Shkruan:Viron Kona/*
Janë të shumta ata shqiptarë që, jo vetëm janë integruar në shtetet ku kanë emigruar, por edhe kanë mundur të prezantojnë përpara kombeve dhe popujve të tjerë vlerat e tyre intelektuale, atdhetare dhe krijuese, duke u afirmuar me vepra dhe cilësi të shkëlqyera humane, shkencore, sportive, letrare e artistike. Veçanërisht pas hapjes me botën dhe asaj ikjeje të madhe pas vitit 1991, por edhe gjatë dhe pas atij gjenocidi të egër serb mbi Kosovë, shumë shqiptarë u shpërndanë nëpër botë për mbijetesë, sikurse edhe në kërkim të një jete më të mirë, teksa vlerat e kombit tonë u bënë përherë e më të njohura, më të dukshme, më rrezatuese përpara opinionit botëror.
Ndodhi edhe me shqiptarët që emigruan në Suedi e ku jeton sot një komunitet prej afro 60 mijë vetë, kryesisht nga Kosova. Natyrisht që ka qenë edhe mirëpritja dhe kushtet e favorshme që ka krijuar shteti suedezë, të cilat iu mundësuan shqiptarëve atje të shfaqin dhe të afirmojnë vlerat e tyre, të organizohen në shoqata social-letrare-artistike-sportive, si dhe qendra kulturore me qëllim ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe të traditave…Në qytetin Borås, i njohur dhe i famshëm si qyteti i tekstilit, shqiptarët kanë prezantuar vlerat e tyre si qytetarë dinjitozë, punëtorë dhe të përkushtuar ndaj jetës, e, përpos të tjerave kanë afirmuar edhe vlerat gjuhësore, kulturore, artistike dhe të traditës. Mund të shkruhet për shumë individë prej tyre, si dhe për veprimtaritë që ata kryejnë, por kësaj here po ndalem te një emër i shquar në diasporë, te drenicasi nga Kosova Sokol Demaku, njeriu që me përkushtim dhe sakrifica të jashtëzakonshme, i ka vënë gjoksin jetës, duke e përballuar atë me dinjitet, pa u thyer nga vështirësitë, gjithnjë duke i kthyer shpresat në besim. Ai, jo vetëm mundi të përvetësojë mirë gjuhën suedeze, por edhe arriti të kryej studimet në universitetin e Goteborgut për mësuesi`, ndërkohë që e ka treguar veten edhe si krijues, gazetarë, poetë e përkthyes, duke merituar deri edhe anëtarësimin në Lidhjen e Shkrimtarëve Suedezë. Ndërkaq, Sokol Demaku, është i njohur në Borås si një qytetar që pasqyron vlera të arta të popullit shqiptarë, si një organizator i shkëlqyer veprimtarish kulturore dhe social-artistike e letrare, si një mësues i dalluar në shkollën “Fjardingskolan” të qytetit, ashtu dhe një njeri human e nismëtar për krijimin dhe themelimin në qytetin Borås të Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni”. Ndërkaq, ai bashkë me kolegë të tjerë, është edhe ndër themeluesit e revistës “Dituria”, radios “Dituria” dhe televizionit shqip “Dituria”… Vlerat e Sokol Demakut shfaqen tufë, por mes tyre rrezaton me një ndriçim tepër të veçantë poezia e tij…
Autor i rreth 20 botimeve, në prozë e poezi, kohët e fundit Sokol Demaku na gëzoi me lajmin e bukur të botimit në suedisht të përmbledhjes poetike “Kjo erë magjike” (“Den magiska vinden”). Libri ka 65 poezi, pothuaj të gjitha në origjinal në suedisht, vetëm një apo dy prej tyre janë të përshtatura nga shqipja. Vëllimi është botuar në kuadër të redaksisë së revistës “Dituria” në Borås të Suedisë dhe është shtypur në shtypshkronjën Tryckt hos: “Exakta Print / Sjuhäradsbygdens Tryckeri AB”. Poezia emblemë “Kjo erë magjike” (“Den magiska vinden”), që pagëzon librin është dhe lajtmotivi kryesor i këtij vëllimi që përhap flakën e dashurisë dhe të mallit për mëmëdheun e që shprehet aq emocionues në vargjet: “Të lutem oj erë,/të ngrehësh lartë,/peshën e mallit…”
Vargjet e “Erës magjike” shprehin ndjenjat e holla të shpirtit dhe të zemrës së poetit Demaku, shprehin mallin për atdheun, për Kosovën, për Shqipërinë që ai i viziton për vit, dashurinë dhe nderimin e tij për bashkëkombësit dhe trojet shqiptare të ndara padrejtësisht. Në vargjet poetike ai shpreh respekt dhe mirënjohje për suedezët, mirëpritës të mrekullueshëm, paqësor, të mençur dhe të dashur…
Sokol Demaku na befason përherë me atdhetarizmin e tij, me iniciativat e vrullshme dhe interesante. Kam shkruar disa artikuj për këtë poet të zjarrtë të shqipes, që, duke u mbështetur në tabanin kombëtar, me anë të librave, poezive dhe artikujve të tij, u dërgon vazhdimisht lexuesve mesazhe jete, harmonie dhe paqeje, shpalos përherë qëllime dhe dëshira të bukura, shpërndanë pranverë dhe blerim plot freski në mjediset dhe zemrat shqiptare. Kurdoherë ai rrezaton punë dhe pasion të jashtëzakonshëm, mirësi dhe dashuri njerëzore, vërtetësi dhe stil befasues, elegant dhe origjinal.
Sokoli ecën vazhdimisht me hap të sigurt e të vendosur, mendja e tij prodhimtare gjeneron përherë ide të reja, ndërkohë që ai nuk i lë ato të ngurosura në salla mbledhjesh apo në flet-programe, ai i zbaton ato, i vë në jetë me guxim krijues, me forcë dhe dëshirë, me punë të palodhur e përkushtim.
Urime për gjithçka bën Sokol Demaku! Qofsh përherë si lisi që lartësohet pranë shtëpisë tënde,(lisi më i madh dhe më i lashtë i qytetit të Boråsit), i cili në thelb është një Ante`, që e merr fuqinë nga toka e begatë suedeze, rritet nën vërshimin e erërave të ftohta veriore, por edhe në vështrimet dhe kujdesin e vazhdueshëm të familjes shqiptare Demaku.
Nga takimet e shpeshta me Sokolin, si në Suedi ashtu dhe në Shqipëri, mendoj se kam arritur t`i njohë shpirtin këtij njeriu, jehonat e zemrës, rrymat brenda tij, sikurse edhe brengat që ai i rrëfen kur vjershëron poezi. Janë brenga atdhetarie, brenga malli për vendlindjen dhe njerëzit që ka lënë atje, janë brenga malli edhe për një gur, edhe për një krua, për qenin besnikë; për fushën e lojërave dhe shkollën ku mësoi ABC-në shqipe, e, mbi të gjitha për njerëzit e mirë e të dashur, që kanë sakrifikuar mbase më shumë se çdo popull tjetër në botë për lirinë, pavarësinë, për kombin dhe atdheun; janë brenga që shprehin dashurinë për tokën e begatë shqiptare, për Drenicën dhe tërë Kosovën, Shqipërinë dhe gjithë trojet shqiptare, janë brenga dhe dashuri që shprehen deri edhe me “lotë”: Tårärord av sorg,/tårarär ordom frälsning,/tårarär ord av anden,/de beskrivervår själ,/de ärfrälsning av vårakänslor.(Lotët janë fjalë dhimbjeje,/janë fjalë lirimi,/lotët janë fjalë shpirti,/që përshkruajnë shpirtin tonë,/janë liri e ndjenjave tona).
Janë këto ndjenja që Demaku i mban përbrenda tij, por që nëpërmjet vargjeve me bukuri dhe figuracion poetik ia prezanton lexuesve si rrjedha të pastra kroi, ato janë ndjenja të tejdukshëm e transparent si vesa e mëngjesit…Poeti i konsideron lotët si “fjalë” dhimbjeje, i vlerëson poetikisht si “fjalë lirimi”, por edhe si “liri e ndjenjave”. “Lotët”, një poezi metaforike, sa e ndjerë artistikisht, aq edhe filozofike, ajo bart brenda saj një jetë të tërë njeriu, që ka kaluar nëpër shtigje jete të vështira, duke i përballuar ato me guxim të rrallë. Kush njeh jetën dhe vrullet e brendshme të Sokol Demakut, kupton se ato gjallërojnë dhe vlojnë brenda shpirti të tij poetik dhe atdhetar, duke shfaqur më të mirën për njerëzit dhe mjedisin, më të bukurën, ashtu si lulet në pranverë që shfaqin freski dhe ngjyra magjike të ylberit, që përhapin në natyrë aromat e këndshme, që mbajnë brenda tyre nektarin dhe gjallërinë për të lëshuar frute dhe bimë të reja, për t`i dhënë ritëm e gaz jetës….Janë ndjenja poetike që na bëjnë mirë të gjithëve, na bëjnë më të shëndetshëm shpirtërisht, më të bukur fizikisht, na zbukurojnë zemrat dhe shpirtrat tanë, na bëjnë më të ndjeshëm ndaj halleve, problemeve, vështirësive që kalojnë njerëzit, na bëjnë më solidarë, më miqësor me ta, ashtu siç në fakt është edhe poeti Sokol Demaku…
Njeriu mund të bëj jetë ndryshe, ai mund të shikoj edhe hallet e tij, të mbyllet në guaskën e vetë personale apo familjare, t`i shikoj gjërat nga dritarja e shtëpisë. Zgjedhja është e drejtë e gjithkujt, secili mund të bëj atë që do me jetën e tij. Por ja që ka edhe njerëz që veprojnë ndryshe, që, pa i detyruar askush, marrin përsipër edhe të ndihmojnë të përgjithshmen, të punojnë pa u lodhur duke iu përkushtuar njerëzve që i rrethojnë, familjes, bashkëkombësve, atdheut dhe kombit. E, Sokoli, është nga ata njerëz që sakrifikojnë e dhurojnë, përpiqet dhe punon pareshtur, shndërrohet në luftëtarë të së drejtës, të vërtetës dhe harmonisë, por ai di edhe të tregojë respekt dhe mirënjohje, duke punuar me respekt e përkushtim në shkollën “Fjardingskolan”, (shkollë ku fliten 32 gjuhë) e ku prej vitesh ai jep mësim…
Si kudo, edhe atje e duan shumë Sokolin: e duan nxënësit, mësuesit, drejtuesit… -Sokol! Sokol! – i thërresin në emër fëmijët e “Fjardingskolan” dhe e rrethojnë me dashur mësuesin e tyre të dashur e gjithnjë të qeshur, teksa ai i përfshin në krahët e mëdhenj e të hapur, duke u dhënë ngrohtësi dhe dashuri prindërore, duke u thënë fjalë të ngrohta, edukuese dhe nxitëse që ata të mësojnë, të bëhen të ditur dhe të zotë, të duan prindërit, shoqet dhe shokët, të duan mësuesit dhe atdheun tyre të bukur…Kështu e respektojnë Sokolin edhe rektori i shkollës Per Kettisen, mësuesit e shumtë….E duan bashkëkombësit shqiptarë, e duanë bashkëqytetarët suedezë, kudo, jo vetëm në Boras, por edhe në Goteborg, në Stokholm, në Vimmerby, në Malme, në Lund…E duan shkrimtarët dhe artistët, anëtarë të shoqatës “Papa Klementi XI Albani”, ku Sokoli është anëtar i saj; e nderojnë mësues, nxënës e drejtues edhe në shkollat shqiptare në Prishtinë e Drenicë, në Tiranë e Durrës…E njohin dhe duan ta kenë pranë edhe shkrimtarët dhe gazetarët shqiptarë në Athinë e Bukuresht, ashtu dhe stafi i radios që jep emisione shqipe në Bullgari… Janë këto vlera që zhvillohen natyrshëm veçanërisht te intelektualët e spikatur, te njerëzit që kanë vuajtur në jetë, që ruajnë krenarinë dhe dinjitetin, që kanë mbajtur gjithnjë peshë duke shënjuar rrugën edhe për të tjerët, ndaj dhe respekti për ta është i përhershëm… Veprat flasin.
Te poezia “VAD ÄRPOESI “(Çka është poezia), poeti bën një zbërthim filozofik të kuptimit të poezisë. Ai e shpjegon atë duke e hamendësuar edhe si “ajri që ne thithim”, edhe si” nektar i shpirtit”, edhe si “ushqim për zemrën” , apo “lot syri…”VAD ÄRPOESI:Luftenvi andas,/nektarav själen,/mat för hjärta,/ellerögat tårar,/kanske,/även en,/och den andra. (Çka është poezia: Ajri që ne thithim,/Nektar i shpirtit,/Ushqim për zemrën,/Apo lot syri,/Ndoshta,/Janë edhe,/Njëra dhe tjetra.)
Shpirti i poetit trazohet me zjarrin, duke kumbuar veçanërisht me vargjet e poezisë “Denmagiska vinden”(Era magjike):Åh, söta magi,/som blåsertillorkan,/taskyfall,/ochuppdaterasliv,/följmig,/hållmin hand,/släpper inteditt hår,/den storakonsten.(Era magjike:O e ëmbla magji,/që fryn si murrlan,/dhe sjellë furtunë,/e mbushë jetën,/dhe mua më përcjellë,/më mban për dore,/por unë nuk lëshoj flokun tënd,/atë pikturë të madhe).
Te poeti Sokoli Demaku është e dukshme modestia, ai është njeriut që bën shumë, por që qëndron vazhdimisht në hije, duke pasur merakun dhe pasionin jo të duartrokitet vetë, por të promovojë gjithnjë veprimtari të reja argëtuese dhe edukuese, që i japin më shumë kuptim jetës, e bëjnë atë më të bukur e me vlerë. Kam në shtëpi qindra fotografi nga Sokoli, ashtu kanë edhe shumë miq të tij, ndërsa ai vetë shfaqet vetëm në pak prej tyre, sepse është ai që bënë pa u lodhur fotot për të tjerët, që t`i gëzojë, që ata të kenë kujtime nga vizitat në Suedi, në shkollën “Fjardingskolan”, në Qendrën Kulturore Shqiptare “Migjeni”, në redaksitë e revistës, radios dhe televizionit “Dituria”, në biblioteka, qendra shkencore, sociale-kulturore…kudo. Kurse, ftesa në shtëpi, është e zakonshmja për Sokolin, ai të fton fare natyrshëm, teksa atje të presin me bujari, buzagaz dhe me çiltërsi bashkëshortja e Sokolit, Sabria dhe familja Demaku, gjithnjë të merakosur dhe të përkushtuar për ta pritur sa më mirë mikun që u ka ardhur, që ai të ndjehet si në shtëpinë e tij…
Janë cilësitë e shkëlqyera dhe virtytet e rralla që e prezantojnë Sokol Demakun gjithnjë pasionant dhe të vrullshëm, ngulmues dhe vërshues për arritje më të mira, më të bukura që u shërbejnë, emocionojnë dhe frymëzojnë njerëzit. Me shpirt të lirë dhe të zhdërvjellët, me energji përherë pozitive ai të tërheq në vatrën e tij krijuese, të vjen në ndihmë me gjithçka të mirë e të prodhuar nga mendja e freskët dhe humane. Sokoli nuk do lajka dhe lëvdata, por në gjithçka bën e vepron në rrugën e jetës, shikon nëse u shërbeu të tjerëve, nëse rruga dhe mundi i tij u vlejti atyre, nëse ua lehtësoi vështirësitë, ua zbuti dhimbjet, ua forcoi guximin, ua shtoi energjitë dhe forcën…
Të falënderojmë Sokol, o mik i mirë dhe i dashur, për shembullin që na jep në jetë, për mesazhet poetike që na dhuron me sinqeritetin, me ndjenjën dhe mirësinë tënde! Urime për vëllimin poetik “Era magjike”! Sjelltë kjo “erë” të tjera vepra artistike, që shprehin shpirtin dhe zemrën tënde të bukur!
*(Duke medituar rreth vëllimit poetik të Sokol Demakut “Den magiska vinden” (Era magjike)
* Ne Foto:Sokol Demaku