• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Para varrit të Skënderbeut

February 15, 2018 by dgreca

Para varrit të Skënderbeut/1 Rafael FloqiNga Rafael Floqi /

Poemth/

O i madhi Skënderbe!/

Kam 550 vjet që qëndroj para varrit bosh,/

duke pritur si sot, më kot përgjigjen/

e një pyetjeje që s’po ma thua dot./

 

O i madhi Skënderbe!/

S’po të pyes, se a të thërriste “Gjergj ! ”,/

Lokja Vojsavë, edhe pse atë mirë e di./

Dhe kush dyshon sot pas kaq shekujsh,/

Se Vojsava se pat për at Gurgurin [1]

Se Pollogu i gjyshit tënd, s’qe Arbëri

Është si ata turqit, që t’i vodhën eshtrat

Për të kërkuar përjetësi me ca hajmali.

 

O i madhi Skënderbe!

Nuk po të pyes, sa herë ke rënë nga kali,

As si e munde të tmerrshmin pers të zi

As se ç’ t’u bënë vëllezërit e mëdhenj,

As si ia bëri zemra Palit, të linte ty kërthi.

As si mundi ai Vojsavën ta qetësonte,

Tek shkulte flokët e çirrte faqet në zi.

Kush asaj lotët mund t’ia ngushëllonte,

Se në Stamboll Kostandini qe vrarë,

E Stanishi qe bërë turk- rrethprerë,

Dhe Rreposhi në Athos, u vesh kallogjer.[2]

Ishte vetëm 8 vjeç, s’e dije ku të shpinin

As sytë e nënës ndoshta s’i mban mend,

Por kishe ëndërr të luaje me Kostandinin.

S’ të pyes, as për fatin e princave peng,

Ç’ ndodhi me ta në oborr të sulltanit ?

Është e hidhur, ndaj s’po ta përmend.

Pse i thoshe emrin “Vaj-qava”, mamit?

 

 

O i madhi Skënderbe!

Nuk po të pyes pse zgjodhe dredhinë,

Për të marrë nga turku Krujën, Ak Hisar,[3]

As në u gëzove, dhe në të ndritnin sytë

kur bajraku me gjysmëhënë përdhe ra,

E flamur i Kastriotit, qiellin skuqi prore,

Dhe as kur shqipja dykrenore mbi kala

Shpalosi flatrat e zeza, ogur për fitore,

S’ të pyes Gjergj, nëse në atë 28 Nëntor

cili qe më i përgjakur flamuri apo qielli?

S’po të pyes për trimëri, as dhe sesa:

Çallma ke vrarë, sa gurmaze ke prerë,

As sa prej tyre këlthisnin “Allahu akber”.

S’ të pyes as si quhej gjoku yt trupmadh ,

As nëse ishte i bardhë, apo i gjithi i zi,

Nuk të pyes, as për 25 betejat e fituara

As, se cili rrethim që më i vështirë, as …

Në se ishte i pari, i dyti, a i treti,

Apo ai që po përgatitej më pas?

As si e mbrojtje Krujën, Danjën, Beratin,

As për Torviollin, Mokrrën, Albulenën,

As qysh, e si u ndjeve kur arbërve u the:

“Lirinë nuk jua solla unë,

por e gjeta këtu ne mes tuaj,

armët nuk jua ngjesha unë,

por ju gjeta te armatosur,

lirinë e kishit kudo, ne kraharor,

ne balle, ne shpate, ne ushtat!”.[4]

Mendoj, se e kishe me gjithë mend,

Apo përpiqeshe të dukeshe optimist,

Se s’deshe të dukej ajo fjalë pa vend,

por sidoqoftë, unë e di, si edhe ti

Se do kesh zbukuruar sadopak disi,

Pasi shqipet janë zogj individualist

Veç njeri zog qëndron lart në një fole,

Ndaj ndoshta të duhej ca frymëzim

Një gënjeshtër e bardhë, për fitore.

 

O, i madhi Skënderbe!

Nuk po të pyes për betejat, aleancat

As për kurthet, grackat, tradhtitë,

As për Topiat, as për Dukagjinët,

As për kushtrimin e Moisut,“ E mbë ta!”

As për Ballabanët, tradhtarët, Jonimët,

As për sulltanët osmanë, Murat e Mehmet,

As, qysh u ndjeve kur të tradhtoi Hamzai,

Që u bë xheloz për Gjonin të pa lerë,

Ani pse luftove me gjakun tënd, atëherë.

As pse, Moisi dibranin shpejt e fale, [5]

T’u dhimbs i përgjunjur me litar në fyt,

Edhe pse u dëshmua qartë, besëprerë?

Po pse mësove që mërisë së një gruaje

T’i ruheshe më shumë se asaj të hasmit,

Se qe faji yt për hakmarrjen e Zanfinës,

Ndoshta dhe për disfatën e  Beratit.[6]

E doje fort Mamicën,  i zgjodhe vetë fatin

Por më shumë se motrën e vogël mbi dhe

Që të mos përçaheshin princat e Lidhjes,

Nga që turku ishte afër Lezhës fare pranë,

Veç një titull pate kapedan mbi kapedan.

Se ti, o prijës s’doje kurorë si mbret,[7]

Mjaftonte përkrenarja dhe Arbëria shtet.

 

S’ të pyes as për luftërat, erën e gjakut,

As për tehun e shpatës , duhmën e ziftit,

Tymin e barutit, gjylet në mure plasur,

As për shkallët e çallmat në zjarr kallur,

As për përzhitjen e mishit dhe kërmës,

As për heshtat, shigjetat, topat e Sulltanit,

As për lebetitjen e halldupëve të trembur,

As për suvarinjtë, akinxhijtë, spahinjtë,[8]

Aq qysh pas bedenash, veç me ujë e zemër,

Plaku Kont Urani mbahej fort me të tijtë.

As se qysh ti me trimat e gardës besnike,

Me mprehtësi të shpatës se të mendjes

I dhe botës në shekuj mësime taktike,

Se sado i vogël një popull, kur kërkon liri

Shemb perandori, me mizëri ushtri.

Se i vogli mund tiranin, veç a tok ?

-Gjithnjë tok, o Gjergj[9] kordhëmadh.

 

S’të pyes, o Skënderbe, zulmëmadh,

as për ankthin e betejës, qetësinë e paqes,

As pse vetëm kur mbushe dyzet e shtatë, [10]

Pranove si me zor të mbledhësh mendjen,

Pasi lufta të joshte më shumë se gratë.

S’të pyes, as si e kalove muajin e mjaltit,

Me Donikën buzë detit tek Kepi i Rodonit,

As se kush i pari pa, hapat e vogla të Gjonit,

As për dyshimin tënd që kurrë s’e hoqe,

Gjoni i vogël ende s’shfaqte trimëri të pa shoqe.

Për këto s’ të pyes, as për të tjera pa vend,

Pasi edhe në s’i di, mund t’i marr me mend.

 

 

O i madhi Skënderbe!

Nuk të pyes as për dredhitë doxhëve venetë,

Dhe as dhe pse, kur qe në Krujë kapedan,

U bëre vasal i Napolit, me dëshirë vetë.[11]

S’ të pyes, as si dhe pse Papët të quajtën,

“Atlet i Krishtit”, dhe pse ti qe bërë synet,

As si e ruajtje Krujën të rrethuar tri herë,

Prej mijëra çallmash, jataganësh, qamet,

Dhe as si t’u bë, që në fund Krujën tënde,

Ish- hasmit Sinjorisë, ia dhurove, vërtet ? [12]

S’të pyes, dhe mos zbrit fare as nga kali,

Drejt rri, si hero, se në luftë dhe në zulmë,

Mbi kodin e bujarit, vlen shpirti i një rebeli,

Më shumë se virtytet, morali a inati,

Siç shkroi më pas tek “Princi” Makiaveli

“S’kanë rëndësi mjetet, por rezultati”.

 

O madhi Skënderbe!

S’ të pyes, si munde Evropën ta shpëtosh,

Edhe pse ajo, vetëm kur vdiqe ty ta diti,

As si luajte shah me fuqitë e mashtrimit,

Dhe si me shpatë dhe letra, pate ç’ ti tregosh,

Dukës së Tarantit, Napolit a Sulltanëve, [13]

Se kush qenë arbrit, Pirro apo Leka i madh ?

Se s’qenë dele, edhe pse mbi krye mbaje një dhi.

Ja pse Papët të deshën ty kryqtar të parë,

Dhe se të shmangeshin ty më shumë se djallit,

Jo pse mbaje një kokore me dy brirë në ballë.

Po sa të deshën aq dhe i druheshin simbolit

Se para se të ishe trim i rrallë, ishe mit për liri.

S’ të pyes, as pse e mbajte në shekuj atë emër,

Gjysma diell dhe gjysma hënë,

Gjysma Evropë dhe gjysma Azi,

Edhe Gjergj, edhe Skënder?

Siç duket, për të na mbajtur tok gjithnjë,

“Gjithnjë bashkë, gjithnjë”, thoshe përherë.

Të jetë kështu, vërtet, me gjithë mend?!

Se s’kemi aq urti, sa të bëhemi bashkë

Arbrit e djeshëm, apo shqipet e sotëm?!

E ka mundësi të jetë ashtu, vërtet?

Ndoshta kjo shpjegon qysh edhe pse,

Dikush sot, të quan një mit të vjetër.

Që duhet zhbërë, qoftë edhe me një perde,

Si për t’i ikur lavdisë së gjokut të bronztë,

Si për t’ia fshehur stërgjyshave mëkatet,

Që s’rrinin dot pa jatagan e kordhë,

A se s’duronin dhunën e të paguanin vergji,

Iu falën gjysmëhënës kishat i bënë xhami.

Ndërsa ca më hileqarë në agim falnin ezanin

E në darkë festonin me ty, Shën Gjergjin.

E vështirë, por disa kumtin ilir të Shën Palit,

E formulën e pagëzimit në kulla e ruajtën

Në emër të atit të birit e shpirtit të shenjtë,

Duke kënduar vetmas rruzare në male,

Pasi kishat ishin shndërruar, ishin shemb,

xhamitë në vend të tyre po zinin vend …

Por ty Skënder këndonin ndonjë herë

Por rrallë fare rrallë u lutën. Ani pse

Gjithë çka ndodhi në pesë shekuj

S’ na bën ne, shqipot as më të këqij,

Dhe kësaj dite as dhe më të mirë.

E dimë, se do të qe më pak e vështirë,

T’i faleshim tok fesë të bijve të Kadmit,[14]

“Lirisë”, asaj që hija jote, në zemra prore

Mbolli në çdo frymë e në çdo kasolle.

Se ne shqipet ndryshe nga të tjerët,

Kur na pyesin për fe themi “ shqiptarë!”

Por ashtu si unë, dhe ti Skënderbe,

Kemi qëlluar një gjindje me huqe

Disi xhelozë, moskokëçarës për fe.

Por për lavdi s’të falim, e duam për vete

Mendo,. me që pesë papë, të quajtën “atlet” .

Nga droja e shpatës fisnike e me lajka,

E të premtuan të jepnin qese plot ar,

Për kryqëzatën imagjinare ndaj turkut.

Po anijet mbetën në dete pa ushtarë

Si logjet e papëve e të Shën Markut.

E di se ti s’u druheshe ushtrive prej Azie,

As që Roma do të kthehej Stamboll, vërtet,

As Adriatikut të shndërruar në një gjol zie,

As që turku do kulloste kuajt në Shën Pjetër,

Dhe as pse Vjena do të quhej Katrahurë,

As pse Sulltani do bënte Papën synet.

Ndaj sot kush e njeh historinë e mitin

E di se ty s’të interesonte lavdia aspak ,

Se ti Fatos, i tuteshe veç fatit të Arbrit

Jo të ishe kalorës kryqtar në kryqëzatë

Ti i druheshe më shumë jetës pa liri,

Ashtu siç na ndodhi kur na le vërtet.

Dhe u desh të presim gjatë, sa gjatë

Sa shumë gjatë për pesëqind vjet .

 

O i madhi Skënderbe !

 

Për ne t’i ishe prijës dhe u bëre e mit

Pse ne një trim tjetër, s’kishim ku ta gjenim

Ndaj kur kishim nevojë për ajër, liri,

Kur dhëmbët i binin të Sëmurit të Orientit

Të zgjuam nga këngët e të thirrëm ty.

S’di pse në histori të fundit mbesim

Radhë e rend si lemë njeri- tjetrit,

gjer atëherë kur t’ jetë shumë vonë

S’ e kemi për gjë për të tjerë të vdesim

E kur vjen veza kujtohemi për veten tonë.

Kështu veç, kur se prisje më ty të thirrëm ,

Me të dy emrat : “O Gjergj, O Skënder”,

Se ti i ndizje peshë djemurinë për nder,

Për një besë, për një gjuhë e një gjak

Nuk qe punë lutjesh, feje jo aspak.

Kjo shpjego sesi,  qysh edhe pse ti,

U linde ortodoks, u rrite mysliman, e vdiqe katolik,

Si për të na lënë të urtin amanet,

Për çdo shqiptar, në mot të mirë dhe të lig,

“Zoti është një”, të gjithëve na përket.

 

O i madhi Skënderbe!

Vetëm një pyetje kam, vetëm një,

Që më mundon mua tash e sa kohë:

“Si munde ti shqiptarët t’i bësh në një mendje

Këtu në Lezhë, në këtë kishë, në Shën Kollë?

 

Sakaq gjithçka heshti, asgjë s’pipëtiu

një kllapi pyetjen sikur e mbërtheu,

Një krisje u dëgjua, e muret u zhagitën,

Një heshtë heshti, një shpatë vringëlliu,

Hingëllimat u mekën, topat u zatitën.

Një makth zu e më pushtoi të tërin,

S’ kuptoja dot, se ëndërr a zhgjëndërr,

E dija se në varr s’kishte asnjë eshtër,

E dija se kisha qe kthyer në xhami,

E dija se xhamia më vonë qe braktisur,

Pasi tre dervishë aty qenë vetëvrarë, [15]

Duke kërkuar më kot përjetësi…

Zhurma oshtiu, zvarrë rrokullisi

Prej rrënjëve të Besëlidhjes së Lezhës

Pas pesë e ca shekujsh, ca gurë si Sizifi…

 

Dikush u kollit, e fytin qëroi një burrë,

Kambana u shkund, trarët u shkërmoqën,

Me ca fjalë pellazge zëri fol troç :

“Bir, tha. U s’e di, as vetë sesi, e se qysh,

Veç një çerekshekulli, munda veç një herë ,

Të bëj atë, që s’e bëri më kurrkush,

I bëra shqiptarët tok në një mendje.

Ndaj them bir, se është vështirë, zor

Të betohem për këtë qiell, për këtë dhe,

Se në mendjen e tij, çdo shqiptar prore

mendon se është përmbi Skënderbe”.

Pastaj zëri u vyshk, e thatë nxori nga fyti

Një kumt pa theks krahine, dialekt,

Ai që trojet e Palit i i kishte në Gegë,

Për t’ na pasur pranë të gjithëve tok

“Princ i Epirit” shkruante tek shqyti.

 

-“Meqë më zgjove pas kaq kohe,- tha ai,

Do të them bir një të fshehtë të madhe,

Që s’ ja kam thënë kurrkujt, gjer tani.

Ajo ndodhi, veç një herë në Lezhë…

U Përpoqa për së dyti, s’munda, për be,

U ndjeva pa forca, e madje u rrëzova

Në prag të kësaj kishe nga kali përdhe.

S’ më mundi, jo, në tri ditë sëmundja

Prej moshës nuk vdiqa, as prej pleqërie,

Por se u ndjeva befas ligsht nga gjindja.[16]

S’vdiqa, nga malaria, nga helmi, a ethet,

Por e lashë botën, gjithë pezm e maraz

Se mjerisht, besë u lypka, aty ku s’ gjendet.

Ika, se shqiptarët s’i bëra dot një mendje,

E duke ikur, lashë- “tok” një fjalë-çelës,

Porosi për të zgjidhur amanetin e gjëzës,

Që ende s’e kuptoni dhe pse aq e lashtë,

“Se shkopinjtë thyhen, veç kur s’janë bashkë”.

 

Ja pse vdiqa, le ta dinë bijtë e shqipes!

E le ta kujtojnë në atëbotë, në amshim.

Të tjerat, janë fjalë kronikash biri im.

Sakaq, zëri Skënderit, u shua, u shterr,

E duke u venit shtoi, “Bëj be, burrërisht,

Sa herë, ia ka futur kot dhe vetë Barleti…

Pastaj, ndër dhëmbë zu mallkoi turqisht,

“Zor, se vjen në din, ky biçim mileti”.

 

 

 

 

Shënime historike

[1] Sipas  historianit Maqedonas  Petreski  Vojsava   ka qenë e bija e Gërgurit, mbretit të Pollogut, i cili pohim është plotësisht i pranueshëm sepse ai ka dokumente shumë të fuqishme se me të vërtetë në kohën për të cilën na flasim, mbret i Pologut ka qenë Gërguri, por emri Gërgur nuk është i origjinës sllave dhe mund të deshifrohet vetëm duke përdorur gjuhën shqipe.

 

[2] Krerët e fisit të Kastriotëve, vijon Barleti, kanë rrjedhur nga Mati, prej një dere fisnike dhe kanë sunduar në Epir me lavdi e fatbardhësi. Mbi këta të gjithë, ishte Gjoni ai që spikati për urtësi, rëndësi, e shpirtmadhësi të paepur, pastaj edhe për virtyte të tjera, si dhe për bukurinë e rrallë të trupit. Gruaja e tij kishte emrin Vojsavë, atë e bënin jo të padenjë për atë burrë; nga njëra anë i ati shumë fisnik, princi i Tribalëve, aga ana tjetër bukuria, sjellja dhe shpirti i saj i lartë përmbi natyrën e femrës. Asaj mund t’i bëhen lavdërime, ndoshta jo më të vogla edhe për filizat e rinj; me të drejtë, përmenden zakonisht gratë, Mara, Jella, Angjelina, Vlajka, Mamica, nga ana tjetër meshkujt: Reposhi, Stanishi, Kostandini dhe Gjergji.

[3] Kështjella e bardhë, kështu e quanin turqit Krujën në turqisht

[4] Fjalët e Skënderbeut para  krutanëve  pasi  mori Krujën

[5] “Motra e Skënderbeut Mamica pati për burrë Muzak Topinë. Muzakë Topia ishte i martuar. Gruaja e tij quhej “znj Zanfina. Ai kishte me të dy fëmijë. Nga këto të dhëna, kuptohet se martesa e Mamicës me Muzak Topinë kishte karakter të rëndësishëm politik. Kjo martesë duhej t’i shërbente forcimit të aleancave dhe lidhjeve të Skënderbeut me zotërinjtë kryesorë të vendit. Prishja e martesës së Zanfinës me Muzak Topinë bëri përshtypje të madhe Pas ndarjes, Zanfina u martua me Moisi Golemin  dhe ajo e nxiti atë për të tradhtuar Skënderbeun. Topia pati një fund tragjik në luftë.

[6] Biemmi dhe historianë të tjerë të vjetër shkruajnë se Moisiu erdhi kundër Skënderbeut në krye të një ushtrie osmane ,por u mund prej tij në betejën që zhvilloi në Dibrën e poshtme, më 19 maj 1456. Më pas Moisiu u pendua dhe u kthye tek Skënderbeu. Ai i kërkojë ndjesë publikisht, duke i rënë në këmbë me litar në qafë. Skënderbeu e ngriti në këmbë, i ktheu pronat e sekuestruara dhe e caktoi detyrën e mëparshme.

[7] Gjon Muzaka, i përshkruan kështu: “I lartpërmenduri Zot Skënderbeu qe i mençur dhe trim, i prirë për të bërë mirë dhe qe një Zot i madh ndër të gjithë pararendësit e tij. Pasi u bë kapiten i përgjithshëm i Zotërve të Shqipërisë e që në pak kohë synoi të zotëronte gjithë vendin

[8] Formacione ushtarake të  ushtrisë  Otomane

[9]

[10] Sipas Barletit, Skënderbeu nuk e kishte mendjen për martesë, por atë nuk e linin rehat princërit farefis me të, të cilat e nxisnin që ai të vendoste për martesë. Pra për “Filizin” që duhej t’i zinte vendin”. Për nevoja të luftës çlirimtare dhe për të forcuar pozitat e tij, Skënderbeu vendosi të martohej me Donika Arianitin, vajzën e madhe të Gjergjit. Kjo krushqi u shkonte për shtat të dyja familjeve, për nga pozita që ato zotëronin. Eshtë fakti se kurorëzimi i çiftit, midis Gjergjit 47-vjeçar dhe Donikës 23-vjeçare, u bë në kishën e vjetër të Manastirit të Ardenicës.

[11] Traktati i Gaetës Traktati u nënshkrua jo vetëm në emër të Skënderbeut, por edhe të “të afërmve të tij baronë në Arbëri: “ … e de soi parenti, baruni in Albania, de la parte altra”, po aty). Ky traktat i njihte Mbretit të Aragonit, Napolit dhe Siqilisë sovranitetin mbi “trojet e të thënit Gjergj” dhe mbi “trojet e Krujës dhe kështjellën”, në shkëmbin të ndihmës që Mbreti do t’i jepte atij (Skënderbeut) në luftën kundërosmane.

[12] Kur po i afrohej vdekja Skënderbeu  e duke parë se i biti ishte në moshë të njome iu dha Krujën Venecianë vë për ta mbrojtur nga turqit gjer kur Gjoni te ishte  në moshë madhore.

[13] Në letërkëmbimin me princin e Tarentit  Giovanni Antonio Orsinimë 1460, mes argumenteve të tjera për ekspeditën në Apulí (Puglia), Skënderbeu i formulonte Princit në fjalw Nuk do të gjesh fisnikëri më antike sesa virtyti. Nuk mund të mohoj që ti nuk je përkrah francezëve të neveritshëm, …. Për më tepër ti përbuze njerëzit tanë. I krahasove shqiptarët me dele dhe duke u nisur nga zakonet tuaja mendon në një mënyrë fyese. Megjithëse nuk ke treguar se ke njohuri për kombin tim. Paraardhësit e mi kanë qënë nga Epiri, vendi i Pirros, forcën e të cilit romakët mezi e duruan. Pirro, të cilin Taranto e shumë vende të tjera të Italisë e kanë frenuar me ushtri. Nuk kam pse të flas për Epiriotët. Ata janë burra shumë më të fortë se sa Tarantinët tuaj, të cilët kanë lindur vetëm për të peshkuar. Nëse doni të thoni se Shqipëria është pjesë e Maqedonisë do të pranoja se shumë nga paraardhësit tanë ishin fisnikë të cilët shkuan deri në Indi, nën komandën e Aleksandrit të Madh dhe mundën gjithë ata njerëz me vështirësi të habitshme. Pikërisht nga ata burra vijnë edhe këta që ti i quan dele ti sot. Por gjërat nuk kanë ndryshuar. Pasi burrat tuaj vazhdojnë të largohen duke vrapuar para bagëtisë….

[14] Sipas mitologjisë bir i  perëndisë Kadmi  ishte Hylliri, Iliri

[15] Pas vetëvrasjes së tre dervishëve kisha e Shën Nikollës  s’u përdor më si xhami

[16]  Në janar 1468 Skënderbeu thirri në Lezhë kuvendin e fisnikëve të vendit. Ndërkohë një ushtri osmane e ardhur nga Kosova, sulmoi viset e Shkodrës. Ushtria shqiptare u mobilizua menjëherë, u doli përpara forcave armike dhe korri fitore në betejën që u zhvillua pranë lumit Kir. Këtë herë shqiptarët luftuan pa komandantin e tyre, Skënderbeun, i cili në atë kohë u sëmur”. I pari dokument zyrtar që na njofton vdekjen e tij është letra e ambasadorit të Milanos në Venecia, Girardo De Collis. Pasi lajmi për vdekjen e Heroit mbërriti në Venedik, në 12 shkurt të vitit 1468, ambasadori milanez nuk nguroi, por i shkroi një letër urgjente dukës së Milanos, Galeazzo Maria Sforza, pikërisht atë ditë, duke njoftuar se: “Skënderbeu u nda nga kjo jetë. Kish ethe dhe, meqë vendin po e përshkonin turqit, deshi t’i hipte kalit, e vdiq brenda tre ditëve ( Monumenta Hungaria e Historica, Nagy-Nyary, 1466-1490, nr. 59, f. 93).

 

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Para carrot te Skenderbeut, poemth, Rafael Floqi

Jo, “Trick or treat” me terrorizmin

November 2, 2017 by dgreca

Sulmi terrorist në Nju Jork, s’është fajtor Lotaria Amerikane, për krimin/

1-rafael-floqi

Nga Rafael Floqi/

Halloween-i i sivjetshëm u përjetua, përgjakshëm në Nju Jork ashtu siç e ka dhe namim , “një natë  vdekjeje.Policia në Nju Jork po vazhdon të jetë në gatishmëri të lartë pas sulmit me kamion që shkaktoi vdekjen e tetë personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Autoritetet po përpiqen të gjejnë motivet e autorit.

Ndërkohë Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo tha menjëherë se nuk kishte prova që autori që duket se ka shprehur besnikërinë ndaj ISIS-it, dhe se kishte pasur ndihmë nga organizata terroriste të huaja, por ishte radikalizuar brenda Shteteve të Bashkuara. Pse ky nxitim?

Ndërkohë sot policia deklaroi se sulmi ë Nju Jorkut, u përgatit në emër të grupit terrorist Shteti Islamik (ISIS), pasi ishte përgatitur prej disa javësh, njoftoi sot ndihmës shefi i policisë së Nju Jorkut, John Miller.

Sulmuesi i plagosur, Sayfullo Saipov, 29 vjeç dhe me origjinë nga Uzbekistani, u mor në pyetje në spital.

“Sipas hetimit të zhvilluar dje në mbrëmje, del se Saipov e kishte planifikuar këtë prej disa javësh”, deklaroi John Miller në një konferencë për shtyp.

Katër vetë, përfshirë dy fëmijë u plagosën kur autori i sulmit goditi me kamion një autobus shkollash.

Policia hapi zjarr ndaj tij, pasi ai doli nga kamioni me dy armë të rreme. Ai ndodhet në një spital, emri i të cilit nuk është bërë i njohur publikisht, në gjendje serioze. Ndërsa ai ishte në spital, policia punoi gjithë natën, duke grumbulluar prova nga kamioni që u përdor për sulmin. Hetuesit zbuluan shënime në arabisht pranë kamionit që nënkuptonin besnikërinë e tij ndaj Shtetit Islamik, thanë dy zyrtarë të rendit.

Ndërkohë në Nju Jork, parada tradicionale e Hallouinit u mbajt nën masa të rrepta sigurie, por nuk pati ndonjë incident.

Ndërkohë policia po e trajtojne rastin me te ashtuquarin term si “ Ujk i vetmuar”. Një term i krijuar nga administrata e mëparshme. Po a është i drejtë ky term?

Sipas Wikipedia-s, “Një ujk i vetmuar”, një terrorist i vetmuar është një person që vepron vetëm, është ai që përgatit dhe kryen vetëm veprime të dhunshme, jashtë çdo strukture dhe pa asnjë ndihmë nga asnjë grup. Ai mund të jetë ndikuar nga ideologjia dhe besimet e një grupi të jashtëm dhe mund të veprojë në një grup të tillë. Po në kuptimin e tij origjinal, një “ujk i vetmuar” është një kafshë ose person që përgjithësisht jeton ose kalon kohë vetëm jashtë grupit apo kopesë.

Sot në lidhe me këtë term kishte një reagim të tillë në Twitter “Pse i lidhim sulme masive individuale të “ujkut të vetmuar” me myslimanët, por jo sulmet masive individuale të “ujqve të vetmuar” nga jo-myslimanët?  Pse se quajtën “ujk të vetmuar” vrasësin e Las Vegasit?

Ka akuza sikur Presidenti Trump po shmang padrejtësisht myslimanët në përpjekjet e tij për ta bërë Amerikën një vend të sigurtë. Ka gjykatës që kanë bllokuar ligjet e tij të kufizimit të emigracionit Por kur një terrorist vret amerikanët – dhe në atë kohë, thërret  “Allahu Akbar ” në arabisht, zelli i presidentit është i kuptueshëm.

Mund ta kesh mundur ISIS-in nga Raqqa dhe larguar atë nga Siria apo Iraku, por nuk e ke mundur dot. Është e vështirë të luftosh një ideologji.

Mund të fajësosh terrorizmin islamik, refugjatët apo lotarinë amerikane të diversitetit, por kjo është vetëm politikë partiake. Mund t’i mësosh shitësit e makianve me qira siç argumenton policia e New Yorkut, që të bëjnë profilizimin e klientëve, siç bën policia izraelite, mund të përdorësh dronët për vëzhgime, mund të mbikqyrësh qendrat e kultit, etj., por në kohën e Internetit në çdo celular, kjo do të shërbejë deri diku, por nuk i përgjigjet dot pyetjes: Se çfarë duhet bërë që mos ndodhë kjo nesër?

Pas sulmit, Presidenti Trump shkruajti në Twitter “Nuk duhet të lejojmë ISIS-in të kthehet, ose të hyjë në vendin tonë, pasi po i mposhtim në Lindjen e Mesme dhe gjetiu. Mjaft!”  Ai shtoi më pas “Sapo urdhërova Departamentin e Sigurisë Kombëtare që ta intensifikojë edhe më tej Programin për Kontroll të Hollësishëm. Nuk duhet të ruajmë korrektesën politike për një gjë të tillë”.

Kjo është një masë, por nuk ka të munduar në asnjë mënyrë të mbrojë çdo bllok të qyteteve tona, çdo fushë në fermat tona, çdo shkollë në rrethinat tona. Ne jemi mësuar me lirinë tonë për të lëvizur dhe për t’u bashkuar e takuar, me këdo dhe sido që ne të duam.Askush nuk mund ta kishte parashikuar ngjarjen e së martës në një armë vdekjeprurëse me një kamion. Ne ecim nëpër rrugët tona pa i kushtuar vëmendje asaj, për të cilën po flasim, duke u përpjekur të lexojmë apo të dërgojmë mesazhe me tekst ose duke parë video në telefonat tanë. Dhe kur jemi në një rruge te caktuar për biçikleta, supozojmë se nuk do të ndeshim aty automjete me katër rrota. Por problemi është se për terroristët, liria e veprimeve tona  nuk është aq e keqe, është mundësia më e mirë për ta. Por kjo mungesë vigjilence, ky besim i pakujdesshëm që na bën të gjithë ne, pre e lehtë, viktima të buta për keqbërësit e vendosur.

Mund të marrin masa kundër armëve, por pamja e një terroristi me një kamion të marrë me qira për 19 dollarë ora, dhe dy pistoleta me saçme, që ishin armët sa vrasëse aq dhe qesharake të terrorit, e përgënjeshtron këtë si zgjidhjen e vetme. Mund të ndalosh refugjatët nga Lindja e Mesme, por nuk mund të ndalosh çdo amerikan me green card, të natyralizuar, apo të lindur këtu, apo gjetkë që të radikalizohet.  Në fakt, në të gjitha aktet terroriste në SHBA, terroristët nuk kanë ardhur nga refugjatët por kanë qenë në një farë mënyre ” home grown”.

Por si duhet vepruar ?

Së pari, nuk duhet politizuar situata, nuk duhet të shkaktohet panik apo të përdoret ajo për interesa politike të ditës. Siç po shihet, madje para se emrat e terroristit dhe të vdekurve dhe te plagosurve të ishin bërë të njohura nga policia, pati  paralajmërime të mos stereotipizojnë aktin, për të mos dëmtuar reputacionin e çdo besimi apo ideologjie. Paralajmërime që në fakt bëjnë të kundërtën.

Moslidhja e islamit radikal me terrorin, mos përmendja e tij si rrezik siç bëri administrata e kaluar Obama, nuk ndihmon në asgjë. Në fund të fundit, terroristi vrau ne emër të Allahut, madje ai ishte krenar për atë që bëri.

Fakti qe terroristi Sayfullo (Sejfulah) Saipov një fanatik i ISIS që kishte ardhur në Shtetet e Bashkuara shtatë vjet më parë nga Uzbekistani në kuadër të Programit të Vizave të Diversitetit, bën që detajet e udhëtimit Sayfullo Saipovit, tani të shihen si një shtysë shumë e rëndësishme, si një mjet për Presidentin Trump” për të propozuar rishikime të programin të tij të ” verifikimit ekstrem “.

Në fakt nuk është Programi i Vizave të Diversitetit, një program i Departamentit të Shtetit që ofron një llotari për njerëzit në Shtetet e Bashkuara, i cili tërhoqi zemërimin e Trump herët,në mëngjesin e së mërkurës, fajtori për veprimet e një të indoktrinuari. Çdo vit kjo lotari ka sjellë 50 mijë njerëz nga vende të ndryshme të origjinës, ndër ta dhe shumë shqiptarë. Afërmendsh, po të shkojmë me asosacion, atëherë “faji” i sistemit amerikan të Lotarisë së Vizave, është i njëjtë me “fajin” e kompanisë Huber, ku terroristi punonte, apo me “Home depot” ku ai mori makinën.

Sipas faqes së internetit të Emigracionit të Shteteve të Bashkuara Programi DV siguron deri në 50,000 viza për emigrantët çdo vit dhe aplikantët duhet të dëshmojnë se kanë një regjistër të pastër penal, kanë një diplomë të shkollës së mesme ose ekuivalente, ose kanë të paktën dy vjet përvojë pune brenda pesë viteve të fundit në mënyrë që të kualifikohen.

Programi filloi si pjesë e një projektligji të futur në vitin 1990 nga Sen. Chuck Schumer, Demokrat nga N.Y., në atë kohë kongresmen. Masat e Schumer për të dhënë një numër vizash në dispozicion të “diversitetit të imigrantëve” nga disa vende me më pak emigracion në SHBA, u inkuadruan në një projektligj më të madh të imigracionit, i cili u sponsorizua nga Schumer dhe nga 31 senatorë të tjerë, duke përfshirë disa republikanë.

“Terroristi është një person që ka fituar nga ” Programi i Lotarisë së Vizave të Diversitetit “, një dhuratë të bukur nga Chuck Schumer. Emigracioni duhet të bazohet në meritë,” shkroi Presidenti Trump në Twitter. “Ne po luftojmë shumë për Emigracionin e Bazuar në Meritë, jo më shumë sisteme. si  Lotaria e Demokratëve.” Ne duhet të bëhemi më të ashpër (dhe më të mençur).

” Programi i Lotarisë së Vizave të Diversitetit, apo Lotaria Amerikane e Vizave, fitues të së cilës kanë qenë mjaft shqiptarë, ndër ta edhe unë, mund të ketë mjaft mangësi, dhe personalisht e mbështes presidentin Trump për “emigracionin e meritës”, por nuk është fajtore Lotaria për këtë akt të një individi. Ndaj politizimi i çështjes në kuadër të agjendës të Presidentit Trump, nuk e zgjidh thelbin e problemit. Ndërkohë nga ana tjetër, anulimi i lotarisë do të pengonte jo vetëm të ardhurit e rinj e kjo nuk ka ndonjë pasojë të madhe, por do të pengonte bashkimet familjare aplikimet e të cilave janë bërë prej kohësh.

Zyrtarët fillimisht thanë se nuk kishte prova që të linin të kuptoje se sulmi ishte pjesë e ndonjë komploti më të gjerë, por u pohua se prania e policisë do të shtohet nëpër rrugë:

“Do t’i shihni në aeroporte, do t’i shihni në tunele dhe kjo jo sepse ka ndonjë provë për ndonjë kërcënim të vazhdueshëm, por vetëm për arsye vigjilence dhe parandalimi”, – tha guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo. “Mos lejoni terroristët të ndryshojnë jetën tonë në asnjë formë, mënyrë ose formë”, tha ai vetëm dy orë pasi ndodhi sulmi. Kjo është e drejtë, njujorkezët. Po të dëgjoni vetëm  guvernatorin tuaj. Mos merrni masa paraprake shtesë në mënyrën se si jetoni jetët tuaja. Mos e pranoni se ka njerëz të këqij në botë që duan t’ju vrasin, pastaj për lavdinë e Perëndisë. Mos e përdorni atë fjalë të shëmtuar – luftë – për të përshkruar konfliktin tonë me islamin radikal. Mos u ofendoni. Dhe mos u mbroni. Mund të jetë dikush i mërzitur si Sejfullahi.

Por s’duhet ngatërruar feja, besimi islam me terrorizmin dhe ideologjinë vehabiste, por gjërat duhet të thuhen siç janë. Në fund të fundit “Islam” do të thotë paqe. Ideologjia duhet luftuar me mjete ideologjike.

Ndoshta ka ardhur koha për një reformim të islamit, duke hedhur poshtë radikalizmin, gjë që,  madje edhe liderët arabë, si: presidenti i Egjiptit,  Mbreti i Arabisë Saudite po thonë, se e kanë kuptuar se duhen ndryshime. Ndoshta pa blafsemuar, do të duhej duhet një islam më modern, që jetonte në harmoni me shekullin e sotëm. Ky është islami që i duhet botës sot.

Islami shqiptar e ka vërtetuar këtë, dhe qendrat islamike shqiptare në Amerikë e kanë vërtetuar këtë. Shembulli pozitiv i dialogut ndërfetar të qendrës Islamike Shqiptare në Staten Islamd dhe the Dr. Imam Tahir Kukiqit është një shembull.

Duke e bërë terrorizmin pjesë të luftës politike nuk e zgjidhim atë si fenomen, por bëjmë ashtu siç bëjmë me fëmijët për Halloween, i mashtrojmë duke i dhënë ndonjë sheqerkë.

“Trick or treat”.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: “Trick or treat”, Jo, ME TERRORIZMIN, Rafael Floqi

“Reflekse të poetikës sufiste tek “Fjalët e Qiririt” të Naim Frashërit

October 21, 2017 by dgreca

Me rastin e 117 vjetorit të vdekjes të Naim Frashërit/

1-rafael-floqi

Nga Rafael Floqi/

Rumiu “Që të jesh një qiri nuk është e lehte. Pasi qe te japësh dritë më parë duhet te digjesh”/

Fjalët e Qiririt/

Në mes tuaj kam qëndruar

E jam duke përvëluar,

Që t’u ap pakëzë dritë,

Natënë t’ua bënj ditë.

Do të tretem, të kullohem,

Të digjem, të përvëlohem,

Që t’u ndrinj mir’ e të shihni,

Njëri-tjatërin të njihni.

 

Për ju do të rri të tretem,

Asnjë çikë të mos mbetem,

Të digjem e të qanj me lot,

Se dëshirën s’e duronj dot.

 

Unë zjarrit nuk i druhem

Dhe kurrë s’dua të shuhem,

Po të digjem me dëshirë,

Sa të munt t’u ndrinj më mirë.

 

Kur më shihni se jam tretur,

Mos pandehni se kam vdekur;

jam i gjall’ e jam ndë jetë

jam në dritët të vërtetë,

 

Unë jam në shpirtin tuaj,

Mos më kini për të huaj,

M’është falurë durimi,

Andaj po digjem si trimi,

 

Se ma k’ënda t’u bënj mirë,

Të mos mbeti n’errësirë.

Jakëni rreth meje rrini,

Flisni, qeshni, hani, pini,

Në shpirt kam dashurinë,

Pa digjem për njerëzinë,

Lemëni të përvëlohem,

nukë dua më të ftohem,

Dua ta djek trupn’ e kretë

Për atë zotn’ e vërtetë.

Me zjarr ta djek mushkërinë

E të tretem për njerinë,

 

Bashkë me gëzimt të tija

të vete te perëndia.

Unë dua njerëzinë,

Mirësin’ e urtësinë.

 

Në bëhi shokë me mua,

Në më doni si u dua,

Njëri-tjetërin në doni,

Të paudhë mos punoni.

 

O zëmëra fluturake,

Qasju pakë kësaj flake!

Mase krahët t’i përvëlon,

Po dhe shpirtin ta shënjtëron.

 

Unë duke përvëluar,

Njerëzit i kam ndrituar.

Kam qënë mik me njerinë,

Andaj i di e më dinë.

 

Gjithë tuajt’ i kam parë,

Mëm’ e at’ e fis e farë,

Si tani gjithë i kam ndër mënt,

Që rrininë më këtë vënt.

 

Edhe sot nër ju ata shoh,

Se shpirtin e tyre ua njoh,

Dhe unë si ju jam nderruar

E jam përzjer’ e ndryshuar,

 

Pa jam bërë shumë herë

Zjar e uj’ e balt’ e erë.

Jam një shkëndijë pej qielli

dhe një drudhëzë pej dielli.

Edhe ndër qiej fluturonj,

Edhe brënda në det qëndronj,

Shumë herë fle në baltë,

Diku ndodhem dhe në mjaltë.

Bënem qëngj e kec i pirë,

Lul’ e bar e gjeth i mbirë.

Dua shumë fjalë t’u them,

Po trëmbem mos i bënj ujem.

E ku shkruhenë në kartë

Fjalët’ e gjuhësë zjarrtë.

Poezia e Naim Frashërit, “Fjalët e Qiririt” aq e njohur nga lexuesi shqiptar, ngërthen në vetvete, edhe pse në pamje mjaft e thjeshtë, nivele të ndryshme analize intertekstuale dhe leximi që mund të zbërthehen më thellë edhe si ndikim të rregullave të poezisë sufiste, e veçanërisht të poetit persian sufist Rumiut, i njohur mirë nga Naimi ynë i madh. Këto ndikime në figuracion dhe tema nuk janë thjesht refleksione apo imitime të Naimit, por pjesë e një rrymë e frymë poetike, fetare, filozofike e lidhur pazgjidhshmërisht me bektashizmin e Naimit. Dhe analiza dhe digresionet që ne bëjmë në studimin e mëposhtëm synojnë të nxjerrin në pah, pikërisht karakterin sa vetjak e të veçantë, por edhe kozmopolit të poetit tonë kombëtar.

Poezia gjithnjë dëgjon dhe rilexon vetveten.

Librat dhe kryeveprat letrare duhet të lexohen dhe rilexohen, dhe aq më shumë poezia, pasi ata janë si jeta me larminë e saj të gjithanshme. Më shumë në poezi, vlerësimi i të lexuarit duhet parë në lidhje të ngushtë me atë të rilexuarit, mbasi ndërthurja mes tyre është sa e ngushtë, aq edhe e gjerë, sa e çastit, aq edhe si rezultat i faktorit subjektiv i lexuesit të veprës dhe procesit të lexuarit, gjatë gjithë jetës.

Me që çdo vepër e shkruar ka lindur në një moment specifik, në një kohë  mund të shihet edhe si një fragment apo një artefakt i asaj kohe të caktuar, kur autori e ka krijuar apo të përvojës poetike e ndikimeve që ai ka pasur. “Tekstet, janë te tillë, pasi ata përfshijnë një trupëzim. Ata në fakt janë një informacion i pastër” – Norman Bryson: Intertextaulity and Visual Poeticts, tek: Style 22.2 (Verë 1988).f.192 .

Ndaj dhe zbulimi i informacionit nga një kënd vështrim tjetër, veçse i zbulon tekstit anë, detaje dhe kuptime të shumëfishta në një këndvështrimi të ri që zbërthejnë poetikën e botëkuptimin e një autori.

Së pari, në trojet shqipfolëse i njëjti tekst poetik, “Fjalët e qiririt”, p.sh i është dhënë lexuesit shqiptar në kohë të ndryshme, dhe së dyti “Fjalët e qiririt” u është dhënë për lexim e rilexim, brenda një harku relativisht të shkurtër kohor, nxënësit të tetëvjeçares, atij të shkollës së mesme, studentit e më tej lexuesit pa kufizim moshe. Kjo si historik i leximit të poezisë. Por këtu, ne po flasim me një lexim krahasimtar me një kënd të ndryshëm leximi, për të zbuluar lidhjet që  poezia e Naimit ka pasur, nga bektashizmi si botëkuptim fetar, tek panteizmit si kuptim fetar apo  poetik, por edhe nga misticizmi më shumë si konceptim poetik sesa filozofik, pra në përgjithësi, në krahasim me poetikën e sufizmit dhe poetëve mistikë sufi, ku me i madhi prej tyre është poeti persian, , Jalal ad-Din Rumi ( 1207-1273 ).

Poetika e sufizmit dhe Naimi

“Sqarimi i përmbajtjes të poezisë së Naimit është i lidhur me raportin e bektashizmit me botëkuptimin filozofik të Poetit, sepse bektashizmi, ashtu siç paraqitet jo në tekstet sakrale, por në shkrimet e Naimit, përfaqëson një lloj teosofie, të kryqëzuar me një lloj panteizmi, që herë është quajtur perëndimor(poetik R.F) e herë oriental(filozofik, sufist apo dhe Zarathustrian R.F). Edhe në të tilla përcaktime ne shohim orvatjet që janë bërë e që vazhdojnë për të hetuar jo vetëm vlerat estetike të poezisë meditativo-filozofike të Naimit, por edhe ravijëzimin e kontureve të pikëpamjeve të tij filozofike si sistem. Problemi është i një rëndësie të madhe nga që është vënë në dukje lidhja e ngushtë e poezisë dhe e filozofisë në veprën letrare të Naimit, aq sa na duket e drejtë të pohojmë se si, si poet, ishte filozof dhe si filozof, ishte poet.“, kështu e përcakton me të drejtë akademiku i ndjerë, Alfred Uçi filozofinë e Naimit në Simpoziumin .”Naim Frashëri: Bektashizmi dhe Kombëtarizmi “, mbajtur për nder  të 100 vjetorin të vdekjes së poetit tonë të madh kombëtar, më  20 tetor 2000, në Tetovë. Cit . http://fluturime.blogspot.com/2013/04/naim-frasheri-bektashizmi-dhe.html

Në pikësynimin për të konturuar fizionominë e botëkuptimit filozofik të Naimit, janë arritur mjaft rezultate interesante edhe duke e krahasuar me sistemet e drejtimet kryesore të filozofisë botërore-idealizmin materializimin, dualizmin, teizmin, ateizmin, sensualizmin, racionalizmin, natyralizmin, spiritualizmin, panteizmin, misticizmin etj. Por duke i krahasuar lindin disa vështirësi të pakapërcyeshme porsa përpiqemi ta inkuadrojmë atë brenda kornizës së ndonjërit prej këtyre drejtimeve kryesore të mendimit filozofik botëror. Prandaj ne kemi zgjedhur një rrugë tjetër, e kemi parë këtë jo si një ndikim i drejtpërdrejt filozofike, por si nuanca rrymash poetike, ta lidhura më shumë me misticizmin oriental, i lidhur aq afër edhe me bektashizmit, që do ta saktësoja, më shumë si ndikim poetik i figuracionit dhe poetikës të poezisë së sufistëve, veçanërisht të Rumiut,  sesa siç kanë aluduar nga studiuesit iranianë, që e karakterizojnë Naimin si dishepull i shek. Të XIX të poetit pers,  duke e analizuar, jo ndonjë  poezi tjetër, por vetëm tekstin e poezisë së mirënjohur, sa iluministe dhe prometeiane, si “Fjalët e qiririt“.

“Misioni i poetit, bota e brendshme e tij, funksioni i mjeteve letrare të përdorura me finesë, roli ndriçues i veprës dhe jehona e pafund që përfton, bëjnë që rileximi i porosisë së madhe të fjalëve të qiririt të funksionojë si një “perpetum mobile”. “Fjalët e qiririt”, në kontekstin e opusit naimian, si “vepër e hapur” me horizont të gjatë pritjeje, apo e rilexon “sipas këndvështrimit”. Ashtu si qiriri që vendoset në mes dhomës, për t’i ndriçuar të katër anët njëlloj, edhe Naimi e zgjedh vendin në mes të njerëzve, për t’i ndriçuar së jashtmi e së brendshmi, në mënyrë të barabartë”, sipas prof. as. dr. Alfred Çapaliku, “Rileximi i një teksti Poetik, “Fjalët E Qiririt” të Naim Frashërit,  .”Naim Frashëri: Bektashizmi Dhe Kombëtarizmi”, cit po aty .

Këtu është rasti të përmendim nevojën për të hequr dorë nga një mendim (me prejardhje qysh nga kohë e iluminizmit) se vetëm një filozofi “materialiste”, “safi shkencore” mund të ishte estetikisht produktive në art, në poezi. Ky mendim pranohej si aksiomë, që skish nevojë të argumentohej; si paragjykim dogmatik, i estetikës marksiste, që pat penguar edhe vlerësimin e drejtë të pikëpamjeve filozofike të Naimit në poezinë e tij. Por po ta shikosh esëll, pa paragjykime, historinë e kulturës artistike, nuk mund të mos vëmë re artefakte të shumtë, që bien ndesh me këtë pikëpamje dhe që provojnë se edhe një filozofi idealiste, madje mistike mund të jetë shkas për frymëzime të larta poetike, si në rastin edhe të poezisë së Naimit “Fjalët e Qiririt”.

Është e qartë se këtë forcë mbi historike dhe këtë bukuri të pashoqe, mjaft poezi të Naimit do ta humbitnin, sikur të kishin qenë të zhveshura nga ndikimet filozofike e idealiste, panteiste, që e ushqenin kërshërinë e tij për të depërtuar në thellësitë e shpirtit njerëzor e të përjetimeve të tij estetike, ashtu siç i ndriçonin rrugët talentit të tij poetik edhe idetë e iluminizmit e të racionalizmit, se gjithsesi poeti e ndjen intuitivisht, në qoftë se nuk e kupton, se mund të përfitojë nga çdo filozofi e mençur, e urtë, mjafton që ajo të mos mbetet në krijimet poetikë mish i huaj.

Demiurgu i Shqipërisë pa terr e kryen me modesti misionin “…që t’ju jap pakëz dritë”. Përvëlimi i qiririt sjell sosjen. Përvëlimi i Naimit arrin mbijetesën. Aty nga fundi i vjershës simboli shkrihet për t’u ndezur metaforat e epitetet, përmes të cilave Naimi vjen drejtpërdrejt “…në dritë të vërtetë”. Rileximi në një mënyrë afërsisht të tillë, bën që të kapen vlera hipertekstuale dhe intertekstuale, si guximi promoteian dhe vuajtja asketike e krijuesit në lindjen e artit të madh. Kësaj, here më tepër për paralelizëm do te analizojmë në mënyrë krahasimtare këtë poezi, nga pikëpamja e estetikes sufiste, duke e krahasuar atë me poezinë e Rumit. Duke bërë veprime krahasuese mjaft të holla me “Fjalët e qiririt” ne  do të shohim, se si kjo vjershë e thjeshtë e madhështorë, nga shkollë poetike kthehet në shkollë formimi qytetar.

Musine Kokalari, Naimi dhe Rumiu

Ajo që vuri re ngjashmëri mes Naimit dhe Rumiut, ishte Musine Kokalari. Në fakt unë nuk synoj të analizoj tezën e Musine Kokalarit që në studimin e saj të shkollës, madje e aludonte për plagjiaturë tek disa nga poezitë e Naimit. “Në vitin 1938, Musine Kokalari në tezën e saj të mbrojtur në Itali, për poetin tonë kombëtar të Rilindjes, Naim Frashëri, ka bërë një nga zbulimet më të çuditshme në letërsi: se shumë vargje të Naimit rezultojnë identike me ato të poetit persian, Rumiu. Ajo e ka quajtur “kopjim”, pa bërë ndonjë koment, por duke e arsyetuar si gjendje dhe situata të njëjta ndjeshmërie. Dy kompozimet karakteristike sipas janë: “Fyelli” (Lulet e verës) dhe “Turtullesha” (Parajsa), duke i vënë përballë me ato përgjegjëse të Rumiut (Kobla shpirtërore), (Tekst këngë), saktësisht: i pari në “Pjesë e hyrjes” dhe i dyti tek “Tregtari dhe papagalli” apo “Nevoja për t’u çliruar nga burgu i jetës”.

“Musine Kokalari këtë fakt nuk e hiperbolizon si një zbulim plagjiature, por me elegancë dhe finesë prej studiueseje, na thotë se Naimi “ka gjetur sigurisht përputhje, jo vetëm me idealet dhe ndjeshmërinë e vet, por sidomos në të dytën, një ndërthurje me jetën e vet prej mërgimtari, prej të burgosuri – i larguar me forcë nga toka e vet e nga gjërat e tij të dashura”. Shih: Violeta Murati” Musineja zbulon; Naim Frashëri, ka kopjuar poetin pers, Rumiu, Gazeta Standard, Tiranë, 31,10,2009.

Por në fakt, ajo që Musineja mund të mos kishte kuptuar ishte poetika dhe didaktika e shkollës së poetëve sufi së cilës i qe nënshtruar dhe Naimi, në moshë të re. Arti sufi është vlerësuar gjithmonë sipas një kriteri të vetëm: Mbi bazë të vlerësimit që sufistët i japin vetes. “Kjo është arsyeja pse kriteret e zakonshme, historike, letrare apo të tjera nuk mund të aplikohen për të vendosur se çfarë të përfshijnë ose të përjashtojë në poezinë  e tyre.” Tek qarqet e shkollës sufiste janë të zakonshme që studentët të zhyten në tregimet e sugjeruara për studim nga mësuesit, duke përdorur të njëjtat metafore por duke i çuar në dimensionet e mëtejshme të cilat mund t’u zbulohen atyre për t’i mësuar gjet kur mësuesi e kupton sesi kandidati është i gatshëm t’i zbatojë në krijimet e veta  këto parabola  kanë arritur të nxënë”, Mulla_Nasruddin, ”Parabole sufi “ , http://www.sufi.it/sufismo/Mulla_Nasruddin/index.htm

Shpesh është ngritur nga studiues pyetja si shpjegohet që Rumiu u vonua kaq shumë për të ardhur te lexuesit shqiptarë, kur dihet se letërsia perse ka qenë me fat, duke pasur përkthyes të tillë si F. Noli, Hafiz Ali Korça, Vehxhi Buharaja dhe së fundi nga Dhori Qiriazi.

Në fakt, është thënë se i pari që u afrua me Jalal ad-Din Rumi në letërsinë shqipe ka qenë poeti ynë kombëtar Naim Frashëri, i cili përktheu (jo të plotë) poezinë e famshme të Rumiut “Kënga e fyellit”. Naimi ka përshtatur për fëmijë edhe poezinë tjetër të Rumiut, “Këshillat e një zogu”, që në shqip mban titullin “Zogu dhe djali”. Pas Naimit ka pasur një heshtje për këtë poet, i cili është renditur me Atarin, Firdesin, Khajamin, Hafizin, Nizamin, Saadiun etj. Rumiu është cilësuar prej përkthyesit dhe poetit Dhori Qiriazi si “Shekspiri i Lindjes”, i përkthyer në 25 gjuhë të botës. Ndërsa në një kumtesë që prof. Jorgo Bulo ka mbajtur në Teheran në 800-vjetorin e lindjes së Rumiut, “Naimi dhe Rumiu” – nuk e ka parë këtë afërsi identike mes poetëve, por e ka trajtuar si ngjashmëri ndjeshmërish. Arsyeja pse prof. Bulo nuk i ka dhënë një analizë të gjallë kësaj teze ndoshta ka të bëjë me pasjen në dorë, të poezisë në shqip të Rumiut, pikërisht poezitë për të cilat nga flet Musine Kokalari – për të cilat u mbështet tek një përkthim i profesorit të saj në Itali.
“Rumiu ka pasur një ndikim gjurmëlënës në zhvillimet shpirtërore shqiptare prej Rilindjes Kombëtare e këndej, duke ndikuar edhe te poeti ynë kombëtar Naim Frashëri”, – kjo është fjalia më e përgjithshme që është thënë për dy poetët, pa rënë asnjëherë në gjurmë të ndonjë teze konkrete, siç e ka analizuar studentja e Romës, në vitin 1938. “ Violeta Murati” Musineja zbulon; Naim Frashëri ka kopjuar poetin pers, Rumiu, Gazeta Standard 31,10,2009.

Ndikimi i Rumiut në letërsinë botërore

“Rumiu është ky figurë mbresëlënëse në të gjitha kulturat”, thotë Brad Gooch, i cili po shkruan një biografi të Rumiut duke ndjekur në mënyrë kritike librat e tij më të çmuar botuar nga Frank O’Hara dhe Flannery O’Connor. “Harta e jetës së Rumit mbulon 2,500 milje”, thotë Gooch, i cili ka udhëtuar nga vendlindja e Rumit në Vakhsh, një fshat i vogël në Taxhikistan, në Samarkanda në Uzbekistan, në Iran dhe në Siri, ku Rumi studioi në Damask dhe Aleppo në të njëzetave. Ndalesa e tij e fundit e tij ishte Konia, në Turqi, ku Rumiu kaloi 50 vitet e fundit të jetës së tij. Sot varri i Rumit tërheq qindra pelegrinë nderues çdo vit, kur zhvillohet edhe ceremonia dervishëve rrotullues çdo 17 dhjetor, në përvjetorin e vdekjes së tij.

Momenti transformues në jetën e Rumit erdhi në vitin 1244, kur takoi një mistik endacak të njohur si Sham i e Tabrizit. “Rumi ishte 37 vjeç, një predikues dhe dijetar tradicional mysliman, siç kishte qenë babai dhe gjyshi i tij”, thotë Gooch. “Dy prej tyre kanë këtë miqësi elektrike për tre vjet – dashnor dhe i dashur [ose] dishepull dhe sheik, nuk është kurrë e qartë.” Por Rumi u bë mistik. Pas tre vjetësh Shams u zhduk – “ndoshta i vrarë nga një biri xheloz i Rumiut, ndoshta duke i mësuar Rumi një mësim të rëndësishëm në ndarjen”. Rumi u përball me shkrim të poezisë. “Pjesa më e madhe e poezisë që kemi  nga mosha 37 deri në 67 vjeç. Ai shkroi 3,000 [këngë dashurie] Shamëve, profetit Muhammed dhe Zotit.

Poetika dhe filozofia sufiste

Në fakt me vargje të rimuara,  ritmike dhe melodike, preket intimiteti më i thellë. Poeti Sufi nuk është aq i interesuar për një literaturë të mirëfilltë në vetvete, ai kërkon të vërtetën (Al-Haqq) se kështu ai shpreh përmbushjen e tij të plotë. Mjeti për të komunikuar të pa komunikueshmen është poezia. Poezia e Naimit kuptohet me mire duke kuptuar poezinë e atij qe ai e mori për shembull poetit te madh persian e sufist Rumiut.  Naimi e njihte mirë persishten madje para se të bënte shkollimin e mesëm në shkollën e njohur mirë të Zosimesë në Janinë, ku Naimi e njohu mirë dhe letërsinë klasike greke e frënge, greqishten e frëngjishten si dhe drejtimet filozofike evropiane të kohës që mësoheshin. Por ndikimet e kulturës së orientit – e letërsisë, filozofisë, fesë, gjuhës etj. tek Naimi janë të dukshme qysh në fillimet e të thururit e vargjeve të para në kohën e fëminisë në moshën dhjetëvjeçare, ku krijoi vargje poetike në persisht, si “Synbyli zade-i ahmak”, që dmth. “I plakur njeri-u i molisur”, pastaj vepra e parë e krijimtarisë së tij e shkruar dhe e botuar, siç ishte “Tehajjulat”, ishte gjithashtu në persishte. Ndaj  natyrisht ai s’kishte si të mos kishte ndikim nga poeti më i madh sufist, Jalal ad-Din Muhammad Rumi, një poet persian dhe mjeshtër sufi i lindur 810 e ca vjet më parë në vitin 1207, poezitë e së cilit kanë shitur miliona kopje edhe në vitet e fundit, duke e bërë atë poetin më të njohur në SHBA.

Filozofitë e mistikëve sufistë dhe heterodoksë të krishterë kanë qëndrime themelore me Tao dhe Zen. Mësimdhënia e mistikëve (si Jezusi i Galilesë) shpesh u vlerësua me fuqi të mrekullueshme mes muslimanëve, të krishterëve dhe ‘paganëve’ të të gjitha llojeve. Haji Bektash Veliu , themelues i bektashizmit ishte një mësues i tillë dhe, mbi të gjitha, qëndroi kundër hipokrizisë, intolerancës dhe obsesionit me tekste dhe rregulla të lashta.

“Sufizmi nuk është një sekt, por një tendencë. Sufitë mund të jenë sunitë ose shia. Sufizmi është një rrugë individuale dhe udhe individuale për t’u drejtuar përvojës së Zotit (ose ‘Realiteti i Ultë’, sepse sufizmi është larguar larg nga islami patriarkal ortodoks) nëpërmjet dashurisë dhe integritetit dhe jo përmes ritualeve automatike të të devotshmëve (të cilët janë kaq shpesh të paditur). Kjo rrugë jo ose anti-egoiste zakonisht përfshin disasociimin ose shkëputjen nga ‘normaliteti’, nga pasuritë  dhe shpenzimet, karriera dhe familja. Shenjtia Sufi (ose Dervishi) është shumë e ngjashme me figurat e Diogjent të Sinope, Jezusin e Galilesë ose Hindu Sadhusin.  “ The Bektashi Order of Dervishes”, Anthony Weir.

Qiriri, drita hyjnore

Por le të ndalemi tek poezia e jone “Fjalët e qiririt” Sufistët i referohen qiriut simbolikisht, si “drita hyjnore” dhe “drita e udhëzimit hyjnor”, ndërsa Kurani nganjëherë quhet “qiriri hyjnor” ose “qiri / drita e Zotit” (krh. 61: 8, “Drita e Zotit” dhe Jalal al-Din Din Rumi tek Maxhnawi VI, f. 391 v. 2082, “qiri i Perëndisë”, shih gjithashtu Sajjadin, f. 290-91, Gowharīn, VI, f. 80, Melikian-Chirvani, fq. 117f Krahaso edhe motive të tilla si “shpirti si  drita e qiririt” (E742.1) apo dhe “vdekja është si një qiri i shuar” (E765.1.1) cit. sipas  Folk and high literature (Penzer, VIII, p. 107, n. 6).sipas  Enciclopedia Iranica  http://www.iranicaonline.org/articles/candle-pers

‘Që të jesh një qiri nuk është e lehte. Pasi qe te japësh dritë më parë duhet te digjesh” shkruante Rumiu.

Substanca e sufizmit është e vërteta dhe kuptimi i sufizmit është përjetimi i vetëmohues dhe aktualizimi i së vërtetës. Praktika e sufizmit është qëllimi për të shkuar drejt së vërtetës, me anë të dashurisë dhe devotshmërisë. Kjo quhet tarikat, rruga shpirtërore ose rruga drejt Zotit. Sufi është ai që është një dashnor i së vërtetës, i cili me anë të dashurisë dhe devotshmërisë dhe me poezinë lëviz drejt të vërtetës, drejt përsosmërisë që të gjithë kërkojnë me të vërtetë. Sipas, teologut Tasawwuf: “Në fetë e ndryshme ka mësime të ndryshme rreth shpirtit, por në përgjithësi termi i referohet unit real, personalitetit të qëndrueshëm. Në sufizëm termi është ruh i cili gjithashtu, nënkupton aktivitetin
“e dritës së pafundme”. Akibat, Life after Death. Kështu mund të shpjegohen këto vargje të Naimit, tek “Fjalët e qiririt”.

“Kur më shihni se jam tretur,

Mos pandehni se kam vdekur;

jam i gjall’ e jam ndë jetë

jam në dritët të vërtetë”.

Por ne do të ndalemi tek qiriu, simboli i dritës por edhe mishërimi i poetit për të mirën për të përhapur ditën për njerinë.

“Dua ta djek trupn’ e kretë

Për atë zotn’ e vërtetë.

Me zjarr ta djek mushkërinë

E të tretem për njerinë”

Kur Naimi shkruan kështu ai nënkupton se kjo është sakrifica sublime e konceptit të “vetshkrirjes”, të vetasgjësimit për të eliminuar errësirën, kjo është sakrifica sublime në emër të dritës. Të njëjtin motiv e gjejmë dhe tek poezia e Rumit “Një qiri i sapodjegur”. Për Rumiun” ‘Një qiri nuk humbet asgjë nga vetja duke ndriçuar dikë tjetër’.  Pra trupi i poetit qe digjet krejt, është vetë përkushtimi i dishepullit për mjeshtrin e tij, kurse tek Naimi ne poezinë ”Fjalët e qiririt” shihet më shumë si mishërim i poetit që i për kushtohet ndriçimit të mendjeve të bashkatdhetarëve të tij, një iluminizëm sa poetik aq dhe praktik. Tek poezia : “Një qiri i sapodjegur” i Rumiut është më shumë një vlerësim filozofik mbi  kuptimin e jetës, e të  dualitetit mes se mirës dhe se keqes, mes Jin dhe Jang, mes virtytit dhe vesit.

Një qiri i sapodjegur

“Qiriu është bërë për të ndriçuar ,

Pasi veç duke u vet venitur

Zhduken, hijet ..,

Ai s’është veç një gjuhëz flake

që shndrit një strehëz.

Shihe këtë qiri të sapo tretur

Është si  dikush që së fundi u çlirua,

prej virtytit edhe vesit,

Si dhe prej krenarisë e turpit

Që na vjen  syresh.

(A Just-Finishing Candle by Jalaluddin Rumi, përkthyer në anglisht Coleman Barks, përkthyer shqip .RF)

Nëse Rumiu është një poet i gëzimit dhe i dashurisë”, thotë studiuesi i tij  Gooch. Në fakt ai është një poet dhe figurë shumë misterioze dhe provokative për kohën tonë, ndërsa luftojmë me të kuptuarit e traditës sufiste dhe të kuptuarit e natyrës së ekstazës dhe devotshmërisë dhe fuqisë së poezisë”, shton gjithashtu poetja Anne Waldman, bashkë-themeluese tok me poetin Allen Ginsberg të Shkollës Jack Kerouac të Poetikës në Universitetin Naropa, ku ajo është profesoreshë e poetikës. “Ajo është gjithashtu një traditë homoerotike, që ka nisur qysh nga Safo deri tek Walt Whitman.”. Por në ndryshim nga koncepti i Rumiut,  tek Naimi e mira, dashuria është Perëndia, është njerëzia, kjo e bën poetin tonë sa hyjnor aq dhe tokësor sa rilindas aq dhe iluminist.

“ Dua ta djek trupn’ e shkretë

Për atë zotn’ e vërtetë.

Me zjarr ta djek mushkërinë

E të tretem për njerinë.( Fjalët e Qiririt)

Flutura dhe flaka

Në literaturën sufi një nga metaforat më të dashura është flutura e natës, (mola)dhe flaka. Zhdukja e pendës në flakë është parë përsëri dhe përsëri si një analogji për kërkuesin e rrugës sufiste që kërkon asgjësimin në Thelbin Hyjnor. Termi sufist për asgjësimin ose braktisjen në Hyjnore është Fana. Gjeniu i Bahauddin Valad (babai i Rumit dhe ai poet ) përdori molën në një metaforë të habitshme e të bukur. Këtu analogjia thekson shkëlqimin e dritës së brendshme që e bën diellin të duket si një molë, me sa mund të duket një insekt i vogël. Kjo metaforë tipike sufiste, tek poezia “Fjalët e qiririt”, “Si flutur bëhet zemra , “Zemra është flaktë dhe zemra ka shpresë” është pikërisht reflektimi i kësaj metafore

“O zëmëra fluturake,

Qasju pakë kësaj flake!

Mase krahët t’i përvëlon,

Po dhe shpirtin ta shënjtëron”.

 

Unë duke përvëluar,

Njerëzit i kam ndrituar.

Kam qënë mik me njerinë,

Andaj i di e më dinë. (Fjalët e qiririt)

“Për sufistët krijimi është mister përtej gjuhës.  Në vitin 1976, poeti Robert Bly i dorëzoi Barks një kopje të përkthimit të Rumiut nga Cambrixhi  don AJ Arberry, ku ai përshkruante poezinë e Rumi’ut si “misteri I zemrës së hapur,” një gjë që s’mund ta thuash me fjalë.”  Rozina Ali, The Erasure of Islam from the Poetry of Rumi , New Yorker. January 5, 2017, ndaj edhe Naimi për këtë pamundësi, transcendente shkruante “ E ku shkruhen në kartë fjalët e gjuhës së zjarrtë.

Djegia më bën më të ndritur

Është pikërisht ky mister por më i kthjellët në poetikën e Naimit që gjen poetikisht përkimet e veta anësore metaforike, pasi në thelb vepra e Naimit në radhë të parë i kushtohet Atdheut dhe popullit të vet, por sidoqoftë ajo ndonjëherë i kalon kornizat kombëtare dhe i takon njerëzimit mbarë. Naimi është para së gjithash humanist, që për të mirën e popullit flijon dhe digjet si qiriri për t’i bërë dritë tjetrit. Edhe bindja fetare e Naimit është në shërbim të njeriut dhe njerëzimit. Por sidoqoftë metaforikisht ai përkon me Rumiun si në një poezi dashurie transcendente për Shamin, ku Rumiu shprehet.

“Qysh tani dhe pastaj, djegien do ta bëj qëllim,

Sepse si qiri, veç kur të digjem ndriçoj më shumë”. Rumi ….

Si njeri që ka fituar dije bashkëkohore nën ndikimin e shkrimtarëve dhe filozofëve të racionalizmit dhe iluminizmit në njërën anë, dhe atyre të Lindjes me besim islam të sektit bektashiane. Naimi ka qëndrimin e vet edhe ndaj fesë, sidomos kur ajo mund të ndikojë në përçarjen midis njerëzve. Te Naimi qëndron edhe vetëdija për vëllazërinë e njerëzinë pa dallim feje, prandaj edhe thotë: « Çdo njeri vëlla e kemi,  gjithë nga një baltë jemi ».

Pas bejtexhinjve, Naimi qe poeti i parë mysliman që e ngriti zërin aq ashpër ndaj sunduesve osmanë. Një vjershë e Naimit i tronditi dhe i magjepsi zemrat e shumë shkrimtarëve shqiptarë të krishterë që atë kohë gjendeshin në Bukuresht. Për Naimin çështja kombëtare ishte mbi të gjitha. Ndasia fetare për të ishte e papranueshme, prandaj për të më fatlum ishte besimi panteist që do të ndikonte në unitetin e shqiptarëve që ishin me tre besime. Ne “Fletore e Bektashinjet ” ai shkruante “Bektashinjtë janë vëllezër dhe kanë një shpirt…Ata i duan myslimanet e tjerë dhe të krishterët si shpirtin e tyre, por mbi të tera ata duan mëmëdheun dhe bashkatdhetarët e tyre dhe kjo është më e mira nga të tëra gjërat. Është interesante koncepti sufist i unitetit nder fetar. Për sufistët dashuria është perëndia, p.sh rek poezia e Rumiut « Unë jam fëmija i dashurisë shpalosen konceptet e vërteta fetare të sufistëve.” Sufitë e shohin Perëndinë jo si një patriark të largët dhe i vetmuar, por si një dashuri hyjnore. Dashuria në të gjitha format e saj është në qendër dhe dashuria shprehet ose në poezi mistike (siç është Rumi), ose supra-verbalisht – me muzikë dhe vallëzim.

“Unë deklaroj fenë e dashurisë,

Dashuria është feja ime dhe besimi im.

Nëna ime është dashuria

Babai im është dashuria

Profeti im është dashuria

Perëndia ime është dashuria

Unë jam një fëmijë i dashurisë.

Kam ardhur vetëm të flas për dashurinë”.

Rumi jo vetëm që respektonte mësimet e krishtera, por gjithashtu e admiroi shumë jetën dhe vlerat që ndan Jezusi. Në thelb, për Rumin, të gjitha fetë ishin pak a shumë po aq të bukura, sepse të gjithë kërkonin të vërtetën hyjnore ndaj ai shkruante:

“Unë nuk jam as i krishterë, as hebre, as mysliman

Unë nuk jam nga Lindja, as nga Perëndimi …

Unë kam hequr dualitetin, kam parë dy botët si një;

Një e kërkoj, Një e di, Një e shoh, Një e quaj

(Divan-I Shams-I Tabriz, II)

Rumi nuk i gjykoi njerëzit me një interpretim të ngushtë të Perëndisë. Përkundrazi, ai theksoi atë që ne sot do të quajmë pluralizëm, ose besimin se nuk ka një grup të qëndrueshëm të së vërtetave fetare rreth botës dhe se të gjitha fetë mund të punojnë në harmoni në një shoqëri të vetme. Në mënyrë të ngjashme, Rumi theksoi se ka shumë mënyra nëpërmjet të cilave njerëzit mund të vijnë në kontakt me Perëndinë dhe se Islami nuk është rruga e vetme për botën tjetër.

Vlerësimi i Rumit dhe përkushtimi ndaj dialogut ndërfetar dhe njerëzve me prejardhje jomyslimane u shfaqën gjithashtu në funeralin e tij në Konya, Turqi në vitin 1273. Me pjesëmarrjen e njerëzve nga të gjitha sferat e jetës, thuhet se një burrë mysliman qau një njeri të krishterë , “Pse bërtet në funeralin e një poeti mysliman?” I krishteri u përgjigj: “E vlerësuam atë si Moisiun, Davidin, Jezusin e epokës. Ne jemi të gjithë pasuesit e tij dhe dishepujt e tij. ” Siç analizuam është ky koncept i humanizmit, në konceptin e sotëm të dashurisë për njeriun( Një misticizëm që e gjëmë edhe tek Nënë Tereza), që  shpaloset edhe në këto vargje të Naimit.

“Në shpirt kam dashurinë,

Pa digjem për njerëzinë,

Lermëni të përvëlohem,

nuk dua më të ftohem” (Fjalët e qiririt)

Por edhe mbas gjithë këtyre rileximeve, Naimi mbetet sërish i panjohur në një sens misticizmi i tij që shkrihet tok me njerëzit e tij me shqiptarët e kohës. “Unë jam në shpirtin tuaj”.  Me anën e këtij vargu profetik, Naimi kthehet nga i lexuar prej shqiptarëve, në lexues të mendjes dhe zemrës së tyre. Qysh nga 12 gushti i 1884-tës, kur poezia “Fjalët e qiririt” u botua për herë të parë, gjer në ditët e sotme ky qëndrim serioz ndaj ekzistencës njerëzore, pavarësisht ngjyrimeve poetike Naimi nxirrte vetëdijen e përgjegjësisë iluministe që ka individi ndaj vetvetes e ndaj shoqërisë. Kjo ndjenjë përgjegjësie, sipas Naimit, shprehet si angazhim aktiv për zgjidhjen e problemeve që shtron koha dhe që qëndronin para kombit e çdo shqiptari. Dhe qe filozofia e besimit të jeniçerëve, i shërbente Naimit për të përhapur atë dije që e kishte mishëruar në këto vargje babai i bektashinjve, Haji Bektash Veliu.:“Për njerëzit me vetëdije,/një rreze dije nuk mjafton,/ Për turmën injorante/ Dija është thjesht e kotë”.

Kështu vetëm me këtë angazhim me qiriun e tretur njeriu mund të mposhtë edhe një vetëdije fatkeqe e tragjike për jetën dhe të vepronte me besim në fitoren e progresit. Në këtë mesazh fisnik, urtësie me përgjërimin ndaj njeriut e lirisë, mendimi filozofik i Naim Frashërit ka kaluar nëpër shumë breza të kombit tonë dhe na vjen në përkujtim e vjetorit të vdekjes së tij i gjallë, i freskët e frymëzues  Ndaj dhe Naimi edhe sot pas 117 vitesh shqipton “fjalët e gjuhës së zjarrtë” në të cilat mund të rrëmosh dhe të gjesh thesaret e pa fund të përvëlimit të tij, për të cilën ne modestisht u përpoqëm.

“ Që t’u ap pakëzë dritë/ Natënë t’ua bëj ditë”

Filed Under: LETERSI Tagged With: Fjalet e Qiririt, Naim Frasheri, Rafael Floqi, Reflekse te poétises sudiste

Rafael Floqi sjell Maya Angelou në “Sofrën e Diellit”

March 5, 2017 by dgreca

maya-angelouMaya Angelou/

Përktheu Rafael Floqi/

Maya Angelou ka pasur një karrierë të gjerë dhe të shquar si brenda dhe jashtë sferës letrare. Ajo është më i njohur për punën e saj si një poete, dhe aktiviste e të drejtave civile, duke punuar me Dr Martin Luther King Jr dhe Malcolm X.. Poezia e saj është frymëzuar dhe informuar nga jeta dhe puna e saj, dhe kjo lidhje personale shpesh bëhen poezitë e saj të thella dhe të fuqishme. Gjatë një karrierë që përfshin vitet 1960 deri në vdekjen e saj në vitin 2014, ajo tërhoqi, provokoi, frymëzoi, dhe në fund të fundit transformoi njerëzit dhe kulturën amerikane.  Maya Angelou, e lindur 4 prill 1928 si Marguerite Johnson u rrit në në St Louis, Arkansas në një zonë  rurale në kohën e dasive raciale.  Ajo ishte një poete, historiane, shkrimtare, aktore, dramaturge, producente dhe regjisore. Ajo ishte profesoreshë në Qendrën e Studimeve Amerikane në Universitetin, Wake Forest në Karolinën e Veriut , qysh nga viti 1981.  Ajo ligjëroi në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe jashtë vendit.  Ajo botoi dhjetë nga librat më të mirë të shitur dhe artikuj të shumtë në revista, duke fituar çmimin  Pulitzer dhe, duke u emëruar disa herë për Çmimin “National Book Award”.  Me kërkesë të presidentit Klinton, ajo shkroi dhe i dërgoi atij një poemë për ditën e inaugurimit të tij si president në 1993.

Një udhëtim i rrënuar 

S’ka as trokitje paralajmëruese në derë

As zhurmë të rënda  këmbësh që pengohen në dysheme e hajatit

E sigurt  si në burg të zi, e di

Se drita rrëshqet

Mbi punën e imtë  bërë me gishta

Nga një grua

pa dhëmbë prej Pakistani.

Pikturat e lumtura në mur

Nga një kohë e padukshme ndriçohen.

Goja ime e dëshiruar

S’pranon ajrin e zakonshëm dhe

Mushkëritë ndalen. Pushtuesi merr

Drejtim dhe

Dihat përmes mureve të allçisë.

Ja është në dhomën time, duke hyrë

prej vrimës së çelësit, duke u shtyrë

përmes pragut të derës.

S’mund të bërtas.  Një kockë

Frike më zë fytin.

Është mbi mua. Është

Një agim me Shpresë,

Është një kalorës arrogant .

Mendja ime, dikur e palëvizshme

Brenda kutisë së saj të rehatshme, është përndezur

Kur kundron fytyrat e tyre të ngazëllyera,

që hyjnë brenda meje.

Jam e detyruar forcërisht

Pa dëshirën time

T’i hipi dritës dhe kalëroj bashkë me Shpresën.

Përmes gjithë atyre orëve të shkëlqyera.

 

Jam e lidhur në pritje, deri sa

errësira vjen për të më kërkuar

si mallin e saj . Shpresa zbehet, dita shkon

në vendin e vet të pandreqshëm,

dhe unë rrëkëllehem sërish në këndin e njohur

tek brigjet e mos ngushëllimit .

Zymtësia zvarritet përreth

Duke u lëpirë ndjellësisht

rreth gishtave të mi, rreth  ijëve,

Duke më thithur edhe rrënjët e flokëve

Të mia. Dhe ma fal dalldinë

marramendëse me Shpresën. Kridhem

prapë brenda në krahëve të tij

të babëzitur.

 

 

Do të ngrihem sërish

 

Ti kërkon t’ më ulësh në jetë të jetëve,

Me rrena të idhta, gjithë dredhi,

Ti në llucë  mund t’ më zhytësh vërtet

Por unë nga pluhuri unë ngjitem përsëri.

 

Ah po,  të digjka paturpësia ime ?

Pse je rrethuar me gjithë atë zymti ?

Pse eckam si të kem puse nafte

në dhomën e ndenjes në shtëpi.

 

Po ashtu si hënat dhe si diejt,

si baticat që vijnë me saktësi,

Si shpresat që lart vërshojnë,

Po unë do të ngrihem përsëri .

 

Mos doje të më shihje zemërthyer?

Me kokë ulur dhe sy mënjanë?

Me shpatullat mbledhur si pika loti.

E ligur si shpirti kur qan .

 

Ah të fyeka mospërfillja ime?

E qenke prekur në thellësi?

Pse unë qesh sikur kam zehe ari

Pas kopshtit tim në shtëpi.

 

Ti mund t’më vrasësh më fjalë,

Ti mund t’më vrasësh me idhni,

Ti mund t’më më therësh me sy,

Por unë, si ajri ngrihem përsëri.

 

A të qenit  seksi të tërbuaka?

T’i qenke madje shumë i habitur,

Pse kërcej si t’ kem diamante,

Aty ku kofshët më rrinë ngjitur?

 

Ndaj,

Lart prej kasolleve të turpit të historisë

Unë ngrihem,

Lart nga e shkuara me rrënjë në dhimbje

Unë ngrihem,

Unë jam një oqean i zi , kërcënues. i paanë,

Që turfullon e fryhet  mes tallazesh.

I lashë pas netët me terror dhe frikë,

Dhe u ngrita

Në një muzg mrekullisht të pastër

U ngrita

Duke marrë me vete hajmalitë e stërgjysheve të mi,

U ngrita

Unë,-ëndrra dhe shpresa e një skllaveje .

U ngrita,

U ngrita,

U ngrita.

 

 

 

Zogu i kafazit

 

Zogu  i lirë i kërcen

Në shpinë e erës,

Dhe zhytet në mes shtjellash teposhtë

Aty gjer ku rryma nis e reshtet,

Dhe e ngjyen krahun

Në rrezet e një dielli portokalli,

Dhe guxon të thotë se qielli është i tij .

 

Por zogu i kafazit

Që çapitet në kuvlinë e tij të ngushtë

Herë-herë mezi sheh

Tej telash plot duf zemërimi

Se krahët e tij janë të qepur

Dhe këmbët i ka lidhur

Ndaj,

shqyen fytin  e zë e këndon.

 

Zogu i kafazit nis e iu këndon

Me një trill gjithë llahtari

Atyre gjërave të panjohura

Qe me gjithë afsh i dëshiron

Dhe do që cicërima e tij të ndihet

Gjer atje në kodrën e largët

sesi ai zogu në kafaz

këndon për liri.

 

Zogu i lirë mendon për një tjetër stuhi

Dhe shkërben shtjellat mes pemëve rënkuese

Sheh krimbat e majmë që shtriqen në lëndinën e bardhë

Dhe i shpalos qiellit dëshirën pushtuese

 

Ndërsa zogu i kafazit  buzë një varri ëndrrash

Hijes së tij i këlthet gjithë llahtari

Krahët qepur dhe këmbët lidhur

E çjerr rrylin e këndon përsëri.

 

Zogjtë e kafazit nisin e këndojnë

Me një trill gjithë llahtari

Atyre gjërave të panjohura

Që me gjithë afsh i dëshirojnë

Dhe duan që cicërima e tyre të ndihet

Gjer atje në kodrën e largët

sesi ata zogjtë e kafazit

këndojnë për liri.

 

 

 

 

Vetëm

 

Shtrirë , e përhumbur

Natën e kaluar,

Mendoja si t’i gjeja shpirtit tim një shtëpi,

Ku uji të mos ishte i etur,

Kur buka të mos ishte si gur,

Dhe arrita një përfundimin

Që s’besoj se e kam gabim

Se asnjeri,

Dhe them, po asnjeri,

S’ia del mbanë i vetëm këtu,

Ai.

 

Vetëm krejt i vetëm

Asnjeri, por po asnjeri,

S’ja del mbanë dot këtu ,

Ai.

 

Ka ca milionerë me shumë para

Sa s’mundet  t’i përdorin dot

Gratë e tyre si orë zie vijnë vërdallë

Fëmijët e tyre bluz këndojnë,

Madje kanë edhe doktorë të shtrenjtë

Për të shëruar zemrat e tyre prej guri.

Por asnjeri

Jo, asnjeri

Nuk mundet t’ia dalë këtu i vetëm.

 

Vetëm krejt vetëm

Asnjeri, por pra asnjeri,

S’ia del dot mbanë këtu

Ai.

 

Tash eja më pranë e më dëgjo,

Të të rrëfej atë që e di,

Se retë e stuhisë po mblidhen

Dhe era do nisi të fryjë

Gjindja  po vuan

Por s’mund t’ia dëgjoj dot ofshamën,

‘Sepse asnjeri,

dhe të them, po asnjeri

s’mund t’ia dalë i vetëm këtu

Ai.

 

Vetëm krejt vetëm

Asnjeri, por pra asnjeri,

S’ia del dot mbanë këtu

Ai.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Maya Angelou, Rafael Floqi, Sofra e Diellit

Ndërlikimet e pesë fjalëve më të përdoruara të politikës të 2016-tës

January 3, 2017 by dgreca

1-rafel-floqi3Pamflet Nga Rafael Floqi/

Kompania Google procedon trilionë kërkime çdo vit, dhe ne fund të vitit në Mountain View, në Californi  jepet renditja e fjalëve  më të përzgjedhura ne motorët e  kërkimit për vitin 2016. Shumë nga frazat, çuditërisht, pasqyrojnë ngjarje kombëtare, temat e lajmeve dhe fenomenet të cilëve iu  është kushtuar rëndësi gjatë gjithë vitit. Kështu fjala më e klikuar ishte termi “Powerball”, i cili lidhet me çmimin e parë  të lotarisë $ 156 milionëshe në fillim të 2016 që u fituan nga tre mbajtës biletash. Pastaj renditen fjalët  “Prince”, “Hurricane Mateu”, “Pokemon Go” dhe “Slither.io”, që gjenden në pesëshen e parë, ndërkohë që “Trump” dhe “Hillary Clinton” mbyllin listën nga fundi. Lista e plotë ishte 1. Powerball, 2. Prince 3. Hurricane Matthew 4. Pokemon Go 5. Slither.io 6. Olimpiada 7. David Bowie 8. Trump, 9. Zgjedhje dhe 10. Hillary Clinton.

Kjo tregon se për amerikanët dhe për botën anglisht folëse, ikonat e artit Prince e David Bowei. apo lotaria e Powerball e loja “Pokemon Go” janë më të rëndësishëm, sesa zgjedhjet dhe kandidatët presidencialë e fjalët e politikës . Kjo ndodh në SHBA por në Shqipëri nuk ndodh kështu. Politika më e anatemuara mbizotëruan kërkimet për fjalët shqipe. Kështu në mungesë të një sondazhi nga Google nga sitet shqiptare sipas një informacioni kryesojnë, disa  fjalë të huaja që shpesh kanë hyrë me kuptime apo shqiptime të gabuara, që pavarësisht dukjes lidhen ngushtë me  njëra-tjetrën. Le të shohim pesë të parat dhe ndërlikimet e tyre. Përgjithësisht kur ‘Importohet” një fjalë nga një gjuhë e huaj, ajo hyn bashkë me objektin apo  nocionin e ri që sjell, por më vonë i nënshtrohet ligjeve fonetike të shqipes apo të folësve të shqipes që e përtypin, mbllaçitin, shkurtojnë, shartojnë, adaptojnë atë sipas qejfit. Në fillim të shekullit për t’u dukur më modernë dhe për të shmangur fjalët turke u futën në shqip fjalë dhe terma italianë e francezë aq  sa, sot mund të çuditemi pse ne në Shqipëri themi sutjena e reçipeta e në Kosovë i thonë shqip jelek (me zgjerim kuptimi),apo ne themi kanotierë dhe ata majicë.

Por kjo analizë nuk është thjesht gjuhësore, por politiko- socio-linguistike e përtej, si e tillë ka vend për humor.  Të ndalim tek pesë fjalët “e importuara” në shqip nga politika . E para fjalë është “kanabis”, e dyta “vetting”  e treta “hashash”, e katërta “dekriminalizim” dhe e fundit “chek-up”. Ashtu siç kanë hyrë në shqip këto fjalë dhe në përdorimin që kanë marrë, janë transformuar, kopjuar, shabllonizuar, transformuar, madje dhe përdoren me kuptim të zgjeruar e madje deri në kuptim të kundërt nga origjinali. Dëshmi e erudicionit të parisë sonë…

E para fjalë është “kanabis”, e cila ka marrë përdorim të gjerë, madje kësaj qeverisje i takon dhe neologjizmi “kanabizim” ( që ngjan si “kanibalizim” ) që do të thotë ta bësh dhe spinaqin kanabis, të që do të thotë si në atë parullën komuniste, t’u qepemi kodrave e maleve e t’i bëjmë ato më pjellore se edhe fushat  Por boll u morëm me fjalë dhe zhvillimet që ka marrë ajo në kohët e sotme,  por le të shohim bimën fajtore, “Kanabis”, që mbajti me bukë disa mijëra familje ne fshat, që ngjiteshin maleve qysh në orën pesë dhe mbushi xhepat e bosëve te drogës . Po për çudi asnjë bos i kapur vetëm “kultivues të mjerë për 20 mijë lekë dita” të futur në  burg me shumicë sa u detyruan të bëjnë dhe amnisti.  

Në fakt Cannabis sativa është një bimë njëvjeçare barishtore e gjinisë kanabis, një specie e familjes Cannabaceae. Njerëzit e kanë kultivuar kanabis në shekuj. Gjatë gjithë historisë është përdorur si një burim fibrash industriale për thasë, e si vaj farërash, si ushqim, por edhe për qejf, për përdorime fetare dhe shpirtërore, si dhe në mjekësi. Çdo pjesë e bimës korret në mënyra  të ndryshme, në varësi të qëllimit të përdorimit të saj. Si lloj botanik është klasifikuar qysh në fillim nga botanisti Carl Linnaeus në 1753. Po pse “kanabis” kur kemi fjalën e bukur shqipe “ kërp”, që rrjedh nga ( lat. Canabis, it. canapa) me rotacion të ngulitur, që tregon se është fjalë e trungut të vjetër të shqipes. Farat e kësaj bime janë përdorur për të bërë vaj kryesisht, vaj kërpi që mund të përdorej për gatim, për llamba ndriçimi, për llaqe ose për ngjyra druri. Edhe sot kjo ruan emrin e mirë si  kërp industrial,  ai mund të përdoren si ushqim për zogjtë në kafaz,  si një burim të mirë ushqyes për shpendët, si në formë farash kërpi. ( Ju lutem mos u thoni ketë malësorëve të fshatit Dedaj të komunës Shkrel, ku për kërp industrial u prangosën 35 vetë, pasi policia dhe drejtësia nuk e dinte dallimin). Fajin nuk e ka kërpi në vetvete, por vetëm ajo fara e keqe sativa.  Lulja e së cilës (dhe në një masë më të vogël gjethet, rrjedhimisht dhe farat) përmbajnë disa komponime kimike  psikoaktive të njohura, si cannabinoide, që kur konsumohen kanë qëllime rekreative, të dallditjes  të transit shpirtëror. Ka një dallim kur “malli” përgatitet nga lulet quhet (marihuana) kur merret nga gjethet nga nxjerrja e një ekstrakt rrëshinor ( shndërrohet në hashish), që  konsumohen si cigare me të dredhur, me nargjile apo duke e mbllaçitur. Dhe për kuriozitet kjo bimë ka ca si lule mashkullore edhe femërore sa pjellore aq edhe sterile. Shumica e farërave “të femërizuara” janë kthyer artificialisht  në “hermafroditite” femërore pa gjene mashkull, duke e trajtuar bimën me hormone, apo me substancën e thiosulfatit të argjendit. Kështu sugjeroj që kjo bimë të jetë simbol i ylberit LGBT)  Lypset që policia jonë ”e panjollosur “në vend të korrë në male, le të gjejë furnitorët e farërave, madje dhe ata të këtij kimikatit e t’i bëjë të gjitha bimët sterile. Boll i lodhi policët skërkave…

Të shohim fjalën e dytë “Vetting”, siç duket, duhet të ketë ardhur nga anglishtja, kjo folje?

Po të bëjmë në analizë të shkurtër të fjalës, ajo rrjedh nga një shkurtesë “ang. vet” apo si folje (ang. Vetting), që fjalë që kaq shumë u dëgjua në fjalimet e politikanëve. Jo më kot vlerësohet, si fjala e dytë më e përdorur këtë vit, dhe po te kishte një fjalor të plotë të albanglish ( siç ka spanglish)  do të ishte fjala “Vetting”, apo në shqip i përçudnuar “vettingu” me dy “t” dhe me mbaresën “u”, që fjalë për fjalë, do të thotë rishikim, rikontroll, rishoshitje, qëmtim. Kjo fjalë kaq shumë u fol e u shpërfol ne fjalime dhe deklarata politike nga kryeministri e nga politikanët dhe ambasadorët, nga gjyqtarët, ministrat, deputetët sa shqiptarët kuptuan si në kohën e Skënderbeut që duhet pyetur Venecia për ligjin,edhe vendi ynë  e ka kanunin e tij para Magnakartës. Por ajo që populli kuptoi më mirë është se ajo është një fjalë, që të gjithë bëjnë sikur e duan dhe asnjë se do…

Kuptuan se mund të shpallen e shpiken ligje, por kur nuk ka vullnet për t’i zbatuar, nuk kanë për t’u zbatuar kurrë, ose do te kalojnë ne një filtër idiot, si për heqjen e te drejtës për t’u zgjedhur për një mospagimin e një gjobe qarkullimi. Kështu disa njerëz u ndotën nga “vettingu”, të tjerët u anatemuan, por kriminelët ngelën dhe u bënë vetëm subjekte mediatikë. Por ç’ qenka kjo fjalë që gëzuaka e trimëruaka Rilindjen e frikësuaka gjyqtarët e lënka pa frymë opozitën? Por të shohim kuptimin e fjalës- “kuçedër”, sipas fjalorit Merriam-Webster :

Çfarë do të thotë të bësh “ang. vetting” apo “vet” për një kandidat për një pozitë të caktuar? A ka të bëjë kjo folje, diçka me fjalën me veteran “një person me përvojë të gjatë”? Duke pasur parasysh se sa përvojë të gjatë kanë këta gjykatës, kur të ardhurat vetjake i kalojnë me dhjetëra fish të ardhurat nga pagat, ndoshta, por sidoqoftë, sipas fjalorit është tregues se një gjë ose një person është verifikuar, i provuar i pastër, i vërtetë.

Interesante, apo jo, kjo  fjalë nuk është e lidhur fare me kësisoj me veteranët, por me një fjalë tjetër që nuk ka të bëjë aq shumë me njerëzit e njerëzillëkun, por me atë çka janë shndërruar njerëzit sot( në kafshë,) pro me fjalën veteriner, doktor kafshësh, apo siç i quanin me ironi në Kamzë në kohën e universitetit “hajvan doktor”. Amerikanë për gjithësisht janë të drejtë për drejtë kur duan ti bien shkurt. Pra në vend të fjalës “veteriner” shkurt “vet” ”  mjek kafshësh.”  Prej nga ku  folja “vetting”, pra të këqyrësh kafshët, të vizitosh kafshët. U lodh i ziu ambasadori Lu t’ua shpjegonte shqiptarëve këtë fjalë, por më kot.

Kështu “vetting” do të thotë t’i çosh dhe t’i kontrollosh kafshët tek veterineri. Në fakt ky emër u shkurtua në “vet” nga mesi i shekullit të 19-të dhe, brenda disa dekadave, nga emri i shkurtuar ‘vet” për veteriner u kthye në një folje me kuptim “të subjektit (vet i kafshëve) në ekzaminim mjekësor.” Por folja shpejt është aplikuar edhe për qeniet njerëzore, si dhe, me zgjerim kuptimi si një folje a emër foljor që ” tregon një kontroll mjekësor tek veterineri.” Kjo sikur ka lidhje me atë fjalën “ang. chek up”  Deri në fillim të shekullit të 20, kjo fjalë mori në kuptimin figurativ me të cilën njihet sot  “për t’ia  nënshtruar një person një shqyrtim, për t’i zbuluar të metat.” Me pak fjalë për të kontrolluar një soj të ri “kafshësh” të kohëve pas diktatoriale, se për ato para diktatoriale, ka një fjalë tjetër, që këtë vit pak u dëgjua, “lustrim”.

Por të ndalim tek fjala e tretë fituese, po  jo aq e panjohur por këtë vit, edhe në sajë të farave të zgjedhura me cikël të shpejtë vietnamez, në vend të rritej shumë për së larti u rrit për së gjeri. Nuk di pse shqipot i thonë, hashash, ndoshta se bën rimë me kallash, por dhe arabët, nga ku e ka dhe origjinën fjala thuhet “Hashish” që bën rimë me bakshish, apo shish, shtizë si tek fjala shishqebap,  po siç duket kësaj here e kanë gjetur si më kollaj fjalën “hashash”    Fjala arabe ḥashīsh njihet se ka hyrë pak a shumë njëkohësisht me duhanin në Evropë është regjistruar së pari qysh në vitin  1598.

Hashashi është  një substancë pak a shumë e errët që rrjedh nga bima e kanabisit, e përpunuar nga metodat që e nxjerrin rrëshirën me tretës  alkooli dhe me ujë të ngrohje për të krijuar pllaka apo çokollata  ose me edhe me metoda gati për t’u transportuar jashtë shtetit, apo në tregun vendas. Me që hashashi anglez  ishte i zi i pisët (mos marrim në sysh Lazaratin që e ka jeshil të pastër),  si një farë kallëp sapuni. Wikipedia thotë nëse ju doni për të pini hashash të  errët, mund të shkoni në  vende të tilla si  Holanda dhe ta blini atë në një “Koço shop”, më falni një “Coffee shop” një “dyqan kafeje”; dhe pastaj t’ja merrni një këngë të vjetër sarhoshësh-hashashi me titull: “Kuptimi i jetës sipas  “El Saimirit “ apo ”Në gjurmë të Eskobarit, K. Balili”,  thotë :

Tymos hashash, flit hashash

ha hashash, fli hashash

bli hashash, qaj hashash

thaj hashash, shit hashash!

Ju lutem kur ta këndoni këtë këngë, mos ta dëgjojë ministri Tahiri, se do t’u mallkojë që shani policinë, apo zëvendësi i tij sarandjot, Stefan Çipa, që do t’u nxjerrë statistikat që nga koha e komunizmit, kur mbillnin kanabis në Kamëz dhe e shisnin në Itali kontrabandë për të luftuar kapitalizmin e degjeneruar. Dhe mbi të gjitha kujdes se mos prishin namin e mirë që ka kanabisi i Lazaratit.

Por të ndalim tek përcaktimi  fjalës :”Hashish/ hashash  quhet ” Rrëshira e përqendruar e luleve femërore të bimëve si (Cannabis sativa or Cannabis  indica) që tymoset, përtypet ose pihet për shkak të efektit intoksikues të quajtur çaras. Të tjerat i kuptoni vetë. Për më shumë pyesni Ramën në Facebook, pasi edhe ai nuk është pa përvojë tymosje, siç thonë gojët e liga.   Si kjo një anekdote urbane që unë s’e besoj dhe aq.

Kryeministrit tonë ia shkrep ndonjëherë në mes të natës, siç ka thënë vetë, t’ia hipë taksisë dhe të kontrollojë ROGL-të ( më falni ngatërresën në kohë) të vizitojë doganën e Durrësit.  Komandanti i policisë kufitare i kapur në befasi rreshtoi të gjithë policët tok me policin e qenit. Po a mbahej qeni i drogës, me të ndjerë erën tentonte, t’i sulej kujt thoni ju? Gjejeni vetë?

Të nesërmen për sjellje të pa hijshme në publik, qeni u eutanaziua…

Le të ndalim tani tek një fjalë më frikë ndjellëse dhe një çështje më serioze. Një nga çështjet më të mediatizuara për  momentit është ajo “dekriminalizimit” që thuhet se në fund të vitit dha rezultatet e pritura . Nga një kokë për çdo forcë politike, dhe kjo shihet si arritje e PS pasi nga 19 copët e krahut të Ramës, u gjet vetëm një dhe me gjithë dashurinë e kryeministrit për njerëz me shumë emra, ndodhi dhe epilogu i ‘Shkëlqimit të rënies  të z. Roshi”.   Pra, me sa kuptohet, nga ajo që po thonë publikisht ligjvënësit tanë, si i tha dhe z. Rama Lul Bashës, mos më hiqet si i virgjër) se nuk do të ketë më kandidatë për deputetë, kryetarë bashkie madje edhe në poste të larta të administratës publike me precedent apo ndjeke penale. Por mjafton vetëm të analizojmë fjalën “dekriminalizim” për të kuptuar efektin e saj. Në fillim  kemi parashtesën “de-” që ka origjinë latine dhe në shumë gjuhë, përfshirë gjuhën angleze, merr kuptimin e diçkaje që hiqet etj.; edhe fjalën krim, që do të thotë një vepër penale për të cilën ndëshkohesh. Në një hulumtim në internet www.collinsdictionary.com,  kërkova shpjegimin e fjalës “decriminalization”. Më dolën këto shpjegime: decriminalize ose decriminalise (folje) – to remove (an action) from the legal category of criminal offence (ta heqësh apo nxjerrësh (një veprim) jashtë kategorisë së veprave apo kudravajtjeve penale); me shembull: to decriminalize the possession of marijuana (të dekriminalizosh mbajtjen (posedimin) e marijuanës).

Prapë këtu marijuana, si dreqin lidhen këto fjalë kështu?! Siç duket, e ka fajin realiteti sureal shqiptar, ku Ministria e Rendit është shndërruar në Ministri Bujqësie, për shkuljen e bimëve te këqija, ku policia dërgon helikopterë dhe policë me maska me lopata për të kositur kanabis. (Saimir të paktën jepu ndonjë kosore apo kallë siç i thonë në veri) . Sot në Fjalorin e Shqipes, kanabisi duket se është metastazuar. Duket se qeveria Rama që deklaronte se do te luftonte tregun informal, dhe siguronte 300 mijë vende pune e realizoi këtë me kulturën e kërpit sativa dhe me largimin e mbi 200 mije vetëve në azil për shkak te humbjes se shpresës. Kërkesat e opozitës për dekrimininalizimin pollën një mi. Duket se te gjithë Maliqët tërheqin nga vetja…

Po e pesta fjalë që ka marrë të drejtën e qytetarisë, është fjala e panevojshme angleze “ Check –up”, pse duhet një fjalë anglisht, kur kemi fjalën a togfjalëshin e bukur shqip “vizitë mjekësorë” apo kontroll. Siç duket për këtë fjalë duhet të pyesësh ministrin e mjekësisë z. Ilir Beqja  i cili do të përpiqet të shpjegojë se kjo lindi si fjalë me rëndësi, për të mbuluar disa koncesione, dhe se për vizita mjekësore falas, siç e tha dhe kryeministri ynë në “Mea kulpa”-n e fund vitit”,  gjindja do të vazhdojë të pagojë tek doktori, por për “chek up”, falas, jo kurrsesi.

E kështu lum ne që “Fjalori ynë” na u shtua këtë vit me disa fjalë të reja, në thelb, të panevojshme, dhe humbi një fjalë të lashtë me rëndësi  “shpesa”.  Asnjeri se di ku gjendet, disa thonë prapa diellit, por as dielli s’merret vesh ku lind e ku perëndon. Nejse kjo është histori tjetër, sidoqoftë kryeministri ynë, ende nuk ka mësuar atë që thoshte Napoloni se : “Një lideri vërtetë është një shitës i zoti shpresash”.   

Filed Under: Politike Tagged With: pamflet, pese fjalet me te perdoruar, politika 2016, Rafael Floqi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NË KUJTIM TË CALVIN “CAL” LAWRENCE
  • NGA NJË IDE SHQIPTARE NË HARTËN BOTËRORE TË KARIKATURËS
  • Napoleon Bonaparti dhe trojet shqiptare…
  • A Dream I Once Imagined…
  • Tre dramaturgë anglezë – Thomas Whincop, William Havard dhe George Lillo, tri drama për Skenderbeun
  • Një dritare mbi Shqipërinë e trazuar: Kujtimet e Eqrem bej Vlorës (1885–1912)
  • Peng i drejtësisë së munguar…
  • Eseja e parë e Peter Priftit te Dielli – Shtegtim filozofik në 16 vjetorin e përjetësisë
  • KOSOVA PËRBALLË SË VËRTETËS NDËRKOMBËTARE: PA NJOHJEN E KOSOVËS, SERBIA NUK MUND TA KAPËRCËJË MURIN E EVROPËS
  • Petro Nini Luarasi dhe sfidat e shqiptarëve të shekullit XXI
  • “MOS E CËNONI PAQEN, GARANTONI BARAZINË”
  • Themeluese e “Artistè Foundation” në Kanada, Arta Rexhepi: “Dokumentimi i luftës së Kosovës është përgjegjësi historike”
  • “Jemi që pa ardhur deti”
  • Logu i bukurisë dhe i traditës në Kelmend
  • “Udhëtim pa mbarim”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT