Para 27 viteve, gjatë vizitës së Papa Gjon Palit II në Shqipëri Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova e takoi në Tiranë dhe i dhuroi një gur nga muret e qytetit të Ulpianës në shenjë kujtimi për dy martirët e krishterimit, Florin e Laurin/
-Në 25 Prill të vitit 1993 raportoja nga Prishtina në Tiranë: Papa është sot edhe në çdo familje shqiptare në Kosovë…
-Po në vitin 1993, në 11 Mars, Shenjtëria e Tij Papa Gjon Pali II priti në audiencë Presidentin e Kosovës Rugova/
-Më parë, në Shkurt 1993, Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova udhëheqte delegacionin e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës…
-Në 26 Gusht 2005 Presidenti historik Rugova vuri gurthemelin e Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë: Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj Katedraleje/
SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 25 Prill 2020/ Para njëzet e shtatë viteve, gjatë vizitës së Atit të Shejtë Papa Gjon Palit II në Shqipëri në 25 Prill 1993, Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova e takoi në Tiranë dhe i dhuroi një gur nga muret e qytetit të Ulpianës në shenjë kujtimi për dy martirët e krishterimit, Florin e Laurin.
Papa është sot edhe në çdo familje shqiptare në Kosovë, kam raportuar kështu nga Prishtina në Tiranë për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të lajmeve të Shqipërisë.
Atë ditë të lume, në 25 Prill të vitit 1993, raportimin se si pritej e përjetohej në Kosovë vizita e Papa Gjon Palit II në Shqipëri e nisja herët në mëngjes me telex-in, që ishte mundësia e vetme e lidhjes, dhe me shumë vështirësi, në atë kohë nga Prishtina e Kosova me Tiranën e Shqipërinë. Më pas për të përcjellë e parë vizitën shkova në Gjakovë, qytetin pranë kufirit të hekurt që ndante, ku mund të shihej Televizioni Shqiptar përkundër pengesave e zhurmuesve që i kishin vënë në gjithë Kosovën në rrethanat e okupimit të egër nga regjimi i Beogradit.
Për vizitën e parë historike të një Pape në Shqipëri, nga transmetimet e Radio Televizionit Shqiptar në televizorin e një familje gjakovare u bënë edhe foto për gazetën e vetme të përditshme shqipe në atë kohë në Kosovë “Bujku”, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha dhe që si gazetë e rezistencës me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik e pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci dilte nga 18 Janari i vitit 1991, pasi me dhunë ishte ndaluar gazeta tradicionale kosovare Rilindja…
Gazeta “Bujku”, që nga ballina, raportonte gjërësisht për vizitën e Papa Gjon Palit II në Shqipëri, shqiptarëve…
Më parë, në 11 Mars 1993, Shenjtëria e Tij Papa Gjon Pali II priti në audiencë Presidentin e Kosovës Rugova nga i cili mori një Promemorie për çështjen shqiptare. Gjatë qëndrimit në Itali Presidenti Rugova takoi Kryeministrin e atëhershëm Italian Xhuliano d’Amato, nga i cili kërkoi angazhimin e Qeverisë Italiane për vendosjen e forcave paqeruajtëse në Kosovë si hap i parë për shtensionimin e situatës dhe fillimin e zgjidhjes së krizës.
Para udhëtimit në Itali-Vatikan, po në vitin 1993 – në 16 Shkurt Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova udhëheqte një delegacion nga Kosova, që kishte shkuar në Amerikë me qëllim që të njoftojë udhëheqësit e Kombeve të Bashkuara dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtypjen e të drejtave civile, njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve të Kosovës. Presidenti Rugova bëri publik planin dhjetëpikësh të veprimit për ta zgjidhur krizën e Kosovës dhe për t’u dhënë fund padrejtësive. Për herë të parë kërkon një protektorat civil ndërkombëtar në Kosovë.
Gjatë qëndrimit në Uashington Presidenti Rugova u prit nga Tomas Najllz, Ndihmëssekretar i Shtetit për Evropë dhe Kanada si dhe në Komitetin e Kongresit Amerikan për Marrëdhënie me Jashtë nga kongresmenët Li Hamilton, Tom Lantos dhe Ben Gilman.
Nga 17 deri më 19 Shkurt 1993 Presidenti Rugova mori pjesë në tubimin kushtuar problemit të ish-Jugosllavisë të organizuar nga “Qendra Karter” në Atlanta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës…
E, në 11 Gusht 1993 Presidenti Rugova i shkruajti letër Ambasadores së SHBA-ve në OKB, Medlin Ollbrajt, të cilën e falënderon për angazhimin për miratimin e Rezolutës për vazhdimin e misioneve vëzhguese në Kosovë si dhe kërkon që si preventivë Kombet e Bashkuara të marrin në protektorat Kosovën për të normalizuar jetën dhe evituar konfliktin…
KATEDRALJA NËNË TEREZA NË PRISHTINË, E PËRKRAHUR NGA PAPA GJON PALI I DYTË
Në 26 Gusht 2005 Presidenti historik Ibrahim Rugova vuri gurthemelin e Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë së bashku me atëherë Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalin e Uashingtonit Teodor Mekkerik.
“Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj Katedraleje”, theksonte Presidenti Rugova.
SHQIPTARËT VATRANË NGA AMERIKA SHUMË KONTRIBUES PËR KATEDRALEN E KOSOVËS SHËN NËNË TEREZA
Në 5 Shtator 2017, shumë solemne dhe madhështore ishte festa, mesha e shugurimit të Katedraljes-Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë nga i Dërguari i Posaçëm i Papa Françeskut, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani, e me pjesëmarrje edhe vatranësh të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, të cilët edhe u vlerësuan e falënderuan për kontributet. Shqiptarët nga SHBA – Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, që vepron në Nju Jork dhe rrethinë, kanë kontribuar për mëse 9 vite me 2 milionë dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar…