysh në krijimet e para letrare Migjeni prirej drejt modernitetit europian dhe realizmin e tij ekzistencial e fuqizoi me idetë e tij ekspresioniste. Këtu niste një paralele e krijimtarisë së tij me atë që po lëvronin ekspresionizmi europian dhe variantet e tij bashkëkohore.”

Migjeni nuk ishte pak a shumë as një poet socialist apo revolucionar në kuptimin e mirëfilltë politik të tij, edhe pse ai na dëshmon indinjatën e tij, dhe na tregon grushtin e fuqishëm. Kjo sepse atij i mungonte optimizmi, po ashtu edhe angazhimi në një veprimtari politike.

Ai ishte një intelektual produkt i viteve 30-të, i një periudhe, në të cilën intelektualët shqiptarë përfshirë edhe Migjenin , ishin në veçanti, të tërhequr nga Evropa Perëndimore, në të cilën për herë të parë në Luftën e Spanjës, po përplaseshin komunizmi me fashizmin. Në referencën e tij, Migjeni dhe kristianizmi – në një debat të hapur, studiuesi Kastriot Gjika, vuri në dukje, trajtim pozicionin qe i është veshur Migjenit afrimi i tij me ide të majta parë vetëm, në një segment, duke u konsideruar si pararendës i “njeriut të ri”. Duket se Migjeni gjithashtu ishte i tërhequr gjithashtu edhe nga filozoftë e djathta të kohës. Ne poezitë të “ Lindet Njeriu “ edhe ne “Trajtat e Mbinjeriut”, ku heroi është një person i mbërthyer dhe i shtypur që do ta transformojë vetveten në “Supernjeriun që pritet të vijë”.

Sipas Alfred Uçit poezia “Trajtat e Mbinjeriut” nuk ka pasur titullin “Dithyramb Nicean”, para botimit te 44 dhe është shtuar aty nga botuesit. “Interesant është se edhe në vendin tonë ka pasur kolaboracionistë, të cilët për ta bërë qoftë paksa Migjenin ithtar të miteve fashiste, pa e pyetur autorin, poetin, për qëllime të ulëta ideologjike, i bënë shtojcën “Dityramb Nietzsche-an”, që mungonte në dorëshkrimin e botimit të parë të poemës migjeniane “.

“Übermensch”-Mbinjeriu si qëllim

Nietzsche paraqiti konceptin e Übermensch si një qëllim për njerëzimin në librin e tij 1883 : ”Kështu foli Zarathustra (gjermanisht: Also sprach Zarathustra). Nuk ka konsensus të përgjithshëm në lidhje me kuptimin e saktë të Übermensch, as mbi rëndësinë e konceptit të Nices.

Nice e prezanton konceptin e tij të Übermensch në kontrast me botën tjetër të besimit të Krishterimit: Zarathustra shpall Ubermensch të jetë kuptimi i tokës dhe këshillon audiencën e tij për të injoruar ata që premtojnë shpresat në botën tjetër në mënyrë që t’i tërheqin ata nga jeta në tokë [3]. [4] Largimi nga toka nxitet, thotë ai, nga një pakënaqësi me jetën, një pakënaqësi që e bën njeriun të krijojë një botë tjetër.

Duke parë Zarathustran në lidhje me “Mbinjeriun”,- Übermensch si një qëllim që njerëzimi mund t’ia verë vetes. Ashtu të gjithë jetës njerëzore do t’i jepet kuptim nga ajo se si ka avancuar një brez i ri i qenies njerëzore. Një grua do të vlerësohet nga aspirata se do të lindë një Übermensch, për shembull, madje dhe marrëdhëniet e saj me burrat do të gjykohen nga ky standard [5]

Zarathustra e vë në kontrast Übermensch me njeriun e fundit të modernizmit egalitar, një qëllim një alternativ që, siç thuhet tek njerëzimi mund t’ia vërë vetes. Njeriu i fundit shfaqet vetëm në këtë mënyrë, siç thuhet “Kështu foli Zarathustra”, dhe është paraqitur si një kusht që do të bëjnë krijimin e Mbinjeriut të pamundur.

Mikut i poetit, Andrea Stefa një ish trockist (1911-1963), i cili e kishte paralajmëruar se komunistët e grupit komunist të Shkodrës nuk do t’ia falnin, këtë poezi, Migjeni i ishte përgjigjur: “Vepra ime ka një karakter luftarak, por për arsye praktike, dhe duke pasur parasysh kushte tona te veçanta, ku jetojmë. Mua më duhet të manovroj me simbolet. Unë nuk mund t’ua shpjegoj këto gjëra, grupeve ( komuniste), ata duhet t’i kuptojnë vetë. Botimi i veprës sime varet nga nevojat e situatës shoqërore të cilën ne po e kalojmë. Sa për mua, ky është një kontribut që mund të ndihmojë në bashkimin e grupeve. Andrea puna ime do të ketë sukses, nëse unë do të arrija të jetoja disi më gjatë”.

Mbinjeriu

S’ka shkrimtar e kritik vendas që të mos përmendë, për mirë apo për keq, ndikimin e Niçes tek Migjeni. Nuk ka dyshim, se Migjeni e pat lexuar Niçen dhe është shprehur për veprën e tij dhe për interpretime të ndryshme të veprave të tij. Por midis atyre që kanë shkruar për këtë problem dallojmë dy grupe kritikësh: nga njëra anë, ata që janë përpjekur t’i përmbahen lutjes së Niçes ndaj lexuesve të tij: “Përpiqi t’i lexoni drejt librat e mia”. Kjo do të thotë se vetë Niçes nuk i pëlqente çdo interpretim i veprave të tij dhe midis tyre dallonte disa të sakta, por vinte re edhe lloj-lloj spekulimesh që nxirreshin prej tyre. “Filozofi siç e kuptojmë atë, ne shpirtrat e lirë – është njeriu që i ka përgjegjësisë më të plota, i cili është i ndërgjegjshëm për evoluimin kolektiv të njerëzimit…” shprehet në veprën e tij “Përtej të mirës dhe së keqes”.

Në anën tjetër, bashkohet shumica e komentuesve të rëndomtë, që nisen nga paragjykime, spekulime e thashetheme, që shtrembërojnë kuptimin e vërtetë të ideve të Niçes, dhe që këtej shtrembërojnë edhe qëndrimin e Migjenit ndaj Niçes.

Midis tyre spikasin ata, që sajojnë një hamendje vulgare, pa lexuar asgjë nga veprat autentike të Niçes, pa njohur kontradiktat e Niçes me vetveten, pa kujtuar shtrembërimet që historikisht janë kryer kundër veprës së Niçes, për qëllime reaksionare, siç vepruan fashistët e nazistët, madje edhe ata ekstremistë injorantë që niseshin nga thashetheme dhe mohonin tërësisht Niçen e veprën e tij, duke ia lehtësuar vetes leximin e vështirë të veprës së tij. Interesant është se edhe në vendin tonë ka pasur kolaboracionistë, të cilët për ta bërë qoftë paksa Migjenin ithtar të miteve fashiste, pa e pyetur autorin, poetin, për qëllime të ulëta ideologjike, i bënë shtojcën “Dityramb Nietzsche-an”, gjë që mungonte në dorëshkrimin e botimit të parë të poemës migjeniane.

Është bërë përpjekje nga historiografia e komuniste për ta parë Migjenin si ateist. Por qëndrimi i Migjenit ndaj fesë dhe klerikëve është më shumë sendërtim poetik i ideve të Nices tek “Zarathustra” ku  deklaron se ikjen nga krishtërimi nga kjo botë, gjithashtu kërkoi shpikjen e një shpirti të përjetshëm i cili do të ishte i ndarë nga trupi dhe do të mbijetonte vdekjen e trupit. Zarathustra e lidh e Übermensch me vdekjen e Zotit. Ndërsa ajo Perëndi ishte shprehja përfundimtare e vlerave të tjera të botës dhe instinkteve që i lindin këto vlera, besimi në atë Perëndi megjithatë i jep kuptim jetës për njëfarë kohe. ‘Zoti kai vdekur’ do të thotë se ideja e Perëndisë nuk mund të japë më vlerë. Me burimin e vetëm të vlerave që nuk janë më në gjendje t’i ofrojnë ato vlera, ekziston një shans i vërtetë për të mbizotëruar nihilizmi.

Zarathustra paraqet Übermensch si krijues i vlerave të reja. Në këtë mënyrë, duket si një zgjidhje për problemin e vdekjes së Perëndisë dhe nihilizmit. Pjese e këtij stabilimenti, për të cilin Migjeni po ashtu si Nice ai vërtet, ndjente se ishte përgjëgjes për vuajtjet e njerëzimit ishte dhe Kisha.

Edukimi fetar i Migjenit dhe shkolla e tij për prift, nuk e kishin bërë atë fetar përkundrazi kishin qenë krejtësisht kundra produktive , sepse ai as nuk kishte ndonjë lidhje me ndonjë fe dhe as sentimente të forta për institucionin e Kishës. Zoti, për Migjenin ishte një gjigand me këmbë graniti, që po dërmonte vullnetin e njeriut. Dëshmi e një neverie qe ai ndjente për fenë duket edhe në poezitë të cilat u hoqën nga botimi i vitit 44, si “ Parathania e parathanieve” e cila është një vokacion një apel dëshpërimi “ O Zot ku je!” apo dhe në poezinë “Blafsemi”.

“Të vërtetat e fiksuara pra në fe dhe në moral janë një iluzion. Ne i krijuam ata, kështu, pra “Perëndia ka vdekur” dhe morali ka lidhje me individin”, shkruante Niçeja.

Kjo na bën që në kuadër të këtij botëkuptimi Niçean ta kuptojmë dhe qëndrimin antifetar të Migjenit.

Besimi i mbinjeriut, e sheh heroin tek dobësia dhe Mbinjeriun, jashtë vetes.

Në poezinë “ Kënga Skandaloze”, Migjeni shpreh një tërheqje jonormale ndaj “një murgeshe të zbehtë” dhe në të njëjtën kohë, ai shpreh mosbesimin dhe refuzimin e botës së saj. Kjo poezi hedh dritë jo vetën në qëndrimin e Migjenit kundrejt fesë, por

Studiuesja Persida Asllani pat hedhur hipotezën e leximit si poetike e skandalit në shembullin e perceptimit të skandalit të veprës së artit ku ekziston vetëdijesimi i aktit letrar blasfemia dhe skandali ku sheh engjëj të bukur dhe kur i bie pash me pash ferrit. Por ajo që është shfaqja poetike blasfemia është vetëm formë ekspresioni artistik, ideja që është pas saj është më e thellë. “Kriza konceptuale, që rrjedh sipas Asllanit nga blasfemia e institucionit fetar. Për herë të parë kjo bëhet pasqyrë e krizës së të tashmes ku thelbi i provokimit skandaloz vjen nga barazimi njeri-Zot. Shfaqet kështu, sipas studiueses, Njeriu poetik maje kullës së Babelit duke thirrur :”Ku je o Zot?!” A s’është në këtë rast një rimishërim i Migjenit, ashtu si ndodhi biblikisht ne thirrjen e fundit të birit të Zotit. Sado që studiuesja kulmin poetik e sheh tek blasfemia, lutja, ferri, feja në kontrast me jo të shenjtën. Si ndërhyrje kjo në krizën e së vërtetës në kalimin më pas të tabuve në mitet letrare.

Kështu sipas Asllanit, leximi i skandalozes mbetet i potencuar, si një hipoteze e një leximit te përhershëm. Por kjo barazi « Njeri-Zot » nuk është uni demiurg i poetit në raport me botën apo Zotin, por është veçse ideja niçeane se  ‘Zoti ka vdekur’ do të thotë se ideja e Perëndisë nuk mund të japë më vlerë. Duhet diçka e re. Dhe kjo nuk është mohimi i zotit si nihilizëm, si ateizëm, por pohimi i Zotit si krijesë e mbinjeriut.

Ndërsa studiuesi Shaban Sinani ndoshta ka qene koherent në analizën formale të poezisë. Pasi deri me sot dyzimi me i madh ne debatet për Migjenin kane ekzistuar pikërisht nga pikëpamja fetare, nëse vepra e tij letrare duhet gjykuar biblikisht nëpërmjet doktrinës se krishterë, Sinani ka hedhur vështrimin se në çfarë shkalle simetrie vijnë tekstet e Migjenit me ato biblike. Paralelet e hequra nga studiuesi, afrojnë të shumtën e krijimtarisë se Migjenit me tekstet biblike, duke iu referuar qoftë, Dhiatës se Re, e veçanërisht tek “Kënga e këngëve” ka paralele edhe me frymën e përshëndetjeve të fundit ka ndikim, në shkallën e strukturës, në format e forma e rimarrjes të nyjeve tematike tek “Vargjet e lira”. Po ashtu studiuesi vëren edhe një farë karakteri parashikues, në këtë lexim biblik që ai bën tekstit. paralelen e shëmbëlltyrave në këtë shkalle me anën e shenjës së yllit, Kullës së Babelit apo e gruas mëkatare. Si në rastin e shkrimeve biblike autori ka citime të brendashkruara ku Migjeni nuk shkruan nga vetja por shpreh atë që i kanë thënë…, etj. Në fakt, ka ngjashmëri nga ana formale dhe e figuracionit dhe jo doktrinale, mendim poetik që merr pamjen e mesianizmit tek besimi i mbinjeriut, që e sheh heroin te dobësia dhe mbinjeriun jashtë vetes.

Në kuptimin e analizës është e pamundur heqja e ndonjë paraleleje mes veprës dhe jetës se Migjenit dhe vepra duhet parë e ndarë nga jeta. Forma është aktuale i mbetet rrethanës në veprën e Migjenit nisur prej një treguesi të dinamikës së brendshme të jetës në atë kohe. Vështrimi se ai ishte thjesht Migjeni që shkroi për tragjizmin e njerëzve katekizmin kishtar etj. nuk përkojnë me të vërtetën dhimbjen krenare, apo dramën civile, e prozës së tij. Nga këtu rrjedh se Migjeni parë në aventurën poetike është në kërkim të mbinjeriut në kërkim të artit poetik si estetikë ndryshe.

Lumturia e vetme qëndron në arsyen, e gjithë pjesa tjetër e botës është e mjerueshme, por arsyeja më e lartë, megjithatë, shihet në veprën e artistit”, shkruante Niçe. (Shënime, 1875)

Më tej, edhe pse gjuha jonë është thjesht metafora, këto metaforë janë gjithsesi të dobishme. Kjo megjithëse nuk zgjidh problemet me të cilat ballafaqohet njerëzimi. Pa të vërtetën absolute, bota jonë është detyruar të krijojë rregullat e veta për mënyrën se si jetojmë dhe mendojmë, dhe kjo ka rezultuar në epokën tonë aktuale të Postmodernizmit – një botë ku njohuria është relative, evoluese dhe e varur nga kultura, ku gjuha është metaforë nuk ka lidhje absolute me të vërtetën dhe realitetin. Kjo na lë vetëm me të vërteta personale – mendime!”

Mbinjeriu dhe dobësia njerëzore

Ka edhe një aspekt tërheqës më pak i studiuar sa nicenan, aq dhe frojdian, në aspektin e jetës së tij, jo vetëm si poet, por si mashkull në vitet 30 –të, me heteroseksualitetin e tij të ndrydhur në jetë, që shpërthen alternativisht herë pas here në poezi.

“Gjeniu artistik, shkruante Niçe dëshiron të japë kënaqësi, por nëse mendja e tij është në një rrafshnaltë shumë të lartë, ai nuk mund ta gjejë lehtë njeriun, për të ndarë kënaqësinë e tij; ai ofron argëtim, por askush nuk e pranon atë. Kjo i jep atij, në rrethana të caktuara, një patos prekës komik; sepse ai nuk ka të drejtë të krijojë kënaqësi tek njerëzit. Ai i bie gajdes, por askush nuk do të kërcejë: a mund të jetë një fat tragjik?”

Erotizmi me siguri, nuk ka qenë një veçori sunduese e Letërsisë shqiptare në çdo kohë dhe është vështirë të zësh në gojë, ndonjë autor shqiptar, i cili të këtë shprehur impulset dhe dëshirat e tij me intime në poezi dhe në prozë si Migjeni. Ja si i ishte rrëfyer Migjeni, mikut të tij, Andrea Stefi :

“Ç’ është e vërteta, në bisedat tona, nën shtytjen time, Andrea e kish prekur jo njëherë temën e dashurisë në jetën e Milloshit. Sipas tij poeti, për vet natyrën e tij të ndjeshme, s’kishte si të mos tregonte interes dhe joshje ndaj vajzave, por ajo që e dallonte nga të tjerët, ishte vetëpërmbajtja dhe sjellja fisnike. Ai ishte sa romantik aq dhe realist në raport me to. Përveç një dashurie romantike për shoqen e së motrës së tij ZB, së cilës i kishte përkushtuar edhe një poezi Migjeni, ishte i virgjër dhe se kishte provuar dashurinë seksuale.”

Migjeni i afrohet kësaj gjendje në një mënyrë të paparë deri atëherë. Siç duket, dhe nga dëshmia e mikut të tij Andrea Stefit, botuar nga Nasho Jorgaqi, ai e humbi virgjërinë fare pak kohë, para se të vdiste në moshën 26-vjeçare në bordelet e Athinës, ku ai kishte shkuar për t’u kuruar. Dhe ky takim me një prostitutë, u bë objekt i tregimit : “Historia e njenës nga ato”. Ja si ia kishte përshkruar ai shokut të tij këtë përvojë. “E pra, dhe unë, si shumëkush, kisha ardh’ te nji nga këto viktima, që, në vend t’i mbroja, në një farë mënyre, po i shfrytëzoja. Nuk di sa realist jam, e sa të drejtë kam, që arsyetoj kësisoj, por nuk dua të të mashtroj. Këto mendime më vunë poshtë, sepse, në vend që të tregohesha burrë, ta vija nën vete ashtu siç lypet e ajo ta ndjente forcën time mashkullore, erdha e u lëshova dhe pasioni që më kish sjellë aty po fikej dalëngadalë. Kurrë ndonjëherë në jetën time s’jam ndjerë aq keq sa në krahët e asaj femre të panjohur. Atëherë, ashtu si më erdhi, ia mora kokën në mes dy duarve, e shtrëngova fort pas gjoksit, pastaj e putha dhembshurisht në fytyrë, në sy, në ballë. Jo një herë, por disa herë dhe dikur e largova nga vetja, ndërsa ajo më vështronte e çmeritur dhe e çatrafilluar dhe pëshpëriste ca fjalë që unë s’ ja merrja vesh.

Më në fund u ngrita e mora të vishem ngadalë, i menduar, me sytë nga ajo, i bindur se vështrimi im barte mirësi, ndjesë, dashuri njerëzore, që ajo e meritonte. Më ngushëllonte shpresa se gjithë ç’po ndodhte me mua, në gjysmë terrin e asaj dhome, nuk e kishin fyer e aq më tepër lënduar atë grua fatkeqe. Në pamundësi të merreshim vesh me fjalë, unë i flisja asaj me heshtjen time dhe ajo më duket se këtë e kuptoi. Sepse, para se të ndaheshim, ajo u ngrit në këmbë, m’i mori duart e m’i puthi, me sytë e saj të lagur. Pas këtij gjesti s’kisha pse ta zgjasja më, u shkëputa njerëzisht dhe dola nga dhoma”.

Kjo ishte e gjithë historia, Andre, që mori shkas prej teje, por me thanë të vërtetën dhe unë thellë vetes, si çdo mashkull, e dëshiroja. Por ja që nuk funksionoi, jo se unë nuk isha burrë, por burri i vërtetë, siç e konceptojmë unë e ti, s’ka pse e provon me viktimat e shoqërisë”.

Vargu i tij dhe proza e tij janë plot me figura grash, shume prej të cilave prostituta të pa lumtura, për të cilat Migjeni ndjen mëshirë dhe po ashtu dhe interes të hapur seksual. Në sytë me lot dhe buzë të kuqe, që tërheqin vëmendjen e tij, pjesët e tjera të trupit janë rrallë herë paraqitur. Për Migjenin vetë seksi nënkupton vuajtje. Pasioni dhe dëshirat shpërthyese gjenden gjithkund në vargjet e tij , por gjithashtu në mënyrë të barabartë, jepet spektri i intimitetit fizik, i portretizuar me terma neverie dhe keqardhjeje. Kështu është për shkruar me shumë fytyrshmërinë shtazarake në vargun e 105 të Poemës të Mjerimit, shkruhet :

“Mjerimi tërbohet në dashuni epshore.

Nëpër skaje t’errta, bashkë me qej, mij, mica,

mbi pecat e mykta, të qelbta, të ndyta, të lagta

lakuriqen mishnat, si zhangë; të verdhë e pisa;

kapërthehen ndjenjat me fuqi shtazore,

kafshojnë, përpijnë, thithen, puthen buzët e ndragta

edhe shuhet uja, dhe fashitet etja

n’epshin kapërthyes, kur mbytet vetvetja.

Dhe aty zajnë fillin të marrët, shërbtorët dhe lypsat

që nesër do linden me na i mbushë rrugat.”

Duke konsideruar nga mosha e re, kur ai vdiq Migjeni kur vepra e tij shënonte, vetëm fillimin dhe shumë të tjerë e konsiderojnë si të përfunduar krijimtarinë e tij. Në fakt, Migjeni reflektonte depresionin dhe stresin e intelektualeve evropiane. Në këtë dilemë, për t’u diskutuar, duhet shtuar se la gjurmë në prurjen si kronist i vuajtjeve njerëzore por edhe materiale të Shqipërisë së kohës, ku sublimohet ideologjia e kohës edhe filozofia e Niçes, që pohonte”: Ne kemi njëfarë lirie për të krijuar rregullat tona dhe për të vepruar mbi to – një krijimtari artistike në një unitet dinamik si burim i lirisë dhe kuptimit tonë në jetë (të ngrihemi mbi instinktet tona primitive / budallaqe!).

” Në fakt e gjithë poezia e Migjenit duket, sikur këlthet, fjalët e filozofit të madh gjerman:

“Ju keni rrugën tuaj, unë kam rrugën time, sa i përket mënyrës së drejtë, mënyrës së saktë dhe mënyrës së vetme, nuk ekziston”. (Niçe)

Në fund do ta mbyllja me fjalët e një poeti tjetër të madh, bashkëkohës së Migjenit, të cilin kur e pyetën: “Ju Lasgush si mendoni, a është Migjeni shkrimtar i realizmit socialist?”.

Ai shtrembëroi buzët, kruajti zërin dhe shqiptoi fjalët: “Migjeni është poet dhe kjo mjafton. Pse është dhe ka mbetur i tillë ne e përmendim me nderim edhe sot, në mes kësaj bahçe të bukur të ngarkuar me mollë. Përndryshe, asnjëri nga ne nuk do t’ia dinte emrin. Po ja që ja dimë, dhe kjo do të thotë se ai është poet, është shenjtor i artit!”

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Bulëza të filozofisë së Niçes, në veprën e Migjenit, Rafael Floqi

11 Shtatori gjithnjë është një thirrje për vigjilencë

September 11, 2018 by dgreca

Amerika pas 11 Shtatorit, ideologjia e islamit radikal dhe strategjia e presidentit Trump/

1 Trump 11 shtator

Nga Rafael Floqi/

1-rafel-floqi3

Për banorët e New York-ut, por edhe për shumë amerikanë e qytetarë të botës, 11 Shtatori i vitit 2001 nuk do të harrohet kurrë. Edhe sot si 17 vjet më parë janë të freskëta skenat kur dy aeroplanë që transportonin pasagjerë u përplasën me ato që njiheshin si Kullat Binjake. Avionët ishin marrë peng nga një grup terroristësh të organizuar e frymëzuar nga Al Kaeda. Dy avionë të tjerë gjithashtu ndryshuan rrugën e parashikuar atë ditë, njëri duke u përplasur në selinë qendrore të Pentagonit e tjetri u rrëzua pa arritur Washington-in nga kundrëveprimi i pasagjerëve amerikanë. Në mes mijëra vetëve që humbën jetën atë ditë, ishin edhe tre shqiptaro-amerikanë: Simon Dedvukaj, Rrok Camaj dhe Mon Gjonbalaj. 11 Shtatori 2001 nuk ishte vetëm një sulm kundër Amerikës e New York-ut, por një sulm kundër mbarë njerëzimit, dhe ai ndryshoi botën për gjithmonë. Sot, 17 vjet më vonë, kur SHBA e bota po kujton viktimat e asaj tragjedie, edhe ne këtu në komunitet kujtojmë me respekt e dhimbje tre bashkatdhetarët tanë. Por edhe biem në mendime.

11 Shtatori, tregues i plagëve tona të pashëruara

Por koha ka kaluar, tani në New Jork në vendngjarjen e tragjedisë, u rihap të shtunën një stacion nëntokësor metroje, dikur i shkatërruar, kur u shembën Kullat Binjake, pothuajse dy dekada pas sulmeve të 11 Shtatorit. Stacioni është një nga pjesët e fundit më të rëndësishme të Qendrës Tregtare Botërore që u rihap, ndërsa në Manhattan vazhdohet të rindërtohet ajo çka humbi nga tragjedia. Rruga e Cortlandt Street në Linjën nr. 1, e cila ndodhej drejtpërdrejt nën Qendrën Botërore të Tregtisë, ka qenë e papërdorur për 17 vitet e fundit – megjithëse ka pasur mjaft ndërtime lart, duke përfshirë Qendrën e re të Tregtisë dhe Transportin Oculus Hub.

Që kur kullat u rrëzuan një pjesë të ndërtesave ranë përmes terminalit. Fotot e marra pas sulmit tregojnë stacionin e varrosur nën mbeturina, dhe një vrimë të hapur mbi të, ku dukeshin trarët metalikë që kërruseshin në gjysmën e tyre. Tavani duhej të rinovohej plotësisht dhe duhet të rindërtoheshin 1,200 metra rrugë. Të shtunën e kaluar në mesdite trenat filluan të rendin në stacionin, qe tani quhet WTC Cortlandt,. Rihapja u bë vetëm pak ditë përpara 17 vjetorit të sulmeve të 11 Shtatorit. Kanë kaluar 17 vjet por sa gjera kanë ndryshuar qysh nga ajo ditë?

Ka kaluar mjaft kohë kur ajo heshtje e rëndë zëvendësoi lotët e zemëruar. Megjithatë pothuajse të gjithë amerikanet mbi moshën 21 vjeçare mund të tregojnë se ku gjendeshin, kur mësuan se Amerika papritur ishte në luftë me një armik të fshehtë. Ky është një tregues i plagëve tona të pashëruara se është pothuajse e pamundur të mendosh për një roman të madh, film apo seri televizive dramatike që mos ketë trajtuar 9/11 si temën e saj qendrore. Por edhe pse një sukses edhe vdekja e Osama bin Ladenit në vitin 2011, nuk solli paqe në Afganistan dhe as pakësim të kërcënimit terrorist në mbarë botën.

Kalimi i kohës ka bërë disa momente që duken të vogla ne kujtesën tone pas 9/11. Si ai p.sh kur Xhorxh W. Bushi vizitoi atëherë një qendër islamike më 17 shtator, dhe deklaroi: “Amerika numëron miliona muslimanë në mesin e qytetarëve tanë dhe myslimanët japin një kontribut jashtëzakonisht të vlefshëm për vendin tonë. … Dhe ata duhet të trajtohen me respekt. Në zemërimin dhe emocionet tona, amerikanët tanë duhet të trajtojnë njëri-tjetrin me respekt “.

Një klishe e pashmangshme në ditët pas 11 Shtatorit ishte refreni që amerikanët duhej të vazhdonin të bënin një jetë normale ne çdo aspekt (qysh nga udhëtimet me aeroplan, blerja e pajisjeve të mëdha ose hyrja në një kinema të mbushur plot e përplot me njerëz shkuarja në koncerte), ose përndryshe terroristët do të kishin fituar.

Privaci vs. Siguri

Një gjurmët e përhershme që mbetet edhe sot, 17 vjet më vonë, ku gjërat duken më normale në sipërfaqe, përsëri përbrenda në ndërgjegjen njerëzore mbeten dyshime. Ne bëjmë gjerat e zakonshme, shkojmë në punë, vizitojmë dentistin, shkojmë në pazar , shohim një seri televizive dhe planifikojmë të ardhmen tonë sikur 9/11 nuk ka ndodhur. Por frika e terrorizmit ka lënë një gjurmë të përhershme në psikologjinë tonë. Një anketë e Institutit Gallup në qershor zbuloi se 38 përqind e amerikanëve thonë se ata kanë më pak gjasa të marrin pjesë në event të madh dhe 26 përqind syresh kanë më pak gjasa të hyjnë në rrokaqiejt për shkak të frikës nga terrorizmi. Çuditërisht, sipas Gallup, më pak amerikanë (32 përqind) janë të gatshëm të shkonin në tubime të mëdha në nëntor 2001, dy muaj pas sulmeve. Dhe sot, dramatikisht, 57 përqind e republikanëve në krahasim me 35 përqind të demokratëve thonë se ata janë “shumë të shqetësuar” ose “disi të brengosur” në mos ata ose ndonjë anëtar i familjes do të jenë viktimë e terrorizmit. Jeta jonë e përditshme ka ndryshuar sot në mënyra të tjera, që ne mezi vëmë re, por prapë kjo mbetet e dukshme Personeli i armatosur që ruan aeroportet dhe stacionet e trenave tanë, tani është një dukuri rutinë. Këto ditë, ne jemi të detyruar të tregojmë licencën e shoferit disa herë në ditë – dhe rrallëherë kjo për shkelje trafiku. Sot e drejta për privatësi, vazhdimisht po gërryhet në emër të sigurisë. Këto janë kompromise që shumica e amerikanëve do t’i pranonin në këmbim të 17 viteve, pa pasur ndonjë një sulm te madh terrorist, si ai i 11 Shtatorit. Por konsensusi popullor nuk duhet të na verbojë se poashtu në realitet ne kemi marrë vendime në emër të sigurisë, gjë brezat e mëparshëm të amerikanëve do t’i kishin të vështirë për t’i kuptuar. Gjë të cilat madje sot maturantët e sotëm 17 –vjeçarë i quajnë si të mirëqena, pasi ata nuk arrijnë ta kuptojnë ndryshimin , dhe për ta, 11 Shtatori është vetëm 2 faqe më shumë në Historinë e Amerikës. Shumë ujëra kanë rrjedhur dhe gjërat kanë ndryshuar .

Pas 17 vjetësh, terroristët e 11 Shtatorit të padënuar

Por ende mbetet një pikëpyetje e madhe, pse terroristët si Khalid Sheikh Mohammed, ideatori i 11 Shtatorit një militant islamik pakistanez i burgosur nga Shtetet e Bashkuara në kampin e burgut të Guantanamos në bazë të akuzave për terrorizëm , i cili u quajt si “arkitekti kryesor i sulmeve të 11 Shtatorit” në Raportin e Komisionit të 11 Shtatorit, edhe sot pas 17 vjetësh ai dhe të tjerët edhe pse e pranuan fajin mbeten i pa ekzekutuar? Administrata Obama dhe ish -Prokurori i Përgjithshëm, Eric Holder duhet ta sqarojnë këtë .

Kur presidentit Donald Trump caktoi drejtoren e re CIA-s, Gina Haspelin, Komiteti i Inteligjencës i Senatit ishin më të interesuar për rolin e saj të diskutueshëm në programin e “waterbording” të epokës Bush. Dhe për ironi , kritiku i saj i fundit nuk ishte ndonjë grup i të drejtave të njeriut apo një senator demokrat –por vetë Khalid Sheikh Mohammed, organizatori i sulmeve terroriste të 11 Shtatorit.
Ai u torturua gjithashtu nga CIA, duke përfshirë edhe duke u mbytur me ujë – dmth “ waterbording”. Duke u mbytur dhe duke u mbytur në mënyrë të përsëritur duke derdhur ujë mbi një pëlhurë në gojë dhe hundë derisa ai ishte afër mbytjes – 183 herë gjatë 15 seancave ndërsa ishte në paraburgim në SHBA. Aktualisht ai është arrestuar në burgun amerikan në Gjirin e Guantanamos, Kubë – dhe se ai duket se ka diçka për të thënë për Gina Haspelin. Duket se ai Jihadin e tij po e vazhdon nga burgu kundër sistemit gjyqësor amerikan.

Masat ndaj terrorizmit dhe rreziku i anti -muslimanizmit

Nga ana tjetër, nuk duhet bere asnjë gabim në lidhje me atë se terrorizmi radikal islamik është një kërcënim transcendental ndaj vlerave, lirisë dhe mënyrës sonë të jetës së Amerikës. Është absolutisht qesharake të mendohet se nxitja e një ndasie mes myslimanëve dhe jo-muslimanëve, ose ndalimi i njerëzve nga shtatë vendet që u vunë në shënjestër nga Presidenti Trump do të eliminonte terrorizmin në Amerikë. Që prej 11 Shtatorit, asnjë Amerikë nuk është vrarë nga një sulm terrorist nga të shtatë vendet (Irak, Siri, Iran, Sudan, Libi, Somali dhe Jemen) të veçuar në urdhrin ekzekutiv të Presidentit Trump.

Kohët e fundit, pjesa më e madhe e terroristëve që kanë vrarë amerikanë dhe qindra qytetarë në të gjithë botën, janë te rritur në vendet ku kryen aktet. Ashtu si varfëria, terrorizmi brenda vendit është një farë e keqe, shumë e vështirë për t’u çrrënjosur. Kritikët e presidentit Trump thonë se kjo politikë e tij shërben vetëm për të siguruar municione të rekrutimit për armiqtë që Amerika u ka shpallur luftë kundër të gjithë botës muslimane. Vlerësimet janë se vetëm 45,000 muslimanë mbështesin ISIS nga 1.8 miliardë muslimanë që ka në mbarë botën dhe 3 milionë në Shtetet e Bashkuara. Presidenti Trump duhet të dërgojë mesazhin tek myslimanët anembanë botës që ne e pranojmë se ISIS është një grup i vogël fanatikësh dhe nuk përfaqëson pikëpamjen mbizotëruese të shumicës dërrmuese të myslimanëve ndaj Perëndimit. Presidenti Donald Trump e bëri luftën kundër “terrorizmit radikal islamik” dhe kjo është bërë politika e SHBA-së. Duke e venë theksin mbi ideologjinë, kjo është një luftë ndryshe në kundërshtim me dy paraardhësit e tij. Ndërkohë që ish-Presidenti Xhorxh W. Bush dhe se Presidenti Barak Obama e kanë shmangur luftën ndaj terrorit në terma ideologjikë nga frika e tjetërsimit të aleatëve muslimanë, por Trump ka theksuar këtë dimension dhe nevojën për ta kundërshtuar atë ideologjikisht. Ai mbështeti “luftën ideologjike” kundër shtetit islamik dhe u zotua të punojë me NATO-n dhe “miqtë tanë në Lindjen e Mesme” dhe për të gjetur “tokë të përbashkët” madje edhe me Rusinë për të mposhtur ISIS-n, dhe duket se e arriti.

Por sot edhe pse rreziku i Shtetit Islamik është zvogëluar në masë të madhe, megjithatë degët e tij dhe grupet e tjera terroriste vazhdojnë të bëjnë kërdi në të gjithë botën. Lufta kundër terrorit tani renditet si lufta më e gjatë në Amerikë. Megjithatë, gjithnjë e më shumë, lufta kundër terrorizmit nuk zë vend më në titujt kryesorë te medias dhe është zëvendësuar nga politikat e ashpra vendore dhe pikat e nxehta si programi bërthamor i Koresë së Veriut dhe mosmarrëveshjet tregtare me Kinën. Sidoqoftë lufta kundër terrorit vazhdon të mbetet por se fusha e betejës për atë luftë po ndryshon ndjeshëm.

Kalifati Kibernetik i ISIS-t dhe ujqit e vetmuar

“Administrata ime do të ndjekë në mënyrë agresive operacione ushtarake të përbashkëta dhe me koalicionin për të shtypur dhe shkatërruar ISIS-in, me bashkëpunimin ndërkombëtar për të prerë fondet e tyre, për të zgjeruar shkëmbimin e inteligjencës dhe për “cyberwarfare” për të prishur dhe çaktivizuar propagandën dhe rekrutimin e tyre”, tha para inaugurimit Trump..

Sot në Lindjen e Mesme, fushata ushtarake e zhvilluar nga SHBA dhe partnerët e saj të koalicionit gjatë dy viteve të fundit e kane degraduar me sukses “kalifatin” fizik të grupit të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri. Por mesazhi dhe apeli ideologjik i grupit vazhdojnë të rezonojnë, nëpërmjet internetit dhe mediave sociale si pjesë e një strategjie të sofistikuar të medias globale. Për më tepër, shteti islamik tani gjithashtu përbën një lloj tjetër kërcënimi, pasi “nxënësit” e prototipit të tij radikal në Siri dhe Irak (janë përhapur ne më shumë se 80 vende të ndryshme)po fillojnë të kthehen në vendet e tyre të origjinës. Ndërkohë, grupe të tjera terroriste kanë lulëzuar në hije, të ndihmuar nga preokupimi kryesor i Amerikës me grupin e Shtetit Islamik. Duke përfituar , si rezultat i operacioneve të koalicionit në Afganistan, al-Kaeda ka përdorur vitet e kaluara mundësinë për të rindërtuar rrjetet e veta dhe për të rimarrë veten si një alternativë më autentike dhe e moderuar lokale ndaj Shtetit Islamik, me rezultate të rëndësishme. Ekspertët tani thonë se rrjeti Bin Laden kontrollon më shumë territore sesa në çdo kohë në historinë e tij dhe e ka pozicionuar veten si një kërcënim afatgjatë për Perëndimin. Talibanët gjithashtu po ringjallen në Afganistan, ku edhe një herë paraqet një sfidë në rritje për qeverinë e dobët qendrore të atij vendi. Dhe në Afrikë, grupet si Boko Haram i Nigerisë dhe Shabaabi i Etiopisë vazhdojnë të kërcënojnë paqen kontinentale, pavarësisht nga përpjekjet më të mira të autoriteteve lokale. Në të vërtetë, vendet në mbarë botën tani po ballafaqohen me një raund të ri kërcënimesh terroriste – të nxitur nga rënia e grupit të Shtetit Islamik, si dhe nga ringjallja e ekstremizmit lokal. Sulmet e kohëve të fundit në vende si Surabaya, Indonezi , ne Francë, në Britani, Kanada, sulmet me makina si ato në Londër apo New York dhe komplote të tilla si përpjekja e dështuar për të shpërthyer një paradë të katërt të korrikut në Cleveland, Ohio, tregojnë faktin se grupi i Shtetit Islamik dhe udhëtarët e tij ideologjik vazhdojnë të ushtrojnë fuqinë për të frymëzuar, mobilizuar dhe kërcënojnë shoqëritë demokratike. Administrata dhe profesionistët e sigurisë në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë e kuptojnë këtë shumë mirë, edhe nëse publiku dhe elitat politike gjithnjë e më shumë nuk e bëjnë këtë. Tani shumica e sulmeve janë nga të ashtuquajturit ujq të vetmuar, që indoktrinimi i tyre është ideologjik neper mediave sociale. Në të vërtetë, Europol, autoriteti i zbatimit të ligjit në Evropë, kohët e fundit e klasifikon kërcënimin e terrorizmit në Evropë si “të lartë”, pavarësisht nga rënia e Shtetit Islamik. Dobësimi i sigurisë ne Evropë rrjedh edhe nga emigrimi i shkallës së lartë nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut që ka ndodhur gjatë gjysmë dekadës së kaluar – emigrim që ekstremistët islamikë janë përpjekur të shfrytëzojnë për të depërtuar në eurozonë. Këtë kërkon të kufizojë politika Trump e emigracionit.

Ndërkohë, thirrja e përhershme e Shtetit Islamik, al-Kaedas dhe e bashkëpunëtorëve te tyre të ndryshëm ka nxitur vende të ndryshme nga Azia Qendrore dhe Afrika e Veriut për të rritur përpjekjet e tyre për të luftuar ideologjikisht ekstremizmin islam.

Strategjia e re Trump-it

Tani presidenti Donald Trump thuhet se po adopton një strategji të re në Siri që do bënte që shohë trupat amerikane të qëndrojnë në Siri pafundësisht. Tani që grupi terrorist ISIS është larguar kryesisht në shkretëtirë, administrata Trump dëshiron të përqendrohet dhe të sigurohet që të gjitha forcat iraniane të largohen nga Siria përpara, tha një përfaqësues i Departamentit të Shtetit të enjten. Xhejms Xhefri, një oficer i shërbimit të jashtëm i pensionuar, i cili ishte përzgjedhur kohët e fundit nga Sekretari i Shtetit Mike Pompeo për të qenë përfaqësuesi i tij për angazhimin e Sirisë, u tha gazetarëve:

“Politika e re nuk është se nuk do te tërhiqemi nga Siria deri në fund të vitit”. Ai shtoi: “Kjo do të thotë që ne nuk jemi me ngut.” Jeffrey tha se është “i bindur” se Trump ka plan të ri, të cilin ai tha se do të përfshijë një “iniciativë të madhe diplomatike” që do ta shpalosë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Ajo që ekspertët e sigurisë dhe qeveria amerikane e di se edhe në dekadën e kaluar Shtetet e Bashkuara arritën fitore të mëdha strategjike kundër rrjetit Bin Laden, bashkëpunëtorëve të tij dhe degëve të tij (si Shteti Islamik). Por megjithatë në Amerikë nuk duhet të lulëzojë një ndjenjë e rremë sigurie nga këto suksese. Nevojitet vigjilencë dhe kërkime të vazhdueshme për ta kuptuar sfidën e vazhdueshme që vjen nga radikalizmi islamik – dhe duhet që politikëbërësit amerikanë të jenë në gjendje të krijojnë politika të përshtatshme për të trajtuar ndryshimet e kërcënimit terrorist, që të mos kemi një tjetër, 11 Shtator.

Filed Under: Politike Tagged With: 11 shtatori, amerika, Presidenti Trump, Rafael Floqi

Bamirësia dhe dashuria- filozofia e Nënë Terezës

August 28, 2018 by dgreca

1 Nene-Tereza-155x300-Me rastin e 108-vjetorit të lindjes/ 

1-Floqi-raf2-300x263

Nga Rafael Floqi/

Agnesa Gonxhe Bojaxhiu lindi më 26 gusht 1910. Ajo është një ikonë e humanizmit bashkëshoqëruese e njerëzve të së gjitha feve, për një arsye që ngërthehet në fjalën “nënë”. Sipas fjalëve të Shekspirit, nëna është vetë ‘mishërimi i cilësisë së mëshirës’, dhe ky është virtyti më i lartë që mund të gjesh tek Nëna. Të njëjtën cilësi të  mëshirës së nënës, të  dashurisë dhe kujdesit që mund ta gjejmë, edhe tek ajo që nuk qe vetë një nënë biologjike, por nëna e gjithë botës ,- “ Nënë Tereza”,  gjë që e bën vlerën e mësimeve të saj, të kenë vlerë universale.

Vlera e njeriut nuk rrjedh nga ajo çka bëni në jetë, por nga ajo kush jeni

Kur ju të ndiheni të çorientuar në jetën tuaj meditoni, mbi këto fjalë të Nënë Terezës. Kjo mençuri do t’ju kujtojë që të mos e quani si vlerë tuajën vetëm atë që bëni, por atë se kush jeni me të vërtetë. Nuk është një ndjesi e pazakontë. Ju mund të keni  planin tuaj te mbushur plot e për plot,  lista juaj e punëve që duhet të bëni në jetë është e pafund, por ende jeta ju duket sikur nuk ka as drejtim, qëllim e kuptim? Ju filloni të pyesni veten pse nuk qenka punë të vështirë t’i jepni kuptim e qëllimit që keni menduar të arrini në jetë. Ndonjëherë ne i japim aq shumë vlerë rezultatit dhe harrojmë se produktiviteti nuk është ajo që na përcakton ne si individë. Vlera e njeriut nuk rrjedh nga ajo që ju bëni e arrini në jetë, por nga ajo kush jeni me të vërtetë.
Shën Tereza e Kalkutës i pat shkruar fjalët e mëposhtme, parë nga këndvështrimi i Jezusit për të na kujtuar burimin e vërtetë të vlerës të jetës sonë si njerëz :
“Unë e njoh ju përbrenda dhe përtej – Unë di gjithçka mbi ju. Unë ju kam numëruar edhe qimet e  kokës. Asgjë në jetën tënde nuk është e parëndësishme për Mua. Unë Ju kam ndjekur gjatë viteve të jetës dhe gjithmonë ju kam dashur. Unë di çdo një nga hallet tuaja, unë ua njoh nevojat dhe shqetësimet tuaja. Dhe, po, po ua njoh edhe mëkatet tuaja. Por unë, po ju them përsëri, se unë ju dua – jo për atë që keni ose nuk keni bërë, – Unë ju dua për atë që ju jeni, për bukurinë dhe dinjitetin që Ai ju dha juve, duke ju krijuar, sipas imazhin të Tij “.

Nënë Tereza ishte gjithashtu një apostull i madh i zakonshëm, pasi ofronte një qasje ndaj dashurisë, e cila nuk u përqendrohej në ngjarjet e mëdha, apo në lëvizjet gjeopolitike, por në marrëdhëniet njerëzore, duke filluar me ato të njerëzve që ishin më të afërt me të.

Më mirë të digjeni si një qiri, sesa të mallkoni errësirën

“Në qoftë se unë bëhem ndonjëherë një shenjtore, pat thënë ajo, unë me siguri do të jem një e ‘shenjtore errësirës’, pasi unë vazhdimisht do të mungoj nga qielli – për të ndriçuar dritën e atyre që gjenden në errësirë në tokë”.

Këto fjalë të Nënës ofrojnë një çelës për të kuptuar jetën e saj shpirtërore dhe filozofinë e vërtetë  të jetës së saj. ‘Ejani në dritën time’ ishte ajo çka Jezusi i pat kërkuar Asaj, dhe Nënë Tereza u përpoq të ishte ajo drita e dashurisë së Perëndisë në jetën e atyre që përjetonin errësirën.
Tri aspekte të jetës së brendshme të Nënë Terezës, u zbuluan gjatë procesit të kanonizimit te saj, burojnë pikërisht nga betimi privat që kishte bërë qyshkur ajo ishte ende një murgeshë Loreto, përvojat mistike që rrethonin frymëzimin për të formuar Misionarët e Bamirësisë dhe shkëmbimin e saj intim në kryqin e Krishtit, nëpërmjet gjithë atyre viteve të gjata të errësirës së brendshme. Përvoja e saj e dhimbshme e brendshme ishte një pjesë thelbësore e jetesës dhe e misionit të saj. Ishte një ndërshkëmbim me Pasionin e Krishtit në Kryq, me një theks të veçantë mbi etjen e Jezusit si me misterin e dëshirës së Tij për dashurinë dhe shpëtimin e çdo njeriu.
Përfundimisht, ajo e zbuloi vuajtjen e saj misterioze si një gjurmë të pasionit të Krishtit në shpirtin e saj. Ajo po jetonte misterin e Kalvarit – Kalvarin e Jezusit dhe Kalvarin e të varfërve.
Ajo rrezatonte dashurinë dhe gëzimin duke siguruar kujdesin për shtypurit dhe të braktisurit të shoqërisë njerëzore, duke mos u turpëruar nga vuajtjet e tyre materiale dhe shpirtërore, nga gjendja e tyre e të qenit “të padëshiruar, të padashur, të pakujdesshëm”, për të mos pasur askënd pranë. Duke iu përgjigjur thirrjes së Perëndisë si një murgeshë fetare, ajo i dëgjoi fjalët e Zotit: «Çfarëdo që të bëni për këta njerëz, ju ma bëni mua. Sepse, kur unë isha i uritur, më dhatë për të ngrënë; kur isha i etur, ju më dhatë për të pirë; ku isha i huaj ju më mirëpritët, kur qeshë lakuriq ju më veshët; kur qeshë i sëmurë ju u përkujdesët ; kur qeshë i burgosur ju erdhët më vizituat”.

“Kjo ishte ftesa, ky ishte apeli, ishte një thirrje brenda një thirrjeve, një filozofi dhe një thirrje për ndërgjegjen e saj për të punuar për miliona njerëz të privuar nga e gjithë bota. Dita e frymëzimit filloi më 10 shtator 1946, kur Nënë Tereza, pastaj tridhjetë e gjashtë vitesh kur po shkonte për pushimet e saj vjetore të shkollës në Darjeeling, një qytet i vendosur në ultësirat e Himalajeve.

Takimi mistik me Krishtin ishte një ‘thirrje brenda një thirrjeje’. Ishte thirrja e dytë. Dëshira e pafundme e Perëndisë për të dashur dhe për t’u dashuruar.

‘Zëri’ – thoshte ajo, ishte një dialog – një ndërveprim shpirtëror në mes Jezusit dhe vetes. Ai iu drejtua asaj si: ‘Bashkëshortja ime’ ose ‘vogëlushja ime e vetme’ dhe ajo në këmbim u përgjigj duke thënë: ‘Jezusi i Jezusit’ ose ‘Dëshira ime e Jezusit tim për këmbyer dashurinë me dashuri. Me këtë shkëmbim, Jezusi po e zbulonte zemrën e Tij: dhimbjen, dashurinë, dhembshurinë dhe etjen e tij për ata që vuajnë më së shumti. Zëri e ftoi atë të ishte drita e të varfërve, duke shpërndarë errësirën dhe duke sjellë gëzim në jetën e atyre që janë lënë pas dore nga bota. Ajo u bë drita e vërtetë e Jezusit duke thënë: «Është më mirë të digjeni si një qiri, sesa të vetëm të mallkoni errësirën.»

Kjo zbulesë pati një jehonë të thellë në shpirtin e saj për të jetuar për varfrit. Kështu  dashuria e nënës zu rrënjë  ‘. Ajo përdorte dhe shpërndante “një kartë të vogël biznesi”, me një nga thëniet e saj të njohura – që tregonte  rrugën e saj drejt paqes:  “Fryt i heshtjes është lutja, fryt i lutjes është besimi, fryti i besimit është dashuria, fryt i dashurisë është shërbimi dhe fryti i shërbimit është paqja”.

“Ishte ky qëndrim njerëzor i Nënës që e çoi atë thellë në detin e njerëzimit me mesazhin e dashurisë, mirëkuptimit, paqes dhe gëzimit. Shumë njerëz mund të mos jenë të vetëdijshëm se Nëna Tereza i fuste një stres të madh vetes, duke vuajtur në heshtje, që ishte në fakt soditës mjaft aktiv ta shihje. Ajo i tregoi botës se ana shpirtërore dhe veprimi shkojnë dorë për dorë. Ajo provoi se aktivizmi shoqëror me dashuri, kujdesi dhe besimi në Zot mund të bashkëjetonin në një harmoni të përsosur. Ajo bëri të sajat fjalët e Shën Françeskut të Asizit: “Zot, më bëj një kanal paqeje; aty ku ka urrejtje, më lejoni të sjell dashurinë tuaj; aty ku ka dëme o Zot fali, dhe ku ka errësirë sill dritën tënde “, që e entuziazmoi atë për të sjellë krijuesin e vërtetë të paqes në botën e kaosit dhe të katastrofës.

Në këtë kuptim, thotë Fr. Brian Kolodiejchuk, MC, Ph.D. që ishte postulator i Kauzës së Lumturimit  dhe Shenjtërimit të Nënë Terezës së Kalkutës dhe drejtor i Qendrës Nënë Tereza. që paraqiti dokumentet për shenjtërimin e saj të thoshte se jeta e saj nuk është vetëm “e admirueshme”, por shumë “e imituar”.

“Ne nuk kemi parë ndonjë rast që ka qartësinë e asaj që është pikërisht elementi i mrekullueshëm, provat para dhe pas ndërmjetësimit dhe ndërmjetësimi me Jezusin – siç ishte lutja për Nënë Terezën”, thoshte ai.

Dashuria, duhet të fillojë nga ata që janë më pranë nesh

Nënë Tereza këmbënguli që dashuria, duhet të fillonte nga ata që janë më pranë nesh. Ndryshimi i botës, me atë këndvështrim është në thelb ndryshimi i zemrave njerëzore një nga një. “Ajo besonte se bota kurrë nuk ka nevojë për paqe më shumë sesa sot, por ajo e adresoi atë në një nivel tjetër” . Qasja e saj, ishte e bazuar në “dashurinë dhe respektin për secilën prej qenieve njerëzore”. Çrregullimi shoqëror, sipas saj, ishte rezultat i mungesës së respektit për individët .

Ju nuk duhet të shkoni në lagjet e varfëra të Kalkutës, sugjeronte Frat Kolodiejçuk, për të përqafuar modelin e bamirësisë së Nënë Terezës. Në vend të kësaj, gjithçka është pranë  “brenda mundësive të çdo të krishteri dhe në çdo hap të jetës” – duke filluar nga ata që janë më të afërt për ju, përfshirë bashkëshortin, fëmijët, miqtë dhe fqinjët.

Heshtja kurrë nuk mund të korrigjohet

Frat Paul Murray që e njihte miri atë, vuri në dukje se një temë thelbësore në shkrimet e Nënë Terezës, përfshirë kushtetutën që ajo i vendosi për Misionarët e Bamirësisë, ishte “heshtja”.

Ndër të tjera, Nënë Tereza e kapi një herë vlerën e heshtjes në një mënyrë që shumë politikanë, ekspertë, madje edhe udhëheqës të kishës mund të bënin mirë të kujtonin se : “Heshtja kurrë nuk mund të korrigjohet”.

Ai kujtoi si me shaka, se Nënë Tereza përdorte një “kartë biznesi” për njerëzit që i takonte. Megjithatë, nuk përmbante titullin dhe informacionin e kontaktit, por parimet bazë të spiritualitetit të saj.  “Fryti i heshtjes është lutja.” Karta vazhdonte t’i referohej besimit, dashurisë dhe shërbimit, por praktika kryesore – ku ajo që hedh themelet për të tjerët – është heshtja. Pas zbulimit të shkrimeve të Nënë Terezës, Murray tha, se referimi ndaj “heshtjes” merr një kuptim krejtësisht të ri. Është e befasishme, se Nënë Tereza “kurrë nuk foli, as edhe një herë”, madje edhe atyre që ishin më afër saj, për agoninë e saj të brendshme. Si rezultat, drama e saj e brendshme shpirtërore u fsheh gjatë gjithë jetës së saj”.

Nënë Tereza foli për “pesë heshtje”: Heshtja e syve, heshtja e veshëve, heshtja e gojës, heshtja e mendjes, heshtja e zemrës. Të gjitha këto pesë heshtje, “kjo nuk kufizohej vetëm për punëtorët bamirës, për ata që jetojnë me varfrit e të varfërve.” Por ishte një rrugë mistike e hapur për të gjithë.

Të varfrit kanë më shumë për të na dhënë, sesa do duhet t’u japim

Nëna arriti lartësi të mëdha shpirtërore me dashuri të thellë për më të varfrit e të varfërve, sepse besonte me forcë se “të varfrit kanë më shumë për të na dhënë, sesa ne do duhet t’u japim”. Nuk pati kurrë një moment kur ajo, nuk u impresionua nga imigrantët, e bujaria e të varfërve. Për Nënën, ishte mjaft e qartë se mënyra e vetme që ajo mund t’u jepte të varfërve atë që ajo e mori lirisht nga Jezusi me dashuri, ishte ta donte Jezusin brenda tyre. Ajo thoshte, “Nëse vetëm një fëmijë pak i lumtur do të bëhej më lumtur me dashurinë e Jezusit … a nuk do të ishte e gatshme bota … të jepte gjithçka për këtë?”

Nënë Tereza e pësoi këtë errësirë shpirtërore në pjesën më të madhe të jetës së saj, por mbajti besimin e saj në mes të vuajtjeve thoshte Fr. Murray që pati disa kontakte me Nënë Terezën dhe diskutoi me të këto dhe aspekte të tjera të spiritualitetit të errët të shpirtit të saj. Por qe karizma e saj shpirtërore ndaj burrave dhe grave të varfëra, të krishterë dhe hindu, myslimanë dhe sik, të pasur dhe të varfër; i tërhoqi të gjithë ata që ta nderonin atë si një shenjtore të gjallë.

Lutja ishte një nga burimet jetësore në misionin e saj për të varfrit. Kështu, për të, lutja nënkuptonte dorëzimin e plotë ndaj Zotit dhe përjetimin e dashurisë së Tij , konkretisht dhe duke e ndarë atë dashuri në ndërveprim me të varfrit; pasi kush ishte i pafuqishëm në botën e fuqishme të së pasurve, arsyetonte ajo.

Një herë sapo pastroi plagën të një leprozi me dashuri të madhe, ajo e dëgjoi dikë që t’i thoshte nga turma: “U nuk do ta bëja atë gjë as edhe një milion dollarë”. “As unë, iu përgjigj ajo, por për Jezusin po, pasi vuajtjet e të cilit unë i shoh te reflektuar tek fytyra këtij personi”.

Sipas profesionit tim, unë i përkas botës

Ne vitin 1950, ajo themeloi urdhrin e saj të murgeshave të quajtur Misionaret e Bamirësisë që i shërbejnë tërësisht të varfërve. Shqiptarja trupvogël ishte kthyer në një legjendë të gjallë. Vetëm sipas te dhënave te vitit 1980, ajo ishte kujdestare e 7500 fëmijëve në 60 shkolla, mjekonte 960 000 të sëmure në 213 spitale, ishte e vetmja në botë që trajtonte 47 000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3 400 pleq te braktisur e të lënë rrugëve në 20 shtëpi pleqsh dhe kishte birësuar 160 fëmijë jetimë.

Në fjalën e saj për marrjen e çmimit Nobel, Nënë Tereza përcaktoi dhe misionin e saj në shkallë ndërkombëtare. “Me gjak, unë jam Shqiptare. Me shtetësi, jam Indiane. Me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit.”

Në 1982, në kulmin e Rrethimit të Beirutit, Nënë Tereza shpëtoi 37 fëmijë të bllokuar në një spital ushtarak duke ndërmjetësuar një armëpushim të përkohshëm ndërmjet ushtrisë Izraelite dhe guerilëve palestinez. E shoqëruar nga punëtorët e Kryqit të Kuq, ajo udhëtoi përmes zonës së luftës deri tek spitali I shkatërruar për të zhvendosur pacientët e rinj.

Kur Evropa Lindore pati një rritje në sinqeritet në fund të viteve 1980, ajo i zgjeroi përpjekjet e saj në vendet komuniste që më parë kanë refuzuar Misionarët e Bamirësisë, duke u përfshirë në shumë projekte. Ajo nuk u tremb nga kritikat për qëndrimin e saj kundër abortit dhe divorcit duke thënë, “ Pavarësisht kush thotë çfarë, ti duhet ta pranosh atë me një buzëqeshje dhe të bësh punën tënde.” Ajo vizitoi Republikën Sovjetike të Armenisë pas tërmetit të vitit 1988, dhe u takua me Nikolai Ryzhkov, Kryetari i Këshillit të Ministrave.

Nënë Tereza udhëtoi për të ndihmuar dhe shërbyer të uriturve në Etiopi, viktimave të rrezatimit në Cernobil, dhe viktimave të tërmetit në Armeni. Në 1991, Nënë Tereza kthehet për here të parë në vendlindjen e saj dhe hapi shtëpinë e Vëllezërve Misionarë të Bamirësisë në Tirane, Shqipëri. Deri më 1996, Nënë Tereza ishte duke punuar në 517 misione në më shumë se 100 vende. Gjatë viteve, Bamirësia e Misionareve të Nënë Terezës u zgjerua nga dymbëdhjetë në mijëra persona që u shërbejnë “me të varfërve nga të varfrit” në 450 qendra në mbarë botën. Shtëpia e parë e Misionarë të Bamirësisë në Shtetet e Bashkuara ishte themeluar në Bronksin e Jugut, Nju Jork; deri më 1984 asambleja punonte në 19 institucione gjatë gjithë vendit.

Pérez de Cuéllar : “Ajo ishte OKB-ja. Ajo ishte paqja në botë.”

Nënë Tereza vuajti një sulm në zemër në 1983 përderisa vizitonte Papa John Paul-in II. Pas një sulmi të dytë në 1989, ajo mori një stimulues kardiak artificial. Në 1991, pas një beteje me pneumoninë derisa ishte në Meksikë, ajo vuajti edhe me probleme të zemrës. Ajo ofroi ta lë pozicionin e saj si kryetare e Misionarëve të Bamirësisë, por motrat e asamblesë, në një votim sekret votuan që ajo të qëndronte. Nënë Tereza pranoi të vazhdonte punën e saj si kryetare e asamblesë.

Në prill 1996, Nënë Tereza u rrëzua dhe theu kockën e qafës. Në gusht ajo vuajti nga malaria dhe dështimi i barkushe së majtë të zemrës. Ajo pati një operim të zemrës por ishte e qarte se shëndeti I saj ishte duke rënë. Kryepeshkopi i Kalkutës, Henry Sebastian D’Souza, tha se kishte urdhëruar një prift për të performuar një ekzorcizëm mbi Nënë Terezën me lejen e saj kur ajo u shtrua në spital me problem kardiake sepse mendonte se ajo ishte nën sulmin e djallit. Në 13 Mars 1997, ajo la pozitën e kryetares së Misionarëve të Bamirësisë. Ajo vdiq me 5 Shtator 1997.

Në kohën e vdekjes së saj, Misionarët e Bamirësisë së Nënë Terezës pati mbi 4,000 motra, dhe një vëllazëri prej 300 anëtarësh, duke punuar në 610 misione në 123 vende.[12] Këto përfshinin bujtina dhe shtëpi për njerëzit me HIV/AIDS, me lebrozë dhe tuberkulozë, kuzhina supe, programe këshillimi për fëmijë dhe familje, ndihmës personal, jetimore dhe shkolla. Misionaret e Bamirësisë u ndihmuan edhe nga bashkë-punëtorët, të cilët ishin mbi 1 milion deri me 1990.

Nënë Tereza u preh në Shën Thomas, Kalkutë për një javë para funeralit të saj, në Shtator 1997. Asaj iu bë funeral shtetëror nga qeveria Indiane në shenjë falënderimi për shërbimin e saj për të varfrit e të gjitha feve në Indi. Vdekja e saj ishe u vajtua në komunitete laike dhe fetare. Ish Sekretari- Gjeneral i OKB Javier Pérez de Cuéllar tha: “Ajo është Kombet e Bashkuara. Ajo është paqe në botë.”

Murgesha misionare katolike shqiptare Nënë Tereza është një nga individët për të cilën është shkruar më shumë në historinë e botës. Ajo fitoi Çmimin Nobel të Paqes për punën e saj me të varfrit në lagjet e varfra të Kalkutës në vitin 1979. Ajo vdiq më 5 shtator 1997 dhe u  caktua nga Papa Gjon Pali II në një “rrugë të shpejtë ” më 19 tetor 2003 – drejt lumturimit hapi i parë drejt shenjtërisë. Në vitin 2002, Vatikani njohu si një mrekulli shërimin e një tumori në bark të një gruaje indiane, Monica Besra, pas aplikimit të një medaljoni që përmbanin figurën e Nënë Terezës. Besra tha se një dritë drite erdhi nga figura, duke shëruar tumorin kanceroz. Papa Françesku  miratoi një mrekulli të dytë të  Nënë Terezës, duke hapur rrugën për të që ishte njohur si “Shenjtorja e të mjerëve” që do të kanonizohej më 4 shtator 2016. Mrekullia e dytë përfshinte shërimin e një burrë brazilian me disa tumore në tru në vitin 2008 pas lutjes ndërmjetësuese të Nënë Terezës, tha atëherë Vatikani. Nënë Tereza i shërbeu njerëzve të varfër dhe të vdekur në ‘Qytetin e gëzimit’. Shenjtërimi i saj,  ishte një nga pikat kulmore të vitit jubilar të Mëshirës të Kishës Katolike.

Ejani në dritën time !

‘Ejani me dritën time’ ishte porosia që Jezusi kishte kërkuar dhe Nënë Tereza u përpoq të ishte ajo “dritë e dashurisë së Perëndisë” në jetën e atyre që po përjetonin errësirën.
Tri aspekte të jetës së brendshme të Nënë Terezës, të zbuluara gjatë procesit të kanonizimit të saj, janë së pari betimi privat që kur ajo të ishte ende një murgeshë në Loreto, përvojat mistike që rrethonin frymëzimin për të themeluar Misionarët e Bamirësisë dhe eksperiencat e saj intime në kryqin e Krishtit nëpërmjet viteve të gjata të errësirës së brendshme shpirtërore. Përvoja e saj e dhimbshme e brendshme ishte një pjesë thelbësore e jetesës së misionit të saj. Ishte një ndarje me Pasionin e Krishtit në Kryq, me një theks të veçantë mbi etjen e Jezusit, si mister i dëshirës së Tij për të përdorur dashurinë dhe shpëtimin e çdo njeriu.
Përfundimisht, ajo e njohu vuajtjen e saj misterioze si një gjurmë të pasionit të Krishtit në shpirtin e saj. Ajo po jetonte misterin e Kalvarit – Kalvarin e Jezusit dhe Kalvarin e të varfërve.
Ajo rrezatonte dashurinë dhe gëzimin, duke siguruar kujdesin për poshtëruarit dhe të dëbuarit e shoqërisë njerëzore, duke mos u turpëruar nga vuajtjet e tyre materiale dhe shpirtërore, nga gjendja e tyre të së qenit “të padëshiruar, të padashur, të pakujdesshëm”, duke mos pasur pranë askënd. Duke iu përgjigjur thirrjes së Perëndisë si një murgeshë fetare, ajo i dëgjoi fjalët e Zotit: «Çfarëdo që të bëni për këta njerëz, ju ma bëni mua. “Ky ishte një ftesë, një thirrje brenda një thirrjeje, një filozofi dhe një thirrje për ndërgjegjen e Nënës, për të punuar për miliona njerëz të privuar nga e gjithë bota.
“Nëna nuk kishte asnjë iluzion dhe nuk kishte premtime të mëdha, se ajo do të zhdukte varfërinë ose vuajtjen nga faqja e dheut. Ajo besonte se puna e saj ishte vetëm një pikë uji, kur ajo që nevojitej ishte një oqean i tërë i dhembshurisë, por shtoi: “Nëse unë nuk do ta kisha vënë atë pikë, oqeani do të deshte një pikë më pak”.

Nënë Tereza ndër të tjera u bë një nga urat ndërlidhëse të njohjes së shqiptarëve në botë. Bill Clinton është shprehur në qershor 2002 se : “Nënë Tereza, ishte e para Ajo qe më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani ndihem shumë krenare që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë”.

Por origjina shqiptare nuk duhet absolutizuar. Duke qenë shqiptare Nënë Tereza nuk i përket vetëm Shqipërisë, guacka etnike do ta kufizonte punën dhe lavdinë e saj. Gonxhja u bë qytetarja e botës, e popujve, feve dhe e qytetërimeve.

“Në qoftë se unë bëra ndonjëherë një shenjtore, unë me siguri do të jem një shenjtore e ‘errësirës’ që unë vazhdimisht do të mungoj nga qielli – për të ndriçuar dritën e atyre që janë në errësirë në tokë”, pat thënë  Nënë Tereza. Këto fjalë të nënës ofrojnë një çelës për të kuptuar jetën e saj shpirtërore dhe me të vërtetë filozofinë e saj të jetës. Sot ne nuk duhet të imitojmë atë që bëri ajo, por ne mund t’i bëjmë gjërat e zakonshme më me dashuri.

Filed Under: Featured Tagged With: e Nene Terezes, Filozofia, Rafael Floqi

Kampi i Tepelenës, jo Aushvic, por Gulag ?

August 22, 2018 by dgreca

Ku gabon dhe ku ka të drejtë, Joe Dioguardi/

1-rafael

Nga Rafael Floqi /

Çdo krahasim natyrisht çalon. Dhe një letër e Joe Dioguardit drejtuar kryetarit te Bashkisë së Tepelenës, botuar jo pa qëllim tek gazeta “Dita” me nëntitull ekskluziv, është një kurth i vogël spekulativ së kësaj gazete shqiptare, apo të “Tërmetit të Votës publicitar “ ku kanë rënë edhe figura të diasporës me vlerë kombëtare. si zoti Joe Dioguardi, kryetar i LQSHA, po ku edhe për arsye emocionale të kuptueshme edhe njerëzore u indinjuan, edhe mendje të ndritura si Prof . Sami Repishti apo z. Lekë Mirakaj, i mbijetuar i tmerreve të këtij kampi, të cilët shprehin jo pa dhimbje kundërshtimin e tyre të kuptueshëm dhe të drejtë, si përjetues e përvuajtës të atij tmerri dhe që kanë mbajtur vetë apo familjarisht, mbi shpinë e shpirt, si përvoja dhe gjurmë çnjerëzore të atij ferri komunist që kaluam.

Ideja e letrës personale dhe jo publike e zotit Dioguardi bëhet mendoj, jo që të mos kujtohen viktimat e krimeve komuniste, por për ruajtjen e asaj arritje, që ai ka bërë në lobimin e tij në bashkëpunim me lobin e fuqishëm izraelit në SHBA, pa bashkëpunimin e me të cilin, nuk do të kishte pasur sukses puna lobiste në favor te çështjes kombëtare shqiptare, si ajo e Kosovës, Ky motiv i zotit Dioguardi është qëllimmirë, po i ngushtë, i lidhur me lobimin e tij dhe raportet me lobin çifut dhe jo me kontekstin e gjerë të çështjes të Kampit të Tepelenës e të jehonës së tij famëkeqe në realitetin shqiptar.

Nuk dua të bëj avokatinë e tij, por ky duket se është motivi i kësaj letre. Ideja e emërtimit te kampit si Aushvic, ka në konotacion mjaft të fortë, dhe e parë me syrin e një amerikani, apo me atë të një izraeliti amerikan, me ngjyrimin e tij ky togfjalëshit emocional “Aushvici shqiptar “ le shteg për keqinterpretime, tingëllon në veshët e diasporës izraelite amerikane, mike të shqiptarëve , “Sikur shqiptarët kanë pasur një kamp ku vrisnin çifutët”.(Sic!) Kësaj ideje kërkon t’i qëndrojë sa më larg z. Dioguardi. Ndërsa çështja e të përndjekurve që duan të kujtojnë me të drejtë viktimat e krimet e pashoqe të kampit famëkeq të Tepelenës, ndoshta, nuk është aq e prekshme për të, por është thellësisht e dhimbshme, për të tjerët që kanë kaluar nëpër ferrin komunist. Prandaj theksoj se krahasimi me Aushvicin çalon.

“Don’t compare your life to others. You have no idea what they have been through”,

Mos krahaso përvojën tënde me të tjerëve,  thoshte oratori australian Sam Cawthorn, që e përshtatur lirshëm për këtë situatë, do të përkthehej : “ Mos e krahaso përvojën tënde jetësore me të tjerëve, pasi, ti nuk e di se çfarë kanë kaluar ata”.

Joe Dioguardi dhe pse mund ta ketë studiuar, duke mos e njohur në brendësi dhe thellësi emocionalisht realitetin e thelbin e regjimit komunist në Shqipëri në këtë apel ndaj kryetarit të Bashkisë së Tepelenës, shqetësimi kryesor i tij, ashtu siç shkruhet në letër, dhe në letrën sqaruese mbi të, qëndron kryesisht tek emërtimi i këtij kampi si “Aushvic shqiptar”. “Gjatë kohës që unë isha kongresmen i Shteteve të Bashkuara, e vizitova Tiranën bashkë me kolegun tim kongresist, të ndjerin Tom Lantosh. shkruan ai. Gjatë takimit prej dy orësh e gjysmë me Presidentin e atëhershëm të Shqipërisë, Ramiz Alia, ne mësuam për herë të parë mbi një nga aktet më të nderuara dhe më fisnike të popullit shqiptar për të shpëtuar të gjithë hebrenjtë në Shqipëri dhe ata që erdhën nga Europa Perëndimore përmes Kosovës në Shqipëri gjatë kohës së errët të holokaustit nazist. Vitet e fundit, së bashku me gruan time Shirley, jam munduar nëpërmjet iniciativave të panumërta të ndaj me publikun amerikan si dhe atë ndërkombëtar një nga tiparet më fisnike të kulturës Shqiptare, Besën, e cila na nderon të gjithëve ne. Prandaj, unë jam i shokuar dhe thellësisht i shqetësuar mbi përpjekjet e tanishme për të cilësuar qytetin Tuaj të bukur dhe historik të Tepelenës si një “Aushvic Shqiptar”. Natyrisht kjo është perspektiva e tij dhe ai ka të drejtë në opinionin e tij.

Enver -Hitler

Ajo ku gabon z. Dioguardi është se reagimi i tij ka qenë emocional dhe i përdorshëm nga ata që kanë dashur ta bëjnë palë në synimin e shtrembërimit të historisë, në  mbulimin e krimeve të regjimit të Enver Hoxhës. Mendoj se ky është këndvështrimi e perspektiva e Dioguardit dhe nuk duhet harruar se ai e ka me të dëgjuar, jo me të përjetuar, njohjen e ferrit komunist shqiptar. Ai ndoshta, nuk arrin ta kuptojë, edhe atë që thirrjet e shqiptarëve “Enver –Hitler në momentet e grahmës së diktaturës, nuk ishin vetëm një parullë për hir të rimës, a thjesht një krahasim, por një realitet në Shqipërinë Komuniste, ku në vend të vizës mund të vije kur të doje shenjën e barazimit.

Gjykoni nga këto kujtime të një ish të burgosure në atë kamp:  “Në atë vit i gjithë vendi u godit nga një epidemi shumë e rëndë gripi, që pati viktima të shumta, dhe mund të merren me mënd pasojat për Tepelenën, ku mungonte çdo lloj forme e ndihmës mjekësore, ku nuk kishte barna, ku ishte i ndaluar zjarri e vdisnin shumë, sidomos pleq e fëmijë. Mungesa e ushqimit, virusi që përhapej, të grumbulluarit në ato kazerma, na katandisën në skelete shëtitës; megjithatë duhet të ngriheshim çdo mëngjes e të shkonim në punë, kush mbeste në rrugë gjysmë i vdekur çohej në kamp nga dy shokë për krahu ose duke e mbajtur me radhë në kurriz. U sëmurën rëndë vjehrra dhe djali; për mrekulli i shpëtova ngjitjes së sëmundjes, kështu që mund t’u shërbeja kur kthehesha nga puna e gjatë natës. Filluan të përmirësohen sepse Zoti i madh vuri dorën e Tij, mbasi nuk kishim asnjë mjet me përjashtim të një barishteje që e mblidhja në mal, e zieja e me atë lëng të hidhur i jepja diçka të ngrohtë.” A ka Dante që të përshkruaj një ferr më të zi se ky ?

Hitleri apo Enveri: Kush ishte më i keqi?

Në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë, amerikanët u mësuan ta shihnin si Gjermaninë naziste ashtu edhe Bashkimin Sovjetik si të keqen më të madhe “ the great evil”. Hitleri ishte më i keq, sepse regjimi i tij përhapte tmerrin e pashembullt të Holokaustit, përpjekjen për të zhdukur një popull të tërë në baza racore. Megjithatë, Stalini ishte edhe më i keq, sepse regjimi i tij vrau shumë, shumë më tepër njerëz – dhjetëra miliona, si shpesh pohohej viktimat të pafundme të Gulagut  siberiane, ku çoheshin,  jo veç kundërshtarë politik e klasor, por edhe fshatarë të pasur kulakë. Për dekada, madje edhe sot, për të kuptuar ndjeshmërinë e SHBA ndaj nazizmit, mjafton të shohim kronikën e ditëve të fundit në TV  kur me porosi të Presidentit Donald Trump, agjencia e emigracionit dhe i kontrollit të doganave ICE, deportoi 95- vjeçarin me barelë Jakiw Palij nga shtëpia e tij në Queens, Nju Jork ,të hënën. Zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë thonë se Palij shërbeu si roje e armatosur në një kamp vdekjeje në Poloninë e pushtuar nga nazistët dhe më vonë gënjeu zyrtarët amerikanë të emigracionit për rolin e tij në ato mizori kur hyri në Uashington pas luftës si emigrant.”

Ky mendim për dallimin në mes të dy regjimeve i parë në raportin, cilësia kundrejt sasisë – ka vendosur rregullat bazë për politikën e kujtesës në qëndrimin ndaj dy diktaturave. Madje edhe historianët e Holokaustit, përgjithësisht pranojnë se Stalini vrau më shumë njerëz, sesa Hitleri, duke u vënë nën presion më të madh, për të theksuar karakterin e veçantë cfarosësh  të Holokaustit, pasi kjo gjë e bënte regjimin nazist më të keq se ai stalinist, praktika e së cilit i zbatoi deri në ekstrem e përtej atij, Enveri i ynë. Mjafton të kujtojmë ateizmin shtetëror të pa arritur në asnjë vend komunist. Por ka edhe një dallim të madh përgjithësisht mes të dyja këtyre dy praktikave të dhunës. Nëse holokausti synonte të zhdukte një racë e të mbronte racën e vet ariane, komunizmi synonte të zhdukte një klasë të së njëjtit popull. Mësim që Enveri e çoi me vullnet deri në zgrip dhe jo pa sukses…

Diskutimi i numrave mund të na çojë në një fare indiference në përjetimin tonë për karakterin e tmerrshëm personal të çdo vrasjeje dhe tragjedinë e pakapërcyeshme të çdo vdekjeje. Ndërsa kushdo që ka humbur një të dashur, në çfarëdo kampi përqendrimi, si unë gjyshin, e di se dallimi midis zeros dhe njëshit është një pafundësi. Dhe nëse duket e vështirë për ta kuptuar këtë, po e njëjta gjë është e vërtetë edhe për dallimin në mes, për shembull, mes numrave 780,862 dhe 780,863, që është shifra më e saktë i të vrarëve në Treblinka. Numrat e mëdhenj janë të rëndësishëm, sepse ata janë një shumë e numrave të vegjël: domethënë, janë shuma e jetëve individuale të çmuara të humbura. Sot, pas tri dekadash kërkimesh në arkivat e Evropës Lindore, dhe në sajë të punës së studiuesve: gjermanë, rusë, izraelitë dhe dijetarëve të tjerë, ne mund ta zgjidhim çështjen e shifrave. Tani dimë se gjermanët vranë më shumë njerëz sesa sovjetikët dhe shqiptarët për 1000 frymë më shumë se këta të fundit. Këtu kjo çështja e cilësisë, bëhet disi më komplekse se sa ishte menduar më parë. Vrasjet masive në Bashkimin Sovjetik, apo në Shqipëri, ndonjëherë përfshinin motivime, kombëtare dhe etnike, dhe krahinore që mund të jenë disi dhe të krahasueshme me motivet naziste. P.sh, si shpjegohet që shumica e të burgosurve të Kampit të Tepelenës ishin nga Veriu i Shqipërisë dhe të besimit katolik?

Skena e historisë shqiptare të pas luftës së Dytë Botërore ishte një “carbon copy “ e historisë dhe histerisë së Stalinit. Dhe nuk ka historianë amatorë apo profesionistë, patriotë por të majtë, si miqtë e mi Auron Tare, apo historiani Pëllumb Xhufi, ky i fundit sa i thellë dhe patriot është në fushën e historisë së Mesjetës, aq i cektë dhe mbrojtës lokalist, se mos njolloset Tepelena e tij, duke u bërë kështu verbërisht në një mbrojtës dogmatik të fshehjes së realitetit të zymtë të një periudhe të errët të diktaturës së Enver Hoxhës. Ndaj nuk është në nderin e Xhufit e Milos qëllimisht, dhe as të Dioguardit pa qëllim me gjithë meritat që kanë, që mbrojnë apo të klasifikojnë për çdo motiv një çështje të pambrojtshme, terrorin e komunisteve shqiptarë dhe gjenocidin mbi baza të afërsisë biologjike të gjakut. Dukuri e cila edhe për shkak të traditës kanunore dhe klanore të një vendi të vogël si Shqipëria u çua në ekstrem. Marksi fliste për luftë ekonomike klasash dhe ajo u shndërrua në Shqipëri në luftë biologjike ndaj fisit, familjes, genit.

“Një fushë përqendrimi e pune të detyruar, një kamp, i populluar nga dymijë qenie njerëzore të ardhur, pothuajse të gjithë nga Veriu i Shqipërisë: pleq, gra, fëmijë, të shkulur në pak orë nga shtëpitë e tyre e të grumbulluar në pesë kazerma, shkuan Elena Merlika Kruja në një dëshmi nga kampi E të mendosh se atëherë e gjithë popullsia shqiptare nuk arrinte në një milion! Vendi i zgjedhur ishte llogaritur deri në hollësitë më të imta: një ultësirë e gjerë, gati si një fushë e vogël beteje, e rrethuar pikërisht nga kazerma, bazë prapavije e ushtarake për ushtrinë italiane gjatë luftës italo – greke në vitet e luftës së dytë botërore. Për rreth nuk shiheshin veç male, një erë e akullt gjatë dimrit na e bënte jetën të pamundur, tela me gjemba kudo, ndalim i rreptë për të ndezur zjarr për t’u ngrohur me rrezikun për të mbetur, të lidhur, gjithë natën jashtë në ngricë”.

Ndoshta kampi i Tepelenës nuk ishte ndërtuar qëllimisht për të zhdukur njerëz si “Aushvici” , por aty, pavarësisht se s’pati krematoriume  janë zhdukur njerëz të pafajshëm, gra, pleq, fëmijë, thjesht pse kishin lidhje, gjaku, fisi, geni me kundërshtarët e tyre politik.

Megjithatë pavarësisht motivit dhe mos njohjes së çështjes, apeli i Dioguardit, me dashje a  pa dashje, ku shkruan “Prandaj unë ju nxis, me autoritetin e Kryetarit te Bashkisë së Tepelenës të tërhiqni mbështetjen për memorialin Kompleks i cili në mënyrë të falsifikuar përshkruan “Memorialin e Kampit Shfarosës të Tepelenës”. Dhe, meqenëse Këshilli i qytetit tuaj ka kaluar një “rezolutë” mbi të ashtuquajturin “Memorial i Kampit të Shfarosjes të Tepelenës”, unë Ju nxis që zyrtarisht të anuloni një vendim të tillë dhe, në se do të ishte e nevojshme, të linit popullin e Tepelenës të vendosë nëpërmjet një referendumi lokal nëse një njollë e tillë e pashlyeshme do të vendosej në qytetin e tyre të bukur dhe historik.”, barazohet me qëndrimet e historianëve dogmatikë.

“Enver –Stalin, pionierët duan lirim!”

Mosnjohja nga ana e z. Dioguardi, nuk është argument justifikimi, siç thotë me të drejtë prof. Sami Rrepishti, , Ph.D ish i burgosun politik (1946-56).por indinjata e tij, sado e justifikuar, duket e tepruar “Kur shprehet :Letra ashte nji akt tradhtie te pabesueshme nga nji persone qe njeh mire situatën “. Por kjo është thellësisht e kuptueshme kur ai shkruan “Ne emën te nanës sime Hava Bushati-Repishti, te motres sime Hadije Repishti (14) dhe te vellaut te vogël Vehbi Repishti (11) denoj pa asnji mëshirë këtë akt skandaloz, ofendues, dhe nji thike mbas shpine per viktimat, shumica e te cileve kane qene femij te parritun akoma, dhe foshnje fare”.

Kush e ka jetuar, parë e dëgjuar ferrin që siç e përshkruhet në një dëshmi të një të mbijetuari në kampin famëkeq të Tepelenës që po e sjellim këtu :”Vetëm me 400 gramë bukë. Nuk vonoi shumë dhe ra tifo e dizenteri njëherësh. Filloi vdekja në seri. Ambulancë dhe ilaçe nuk kishte. Vend i izoluar, pyll, epidemi. Ishte krijuar një skuadër vetëm për të hapur varre. Ajo shkonte për të hapur 2-3 varre e pastaj lajmëroheshin që të hapnin edhe një tjetër, edhe një tjetër… Kishte raste, 5-6 varre në ditë”, e di se e vërteta duhet mbrojtur.

Ndërsa në një bisedë një i njohuri i im i arratisur nga Vermoshi. Z. Nikollë Hysa, më tregonte se vetëm nga fshati Vermoshi i Prekë Calit, kishte 65 familje të izoluara në këtë kamp fatkeq me tregonte histori sureale, makabre nga jeta në atë kamp. Të papërfytyrueshme. “Një grua kishte dy binjakë si drita. Nga kushte e këqija nga të ftohtit nga mos ushqimi i vdes një foshnjë. Gratë e varrosin atë jashtë në oborr. Të nesërmen në gjumë vdes vetë nëna, ndërsa binjaku i mbetur pinte gji nga nena e vdekur”. A ka tragjedi greke që mund ta përshkruaj këtë skenë? Apo skenën e nënës që e pat zhvarrosur tre herë foshnjën e saj nga varri, sa herë që rojet e ndryshonin kufirin e rrethimit të kampit. Pasi donte të linte një shenjë që nëse dilte një ditë nga ai ferr, të kishte mundësi ta gjente, ashtu si edhe e gjeti varrin vetëm pas viteve 90-të, pasi e kishte varrosur pas një peme. Por Nikolla tregon edhe një skenë paradoksale që siç duket çoi në mbylljen e kampit.” Ishte mësuar se kampin do ta vizitonin këshilltarët ushtarakë sovjetikë, thotë ai . Dikush i organizoi fëmijët dhe me të hyrë disa nga oficerët sovjetikë, fëmijët e uritur, të mjerë, të dërmuar thërritën në kor një lutje një thirrje për jetën për diktatorin që t’u shpëtonte shpirtrat: “Enver –Stalin, pionierët duan lirim!”

Thirrjet duket që prekën edhe vetë sovjetikët gjë që kuptuan se nxënësi Enveri ia kishte kaluar mjeshtrit Stalin, gjë që çoi më vonë, edhe në mbylljen e kampit. Dikush sot thotë se atje “nuk ka qenë edhe aq keq”, ndërsa një ndër pinjollët e ish-udhëheqjes komuniste, njëkohësisht edhe viktimë e saj, Bashkim Shehu, i biri i ish-Kryeministrit Mehmet Shehu, në një intervistë të kohëve të fundit do të shprehej se në atë kamp ishte më keq, se burgu ku ai kishte vuajtur dënimin dhe se vdekshmëria foshnjore ishte aq e lartë, saqë vetë ata që e kishin ngritur vendosën ta mbyllnin.

Holokaustin e filluan nazistët e përfunduan komunistët

Që prej debatit për kampin e Tepelenës, ky i fundit është kthyer në simbolin e vuajtjes çnjerëzore nën komunizëm. Për t’i dhënë më shumë dritë, jo vetëm këtij debati, por edhe persekutimit komunist në këtë zonë të Shqipërisë, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit organizoi në datën 20 gusht ekspozitën me titull “Persekutimi komunist në zonën e Tepelenës”. Ky shihet si një hap pozitiv. Por duhet bërë më shumë. E keqja është e njëjtë. por reagimi dhe qëndrimi është i ndryshëm. Ndërsa në SHBA një nazist dëbohet në barelë me gjithë moshën 95 vjeçare, edhe pranohet vetëm për motive morale nga Gjermania, edhe pse nuk kishte lindur në Gjermani por në Poloni, më thoni në Shqipëri se cilit, nga ish-funksionarët apo rojet e burgut të Tepelenës, i ka hyrë gjembi në këmbë.  Edhe pse vendet ish komuniste të BE-së kanë reaguar, Shqipëria do të ndahet e fundit nga e shkuara e saj komuniste.

Gjatë Presidencës hungareze të BE-së të vitit 2011, një nismë hungareze-lituaneze- polake rezultoi në marrjen e ministrive të drejtësisë nga BE-ja, duke pranuar një dokument që lidhet me kujtimin e regjimeve totalitare. Kjo ditë u shpall më 23 gusht. Që nga viti 2011, çdo vit një vend europian organizon një konferencë kushtuar Ditës Evropiane të Kujtimit. Dita Evropiane e Përkujtimit të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit, e njohur si Dita e Shiritit të Zi në disa vende, e cila është vërejtur më 23 gusht, është dita ndërkombëtare e përkujtimit për viktimat e ideologjive totalitare, veçanërisht regjimet totalitare komuniste, stalinizmin, nazizmin dhe fashizmin. Kjo datë u zgjodh në kujtim të Paktit Molotov-Ribbentrop, një nënshkrim pa agresion, i vitit 1939 midis BRSS-së dhe Gjermanisë naziste.

Atëherë duke u kthyer çështjes sonë. Kur në thelb të dy regjimet, si ai i së majtës ekstreme dhe te djathtës ekstreme takohen. Pasi nazizmi edhe në emër ishte Nacional Socializëm. Pra kur në thelb janë e njëjta e keqe. Pasi në praktikë duket se edhe holokaustin nazistët e filluan dhe komunistët e përfunduan. Pra meqë është e keqe e ngjashme, pse të mos e quajmë Kampin e Tepelenës, si Gulagu i Enver Hoxhës?  Në fund të fundit është një krahasim që është më afër realitetit politik dhe në këtë aspekt.

Por ka edhe për një arsye tjetër, ku ky krahasim çalon  në qëndrimin ndaj viktimave, se ishin po ata shqiptarët të Besës që ruajtën çifutët nga nazizmi, dhe këto me fakte, më të pabesët, që spiunuan po shqiptarët tek gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke i dërguar në Kampe Përqendrimi ku gjetën vdekjen, apo që spiunuan, vranë, torturuan, shkatërruan këdo që guxonte të mendonte ndryshe tek organet e diktaturës komuniste. edhe pse ishin të së njëjtës racë e gjak. Pse kur Partia zëvendësoi edhe Besën edhe zotin, kjo puna e Besës ndaj çifutëve duket si një mit, apo diçka tjetër ?

Por le t’i kthehemi edhe një herë letrës së Dioguardit, me gjithë rezervat, në fund të fundit duket se ka të drejtë në një gjë, siç thotë një proverb amerikan” The fastest way to kill something special, is to compare it to something else”.  ( Rruga më e shpejtë për të vrarë diçka të veçantë, është ta krahasosh atë me diçka tjetër.)

Ndaj jo AUSHVIC, por GULAG!

Filed Under: Politike Tagged With: jo Aushvic, Kampi i Tepelenes, por Gulag ?, Rafael Floqi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 32
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT